Kur Kadare pyeste Pjetër Arbnorin: A dashurohet i burgosuri me qelinë?

Nga Edison Ypi

Zoti Pjetër, iu drejtua Ismail Kadareja, Pjetër Arbnorit gjatë një vizite në shtëpinë e Kadaresë ku veç Arbnorit ndodhesha dhe unë e ca të tjerë, a është e vërtetë se pas një kohe të gjatë në burg, i burgosuri dashurohet me qelinë?

-Po udhëtoj nëpër botë, tha Arbnori, po shoh qytete të kristalta, grataçiela marramendës, autostrada si gjarpërinj të zinj kilometrikë, ura të varura të bukura si nëpër ëndrra. Po vizitoj ekspozita dhe muzeume të arteve figurative me vepra madhështore me tu mbush trupi me mornica. Por rrëqethja estetike që nuk më shqitet asnjë çast nga mendja; betoni i mureve të qelisë me pllanga gjaku të tharë, fije flokësh të ngjitur, copa lëkure ngecur nëpër plasatitje, gërvishtje nga prangat dhe goditjet, është kryevepra e kryeveprave. Po, i burgosuri dashurohet me qelinë. / KultPlus.com

O Zot sa rrejn, duke rrejtur, hajdutin e bëjnë të ndershëm e rrugaçin e shpallin hero

Edison

Rrejn

O Zot sa rrejn.

Rrejn kur flasin. Rrejn kur bërtasin. Rrejn kur heshtin. Rrejn kur rrinë. Rrejn kur lëvizin. Rrejn kur hanë. Rrejn kur pijnë. Rrejn kur flenë. Rrejn kur ëndërrojnë. Rrejn kur fitojnë. Rrejn kur humbin. Rrejn kur dashurojnë. Rrejn kur urrejnë. Madje rrejn edhe kur rrejn.

Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejn statistikat, rrejn deklaratat, rrejn konferencat, rrejn kongreset. Të gjitha dhe të gjithë veçse rrejn dhe rrehen.

Nuk rrejn rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, se të atillë e kanë vesin.Rrejn gjith kohën. Rrenin dje, rrejn sot, do rrejn nesër, do rrejn deri ditën e fundit, deri frymën e fundit.

Nuk rrejn as bukur apo këndshëm, që të thuash se rrejn për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën, për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejn dosido. Rrejn si u vjen doresh. Rrejn pa u menduar.

Nuk rrejn me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejn pa e ditur pse rrejn. Rrejn se duhet të rrejn.

Rrena i ka këmbët e shkurtëra, rrena ka bisht, etj. demek sikur brenda të vërtetës mbisunduese rrena është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena.

Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, këtu mor Zotni të gjithë vetëm rrejn. Këtu oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien.

Vishen me rraqe gabi – hiqen sikur ndjekin modën.

I ngijnë flokët me xhel – u duket vetja i bukur.

Gjezdisin me Benzin e tjetrit – ushqehen me marmalatë të mykur.

Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë.

Duke rrejtur, hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rrugaçin e shpallin hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.

Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta ndreqësh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, totale, definitive.

Kapilarizimi i rrenës nga fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta mpin trurin, ti ngrin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën.

Nuk rrejn një herë, që ti falësh, apo tre herë që ti mëshirosh. Rrejn pafundësisht.

Rrena këtu është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta kafshojë e helmojë.

Këtu rrejn edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt, rrejn spiunat.

Këtu rrejn të gjithë. Rren ustai hallexhiun. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja. Rren televizori, rrejn autorët, redaktorët, opinionistat, analistat.

Majtas e djathtas, larteposht e rretheqark, rrena dhe vetëm rrena.

Bërtit sa të tundet dheu. Ulurit sa të ngresh dallgët e detit. Grise qiellin duke bërtitur e klithur. As hijen e të vërtetës nuk e gjen dot kurrën e kurrës. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund.

Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, duke j’u lutur Zotit të thotë ku është e vërteta, pse e vërteta vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.

E kotë. Pas hapit të parë në rrugën për me zbulu të vërtetën, je mbuluar nga një mal me rrena./ KultPlus.com

Edison Ypi: Shtatorja e Skënderbeut një kryevepër në interes të Serbisë

Në Prizren, për nder të 28 Nëntorit iu është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit. Kjo shtatore e punuar nga Sinan Aliaj, ka nxitur debate të shumta.

Madje është kërkuar edhe formimi i një komisioni për vlerësimin e shtatores, që të shihen mundësitë e rimodelimit.

Analisti i njohur Edison Ypi, përmes një statusi në Facebook, këtë shtatore e ka cilësuar si një kryevepër në interes të Serbisë.

