Së fundmi, aktorja e vetme shqiptare në Preshevë, Egzona Salihu, është larguar nga puna në Teatrin e Preshevës, shkruan KultPlus.
E gjitha kjo, siç e shpjegon edhe Salihu, ka ardhur si pasojë që kjo e fundit nuk e mbështet kryetarin aktual të Preshevës.
Në anën tjetër, regjisori nga Kosova, Ben Apolloni, ka propozuar që Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ta punësojë aktoren preshevare në njërin nga teatrot e Kosovës.
Postimi i plotë:
“Propozoj që Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ta punësojë aktoren preshevare, Egzona Salihu në ndonjërin nga teatrot e Kosovës. Egzona, që u largua nga puna në Teatrin e Preshevës, ka diplomuar në Kosovë dhe ka punuar edhe në projekte të ndryshme këtu.
Mendoj se ajo e meriton që të përkrahet dhe e di që teatrot e Kosovës kanë vende të lira nëpër ansamblet rezidente.
Ta përkrahim Egzonën, së paku derisa Presheva të kthehet sërish në duart e shqiptarëve të vërtetë”, shkruan ai.
Teatrot në Kosovë aktualisht janë në pushime, derisa pritet që shumë shpejt të rifillojnë punën. /KultPlus.com
Përpjekja e jashtëzakonshme e një gruaje dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja për të marë atë që ato meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve, vijnë pëmes ”Ditë e Kuqe” nën regjinë dhe skenarin e Besim Ugzmajlit. Një film ky i metrazhit të shkurtë, për të cilin regjisori Ugzmajli ka shpalosur më shumë detaje në një intervistë për KultPlus.
Loja me simbole te regjisori Ugzmajli nuk është kurrë e rastësishme, në filmat e tij paraprak e që kanë rezultuar tejet të suksesshëm, kemi parë shpesh se arti filmik i regjisorit në fjalë shkon përtej asaj që jemi mësuar të shohim më parë. Ai ka një mënyrë më unike të trajtimit të ngjarjeve, përmes së cilave hedh dritë mbi shumë faktor negativ të shoqërisë. ”Ditë e Kuqe” vjen po në këtë mënyrë të veçantë, pra, e kuqja si një variant i gjakosjes, si moment realizimi, përkatësisht si një moment kur dikush është gati për diçka magjike. Pra, siç ka theksuar tutje regjisori për KultPlus, Dita e Kuqe është ditë alarmi për shoqërinë që vjen përmes një vajze 13 vjeçare dhe sjell në vëmendje gruan si vlerë kulminante në shoqërinë botërore.
”Unë përpiqem që çështjet sociale t’i sjell si rrëfime që ndërtohen në rrafshin psikologjik të situatave dhe personazheve. Sigurisht që këtë mënyrë e konsideroj më të përshtatshmen për mua për t’i paraqitur shqetësimet e mia të përgjithshme në medium kinematografik si vepra artistike. Imazhi është komunikimi absolut i këtij shekulli dhe kinematografia padiskutim ka një imazh të jazhtëzakomshëm komunikues”, ka theksuar regjisori për KultPlus.
”Ditë e Kuqe” ka filluar me xhirime në mars të këtij viti dhe filmi është xhiruar brenda një ditë, mirëpo, provat e këtij filmi kanë zgjatur mbi dhjetë ditë dhe janë përfshirë diku rreth 150 persona deri në realizimin final. Kjo mënyrë e xhirimeve ka të bëjë me faktin që ”Ditë e Kuqe” është realizuar në One-Shoot dhe koha e provave siç ka treguar regjisori për KultPlus, ka të bëjë me sinkronizimin dhe harmonizimin e të gjitha departamenteve në filmbërje në mënyrë që gjithçka të shkoj sipas planit në ditën e xhirimit.
Duke pasur parasysh se situata pandemike ka vështirësuar gjithçka, edhe ”Ditë e Kuqe” ka hasur në vështirësi të shumta deri në finalizimin e vet. Ugzmajli ka treguar për KultPlus se i gjithë projekti është punuar nga një presion që lidhej ngushtë me pandeminë.
