Sapo kanë përfunduar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Vidra” me skenar të Stefan Boskovic e regji të Srdjan Vuletic, shkruan KultPlus.
Xhirimet e këtij filmi janë realizuar në Mal të Zi dhe për realizimin e këtij filmi janë përfshirë disa shtete në kooproduksion si: Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Italia dhe Kosova.
Për këtë projekt filmik që premierën do ta ketë në fillim të vitit 2025 ka njoftuar Fatmir Spahiu, i cili në këtë projekt ka edhe rolin e bashkëproducentit nga Kosova, në kuadër të Shtëpisë Filmike “Buka”.
Më poshtë është njoftimi i plotë i Fatmir Spahiut.
Te dashtun miq,
Jemi te lumtur me ju njoftu se keto dite kane perfunduar xhirimet i filmit “Vidra” skenar i shkrimtarit malazez Stefan Bošković dhe me regji te regjisorit boshnjak Srdjan Vuletić.
“Buka” ndjehet basheprodhuese krenare per kete projekt fantastik.
Poashtu falemnderojme nga zemra bashkepunetoret tone nga Kosova,
Aurita Agushin, Edona Reshitaj, Pellumb Ballata, Nok Selmani dhe stafi tjeter teknik dhe kreativ.
Vidra eshte prodhuar nga;
“Artikualacija film” nga Mali i zi
Ivan Djurović (producent i deleguar)
“Redibis film” nga Italia, Daniele Segre, coproducent,
“Izazov 365” nga Kroacia,
Katarina Prpić, coproducent,
“Realstage” nga Bosnja e Hercegovina
Ishak Jaliman, coproducent,
“Buka” nga Kosova,
Fatmir Spahiu, coproducent.
Filmi eshte mbeshtetur financiarisht nga;
Qendra e filmit te Malit te zi,
Ministria e Kultures se Italise,
Qendra auriovizuele e Kroacise,
Ministria e kultures dhe sporitit e Kantonit te Sarajeves,
Fondi i filmit ne Sarajeve
Qendra Kinematografike e Kosoves
Ne fazen e zhvillimit filmi kishte fituar cmimin e euroimages ne CineLink, si Best Pitch Award at When East Meets West.
Poashtu projekti ishte zgjedhur ne Cinéfondation programme Cannes L’Atelier.
Shfaqja e pare publike e keti filmi pritet te jete ne pranveren e vitit 2025 / KultPlus.com
Mbrëmë janë ndarë çmimet në Festivalin Shqiptar të Teatrit “Moisiu”, ku aktorja Edona Reshitaj është shpallë aktorja më e mirë e këtij festivali, shkruan KultPlus.
Emocionet për këtë çmim i ka ndarë edhe vet aktorja, e cila është shprehur të jetë emocionuar për këtë vlerësim nga ana e jurisë profesionale, çmim që i është dhënë për rolin e saj në shfaqjen “Gadjo”.
Më poshtë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Edona Reshitaj.
Mbrame ne Tiranë, m’u nda çmimi AKTORJA MË E MIRË, ne Festivalin Shqiptar te Teatrit “MOISIU”, me rolin tim ne shfaqjen “GADJO”.
Me emocionoi sigurisht, ashtu siç me emocionon ky rol, sa here qe e luaj. Mbetet nje prej roleve te mija shume te veçanta, teper te ndjeshme dhe shume dimensionale.
Faleminderit jurise per vleresimin, Festivalit per mikepritjen, publikut per duartrokitjet e pafundme dhe te gjithe juve qe personalisht me keni shtrengu n’gjoks me perqafime te ngrohta
Akorët si: Adrian Morina, Flaka Latifi, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, me lojën e tyre të paparë, kanë jetësuar mbrëmë premierën e shfaqjes “1984” që erdhi nën regjinë e regjisorit francez Igor Mendjisky. Shfaqja vjen e bazuar në romanin ikonik të autorit George Orwell, por ajo që e ka bërë këtë shfaqje të dalë përtej imagjinatës, ka qenë trajtimi i dramaturgjisë nga Zoga Çeta Çitaku, rrezatimi depërtues i esencës së veprës si dhe aktrimi i tetë personazheve thellësisht të komplikuar por edhe të thjeshtë në vetvete, shkruan KultPlus.
Pasi të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre përbrenda hapësirës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, mu në skenë ata u vendosën ballë me aktorët që gjendeshin nëpër pozicionet e tyre përkatëse. Loja nisi fiks në orën 20:16 e së bashku me të, si rrjedhë uji u lëshua një mjegull e lehtë që u shpërnda horizontalisht në ambient, duke paralajmëruar realitetin distopik që përmban në thelb vetë vepra letrare.
Një nga një, aktorët procesojnë të prezantojnë “veten” e tyre para publikut, por tërë këtë shtjellim e tutje do ta drejtojë si një shkop magik, O’Brien (Adrian Morina), i cili me shikimet e tij tinëzake kafshon mendimet e gjithsecilit. “1984” sjellë para nesh historinë e Uinston Smith (Ylber Bardhi), djaloshi i cili tërë kohës lufton për copëza të vogla dashurie, lirie e vërtetësie si dhe Xhulias (Flaka Latifi), vajza që ipet lehtësisht pas shikimeve të para të Smithit dhe kësisoj fillojnë të lindin ndjenjat e para mes tyre. Por kjo nuk është thjeshtë një dashuri e zakonshme. Në këtë histori i përfshirë është ‘Big Brother’ i cili mendërisht dhe fizikisht, hyn brutalisht në jetën e tyre dhe përmbys gjithçka, duke krijuar kështu botën ideale të tijën, aty ku mosbesimi dhe dhuna, shkelin këmbë mbi çdo trup.
Majat e larta të intensitetit që tronditin audiencën vijnë të shoqëruara nën melodi të qëlluara nga kompozitori Trimor Dhomi dhe së bashku me reflektorët që ndërronin ngjyrat herë pas here, krijonin një ambient ku portretizohej më së miri egërsia provokative e pushtetit. Shfaqja në Kosovë ka ardhur e adaptuar për herë të parë posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez Mendijsky dhe një bashkëpunim i tillë ka qenë tejet i nevojshëm për të shpalosur një kryevepër të tillë të përmasave botërore.
Orwelli në vepër trajton një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikëqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ka qenë pikërisht historia e dashurisë së çiftit protagonist, Uinston dhe Xhulia. Pas disa situatave të ndryshme, Uinston detyrohet të rrëfejë për mendimet e tij që sipas pushtetit janë jo korrekte dhe kësisoj publiku shndërrohet në dëshmitarin e heshtur të torturave nëpër të cilat kalon ai. Refuzimi i tij për të pranuar realitetin e manipuluar të Partisë, i sjell atij fundin.
