Era Berisha
Edicionin e tij të 8-të, festivali “Mirëdita, dobar dan!”, e nisi të enjten mbrëma me premierën e dokumentarit të Danijela Štajnfeld, të titulluar “Më shëro” (Zaceli me), me ç’rast një audiencë e tërë pati rastin të shoh, të dëgjoj e të ndjejë thellë brenda tyre, historitë e dhimbshme e tejet personale të disa personave që kanë përjetuar dhunën seksuale e së bashku me të edhe të gjitha emocionet që të përndjekin pas atij çasti, shkruan KultPlus.
Përgjatë dy orëve, objekti i Kino Armatës mblodhi rreth vetes dashamirë të panumërt të artit dhe kulturës serbe, duke u shndërruar kështu në një fole ku përveç krijimtarisë muzikore e filmike, nuk kishte vend për asgjë tjetër.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, para publikut kosovar solli një atmosferë krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja. Ishin meloditë e muzikës serbe ato që po shoqëronin të pranishmit para hapjes zyrtare të festivalit, e nën tingujt diversiv nisi edhe performanca e Drag Queens, Loakiin dhe Sunnoka, të cilët në lëshimin e parë të muzikës së përgatitur, e kapluan jo vetëm skenën ku po performonin por edhe sytë e zemrat e të gjithë atyre që brohoritnin në çdo sekondë. Kurse, DJ Jovijah ishte ai që solli ritmin e i cili njëkohësisht shijonte shfaqjen e cila po krijohej para tij.
Pas këtij interpretimi të veçantë i cili padyshim që zgjoi shpirtrat në publik, hapjen e festivalit e nisi Kushtrim Koliqi, nga organizata jo-qeveritare ‘Integra’.
“Është hera e parë që po organizojmë festivalin në Prishtinë në formatin klasik të tij. Përveç vështirësive të zakonshme, tashmë festivali po organizohet në rrethana të jashtëzakonshme, me pandeminë covid-19 në njërën anë dhe me një ambient politik e toksik në anën tjetër. Festivali është një nga iniciativat e pakta bashkëpunuese mes dy shoqërive, të Kosovës dhe të Serbisë, që i ka qëndruar kohës dhe çdo vit po vazhdon të ofrojë mundësi për njohje e bashkëpunim mes dy shoqërive nëpërmjet prezantimit të formave kulturore dhe artistike”, thotë Koliqi.
Sipas tij, edicioni i tetë i festivalit ka për qëllim të promovojë skenën kulturore dhe artistike të Serbisë në Prishtinë, përmes aktivitete të ndryshme artistike dhe debateve që do të organizohen në ditët në vazhdim.
“Si çdo vit, festivali vazhdon të promovojë vlerat e përbashkëta, përkundër diskursit nacionalist, paragjykues e ndonjëherë negativ që vazhdon të mbizotërojë në dy vendet. Ajo se çka është e rëndësishme për festivalin tonë është ti ofroj qytetarëve të dy vendeve, është mundësia që ata të shohin një realitet ndryshe ku e kaluara kujtohet e kuptohet drejtë. Si çdo vit, edhe këtë herë nuk mund të mos e përmend frymëzimin e këtij festivali, pra aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiun, i cili ka qenë i njohur si aktor në Beograd, në ish-Jugosllavi dhe në botë dhe i cili paraqet simbolin e unitetit dhe skizmës, si dhe mundësinë e ndërlidhjes së dy hapësirave kulturore në një tërësi unike”, përfundon Koliqi.
Ndërsa, Ivan Duriq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriu, theksoi se është pikërisht ky festival, hapësira ku shqiptarët dhe serbët mund të zgjidhin problemet mes vete, por jo në mënyrën se si e bëjnë politikanët.
“Ne nuk ëndërrojmë që do të vijë një e ardhme, në momentin ku shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për të gjitha, mirëpo ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të mund të komunikonin me njëri tjetrin dhe do të gjenin një zgjidhje. Por, jo të bisedojmë sikur po bisedojnë sot Vuçiqi me Kurtin duke e nënçmuar njëri tjetrin apo ngjashëm, por që të bisedojmë vërtetë e të gjinden rrugë të përbashkëta dhe zgjidhje të përbashkëta”, thotë Duriq.
Sipas tij, qëllimi i tyre është që të luftojnë për paqe dhe të çrrënjosin nacionalizmin i cili na ndan neve dhe kjo duhet të bëhet këtu menjëherë.
Radha që dokumentari “Më shëro”, të shfaqet tashmë kishte ardhur e së bashku me të pasoi edhe heshtja absolute për të parë e dëgjuar rrëfimet e ndryshme të personave që kanë përjetuar dhunën seksuale dhe ndikimin që lë, qoftë ajo fizike apo mentale.
Filmi dokumentar “Më shëro” nga Danijela Stajnfeld, fokusin e vë mbi mbijetesën e personave të dhunës seksuale po aq sa edhe tek autorët e sulmeve seksuale. E gjitha kjo nis nga rrugëtimi i gjithsecilit person për të provuar e shfaqur përjetimin tronditës të tyre qoftë edhe tek një familjar. Por sikur mos të kishin mjaftuar pasojat e rënduara mbi viktimat, disa familjar e edhe persona të afërt me ata persona, manipulojnë me ndodhinë e tyre, duke paragjykuar kështu secilin person që ka përjetuar dhunën seksuale e njëkohësisht duke shtyrë që ata persona të mbyllen në vetvete.
Lufta për tejkalim dhe mbijetesë, është një luftë kjo e cila dëshmon se dhuna seksuale ndodh ndaj çdo kujt pavarësisht moshës, gjinisë, profesionit apo pozitës që ka.
Ndërsa, vetë regjisorja e këtij dokumentari Danijela Štajnfeld, dikur si një aktore e re ishte viktimë e sot një e mbijetuar e dhunës seksuale. “Më shëro”, është dhe mbetet një çlirim shpirtëror, nëpërmjet së cilës ajo vrapon pas mundësisë së shërimit, si një forcë që nëse kapet, nuk do të mund të ketë mundësi të thyhet më.
“Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, këtë edicion ka prezantuar skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë. Këtë edicion janë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Serbisë përmes një sërë prodhimesh artistike; filma, koncert, ekspozitë promovime të librave, etj. Një pjesë e programit si çdo herë do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve që trajtojnë tema të rëndësishme për shoqëritë e të dy vendeve.
Gjatë ditëve të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, audiencës së Prishtinës do t’i prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra, Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com