“Koka si mi haleje, trupi si lakuriq nate. Serbin që e ka mballos kët’ monstër hiç se paska pengu “Zambaku i Prizrenit” që për me u këndu si duhet lyp tremijë violina, dhe as vet’ Prizreni që ësht’ aq i magjishëm sa vetëm po t’i afrohesh të del zemra nga gjoksi. Serbi ka bo çka i duhet. Një kryevepër në interes të vet”, shkruan Ypi. / KultPlus.com

Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat: Shet votën, vjedh, nuk punon, bëhesh kriminel e i korruptuar

Nga Edison Ypi

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Do vuash derisa të vdesësh. Sepse ti nuk lexon.

Vendi yt ka vuajtur diktaturën më kriminale të historisë së botës. Prej një çerek shekulli vendi yt është vend i lirë. Ti që nuk lexon këtë dallim nuk e bën.
Ti pi kafe, sodit njerëzinë, habitesh dhe mërzitesh pse nuk janë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Zeherr e helm do të bëhet kafja sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte fundi i botës.

Ti del ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të bukura, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet; “Janë bërë me pare droge”. Ore, të thotë ndonjëri, eja në vete, kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ndërtuar në 1 ditë por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota. E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar, nuk kupton.

Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i japësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk të ndodh për asnjë arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.

Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon.
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, Letrën e Tatjanës Onieginit, por përsërit batuta të pështira soc-filmash të neveritshëm. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.

Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet; Trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave janë vërtet të tillë. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë pakrahasimisht më të vlefshëm se këta me mangall, prush, krruajtje, nevrikosje, përplasje, sepse ti nuk lexon.
Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre misterioze, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.

Ti nxjerr në Fejsbuk foto me të ngrëna përpara. Është më turp se të dalësh lakuriq tek Sheshi Skënderbej. Edhe këtë ti e bën sepse nuk lexon.
Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë, fatkatrani dhe fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i autorëve të këqinj, grafomanëve budallenj delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.

Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.

Rrofsh e qofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, flladet e paragrafeve, stuhitë e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve. / KultPlus.com

Zonjën komplimentoje, ledhatoje e puthe por kurrë mos guxo ta pyesësh për moshën

Nga Edison Ypi

Mosha e Zonjës

U bo surrati jot me e pyt Zonjën për moshën. Ça dreqin ke që e pyet Zonjën për moshën ? Ke qef ta mposhtësh Zonjën, por meqënse Zonja nuk të përfill, e pyet për moshën. Vërtetë Zonja ka një mardhënie lozonjare me peshoren dhe pasqyrën. Problemet që Zonja ka me ato sende i zgjidh vetë, nuk të pyet ty që Zonjën e pyet për moshën. Nuk i pushton dot kështjellat e Zonjës, nuk i eksploron dot skutat e saj, nuk arrin ta lëpish mjaltin e koshereve të Zonjës, dhe i bën pyetje të helmatisura për moshën. Merru me të tjera mosha. Merru me moshën e të pa edukuarit, të paqytetëruarit, të korruptuarit, hajdutit, mafjozit, vrasësit. Mos i fut hundët te Mosha e Zonjës.

Merru po deshe edhe me moshën që e ke lënë pas dore, moshën e Zojushës, e cila, pavarsisht nga pasqyra rrenacake, peshorja hilanjose, dhe photoshopi, nuk mund të jetë më atraktive se Zonja. Nuk e mposht dot Zonjën duke e pyetur për moshën. Sado të lodhesh dhe çfardo armësh të përdorësh nuk e fiton dot luftën me Zonjën duke e pyetur për moshën. Zonja është e vetmja fitimtare kundër tiranisë së kohës. Mos u lodh kot ta transferosh përgjegjësinë për vështirësitë e jetës mbi Zonjën duke e pyetur për moshën. Mosha e Zonjës është shpikje e mashkullit frikacak që Zonjën nuk e njeh si njeri që ndjen, pranon, refuzon, dashuron, urren.

Mosha e Zonjës s’ka të bëjë me kronologjike, me rrjedhjen e kohës. Mosha e Zonjës është një mister që ti banali, ti mediokri, ti materiali, ti aestetiku, nuk e zbërthen dot kurrën e kurrës. Mosha e Zonjës nuk mund të kapet, nuk mund të matet nuk mund të kuptohet. Mosha e Zonjës është diçka që ikën e vjen, duket e zhduket, ngjitet e zbret, ndizet e tërbohet, rrjedh e derdhet brenda një magjie të pazbërthyeshme. Sa kohë nuk i numuron dot yjtë në qiell, s’ke pun me moshën e Zonjës. Zonjën komplimentoje, ledhatoje, puthe, depërtoje, por kurrë mos guxo ta pyesësh për Moshën. / KultPlus.com

‘Rrenacak milet, rrejnë gjithë kohën, rrenin dje, rrejnë sot, do rrejnë nesër, do rrejnë deri ditën e fundit’