Hetuesi i tij, O’Brien ka ndarë plotësisht mendjen se populli nuk do të revoltohet dhe sipas tij, ata nuk do të shikojnë nga ekranet e tyre aq gjatë sa të vërejnë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Andaj, kërcënimet e tij ngjallin frikë të tmerrshme brenda shpirtit luftarak të Uinstonit. Mendja e tij hyn në një vijë të paqartë, derisa arrin tek një pikë ku e pyet edhe veten se a ka ekzistuar vetja e tij. Tani për të, të gjitha momentet ku ka menduar për mikrofonat e fshehtë, teleekranët, monitorët e kudogjendur, po shndërrohen në iluzione.
Fatet personale të dy personazheve kryesorë duket se përcaktohen nga vendimi i Charrington, personazhi që spiunon takimet e tyre tek Policia e Mendimit. Ngushëllimet e Uinstonit dhe Xhulias mes tyre, tanimë nuk kanë asnjë kuptim. Ferri i ashpër i dhomës 101, po i pret të dy personazhet. Edhe pse audienca sheh pasojat e përgjakshme dhe jo aktet, masakra të bënte që të dridhesh në karrige.
Po ashtu, përdorimi i guximshëm i videove e tingujve që lëshoheshin papritmas përgjatë shfaqjes e cila zgjati plot dy orë, ishin sinjalizues për një përkushtim të lartë të gjithsecilit. Në anën tjetër, skenografia nga Mentor Berisha qe diçka që ka rrëmbyer vëmendjen që në sekondat e para. E krejt kjo për të përcjellë ndjenjën e terrorit klaustrofobik të një shteti totalitar.
“1984” është një shfaqje që akoma jehon edhe sot nëpër botë. Meritat letrare të Orwell-it janë ngjallur në secilën epokë dhe çdo herë pas tyre, njeriu përbrenda vetes ka stimuluar reflektime të shumta për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen.
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Igor Mendjisky.
“Unë mendoj se kur Orwelli ka shkruar veprën ka menduar që ajo të jetë një satirë dhe më pastaj bëhet një novelë e parashikueshme. Është një çështje më universale. Kjo është hera e parë për mua që po punoj me një trupë të një shteti tjetër dhe puna me aktorët ka qenë me të vërtetë një aventurë e paparë. Bashkëpunimi me TKK-në ka qenë fantastike. Ajo se çfarë më pëlqen shumë nga shfaqja është mënyra e adaptimit që kam bërë unë. Pra, vendosa historinë e dashurisë në qendër të vëmendjes dhe fundi i shfaqjes asisoj është bërë më i rrezikshëm dhe më i stuhishëm. Mendoj se aktorët këtu kanë diçka brenda tyre për ta luajtur këtë shfaqje. Nuk e di saktësisht se çka, apo nëse lidhet me situatën e shtetit, por e ndjej se ka diçka në trupin e tyre.”
Ndërsa, aktori Adrian Morina i cili erdhi në dy role të ndryshme në skenë, për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes në një kohë prej tridhjetë ditësh.
“Në konceptin e këtij dramatizimi, personazhi im i tërheqë të gjitha levat por vjen deri tek pjesa që tregon pushtetin e tij, në një mënyrë gati të pavërejtur. Natyrisht, është një rol negativ, ndonëse mu kanë bërë të shpeshta, më pëlqejnë për shkak se të japin mundësi për kreativitet në interpretim. Jam shumë i lumtur me krejt punën që e kemi bërë. Është një kryevepër e letërsisë dhe ka marr kohë deri në kuptimin e qasjes regjisoriale. Nuk e besoj që e ka inskenu dikush në këtë mënyrë më herët. Nëpërmjet një historie dashurie, është pruar edhe diktatura, natyrisht me një intervenim të vogël artistik që e bën regjisori në fund të shfaqjes, duke i ringjallë personazhet dhe duke jep kështu një dritare shprese për të ardhmen.
Procesi ka qenë tepër i shkurtë për shkak të datave të regjisorit, duke marrë parasysh se ai është një nga regjisorët më të mirë në Francë sa i përket gjeneratës së re. Roli ka qenë sfidues e sidomos ai i narratorit, në të cilin nuk ke shumë mundësi si aktor për të luajtur dhe dialogon me vetveten dhe publikun. Ka qenë e vështirë mënyra poetike e tekstit, andaj edhe kam pasur frikë shumë. Është çmenduri për të realizuar shfaqjen në një kohë kaq të shkurtër por e kemi ndje në çka jemi futur dhe për çka po punojmë. Sonte u dëshmua ajo se kur e bën një shfaqje të mirë, vërehet edhe tek njerëzit, ndaj të cilëve shihej një mungesë për të parë diçka të gjallë, për të parë një botë magjike që po na mungon neve. Ky tekst për neve, duket më i qëlluar sepse ne kemi çka të dhurojmë nga shpirti jonë.
Pas gjithë kësaj shfaqje, unë kam dalë si një njeri më i mirë.”
Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”1984” do të vijnë me datat: 5, 6, 7, 24 dhe 25 tetor. / KultPlus.com
Mbrëmë është përmbyllur edicioni i 13-të i Festivalit për Art dhe Trashëgimi Kulturore, EtnoFest në fshatin Kukaj, shkruan KultPlus.
Në natën përmbyllëse të këtij edicioni, Festivali EtnoFest ka ndarë edhe disa çmime ndër ta edhe çmimin për aktoren më të mirë.
Çmimin ‘aktorja më e mirë’ e mori aktorja Edona Reshitaj me shfaqjen ‘Gadjo’.
Për amplitidat dramatike në interpretim me kërkesa maksimaliste të tipizimit të personazhit të cilat i interpreton me një diagram ritmik të jashtëzakonshëm./KultPlus.com
Edona Reshitaj është një prej këngëtareve tona më të dashura. Muzika e Edonës ka influenca të ndryshme, duke përfshirë pop-in, r&b-në, dhe jo vetëm. Ajo gjithashtu ka një zë shumë të veçantë dhe të fortë që e dallon nga artistët e tjerë, shkruan KultPlus.
Përveç karrierës së saj në aktrim e muzikë, Edona është edhe një aktiviste e njohur për të drejtat e grave dhe i dedikohet punës së saj në mbështetje të grave në nevojë.
Në përgjithësi, Edona Reshitaj është një artiste e jashtëzakonshme dhe një nga ikonat e muzikës shqiptare. Ajo ka një talent të jashtëzakonshëm dhe një zë të veçantë, dhe është një burim frymëzimi për shumë njerëz.
“Më shumë se e bukur je” është një ndër këngët më të bukura që Edona ka sjell për publikun. Dedikuar gruas, kjo këngë është si një lloj himni që i këndon fuqisë së gruas.
Me tekst dhe muzikë nga vetë artistja, kënga është e shoqëruar me një videoklip po aq të fuqishëm.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, e njohur gjithashtu si 8 Marsi, festë e njohur globalisht që feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave dhe bën thirrje për barazi gjinore, KultPlus po ju sjell këtë këngë si thirrje për fuqi e barazi.
