Galeria FAB është gati për t’i hapur dyert artdashësve të cilët do të ndjekin ekspozitën e artistes së re Artemisa Çullhaj. Ekpozita është kuruar nga Najada Hamza dhe do të qëndrojë e hapur nga 15 shkurti deri më 27 shkurt, pranë Fakultetit të Arteve të Bukura.
Artemisa dhe “Gjilpëra” siç titullohet ekspozita, i kanë fillesat në atelierin e tekstilit. FAB shkruan në faqen e saj online se, premisa estetike dhe intelektuale e artistes, puna ndër vite bërë me pasion dhe vullnet të epërm, ndërtoi një profil artistik me fjalor dhe identitet personal krijues, bazuar në një shtresëzim historik e kulturor, të vjetër e të thellë sa jeta. Sipas galerisë, veprat tek “Gjilpëra” shfaqin lëndën në një format tejet elegant, ku dashuria dhe koha bëhën një, e zgjasin sa një përjetësi.
Dalja përtej formatit dhe mediumit të veprave të përzgjedhura, duke mbivendosur në telajo të buta prerë në format e trupit njerëzor pikturat e mjeshtrave të mëdhenj, është një akt bashkëkohor i cili shton një element të ri të ndërveprimit fizik me veprën e artit. Vepra që lënë dyert e muzeumeve për t’u veshur e marrë identitete të reja në lëvizje, imazhe të njohura që përtej pasarelave janë copëza arti që përcjellin mesazhin e vlerës së qëndrueshme./atsh/KultPlus.com
Në Fier është çelur ekspozita me piktura dhe skulptura e grupimit artistik “Muri” e cila do të qëndrojë e hapur për 10 ditë.
Grupimi artistik “Muri”, përbërë nga 13 artistë të arteve pamore çeli ekspozitën e pestë në Galerinë e Artit “Vilson Kilica” të qytetit të Fierit. Artistët sollën punimet e tyre në pikturë, skulpturë, karikaturë apo teknikë mikse.
Në të marrin pjesë Adrian Devolli, Mustafa Arapi, Violeta Kongo, Mira Kuçuku, Llambrini Dëna, Fatmir Tufina, Agron Polovina, Arben Meksi, Fatmir Minga, Leon Çika, Luan Boriçi, Idriz Balani dhe Marjana Goxhabelliu.
“Është një urë bashkëpunimi dhe prezantimi të punimeve më të fundit të këtij grupimi. Ai përbëhet nga disa nga personalitetet më të rëndësishëm të artit shqiptar si. Pikturë, skulpturë, karikaturë apo teknikë mikse ajo përveç vlerave të padiskutueshmë estetike është një mundësi për të kuptuar zhvillimet më të fundit të artit vendas. Si e tillë ajo është një mundësi për gjithë publikun artëdashës të qytetit tonë për tu lidhur e komunikuar me kolegët e tyre”, tha Arben Meksi.
Ky është edicioni i 5-të i “Muri”-t dhe ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 20 shkurt në qytetin e Fierit./Shqiptarja.com/KultPlus.com
Mbrëmë me një ceremoni solemne u hap Ekspozita Ndërkombëtare “Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8”, me kurator Muhamet Ahmeti-Metis, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku mbi 40 artistë nga 15 shtete të botës, prezantuan krijime të tyre artistike.
Me një fjalë rasti kuratori Muhamet Ahmeti-Metis, i falënderoi artistët nga vendet e largëta që konkurruan me veprat e tyre në këtë edicion. Po ashtu ai foli për rëndësinë e saj dhe bashkëpunimin me artistët ndërkombëtarë dhe vendorë të cilët po krijojnë njohje dhe ura bashkëpunimi.
Ndërsa, zyrtari për kulturë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Naser Shatrolli, ceku se “Në filozofinë e kësaj ekspozite piktorët vendës dhe ata ndërkombëtarë kanë paraqitur përkatësinë e tyre krijuese, që përkon me mendësi të caktuara të shoqërive prej nga vijnë ata”.
Po ashtu gjatë kësaj ceremonie juria profesionale me kryetar Safet Spahiu nga Maqedonia e Veriut, Saimir Strati nga Shqipëria dhe Adriana Sedaj nga Kosova, ndanë edhe çmimet për veprat e këtyre artistëve:
Majlinda Kelmendit i u nda çmimi i parë “Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8”, Çmimi Special iu nda Adem Rusionvcit dhe Fehmi Hoxhës nga Kosova, Orhan Cebrailoglun nga Turqia dhe Nehat Beqirin nga Maqedonia e Veriut.
Ekspozita Ndërkombëtare “Gara e Artit Global – KOSOVA ART, është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 20 janar 2024./KultPlus.com
Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë prezanton këtë të mërkurë, ekspozitën e parë personale të Enxhi Mehmetit “Dream Baby Dream”, e cila format njerëzore në raste të caktuara i shkrin edhe në identitete të reja fantastike.
‘Dream Baby Dream’ është pjesë e programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2023 dhe modulit final të çmimit ‘Artists of Tomorrow’ i projektuar për të ofruar një ekspozitë solo për fituesit e Çmimit.
Enxhi Mehmeti është fituesja e çmimit Artists of Tomorrow 2021, e përzgjedhur nga juria e përbërë nga Anne Barlow, Qëndresë Deda, Minna Henriksson, Adam Kleinman dhe Nebojša Milikić, të cilët gjetën në veprën e Enxhis një prani të fuqishme në shprehjet e tyre njerëzore dhe jo.
Në veprën e saj, Enxhi Mehmeti ngjall ngjarjet fantastike rreth saj, të cilat ajo i pëlqen t’i bëjë të dukshme për të tjerët përmes teknikave të ndryshme artistike, duke kërkuar me fjalët e saj “durim dhe dashuri”.
