Kurti takon ekipin Paralimpik të Kosovës: T’i bashkojmë forcat e le t’i nxisim talentet që të arrijnë majat e sportit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Kosovës për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.

Gjatë kësaj ngjarje, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj garuesit të Kosovës, paraatletin Grevist Bytyçi, i cili mori pjesë në Lojërat Paralimpike “paris 2024”, në garën e vrapimit 1 mijë e 500 metra në kategorinë T46, të cilën ai e mbylli në pozitën e 15-të.

“Kryeministri Kurti përmendi edhe mbështetjen që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila me anë të investimeve të saj ka për qëllim rritjen dhe zhvillimin e sportit paralimpik, teksa shtoi se  nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike. ‘Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sport”.

“Ai shtoi se përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike, e ku totali i buxhetit të të dyjave arrin gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti tha se duhet fuqizim i përpjekjeve, bashkim i forcave e nxitje për talentet që të arrijnë majat e sportit.

Kryeministri Kurti takohet me ekipin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit ‘Burbuqe Berisha’

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ekipin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”, ku pjesëmarrës ishin Profesor Zijad Mehiq, drejtor, Doruntina Alishiqi, drejtore artistike e Festivalit.

Profesori Zijad Mehiq dhe ekipi i tij shpalosën planet e reja të PITF dhe zhvillimet programore më të fundit. Ekipi i PITF e njoftoi kryeministrin me programin e këtij viti, që shënon edicionin e tetë, e për të cilin kanë pranuar më shumë se 100 aplikime nga vende të ndryshme të botës.

Në njoftim thuhet se festivali do të shërbejë dhe si platformë për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Kryeministri Kurti e ka uruar ekipin për punën e tyre të shkëlqyer. Përgjatë takimit u diskutua edhe rreth çështjeve të tjera zhvillimore të ndërlidhura me artin skenik në Kosovë, por edhe u përkujtua autori i mirënjohur nga Sarajeva, Abdulah Sidran, i cili ndërroi jetë para tri javëve.

“PITF po inkurajon zhvillimin e Teatrit, ngritjen e kuadrove të reja skenike dhe promovimin e artit e kulturës së Kosovës në botë, duke e lartësuar kështu më shumë veprën dhe emrin “Burbuqe Berisha”, si një prej figurave të rëndësishme të artit skenik të cilën e humbëm në tetor të vitit 2021”,thuhet në njoftim./ KultPlus.com