Më shumë se e bukur je
Ti je e bukur, je e mirë Ti je e fortë, je e lirë Ti je e ditun, je zojë e randë Mbaje koken nalt’
Ty nuk të duhet me mundu vetën Për me tregu sa e bukur je Ty nuk të duhet me e humb vetën, për nji botë të re
Ti je një rreze që shëndrit fort Je një lule me ngjyra plot Je e ambël, ke plot shije Rri vetvetja të ka shumë hije
Me xhingla mingla s’hiqet dëshpërimi S’fshihet zbrastina e shpirtit tand Maska e bukur s’ta fsheh trishtimin Sytë e tu tregojnë
Mos beso në çdo gja që sheh Asgja s’ashtë aq e vërtetë beso ma shumë në vetën tande se sa e mirë ti je
Mos beso në çdo gja që sheh Asgja s’ashtë aq e vërtetë Çka je strukë? Çka je mshef’? Hajde çu e kce
Bota ashtë e jotja, ajo ty po t’pret Ndize dritën edhe shkëlqe Po t’pret me lanë gjurmë n’histori Ashtu siç din ti
Kinematografia e Kosovës ka bërë bujë globalisht dhe një nga filmat e saj të fundit, “Adnan Kafazi”, nuk bën përjashtim. Kjo aventurë rrëqethëse tregon historinë e Adnanit, një njeriu që mban pushtet të pamasë në “Qytetin e Madh” dhe kontrollon gjithçka që ndodh atje, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore. Por mbretërimi i terrorit të Adnanit do të marrë fund pasi treshja legjendare e Vucha, Zagi dhe Bullit kthehen në qytetin e madh me një mision për ta rrëzuar atë, shkruan KultPlus.
Vucha, Zagi dhe Bulli jetonin të fshehur në Meksikë, por e kaluara e tyre kthehet përsëri për t’i ndjekur kur marrin një lutje të dëshpëruar për ndihmë nga Qoqa, një njeri që dikur i besonin, por që i tradhtoi. Treshes i kërkohet të shpëtojë Uman, një grua e bllokuar në një nga kafazet e Adnanit dhe të tjerët që po përballen me vdekjen e sigurt. Megjithatë, këtë herë treshja është e gatshme të bëjë gjithçka për të shpëtuar jetën e tyre. Me ta është edhe Lina, një grua transgjinore që dikur ishte një gangster famëkeq, por tani ka bashkuar forcat me treshen e famshme.
Ndërsa lundrojnë në botën e rrezikshme dhe të korruptuar të Qytetit të Madh, treshja do të përballet me pengesa dhe sfida të shumta, por ata janë të vendosur të kenë sukses në misionin e tyre. Ata janë të motivuar nga besimi i tyre në drejtësi dhe dëshira për të shpëtuar jetën e Uma-s dhe të tjerëve. Kolona zanore e filmit, me meloditë e saj, i shton një shtresë emocionale kësaj historie tashmë të fuqishme.
Mesazhi qendror i filmit për vetëfuqizimin dhe vendosmërinë vihet në jetë përmes forcës dhe guximit të treshes, të cilët refuzojnë të mposhten nga shanset e grumbulluara kundër tyre. Ata janë të vendosur të rrëzojnë Adnanin, i cili u tradhtua nga gruaja e tij, të cilën ai e kishte keqtrajtuar për kaq shumë kohë. Filmi thellohet në kompleksitetin e marrëdhënieve, dinamikën e pushtetit dhe ndikimin e abuzimit tek individët, gratë dhe shoqëria.
Adnan Kafazi është një festë vizuale për sytë, me kinematografi që të lë pa frymë që kap bukurinë dhe diversitetin e Kosovës dhe njerëzve të saj. Regjisori i filmit ka krijuar një botë sa familjare dhe ekzotike, duke tërhequr audiencën në zemër të historisë dhe duke i mbajtur ata të mbështetur në sediljet e tyre.
Filmi ka shumë të papritura, të cilat e bëjnë edhe më unik këtë film, i cili është vazhdim i filmave “Diamanti”, “Zonjusha”, për të kompletuar siç duhet trilogjinë.
Si përfundim, Adnan Kafazi është një film që nuk duhet humbur. Është një histori e fuqishme e vetëfuqizimit, vendosmërisë dhe triumfit të shpirtit njerëzor.
Pjesë e këtij filmi ishin aktorët: Dukagjin Podrimaj, Fatmir Spahiu, Besart Sllamniku, Dafina Zeqiri, Shkumbin Istrefi, Xhejlane Terbunja, Armend Baloku, Muhamed Arifi, Lulzim Bucolli, Edita Sllamniku, Armond Morina, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Alesia Xhemalaj, Arta Muçaj, Ernest Malazogu, Olimpia Smajlaj, Blin Sylejmani, Arjanit Marmullaku.
Si producent të filmit janë: Dren Berisha, Genc Berisha, Valon Jakupaj, Rita Krasniqi, Dukagjin Podrimaj, Besart Sllamniku, Dafina Zeqiri. Ndërkaq, regjisori i këtij filmi është Genc Berisha, ndërsa pjesë e skenarit ishin, Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli e Rita Krasniqi.
Regjisori Genc Berisha, tha në konferencë për shtyp pas filmit që është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura deri tani, derisa për të kënaqësia më e madhe është pjesa që kanë arritur ta shfaqin këtë film në ekranin e madh.
“Jam shumë i kënaqur me rezultatin që kemi arritur dhe me ekipin që kemi pasur, mezi kam pritur që t’ia nis pjesës së tretë, i kemi parë vështirësitë nga filmat e kaluar dhe tani i kemi kaluar shumë më lehtë. Kemi qenë një ekip shumë më i madh edhe mendoj që edhe këta kanë qenë shumë më profesional se herët e kaluar”, tha Berisha.
Aktori dhe skenaristi, Besart Sllamniku, lajmëroi se ky film nuk ishte paraparë kur u bë “Diamanti”, por u planifikua pas përfundimit të “Zonjushës”.
“Kur e kemi bërë filmin ‘Zonjusha’ nuk e kemi ditur që do ta bëjmë filmin ‘Diamanti’, por kur e kemi bërë ‘Diamantin’ ne e kemi ditur që do të bëhet ‘Adnan Kafazi’. E kemi ditur edhe sinopsisin dhe ka qenë një plan të cilit nuk kemi arritur ta realizojmë, ky film ka pasur shumë më herët për t’u realizuar, por për shkak të pandemisë është vonuar”, u shpreh ai.
Një nga protoganistët e filmit, Armond Morina, i cili erdhi për filmin e tretë dhe të përfundojë trilogjinë e filluar, u shpreh i lumtur që Kosova po eksperimenton me stile të tilla.
“Unë mendoj se kemi arritur që të bëjmë një film të mirë dhe të shfaqim se Kosova ka potencial për të bërë edhe filma me tematikë të aksionit, dramës e komedisë. Kemi punuar si një ekip për një kohë të gjatë dhe kemi shfaqur punën tonë”, tha Morina.
E pyetur nga gazetarët nëse janë përpjekur të tregojnë një pjesë të problemit të shtypjes së grave dhe diskriminimit të vazhdueshëm që pranojnë në ditët e sotme, aktorja Edona Reshitaj i është përgjigjur kësaj pyetjeje duke pohuar se një gjë e tillë është synuar të bëhet në filmin “Adnan Kafazi.