Veprat e saj zotërojnë njëfarë intimitet dhe brishtësi që përcjellin një prani të fuqishme në shprehjet e tyre të formave njerëzore dhe jo njerëzore, të cilat në raste të caktuara shkrihen në identitete të reja, fantastike që veprojnë si tregimtarë.
Enxhi Mehmet e lindur në vitin 1999 në Kassel të Gjermanisë është studente në Hochschule für Gestaltung Offenbach am Main. Punimet e saj janë prezantuar në ekspozita të ndryshme, duke përfshirë shfaqjet në grup si “PRESENCE” në Cuchifritos Gallery + Project Space në Nju Jork dhe “The Patriot” në O’Flaherty’ në Nju Jork.
‘Dream Baby Dream’ me Enxhi Mehmetin mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prishtinës./RTK/KultPlus.com
Në Galerinë FAB është çelur ekspozita “Udhët V”, ku marrin pjesë 22 pedagogë të Fakultetit të Arteve të Bukura me punimet e tyre.
Ky është edicioni i 5-të i kësaj ekspozite, të kthyer tashmë në një traditë të çdo fundviti. Ekspozita e çelur në 11 dhjetor do të qëndrojë e hapur për publikun artdashës deri më 20 dhjetor.
Kjo ekspozitë u drejtohet veçanërisht studentëve të artit, të cilët duhet t’i njohin pedagogët, jo vetëm si staf pedagogjik por edhe në cilësinë e krijuesit.
Një pjesë e punëve të ekspozuara janë të reja, të sapokrijuara. Ekspozita është konceptuar e ndarë në 2 pjesë: njëra në muajin dhjetor dhe tjetra në janar 2024. Pjesëmarrës në të janë Artan Buca, Artan Peqini, Ardian Kapo, Ardian Pepa, Anisa Paturi, Blerina Pagaria, Dea Tili, Dritan Nasi, Ergys Kristiko, Ermal Baboçi, Florian Haxhiyseni, Genc Përmeti, Gentjan Tabaku, Genti Spirollari, Mariglen Buzali, Orestia Kapidani, Orlis Vathi, Parid Dule, Rosita Habazaj, Valbona Karaboja, Viktor Ferraj, Xhovana Preçetaj./atsh/KultPlus.com
Me rastin e 79-vjetorit të çlirimit të Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës dhe me Muzeun Historik Kombëtar (MHK), paraqiti ekspozitën “Tirana në llogore”.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në mjediset e MHK-së, qenë të pranishëm nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Ardi Seferi, drejtuesi i Trajnimeve dhe i Inspektimeve në DPA, dr. Endrit Musaj, përfaqësues të pushtetit vendor lokal, studiues, mësues, qytetarë dhe nxënës të shkollave publike të kryeqytetit.
Publiku pati mundësinë të shihte nga afër dokumente dhe fotografi të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), mbi Tiranën nën thundrën e pushtuesve nazi-fashistë, mbi qëndresën për liri, mbi rolin e britanikëve në Shqipëri dhe mbi pasojat e pushtimit.
Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim ishin foto të Durrësit në nisje të pushtimit fashist, më 7 prill 1939; informacion mbi ditët e para të pushtimit, si edhe mbi dërgimin e kurorës shqiptare drejt mbretit Viktor Emanuel III; foto nga ceremonia e dorëzimit të flamurit shqiptar pranë trupave italiane; letër që dëshmon dëmtimin e Muzeut Arkeologjik nga pala italiane gjatë pushtimit (Leon Rey drejtuar Presidentit të Akademisë së Arteve të Bukura në Paris); kujtimet e Mehdi Frashërit për periudhën para dhe pas pushtimit italian; informacion nga Legata Italiane mbi kërkesën e palëve britanike dhe franceze që Shqipëria të bëhej pjesë e një pakti ballkanik; informacion për vizitën e konsullit gjerman pranë misionit ushtarak gjerman në Tiranë (1940) dhe formimi i qeverisë Mitrovica (bisedime parlamentare 04.11.43) etj.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të organizimeve të parashikuara për kremtimin e përvjetorit të çlirimit të Tiranës. Ekspozita e përgatitur nga DPA-ja do të qëndrojë e hapur për të interesuarit deri në javën e ardhshme./atsh/KultPlus.com
Në kuadër të 110-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të pandërprera midis Rumanisë dhe Shqipërisë, Qendra Rumune e Informimit në Korçë, në bashkëpunim me Muzeun e Historisë Brashov, Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri dhe Konsullatën Honorifike të Historisë në Korçë çeli ekspozitën “Histori të vitit ‘89, novela grafike”.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, ishte i pranishëm ambasadori rumun Octavian Serban, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, artdashës e personalitete të tjera.
Novela grafike është konsideruar si një art i ri përmes të cilit është sjellë një moment i rëndësishëm historik, sic është rënia e regjimit komunist në Rumani. Sipas kuratorit, kjo ekpozitë përmban punime të cilat e rrëfejnë ngjarjen nga sytë e artistëve dhe jo sipas versionit zyrtar. Megjithëse ngjarjet kanë ndodhur në vitin 1989, ka ende arkiva të mbyllura sa i përket kësaj kthese historike.Që pas shpalljes së Shtetit Shqiptar, marrëdhëniet me Rumaninë nuk janë ndërprerë kurrë. Edhe gjatë viteve të pushtimit italian, në Korçë ekzitonte një konsullatë mbretërore e Rumanisë./ atsh / KultPlus.com
Vedat Kokona në 110 vjetorin e lindjes, është ekspozita që u cel në nderim të shkrimtarit, përkthyesit dhe leksikologut shqiptar, në Bibliotekën Kombëtare.
