Edukimi mediatik, i domosdoshëm për të rinjtë

Këtu janë 10 arsye pse Media Literacy (Edukimi Mediatik) është i domosdoshëm dhe duhet integruar në kurikulat shkollore:

1. Edukimi mediatik i inkurajon të rinjtë të ngrejnë pikëpyetje, peshojnë, kuptojnë dhe vlerësojnë kulturën e tyre multimediale. Ai i mëson të bëhen konsumatorë dhe përdorues aktivë, të angazhuar të medias.

2. Edukimi mediatik e sjell botën në klasë, duke u dhënë qasje direkte dhe rëndësi lëndëve tradicionale si historia, anglishtja, shëndetësia, qytetaria dhe artet krijuese. Ai shërben si një urë e përsosur për integrimin e lëndëve dhe studimeve ndërdisiplinore.

3. Edukimi mediatik mishëron dhe çon përpara pedagogjinë aktuale, e cila thekson të mësuarit me në qendër studentin, njohjen e inteligjencës së shumëfishtë dhe analizën dhe menaxhimin – në vend të thjesht ruajtjes – të informacionit.

4. Edukimi mediatik bazohet në qasjen e shëndoshë pedagogjike të fillimit të të mësuarit aty ku janë fëmijët.  Media – muzika, komiket, televizioni, videolojërat, interneti dhe madje edhe reklamat – janë një pjesë e jetës që të gjithë fëmijët e shijojnë. Mediat krijojnë një mjedis të përbashkët dhe, për rrjedhojë, janë katalizatorë për të mësuarit.

5. Edukimi mediatik i inkurajon të rinjtë të përdorin mjetet multimediale në mënyrë krijuese, një strategji që kontribuon në “të kuptuarit duke bërë” dhe i përgatit ata për një fuqi punëtore që kërkon gjithnjë e më shumë përdorimin e formave të sofistikuara të komunikimit.

6. Në një shoqëri të shqetësuar për rritjen e apatisë së të rinjve ndaj procesit politik, edukimi mediatik i angazhon të rinjtë në çështjet e “botës reale”. Ai i ndihmon të rinjtë ta shohin veten si qytetarë aktivë dhe kontribues potencialë në debatin publik.

7. Në një shoqëri të larmishme dhe pluraliste, studimi i medias i ndihmon të rinjtë të kuptojnë se si portretizimet mediatike mund të ndikojnë në mënyrën se si ne i shohim grupet e ndryshme në shoqëri: ai thellon të kuptuarit e të rinjve për diversitetin, identitetin dhe dallimet.

8. Edukimi mediatik ndihmon rritjen personale dhe zhvillimin social të të rinjve duke eksploruar lidhjet midis kulturës popullore – muzikës, modës, programeve televizive, filmave dhe reklamave – dhe qëndrimeve të tyre, zgjedhjeve të stilit të jetesës dhe imazhit për veten.

9. Edukimi mediatik i ndihmon fëmijët të kritikojnë përfaqësimin mediatik, duke i mësuar ata të bëjnë dallimin midis realitetit dhe fantazisë, ndërsa krahasojnë dhunën mediatike dhe dhunën në jetën reale, heronjtë e medias dhe heronjtë e jetës reale, dhe modelet e rolit të medias dhe rolet e pritshmëritë në jetën reale.

10. Teksa shumica e studentëve i drejtohen së pari Internetit për kërkime, edukimi mediatik është një komponent thelbësor i edukimit për Teknologjinë e Komunikimit dhe Informacionit, duke ndihmuar të rinjtë në zhvillimin e aftësive dhe strategjive të të menduarit kritik për optimizimin e kërkimeve, vlerësimin dhe vërtetimin e informacionit dhe shqyrtimin e çështjeve të plagjiaturës dhe të drejtave të autorit./ Bota.al / KultPlus.com

Shoqëria kosovare e pambrojtur nga lajmet e rreme

Edukimi medial del të jetë një lëndë e domosdoshme në shkolla.

Në tryezën e mbajtur të martën, e titulluar “Edukimi medial”, në kuadër të edicionit të sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, studiuesit e kësaj fushe kanë paraqitur të dhënat e shqetësimet e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Profesoresha në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, Lendita Tahiri, ka thënë se duke u bazuar në Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Nga ky prizëm ajo ka thënë se pikërisht edukimi medial ia plotëson këtë të drejtë individit në ditët e sotme. Sipas saj, Departamenti i Gazetarisë gjithmonë ka qenë i interesuar që kjo lëndë të hyjë nëpër shkolla, që t’ia mundësojë shoqërisë që të dallojë gënjeshtrën nga e vërteta. Ka thënë se është obligim i shoqërisë që ta përgatisë individin me këtë shkathtësi.

Abit Hoxha, që është hulumtues në Institutin për Shkencat e Komunikimit dhe Hulumtimit Mediatik, në kuadër të universitetit “Ludwig Maximilian” në Münich të Gjermanisë, ka thënë se në vendet ku ka pasur konflikte thuhet se do të ndërtohen media të forta e të pavarura. Sipas tij, shumë rrallë flitet për edukimin medial të audiencës. Ka thënë se misionet ndërkombëtare kanë ardhur në Kosovë duke prodhuar shumë lajme, të cilat gazetarët vetëm i kanë kopjuar dhe i kanë plasuar në publik.

“Fatkeqësisht në Kosovë nuk ka matje të audiencës e matje për besim në lajme”, ka thënë ai.

Muhamet Jahiri, i cili është asistent në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, ka thënë se shoqëria është viktima kryesore e lajmeve të rreme.

Në kuadër të edicionit të 37-të të Seminarit, të martën është mbajtur edhe ligjërata “Musine Kokalari: Vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës”./ KultPlus.com