Një problematikë të cilën Sllamniku dëshironte ta theksonte ishte pjesa e mungesës së kinemave në qytete të Kosovës.
“Fatkeqësisht, shoqëria jonë është një shoqëri e cila nuk ka qejf që i’i shfaqë problemet e gruas, sidomos në aspektin, një shoqëri që ka dëshirë ta lërë gruan të heshtë dhe të mos i shfaq problematikat që i ka ajo. Shpresoj që ky film do t’i vetëdijësojë gratë, por edhe më me rëndësi është që të vetëdijësohen burrat, sepse burrat janë problematika pse gratë janë të izoluara dhe nuk mund ta shprehinë lirinë e tyre.
Adnan Kafazi është një krijim mjeshtëror që bashkon artin dhe tregimin në një mënyrë që kapërcen kohën. Me pamjet e tij mbresëlënëse, skenarin emocionuese dhe narrativën magjepsëse, ky film ka potencialin të bëhet një klasik i përhershëm.
Ky film pati premierën mbrëmë në Cineplexx me mbi 1100 bileta të shitura, dhe tani do të vazhdojë të jetë në repertorin e tyre.
Ndërkaq, ai pritet që të udhëtojë edhe nëpër vende të ndryshme në Evropë. Fillimisht në Tiranë, për të udhëtuar pastaj në Gjermani, Zvicër, Mbretëri të Bashkuar etj./KultPlus.com
Gratë bëjnë mëkate sapo të zgjohen nga gjumi. Në çdo lëvizje të tyre, në çdo mimikë të fytyrës dhe në çdo veprim që ato bëjnë, ekzistojnë mëkatet si një binom i jashtëzakonshëm. Pra, mëkatet dhe gratë në një vijë lineare, bashkëveprojnë sikurse të ishin një. Shfaqja “Gratë”, e cila medoemos mori duartrokitje të shumta nga publiku, shfaqi edhe një herë tjetër diçka për të cilën ndoshta edhe nuk bisedohet shumë, e shfaqi magjinë e teatrit dhe mënyrën se si ky i fundit mund të hy thellë në shpirtin tonë dhe të prekë vendet ku ftohtësia dhe e “keqja” ka kapluar gjithë atë pjesë, shkruan KultPlus.
Aktoret Edona Reshitaj, Gresa Pallaska, Lumnije Sopi, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili e Xhejlane Godanci me shkrime nga Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi e Ulpiana Maloku, shfaqen përpara publikut dhimbjet e përditshme të grave dhe diskriminimin e vazhdueshëm që ato përjetojnë. Fuqi, zë kumbues, lëvizje të shumta dhe këngë të ndërthurura bashkë, e plotësuan shfaqjen e mbrëmshme, që pati premierën në Amfiteatrin e Ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Që nga kohërat më të lashta, ato greke e antike, teatri ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Megjithatë, sikurse në shumë sfera të jetës, një problem në këtë fushë ishte edhe pjesa ku gratë paraqiteshin si inferiore ndaj burrave, e sikurse në ditët e sotme, roli i gruas në shoqëri ishte shumë i kufizuar në disa mënyra.
Edhe pse sot, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ekziston një grup i madh i grave që aktualisht punojnë aty dhe janë pjesë e teatrit dhe shfaqjeve të ndryshme, paraqitja e këtyre të fundit në skenë; vite më parë konsiderohej si diçka e “rrezikshme”.
Pavarësisht normave dhe traditave që u thanë grave jo, prania e këtyre të fundit në teatër po përparonte vazhdimisht gjatë viteve. Kjo ndodhi edhe në teatrin e hershëm amerikan. Kishte një numër të madh të grave teatrore, aktoreve në skenë, shfaqje me role kryesore të grave dhe gra dramaturge.
Fuqia e gruas në teatër dhe absolutikisht jo vetëm kjo, u pa në shfaqjen “Gratë”
Si mund të ndërtojmë në këtë bërllog? “Gratë”, një udhëtim kaotik teatror, është provokim për shoqërinë që refuzon t’i pranojë problemet e veta. Një shoqëri e cila i detyron gratë të heshtin! Krijuar nga një ekip i grave, artiste të jashtëzakonshme të teatrit, “Gratë” është një bashkim i hidhërimit, butësisë dhe dhembjes. Është një thirrje, një protestë teatrore, një pyetje…
Në një intervistë për KultPlus, regjisorja polake, Naztazja Domaradzka, tregon se kjo shfaqje nuk do të ekzistonte në qoftë se nuk do të ishte publiku.
“Unë mendoj se kjo është një shfaqje që nuk mund të ekzistojë pa publikun, është një shfaqje e bërë për audiencën. Unë nuk jam nga këtu dhe nuk kam idenë se çfarë do të thotë të jesh një grua nga Kosova, mund të kem të përbashkët disa gjëra, por nuk e di jetesën e një gruaje në Kosovë. Megjithatë, në bashkëpunim me aktoret dhe gjithë ekipin u munduam ta shfaqim atë në mënyrën siç duhet”.
Bashkëpunim i jashtëzakonshëm për një punë të madhe
“Bashkëpunimi ishte i jashtëzakonshëm. Ne patëm kohë vetëm 4 javë që të punojmë bashkë dhe kjo e bën edhe më të veçantë. Kur ju vini për herë të parë në Kosovë ato përshtypjet e para janë se ky është një vend shumë liberal dhe ka shumë rini, por kur hyn më thellë e shihni se gjërat nuk janë ashtu siç duken. U ndjeva shumë e befasuar që në vitin 2022 është bërë ilegale që të kontrollohet virgjëria e grave në Kosovë. Ka një tollovi të madhe që njerëzit nuk po e ballafaqojnë dhe mendojnë se çdo gjë është mirë pasi nuk bisedojnë për këto gjëra”, thotë regjisorja.
Tutje, ajo shpjegon se shfaqja shërben si një thirrje për të ndryshuar gjërat, jo vetëm nga burrat por edhe gratë.
“Mendoj se është një thirrje për të ndryshuar gjërat. Për të treguar se ne flasim vetëm për disa gjëra të caktuara. Ne kemi menduar që ta vendosim përgjegjësinë e këtyre gjërave te publiku, jo vetëm te burrat por edhe te gratë dhe të tjerët. Unë do të doja shumë që kjo shfaqje të shkonte në festivale të ndryshme, dhe njëri prej vendeve është sigurisht edhe Polonia, aty prej nga vi unë”, thotë Domaradzka.
Ajo gjithashtu tregon se bashkëpunimi mes saj, si një regjisore nga Polonia, dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës erdhi natyrshëm.
“Unë isha duke punuar me Fondacionin e Familjes Bogujevci gjatë verës, në një projekt të shkruar nga dramaturgja britanike Sarah Hehir dhe në fund të periudhës laboratorike bëmë një pushim të shkurtër. Aty rastisti të jetë edhe drejtori i TKK-së, ku folën për gjendjen e grave në art në Kosovë”, thotë regjisorja.
