Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në muzeun rajonal të Koprit, dje ka vizituar ekspozitën mbi shtëpinë e familjes Bruti, kuruar nga Meliha Fajić, e që përmban piktura, libra, dokumente e objekte të kësaj familje.
Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se në zemër të sheshit Brolo të qytetit Kopër të Sllovenisë, qëndron e ngritur shtëpia e familjes Bruti që nga viti 1714. Kjo familje e njohur shqiptare me lidhje familjare në Durrës, Lezhë e Ulqin, ndër të tjera e lidhur edhe me familjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u vendosën përfundimisht në Kopër.
“Përballë muzeut, Katedralja madhështore e Koprit, mban në piedestal altarin e restauruar nga artisti i famshëm i renesancës veneciane, Vittore Carpaccio, me titullin “Maria në fron me fëmijën dhe shenjtorët”. Këtë vepër madhështore nga viti 1516, e soditëm nga afër. E vizita përfundoi në shtëpinë e Brutëve e cila që nga viti 1951 shërben si bibliotekë publike, për promovimin e librit “Shqiptarët e lashtë dhe krijimi i Istrias” me autor Peter Štoka dhe me përkthim nga doktor Pëllumb Qazimi”, shkruan Kurti në Facebook.
Bëhet e ditur se promovimi i këtij publikimi që u mundësua nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Iliria” në Kopër në krye me Heset Ametin dhe nga ambasada e Kosovës në Slloveni, mblodhi përfaqësues të shumtë të komunitetit dhe shoqatave shqiptare nga Sllovenia, Kroacia dhe nga Italia.
Në hollin e Pallatit të Kulturës “Sadi Halili” të Librazhdit është çelur të këtë shtunë ekspozita e piktorit të mirënjohur Arben Kurti ku të pranishëm ishin me qindra qytetarë të grupmoshave të ndryshme, piktorë , artistë si edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor ,Arbjan Mazniku , Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën ,Taulant Balla, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ,Bora Muzhaqi ,Kryetari i Bashkisë Librazhd ,Mariglen Disha. si edhe personalitete të tjera të shquara vendase e të huaja.
Vizitorët e shumtë dhe ministrat i vlerësuan pikturat e ekspozuara dhe i cilësuan ato jashtëzakonisht të bukura .Pejsazhet e mrekullueshme të natyrës të sjella në piktura në këtë ekspozitë ishin mjaft mbresëlënëse për vizitorët .Vetë piktori Arben Kurti e cilësoi hapjen e ekspozitës në hollin e Pallatit të Kukturës , “Sadi Halili” si një moment të rëndësishëm për karrierën e tij në këtë fushë të cilës ai i është përkushtur që kur ishte 5 vjeç.Rregullisht kam filluar të pikturoj që nga mosha 10 vjeç tregon piktori Arben Kurti.
Në klasën e 5 -të në vitin 1980 u regjistrova në kursin e pikturës pranë Shtepisë së Pionierit në Librazhd .Aty hodha hapat e para dhe mjaft të sigurta drejt të ardhmes dhe merita është e profesorit të pikturës ,Sami Roçi.Që nga ajo kohë nuk i jam ndarë pikturës , por edhe piktura nuk më është ndarë më kurrë mua. E them
me shumë sinqeritet që nuk mund të rri dot pa pikturën. Prindërit e mi ,sidomos nëna ime ,Lytfie Kurti më ka mbështetur fuqishëm dhe ka sakrifikuar shumë që unë ta ndiqja ëndrrën time .
Konkurova në vitin 1984 për në shkollën artistike por nuk fitova edhe pse isha cilësuar ndër më të mirët mes konkuruesve .I trishtuar dhe i lënduar shpirtërisht që nuk arrita të siguroja mundësinë e shkollimit në degën e pikturës ,qëndrova edhe një vit në shtëpi dhe vijova përgatitjet për të qenë i suksesshëm vitin tjetër dhe konkurova në Liceun Artistik të Tiranës por edhe atje nuk fitova për dy pikë. I zhgënjyer nga mungesa e seriozitetit të jurisë në vlerësimin real të konkuruesve hoqa dorë nga përpjekjet për të studiuar për pikturë dhe u rregjistrova në Gjimnazin ” Ibrahim
Muça” të qytetit të Librazhdit , një gjimnaz i cili ka nxjerrë personalitete të shumta në çdo fushë ndër vite .Gjatë kohës së Gjimnazit kisha vështirësi në gjetjen e bazës materiale por gjithmonë më ka qëndruat pranë dhe më ka ndihmuar shumë profesori im i nderuar ,piktori Sami Roci. Me ndryshimin e sistemit , pas vitit 1990 sigurimi i bazës materiale nuk ishte më problem dhe puna ime me pikturën ka ecur shumë mirë .Gjatë periudhës pas përmbysjes së sistemit komunist krahas ushtrimit të aktivitetit privat , diplomimit në Ekonomi ,natyrisht i jam përkushtuar edhe pikturës çdo ditë në kohën e lirë. Shpesh herë punoj edhe natën , madje jo rrallë edhe deri në orë 5 – 6 të mëngjesit kur gjatë ditës nuk gjeja kohë.
Vitet e fundit i jam bashkuar Kolonisë së Piktorëve me të cilët kemi qenë në aktivitetet e zhvilluara disa herë në Pogradec ,në Maliq, në Korçë ,”Ditet e Mios” dhe kudo në Shqipëri dhe jashtë saj . Ndërkohë që rrjetet sociale na kanë mundësuar që të prezantohem me disa Portale Arti nga të cilët kam marrë vleresime pozitive nga qindra piktorë , koleksionistë pikturash dhe dashamirës arti nga Shqiperia dhe jashtë saj.Kam qene i ftuar nga mjaft koloni piktorësh që janë organizuar në Shqipëri dhe jashtë saj.Jam ndjerë mjaft mirë me pikturën dhe kam
hapur dhjetra ekspozita jo vetëm në Librazhd ku jetoj, por edhe në Kryeqytet dhe qytete të tjera.Piktori Arben Kurti gjatë gjithë karrierës së tij ka preferuar më së shumti ti përkushtohet hedhjes në telajo të natyrës piktoreske e të mrekullueshme të fshatrave të Librazhdit dhe jo vetëm .Në dukje pikturat e tij janë shumë të thjeshta por janë edhe shumë origjinale.
Shumica e tyre janë një abstragim i ëmbël i natyrës dhe i shumëllojshmërisë së bukurisë së trevës së Librazhdit ku fshatrat Dardhë, Steblevë, Xhyrë e Lugina e Shkumbinit janë dashuria e tij më e madhe .Piktori Arben Kurti është padyshim piktori i peisazheve natyrore më të bukura të Shqipërisë. Natyra e bukur e ka “përndjekur” artin e tij gjatë gjithë karrierës si piktor.Stilet e pikturimit janë të ndryshme , por piktori librazhdas Arben Kurti krahas pejsazhit, preferon edhe portretin dhe gjini të tjera të artit.
Por në më të shumtat e ekspozitave ai ka zgjedhur të paraqitet para publikut, kryesisht me peisazhe. Gjithsesi, ky lloj kufizimi në këtë gjini, kompensohet nga larmia e teknikave të përdorura prej tij në punime në vaj, akuarele, grafikë ku motivet dhe ngjyrat duken gjithmonë origjinale.Punimet e tij në pikturë janë kryesisht të përmasave mesatare por nuk mungojnë edhe ato me përmasa të vogla e të mëdha.Ndërsa stilet e pikturimit janë në raste të veçanta edhe të ndryshme dhe piktori librazhdas krahas pejsazhit ,preferon edhe portetin dhe gjini të tjera të artit.