I njohur edhe për fjalorët e tij dygjuhësh anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip dhe për kontributin e tij në leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare.
Vedat Kokona u lind më 8 gusht 1913, në Izmir, nga një familje qytetare gjirokastrite. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore dhe më pas vijoi mësimet në Liceun e Korçës. Studimet e larta i bën në Paris për drejtësi, ku ndenji deri në fillim të 1939-s.
Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, themeloi dhe kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore, e cila më pas do të damkosej si fashiste.
Nga 1949 deri më 1965 punoi si përkthyes në Shtëpinë Botuese Shtetërore “Naim Frashëri”. Nga 1965 e deri sa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës.
Vedat Kokona përktheu shumë klasikë të letërsisë së përbotshme, si Pier Kornejin, Zhan Rasinin, Shekspirin dhe Tolstoin, Gorkin, Xhon Gollsuorthin, Dikensin, Aleksandr Bekun, Rabindranat Tagoran dhe Ernest Heminguejin./topchanel/KultPlus.com
Adrian Devolli çel ekspozitën “Gjurmë”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, (FAB) e cila përmbledh një pjesë të punëve më të mira të artistit, në pikturë, grafika, skulpturë dhe qeramikë.
Artisti Devolli e konsideron domosdoshmëri ekspozitën e cila shërben për të si një refleksion mbi gjendjen në të cilën gjendet dhe atë drejt së cilës shkon.
Titulli “Gjurmë” ka lidhje me gjurmën që le çdo artist në art, një “guralec” në strukturën e madhe të artit. Emocionet e Adrian Devollit gjejnë një teknikë të veçantë për t’u shpalosur në kuadër apo skulpturë.
“Gjurmë” do të qëndrojë e hapur për publikun e FAB-it deri më 23 shtator.
Ardian Devolli ka studiuar në Akademinë e Arteve, ku u diplomua në vitin 1979. Ai është njëkohësisht studiues i Artit Bizantin dhe themelues i grupit artistik “Mur”./atsh/KultaPlus.com
Ekspozita “Bamirësia, Humaniteti, Solidariteti”për humanizimin e popullit të Kosovës gjatë viteve të 90-ta, është hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ditëve të Nënë Terezës, në ditën e shenjtërimit të saj, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë janë ekspozuar libra e artikuj të gazetave ‘Rilindja’ dhe ‘Bujku’ në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për bamirësinë, humanitetin dhe solidaritetin në Kosovën e viteve ’90-ta.
Kjo ekspozitë prezanton mbi 50 monografi dhe mbi 1.500 artikuj të gazetave të asaj kohe, të cilët tregojnë hollësisht për solidaritetin që treguan qytetarët e Kosovës gjatë kohës së rezistencës të viteve të ‘90-ta./KultPlus.com
Diku u shfaqë në formë skulpture. Në disa punime tjera, figura e Nënës Terezë, u pikturuaa.
Ani se zhanret e artit në këto 32 vepra janë të ndryshme, ato u ekspozuan të dielën në katedralen e kryeqytetit me një qëllim – me paratë e mbledhura nga shitja e tyre do t’u ndihmohet grave të margjinalizuara, në ditët që i takojnë humanistes.
Vlera e këtyre punimeve nis nga 200 euro e shkon deri në 18 mijë, njofton Klan Kosova./KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) solli sot në Krujë ekspozitën “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.
Përmes kësaj ekspozite shpaloset larmia e kostumeve popullore të trevave nga mbarë trojet shqiptare, për ta njohur dhe për ta promovuar trashëgiminë kulturore kombëtare.
Ekspozita zgjoi kuriozitetin e vizitorëve të huaj, që këto ditë gushti kanë zgjedhur të vizitojnë Krujën si dhe të qytetarëve të shumtë. Ata patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosnin larmishmërinë dhe veçantitë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.
Materialet e përzgjedhura nga DPA-ja i ofruan vizitorëve një fushëpamje të gjerë të tematikës. Mes këtyre materialeve gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare); kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut, të Shqipërisë së mesme; Shqipërisë së jugut, kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve dhe kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume të vajzave)./atsh/KultPlus.com
Me mbështetjen e paçmuar të ekipit të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve të UNOPS Albania, po kryen punimet më të imëta në Muzeun Etnografik të Krujës.
Ekipet po punojnë për pastrimin përfundimtar, ruajtjen e objekteve dhe vendosjen e ekraneve.
Ekspertët e UNOPS Albania shpehen se, çdo ditë që kalon na afron me momentin kur do të shohim transformimin e jashtëzakonshëm të Muzeut Etnografik të Krujës.
Sipas tyre, së shpejti, në Muzeun Etnografik të Krujës ekspozita të rikonceptuara do t’i zbulohen publikut nga Shqipëria dhe e gjithë bota.
Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.
Banesa është monument kulture i Kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. / atsh / KultPlus.com
Ekspozita që i dedikohet Jay-Z-së është hapur këtë javë në Bibliotekën Publike të Brooklynit.
The Book of Hov – siç mban emrin ekspozita – do të jetë e përkohshme dhe është e vendosur në degën kryesore të bibliotekës.
Kjo përfshihet që përfshin “mijëra objektesh të arkivuara, përfshirë edhe incizimet origjinale të masterëve, fotove që nuk janë parë më herët, veshjeve ikonike skenike, çmimeve prestigjioze, dhe vlerësimeve, si dhe videove e artifakteve nga çdo cep i jetës profesionale të Jay-Z-së”./KlanKosova/KultPlus.com
Në galerinë FAB është çelur ekspozita e Atelierit të Multimedias me titull “8 h, 59 m, 27 s”.