Një shfaqje tërësisht dhe vetëm me gra për gratë
“Mendoj se kjo është hera e parë që në TKK luhet një shfaqje vetëm me gratë e këtij institucioni dhe sigurisht që kjo është një ndryshim në vete. Unë mendoj se këto gra meritojnë më shumë projekte të tilla dhe shpresoj që kjo të jetë një nxitje për artistet kosovare që të fillojnë të punojnë së bashku më shumë dhe të fokusohen në solidaritetin femëror”, shprehet mes tjerash.
Edhe aktorja Shengyl Ismaili, thotë për KultPlus se puna në këtë shfaqje është një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë.
“Këtu janë gjashtë histori që flasin për diskriminimin e gruas ndër shekuj, e unë luaj njërën nga historitë. E trajtoj dhunën e burrave ndaj grave”, thotë ajo.
“Të punosh vetëm me gra për gra është një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë. Duke filluar nga ne aktoret e deri te regjisorja, ndriquesja, kompozitorja, skenografia, dramaturget, koreografia, pra të gjitha jemi gra dhe kjo e bën edhe më të veçantë”, shprehet Ismaili.
Laborator teatër – teksti i ndërtuar gjatë provave
Ismaili gjithashtu tregon edhe pjesën se si kjo shfaqje dhe procesi i provave ka qenë shumë i vështirë
“Procesi i provave ka qenë shumë i lodhshëm, sepse kjo shfaqje është një laborator teatër, që nënkupton se teksti është ndërtuar gjatë rrugës (pra, provave) si dhe ka pjesë autoriale të vetë aktoreve”.
Aktorja beson se ato kanë dhënë maksimumin për këtë shfaqje, derisa pret që publiku të vazhdojë ta vlerësojë atë.
Aktorja tjetër, Xhejlane Godanci, thotë për KultPlus se kjo shfaqje ka qenë një sfidë në vete, por beson që ato ia kanë dalur suksesshëm ta paraqesin atë siç duhet në skenë.
“Kemi punuar për tri javë. Jemi angazhuar bashkë edhe me dramaturget në përpunimin e tekstit që të dalë teksti shumë më i mirë. Është edhe regjisorja polake që e ka bërë tekstin dhe sigurisht është një sfidë për neve që të bëjmë shfaqje të tilla, edhe pse kam punuar edhe në të kaluarën që ishin si rrëfime. Por në këtë shfaqje u paraqiten edhe pjesa vizuele për ta kompletuar më shumë. Secila kemi qenë e angazhuar për diçka dhe mendoj që së bashku ia kemi dalë”, thotë ajo.
Thirrja që elektrizoi të pranishmit dhe shfaqi madhështinë e gjithë shfaqjes, ishte pak para fundit, kur trupa e aktoreve, po bërtisnin “Gratë”, “Gratë”, “Gratë”, “Gratë”, “Gratë” nën përcjelljen e duartrokitjeve të fuqishme nga publiku.
Përpos aktoreve, edhe gra të tjera kanë marrë pjesë në këtë shfaqje, si konsulente e dramaturgjisë Doruntina Basha, skenografe Yllka Brada, mjeshtre ndriçimi Lucia Sanchez Roldan, kompozitore Rona Berisha Castrioti, koreografe Behije Murtezi, asistente regjie Xheraldina Krasniqi dhe asistente dramaturgjike Zoga Çeta Çitaku.
“Gratë” do ta ketë reprizën sonte më 22 dhjetor dhe një tjetër më 23. /KultPlus.com
Në historinë e filmave botërorë është shumë e vështirë të krijosh tre filma të suksesshëm, pra tre filma që në thelb përbëjnë një “trilogji”. Pavarësisht nga shanset e pamundura, regjisorët herë pas here ia dalin të krijojnë jo vetëm një përfundim të madh, por edhe një film të mrekullueshëm final në një trilogji – atë që është, statistikisht, më i vështiri për t’u arritur, shkruan KultPlus.
Gjatë gjithë kohës regjisoru duhet shpresuar që gjithnjë të mbetet aktiv dhe i angazhuar, që kasti të jetë ende i çasshëm dhe i kënaqur, gjithashtu që studioja të vazhdojë t’i ndihmojë ata dhe se çdo episod pasues është financiarisht mjaft i dobishëm për të justifikuar një tjetër. Kështu, regjisori Genc Berisha bashkë me aktorët, skenaristët e producentët po synojnë një gjë të tillë
Pas “Zonjushës” dhe “Diamantit”, ky film tematikë kryesore ka rrëzimin e Adnan Kafazit nga pushteti i një gangsteri, që ka nën kontroll të gjithë qytetin. E janë pikërisht Vuqa, Bulli dhe Zagi, si të vetmit që kanë guxim ta kundërshtojnë, kështu shpjegon regjisori Genc Berisha në një intervistë për KultPlus.
Xhirimet e përfunduara
“Xhirimet kanë përfunduar dhe filmi është në procesin e montazhes. Xhirimet kanë zgjatur rreth 1 muaj në periudhën qershor-korrik. Ky film është vazhdimësi e filmave të kaluar, e të njëjtin e përcjellë zhanri dramë-krim-komedi”, thotë tutje Berisha.
Gratë – risit e reja në këtë film
“Kësaj here në film risi do të jetë pjesëmarrja e madhe e grave, të cilat edhe kalojnë nga rolet dytësore, në role kryesore. Kjo ka qenë edhe gjatë punimit të skenarit dhe ndryshimi i nevojshëm, duke e parë që në filmat e kaluar ka munguar kjo dukuri”.
“Adnan Kafazi” – filmi ideal për të mbushur plot një sallë të kinemasë
“Planet për premierën janë për në janar të vitit të ardhshëm. Edhe ky film, rrugëtimin e ka për në kinema, kështu që premiera e parë do të jetë aty. Poashtu, pritshmëritë i kam shumë të mëdhaja, që ky film ka me sjell një numër të madh të publikut në kineame. Duke e ditur që kemi një kastë të njohur të aktorëve: Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamet Arifi, Dukagjin Podrimaj, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Arta Mucaj, Armond Morina, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Xhejlane Terbunja e shumë të tjerë. Gjithashtu, edhe tema ka risi dhe befasi që presim të pëlqehet nga publiku”, vazhdon ai.
Aktorët e rinj
“Filmi “Adnan Kafazi” e ka një vazhdimësi nga Diamanti, ku përveç roleve që kanë qenë deri tani, mund të përmendi që pjesë e filmit do të jenë edhe Armond Morina në rolin e Adnanit, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Rita Krasniqi,e po ashtu do të jenë edhe Majk e Dafina Zeqiri”, përfundon regjisori i shumë filmave e serialeve shqip.
Ndërkaq, producentja e skenaristja, Rita Krasniqi, njofton për KultPlus se skenari është shkruajtur nga Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli dhe vetë ajo.
“Filmi ka përfunduar xhirimet dhe tash është në procesin e montazhës. Por akoma nuk kemi ndonjë datë të premierës saktësisht”, thotë ajo për KultPlus.