Në të ardhmen e afërt ai ka planifikuar hapjen e ekspozitave të tjera me piktura të reja me pejsazhe nga destinacionet më të bukura turistike të Shqipërisë. Për ekspozitën e rradhës ai ka kohë që e ka filluar punën dhe dëshiron që ajo të jetë një ekspozitë speciale ku do të ftohen edhe mjaft miq e kolegë piktorë vendas e të huaj .Është për tu vlerësuar fakti që pikturat e pejsazhit të artistit librazhdas Arben Kurti janë vlerësuar në shumë vende dhe janë bërë pjesë e koleksioneve të artit nga dashamirësit e pejsazhit .Dhe me të drejtë të gjithë piktorin Arben Kurti e identifikojnë me nofkën e këndshme “Piktori i Pejsazhit”./balkanweb/ KultPlus.com
“Fije” në tablo pikture është një ndër ekspozitat e reja në jetën artistike. Piktori Andi Hila ekspozoi këto ditë shtatori 19 punët e tij në galerinë FAB.
Fije bari, bimë të harlisura apo dhe të shkreta, në muzg të stinës së tyre, janë pamjet që paraqiten në pikturat e artistit.
Piktori trego se këto punë të realizuar për 6 vite, për herë të parë janë pjesë e një ekspozite personale të tij ndërsa tregoi dhe pse zgjodhi këtë temë.
“Këtë herë jam ndal te fija e barit që është më e thjeshta por dhe më sublimja. Shpesh harrojmë të voglën dhe merremi me luksin”,-tha artisti Andi Hila.
Frymëzimi I artisti nisi që në kohën e pandemisë, pasi asokohe gjeti kohë për veten. Në 19 punët e piktorit, vetëm në njërën është njeriu.
“Unë dje e vëzhgova se vetëm në njërën pikturë kishte njerëz. Nuk është një shkëputje prej njerëzve por diçka rrjedh natyrshëm”,-tha Hila.
Ndërsa Edison Çeraj shprehet se në pikturat e Andi Hilës ai gjen vazhdimësi dhe ekuilibër, ku ruhen elemente të traditës së pikturës në thurimën e një tipologjie dhe estetike bashkëkohore. Andi Hila është gjithashtu dhe autor i disa ekspozitave personale realizuar në Galerinë e Arteve Shkodër, Tulla Center, Muzeun Historik Kombëtar.
Ekspozita në galerinë FAB do të qëndroj e hapur deri më 19 shtator./euronews/ KultPlus.com
Rreth 80 foto-arkiv të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po ekspozohen për vizitorët dhe dashamirësit e monumenteve në kalanë e Gjirokastrës.
Vetë kalaja monumenti më i vizituar kulturor i kësaj vere në Shqipëri shfaqet në disa nga fotot për të bërë të mundur edhe vëzhgimin e transformimeve prej ndërhytjeve restauruese dhe kohës.
“Po prezantojmë monumentet e kulturës, por edhe punën që është bëra nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore ndër vite që në themelimin e tij dhe deri tani. Kemi sjellë edhe disa materiale promocionale në formë kartolinash të monumente të ndryshme të kulturës në Shqipëri për t’ja dhuruar turistëve që të kenë një kujtim nga Shqipëria dhe nga kjo ekspozitë, gjithashtu kemi vendosur edhe një libër në të cilin mund të japin mendimet e tyre” – shprehet Kejda Lampe, specialiste e insitutit kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Ekspozita prezanton imazhe të monumenteve si teatri i Butrintit, gjetje arkeologjike të rralla, pamje të monumenteve mesjetare të kultit, ura, rrugë, akuadukte, piktura murale dhe ikona.
“Ne kemi ekspozuar një pjesë të arkivit tonë për të treguar ndryshimet që ka pësuar monumenti dhe restaurimet që janë bërë gjatë kohëve në vijim që nga themelimi i institutit tone” – shprehet Andrea Pambuku.
Ekspozita me fotot e realizuara në periudha të ndryshme dhe e sjellë në prag të 80 vjetorit të Çlirimit po shëtit në disa qytete të vendit dhe përfaqëson njëkohësisht një kolazh memorie edhe për njerëzit që i shërbyen trashëgimisë gjatë shekullit të fundit./tch/KultPlus.com
Ekspozita “Qëndro i Qetë dhe Buzëqesh” nga Korab Basha dhe kurator Elton Koritari hapet në kuadër të ‘Fotoist’ të premten më 30 gusht nga ora 19:00, para Hotel Grand.
Titulli i këtij projekti ambicioz të fotografit Korab Basha, fjalë për fjalë mund të përkthehet “Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni”. Basha ripërdor dhe riinterpreton sloganin e ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar i cili gjatë luftës së dytë botërore motivonte britanikët për të qëndruar të qetë dhe për të vazhduar, për të ecur, për të mbajtur gjallë optimizmin, pavarësisht kërcënimit të afërt të pushtimit nazist. Madje, edhe pse nuk u publikua kurrë në atë kohë por u rishfaq pas më shumë se 50 vitesh, ky slogan, me një rikthim triumfal në pop-kulturën bashkëkohore, vazhdon të jetë një simbol i fortë i rezistencës dhe durimit në përballje me sfidat e jetës, jo vetëm në aspektin propagandistik të tij. Në stuhinë e vazhdueshme të tensioneve ushtarake dhe politike, sot ushtria e Kosovës mishëron dhuntinë e të qendruarit në ballë të vendit dhe e bën këtë duke u mbështetur fort në humanizmin e saj.
FSK është një ushtri e qytetarëve të saj dhe kjo gjë paraqet një moment historik dhe të rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. “Keep Calm and Smile” thekson qëndrueshmërinë, integritetin moral dhe mbështetjen e fuqishme në popull të forcave të armatosura dhe simbolizon kështu një qasje të guximshme ndaj sfidave të Kosovës bashkëkohore. E akoma më shumë, në këtë ekspozitë, ata me buzëqeshjen e tyre përfaqësojnë forcën dhe krenarinë e popullit shqiptar në përballje me çdo sfidë, ashtu si përherë në historinë tonë. Vajzat dhe djemtë që mbushin sot rreshtat e kësaj ushtrie, janë pasqyrë e të gjithë kosovarëve që duan të lënë pas të kaluarën dhe në fund të shikojnë nga e ardhmja. Me një buzëqeshje.
FSK është e qartë si dielli se nuk ekziston për të sulmuar askënd, përkundrazi ajo vetëm mbron integritetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, ngritur mbi bazat e rezistenzës dhe qëndresës së Ushtrisë Çlirimtare, e cila lindi pikërisht për të mbrojtur njerëzit e saj të të masakruar prej dekadash, të lodhur nga një e kaluar mizore dhe të dërrmuar nga mohimi i parimit të vetëvendosjes. Sot, qytetarët e Kosovës, në shtetin e tyre të fituar me vetëmohim dhe sakrificë, ndjejnë më shumë se kurrë dëshirën për ta mbyllur me të shkuarën dhe më në fund të shikojnë të ardhmen drejt në sy, larg dhunës, të lirë. Me një projekt të qartë në vizionin e tij dhe me këmbëngulje të admirueshme për ta realizuar atë deri në fund, Korab Basha na tregon jo vetëm sesi ushtarët e Kosovës shohin pra nga e ardhmja, pikërisht ashtu siç ndihet dëshira për të ardhmen në zemrën e çdo qytetari kosovar por edhe se pas shumë vitesh ndërhyrjesh të çmuara nga ushtritë e huaja, është një arritje e madhe për Kosovën që të ketë një ushtri të sajën dhe më shumë se kurrë ta shijojë këtë simbolikë të vogël, por të madhe. Artisti hyn thellë edhe në kontekste më globale sesa trevat tona. Ai na sugjeron se në fund të fundit, paqja fillon me një buzëqeshje./express/KultPlus.com
“Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë”, nesër do të hapin ekspozitën “Fryma e Dashurisë” për nder të ditëlindjes së Shenjtores, Nënë Tereza.
Në njoftim është bërë e ditur se kjo ekspozitë e cila vjen si reflektim mbi vlerat e dashurisë dhe humanizmit do të hapet në sheshin e kryeqytetit “Nënë Tereza”.