Ekspozita mban vepra të 26 studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura, punimet e të cilëve janë kuruar nga prof. Vladimir Myrtezai, Lek. Altin Lika, Edison Çeraj dhe Florian Haxhihyseni.
Kjo është ekspozita e radhës e Atelierit të Multimedias, si përherë me punë të zgjedhura të vitit të fundit akademik. Studentët kanë prekur pothuajse çdo medium si video, instalacion, fotografi, pikturë, animacion dhe performancë. Punimet janë rezultat i i temave të dhëna nga pedagogët përgjatë dy semestrave, pa harruar edhe ndonjë punim nga puna e pavarur e studentëve.
Për sa i takon titullit të veçantë, ai i përket punës së një studenteje. Kuratorëve, ky titull iu duk bartës i një simbioze që bën bashkë disa elemente: kohën, numrat, pritjen, orën dhe trysninë e saj.
“Këto janë parë si sfida të cilat kërkojnë vazhdimisht marrjen e një pozicioni apo qëndrimi nga ana jonë, aq më tepër kur edhe zhvillimet e artit sot priren dukshëm të hedhin dritë mbi sfidat e ndryshme nëpër të cilat na duhet të kalojmë dhe t’i tejkalojmë. Sfidat mund të sfidohen”, u shpreh një prej kuratorëve të ekspozitës, Edison Çeraj./atsh/KultPlus.com
Artan Peqini ka çelur ekspozitën e tij të dytë vetjake me piktura të titulluar “Përtej kufirit e portave-Pasdite e përjetshme”, me kuratore Najada Hamza.
Pikturat do të qëndrojnë të ekspozuara në galerinë FAB deri më 21 maj.
Artisti sjell atmosferën e pasditeve në kodrat e Apolonisë, ku njerëzit e ditëve të sotme përballen me paraardhësit e tyre, njerëzit e antikitetit, të cilët paraqiten si koka skulpturash të pikturuara.
Udhëtimi në kohë që sjell Artan Peqini, është si një mundësi që i jepet publikut të kohëve moderne për të kuptuar më mirë realitetin përreth.
Artisti thotë se, kjo ekspozitë ka në qendër fabulën e një udhëtimi të përhershëm, përtej portave e kufijve.
Individët e paraqitur në tablotë e Peqinit janë të paidentifikueshëm, duke lënë hapur mundësinë për t’u transformuar secili nga ne, në personazhet e pikturave të tij.
Ata vijnë pa fokus në portrete dhe me ngjyra që i afrohen terrakotës, me të cilën artisti ka punuar pjesën më të madhe të karrierës së tij.
Artan Peqini është pedagog i skulpturës e dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura. Megjithëse i njohur më shumë për punën me skulpturën, vitet e fundit, artisti ja ka kushtuar pikturës./atsh/KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vizituar ekspozitën ‘Ç’nuk dija që e kisha ditë…’ e artistes Lala Meredith-Vula, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku ka thënë se fotografitë në sfondin monokrom paraqesin shtetin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë në katër dekadat e fundit.
“Fotografitë në sfondin monokrom që krah për krah shfaqin Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë nëpër katër dekadat e fundit dhe mullari i sanës në hyrje të galerisë, janë pjesë të ekspozitës “ç’nuk dija që e kisha ditë…” të artistes e fotografes Lala Meredith-Vula, kuruar nga Edi Muka, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter./KultPlus.com
“Përmes lentes të leximit” është një ekspozitë fotografike, e cila synon të sjellë në vëmendje rëndësinë e leximit për brezin e ri përmes lenteve të aparatit fotografik.
Fotografitë janë letra artistike të printuara bardh e zi në përmasa të ndryshme. Fotografi Dauti prezanton magjinë e të lexuarit përmes objektivit të aparatit të tij. Protagonistët janë njerëz të zakonshëm të cilët bashkohen në një proces të përbashkët, atë të leximit, të vjetër sa vetë koha. Çdo individ e përjeton procesin në mënyrë unike duke u lidhur me pjesët më intime të shpirtit të tij.
Në një kohë kur të rinjtë, përveç teksteve shkollore, janë kryesisht të fokusuar te pajisjet elektronike, kjo ekspozitë vjen si një ftesë për të sfiduar trendet e momentit dhe për t’u rikthyer te leximi i librave.
Një event kulturor ku kombinohen forma të shumta arti si fotografia, muzika, leximi i poezive nga Ema Andrea, librat në rafte dhe ekspozita virtuale për ata që do ta ndjekin virtualisht.
Ky event kulturor synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e leximit tek të rinjtë dhe përfshirjen e tyre aktive në aktivitete kulturore që lënë gjurmë dhe gjenerojnë angazhim dhe veprim në shoqëri.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në datat 26-27 nëntor në ambientet e shtëpisë muze “Ismail Kadare” dhe Qendrës Kulturore “Tulla”.
