Poezi nga Rumi
Përktheu: Edin Q. Lohja
Çka ndodh, djalosh, po u bâne ashik si unë –
çdo ditë marrosje, çdo natë vajtim pa fund?
Prej syve nuk të hiqet e Tija shëmbëlltyrë –
dyqind drita në sytë e tuej, prej asaj fytyrë.
Prej tanë miqve ishe shkëputë,
prej dynjasë i kishe la duert:
“Prej vetvetes krejt jam ndâ,
plotësisht i Joti tash jam bâ.
Kur përzihem me kët’ hallk, jam ujë e vaj,
përjashta i bashkuem, përmrenda i ndamë.”
I marrosun bâhesh po i le dëshirat mënjanë,
po s’asht marrosje qi heqimi i gjen derman.
Sikur heqimët për nji dekik kyt dert ta shijojshin,
zinxhirët i kishin këputë, librat do t’i coptojshin.
Boll! Leni tana mbrapa, lyp minierë sheqerit hak!
Banu i tretun në at’ sheqer, si qumshti në kajmak!
Xhelāl ed-Dīn Rūmī, Dīvān-i Shems-i Tabrīzī, gazeli 244. / KultPlus.com