“Kjo ngjarje e veçantë është organizuar për nder të shenjtores Nënë Tereza dhe do të jetë një mundësi e mrekullueshme për të reflektuar mbi vlerat e dashurisë dhe humanizmit që ajo përfaqësonte”, thuhet në njoftim.
Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë nga ora 12:00 deri në 18:00./ KultPlus.com
Dy pedagoge dhe eksperte të turizmit, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku kanë hapur një ekspozitë të veçantë në qytetin e Durrësit, duke kthyer banesën e vjetër të familjes Mima në një nga rrugicat e qytetit bregdetar, në shtëpi-dëshmi të viteve të regjimit komunist.
Ekspozita titullohet “Turistë të përgjuar” dhe rrëfen përmes ndërtimit, arredimit, dokumenteve dhe botimeve të kohës, historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, vite në të cilat jo vetëm shqiptarët, por dhe turistët e huaj që u lejuan ta vizitojnë Shqipërinë, iu nënshtruan përgjimit. Ekspozita vjen si një udhëtim pas në kohë, në vitet e diktaturës komuniste dhe përgjimit nga Sigurimi i Shtetit.
Ekspozita sjell edhe një eksperiencë të veçantë e disi të harruar që të krijon sirena e alarmit që paralajmëronte futjen në vendstrehime, për t’u mbrojtur nga armiqtë imagjinarë.
Turistët ishin kureshtarë. Donin të zbulonin dhe kuptonin më shumë nga vendi më i izoluar i globit, që gjithçka e realizonte me forcat e veta, por përballeshin me lëvizje dhe informacion të kontrolluar nga partia-shtet.
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët e huaj dhe vendas, duke ofruar një dritare informative për të njohur dhe reflektuar mbi këtë periudhë të errët të historisë shqiptare./atsh/KultPlus.com
Ekspozita “Athua ëndërr ishe ti” e kuruar nga kuratorja Arta Agani do të shënoj hapjen e edicionit të katërt të “Rame Lahaj International Opera Festival”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve.
Ekspozita shpërfaq kryevepra të koleksionit privat të Rasim Mrlakut, përfshirë ato të artistëve të njohur si Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj.
Ekspozita hulumton simbolet e thella dhe shpesh të fshehura që artistët përdorin për të përfaqësuar ëndrrat, dashurinë dhe nostalgjinë. Duke eksploruar këto tema përmes pikturës, “A thua ëndërr ishe ti” synon të zbulojë gjuhën universale të simboleve që flet për thellësitë e përvojës njerëzore. Pikturat e koleksionit të z. Mrlakut përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe shprehjesh; megjithatë disa prej tyre në veçanti lidhen për nga poetika që përmbajnë e që korrespondon me festivalin dhe temën e sivjetme “T’knoft zemra”.
Hapja e ekspozitës do të bëhet më 21 korrik, në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Ndërsahapja për publikun do të 22- 31 Korrik, nga ora 12:00-19:00/ KultPlus.com
Ambasada gjermane në Tiranë organizoi një ekspozitë digjitale të titulluar “Tiranë, Korrik 1990 – Arratisje në Ambasadën Gjermane”. Ekspozita i kushtohet 34-vjetorit të eksodit shqiptar në ambasada.
Më 2 korrik të 1990-ës, mijëra shqiptarë mësynë Ambasadën Gjermane në Tiranë për të kërkuar mbrojtje nga regjimi komunist. Rreth 5000 persona kërkuan strehim në ambasadat e huaja dhe mbi 3200 persona gjendeshin në ambientet e Ambasadës Gjermane.
Ekspozita digjitale paraqet imazhe origjinale nga kjo periudhë duke sjellë më shumë informacion rreth këtyre ngjarjeve historike.
Ambasadori Karl Bergner, prezantoi këtë ekspozitë përmes një postimi në faqen online të Ambasadës Gjermane. “Njerëzit ishin në kërkim të lirisë, mirëqenies, në kërkim të një fillimi të ri. Një pjesë mes tyre ishin të frymëzuar edhe nga pamjet e transmetuara në televizion për refugjatët gjermano-lindorë të vitit 1989”, shkruan ambasadori Bergner. Ambasadori tha se, përmes ekspozitës nderohet kurajoja e të larguarve si dhe përkujtohen viktimat e përndjekjes politike nën sundimin komunist.
Pas dhjetë ditësh konflikti dramatik u zgjidh. Pas bisedimesh të vështira me palën shqiptare komuniteti ndërkombëtar arriti të kishte sukses dhe qeveria ra dakord me largimin nga vendi, i cili ndodhi natën e datës 12 korrik përmes Durrësit në drejtim të Italisë e më pas me tren drejt Gjermanisë./atsh/ KultPlus.com
Në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, e para dhe e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, u shfaq dje për herë të parë ekspozita UNDINUS.
Kryebashkiaku u Korçës, Sotiraq Filo e cilësoi një përvojë të jashtëzakonshme në art, ku realiteti dhe ëndrrat u ndërthurën me një simfoni tingujsh, ngjyrash dhe emocionesh nënujore.
Ai fton të gjithë që mos ta humbin këtë udhëtim të mahnitshëm përmes syve të një mjeshtëri në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë.
UNDINUS është ekspozita më e re imersive që u jep mundësi të gjithëve që të zbulojnë botën e mrekullueshme nënujore, të parë përmes syve të artistit.
Frymëzuar nga përvoja e tij personale dhe përmes fuqisë së artit digjital, Willred Dallto sjell një botë tërësisht të re ku realiteti dhe ëndrrat ndërthuren dhe ku një simfoni ngjyrash, tingujsh dhe emocionesh.
Ekspozita shoqërohet edhe nga një kolonë zanore origjinale e krijuar nga artistët e talentuar Era Canaj dhe Gent Shahini, dhe vizualet e mrekullueshme krijuar nga artisti 3D, Noel Çela./atsh/ KultPlus.com
“Reporting House” quhet ekspozita e cila u hap mbrëmë në ish- objektin e mallrave “Gërmia” me fotografi, dukumente, dokumentare e vepra të ndryshme artistike të cilat dokumentojnë ngjarjet që kanë ndodhur në vitet e ’90-ta, me theks të veçantë krimet serbe në vitet 1998- 1999, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë e kuruar nga Gazmend Ejupi dhe Jeta Xharra është hapur me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, dhe prezanton përmbajtje arkivore nga puna e gazetarëve, fotografëve dhe punonjësve të mediave, të cilat vijnë si dëshmi për të krijuar kujtesë kolektive mbi ngjarjet që ndodhën para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Protestat e 1 tetorit 1997”, “Protestat e minatorëve“, “Mësimi në shtëpitë-shkolla”, pamje nga protesta “Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës” , pamje të qytetarëve të vrarë, pamje të refugjatëve, dhe rrëfime për përjetime të ndryshme erdhën më të gjalla se kurrë përmes kësaj ekspozite e cila do të qëndroj e hapur deri në javën e dytë të shtatorit.
“Reporting House” përmban fotografi, artefakte e dokumentarë të Vaughan Smith, Jeremy Bowen, David Loyn, Flaka Surroi, Alban Bujari, Ilaz Bylykbashi, Ridvan Slivova, Paul Lowe, Donika Shahini, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Hazir Reka, Gzmend Avdiut, Eki Rrahmanit dhe do të shtrihet edhe në Hamamin e Prishtinës e në galerinë “Paper”, sipas organizatorëve gjithmonë duke synuar përsiatje, dialog dhe katarzë.
Si pjesë e kësaj ekspozite janë prezantuar rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën gjatë viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste-TV publik gjerman, Nippon TV-Televizion publik japonez, RTE-TV publik irlandez, EO 2 Vandaag-TV publik holandez), Tele 5-TV spanjoll dhe Frontline Television News.
Kuratori i ekspozitës, Gazmend Ejupi ka thënë se ideja për realizimin e një projekti të tillë synon informimin e gjeneratave të reja mbi atë që ka ndodhur në Kosovë në të kaluarën.