Fotografitë e ekspozitës janë përzgjedhur pa kohë dhe pa fytyrë për të treguar se leximi është njëkohësisht një zakon sa i vjetër dhe aktual. Ato përfaqësojnë virtytin e leximit si një proces që lejon kontaktin me pjesën më të pastër të shpirtit. Në ekspozitë, fotografitë ndryshojnë në ide dhe mesazhe. Çdo vizitor mund të gjejë diçka për të nxitur një emocion. /atsh /KultPlus.com
Kur bëhet fjalë për t’u dhënë njerëzve material të besueshëm, bibliotekat janë thelbësore. Ato mbështesin dhe stimulojnë marrjen e informacionit përmes të mësuarit. Ka shumë libra që mund të lexojnë dhe të zgjerojnë njohuritë e tyre. Për më tepër, shumëllojshmëria është aq e gjerë sa shumica e njerëzve gjejnë atë që kërkojnë dhe një vend që zakonisht ngjall kujtime të këndshme është biblioteka. Ndërkaq, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka shënuar sot 78-vjetorin e themelimit, duke shënuar një vit të veçantë dhe me shumë përmirësime në fushën e bibliotekave të Kosovës, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës ka vazhduar që të dhurojë përkrahje të madhe për BKK-në, derisa veprimtarinë e sotme e bëjnë të veçantë katër faktorë kyç.
Duke filluar nga akti i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet BBK-së dhe organizatës “FLOSK”, që ofron bashkëpunim për dixhitalizimin e fondeve të BKK-së. Më pas, duke shënuar edhe ditën kombëtare të vetëdijesimit të bibliotekave që vjen prej programit Erasmus+, veprimtari që organizohet bashkë që nga viti 2017 mes Bibliotekës dhe Universitetit të Prishtinës.
Në këtë ditë, gjithashtu është bërë edhe akti nismëtar i pranimit të kodit të librave të ndërmarrjes botuese “Rilindja” në BKK nga drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Si çështje e fundit është përfshirë edhe dhënia e mirënjohjeve për njerëzit që kontribuuan në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajrakut e mori fjalën, duke treguar rrugëtimin e BKK-së ndër vite dhe përpjekjet e tyre për të përmirësuar këtë fushë.
“Sot ne po kremtojmë 78 vjetorin e themelimit të Bibliotekës në një kremtim dhe aktivitet të veçantë së bashku me MKRS-në dhe Rektoratin e UP-së. Biblioteka ka një datë që është e njohur si datë e themelimit të saj, pikërisht nëntori i vitit 1944 kur nis punën në Prizren me një koleksion të vogël të librave dhe më pas vijon të bëjë jetën e saj duke u rritur e zhvilluar gjatë 78 vjetëve të historisë, në një fond bibliotekar që tashmë ka biblioteka dhe këto koleksione që po pasurohen e që janë pjesë e trashëgimisë 78 vjeçare është dashur shumë punë e kujdes i të gjitha gjeneratave. Ne po mundohemi të bëjmë atë që është në mandatin e BKK-së, që është i gjerë dhe që është përfshirës në fushën e zhvillimit bibliotekar, mbledhjes dhe ruajtjes së trashëgimisë nder shkrimore, të shtypur, botuese dhe asaj gojore në ngritjen e cilësisë së shërbimeve”, thotë ai.
Tutje, Gajraku gjithashtu shton se gjatë këtij viti BKK-ja është pasuruar me 2439 tituj të rinj.
“Në kuadër të punës praktike dhe zhvillimit të koleksionit, biblioteka gjatë këtij viti përmes politikave të blerjes, ekzemplarëve të detyrueshëm dhe dhuratës është pasuruar me 2439 tituj apo 8381 ekzemplarë. BKK ka pasuruar gjatë këtij viti 9 biblioteka shkollore me 1518 tituj”.
Mes tjerash, gjatë fjalimit të tij drejtori i BKK-së, njoftoi se do të verifikohen të gjitha dëmet që janë bërë kësaj biblioteke në ekzemplarët e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Me vendim të qeverisë së Kosovës, për dokumentimin dhe vlerësimin e dëmeve të trashëgimisë kulturore të shkaktuara nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit, BKK e cila gjatë viteve 90-ta ka pasur humbje të mëdha të fondit të saj është duke e verifikuar të gjitha librat fizikë të reporterit dhe do të nxjerrë statistika dhe koleksione. Verifikimit do t’i nënshtrohen të gjitha librat dhe së shpejti do të kemi një raport të detajuar me të gjitha dëmet që janë shkaktuar”, thotë drejtori, duke përshëndetur të pranishmit dhe duke i uruar 78 vjetorin.
Për një fjalë rasti u ftua edhe Feim Hoxha, zëvendësues i Sekretariatit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Kam kënaqësinë sot në përvjetorin e kësaj sot në këtë përvjetor të Bibliotekës që në emër të Ministrit Hajrulla Çeku të ju përshëndes dhe të ju them se asnjëherë nuk ka qenë më i madh përkushtimit për të ndihmuar bibliotekat e në këtë rast në mënyrë të veçantë BKK-në. Kjo datë është përkushtimi për të krijuar bashkë dhe për të ri konfirmuar rolin e Bibliotekave në vendin tonë, të ndërtuar mbi themelet që nga vitet 1944. Në mbështetjen që ajo merr në përmbushjen e misionit të saj, si institucioni bibliotekar qendror në Kosovë dhe si qendër e inovacionit bibliotekar në nivel kombëtar”.
Hoxha thotë se biblioteka, apo përkatësisht informacioni është një faktor vendimtar në zhvillimin kombëtar të vendit.
”Derisa vazhdon të mbizotëron pikëpamja se bibliotekat janë jo më tepër se depozitarë e librit të së kaluarës, duhet të thuhet zëshëm për rolin thelbësor të bibliotekës si institucion arsimor, edukativ e kulturor. Biblioteka, përkatësisht informacion është një faktor vendimtar në zhvillimin kombëtar. Në shekullin e XIX, institucionet udhëheqëse duhet ta njohin këtë faktor dhe të ndihmojnë në ofrimin e kushteve të duhura për zhvillim të mëtejshëm”.
Ai gjithashtu tregon se BKK së shpejti do të rinovohet, derisa tanimë janë në fazën e hartimit të projektit për renovim.
