“Ai është zakonisht artizan i shkathët dhe punon në mënyrë industriale. Gati e tërë prodhimtaria e qëndistarisë së bukur nga ari e Ballkanit është vepër shqiptare. Kostumi madhështor i Oborrit të Malit të Zi ishte krijimtari e rrobaqepësve shqiptarë. Shumica e argjendarëve të Ballkanit, gjithashtu, janë shqiptarë apo me prejardhje shqiptare. Dhe, mjaft e çuditshme- siç thotë Mis Durhami – shumica e formësimeve artistike që akoma bëhen nga ata u përngjajnë ornamenteve të gjetura në varreza parahistorike, sa që së bashku shkathtësia dhe stolia duket se janë trashëguar nga ilirët e lashtë. Ajo pastaj vazhdon duke pohuar se pastërtia shtëpiake e shqiptarit mund të jetë shembull për shumë të tjerë.” / KultPlus.com
Gjatë pjesës më të madhe të kryengritjes së Isa Boletinit, unë isha në Shqipëri.
E gjithë Shqipëria e Veriut u revoltua disa herë, me synimin për të fituar autonominë dhe mbi të gjitha, për të përcaktuar kufijtë, sepse ekzistonte frikë e madhe për ndonjë agresion serb.
Ishte në fakt revolta e Shqipërisë së Veriut ajo që u dha mundësi Turqve të rinj të rrëzonin regjimin e vjetër.
Më pas, Turqit e rinj e djallosën situatën dhe i armiqësuan keqazi shqiptarët, duke dashur t’i osmanizojnë me forcë.
Isa Boletini ishte një lider shumë i aftë, i admiruar dhe i dashur shumë. Ai e deklaroi qartë se po luftonte kundër turqve për autonomi dhe kundër askujt tjetër. Ai e mbrojti pakicën serbe në vilajetin e Kosovës.
Kur oficerët serbë morën kontaktet e para me të, në Shqipëri pati gëzim shumë të madh. Njerëzit më thoshin: Tani serbët janë miqtë tanë.
Tash e tutje nuk ka përse të frikësohemi prej tyre. Një oficer serb jeton me Isa Boletinin. Ata janë betuar për miqësi me ne.
Djali i Isës, na u tha, shoqërohej me oficerë serbë. Së bashku, shqiptarët dhe serbët do të dëbojnë turqit.
Kur të fitohej autonomia, pakica serbe në Kosovë do të trajtohej mirë dhe të gjitha do të shkonin mirë. Kjo ëndërr e artë u trondit mizorisht.
Por do të kalonte ca kohë para se shqiptarët të kuptonin se sa mizorisht ishin mashtruar dhe ishin bërë vegla në duart e tjerëve.
Serbët e lanë Isa Boletinin t’i mposhtëte turqit dhe të spastronte të gjitha zonat afër kufirit me serbët.
Por, sapo erdhi puna për kufijtë dhe për përmasat e autonomisë që ata do të merrnin nga turqit, serbët dhe popujt e tjerë të Ballkanit u shpallën shqiptarëve luftë për të mos lejuar realizimin e këtij plani.
Shqiptarët që kishin luftuar turqit dhe ua kishin lehtësuar rrugën aleatëve të Ballkanit, u sulmuan nga ushtritë serbo-malazeze në mënyrën më brutale.
Meqenëse e kishin harxhuar municionin për rebelimin e fundit, pjesa më e madhe e shqiptarëve ishin praktikisht të paarmatosur dhe u masakruan pa mëshirë nga ushtritë pushtuese.
Apisi dhe miqtë e tij që ishin hequr si miq të shqiptarëve, tani, nuk kursyen as burrë, as grua, as fëmijë. Se sa u masakruan në vilajetin e Kosovës, kjo nuk do të mësohet kurrë.
Disa oficerë serbë u mburrën në tryezën e darkës në Podgoricë, në praninë time, për mënyrën sesi i kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës.
Hetimet e mëvonshme nga ana ime, treguan se kjo ishte e vërtetë. Lajme të tmerrshme për mizoritë e kryera erdhën përmes muslimanëve.
Duke tradhtuar kështu shqiptarët, serbët fituan tërë vilajetin, përveç një pjese që i ishte dhënë Malit të Zi.