Nga Edison Ypi

Rrejnë kur flasin. Rrejnë kur pyesin. Rrejnë kur përgjigjen. Rrejnë kur rrinë. Rrejnë kur lëvizin. Rrejnë kur hanë. Rrejnë kur pijnë. Rrejnë kur flenë. Rrejnë kur ëndërrojnë. Rrejnë kur dashurojnë. Rrejnë kur urrejnë. Madje rrejnë edhe kur rrejnë. Dhe nuk rrejnë rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Rrejnë gjith kohën. Rrenin dje, rrejnë sot, do rrejnë nesër, do rrejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit. Nuk rrejnë as bukur, këndshëm, që të thuash se rrejnë për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejnë dosido. Rrejnë si u vjen doresh. Rrejnë pa u menduar.

Nuk rrejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejnë kot. Rrejnë me instinkt. Rrejnë pa e ditur pse rrejnë. Rrejnë sepse u duket se duhet të rrejnë. Rrena i ka këmbët e shkurtëra, rrena ka bisht, etj. etj. demek sikur brenda të vërtetës mbisunduese rrena është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena.

Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë vetëm rrejnë. Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të mykur. Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë. Duke rrejtur hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rrugaçin e proklamojnë hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.

Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta korrektosh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale. Kapilarizimi i rrenës nga fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, ti mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën. Nuk rrejnë një herë që ti falësh, apo tre herë që ti mëshirosh. Rrejnë pafundësisht. Rrena e këtij mileti është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta helmojë. Rrejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Rrejnë pa turp, pa edukatë, pa vetpërmbajtje.

Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejnë statistikat, rrejnë deklaratat, rrejnë konferencat, kongreset gjithashtu rrejnë, mbledhjet rrejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse rrejnë dhe rrehen. Rrejnë edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt, rrejnë spiunat. Rrejnë dhe rrehen të gjithë. Rren dhe rrehet inginieri. Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja, rren televizori, rrejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë.

Rrejnë opinionistat, analistat, kazanistat. Rretheqark, rrena dhe vetëm rrena. Bërtit sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke klithur. Gjurmën, hijen, e të vërtetës nuk i gjen dot kurrë. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, për t’ju lutur me përgjërim të thotë ku është e tëra, pse vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.

E kotë. Pas hapit të parë për me zbulu të vërtetën, ndjen se befas je mbuluar nga të tjera rrena. Njerëz që rrejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të punojnë, nuk mund të përparojnë. / KultPlus.com

‘Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica e dashuria’

Nga Edison Ypi

Budallai i bukur

Të veshur, të mbathur, të larë, të krehur, me muhabete të thjeshta dhe të rrafshëta deri në neveri, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme, budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo si tulla të njëllojta që sapo kanë dalë nga fabrika.

Budallenj të bukur kemi pasur edhe më parë. Por ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet. Koha kur njerëzia thoshin, “sa budallenj të bukur ka bota, le ti kemi dhe ne tanët”, iku. Sot që budallenjtë e bukur janë shtuar si hordhia e karkalecave mbi fushën me grurë, duket çudi si ndodhi që kemi më tepër budallenj të bukur se budallenj të pabukur.

Me pamje të jashtëme të studiuar para pasqyrës, qasje nazelie ndaj interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill i mbështjellë në guackë plot jargë budallallëku.

Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.

Budallai ynë i bukur s’ka muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende ekzotike të huaja.

Tashmë budallenjtë tanë të bukur i kanë zënë pothuaj të gjitha fërngjitë e politikës, zyrat e ndryshme, shoqërinë civile, mediat, ku budallenjtë tanë të bukur bëjnë hatanë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe natyrisht budallallëk të pafundëm.

Budallai ynë i bukur është një tyç i azhornuar, një antikonformist që mposht me llafe mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i përvjellur.

Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari, kompjuteri, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.

Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar jetën./ KultPlus.com

Keni fukarallëk por përdorni smartfona, keni dëshirë të qeveriseni por votën e shisni

Nga Edison Ypi

Keni fukarallëk, por përdorni smartfona.
Keni ankesa, por në Prokurori nuk shkoni.
Keni biznese, por nuk paguani taksa.
Keni dëshirë të qeveriseni, por votën e shisni.
Keni shpirt, por ua mposht instinkti i kopesë.
Keni fantazi, por e përdorni për dallavere.
Keni dashuri për femrat, por nuk i respektoni.
Keni njerëz të ndershëm, por pak.
Keni njerëz të famshëm, por jo të dashur.
Keni territor të vogël, por fajin e keni vetë.
Keni fëmijë, por nuk i edukoni.
Keni besë, por nuk e mbani.