“Qeveria e Kosovës, ashtu siç edhe ka përkrahur shumë projekte për bibliotekën e kulturën në përgjithësi, do të vazhdojë që të përkrahë zhvillimin e bibliotekave. Tanimë jemi në fazën e vlerësimit të ofertave për hartimin projektit të renovimit të tërësishëm të objektit të BKK-së, i cili do t’i paraprijë pastaj fazës së renovimit. Ne konsiderojmë se me renovimin e tërësishëm të BKK-së, do të krijohen kushtet adekuate për stafin e bibliotekës dhe gjithashtu do të kemi një ambient adekuat në standarde ndërkombëtare për ruajtjen e materialeve bibliotekare”, tha ai.
Qerim Qerimi në fjalimin e tij të parë si rektor i Universitetit të Prishtinës, u shpreh i lumtur që biblioteka vazhdon të jetë burim ekzistencial i dijës.
“Jam i privilegjuar që kam mundësinë që t’ju drejtohem në një ditë kaq emblematike për librin siç është Dita e Bibliotekës dhe njëkohësisht dita kombëtare e vetëdijesimit për bibliotekave në Kosovë. Këto dy ngjarje të çmueshme për institucionin e librit. Dita e sotme paraqet fjalimin tim të parë në cilësinë e rektorit të UP-së dhe nuk do të mund të gjeja një moment më të mirë për një fjalë të parë zyrtare se sa një ditë sikurse që është kjo. Biblioteka është burim ekzistencial i dijës, kjo mbetet e vlefshme edhe në kohën kur biblioteka po transformohet në drejtime të ndryshme, sidomos në terma digjitale”.
Qerimi thotë se biblioteka mbetet vend i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit e Kosovës.
“Sigurisht ajo nuk është vetëm një institucion ku takohen njerëzit, por është kulturë dhe kujdestare e rëndësishme kombëtare, institucionale etj. Biblioteka mbetet vend i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit tanë. Vetëdijesimi për rëndësinë e bibliotekës duhet të vazhdojë të rritet. Universiteti i Prishtinës për të gjashtin vit me radhë po e promovon ngritjen e vetëdijes për bibliotekat në Kosovë. Jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë nga vende të ndryshme që të rrisim cilësinë e shërbimeve në bibliotekat universitare duke synuar modernizimin e tyre përmes zhvillimit të personelit dhe reformimit të shërbimeve që ofrohen”.
Rektori bëri thirrje që të mbrohet prona intelektuale (dokumentet, librat dhe të gjitha koleksionet që janë trashëguar) dhe t’i përdorin ato në mënyrat që lartësojnë vlerën e kërkimit dhe cilësinë e mësimit. “Nëse nuk të pëlqen të lexosh, ti nuk e ke gjetur librin e duhur”, prandaj mos ndaloni së kërkuari atë. Ju dëshiroj suksese të përzemërta në realizimin e aspiratave tuaja, sidomos ato që lidhen me librin”, përfundoi ai.
Arben Limani në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, njoftoi më tepër rreth aktit nismëtar të fondit të librave të Ndërmarrjes Botuese “Rilindja” në BKK.
“Nuk është e zakonshme që drejtori i t’i drejtohet ndonjë evenimenti të tillë por jam shumë i lumtur që në rastin e shënimit të Ditës së Bibliotekës të ju njoftoj se bordi i drejtorëve të AKP-së si administratorë të ndërmarrjes shoqërore të shtëpisë botuese “Rilindja” pas kërkesës së BKK-së dhe me qëllim të kontributit në përmirësimin e gjendjes së bibliotekave të Kosovës të dhurojë një fond të caktuar, konkretisht rreth 430 pako të librave shkollorë. E gjithë kjo për t’iu dalë në ndihmë sado pak në pasurimin e fondit të librave dhe shtimin e koleksionit të BKK-së, si dhe duke ditur se ajo do t’i vë në funksion të mirëfillta në përmirësimin e bibliotekave në Kosovë në përgjithësi. Uroj që ky kontribut të ndikojë në lexuesit e vegjël, shpresoj që të në ardhmen të kemi bashkëpunime të tilla.
Pas përfundimit të dhënies së mirënjohjeve, në Hollin e Ekspozitës është hapur ekspozita “Percjeptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” (periodiku britanik dhe amerikan gjatë fundshekullit të XIX dhe fillimshekullit të XX) të kuruar nga Sean Pessin, derisa kjo është dhuruar nga endra për Studime të Shqiptare në Londër. /KultPlus.com
“Detajet e bëjnë përsosmërinë, dhe përsosmëria nuk është një detaj.”
Detajet, janë në thelb fishekzjarrët në përfundim të një ngjarjeje; janë ato që mahnitin dhe u bëjnë përshtypje shikuesve të një vepre arti. Mbrëmë në ambientet e Paper Gallery ka gjallëruar fryma e një artisti madhështor sikurse Musë Prelvukaj, një artist i cili me mendjen e tij krijon art përmes “figuracionit të transformueshëm”, shkruan KultPlus.
Në një dhomë të vogël për nga madhësia, por të çmueshme për nga sasia e veprave që gjindeshin aty, njerëzit po mblidheshin për të pritur edhe hapjen e ekspozitës “Retrospektivë”.
Musë Prelvukaj i përket gjeneratës së parë që diplomoi në Akademinë e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës dhe këtë e vërejmë më së miri në teknikat e vizatimeve të ekspozuara. Përmes shprehjes së gjallë të vijave, dramaticitetit dhe elementeve analitike me shkronja dhe simbole artisti krijon figracione kompozicjonale të ndryshme të cilat e formojnë një imazh në tërësi.