Filmi nga syri i aktorit
Një ndër aktorët kryesor në këtë film, Armend Baloku, ka thënë për KultPlus se filmi është xhiruar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, por kryesisht i fokusuar në Prishtinë.
“Xhirimet kanë shkuar mirë. Ka qenë një atmosferë pune, ku secili ka qenë në krye të detyrës. Ka qenë gjithashtu një kënaqësi me bashkëpunu me një kastë të tillë të aktorëve, poashtu më është bërë qejfi që kemi bashkëpunuar edhe një herë me Genc Berishën, Besart Sllamnikun, si dhe Rita Krasniqin”.
Finalja e madhe shpresëdhënëse
“Besoj se do të kemi një film interesant, duke u bazuar në imagjinatën e Besart Sllamnikut, i cili mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer. Besoj se njerëzit do ta pëlqejnë. Gjithashtu shpresoj se kur ta shohim premierën të kënaqemi edhe ne duke e shikuar. Shpresojmë për një finale të mirë”, përfundon ai.
Ashtu si struktura me tre akte e një drame, libri ose filmi, një trilogji përfaqëson tre pjesë të një historie në tërësi. Një fillim, një mes dhe sigurisht një fund. Një trilogji, e thënë siç duhet, mund të përmirësojë një histori, të mbajë audiencën në terësi dhe t’i japë më shumë thellësi filmit./KultPlus.com
Këngëtarja Dafina Zeqiri do të jetë pjesë e filmit “Adnan Kafazi”, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur aktorja tjetër pjesëmarrëse në këtë film, Edona Reshitaj, përmes një postimi në “Instagram”.
“Dafina Zeqiri është një super aktore. Në filmin “Adnan Kafazi”, e ka një super rol dhe e ka ça. Jemi të lumtun që na është bashkangjitë në film. Rrini gati”, ka shkruar Reshitaj.
Filmi Adnan Kafazi është pjesa e tretë e filmave ‘Zonjusha’ dhe ‘Diamanti’. /KultPlus.com
E njohur për publikun si një person me shumë talente, Edona Reshitaj, së fundmi ka publikuar një këngë të re me titullin “Më shumë se je e bukur”, shkruan KultPlus.
Kënga, e cila në brendësi të saj, përcjell një mesazh për të gjithë gratë e botës, duke treguar se duke qëndruar vetvetja jeni më e fortë, më e ambël dhe me plot shije, ka shtyer përpara kauzën se duke besuar në vetvete jeni më e suksesshme.
Më poshtë mund të lexoni edhe tekstin e këngës “Më shumë se e bukur je”.
Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Polip” është rikthyer në formë fizike pas një mungese dyvjeçare për shkak të pandemisë. “Polip” filloi më 13 maj, kur hapja e këtij festivali u bë nga Aidan Hehir, Sasa Ilic dhe Jeton Neziraj, mes shumë artistëve të pranishëm në Teatrin Oda. Ndërkohë, tema kryesore e këtij edicioni të “Polip” është kjo: “A është shkrimtari i pranishëm?!” shkruan KultPlus.
Fillimisht, Aidan Hehir filloi pjesën e saj të fjalimit përpara publikut, ku edhe e shtjelloi gjithë fjalimin e saj rreth Luftës në Ukrainë, ngjyrat e së cilës i kishte marrë edhe ky festival.
“Pas 2 viteve ne po takohemi përsëri së bashku. Ne do të flasim këtu përpos tjerash edhe për luftën që po ndodhë në Ukrainë, por gjithashtu edhe lidhshmërinë që ka letërsia me shoqërinë, politikën, luftën dhe ide të tjera. Çfarë mund të bëjmë ne si artistë për shoqërinë? Dhe tani, pas dy viteve të pandemisë dhe në këtë kohë të luftës është më e rëndësishme se asnjëherë tjetër që të jemi të bashkuar, të diskutojmë ide, e ndoshta ndikimi ynë në të ardhmën do të jetë i pranishëm”.
Ajo gjithashtu shtoi se mundohen që ky festival të jetë sa më ndërkombëtar që është e mundur, por disa autorë nuk kanë mundur të vijnë për shkak rrethanave të ndryshme.
“Shpresojmë që kjo ditë do të jetë me diskutime, me ide e sigurisht presim që edhe vitin tjetër të organizojmë këtë festival”, tha ajo.
Ndërkohë, Jeton Neziraj e hapi fjalimin duke ia bërë një pyetje vete “Çfarë ka ndryshuar për këto 12 vite”, ka thënë ai.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar, por shoku im Sasha vazhdon që të japë gjak në shtetin e tij që ta ketë të mundur të vijë në këtë festival. E kemi llogaritur që ai i ka dhënë 3 litra gjak deri tani për Kosovën. Ne japim “gjak” edhe këtu në Prishtinë për ta bërë të mundur organizimin e këtij festivali”, tha Neziraj mes tjerash.
Ndërkohë, edhe Sasha rrëfeu historinë se si ka lindur “Polipi”, duke lexuar në gjuhën angleze, me ç ‘rast publiku e miqtë e tij po qeshnin nga anglishtja dhe theksi që ai po përdorte.
“Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në këtë festival shumë të rëndësisshëm. Polip është vendi ku ju edhe transformoheni. Faleminderit që erdhët”, u shpreh Sasha.
Kur prezantuesit po bëheshin gati që të ftonin autorët për të lexuar veprat e tyre, artistja Edona Reshitaj doli në skenë duke befasuar, përpos publikut, edhe vetë Nezirajn.
Mes një diskutimi, u vendos që fillimisht Reshitaj do të bëjë hapjen e këtij festivali.
“Një festival të letërsisë është e vështirë që ta hapësh me muzikë, por unë e kam gjetë të duhurën për ta bërë një gjë të tillë”, tha Reshitaj kur edhe filloi të këndonte poezinë e shndrruar në këngë “Kur të jesh mërzitur shumë” nga Dritëro Agolli.
Neziraj e Sasha kishin ndarë autorët në mënyrë jo-proporcionale, kjo për shkak se Neziraj kishte marrë autorin e tij të preferuar, francezin Joel Vernet.
Përpos Vernet, në këtë natë poezi u lexuan edhe nga Sebnem Isiguzel, Eqrem Basha, Ivana Bodrozic, Carsten Jensen, Jovica Ivanovski dhe Mitja Cander.
Autorët përpara se të prezantonin e të lexonin veprat e tyre, patën disa pyetje të cilat edhe ju përgjigjjën.
Ndërkohë, “Polip” ka vazhduar edhe më 14 maj, e sot do të jetë edhe dita finale, ajo kur edhe janë ftuarë të tjerë autorë për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë festival. /KultPlus.com
Artistja Edona Reshitaj nëpërmjet një postimi në facebok ka ndarë përvojën e saj, shkruan KultPlus.
Reshitaj ka treguar se si nuk iu është paguar me vite kontributi pensional, në kohën kur qytetarët e Kosovës po marrin 10 përqindëshin e të hollave nga trusti.