“Koncepti kuratorial ka filluar me angazhimin e Jetës për të pasur një ekspozitë për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Ideja e ekspozitës është për të t’u dhënë të rinjve informacione dhe histori të së kaluarës. Përveç reportazheve ideja ka qenë të jetë e lidhur gjithmonë me gazetari për këtë ekspozitë, nga ku kemi filluar ta diskutojmë dhe të ftojmë edhe artistë të tjerë që kanë lidhje me mediumin e videos, që kanë referencë për luftë, imigrim”, është shprehur kuratori Ejupi.
Ai më tutje ka bërë të ditur se “Reporting House” është një ekspozitë e cila kërkon shumë kohë për ta eksploruar në tërësi.
“Jemi ofruar te Komuna për të kërkuar një hapësirë dhe na është ofruar kjo. Ekipi i ndërmarrjes publike banesore ka bërë një punë të mrekullueshme. Ky ka qenë një vend jofunksional, 1770 m2 shtë kuruar në mënyrë minimale, me hapësirë për shikuesit për të shëtitur, për të pyetur. Mirëpo nuk është ekspozitë që mundesh me pa për një ditë. Kjo është një farë procesi edukativ i cili ka referenca shumë me rëndësi dhe dokumentarë të cilët marrin kohë. Në anën e majtë është një hapësirë që është krijuar vetëm për BBC-në që na ka dhënë të drejtën për të shfrytëzuar materiale të cilat nuk guxojnë të publikohen diku tjetër”, ka bërë të ditur kuratori Ejupi.
Ndërsa për rolin e fuqishëm që ka fotografia në dokumentimin e luftës e potencoi edhe fotografi amerikan Ron Haviv, i cili ka qenë fotoreporter në luftën e vitit ’99 në Kosovë.
“Mendoj se fotografia është jashtëzakonisht e fuqishme në këtë drejtim, sepse pak pas lufte kam pasur një bisedë me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ai pati thënë se një prej arsyeve pse kanë intervenuar në Kosovë shumë më shpejt sesa në Bosnjë ka qenë për shkak të fotoreporterëve”, ka thënë Haviv.
Fotografi Haviv Kosovën sot e sheh si shembull nga i cili sipas tij duhet të frymëzohen edhe ukrainasit.
“Jam i kënaqur të shoh se ku është Kosova sot, sidomos në krahasim me Bosnjën. Kosova është frymëzim për Ballkanin dhe mendoj se ukrainasit sot do të marrin shembull se si të ringjallen sërish”, ka gjithashtu Haviv.
Kurse presidentja Vjosa Osmani e cila po ashtu ishte pjesë e kësaj ekspozite ka deklaruar se e vërteta as nuk mund të mohohet e as të ndryshohet pasi krimet janë bërë para syve të botës.
“Pikërisht për shkak të storjeve të këtyre gazetareve u njoh e vërteta për Kosovën dhe siç e them rëndom në çdo diskutim, ne çdo prezantim ne samite ndërkombëtare se e vërteta as nuk mund të mohohet as nuk mund të ndryshohet, sepse ajo ka ndodhur para syve të botës dhe arsyeja pse ka ndodhur para syve të botës janë këta njerëz që i shihni ju këtu, i falënderoj për kontributin”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja më tej shtoi se nuk duhet të ndalen përpjekjet për ta mbrojtur të vërtetën e popullit të Kosovës.
“Përgëzime për punën nuk duhet të ndalemi me kaq, duhet të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta edhe spektri politik dhe gazetarët, të gjitha mediat, shoqëria civile në mënyrë që së bashku ta mbrojmë të vërtetën tonë, në mënyrë që dhimbja të cilën e kemi përjetuar si popull mos të përsëritet më kurrë”, është shprehur më tej presidentja.
Në këtë ekspozitë ishte e pranishme edhe profesoresha universitare Remzie Shahini- Hoxhaj, e cila u befasua nga pamjet e shtëpive shkolla ku ajo kishte vijuar shkollimin e mesëm, e më pas edhe me pamjet e protestave të 1 tetorit, ku kishte qenë pjesë e organizatës studentore.
“Pamjet që po i shihni në ekran janë pamjet e protestës së 1 tetorit 1997, në atë kohë unë kam qenë studente e Universitetit të Prishtinës. Kjo është protesta e parë jo e dhunshme që e kemi organizuar si union i studentëve për kthimin e objekteve shkollore, të cilat atë kohë u morën nga okupuesit. Unë i kam pasur dy detyra atë ditë, kam qenë mbajtëse e rendit dhe vëzhguese. Si organizatë studentore kemi punuar mjaftë gjatë, diku rreth 2-3 muaj për organizimin e kësaj proteste, sepse e kemi pasur parasysh se me çfarë pushtues kemi të bëjmë, sepse ka qenë shumë e vështirë me u organizua në atë kohë, imagjinoni vetëm mjete komunikimi nuk ka pasur, telefona statikë”, ka thënë profesoresha Shahini- Hoxhaj, duke potencuar se pamjet e tilla i ngjallën emocion ngase tregojnë një histori shumë të brishtë të Kosovës, për të cilën gjë ka falënderuar edhe organizatorët.
“Besoj që është shumë mirë që është marrë kjo iniciativë për organizimin e kësaj ekspozite për t’u shpërndarë edhe në tjera vende, për shkak se të rinjtë tanë duhet ta shohim se edhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë përmes së cilës ne kemi arritur edhe deri te liria. Neve na është cenuar liria e shprehjes, fjala, shkollimi dhe unë besoj që shumë shpejt e harrojmë në qoftë se nuk i ripërtërijmë, nëse nuk i kujtojmë, i harrojmë ngjarjet të cilat na kanë ndodhur” ka thënë më tej profesoresha Shahini- Hoxhaj.
Ndërsa artisti Burim Myftiu për ekspozitën “Reporting House” tha se është njëra prej ekspozitave më domethënëse sa i përket tematikës së luftës së Kosovës.
“Është një paraqitje e mrekullueshme, mund të them një prej ekspozitave më të bukura të pas luftës, duke iu falënderuar kuratorit Gazmend Ejupit, organizatores Jeta Xahrra. Është një përmbledhje e mrekullueshme, por mbi të gjitha është fenomeni i riaktivizimit të qendrës tregtare “Gërmia”- shtëpisë së parë të mallrave në Prishtinë dhe ëndrra e çdo kujt që ky objekt prap të funksionalizohet, aq më mirë si një galeri arti”, ka thënë artisti Myftiu.
“Reporting House” është mundësuar nga “BIRN Kosova”, “KALLXO.com”, “Bienalja e Prishtinës” dhe “Paper Gallery” dhe do të qëndroj e hapur deri në javën e dytë të shtatorit, dhe mund të vizitohet nga e marta në të shtune, përgjatë orës 10:00- 18:00./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku dhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, kanë vizituar sot Galerinë Kombëtare të Kosovës për të parë nga afër ekspozitën retrospektivë të artistit të ndjerë Gjelosh Gjokaj “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi.
Në ekspozitë janë të përfshira vepra nga e gjithë krijimtaria artistike e Gjelosh Gjokajt dhe përbëhet nga dy koleksione të artit. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokajt, kushëririt të tij nga Podgorica, dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Ekspozita që po vizitohet çdo ditë edhe nga artdashës, është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe është e hapur për publikun deri më 7 korrik.
12 fotografi që shpalosin jetën e individëve të komunitetit LGBTIQ+ u risollën përmes ekspozitës “Quien”, të realizuar nga fotografja Majlinda Hoxha, më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, dhe Transfobisë, shkruan KultPlus.
Ekspozita “Quien” e cila për herë të parë është hapur para dy vitesh në javën e krenarisë në Kosovë, krahas fotografive përfshinte edhe fragmente të tregimeve të personave LGBTI+, në të cilat tregoheshin sfidat, sukseset, vështirësitë e fitoret e individëve të këtij komuniteti.