Keni lot, por s’dini t’i thani.
Keni fat, por nuk dini ta përdorni.
Keni Histori, por nuk e njihni.
Keni gjeografi, por nuk e shetisni.
Keni kisha dhe xhamia, por nuk besoni.
Keni zemër, por thjesht pompë.
Keni mendje, por nuk e ndizni.
Keni kohë, por e vrisni.
Keni gjuhë, por për të shpifur.
Keni qef të martoheni, por pendoheni.
Keni qurra, por nuk i fshini.

Keni shkolla, por nuk mësoni.
Keni sapun, por nuk e shkumoni.
Keni brisk, por nuk e rruni.
Keni shëndet, por jeni të ngathët.
Keni sëmundje, por nuk doni t’i shëroni.
Keni punë, por përtoni t’i bëni.
Keni ligje, por nuk i zbatoni.
Keni qiell, por nuk e shihni.
Keni krahë, por nuk fluturoni. / KultPlus.com

Dua të dua

Nga Edison Ypi

Sa ende akullnajat nuk janë shkrirë, pyjet nuk janë sharruar, ka njerëz që u mbushen sytë me lot, yjtë ndriçojnë, dielli ngroh, hëna frymëzon – dua.

Dua sa s’thuhet, sa s’shkruhet, sa s’numurohet.
Dua të dua.
Dua të mos pres të dua.
Dua të ngutem të dua.
Dua shqiptarët të kthehen me diturinë e bukurinë e botës mbi shpinë duke rrëmbyer tragetet e shpresës, lirisë e dashurisë, dhimbjes, rënkimit, mallit.
Dua që shqiptarët ta mësojnë se kanë edhe ata me se të mburren, se e kanë historinë e tyre, qytetërimin e tyre, artin e tyre.
Dua që shqiptarët të mos presin hënën e plotë në muzg t’ua ndërrojë ajo qeverinë, por ta ndërrojnë vetë sa herë të duan.
Dua që shqiptarët të rrëqethen para asaj të krisurës së vogël prej nga shpërthen ai zjarri i madh prej nga del urtësia që zbut, nënshtrimi që fisnikëron, malli që s’vdes, që e bëjnë universin sa kaotik dhe misterioz, po aq të rregullt dhe të qëndrueshëm, dhe jetën e mbështjellin me atë eterin e padukshëm që e bën jetën sa të tmerrëshme aq dhe të dashur.
Dua të gjithë shqiptarët ta kenë atë talentin e rrallë që të bën të dish të plakesh duke mbetur gjithmonë fëmijë.

Dua që të gjithë ta dinë se dashuria është si numri “¶”, natyral, irracional, mistik dhe shumë i rëndësishëm.
Dua të gjithë të dinë se të dashurosh nuk do të thotë të gjesh njeriun e përsosur, por të mësosh të shohësh përsosmërisht njeriun e papërsosur. 
Dua që shqiptarët ta kuptojnë mirë e të mos harrojnë kurrë se: “Në këtë Botë, uria për Dashuri është shumë më e madhe dhe më e vyeshme se uria për bukë”.
Dua që për Shqipërinë “më mirë të qaj unë për të, se sa ajo për mua”.
Dua ata që më duan dhe i dua. Por dua më tepër ata që nuk më duan.
Dua që të gjithë shqiptarët; Të jetojnë duke u mahnitur, të mos munden kurrë dot, të vështrojnë pa u tronditur, të dashurojnë pa derdhur lot. /KultPlus.com

Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat: Shet votën, vjedh, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar

Nga Edison Ypi

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Do vuash derisa të vdesësh. Sepse ti nuk lexon.

Vendi yt ka vuajtur diktaturën më kriminale të historisë së botës. Prej një çerek shekulli vendi yt është vend i lirë. Ti që nuk lexon këtë dallim nuk e bën.
Ti pi kafe, sodit njerëzinë, habitesh dhe mërzitesh pse nuk janë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Zeherr e helm do të bëhet kafja sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte fundi i botës.

Ti del ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të bukura, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet; “Janë bërë me pare droge”. Ore, të thotë ndonjëri, eja në vete, kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ndërtuar në 1 ditë por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota. E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar, nuk kupton.

Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i japësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk të ndodh për asnjë arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.

Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon.
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, Letrën e Tatjanës Onieginit, por përsërit batuta të pështira soc-filmash të neveritshëm. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.

Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet; Trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave janë vërtet të tillë. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë pakrahasimisht më të vlefshëm se këta me mangall, prush, krruajtje, nevrikosje, përplasje, sepse ti nuk lexon.
Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre misterioze, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.

Ti nxjerr në Fejsbuk foto me të ngrëna përpara. Është më turp se të dalësh lakuriq tek Sheshi Skënderbej. Edhe këtë ti e bën sepse nuk lexon.
Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë, fatkatrani dhe fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i autorëve të këqinj, grafomanëve budallenj delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.

Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.

Rrofsh e qofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, flladet e paragrafeve, stuhitë e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve. /KultPlus.com

Titujt shkencorë i mbajnë injorantët, dekoratat kriminelët

Edison Ypi

Frikacakët inkurajohen. Trimat përbuzen. Titujt shkencorë i mbajnë injorantët. Dekoratat kriminelët. Sa më tepër punë tu bësh, aq më pak vota të japin. Portalet, gazetat, televizionet, i ushqen korrupsioni, i mban politika, i paguan mafia.

Populli telefonon çdo mëngjez televizioneve pa e ditur as vetë pse. Kokëtrashë që organizojnë evente artistike, letrare, poetike, sillen në të katër anët si hiena që lëpijnë kërrma, si çakaj që hanë ngordhsina. Rrëshqanorë gjirizash burokratikë, butakë pa kocka dhe shtyllë kurrizore, gjallesa primitive pa asnjë ndjeshmëri apo dashuri njerëzore, mbijetuesa ordinerë që mbahen për artistë, shkrimtarë, poetë, që zhgarravisin neverira estetike, bëjnë promuovime pështirosëse me fonde të xhvatura.

Administrata shtetërore nepotike dhe partiake nuk ka asnjë etikë sjelljeje dhe asnjë shtysë morale. Për përgjegjësi qytetare, intelektuale, patriotike nuk bëhet fjalë. Thonë se duan të hapin dosjet e spiunllëkut. Por këtu spiuni i ndyrë quhet “zotëri i nderuar”, ndërsa të tjerëve që me spiunllëkun janë më të largët se me infinitin, u shpikin ndërlikime inekzistente. Programet televizive nuk kanë asgjë interesante. Pa filtër, pa kod, pa stil, janë thjesht rrëfime lineare të asaj që syri sheh, veshi dëgjon, hunda nuhat. Filmat e prodhuara në Shqipëri gjatë diktaturës janë neveritë propagandistike më absurde dhe më qesharake që ka njohur bota, janë këllirat estetike me efekte tragjike mbi shëndetin mendor të atyre që i kanë parë dhe i shohin, janë helmet kulturore dhe sociale më të rrezikëshme prej të cilave shqiptarët mezi shpëtuan.

Megjithatë, trutharë të njohur që mbahen për eksperta po thonë se ato filma janë luajtur nga aktorë të mëdhenj dhe jo vetëm nuk duhen ndaluar, por përkundrazi duhen restauruar. Konservatorizmi është elitarizëm, seriozitet, elegancë, rafinatecë, stil, vetpërmbajtje.
Teoricienët konservatoristë ku i kemi varur shpresat janë ca halldupë trashanikë, ca hajvanë ngrehalucë, dallamango, derra të panginjur që mezi presin të shtrohet dreka dhe darka, të kërrcasi tapa, të ngulet piruni, të mbushet luga, të kullufitet pilafi, të ngrihen gotat, të rrëkëllehet rakia, të bëhet selfia.

Liberalizmi është diçka e ndritur, diçka e ndryshme, alternative, që tek dishepujt e vet provokon emocion, ngjall shpresë. Liberalizmi ynë është një errësirë plot me plebej të pështirë ku të nxjerrin sytë hajdutët, një baltovinë ku të helmojnë nëpërkat dhe gjarpërinjtë e korrupsionit. Këtu këndohet kënga e hidhet vallja në një aheng pa fillim e fund.

Pa folur për muzikën për të vjellë, tekstet e këngëve janë aq pa lidhje sa kur i dëgjon bindesh se ai që ka shpikur Alfabetin ka qënë krimineli më i rrezikshëm. Këtu demokracinë e sollën viktimat që vuajtën në diktaturë tmerre që nuk i ka parë bota. Duhej të ishin të vuajturit pra, ata që Shqipërinë ta qeverisnin për nja mijë vite rrjesht. Shqipërinë po e shkapërdhejnë ata që e bënë kasaphanë, bijtë e etërve kriminelë. Asnjë premtim nuk mbahet, asnjë afat nuk respektohet, asnjë parashikim nuk mund të bëhet. I vetmi ngushëllim është shpresa ngordhalaqe se ndoshta çmendina nuk do bëhet kasaphanë.

Po s’më bëre mik, ajri nuk më thithet, uji nuk më pihet, buka nuk më hahet, gjumi nuk më flihet…

Nga Edison Ypi

Po s’më bëre mik, ajri nuk më thithet, uji nuk më pihet, buka nuk më hahet, gjumi nuk më flihet, ëndrra s’më fanepset, djersët nuk më dalin, qurrat nuk më bien, kolla s’më ngacmon, teshtima nuk më vjen, mishi s’më rrënqethet, piruni nuk më ngulet, çiçi nuk më bëhet, qumshti nuk më derdhet, jeta nuk më duhet.

