Me moton ‘Solidaritet dhe Qëndrueshmëri’, fillon edicioni i tetë i Festivalit ‘FemArt’

Për herë të tetë, Qendra për Art dhe Komuniteti ‘Artpoli’, organizon ‘FemArt’, Festivalin ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste në Prishtinë, duke filluar nga data 15 tetor e që do të vazhdoj deri më 20 tetor, kësaj radhe me moton ‘Solidaritet dhe Qëndrueshmëri’, shkruan KultPlus.

FemArt është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës prej vitesh. 

Ky vit i vështirë ka shkaktuar shumë ndryshime në plane, për festivale dhe organizime tjera të ndryshme, për shkak të pandemisë Covid-19, përderisa FemArt pas një pune të madhe dhe me sfida, në këtë edicion të jashtëzakonshëm, do të jetë festivali i parë i organizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me publikun në vitin 2020 në Kosovë dhe do të përfshijë më së shumti artiste/ë vendor sesa ndonjë edicion tjetër i FemArt-it deri tani.

Moto e festivalit FemArt 2020 “Solidaritet dhe Qëndrueshmëri” synon solidaritetin si parim të mbështetjes së ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave dhe qëndrueshmëri si aftësi për t’i bërë ballë fatkeqësive, traumave dhe sfidave duke u ngritë në këmbë sa herë rrëzohemi e duke e ngritë zërin sa herë që mundohen të na heshtin.Duke e pasur parasysh ndikimin e krizës financiare të shkaktuar nga pandemia, sidomos në fushën e artit dhe të kulturës, ishte shumë e rëndësishme që ne të krijojmë hapësirë, mbështetje financiare dhe mjedis të sigurt për 160 artistet/ët, aktivistet/ët dhe të rinjtë që do të marrin pjesë në edicionin e 8të të Festivalit FemArt 2020.  Pjesë e festivalit do të jenë edhe 20 vullnetare/ë, të reja e të rinj, pjesëtare/ë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë,  që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon, dhe të drejtave njerëzore në përgjithësi, si dhe ndarjen e përvojave. 

Aktivitetet që e karakterizojnë këtë edicion janë: 2 ekspozita, 2 koncerte, 1 publikim i raportit, 1 konferencë ndërkombëtare, 3 panele diskutimi, 1 publikim i broshurës, 6 shfaqje/performanca teatrale, 2 dans teatër, 3 punëtori, 10 filma, 6 podcast.

Ky aktivitet zhvillohet në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19” të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe “Projektligji për prandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”. Kërkohet nga të gjithë pjesëmarrëset/sit të respektojnë të gjitha masat për mbrojtjen nga Covid-19 duke mbajtur maskat dhe distancën.

 Për më shumë, gjeni linkun e ngjarjes në Facebook: https://bit.ly/34DTDd4.

FemArt Festival vjen me edicionin e tetë për këtë vit, publikohen datat

Fesitvali FemArt, tashmë i njohur edhe ndërkombëtarisht, një festival ky me karakter feminist, ka lajmëruar se do të zhvillojë edicionin e tetë i cili do të mbahet në datat 15 deri me 20 tetor të këtij viti, shkruan KultPlus.

FemArti është festival i cili ka arritur që përmes artit të mirë dhe kualitativ të krijuar nga artistet dhe aktivistet të fuqizojë gratë dhe vajzat në njohjen e të drejtave të tyre të plota me qëllim të arritjes së barazisë politike, ekonomike, kulturore, personale, dhe shoqërore.

Moto e festivalit FemArt 2020 është “Solidariteti dhe Qëndrueshmëria”.

Solidariteti si parim i mbështetjes së ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Qëndrueshmëria si aftësi për t’i bërë ballë fatkeqësive, traumave dhe sfidave duke u ngritë në këmbë sa herë rrëzohemi e duke e ngritë zërin sa herë që mundohen të na heshtin.

Koncepti dhe formati i festivalit FemArt këtë edicion ka ndryshuar si rezultat i përballjes me COVID-19. Në solidaritet dhe përkrahje FemArt do të sjellë krijime artistike origjinale nga artistet dhe aktivistet e vendit.

Përgjatë shtatë edicioneve të kaluara FemArt Festival ka sjellur më shumë se 240 aktivitete artistike dhe kulturore si dhe ka mbledhur rreth 25,000 persona në audiencë. / KultPlus.com

“Green Fest” në edicionin e tetë vjen me “Imagjinatë pafund”

7Arte tashmë po prek edicionin e 8-të të organizimit të festivalit tradicional Green Fest. Si çdo vit tjetër festivali Green, edhe këtë vit do të sjellë artistë të ndryshëm dhe synon të ndërgjegjësojë opinionin kosovar për përkujdesje dhe vëmendje më të madhe ndaj mjedisit, si dhe të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Tema e sivjetme “Imagjinatë pafund” ka për synim të nxisë debat dhe ide mbi mënyrat e të jetuarit në harmoni me natyrën, duke konsumuar e prodhuar me përgjegjësi, shkruan KultPlus.

Green Fest këtë edicion do të mbahet pranë Liqenit Artificial në Mitrovicë përgjatë datës 17 – 18 Gusht, nga ora 20:30 – 12:00. Gjatë natës së parë të festivalit të muzikës më 17 gusht do të përfomojnë artistë si: Duo Denis & Edis, Grupi NA, Jericho, Matale, Toton, ndërsa më 18 gusht do performojnë: E blertë, Orges Toçe teat Ajs Trio, Genc Salihu & Visa Kuqi, mysafir special Arbër Salihu, dhe Lilac.
Në kuadër të festivalit do të organizohet edhe aktiviteti “Green Open Air Cinema” i cili këtë vit shënon edicionin e 10’të. Kinemaja e hapur do të jetë aktive gjatë tre netve, të datave: 14-16 gusht, nga ora 20:30 deri në 12:00. Përgjatë kësaj kohe do të shfaqen filma të zhanreve të ndryshme, ku ndër të tjera do shfaqen premierë edhe filmi artistik “Martesa” nën regji të Blerta Zeqirit.

Green Fest këtë vit do të pasurohet edhe me një ekspozitë artistike “Infinit Imagination” e cila është organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Kosovo Art Exchange Galery – KAE dhe do të jetë e hapur për vizitor deri në fund të muajit gusht. Së bashku, GreenFest 8 dhe Galeria KAE kanë krijuar kushtet për artistë e rinj nga e gjithë Kosova që të prezantojnë vepra artistike të krijuara e të ri-krijuara me materiale të gjetura e të riciklueshme.

Edicioni i 8’të i Green Fest do të përmbyllet me aktivitetin Green Talks, gjatë të cilit do të realizohen fjalime të aktivistëve që kanë sjellë ndryshim në qytetin apo komunitetin e tyre duke qenë aktiv dhe të përfshirë në praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm. Krahas kësaj të rinjët do të angazhohen në ndërmarrjen e aksioneve ambientaliste në dobi të komunitetit.

Green Fest 2018 është mbështetur nga: programi “Culture for Change” financuar nga BE, menaxhuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatuar nga Qendra Multimedia, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, CBM, ACI, Kosovo Voulenteers, Taxi Albani./ KultPlus.com