Festivali i filmit ‘Ekrani i Artit’ në Shkodër vjen me edicionin e shtatë

Nga data 5 deri më 9 qershor, Shkodra do të mirëpresë edicionin e shtatë të festivalit të filmit “Ekrani i Artit” me vepra të videoartit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion, punime nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Republika, Art House, Galerinë e Arteve, Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Qendrën Rinore Arka, Auditorin Françeskan, Galerinë Oda dhe në Kalanë e Rozafës.

Nën titullin Solitude and Multitude filmat e edicionit të sivjetshëm eksplorojnë këto skaje të pandashme të ekzistencës njerëzore ku vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti, thjeshtësia dhe kompleksiteti, intimiteti privat dhe dimensioni publik përvijohen mes nuancash, kalimesh e sfumaturash të panumërta.

Ndryshe nga vitet e tjera, një ekspozitë e kuruar nga Lek M.Gjeloshi e Zef Paci sjell në Galerinë e Arteve pesë artistë me instalacione video e audio, ndërsa Art House mirëpret të parën ekspozitë personale të artistes Nora Bzheta.

Në Art House do të zhvillohen gjatë ditëve të festivalit programe të ndryshme duke filluar nga “Personal narratives, family myths” të kuruar nga Sylvia Schedelbauer e duke vijuar me një përzgjedhje me videoart nga koleksioni i Fondacionit In Between Art Film të kuruar nga Edi Muka. Me 8 qershor do kemi një fokus në tre vepra video të William Kentridge nga koleksioni Moschini e Fischetti ndërsa të dielën me datë 9 një program me videoart shqiptar të kuruar nga Elsamina Musiq e Xhulian Millaj.

Ndërkohë Auditori Françeskan do të mirëpresë një program të sjellë nga Roland Sejko me nëntë filma të shkurtër të prodhuar nga nëntë regjisorë italianë ekskluzivisht me materiale të Arkivit të Instituto Luce në Romë. Programi mbledh filma nga Claudio Giovannesi, Alina Marazzi, Pietro Marcello e Sara Fgaier, Roland Sejko, Alice Rohrwacher, Giovanni Piperno, Marco Bonfanti, Paola Randi e Costanza Quatriglio. Te ky Auditor do të shfaqet ditën e diel me datë 9 edhe filmi i Eneos Çarka Another Day.

Në Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Santiago Sierra sjell videon e tij më të fundit The Maelström ndërsa Gentian Doda me grupin Was Bleibt Kollektiv prezantojnë filmin koreografik Gjurmë.

Qendra Rinore Arka do të mirëpresë për tre ditë shfaqjen e tre filmave të shkurtër që vijnë nga festivali i mirënjohur italian Concorto Film Festival. Të tre filmat, Night Shift, Sardine dhe Lovers ishin fitues të edicionit të vjetshëm të këtij festivali.

Dalja nga qyteti, që në dy vitet e fundit e kishte parë programin e festivalit të shpalosej buzë liqenit, këtë vit do t’i drejtohet Kalasë së Shkodrës me instalime video e projeksione fotografike nga Lek M.Gjeloshi e Sara Passerini dhe me projektimin në natën e datës 8 qershor të filmit të Wael Shawky, I am Hymns of the New Temples.

Kalaja e Shkodrës do të jetë për dy netë edhe arenë e një programi muzikor të përzgjedhur nga Rubin Beqo e Nita Deda, program i cili do përfshijë gjatë ditëve të festivalit edhe Bed Station si dhe hapësirat e ish Konsullatës italiane në Shkodër.

Qendra e festivalit mbetet Kinema Republika e cila mirëpret një seri me filma të gjatë e të shkurtër duke filluar me dy filmat e natës së hapjes nga Driant Zeneli e Roland Sejko e duke vazhduar me një program të kuruar nga Tea Paci ku përmendim filma nga regjisorë e artistë si Cecilia Vicuña, Noor Abed, Evi Gjoni, Hoda Taheri, Fabrizio Bellomo, Emilien Dubuc, Helena Wittmann, Vasilis Katsoupis, Bo Wang e Ilir Hasanaj.

Ky vit shënon edhe edicionin e tretë të punëtorisë së koordinuar nga Melisa Paci që sheh nxënësit e shkollave 9 vjeçare të dialogojnë me punën e një artisteje bashkëkohore. Këtë vit nxënësit e shkollave “Ismail Qemali” e “Miqësia”, kanë punuar për një periudhë gjashtë mujore në dialog me veprën e artistes Claudia Losi dhe punimet e tyre do të shfaqen në Galerinë Oda me datë 7 në ora 17.00.

Ish Konsullata Italiane në Shkodër do mirëpresë një program të kuruar nga Ajola Xoxa me tri vepra në video të Anri Salës, Anna Ehrenstein dhe Lek M. Gjeloshit.

Një seri bisedash e takimesh do të shoqërojne ditët e festivalit ku veçojmë prezantimin e Pavjonit shqiptar në Biennalen e Venecias me protagoniste artisten Iva Lulashi dhe kuratorin Antonio Grulli i cili do mbahet në Qendrën Rinore Arka me datë 6 Qershor, ora 16.00./ KultPlus.com

Filmi i ri “Beetlejuice” në ekran për dashamirët e tij vitin e ardhshëm

“Beetlejuice” do të vijë sërish në ekrane për dashamirët e tij. Warner Bros ka njoftuar se ky film do të lansohet vitin e ardhshëm.

Megjithatë nuk ka shumë informata rreth tij. Ai është ripunim nga filmi i Tim Burton që u lansua në vitin 1988, ndërkaq sjell në skenë skena me fantazma.

Filmi i ri po ashtu është me regji të Tim Burton. Në të me role paraqiten Michael Keaton në rolin  e Beetlejuice e Winona Ryder të Lydia Deetz.

Veç tyre, me role vijnë edhe Jenna Ortega me rolin e bijës së Ryder, Justin Theroux, Catherine Ohara, Monica Bellucci e Willem Dafoe. Një prej producentëve të këtij filmi është Brad Pitt.

Skenarin e “Beetlejuice” e kanë bërë Miles Millar e Alfred Gough.

Në filmin e parë, një çift i sapomartuar i vdekur, rolet e të cilëve i luajnë Geena Davis e Alec Baldwin, inatosen për shkak të një familjeje e cila vendoset në shtëpinë ku kanë jetuar ata.

Rolet e prindërve i luajnë Catherine O’Hara e Jeffrey Jones, e Rydet të bijës së tyre.

Ata kontaktojnë me “Beetlejuice”, që është një fantazmë dinake nga Nëntoka. Kjo fantazmë u ndihmon që ti ndjekin banorët e rinj të shtëpisë.

Filmi “Beetlejuice” arriti sukses të madh komercial. Ai fitoi 74.7 milionë dollarë në box office në botë.

Ky film u bë inspirim për realizimin e edhe të një mjuzikli, që u nominua për çmimin Tony.

Ai u realizua në skenë për katër vite radhazi derisa u mbyll Broadway për shkak të pandemisë së COVID-19.

Filmi i ri “Beetlejuice” u caktua të lansohet në kinema nga data 6 shtator 2024./21Media/KultPlus.com