Po s’më bëre mik, më sill një pikë ujë ku të mbytem dhe të qaj. Qaj unë e qaj ti, brenda pikave të lotit do mbytemi të dy. Në mos, më braktis në një pyll ku korbat do më çukisin kërrmën, bishat do më lënë skeletin. Ose hidhmë në një pus të mbytem duke bërtitur dhe askush të mos më dëgjojë. Ndiz një zjarr e më digj. Kur flakët të prekin qiellin të habitet Zoti që më dogje pse s’më bëre mik. Më gjej një shpellë ku të gdhihem e ngrysem duke u lodhur të gjej arsyen pse s’më bën mik. Kur të vish në shpellë për vizitë do të mahnis duke të rrëfyer misteret e errësirës aq sa nuk do duash të dalësh më nga shpella por do rrish me mua përgjithmonë.

Pra do më bësh mik. Por do jetë vonë, se ndërkohë do jem bërë mik me shpellën dhe miqësia jote nuk do më duhet. Nëse nuk gjen dot një hon ku të më gremisësh, më hap një varr ku të më groposësh. Po përtove të gërmosh varrin, më sill një ambulancë që të më çojë në një spital ku të më kurojnë me ilaçe të gabuara nga një sëmundje inekzistente. Ose më vendos para një televizori ku po çfaqet një soc-film, që do më mërzisi sa do më vdesi.

Për të më varrosur për së gjalli, më detyro të dëgjoj një bisedë televizive ku një idiot thotë “jam artist”. Ose thuam që Roma është më e bukur se Tirana, të ta ngul një sqepar në kurriz dhe ta shtyj në burg reston e jetës. Apo thuam se bota ka bukuri më mahnitëse se muzgu në Kepin e Rodonit, të vi të ta çaj gurrmazin me biçak. Provo të më bindësh se Kalifornia është më e bukur se Myzeqeja, të t’i nxjerr sytë me pirua. Flakmë në një furrë ku të digjem, ose në një gropë gëlqereje ku të tretem. Hidhmë në një mulli të më bluash. Nuk do ta refuzoj një mur ku të ma përplasësh kokën.

Një semafor ku të hyj me të kuqe dhe një kamion përballë të më coptojë, do ta di për nder deri në amshim. Me kënaqësi do pranoj të më hedhësh nga një grataçiel. Po më godite në kokë me varre që të vdes në çast, do të falenderoj me gjithë shpirt. Një kazan me ujë të valuar ku të zjehem me gjith lecka do ishte po aq mrekulli sa edhe një tigan gjigand ku të fërgohem. Një grirëse ku të coptohem do ta paguaj me flori. Dy shina treni ku të ndahem më tresh si Anna Karenina do ishte ndihmë që s’llogaritet. Flakja në cilindo qiell sado të largët do më kënaqte sa do më çmendëte. Më hidh në një luna që të më trishtojë a një liqer të tharë që ta mbush me lot. Më trego një xhami pa hoxhë dhe pa minare ku të falem s’di se pse. Më thuaj ku ndodhet një kishë pa prift dhe pa altar ku të rrëfehem për mëkate që s’i kam bërë. Vetëm më bëj mik.

Çikat e Kosovës gjatë bisedave të lira flasin një shqipe me të lujt mendja, ndërkohë shqipja e tyre mediatike është një mballosje snobiste

Edison Ypi

Kosova nuk më do

Kosova vend i lirë, do duhej të qeverisej e begatohej nga krema e saj, intelektualët e ndershëm që Kosova i ka, të rinjtë e fuqishëm që Kosovës nuk i mungojnë, të shkolluarit e ardhur nga universitetet. Por Kosova kontrollohet e gjitha nga hajnat ardhur nga bodrumet europerëndimore marksiste leniniste që po e bëjnë Kosovën si i lypset shkaut, lesh arapi, pa Bogdan, Bud, Lasgush, Kadare, Shekspir, Dante, Beethoven, plot me pëllitje imamësh që më bëjnë të uluras; Kosova që më ka dash, nuk do më.

Çikat e Kosovës gjatë bisedave të lira flasin një Shqipe me të lujt menia, me tu ndal fryma, muzikë, sinfoni e tëra. Ndërkohë, Shqipja e tyre mediatike është një mballosje snobiste e dialektit e mrekullueshëm kosovar me Shqipen standarde, aq katastrofike sa bindem se Kosova, njëra nga gratë e mia më të hirshme, të cilën prej shekujsh e dashuroj dhe më dashuron, tash sa kohë më ka bo lanet.
Humori televiziv kosovaresk është aq qesharak sa të vjen turp me e pa e me e nigju.