Gjatë Luftës së Madhe, kur gjërat po shkonin keq me serbët dhe malazezët, Isa Boletini i cili me familjen e tij ishte lejuar të jetonte në Podgoricë në Mal të Zi, u masakrua së bashku me shumicën e burrave të familjes së tij, me sa duket për të siguruar se ai nuk do të udhëhiqte përsëri një kryengritje në Kosovë.
Ata u mbrojtën për shumë orë, nën një urë, derisa një mitraloz u kthye mbi ta. Pas luftës, shqiptarët u përpoqën shumë që të lejohej të mbanin të paktën një pjesë të Kosovës.
Pjesa më e madhe e saj ishte shqiptare e pastër si popullatë.
Por përsëri, ajo iu dha serbëve. Evropa, në çdo rast në fakt u ka treguar serbëve se rruga drejt suksesit është ajo e tradhtisë … / KultPlus.com
Mary Edith Durham vizitoi për herë të parë Ballkanin në vitin 1900. Gjatë udhëtimeve të saj në vitet 1900-1912, Edith Durham bëri një koleksion personal të kostumeve dhe tekstileve nga rajoni.
Në këtë kuadër kishte veçuar tregun e Prizrenit, siç shkruante ajo: “qëndisja prej ari nuk duhet të tejkalohet askund; dyqanet rrobaqepëse janë një flakë me ngjyra dhe modele të mrekullueshme”.
Pjesën më të madhe të koleksionin të tekstileve ia kishte dhuruar Muzeut në Bankfield 1935!
Burimi: Foto të shkrepura nga Prof. dr. Esat Dauti me rastin e vizitës së tij Muzeut në Bankfield!
“Unë ju siguroj se ata janë Bismarkë të vërtetë. Një ditë, ata do të kërkojnë, dhe Europa do të duhet t’u japë atyre atë që kërkojnë! Kur kaloja nëpër Ballkan, në Rumeli pyesja njerëzit: «Ç’je ti?»- Katolik – përgjigjej njëri.- Protestant – përgjigjej tjetri. Në Bullgari pyesja: «Ç’je ti?»- Ortodoks. Në Serbi pyesja: «Ç’je ti?»- Protestant.- Ortodoks…. Kështu e mbytur e tëra nga dogmat idiote të njerëzve, duke hyrë në Shqipëri pyeta: «Çfarë jeni ju këtu?»- Shqiptarë – m’u përgjigjën prerë e qartë. «Më në fund», thashë, «u çlirova këtu nga fanatikët dhe zotkrijuesit»…”
Edith Durham Brenga e Ballkanit, 1905. / KultPlus.com
Rreth jetës së Edith Durhamit përpara udhëtimit të saj në Ballkan ka shumë pak informacion. Mendohet që për të ndërmarrë këtë udhëtim ajo është frymëzuar nga Edward Lear, artist dhe shkrimtar britanik i cili vizitoi Shqipërinë, shkruajti libra dhe realizoi piktura të peizazheve shqiptare. Thuhej se asnjëherë nuk e kishte menduar veten të përfshirë në politikën e Ballkanit.
Në fakt, ajo para se të nisej për në Ballkan kishte njohuri të kufizuara për jetën dhe politikën e këtij rajoni. Pavarësisht gjendjes së trazuar në atë kohë përmendet se shqiptarët ishin shumë të shoqërueshëm dhe se shqipja një gjuhë indo-europiane dallon nga sllavishtja dhe është një gjuhë unike. Durham mbërriti në Trieste në vitin 1900 dhe më pas u nis drejt Malit të Zi, e hipur në një gomar, duke mbajtur në kujtesën e saj çdo peizazh që kalonte para syve të saj të cilat do t’i pasqyronte më vonë në shkrimet e saj.
Durham do të rikthehej në vitin 1901 në Malin e Zi dhe më pas do të shkonte në Shkodër, e cila sipas studjuesve ishte kryeqyteti verior i Shqipërisë. Në vitin 1903, ajo do t’u dedikonte një shkrim të titulluar ‘Nga pikëpamja e shqiptarëve’ dhe hapur do të fliste për aspiratat e tyre. Ajo do t’i mbështeste shqiptarët sepse i kishte bërë përshtypje Shqipëria, kultura dhe qytetërimi që sipas saj ishte shumë ndryshe nga e saja. Zjarri me të cilin ajo e mbronte Shqipërinë, origjinaliteti dhe përshkrimet e saj të gjalla kishin zënë një hapësirë të gjerë në mediat perëndimore përfshirë dhe Suplementin Letrar të The Times. Revista britanike ‘The Athenaeum’ i konsideronte librat e saj me udhëtimet në Ballkan si ‘më të mirat të shkruajtura ndonjëherë’ dhe kjo e inkurajoi Durhamin të mbronte edhe më shumë çështjet e shqiptarëve.
