Flonja Haxhaj
Mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery u bë hapja e ekspozitës ‘Distanca’ e Nagip Tashit nga Tërrnoci. 15 mozaikë të punuar në dru, nga zdrukthëtari Tashi paraqesin disa nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare por edhe ndërkombëtarëve, shkruan KultPlus.
Tashi, i cili ka punuar në këta mozaikë në 20 vitet e fundit, në ekspozitën personale ‘Distanca’ ka paraqitur figura të rëndësishme nga arti dhe politika, përfshirë Bekim Fehmiun, Gjergj Kastrioti Skënderbeun, Ibrahim Rugovën, Ukshin Hotin, Adem Demaçin, Adem Mikullovcin, Arbën Xhaferin, Hadi Shehun, Leze Qenën, Muharrem Kadriun, Llukman Halilin, Abdurrahman Shalën, Ridvan Qazimi- Vajën, Ibrahim Kodrën dhe Barac Obamën.
E një numër i madh i artdshësve dhe familljarë të personazheve të cilëve u janë realizuar portrete, kishin zënë hapësirat e KultPlus Caffe Gallery dhe prisnin padurim për hapjen e ekspozitës.
Fjalën e para e mori drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila shprehet e lumtur për hapjen e kësaj ekspozite e cila sipas saj paraqet një përzgjedhje me një shije të hollë të figurave të ndryshme, figura këto që kanë kontribuar dhe vepruar qoftë në politikë ashtu edhe në kulturë.
“Jemi shumë të kënaqur për hapjen e ekspozitës ‘Distanca’ edhe për këtë përzgjedhje të veprave. Jemi poashtu të lumtur që në këtë ngjarje kemi të pranishëm edhe familjarë të personazheve, portretetet e të cilëve do të jenë të ekspozuar për dy javë për artdashësit”
Po ashtu, Pajaziti e konsideron hapjen e kësaj ekspozite një festë që i paraprin festës së 28 Nëntorit.
“Jam shumë e lumtur që sidomos në këtë kohë të festës së 28 nëntorit, e kemi sjellë Luginën dhe një pjesë shumë të madhe të bashkëvendasëve të Nagipit, me ardhë dhe me pa këtë ekspozitë”- shtoi ajo.
E i emocionuar për hapjen e ekspozitës së tij personale, foli autori Nagip Tashi, i cili falënderoi drejtoreshën Pajaziti që ia bëri të mundshëm ekspozimin e punimeve të tij para një mase më të madhe njerëzish.
“Ekspozitën e kam titulluar ‘Distanca’ për shumë arsye, është shumëdimensionale. Së pari, mozaikët e mi nuk shihen prej larg, e dyta, me kriju një lloj kulture se punimeve nuk duhet me iu afru shumë afër, e ka një lloj distance e distanca paraqet vendin prej nga vij unë, më është dashtë me ardhë në Prishtinë me i ekspozu punimet e mia, jo pse atje nuk ka vend, por sigurisht se këtu ka vend dhe masë më të madhe.”- thotë Tashi duke vazhduar se secilin mozaik ai e ka realizuar për shkak se i ka dashur këta persona, shkruan KultPlus.
Me lot në sy, ai rrëfen para pjesëmarrësve se te secila figurë e paraqitur në këto 15 punime, ai sheh nënën e tij.
“Punimin e parë kur kam fillu me punu, atë të Bekim Fehmiut, e kam pasë si provë me punu nënën time. Pasi e kam përfundu, e kam thirrë nanën edhe e kam vendosë 20 metra larg punimit, e kam pyet kush është tha Bekim Fehmiu, kështu që kjo dëshmon se unë jam shumë i lidhur emocionalisht me këto punime se përndryshe nuk i kisha punu.”- shtoi ai.
Në këtë ngjarje, nuk mungoi as gruaja e Adem Mikullovcit, e cila ndau me emocion mbajti një fjalë rasti ku u shpreh se ndjehet e lumtur që po i sheh të gjitha këto figura që i ka njohur dhe ka punuar me ta.
“Më pëlqen që te Ademi e ke nxjerrë atë shkimin e tij, sytë, nuk është lehtë të realizohet një skulpturë, e sidomos skulpturë nga druri”- thotë Mikullovci duke e përgëzuar autorin për punën e bërë.
Ndërkaq, arkitekti Arbër Sadiku, foli pa hezitim për këto vepra të Nagip Tashit, me të cilin ai thotë se njihen që moti dhe e kishte idoll në fëmijërinë e tij duke e kujtuar si një person që gjatë gjithë kohës ka pikturuar.
“Nagipi, e përmendi disa herë që është zdrukthëtar, por pak rëndësi ka se çka je, me rëndësi është të jesh mjeshtër në punën që e bën.”- shton Sadiku.
E pranishme në këtë mbrëmje, ku ishte e ekspozuar portreti i nënës së saj ishte edhe vajza e Leze Qenës, Argjenda Qena-Hajdini, e cila shprehet e lumtur që në një formë apo tjetër, ajo nuk po harrohet.
“Më erdhi shumë mirë që në një mënyrë apo tjetër mama nuk po harrohet, e për këtë jam shumë e lumtur. Njerëzit që e kanë pasë një peshë duhet me u kujtu e mos me u harru se sigurisht që na familjarët nuk i harrojmë asnjëherë.”- shprehet ajo për KultPlus.
Mozaikët do të jenë të ekspozuar për dy javë në KultPlus Caffe Gallery. Të gjitha punimet janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë me autorin./KultPlus.com