Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se, për 9-mujorin e vitit 2023 ka pasur 3.2 miliardë euro të hyra në ekonominë shqiptare.
Në konferencën për analizën vjetore të MTM, Kumbaro foli për impaktin që pati në ekonomi sektori i turizmit gjatë vitit të shkuar.
Duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, Kumbaro tha se, “për 9- mujorin e parë të vitit 2023 kemi konfirmimin për 3.2 miliardë euro të hyra në ekonominë shqiptare”.
“Po ta krahasojmë me vitin 2022 që ishte prapë një vit i mirë turistik ku kemi pasur për të gjithë vitin 2022, 2.8 miliardë euro, ndërkohë që vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2023 3.2 miliardë”, theksoi Kumbaro.
Duke iu referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë, Kumbaro tha se, “është rritur mesatarja e netë-qëndrimeve. Është një ndër kriteret me të cilat masim stabilitetin e ekonomisë së turizmit, nga 3-4 netë që e kemi pasur vitin e kaluar. Viti 2023 praktikisht shënoi 6 netë qëndrime për turist. Gjë që tregon një sektor në rritje”./atsh/KultPlus.com