Debati televiziv në Kosovë është më gdhë se i Shqipërisë. Komentet e kosovarëve nëpër rrjeta socjale, janë më të trasha se vetë trashësia. Sado ta dua unë, një vend me nivel komunikimi të tillë, nuk mundet me më dash mua.

Me biseda të shpëlara, batuta pa kripë, modë, muzikë, kuzhinë, pa realizmin e përditshmërisë, pa erë që fryn, pa shi që lag, pa pula që kakarisin, pa gjela që këndojnë, qen që lehin, vrasës dhe të vrarë, rrahës dhe të rrahur, vjedhës dhe të vjedhur, kosovarët dhe kosovareshat televizive sado të lodhen nuk e bëjnë dot televizionin. Rrjedhimisht Kosova mua nuk më do.

Me ardh në behar në Durrës me u rrezit pranë detit. Me ndejt në diell aq gjatë sa lëkura me tu përzhit në thellësi të mishit me shpesë se dielli të ka hy brenda dhe deri beharin tjetër aty do rrijë e do shërojë, keq më vjen ta them, por Ti Kosovë këtë e bën. Domethënë që mua nuk më do. Po të më doje, nuk do ta bëje.

Ti Kosovë bën çdo ditë e më tepër pica, bifteqe hamburgera, për snobat që janë pakicë, dhe çdo ditë e më pak Pasul për kosovarët autentikë dhe për mua që jemi shumicë. Ky është një krim i shëmtuar që, mes tjerash, provon se nuk më do.

U lirua Ura në Mitrovicë. Bukur. Mezi e pritëm. Por shembën Xhaminë. Xhaminë e Tiranës as kurvi nuk guxoi ta preki. Xhamia e vjetër nuk duhej shembur. Kosova nuk më do, prandaj e shembi.
E kam provu me ju afru Xhulietës time Kosovë, natën si Romeo, ditën si Don Juan, në mëngjez si dashuror, në mesditë si gentleman, nëpër ëndërra si Engjull, nga Morini si teptil, nga Maqedonia si patriot kafeneje, nga Luma si luftëtar çiftelie. E pa mundur. Ajo prej grave për të cilën digjem t’ja shpreh dashurinë, ta përkëdhel, ta puth, sa më tepër i afrohem, aq më tepër më largohet. Sa herë nisem në Kosovë përfundoj në Myzeqe, Devoll, Dibër, Pukë, Tepelenë, nëpër maja, gërrxhe, përrenj, shkëmbinj, humnera.

Unë që fill pas bombardimeve udhëtova nëpër Kosovë tre dit e tre net me lot në sy, Kosovën nuk mund ta vizitoj. Në Kosovë nuk mund të shkoj. Në Kosovë s’kam çfarë të bëj, se Kosova nuk më do./KultPlus.com

Ornela Vorpsi

Nga Edison Ypi

Ornela Vorpsi ishte e bukur si Sirenë homerike. Ornela Vorpsi ishte një ulurimë shëtitëse. Ornela Vorpsi ishte një Yll “Super Nova” që sapo kishte dalë nga një “Black Hole” që ishte Shqipëria e aso kohe. Ornela Vorpsi ishte aq e bukur dhe kryelartë, sa pa shqiptuar asnjë fjalë, vetëm me prezencë, i bënte pluhur e hi çmenduritë e kohës, luftën e klasave, moralin proletar, rrethimin kapitalisto revizionist, komitetet, mbledhjet, plenumet, dhe të gjitha marrëzitë e tjera.

Ornela Vorpsin të gjithë e dashuronin.

Ornela Vorpsi dilte edhe me Mamin. Një kombinim i tillë i hireve femërore me kryelartësinë, seriozitetin, guximin, nuk ishte parë kurrë. Ishin nga fort të rrallat femra që fatkeqësia nuk i kishte ligur dhe shëmtuar, por trimëruar dhe zbukuruar. Tek kalonin dukej sikur i klithnin turmës; Ejani në vete, Femra nuk është për t’u veshur me kominoshe doku për të punuar me turne nëpër fabrika të qelbëta. Femrën e ka bërë Perëndia për t’u komplimentuar dhe dashuruar. Turma hapte rrugën. Mbante frymën. Vinte në vete. Për pak çaste bëheshin njerëz. Harronin që ishin veshur me lecka dhe që ishin të uritur.

Sipas një ligji të pashkruar që zbatohet me përpikmëri, ziliqarët, delirantët, budallenjtë, shëmtaraqët, fatkeqët nga sëmundje të rënda, të sëmurët nga diagnoza të fshehta, marrin masa, bëjnë çmos, lodhen shumë, të mos duken sa të zinj e të këqij janë përbrenda.