Edona përmes postimit ka treguar se në disa seriale televizive ku ka punuar u janë ndalur paratë për trust, ndërkohë që sot ato shuma nuk konfigurojnë fare.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Edona Reshitajt:
Ne disa seriale televizive ku une kam marre pjese me vite te tana, ne rroge m’i kane ndale paret per trust, por ne trust nuk me figurojne ato pare sepse produksioni nuk i ka pagu.
A ka dikush pergjigje per keto raste, apo a mund te inicohet diçka e tille nga te gjithe ata artiste qe kane kalu neper keto eksperienca te padrejta? / KultPlus.com
Këngëtarja dhe aktorja Edona Reshitaj, së bashku me aktorin, njëherit edhe bashkëshortin e saj Besart Sllamniku, kanë sjellur një version më ndryshe të këngës ‘St. James Infirmary’, këngë kjo që konsiderohet edhe si hiti i viteve të 20′, shkruan KultPlus.
Edona përpos teatrit është mjaft aktive edhe në skenën muzikore, cilësohet me një zë dhe stil të veçantë.
Ajo poashtu kohët e fundit ka qenë mjaft aktive me postimin e videove të performancave të ndryshme të saj, në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com
“Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës si rrallë herë ishte e stërmbushur. Pasi u zunë të gjitha karriget, pjesa e mbetur e publikut vendosi të qëndronte në këmbë, për ta parë e dëgjuar performancën e Edona Reshitaj në koncertin “Zonjat e Kangës”. Edona Reshitaj si zë i njohur për publikun si dhe natyra e koncertit, ishin me gjasë dy arsyet që garantonin suksesin e natës së mbrëmshme”, kështu e kishte nisur KultPlus artikullin për koncertin “Zonjat e Kangës” nga Edona Reshitaj.
Reshitaj, mes një numri këngësh të zgjedhura, e ka kënduar edhe një nga hitet më të pavdekshme të bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarushës.
KultPlus ju sjell videon e kësaj kënge të performuar nga aktorja dhe këngëtarja, Edona Reshitaj:
“Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës si rrallë herë ishte e stërmbushur. Pasi u zunë të gjitha karriget, pjesa e mbetur e publikut vendosi të qëndronte në këmbë, për ta parë e dëgjuar performancën e Edona Reshitaj në koncertin “Zonjat e Kangës”. Edona Reshitaj si zë i njohur për publikun si dhe natyra e koncertit, ishin me gjasë dy arsyet që garantonin suksesin e natës së mbrëmshme”, kështu e kishte nisur KultPlus artikullin për koncertin “Zonjat e Kangës” nga Edona Reshitaj.
Reshitaj, mes një numri këngësh të zgjedhura, e ka kënduar edhe një nga hitet më të pavdekshme të bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarushës.
KultPlus ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge të performuar nga aktorja dhe këngëtarja, Edona Reshitaj:
Kët natë të leht gjumi smë merr Vetëm hana m’bën shoqni Veç për ty i dashur qaj pse s’vjen ma s’di çka të baj
ëmmm… ëmmm… Smë lan lotët djal me t’shikju Eja xhanin me ma qetësu
Dal n’dritare me ndëgju Zanin tand a mos ta ndij Era e lehtë me flokët e mia lun Tuj shpresue se po vjen
ëmmm… ëmmm… Smë lan lotët djal me t’shikju Eja xhanin me ma qetsu
Sytë për ty i kam të njomë Si s’dien dhimbje hiç për mu E ty Hën t’lus me më ndihmu Ta gjej djalin që e du
ëmmm… ëmmm… Smë lan lotët djal me t’shikju Eja xhanin me ma qetsu
Ende jetoj me të kaluarën Humbem në kohën që lam pas Mendimet më fluturojnë atje, dhe aty më ngecin. E tashmja është verbuese për mua. Nuk e shoh. Nuk e ndjej… sepse nuk të përket Ty. Kam ndaluar së jetuari, qysh prej asaj dite kur shkove. Më shtrengove fort, më njome faqen me lotin tënd, më buzëqeshe lehtë… dhe shkove.. për t’mos u kthyer më kurrë. Koha ime ndaloi aty. Jeta ime ndaloi aty. Aty, në atë rrugicë qorre, mbuluar me gjethe vjeshte dhe me pak dritë. Mëngjeset u ngrysën. Pranvera nuk qeli më. Jeta ndaloi bashkë me ty. Tash kur po e ndjej plakjen, kur rrudhat furishëm po zënë vend në fytyrën time, kur floket shtresë të bardhë kanë marrë, e kuptoj sa kohë e gjatë kaloi. Jetoja në një Botë imagjinare, aty ku perkisje edhe Ti. Nuk ka të tashme për mua, sepse tash, nuk je më Ti
“Jam shumë e privilegjuar që sonte para jush do të shpalosim një repertor me këngë që janë kënduar nga zërat më të spikatur femëror”, kjo fjali përshëndetëse e thënë nga aktorja dhe këngëtarja, Edona Reshitaj, përmblodhi dedikimin e koncertit recital të saj, nderimin e “Zonjave të Kangës” ndër breza, teksa dedikimi personal shkonte për nënë e saj, shkruan KultPlus.
Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës si rrallë herë ishte e stërmbushur. Pasi u zunë të gjitha karriget, pjesa e mbetur e publikut vendosi të qëndronte në këmbë, për ta parë e dëgjuar performancën e Edona Reshitaj në koncertin “Zonjat e Kangës”. Edona Reshitaj si zë i njohur për publikun si dhe natyra e koncertit, ishin me gjasë dy arsyet që garantonin suksesin e natës së mbrëmshme.
Dritat u fikën dhe Edona doli në skenë.
Para çdo interpretimi të këngës, Reshitaj u përkujdes ta prezantonte shkurt “Zonjën” e këngës, pra autoren e saj, apo të tregonte ndonjë lidhje emocionale që ajo kishte me të apo këngën e saj. Emocionet e saj kulmuan kur erdhi radha për prezantimin e bilbilit të Kosovës, tashmë të ndjerën, Nexhmije Pagarushën, dhe interpretimin e këngës së saj “Zani i tij më thërret”.
Se Edona Reshitaj nuk është vetëm këngëtare por edhe aktore ishte qartazi e vërejtshme nga performanca e saj. Ajo këndonte me shumë emocione por njëkohësisht interpretimit të saj dukej se po i jepte edhe më shumë peshë vallëzimi i saj pothuajse gjatë gjithë kohës. Lëvizjet ishin të lehta, spontane, por me shumë takt dhe me shije artistike. Gjithçka ishte live, gjithçka po përjetohej. Një pjesë e madhe e publikut ose incizonte ose duartrokiste, ose thjeshtë po lëviznin në vend, një frymë energjike përcolli gjithë koncertin.