Fjalimin hapës të kësaj ekspozite e mbajti gazetari Arbër Selmani, ku ndër të tjera shprehu mirënjohje për prezencën e të pranishmëve në hapje të kësaj ekspozite.
“Sot në këtë ditë shumë të veçantë në Ditën Ndërkombëtarë kundër, Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë e kemi hapur këtë ekspozitë. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe keni gjetur kohë. Kjo nënkupton shumë edhe për neve si CEL por edhe për Majlindën” ka thënë Selmani, për ti lënë radhën fotografes Majlinda Hoxha.
Fotografja Hoxha ka thënë se për të ka qenë shumë përvojë me rëndësi procesi i realizimit të kësaj ekspozite, nga ku është njohur nga afër me këto karktere si dhe me përvojën e tyre personale si persona të komunitetit LGBTI.
“Ka qenë shumë me rëndësi për mua për shkak të personazheve dhe karaktereve që i kam takuar për të hyrë në jetën e tyre, e për të kapur momente të rëndësishme të jetës së tyre. Në atë kohë ka qenë një perspektivë tjetër, kurse sot e shoh më me shumë rëndësi për shkak se para 5 vitesh nuk kam qenë nënë, ndërsa tani jam. Kjo ekspozitë ka ardhur për fëmijët e së ardhmes për të qenë të lirë, me qenë kush janë” ka thënë fotografja Hoxha e emocionuar.
Ndërsa pjestari i CEL Kosova, Blert Morina ka thënë se ideja e kësaj ekspozite ka ardhur si nevojë që të shihet qartë jeta në baza ditore e personave të këtij komuniteti, jeta e të cilëve nuk dallon asgjë nga ajo e çdo individi të kësaj shoqërie.
“Kjo ekspozitë ka qenë e shfaqur edhe para dy vitesh gjatë javës së krenarisë. Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Homofobisë dhe Transfobisë. nga ajo që kemi vërejtur gjatë diskutimit sidomos këto dy vitet e fundit për gjuhën e urrejtjes mjaft të përhapur si nga institucionet ashtu edhe nga shoqëria, e kemi pa të arsyeshme edhe një herë për ta rikthyer në skenë dhe me pa edhe një herë persona të tjerë nga afër portretizimin e personave LGBTI, në kuptimin që përmes kësaj ekspozite shihet qartë jeta në baza ditore e personave të ndryshëm që i përkasin komunitetit LGBTI. Kjo ka qenë ideja jonë që edhe një herë ta ftojmë publikun nga afër për të parë se si e zhvillojnë jetën personat LGBTI në baza ditore në kuptimin që nuk dallon asgjë nga përditshmëria e çdo individi që është pjesë e kësaj shoqërie”, ka thënë Blert Morina nga CEL Kosova duke shpjeguar më tej idenë e realizimit të kësaj ekspozite.
“ Është një eksperiencë e paharruar. Unë e kuptoj që shpesh herë thuhet se ku janë ata persona, ku gjenden personat LGBTI, ku gjenden ata persona dhe përse nuk po i shohim në domenin publik. Ideja jonë është që përmes ekspozitave derisa të kemi hapësira të sigurta që personat LGBTI me u ndi rehat për të dal të paktën, me i përafëru përmes fotografive dhe me u familjarizu me persnat LGBTI”, ka thënë Morina.
Ai më tutje e dha edhe mesazhin e tij në Ditën Ndërkombëtare të Homofobisë për të qenë më pak diskriminues dhe paragjykues për secilin pjestar të shoqërisë.
“Sot është Dita Ndërkombëtare kundër homofobisë dhe Transfobisë dhe këtë vit motoja është “Barazi për të gjithë” prandaj mendoj që çdo njëri në këtë shoqëri mendoj që mund të luaj një rol duke i përfshirë të gjithë, duke mos qenë diskriminues dhe paragjykues por thjesht duke i lënë të tjerët të jetojnë ashtu siç duan vetë”.
Ndërsa vizitori i ekspozitës “Quien” Ismail Cakolli- Semi ndau përshtypjet e tij për fotografitë dhe rrëfimet e personave të komuintetit LGBTI të përfshira në këtë ekspozitë.
“Është gjithmonë kënaqësi me qenë pjesë në ekspozitat që Majlinda i ekspozon. Pa dyshim është njëra prej fotografeve më të mira që kemi. Këto histori- karaktere po më pëlqejnë shumë që i ka përzgjedhur që t’i shfaqë sot në ekspozitë ku tregon atë luftën e vet, gjendjen e vet shpirtërore emocinale por në anën tjetër tregojnë sfidat me të cilat ballafaqohemi ne si pjesëtar të komunitetit dhe si artistë pjesëtarë të kësaj shoqërie. Të gjitha fotografitë janë të veçanta dhe është e rëndësishme që ne si komunitet por edhe si shoqëri për të pasur ekspozita të këtij lloji më shpesh, ku ekspozohen pjestarë të komunitetit të sferave të ndryshme”, është shprehur Semi.
Vizitori Cakolli e përfundoi fjalimin e tij me një mesazh për shoqërinë në përgjithësi.
“Jeto dhe lejoi të tjerët të jetojnë! Të respektojmë hapësirën private të tjetrit, dëshirat e tjetrit derisa nuk ndërhyjnë në anën personale të askujt. Thjesht ka ardhur një kohë që duhet ta lejojmë me jetu tjetrin duke mos ndërhyrë në jetën e tij, nuk jemi ne askush për me ja ndalu tjetrit ose me i tregu se si duhet jetuar” është shprehur Cakolli./ KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Kosovës në mbrëmjen e së mërkurës ishte e mbushur në të gjitha anët. Hapja e ekspozitës ”Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” mbushi me figura të njohura oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, e më vonë edhe 2 katet në hapësirat e brendshme. Ekspozita me pikturat e Gjokajt, përjetime të cilat ai i jetësoi në letër, përcjellin gjithçka që atij i ka mbetur në kujtesë, përgjatë më shumë se 50 viteve të karrierës së tij.
Fuqinë e artit, siç e quajtën “Pablo Picasso i Ballkanit”,e ka përdorur për të thelluar ndjenjat e tij dhe për të bërë secilin prej nesh që del para pikturave, të fokusohemi si në një libër, pasi do shumë përqendrim për t’u kuptuar.
Ekspozita që u hap mbrëmë e do qëndrojë e hapur deri më 7 korrik, është dëshmi që artistët kanë fuqinë të jetojnë përgjithmonë, përmes veprave të tyre, e sidomos kur flasim për Gjelosh Gjokaj.
Ambasadori i ShBA-ve Jeffrey Hovenier, ambasadori i Shqipërisë Petrit Malaj, ambasadori i Malit të Zi Bernard Çobaj, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, janë vetëm disa nga figurat e njohura që ishin prezent në këtë natë, duke përfshirë edhe shumë artistë, politikanë e qytetarë që kishin ardhur për të parë veprat e Gjokajt.
Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2016. Ai është një ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, Gjokaj e ka zhvilluar karrierën edhe në Gjermani dhe Itali. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Kosovë si pedagog dhe themelues I shkollës së grafikës dhe si piktor.
Ekspozita “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj”, u hap në nder të 90 vjetorit të lindjes së tij, me 25 veprat nga koleksioni privat i Sead Gjokaj, i cili është edhe familjar i artistit. Secila vepër mbante të shënuar vitin në të cilin është realizuar, duke filluar që nga viti 1961 e deri në vitin 2012.
Në fazat e hershme, ai krijonte piktura dhe grafika me tema dhe tipare narrative si piktura me figura pa identitet që ngjajnë në lodra fëmijësh, por që artisti i paraqet si të “mobilizuar” në falanga totalitare.
