Përmes portreteve në kërkim të identitetit, Saranda Xhemajli shpalosi ekspozitën e parë personale (FOTO)

Gili Hoxhaj

Me ngjyra të errëta e vjeshtore ishin veshur shumica e portreteve që i kishin dhënë një pamje krejtësisht tjetër Galerisë “Monet”, ani pse autorja nuk ka përdorur fare ngjyrën e zezë, atë e ka bërë të pranishme përmes kombinimit të ngjyrave.

Ekspozita e parë e Saranda Xhemajlit erdhi me personifikimin e vetes e portretit të femrës që nuk i përket veç një moshe. Portretet e vajzave të vogla që të shikojnë drejtë në sy japin një shikim të bindshëm për të qëndruar më gjatë duke parë imazhet e tyre të pikturuar nga Xhemajli. Femra si figurë kryesore, diku paraqitet me flokët e zbuluara, e diku të mbështjella e që përkufizohen nën petalet e trëndafilave e kurorave, të cilat janë elementet kryesore me anë të të cilave Xhemajli zbërthen konceptet e saj.

Saranda Xhemajli në këtë ekspozitë ka punuar për gati një vit ndërsa portretet e saj nuk i përkasin botës fiktive. Portretet e atyre që e kanë rrethuar, ajo i ka vendosur në kornizat e pikturës. Pamja e tyre fillimisht e ngrirë përmes fotografisë e më pas i është besuar artistes që t’i vendos në kornizat e pikturës.

Kushdo që e sheh Albana Xhemajlin në ekspozitë, e identifikon lehtë praninë e saj në njërin nga portretet e varura në mur. Ajo është pjesë e dy punimeve të artistes, në portret dhe në nudo. Në një bisedë me KultPlus, ajo tregon se momentin që ka parë pikturën e përfunduar, është ndjerë tejet e emocionuar.

“Është kënaqësi ta shoh veten dhe të jem e pikturuar nga një piktore si Saranda Xhemajli. Edhe pse nuk e kam shikuar në proces, kam ndjerë emocione kur e kam parë pikturën të finalizuar. Jam shumë e lumtur që Saranda zgjodhi dy portrete të mija të jenë pjesë e ekspozitës së saj të parë”, tregon për KultPlus Albana.

Përveç në portret, Albana Xhemajli është pjesë edhe e një punimi tjetër që ndodhet në qendër të ekspozitës e që titullohet “Naked blond in red dres”, i cili është i vetmi përmes të cilit autorja është përpjekur ta paraqes nudizmin.

Kuratori i ekspozitës, Genc Rezniqi thotë që vepra të njohura nga piktorët më të famshëm trajtojnë nudizmin, piktorja Saranda Xhemajli mund ta trajtojë në shumë aspekte e si fenomen social mund të jetë ngulitur tek ajo si pasojë e zhvillimeve të shoqërisë, si shoqëri në tranzicion apo si muze për të krijuar diçka, të cilën ajo e krijon nga ndërdija.

Ai tutje thotë se ajo i tejkalon paragjykimet duke i thyer tabutë dhe përmes botës femërore ajo mundohet ta paraqes kuptimin utopik të jetës së pashpresë, frikën nga ardhmëria, konfuzionin e botës njerëzore pra metafizikën e lebetisë, ku shpresa dhe gëzimi marrin kuptimin e njëjtë, ku harmonia dhe çiltërsia, e bukura dhe e brishta identifikohen me njëra-tjetrën.

Përveç pikturave të tjera, autoportreti i saj është i përgjysmuar, duke zbuluar veç një pjesë të vështrimit. Kjo ekspozitë për autoren është edhe një zbulim i identitetit të saj artistik. Ajo tha se duke qenë artiste figurative në punimet e saj mbizotëron femra ndërsa në këtë ekspozitë është përpjekur që të paraqesë më shumë portrete.

“Përmes portretit jam përpjekur ta paraqes një gjendje të femrës që është e padjallëzuar dhe e çiltër. Besoj që femrat në Kosovë kanë shumë brenda dhe e kam ndjerë këtë dhe duke qenë se këto janë imazhe të jetës time, jam përpjekur që atë kujtim ta paraqes dhe me ndihmën e modeleve, shoqeve dhe mbesave. Fillimisht i kemi realizuar fotot mandej i kam krijuar punimet”, tregon artistja Xhemajli.

Krejt në fund, ajo tha se këtë ekspozitë e ka titulluar “Identity” apo “Identitet” pasi që kjo është ekspozita e saj e parë personale me anë të së cilës të tjerët mund të njoftohen me punën e saj. E po ashtu “Identitet” pasi që përmban imazhe nga përditshmëria e saj.