Në verë të vitit 1904, ajo hyn në territorin shqiptar për tu informuar personalisht se çfarë po ndodhte në Shqipëri. Sipas studiuesve ajo shoqërohej nga Konstantin Sinas, një shqiptar përfaqësues i Shoqërisë Biblike Britanike dhe të Huaj. Në fakt ata shkuan në Tepelenë dhe mbërritën në Vlorë e cila u bë qendër atdhetare gjatë luftës në Ballkan. Ajo u tha autoriteteve turke në frëngjisht ‘Unë jam angleze’. Sipas saj ajo kaloi në një kontroll rigoroz ku çdo libër që kishte me vete vulosej dhe shikohej me imtësi. Më pas ajo vazhdoi rrugën në fshatrat shqiptare nga Berati në Elbasan më pas në Durrës. Në Shkodër atë e mikpritën si një mikeshë të vjetër sepse shkodranëve ju kishte bërë përshtypje Edith Durhami e cila pati mundësinë të diskutonte dhe aspiratat kombëtare me ta. Ajo kishte pasur mundësinë të udhëtonte nëpër qytetet shqiptare dhe të dallohej për shpirtin e saj të lirë.
Me rikthimin e saj në Angli, ajo filloi të shkruante librin e saj Brenga e Ballkanit që i shkruar në një gjuhë sa më të thjeshtë do të mbërrinte në duart e shumë lexuesve dhe do të bënte të njohur çështjet e shqiptarëve duke argumentuar dhe shpjeguar pozicionin e Shqipërisë, ndjenjat kombëtare që shqiptarët kishin për vendin e tyre. Në fakt, ajo i kishte kuptuar shume mirë shqiptarët. Kishte arritur të futej në skutat më të thella të dashurisë që ata kishin dhe kanë për atdheun e tyre.
Pas vdekjes së nënës së saj, ajo vjen në Shqipëri, tashmë nuk ishte e kushtëzuar për t’u rikthyer në Britani. Kishte mbledhur shënime dhe koleksione, objekte dhe veshje popullore. Ajo ishte antropologe, anëtare e Institutit Antropologjik Mbretëror dhe sipas saj politika mund të studiohej vetëm duke parë traditat, kulturat dhe sidomos zotërimet e një populli. Kërkimet e saj ishin aq origjinale sa që ajo jepte kontributin e saj të vyer me anë të publikimeve që realizonte për Shqipërinë. Në vitin 1908, Durham drejt rrugës së saj në Shkodër dëgjoi për revolucionin Xhon Turk. Mendohej që ata do të ndërmerrnin reforma të reja. Ajo ishte shumë e lumtur në fillim dhe thoshte se ‘gjithë jetën e kishte pritur këtë moment. Do të vdes e lumtur sepse shqiptarët do të jenë të lirë’.
Studiues të shumtë përmendin sa e apasionuar ishte ajo pas çështjes shqiptare, sa e ndjente deri në palcë dëshirën e shqiptarëve për të qenë të lirë. E zhgënjyer nga reformat e turqve, ajo hipi në një kalë dhe së bashku me Marko Shantojën udhëtoi drejt Shkodrës. Në shkrimet e saj ajo i përshkruan këto rrugëtime dhe tregon se sa e afërt ishte ajo me Shqipërinë dhe shqiptarët. Thjesht e donte dhe vlerësonte kulturën shqiptare. Në periudhën që ishte në Shqipëri, Durhami pati kontakte me shërbimet konsullore britanike të rajonit dhe ju dërgonte letra ku përshkruante tensionet mes Turqisë dhe Shqipërisë dhe sigurisht duke mbajtur krahun e shqiptarëve ndërsa do të vlerësohej nga zyrtarët e asaj kohe ‘si një grua e spikatur që zotëron një gjuhë të fuqishme’.