Kuratori Shkëlzen Maliqi ka shkruar se imazhet e artit të Gjokajt u referohen kujtesave adoleshente të tija nga Lufta e Dytë Botërore. Në vitet e 80ta, Gjokaj largohet nga imazhi përfaqësues për tu afruar asaj që Merleau Ponty e quante “botë e heshtur pikturale”. Në veprat e viteve të 80ta, ai i shmanget tërësisht qasjes së ”pikturimit” të ideve dhe të porosive, ndaj të cilës kishte qenë besnik për më shumë se tri dekada.
Disa prej pikturave ishin pa titull, por që nuk mungonte informacioni se kur ishin krijuar ato vepra.
“Djali me qengj” në vitin 1983, “Klithja e Van Gokut” në vitin 1989, “Toleranca” në vitin 1989, “Kompozim” në vitin 1992, “Koka” dhe “Adami” ishin disa prej pikturave që kishin të vendosura edhe datën edhe titullin.
Hapja e ekspozitës që ishte e planifikuar të bëhej në orën 19:00, filloi me një fjalim hyrës nga zëvendës drejtoresha e Galerisë, Alisa Gojani-Berisha duke falënderuar të gjithë të pranishimit që ishin politikanë, ambasadorë, artistë, profesorë e akademikë.
Fjalimin e parë nga të ftuarit e mbajti kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili fillimisht u shpreh se beson se është ftuar më shumë si studiues modest i artit dhe jo patjetër si kryetar i Kuvendit dhe se rendi do të ishte të flasin fillimisht artistët dhe profesionistët por agjendat po ndërtohen ndryshe.
Ai ka folur për figurën e Gjelosh Gjokajt, duke treguar se për herë të parë pikturën e tij e ka parë në moshën 19-vjeçare, që ishte piktura “Rrëmbimi i Evropës” e vitit 1980.
“Kam qenë shumë i ri kur e kam parë pikturën e parë të Gjelosh Gjokajt, i kisha diku 19 vjet, ishte piktura ‘Rrëmbimi i Evropës’ e vitit 1980, në akuatintë. Edhe për mua ishte tronditje e madhe duke qenë se kisha hyrë të studioja pak artin botëror dhe i njihja gjigandët e pikturës botërore. Në fillim kjo pikturë m’u duk sikur të ishte e Marc Chagallit, edhe kur e kuptova që është e Gjeloshit thash më vete edhe ne e paskemi Chagallin tonë”, ka thënë Konjufca.
Pas tij, fjalën e ka marrë zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili tha se edhe pse me artistin e madh vijnë nga i njëjti vend, me të për herë të parë janë takuar në Prishtinë, në vitin 2000 si student në Prishtinë.
“Me veprën e Gjeloshit të gjithë krenohemi, por një simbolikë tjetër e cila kur më ftoi ambasadori që të jem sot në Prishtinë në saje të festimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi dhe ditëlindjes së Gjeloshit, pranova me kënaqësi që t’i gërshetojmë ato, sepse pikërisht në këtë mënyrë mendoj se gërshetojmë shumë vlera që kemi të përbashkëta të dyja shtetet, dhe të përçojmë bashkëpunimin e mirë që ka Mali i Zi me Kosovën dhe që do të vazhdojë ta ketë”, u shpreh ai.
Ndërkaq, kuratori Shkëlzen Maliqi u shpreh se ka një borxh ndaj artistit Gjokaj, pasi ai vinte shpesh në Prishtinë dhe i kishte kërkuar t’ia bënte monografinë e parë por që nuk ka arritur. Ai u shpreh se i kishte mbetur merak dhe më vonë familjari i artistit dhe koleksionisti Sead Gjokaj e kishte kontaktuar për të folur për këto vepra.
Kurse në fund, ambasadori i Malit të Zi, Bernard Çobaj, foli në gjuhen angleze për hir të ambasadorëve të shteteve të huaja që ishin prezent, duke u shprehur se Gjelosh Gjokaj është figura kryesore kulturore që e lidh Malin e Zi me Kosovën.
“Gjelosh Gjokaj i njohur si maestro është figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën, është quajtur dhe Picasso i Ballkanit, dhe ekspozita do ta tregojë së përse”, ka thënë Bernard Çobaj, ambasador i Malit të Zi në Kosovë.
“Me këtë ne po shënojmë ditëlindjen e artistit dhe përvjetorin e pavarësisë së Malit të Zi. Në Mal të Zi ne kemi shprehjen ‘I përjetshëm qoftë Mali i Zi’, unë do të shtoja e përjetshme qoftë miqësia e Malit të Zi me Kosovën”, ka thënë ai.
Kurse, profesoresha e pikturës, Zake Prelvukaj, pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, tha për KultPlus se Gjelosh Gjokaj e ka pasur një ekspozitë këtu edhe më herët në vitet e 2000-ta, por ajo që është më e mira është se këtë herë është hap ekspozita për nder të 90 vjetorit të tij të lindjes.
“Jemi përpjekë ta bëjmë një ekspozitë të mirë, ma e mira ishte që për 90 vjetorin e tij. Ne e kemi bërë një bashkim me Ambasadorin e Malit të zi, me koleksionistin Suad Gjokaj që është koleksionisti më i madh i veprave të Gjelosh Gjokaj dhe na i ka sjellë të gjitha veprat. Sonte po shihet që Gjeloshi po komunikon me ne përmes veprave, edhe pse nuk është sonte me ne, dhe ai e ka bërë një mënyrë arti që do të lexohet gjithmonë ndryshe, që është një formulë matematike e artit”, u shpreh ajo për KultPlus.
Ekspozita do të rri e hapur deri më 7 korrik të këtij viti./KultPlus.com
Mbrëmë në Galerinë “Luckan” në Helsinki në Finlandë, u hap ekspozita personale e piktorit Haki Xhakli me titullin “Jehona e qëndrueshmërisë”.
Ekspozita përmban 26 piktura me vlera unike, që paraqesin cikle të ndryshme të periudhave para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Fjalën e rastit në hapje, përveç autorit Xhakli, e mori edhe kuratori Larrie Griffis, producent dhe përgjegjës për kulturë në qendrën kulturore “Luckan”, i cili foli për rëndësinë e ekspozitës dhe bashkëpunimin me artistët ndërkombëtarë, siç është rasti i Kosovës, si dhe për krijimin e urave të bashkëpunimit mes vendeve.
“Krijimtaria ime shpreh ndërveprimin e thellë me kulturën dhe historinë tonë, duke paraqitur bukurinë dhe vendosmërinë e popullit tim për të përballuar sfidat dhe vuajtjet. Me simbole të thella dhe ngjarje të lashta, pikturat e ekspozuara këtu në Helsinki përshkruajnë trashëgiminë tonë dhe shpirtin tonë të palëkundshëm, por edhe të ardhmen e ndritur”, ka thënë Xhakli
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë në qendrën kulturore Luckan Helsinki, deri me 30 maj.
Sonte, më 29 prill, në Qendrën Barabar, hapet ekspozita “UKRAINA: NJË KRIM LUFTE” me punën e 93 reporterëve nga e gjithë bota.
Ekspozita rrjedh nga libri me të njëjtin titull botuar nga FotoEvidence, i cili përfshin mbi 360 fotografi dhe rrëfime të dëshmitarëve që hedhin dritë mbi pushtimin rus. Këta fotoreporterë të guximshëm rrezikojnë jetën e tyre për të kapur të vërtetat e tmerrshme të luftës, duke na ofruar një vështrim të rrallë në koston njerëzore të konfliktit.
Si pjesë e hapjes, merrni pjesë në panel diskutimin me kuratoren Svetlana Bachevanova dhe fotografin e njohur Brendan Hoffman, më 30 prill, nga ora 18:00 në Kino Armata.
Pas diskutimit, zhytuni në narrativën mbërthyese të “20 ditë në Mariupol”, film dokumentar fitues i çmimit Oskar, i cili vë në pah betejat e gazetarëve ukrainas në mes të rrethimit.