Artisti u shpreh se ka nderin e veçantë që të paraqitet me këto punime përpara publikut dhe shprehi falënderime për “Paper Gallery” që ia ofroi këtë mundësi.
“Këtu të pranishëm kemi shumë artistë të rinj të cilët në të ardhmën mund të jenë pjesë e këtij vendi. Gazi më inkurajoi pasi kjo ekspozitë pas një viti do të bëjë edhe një udhëtim elektronik dhe pas tre viteve do të jetë edhe si katalog. Për mua do të jetë shumë e rëndësishme, pasi jam adhurues i dokumentacionit.
Ai shpjegon se në këtë ekspozitë janë të paraqitura vepra të para të tij dhe për këtë arsye e ka marr emrin kështu.
“Në këtë ekspozitë janë disa punime të mia të parat nëpër ekspozita të tjera, prandaj edhe e kam quajtur “retrospektivë”, derisa punimin ma të vjetër këtu e kam një afishe të vitit 1972, atëherë kur në lëndën “Elementet e Artit”, e kemi marrë si temë romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”.
Punimet e tij, sipas Prelvukajt, kanë disa faza nëpër të cilat kalojnë, derisa ai thotë se është një adhurues i figuracionit.
“Punimet e mia i kanë disa faza, disa cikle, derisa unë personalisht jam adhurues i figuracionit, jo ashtu se si e shoh, por si e ndiej, e bëj një transformim. Kam motive nga vendlindja, por edhe nga pjesa urbane. U mundova që ndjenjat e mia t’ia ofroj publikut të gjërë dhe besoj që ai do të jetë më i merituari që t’i vlerësojë punimet”.
Në anën tjetër, Gaz Ejupi, si drejtor i Paper Gallery, njofton se qëllimi i tyre është promovimi i artit bashkëkohor.
“Paper Gallery ka filluar në vitin 2022 me qëllim që të promovojë artin bashkëkohor në mënyra dhe mediume të ndryshme të cilat kanë impakt në gjeneratat e reja që synon këtë art. Paper Gallery i ka dy programe, njëri që ka çdo 3 muaj ekspozita dhe tjetra që quhet “projects” që mbahet çdo muaj. Në këtë rast e kemi nderin që të kemi mysafir artistin e profesorin Musë Prelvukaj. Ai ka qenë personi që më ka njoftuar me Akademinë e Arteve, teknikat e grafikës, ku edhe kam filluar aty dhe vazhdoj të kontribouj”.
Artistja e njohur, Zake Prelvukaj, thotë për KultPlus se Musa është shumë i veçantë në stilin e tij.
“Musa ka qenë shumë para meje, por çdo vijë që ai ka punuar ka krijuar një ndjesi të jashtëzakonshme te unë. Ai ka qenë i butë dhe si një profesor për mua, gjithashtu asnjëherë nuk ka qenë temperament i rëndë, duke më thënë se po ia prek punimet, sa isha si fëmijë, ose diçka të ngjashme. Ndonjëherë mendoj se është shumë mirë që artisti si Musa të jetë fanatik për një figuracioni krijues, e jo figuracion statik. Pra, të ketë një figuracion kreativ e ta ruajë kohën”.
Ajo na rikthen në kohë edhe momentet e vështira që profesori ka pasur gjatë viteve të 90-ta, duke treguar se arti rikthehet te artisti.
“Musa natyrisht që i ka pasur edhe krizat e veta, unë isha shumë e rë në atë kohë e ajo krizë filloi ta thyej pak, por prapë se prapë një gjë e tillë nuk ndodhi. Musën e thirrë arti. Ai gjithmonë thotë se arti vlen, e nuk ka art të keq, por sipas tij arti është i mirë dhe sigurisht mund të jetë edhe art briliant. Ai është detajist e detajet që ai i ka janë shumë interesante, pasi i ka të krijuara nga mendja e tij dhe për këtë arsye ne quhemi krijues”, thotë ajo.
Derisa, në fund profesoresha Prelvukaj, beson fuqishëm që arti i Musës duhet të jetë i pranishëm edhe në Muzetë e ardhshëm të Kosovës, për të dëshmuar se ne kemi art të mirëfillt, si Kosovë.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një muaj. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës ka njoftuar publikun për tri ekspozita që mund ti vizitoni në vikend, përcjell KultPlus.
Duke filluar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, Galeria e Ministrisë së Kulturës e deri te Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.
“Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është e hapur ekspozita personale “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” e artistit Jeton Gusia kuruar nga Blerta Hoçia. Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar.
Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës mund të shihni ekspozitën “Monumenti i Lules së Parë”, nga Astrit Ismaili, kuruar nga Donjetë Murati. “Monumenti i Lules së Parë” prezanton punët e Astrit Ismailit që ndërlidhën me transformimin. Monumenti i luleve, kthehet në metaforë, njejtë si udha e saj në mes të errësirës së thellë. Kur mund të përcaktojmë një moment të caktuar transformimi?
Në Muzeun e Burgut të Prishtinës gjatë ditës së shtunë mund të vizitoni ekspozitën “Burgu i Idealit”, e cila sjell tekste historike, fotografi, ilustrime, video materiale e intervista me rrëfime, krijimtari artistike të burgut si piktura e vjersha nga ish të burgosurit, emrat e mbi 9000 të ish të burgosurve politik shqiptarë në këtë dhe burgje të tjera të Kosovës”, thuhet në postimin e MKRS. /KultPlus.com
“Autostrada Hangar”, hapësira për edukim, prodhim dhe ekspozitë në ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren) po vazhdon aktivitetet për publikun e gjerë me hapjen e ekspozitës së radhës të titulluar “Tregimi i Autostrada Hangar”, përcjellë KultPlus.