Por ka disa raste kur rrethanat kombinohen në atë mënyrë që turiqenve dhe surratbajgave ziliqarë, u erren sytë, u torollepset mendja, ikin nga fiqiri, fshehin analizat, ndryshojnë diagnozat, harrojnë çdo kujdesje dhe flakin çdo vëmendje për të mos u dukur sa të këqij e shpirtkatranë janë, hapin barkun. Derdhja e vrerit, shpallja e budallallëkut, shenjat e sëmundjeve, provat e çrregullimeve, arsyet e fatkeqësive, shfaqja e surratit, u bëhen të papërmbajtshme. Gjithçka u shpërthen me tërë madhështinë e “llaftarisë tmerrisht të bukur”, si thotë Lasgushi i madh.

Sa mirë që ndodh kështu. Përndryshe nuk do ta mësonim dot kurrë sa i thellë, i errët dhe i pisët është humnera e ligësisë njerëzore.

Sapo Ornela Vorpsi u shfaq, majmunat e Fejsbukut, minjtë e skutave, urithat e portaleve, katunarët e gazetave dhe televizioneve, u bënë bashkë për t’ju hedhur në fyt. Nuk janë shumë si numur. Janë të rëndësishëm për të ilustruar dukurinë monstruoze.

Për çfarë po i bie legenit çeta e shejtanbudallenjve ndaj Ornela Vorpsit të bën të vësh duart në kokë.

Sipas tyre, meqenëse Ornela Vorpsi tha para nja 30 e ca vitesh se kur ishte studente ka provuar një debulesë sentimentale ndaj pedagogut Edi Rama, kjo ndodhi e atëhershme më se e natyrshme e të gjitha kohërave, ka shkaktuar një hata të tanishme të llahtarshme me përmasa të jashtëzakonshme për marrëzira që i kishim kujtuar të vdekura, por paskëshin qenë të gjalla; Lufta e klasave nuk po zhvillohet si duhet. Vigjilencën proletare e ka marrë lumi, Komunistat e armiq janë bërë si këmbët e dhisë. Morali komunist për ibret. Kultura borgjezo po bën kërdinë brenda radhëve të shtrënguara të klasës punëtore, inteligjencës kooperativiste, sidomos ndër artistët që janë aleatët më besnikë të partisë orientimet e së cilës janë lënë mënjanë dhe nuk po u jepet asnjë rëndësi, e të tjera e të tjera, me lujt mendsh.

Sipas hajvanëve të sotëm që pretendojnë të jenë mbajtës të palodhur të kandilit të të gjitha femrave të të gjitha epokave dhe vendeve, në kohën kur ndalohej veshja, ndalohej krehja, ndalohej larja, ndalohej arratisja, ndalohej muzika, paska qenë e ndaluar edhe dashuria. Një studente që e kishte babanë në burg paska qenë e ndaluar të ushqente simpati sentimentale për një pedagog. Gomerët e sotëm e dinin që atëherë, bashkë me ta edhe Ornela Vorpsi duhej gjithashtu ta dinte, se pedagogu që Ornela Vorpsi simpatizonte, pas nja 30 vjetësh do bëhej Kryetar i Partisë Socialiste, do bënte çmos për ta afruar Shqipërinë me Europën dhe jo me Turqinë e Arabinë, çka ishte dhe është gabim tepër i rëndë moralopolitik për studenten dhe rrezik i madh për të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë. Sipas lopçarëve në fjalë, Ornela Vorpsi, mund ta përdhoste shpirtin e saj me çfarëdolloj çuni; çun shefi, çun drejtori, çun oficeri, por kurrsesi me çunin piktor të një babai skulptor.

O pika që s’u bie. Ornela Vorpsi mund të kishte dashuruar edhe ndonjë nga ju lehëtarët e sotëm. Por nuk e dinte në cilin katund vuanit, në cilën kooperativë dergjeshit, cilat ara prashisnit, me cilën dhì bënit qejf.

Faleminderit Ornela Vorpsi për rastin e mrekullueshëm që na dhe për të njohur neandertalët.

“Romanet e Kadaresë lexohen nga 20 milionë lexues’

Publicisti Edison Ypi reagoi ndaj sulmeve që po i bëhen shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.

Me një status në FB, ai shkruan se librat e Kadaresë kanë miliona lexues.

“Spiunat e fëlliqur, sigurimsat vrasës, çunat e oficerave me duar të gjakosura, arrivistat ziliqarë, katunarët pa perspektivë, dështakët e pashpresë, delirantët e sëmurë, rrëshqanorët e bodrumeve, gjarpërinjtë e kënetave, nëpërkat e moçaleve, skilet e skutave, minjtë e vrimave, kriptoislamikët buxhetorë gjoja opozitarë që paguhen nga qeveria për ta mbajtur opozitën në nivele mjerane, të gjithë këta bëjnë postime në Fejsbuk që marrin nga 20 lajka.

Ismail Kadarea ka shkruar romane që lexohen nga 20 milionë lexuesa,” shkruan Ypi. / KultPlus.com