Kjo ekspozitë, e prezantuar nga FotoEvidence dhe e mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Ballkanit Perëndimor, nuk është vetëm një pasqyrim i ngjarjeve të kaluara, por edhe një fener shprese për dialog, ndjeshmëri dhe mbështetje për ndjekjen e drejtësisë dhe shërimit të Ukrainës. Bashkohuni me ne në solidaritet./KultPlus.com
“Berati Bardhë e Zi” është ekspozita më e fundit e hapur në hollin e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani” në qytetin e Beratit, mbrëmjen e së enjtes. Qyteti i njëmijë e një dritareve vjen i konceptuar në 45 piktura nga fëmijët e shkollave 9-vjeçare të Beratit, përmes gjinive të ndryshme artistike .
Veprat e punuara nga nxënësit pasqyrojnë Beratin, që nga lagjet muzeale e deri tek monumentet e kulturës e rrugicat me kalldrëm të qytetit muze.
“Kjo ekspozitë u hap në një datë të rëndësishme për qytetin tonë, ku fëmijët plemes pikturave të tyre përcollën mesazhe të ndryshme nën tematikën “Berati qyteti im”, tha Jani Kumati, mësues pikture.
“Puna që kam bërë më ka marrë diku te tre orë dhe kam sjell copëza të rrugicave historike të qytetit tim Beratit.”
Interesi për artet vizive veçanërisht tek fëmijët mbetet gjithnjë i lartë. Këtë e vë në dukje edhe mësuesi i pikturës në këtë qytet Jani Kumati, i cili shprehet se kjo vjen si pasojë e dëshirës së të rinjve për të pasur vlera artistike brenda vetes dhe për t’u formësuar artistikisht.
“Ndër vite fëmijët kanë krijuar një bashkërendim midis mësuesit të artit dhe pjesës tjetër dhe kjo vjen sepse ata dëshirojnë të kenë vlera artistike brenda vetes të formësohen nga ana artistike. Pjesa në qytetin tonë sa vjen edhe shtohet në qytetin tonë, dashuria për artin” , shprehet mësuesi.
Ekspozita “Berati Bardhë e Zi” erdhi pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve dhe vijoi me aktivitete të tjera, panaire të ndryshme artizanale dhe mbrëmje muzikore nga grupi popullor i qytetit./vizion/KultPlus.com
Disa ish-të burgosur politikë u rikthyen në ish-burgun e Spaçit për të ndarë historitë e tyre me brezat e rinj.
Takimi u organizua me rastin e ekspozitës “E kaluara e tashme” e mbështetur nga programi EU4CULTURE.
Nëpërmjet skulpturave dhe regjistrimeve të 49 ish-të burgosurve politikë, kjo ekspozitë kujton vuajtjet, por edhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar dhe në këtë mënyrë nxit një diskutim të mirëfilltë për të kaluarën e Shqipërisë.
Ambasadori i BE-së, në vendin tonë, Silvio Gonzato e cilësoi prekës takimin me të mbijetuarit e burgut të Spaçit.
“Takimi me të mbijetuarit e burgut të Spaçit, një prej burgjeve më brutale të regjimit komunist në Shqipëri, ishte vërtet prekës. Të dëgjuarit e historive të tyre më kujtoi se ka mbetur shumë për të bërë në ballafaqimin me të kaluarën. Më vjen mirë që kaq shumë të rinj erdhën në Spaç për të takuar të mbijetuarit. Ata duhet të kuptojnë se nga vijnë dhe çfarë ka kaluar Shqipëria. Njeriu duhet të shërojë plagët e së kaluarës duke adresuar të drejtat e viktimave. Jam krenar që e mbështetëm këtë event, por kjo nuk mjafton. Ish-burgu i Spaçit po përkeqësohet me shpejtësi, ndërkohë që duhet ruajtur në mënyrë që ne të kujtojmë atë që ndodhi këtu dhe të themi: kurrë më”, u shpreh ambasadori i Gonzato./atsh/ KultPlus.com
Së shpejti Galeria e Artit Tiranë (GAT) do të çelë ekspozitën vetjake të piktorit Buron Kaceli, titulluar “Dhoma e pasme”. Në faqen e saj online, GAT shkruan se ekspozita vjen në vazhdë të konceptit kuratorial “Si ishim, si jemi, si ndihemi-Vetëm, Bashkë”.
Veprat që piktori ka përzgjedhur për këtë ekspozitë vijnë si një hulumtim i fenomeneve të vetë qytetit, njerëzve, lagjeve, komunave, bashkëjetesës në realitetin e ri në përgjithësi, që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i tij, bashkërenduar kjo me rivizitimin e trashëgimisë kulturore dhe interpretimeve bashkëkohore.
Galeria e Arteve Tirane synon një program të qëndrueshëm duke krijuar ekspozitat dhe eventet e saj në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës.
“Dhoma e pasme” e Buron Kacelit vjen pas disa ekspozitave interesante që patën jehonë në jetën kulturore në Tiranë si, ekspozita e Kukullave Japoneze,“Ningyo & Na ishte Njëherë’, “Introspeksion” i artistit Toni Milaqi dhe së fundmi ekspozita fotografike “Lana-Tirana,Para-Pas Albania” e fotografit Roland Tasho./atsh/KultPlus.com
Në ish-burgun e Spaçit, në Mirditë, do të ngrihet ekspozita “E Kaluara e Tashme”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale posterin e kësaj ekspozite, që do ngrihet për të qëndruar përgjithmonë në Spaç të Mirditës.
Gonxhja tha se, 49 portretet e ish të burgosurve politik që janë ende në jetë, bashkë me rrëfimet e tyre do të jenë të hapura për publikun që prej datës 13 prill 2024 e në vazhdim.
“Kushdo mund të shoh trupëzimi i 49 portreteve në një skulpturë të vetme e cila kthehet në një monument të kujtesës kolektive, pikëtakim dhe pikënisje e procesit zhvillimor shoqëror. Kjo ekspozitë është një akt artistik-kulturor i cili finalizohet me praninë e publikut, rinisë, institucioneve, dhe të gjithëve si aktorë aktiv të ndërtimit të një shoqërie”, u shpreh ministri.
Historitë dhe vuajtjet në ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, vijnë përmes kësaj ekspozite, me krijimin e skulpturave nga Kristian Zara. Teksa kurator të ekspozitës janë Arnen Sula dhe Kristian Zara.
Projekti është konceptua dhe realizua nga Tek Bunkeri, financuar nga Bashkimi Evropian pjesë e programit EU4CULTURE, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (2023-2024).
Qëllimi i ekspozitës është të treguarit e kësaj pjese të historisë shqiptare me anë të krijimit të një skulpturë monumentale e cila do të qëndrojë përgjithmonë në Spaç./atsh/KultPlus.com
Në Vjenë, në Bildungsakademie Gaweinstal, u hap ekspozita “Midis Fates dhe Fates“.
Në këtë event që mblodhi personazhe të shquara të artit dhe kulturës dhe jo vetëm, Fate Velaj paraqiti punimet e tij pikturë, fotografi dhe literaturë.
Mbi veprën e autorit, botën e tij midis artit, kulturës, politikës dhe diplomacisë, folën Franz Knittelfelder drejtor i Akademisë, Johannes Berthold, kryetar i Bashkisë, Andreas Minnich, deputet në Parlamentin e Austrisë si dhe ambasadore e Shqipërisë pranë OSCE-UNO, Eglantina Gjermeni./balkanweb/KultPlus.com
Palazzo Reale e Milanos po feston 150 vjetorin e lindjes së impresionizmit me një ekspozitë të veprave të kumbarëve të lëvizjes, artistëve francezë Paul Cezanne dhe Pierre-Auguste Renoir.
Janë ekspozuar në Milano 52 piktura të tyre, që datojnë nga vitet 1870 deri në fillim të shekullit të 20-të.