Në vitin 1909, ajo u largua nga Ballkani për në Angli, me dëshirën më të madhe për t’u rikthyer në Ballkan por megjithëse larg ajo vazhdoi të shkruante për Shqipërinë dhe nëpër revistat perëndimorë të diskutonte çështjet e shqiptarëve. Gjithashtu, po në këtë vit ajo publikoi librin Shqipëria e Epërme i cili do të bënte një përshkrim të detajuar të shqiptarëve. Kritikët pasi vlerësuan maksimalisht udhëtimet e saj në Shalë, Dushman, Nikaj, etj, treguan se Durham donte një Shqipëri të drejtuar nga vetë shqiptarët dhe jo të drejtuar nga të huajt. Pavarësisht se ajo udhëtonte vetëm, u bë shumë e dashur për popullsinë vendase ndërsa ajo ja kthente admirimin duke i quajtur shqiptarët të armatosur dhe gati për qëndrese ‘tigra të çuditshëm, të bukur dhe brilante. Në vitin 1910, Durham ishte ende në Londër por kishte një vëmendje të madhe ndaj situatës së trazuar në Ballkan dhe donte të rikthehej sërish aty sa më parë që të ishte e mundur që të jepte kontributin e saj…Durham mbetet një nga figurat më të rëndësishme, një mbrojtëse e flaktë e shqiptarëve dhe e çështjes shqiptare. / KultPlus.com
Historiani serb, Aleksandar Rastoviq, në librin e tij ‘Velika Britanija i Srbija 1903 – 1914’ (Britania e Madhe dhe Serbia, 1903-1914), një kapitull ia kushton Edith Durhamit. Në këtë kapitull, sikur edhe në tjerët, libri përmban mjaft pallavra dhe gënjeshtra. Por, çuditërisht, ka edhe disa trajtime të ngjarjeve dhe interpretime të fakteve që bëhen në mënyrë reale apo shkencore.
Shembull i trajtimit real është letra e titulluar ‘Common
sense about the war’ të cilën Edith Durham më 1914 ia dërgon dramaturgut të njohur
botëror, George Bernard Shaw (fitues i Çmimit Nobel për Letërsi më 1925). Në
këtë letër Durham i shpjegon masakrat serbe ndaj shqiptarëve që ndodhën gjatë
luftërave ballkanike, më 1912-1913. Ky është interpretimi i Rastoviqit:
‘Një hapësirë të letrës Durham ia kushton Kishës Pravosllave
(Ortodokse) Serbe duke bërë me dije se kjo kishë është ndër më të përgjakshmet
dhe më jotolerantet ndër të gjitha kishat për shkak se i ka detyruar myslimanët
dhe katolikët që të konvertohen ose të vdesin. Ajo [Durham] ka shkruar që
myslimanët e mjerë nuk kanë patur mbrojtje dhe u janë nënshtruar torturave,
terrorit dhe therjeve. Ajo ka sjell edhe rastin e priftit françeskan të
Gjakovës të cilin e kanë zhveshur lakuriq, e kanë rrahur dhe në fund e kanë
therr me bajoneta për shkak se ka refuzuar të heqë dorë nga feja e tij. Ajo ka
vënë në pah se austriakët kanë insistuar që të hetohet ky rast. Trupi është
zhvarrosur dhe është vërtetuar tregimi i dëshmitarëve për këtë vrasje.
Katolikët dhe myslimanët e shkretë kanë mundur të shpëtojnë jetët e tyre vetëm
nëse e pranonin fenë pravosllave. Në vazhdim të letrës, në mënyrë që ta
vërtetojë tezën e saj për qëllimet që kishte Serbia për të shkaktuar luftë
botërore, ajo i citon fjalët e disa banorëve të Malit të Zi dhe Shkupit me të
cilët ka biseduar: ’Ne jemi serfbofilë dhe i kemi mundur turqit. Ne jemi fuqi.
Ne jemi rrezik për Evropën. Ne dëshirojmë ta djegim tërë Evropën. Do të
fillojmë në Bosnjë me Sarajevën. Do të marshojmë deri në Vjenë. E kemi
përkrahjen e plotë të Rusisë’ (faqe 344-5).
Ky libër do të ishte serioz sikur t’i trajtonte të gjitha rastet sikur këtë letër të Durhamit. Por, për fat të keq, pjesa dërmuese është joshkencore. Shumica e historianëve serbë, por edhe shqiptarë, mendojnë të jenë edhe shkencëtarë e edhe patriotë./KultPlus.com