E përcjellur nga muzikantët: Visar Kuqi, Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari, Art Lokaj, Dukagjin Muhaxheri, Ermal Rodi, Roni Gjura si dhe Rajkard Bardhi, këta dy të fundit mysafir nga Shqipëria, Edona Reshitaj, këndoi këngët emblematike shqiptare si: ‘Fëmija i Parë’ e kënduar nga Vaçe Zela, ‘Zare Trëndafile’ e kënduar nga Tefto Tashko, ‘Fërfëlloi Fëllanxa n’Ujë’ e kënduar nga Fitnete Rexha, ‘Unë ty moj të kam dashtë’ e kënduar nga Marie Kraja, ‘Zani i tij më thërret’ e kënduar nga Nexhmije Pagarusha, ‘Flokët e Gocës’ e kënduar nga Hanife Sejfulla Reçani, ‘O Zambak i Prizrenit’ e kënduar nga Lirina Cavolli, ‘Doli Goca në penxhere’ e kënduar nga Merita Haliu dhe ‘Moj Zogo/ Shega Guracake’ të kënduara nga Nazmije Hoxha.
Këto qenë nëntë këngët, teksa e dhjeta
ishte një moment tjetër.
Kur u bë gati ta këndonte këngën e fundit të koncertit, Edona Reshitaj, u përkujdes që ta falënderonte, Pranvera Badivukun, e cila e kishte kompozuar këngën ” E kujtoj atë takim” si dhe një numër të madh këngësh tjera. Reshitaj, ftoi në skenën edhe koleget e saj, mysafiret speciale të koncertit: Ilire Vincën, Shengyl Ismailin, Rebeka Qenën, Semira Latifin, Qendresa Kajtazin, Edona Spoajn, Rabije Kryeziun, Kaltrine Zenelin si dhe Daniela Markajn. Këto së bashku kënduan dhe i dhanë fund koncertit recital, i cili u duartrokit me minuta të tërë në përfundim të tij.
Në një intervistë për KultPlus, protagonistja e mbrëmjes, Edona Reshitja, shprehu emocionet e saj të para pas koncertit.
“Po ndihem shumë e lumtur që e realizova këtë koncert. Kjo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme, kam punuar shumë gjatë për këtë projekt. Jam shumë e lumtur që muzikën që e ndjeja se e kam lënë anash e riktheva me një projekt të madh dhe me një kastë të mrekullueshëm të muzicientëve dhe me një kauzë të rëndësishme siç ishte kjo për nderimin e “Zonjave të Kangës”.
Reshitaj, ka treguar shkurt edhe për vlerësimin e të tjerëve dhënë asaj për koncertin që veç sa e kishte përfunduar.
“Komenti i të gjithëve ishte ‘na ke kënaq’, thash me vete po ndihem shume mirë, sepse ndihem njëmend shumë mirë prej Zotit që ma ka dhënë këtë mundësi që t’i kënaqi të tjerët, t’i bëjë të lumtur dhe ky profesion është human pikërisht për këtë punë”
Shengyl Ismaili, në një intervistë për KultPlus, e ka quajtur fantastike Edona Reshitajn.
“Jam ndje shumë mirë që isha pjesë e këtij koncerti, me muzicientë kaq të përzgjedhur dhe me një soliste dhe këngëtare kaq fantastike siç është Edona.”
Ajo foli edhe për performancën e saj në këngën e fundit.
“Për mua ishte hera e parë që dola në grup për të kënduar dhe kisha frikën sa mos e dëmtoja Edonën, por gjithçka shkoi me suksese”.
Pas përfundimit të koncertit, mes shumë vlerësimesh, Edona Reshitaj po e përfundonte ‘natën e saj’ me shumë fotografi e përqafime me miq e të pranishëm aty. / KultPlus.com
Të mërkurën e 26 shkurtit të këtij viti, Edona Reshitaj do të prezantojë Koncert/Recitalin “Zonjat e Kangës”.
Ky koncert i dedikohet figurave më të spikatura femërore të muzikës shqipe mbarshqiptare të cilat kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në muzikën shqipe.
Përmes këtij koncerti i cili do të shoqërohet me një repertuar të larmishëm te këngëve nga Zonjat e muzikës, me përpunime dhe aranzhmane të veçanta, do të gërshetohen me finesë tradicionalja në ritmet e muzikes jazz, duke gërshetuar me finesë “të vjetrën” me “modernen” dhe duke shkrirë folklorin dhe tradicionalen në ritmet e Jazz-it.
Kitara, Kontrabasi, Pijanoja, Bateritë, Trumpeta, Klarineti dhe Saxafoni, do të lundrojnë nëpër ujrat e pastërta të melosit tone.
“Zonjat e Kanges”, është projekt, ku qëllimi kryesor është:
Të nderojë Zonjat e Kanges, për gjithë punën, mundin, sakrificën dhe rolin e rëndësishëm që kanë pasur në muzikën shqipe, duke na lënë një trashëgimi të çmuar kulturore.
Të jetë një dhuratë e bukur pikërisht për ditën e gruas, atë të 8 Marsit, duke potencuar rolin e femrës si grua, si nënë, si artiste apo thënë shkurt si një qenie të jashtëzakonshme njerëzore.
Të inkuadrojë të rinjët në njohjen e këtyre këngëve dhe nxitjen e dashurisë për to.
Të kontribuojë në përkrahjen e çasjeve të reja nga gjenerata e re e artistëve
Muzikantët nga Kosova dhe Shqiperia: Visar Kuci – Kitarë, Nesim Maxhuni – Bateri, Roni Gjura – Kontrabas, Ermal Rodi Klarinetë/Saksofon Tenor, Fatjon Miftaraj – Piano, Art Lokaj- Kitare elektrike, Dukagjin Muhaxheri- Saksofon, Rajkard Bardhi- Trumpete
Përpunimin e këngeve e bëri Edona Reshitaj. Aranzhmanin e këngëve e bëri Visar Kuçi. Përpunimin e zërave në kor i bëri Trimor Dhomi. Fotografitë Arton Humolli, Dizajnin Besart Sllamniku. Kostumet Yllka Brada.
Ky koncert do të mbahet ne Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, prej orës 20:00h. / KultPlus.com
“Çifti hapur”, me tekst të Dario Fo dhe France Rame dhe me regji të Kushtrim Koliqit do të shfaqet këtë të enjte në Teatrin “Dodona”, në mënyrë që të kontribuohet në shërimin e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.
Një vepër gjithmonë aktuale dhe fantastike mbi raportin burrë-grua, me situata sa qesharake aq edhe të prekshme. Kjo shfaqje ngrit një dilemë kryesore se a është “Besnikëria bashkëshortore gjë e vjetruar apo nuk ekziston me?”
Kjo shfaqje jetësohet nga aktorët: Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku.
“Me u kënaqe, me u argëtu dhe njëkohësisht me kontribu për diçka madhore, është gjeja më e lehtë qe mundeni me bo”, ka shkruar aktori Besart Sllamniku.
Kjo shfaqje prezantohet në kuadër te Kampanjës humanitare #PërBekimin, në kuadër të se cilën do të prezantohet “Muaji Artistik” në Teatrin Dodona, ku çdo javë shikuesit do të kenë mundësinë të shkojnë dhe ta shohin nga një shfaqje me përzgjedhje të mrekullueshme./ KultPlus.com