“Këtë vit është 150 vjetori i ekspozitës historike pariziane, e cila i dha emrin lëvizjes impresioniste dhe e cila u mbajt në prill 1874,” shpjegoi historiani i artit Stefano Zuffi. “Ajo ekspozitë përfshinte vepra të Cezanne dhe Renoir dhe këta dy protagonistë janë identifikuar për një rrugë që i krahason ato paralelisht dhe në lidhje.”
Ekspozita tregon ngjashmëritë novatore të artistëve, si dhe dallimet e tyre.
Cezanne dhe Renoir ishin miq dhe shpesh punonin së bashku, por për kuratoren Cecile Girardeau, secili artist ka një stil të dallueshëm dhe të dallueshëm.
“Nga njëra anë, ne kemi Cezanne që kërkon struktura thelbësore gjeometrike, modele në një natyrë të qetë,” tha ajo. “Për shembull, ai përfaqëson mollët si sfera. Ai jep idenë e një tavoline duke vizatuar një drejtkëndësh që nuk do të jetë domosdoshmërisht i drejtë.”
“Nga ana tjetër, Renoir, i cili është gjithashtu shumë i vëmendshëm ndaj vizatimit, por që i kushton shumë rëndësi renderimit të teksturave dhe në veçanti ai kërkon gjithmonë të japë ndjesinë e lëkurës, të rivendosë perlën e nënës në teksturë”, shpjegoi ajo.
Përveç pikturave, ekspozita përmban edhe rekreacione të punëtorive të artistëve.
Por nuk është gjithçka për Cezanne dhe Renoir – dy piktura të artistit spanjoll Pablo Picasso, i cili u frymëzua nga impresionistët – janë gjithashtu të ekspozuara./euronews/KultPlus.com
Gjashtë skulptura të ndërthurura me një fabul të thellë filozofike, prapa së cilës qëndron termi i luftës, janë paraqitur në ekspozitën e pestë personale të skulptorit Hagji Gjoni, shkruan KultPlus.
Ekspozita me theks të veçantë i është kushtuar shtetit të Ukrainës dhe vendeve të tjera të cilat aktualisht janë në luftë. Me theks të veçantë ekspozita shpreh shpirtin e ndjeshëm të artistit i cili edhe vet e kishte përjetuar luftën e Kosovës, ku me këtë rast ka marr mbi supe trajtimin e një teme të tillë dhe dërgimin e mesazheve nëpër botë brenda natyrës së humanizmit për këtë tematikë e cila rrezikon demokracinë dhe çdo gjë tjetër që përfshihet në të.
Secili punim ne thelb ka tregimin për të rënët. “Figurat e kuajve”- paraprojektohen si tankse, sinonim i armëve të rënda, formulë e shtigjeve garuese apo deshifrim i të fortëve.
“Figura e qiriut”- shpreh kufijtë e dhimbjes dhe të përlotjes, ndërsa “thesi me grurë” përkon me proverbin “çka mbjellë korrë” si metaforë për rreziqet potenciale gjersa të fortët godasin me bomba tokën për të helmuar tokë e ujë, kurse njeriu i thjeshtë ngel me thes në shpinë si hamall.
Përderisa “Saksia” paraqet paqen, aromën, ngjyrat e dashurisë, kthesat dhe dëshirën për të kapërcyer kufijtë gjembor dhe hasmëritë e mëdha që janë bërë nyje barrikaduese e mendimit të lirë në etherin qiellor.
Kjo ekspozitë me mesazhe të thella për botën u shpall e hapur në ambientet e ngrohta të strehës së artit dhe kulturës shqiptare dhe asaj botërore, në KultPlus Caffe Gallery.
Kuratorja e ekspozitës dhe njëkohësisht edhe drejtoresha e mediumit KultPlus në hapje të ngjarjes në fjalë tha se formati minimalist me të cilin skulptori kishte shprehur pasionin e madh për artin e kishte nxjerrë në pah edhe anën profesionale të tij.
“Pikërisht, ky format minimalist e ka nxjerrë në pah anën profesionale të Haxhiut i cili ka sjell versione të ndryshme të cilat po i shohim në këtë ekspozitë. Gjoni dëshmoi se jo gjithmonë formatet e mëdha tregojnë profesiosnalizmin, se pikërisht këto skulptura të formatit të vogël, të punuara me aq delikatesë tregojnë për punën artistike të Gjonit. Unë jam shumë kureshtare të di se si ka për të funksionuar Haxhiu gjatë kohës sa këto skulptura do të jenë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, pasi përgjatë takimeve që i kemi pasur me të deri në realizimin e kësaj ekspozite kam parë nga afër sa shumë ishte i lidhur me punimet e tij”, u shpreh kuratorja Pajaziti.
Drejtoresha Pajaziti më tej u shpreh e lumtur që pikërisht KultPlus Caffe Gallery është hapësira që po prezanton këto punime kaq elegante.
“Ne jemi me fat që KultPlus Caffe Gallery po i prezanton këto skulptura kaq të veçanta, andaj ftojmë edhe ata që nuk kanë arritë të jenë sonte, të vijnë përgjatë javës dhe të shohin nga afër këto skulptura” ka përfunduar Pajaziti.
Kurse Naser Shatrolli, zyrtar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila edhe e ka përkrahur ekspozitën, tha se artisti Gjoni është unik në llojin e vet pasi është i lidhur fuqishëm shpirtërisht me skulpturën si variant i artit në përgjithësi.
“Ardiana tha me plotë të drejtë që Gjoni është i lidhur fuqishëm shpirtërisht në kuptimin e përgjithshëm me skulpturën, me gurët, me miniaturat të cilat i zgjedh në të gjitha kontitnente të botës dhe i sjell e kontekstualizon me një ide të caktuar. Kësaj radhe ekspozita i kushtohet Ukrainës ose vendeve ku zhvillohen luftëra dhe ku ajo ndjeshmëria ndaj njeriut ose botës njerëzore është element jetik për vetë universin dhe globin. Me këtë rast e kemi nisur me atë qiriun, grurin, kuajt atë supremacionin e asaj çka quhet e fuqishme e superfuqive kur të provojnë të ndeshen është një ekspozitë që është shumë simbolike por ka brenda vetvetes, brenda strukturës shumë elemente që japin porosi për botën”, ka thënë Shatrolli.
Ai më tutje tha se veprat e Gjonit janë unike pasi është pasioni i madh i tij që bën që artisti të jetë mikroskopik deri në detajizim të skulpturave, për të paraqitur një realitet të përmasave globale me fabula në miniaturë.
“Është krijues që nuk ndihet mirë kur sheh luftëra, sepse edhe vet e ka përjetuar luftën në Kosovë, ndërsa sot po e shohim në Ukrainë dhe vende të tjera me krizë lufte. Është misioni i artistit që këto mesazhe t’i dërgoj kudo dhe unë vërtetë e përgëzoj z. Gjonin, i cili është i përkushtuar jashtë mase në këtë fushë dhe këtu e shihni një dashuri të skajshme nën punën e tij. Është mikroskopik në trajtimin e këtyre veprave këto janë vepra me të vërtetë unike dhe kështu do të ngelen” është shprehur Shatrolli.
Shatrolli më tej e falënderoi edhe drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajazitin për mundësinë dhe hapësirën që i jep në vazhdimësi artit dhe artistëve.
Ndërsa vetë skulptori Hagji Gjoni u shpreh falënderues për pjesëmarrjen e të gjithë artdashësve, duke i ftuar që ekspozitën ta shijonin nga afër secili në mënyrën e tij.
“Unë desha të ju falënderoj për pjesëmarrjen që keni gjetur kohë të vini në hapjen e këtij eventi. Shpresoj që puimet e mija do të ju pëlqejnë dhe ju ftoj që t’i shijoni nga afër” u shpreh artisti Gjoni.
Krejt në fund pjesëmarrësit patën mundësi që ta përgëzonin artistin për punën tij aq unike dhe të shijonin secili nga afër domethënien e veprave artistike.
Ekspozita do të qëndroj e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. /KultPlus.com