“Pas suksesit të hapjes së hapësirës multi-funksionale me aktivitete të shumta publike, ne si Autostrada Biennale jemi angazhuar që ta ndajmë me publikun përvojën tonë të krijimit të institucionit të artit bashkëkohor “Autostrada Hangar””, thuhet në njoftim.
Duke e parë që ka interes shumë të madh të audiencave lokale dhe ndërkombëtare për tu njoftuar me procesin e krijimit të hapësirës dhe programeve, organizatorët e kanë parë si shumë të nevojshme organizimin e kësaj ekspozite e cila e paraqet Hangarin në tre periudha “Si ka qenë” Si është transformuar” dhe “Si do të zhvillohet në të ardhmen”.
Andaj në këtë event, organizatorët do të ndajnë me juve procesin e këtij transformimi dhe të festojnë së bashku suksesin e saj.
Hapja e ekspozitës “Tregimi i Autostrada Hangar” do të mbahet me datën 12 Nëntor 2022, e shtune, nga ora 20:00.
Ekspozita përkrahet nga: GIZ dhe ITP, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit. / KultPlus.com
“Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” është ekspozita e radhës që do të zërë vend në ambientet e Galerisë Kombëtarë të Kosovës.
Ekspozita personale e autorit Jeton Gusia e që është kuruar nga Blerta Hoçia, paraqet një atmosferë të paqtë ku mbizotërojnë tonet e ngrohta të tokës, të kafta, të verdha, rozë, diku të ndritshme por më shumë të pista, ngjyrat përzihen me dheun që e dominon pikturën e që ngrihet deri në qiell me anë të gjetheve të pemëve edhe ato prej dheu dhe pluhuri. Midis shtëpisë dhe ekskavatorit; një tension i fshehur, një duel i brendshëm. Në të vërtetë i pikturuar nuk është një përbindësh i hekurt por një gërmadhë e pamundësuar tashmë ta gërryej dheun e të hapë themele. E shtrirë, me kockat që formojnë zgavrën e kraharorit të një kafshe të stërmadhe. Ndërkohë, shtëpia rozë merr trajtat e të gjitha shtëpive dhe njerëzve që e banojnë, të heshtur dhe pasivë në pranimin e kohës, të dheut dhe të dritëhijeve lozonjare të prodhuara nga loja e gjetheve me diellin.
Peizazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë copëza dite që e përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.
Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija. Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar. Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një skene të rëndomtë me personazhet e panumërta që e popullojnë, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson.
Piktura e Jeton Gusisë është gjithmonë pak e largët e në mënyrë të natyrshme merr këndvështrimin që njihet si bird eye për shkak të rrafshtësisë por edhe plotësisë së vizionit. Ai liston detajet me dëlirësinë e fëmijës në pazarin e kerreve, ku njerëzit janë të renditur njëjtë me këpucët shumëngjyrëshe, çantat, kafshët në kafazë, radiot, veglat muzikore e orenditë e panumërta të përditshmërisë kapitaliste ballkanase. Larg pretendimeve dhe temave politike apo atyre që u jepet njëfarë peshe historike, artisti ka krijuar një mikrokosmos të tematikave por edhe problematikave vetjake e shoqërore me punë që prekin të gjitha sferat e të jetuarit, si komunikacioni, qentë në strehimore, periferia, ndërtimet, vendet e kënaqësisë, pjesë nga jeta e fshatit, punëtorët, fabrika etj.
Ekspozita hapet nesër, më 08 nëntor, në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com
Pesë luanë kanë shkaktuar një emergjencë të shkurtër në një kopsht zoologjik australian pasi u arratisën nga rrethimi i tyre, përcjell KultPlus.
Një i rritur dhe katër këlyshë – u panë jashtë ekspozitës së tyre në kopshtin zoologjik Taronga të Sidneit rreth orës 6:30 me kohën lokale të mërkurën.
Kopshti zoologjik u mbyll për pak kohë, derisa luanët u siguruan që janë rikthyer. Gjithashtu, u njoftua se nuk ka asnjë të lënduar, por gjithashtu as edhe shpjegim për arratisjen e tyre.
Por drejtori ekzekutiv i kopshtit zoologjik Simon Duffy e quajti atë një “incident të rëndësishëm” që do të hetohej tutje.
Ai tha për mediat lokale se luanët kishin hyrë në një zonë të vogël “ngjitur” me ekspozitën e tyre – rreth 100 metra nga ku të ftuarit po qëndronin në kopshtin zoologjik gjatë natës. Kopshti zoologjik kryesor ishte i mbyllur në atë kohë.
“Luanët në asnjë moment nuk dolën nga ajo zonë [në afërsi] ose nuk dolën nga kopshti zoologjik Taronga,” tha ai.
Duffy shtoi se zona e vogël mbrohej nga një gardh prej gjashtë metrash që përdoret zakonisht për të mbajtur njerëzit në një distancë të sigurt dhe i gjithë kopshti zoologjik ishte i rrethuar nga një gardh rrethues.
Stafi u përgjigj shpejt për të zhvendosur të gjithë njerëzit në vend në vende të sigurta, sipas drejtorit.
“Ekspozita e luanit do të qëndrojë e mbyllur deri në inspektime të mëtejshme për t’u siguruar që është “100% e sigurt”, shtoi Duffy.
Arratisjet e kafshëve në kopshtet zoologjike Australiane janë të rralla.
Në vitin 2009, një luaneshë iku nga mbyllja e saj në kopshtin zoologjik Mogo, në jug të Sidneit, dhe u qëllua për vdekje për shkak të rrezikut që përbënte për publikun. /KultPlus.com