Era Berisha
Drama e autores Cordelia Lynn, mbrëmë u gjallërua nën aktrimin mahnitës të Gentë Retkoceri dhe Kushtrim Sheremeti, të cilët para publikut kosovar zgjuan emocione e ngritën vetëdijesimin ndaj trafikimit të qenies njerëzore përmes gërshetimit të humorit e realitetit që përçoi shfaqja ‘’Lela & Co’’ nën regjinë e Eki Rrahmani, shkruan KultPlus.
Skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, kishte marrë një pamje tjetër ku vendosja e ekranit televiziv, projektorit që shfaqej herë pas here, një kafaz që portretizonte botën e vogël të Lelës, reflektorët e kuq e të ngrohtë dhe dritat e llojllojshme, krijuan ndjesinë se kjo shfaqje që kishte për bazë këmbënguljen e gruas kundër trajtimit të vrazhdë të saj nga karakteret e meshkujve, të cilët përmes mohimit dhe arsyetimit për mbijetesë e trajtojnë gruan si një pronë apo objekt duke e shkatërruar botën e saj deri në copëza, po ndodhte me të vërtetë para syve tanë, para një televizori.
Drama e shqipëruar nga Jeton Kulingja, ishte me të vërtetë një histori tërheqëse ku rrethanat e vrazhda qysh nga fillimi deri në fund, u shfaqën jashtëzakonisht bukur dhe publiku i përjetoi në brendësi, ndjenjat e pakrahasueshme që karakteri i Lelës, i përjetoi përmes dhunës, keqtrajtimit, manipulimit, përdhunimit dhe prostitucionit.
Rrahja nga babai në ditëlindjen e saj, ngacmimi seksual nga dhëndri, manipulimi nga motra e saj, abuzimi mental dhe fizik nga burri i saj dhe ushtari i huaj që shfrytëzon trupin e saj, ishin këto vetëm disa rrethana të tmerrshme që personazhi i Lelës portretizoi, e në anën tjetër, të gjitha këto karaktere të meshkujve, i luajti aktori Kushtrim Sheremeti, i cili monolog pas monologu, shpalosi vetëm disa nga trajtimet që kanë ndodhur në realitetin tonë dhe vazhdojnë të ndodhin edhe sot, e për të cilat, secili nga ne i mbyllim sytë e shikojmë në anën tjetër.
‘’Lela & Co”, shpalosi thirrje të vazhdueshme e gjithanshme për vetëdijesimin ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Pasqyrimi i botës në perspektivën e gruas e sidomos në rolin e nënës, ishte ajo më e ndjeshmja, ku Lela dhe fëmija e saj, babai i së cilit nuk dihet, jetojnë përmes një ngufatje të përsëritshme që ndodhin nga rrethanat e krijuara. Ndërsa, vdekja e bebes të saj nga mosushqyerja, solli vdekjen shpirtërore të Lelës, e me të vdiq edhe bota e cila sa erdhi e u zvogëlua deri në dy duart e saj, ajo bota të cilën ajo e konsideronte të mjaftueshme për të jetuar.
Për të treguar përshtypjet e tij rreth shfaqjes, për KultPlus foli regjisori Eki Rrahmani.
“Jam kënaqur fillimisht se njerëzit qëndruan edhe pse koha e nxehtë dhe jam shumë i emocionuar sepse gjithçka shkoi mirë dhe ia kemi arrit atë që kemi punuar. Edhe pse kushtet katastrofale, shfaqja shkoi shumë mirë dhe njerëzit fillojnë të flasin për këtë çështje të trajtuar brenda shfaqje. Gjatë kësaj shfaqje të rëndë, ndonjëherë e kafshoja gjuhën që mos me qajt sepse shumë e dhimbshme”, ka thënë Rrahmani.
Po ashtu, aktori Kushtrim Sheremeti, për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij dhe emocionet pas shfaqjes.
“Po ndihna shumë i lodhur dhe i djersitur por shfaqja ishte shumë e mirë dhe besoj që publiku e priti bukur mirë sepse reagimet e tyre dalloheshin. Ishte një punë e bërë me dashuri dhe gjithçka që bëhet me dashuri, të paktën keq nuk mundet me dal. Ishte një shfaqje e lodhshme por jam shumë i lumtur që përfundoi mirë’’, thotë Sheremeti.
Gjithashtu, aktorja Gentë Retkoceri për KultPlus foli rreth emocioneve përgjatë shfaqjes dhe pas saj.
“Jam shumë e lumtur që publiku u përgjigj mirë ndaj asaj se çfarë kanë parë, por u frikësova pak për shkak të tekstit por energjia ime ishte në një nivel tejet të mirë. Provat e sofistikuara sollën ndarjen e duhur të roleve, emocioneve dhe mesazheve”, thotë Retkoceri.
Repriza e shfaqjes “Lela & Co”, vjen sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com