Të mërkurën në Galerinë Qahili hapet ekspozita kolektive “ATO”, e përcjellur me diskutim

Galeria Qahili dhe Shigi Studio, organizojnë diskutim dhe ekspozitë për Ditën Ndërkombëtare e Gruas.

Diskutimi me temën, “Ato: Perspektivat e tyre – roli i gruas në shoqëri dhe sfidat e përditshmërisë”, do të mbahet nga Katharina Eghert, konsulente gjermane me specializim në studime gjinore, Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive në organizatën QIKA dhe Dodona Gashi, nga Ananda Yoga Studio, (Yoga me Dodonën).

Ekspozita, e titulluar “Ato”, është një ekspozitë kolektive e artistëve Lumturije Krasniqi, Arton Behrami, Avni Demiri, Laureta Hajrullahu, Luiza Thaqi, Renea Begolli, Yll Xhaferi, Yllka Fetahaj.

Artistët pjesëmarrës do të marrin pjesë me punimet e tyre të cilat në çfarëdo forme janë të ndikuara nga Gruaja.

Pas diskutimit, do të hapet ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri me 16 mars 2023.

Kjo galeri i kushton vëmendje procesit të krijimit si dhe zhvillimit të mëtejmë të kapitalit kulturor e shoqëror brenda grupeve të ndryshme shoqërore.

Shigi Studio, është një agjenci kreative, me ekspertizë në komunikim, dizajn. Marketing dhe hulumtim.

Eventi do të mbahet në Galeria Qahili, të mërkurën me 8 mars 2023, duke filluar nga ora 18:30. / KultPlus.com