Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, piktorin Edison Gjergo.
“Homazh piktorit Edison Gjergo, që u dënua sepse doli jashtë kornizave të realizmit socialist”, u shpreh Margariti.
Edison Gjergo ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. I prirur drejt një pikture më moderne, larg nga rregullat e realizmit socialist, Gjergo me tablotë e tij “ndryshe” arriti të ndikojë në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve ’70. Edison Gjergo ishte një nga piktorët kryesorë që realizoi në vitet 1971-1973, vepra me prirje të fuqishme moderniste. Në tablotë e tij, vihen re gjithmonë e më shumë tendencat ekspresioniste dhe kubiste, larg shablloneve të ngurta akademike dhe skematizmit që mbizotëronte në këtë periudhë në artin figurativ shqiptar.
Piktori Gjergo zgjodhi tematikën e tablove të tij, brenda rregullave të realizmit socialist. “Era” e një jete politike sociale më liberale që u ndje në fillimin e viteve ’70 edhe në kulturën shqiptare bëri që mjaft piktorë sidomos ata të rinj, të realizonin punimet e tyre në forma artistike “novatore” për kohën.
Ai mori pjesë në disa nga ekspozitat kryesore: në 1966 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative me punimin “Heroina Zonja Çurre”; në 23 nëntor 1970 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative, piktorëve dhe skulptorëve të rinj “Rinia në punë dhe në jetë” ku mori pjesë me një punim: “Kënga e aksioneve”; në 1971 në ekspozitën kombëtare “Pranvera” me dy punime: “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), “Fonditori”(1971); në 1972 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative e Rinisë me punimin:”Portret malësoreje” dhe në nëntor 1974 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 30-vjetorit të Çlirimit të Atdheut me punimin: “Tekstilistët”.
Edisoni u arrestua më 13 janar 1975 dhe u dënua me 8 vjet burg me akuzën e agjitacionit e propagandës. Dënimin Edisoni e vuajti në burgun e Spaçit. Pas lirimit nga burgu më 15 nëntor 1982 nuk ishte e thënë që ta linin të qetë. Atij iu dha një tjetër dënim më 1989, i cili nuk ndodhi, pasi më 1989 Edison Gjergo u nda nga jeta./ KultPlus.com