”Gjithçka është punuar në njëfarë presioni që lidhet me pandeminë, mirëpo ky fakt edhe ka ndihmuar në një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë ekipës e në veçanti të aktorëve dhe ekipës kreative ku vlen të përmendim punën e jashtëzakonshme të aktorëve siç janë: Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti, Blin Sylejmani, Gresa Gashi, Sherif Bega, Egzona Salihu, Milot Salihu. Pastaj drejtori i fotografisë Aleksandar Krstevski, Kompozitori Memli Kelemndi me korin e tij fantastik ”Sipararantum Choir” dhe gjithsesi një angazhim i jashtëzakonshëm i asistentëve Sovran Nrecajt, Lorena Sopit, Leart Binakut, Ndriçuesit Hajrullah Elelezit, Kostumografes Eleonora Gagica, Dizajnerit Ngadhënjim Ismani, Skenografit Bekim Korça e shumë të tjerëve që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në film e që është një listë e gjatë profesionistësh”, shprehet Ugzmajli tutje për KultPlus.
Deri më tani, regjisori ferizajas para adhuruesëve të filmit është paraqitur me filma të metrazhit të shkurtë, mirëpo, regjisori ka treguar për KultPlus se në planet e tij të ardhme është edhe filmi i metrazhit të gjatë.
”Unë kam disa skica e tritmente për film të gjatë, vështirësia ime më e madhe është në përcaktimin e asaj që vërtetë dua ta punoj, kjo ndoshta është edhe dobesia ime si skenarist e regjisor, pra përcaktimi në idenë që dua ta realizoj si film. Është vëretetë e vështirë për mua të vendosi se cilës ide me ia dhanë gjithë mundin drejt një filmi. Por ajo që dihet me siguri është fakti se filmi i gjatë është qëllimi im i radhës. Do të jetë rrugë e vështirë e gjetjes së mbështetjes financiare, por përvoja më ka mësua se duhet ta përfundoj skenarin dhe pastaj gjithcka tjetër do të bëhet e mundur si me magji”, potencon Ugzmajli.
Besim Ugzmajli ka treguar për KultPlus se kanë bërë një marrëveshje me kompaninë italiane ”Premiere Film”, zyret e së cilës ndodhen në Itali dhe në Los Angeles, kompani kjo e cila do të merret me distribuimin e filmit në festivale dhe televizione. Regjisori ndër të tjera thekson se ambicien kryesore në punën e tij e ka gjithmonë realizimin e ideve të tij kinematografike dhe asgjë tjetër nuk i jep më shumë kënaqësi se puna në film. ”Festivalet dhe shitjet eventuale janë gjithmonë sekondare, prandaj filmin ua kam dhënë për distribuim kompanisë profesionale që merret me këtë punë dhe kështu unë të jem më i lirë në punë të tjera. Gjithashtu dihet mirëfilli se në mungesë të distributorëve është shumë i vështirë prezentimi ndërkombëtarë, sidomos viteve të fundit”, shprehet tutje Ugzmajli
Për artistin është shumë e rëndësishme përçimi i mesazheve që ai shpalos përmes artit të tij, cilido art qoftë ai. Ugzmajli zakonisht, si në teatër po ashtu edhe në film, përçon mesazhe të fuqishme tek shoqëria. Arti i tij prek thellë tek problemet e shoqërisë kosovare dhe jo vetëm. Njejtë ndodhë edhe tek filmi ”Ditë e Kuqe”, tek i cili mesazhi është shumështresor dhe si i tillë mëotn të jetë krejtësisht personal, pra, siç ka treguar vetë regjisori, mesazhet e këtij filmi varen shumë se si dhe nga kush shikohen. ”Gjithmonë konsideroj që audienca gjenë mesazhe të ndryshme në secilin rrëfim apo film, prandaj nuk do ta kisha përkufizur këtë film me një mesazh të caktuar edhepse filmi konsiston në rendësinë që ka konsistenca e njeriut në qëllimet dhe aspiratat në të cilat synon me të drejt, por që pengohet rrugës”, shprehet Ugzmajli.
”Ditë e Kuqe” do të ketë premierën në Tirana International Film Festival i cili do të mbahet në shtator të këtij viti, ndërkaq, regjisori nuk ka treguar saktë se kur do të shfaqet edhe për publikun kosovar, por ka lënë të nënkuptohet se filmi do të ketë disa hapësira për tu shfaqur edhe në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm. / KultPlus.com