Të gjithë ata që duan ta shohin ekspozitën e Saranda Xhemajlit, punimet e saj do të qëndrojnë në muret e Galerisë “Monet” edhe për dy javë, deri më 30 shtator./ KultPlus.com

Prezantohet për herë të parë në Kosovë puna e artistit shqiptar Lui Shtini

Alberina Haxhijaj

Sonte në galerinë LambdaLambdaLambda, është hapur ekspozita “Fused” e artistit shqiptar nga Kavaja, Lui Shtini, i cili jeton dhe punon në Amerikë. Kjo është ekspozita e parë e artistit në Kosovë por edhe në regjion në përgjithësi, shkruan KultPlus.

Në vitin 1960 një ndër testet më të përdorura në psikologji ishte testi i HermannRorschach, i krijuar në vitin 1932 dhe që përmbante 10 imazhe. Testi Rorchach, përdorej nga psikologët të cilët përmes tregimit të këtyre imazheve tek pacientët, nxirrnin në pah personalitetin e tyre dhe mendimet e tyre të brendshme. Pikërisht puna e artistit, Lui Shtinit është krahasuar shumë herë me imazhet e Rorchach-it.

Pjesë e trupit të cilat i përdor artisti si: dhëmballa, kraharori, legeni, trungu trupor, organet gjenitale e të tjera të cilat marrin forma abstrakte, nxjerrin në pah preokupimet dhe interesat e vëzhguesit, por jo vetëm.

Sjellja e artistit Lui Shtini në Prishtinë, ka qenë një rastësi e këndshme për themelueset e galerisë Isabella Ritter dhe Katharina Schendl.

“Është shumë interesante sepse kemi zbuluar punën e Luit, punë e cila është e njohur në Amerikë dhe e kuptuam nga emri që ai ishte shqiptar dhe pastaj edhe u takuam me të në një galeri në New York. Kjo menjëherë na bëri që të interesohemi që të ekspozojmë edhe punën e tij. Të tregojmë punën e një artisti i cili është i njohur në Amerikë, por njëkohësisht edhe të sjellim punën e një artisti që është nga Ballkan”, u shpreh Isabella Ritter.

Sipas saj pikërisht në punën dhe në mënyrën e përdorimi të materialeve dhe në teknikat që artisti përdor mund të vërehet ndikimi lokal e që është një pasuri më shumë në punën e tij si artistë.

“Puna që ai bënë është shumë bashkëkohore pasi që ai eksploron organet dhe si ato funksionojnë por edhe gjëra më të mëdha, pra dy identitete që mund të krijojnë një union ose që edhe mund të largojnë njëra-tjetrën. Pra mendoj që është shumë esenciale për trupin e njeriut, për shoqërinë por jo vetëm për këto. Gjithashtu ishte interesante të tregoheshin materialet dhe mënyra e punës. Ato janë një lloj trashëgimie nga mënyra e realizimit të pikturave në rajon por do të theksoja se në një gjuhë krejtësisht tjetër të cilën ai vet e ka krijuar sepse kurrë nuk kam parë punë si kjo më parë”, u shpreh ajo për KultPlus.

Sipas saj nuk është shumë e rëndësishme se cila pjesë e trupit është në pikturë, por më shumë ka të bëjë me këtë ‘jo-mirësi’ sepse vrojtuesi mendon se e njeh një organ apo pjesë të trupit që ai ka përdorur, por ajo nuk është e plotë, është abstrakte. Sipas saj ajo që mund të vërehet është ana njerëzore, e cila prek vrojtuesin pasi që “mendoni se ka diçka organike në të me të cilën mund të lidheni”.

Për artistin ka qenë shumë e rëndësishme që puna e tij është paraqitur edhe në Kosovë, mirëpo ai për arsye personale nuk arriti që të ishte i pranishëm. Kështu urime e tij më të mira dhe falënderimet për të pranishmit i përcolli galeria.

Lui Shtini (1978 Kavaje, Shqipëri) ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri nga viti 1997 deri në vitin 2000 dhe ka ndjekur Shkollën e Pikturës dhe Skulpturës Skowhegan në vitin 2007. Ai jeton dhe punon në Brooklyn, NY.
Shtini ka mbajtur ekspozita vetjake në CorbettvsDempsey, Chicago (2017, 2014), Kate WerbleGallery, Nju Jork (2016, 2013), CherryandMartin, LosAngeles (2015), dhe Van de Weghe Fine Art 2013, 2009). Puna e tij është ekspozuar në mjediset ku përfshihen: Silberkuppe, Berlin, Byroja, Nju Jorku, Galeria JackHanley, Nju Jork dhe Galleries Mason Gross, Universiteti Rutgers, NewBrunswick.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 11 nëntor, 2018./ KultPlus.com

Historia e fotografisë ku nusja qan e tmerruar

Dasmat shqiptare para viteve 90-të nuk kanë qenë aspak të zakonshme. Michel Setboun hyn tek ata fotografë të huaj që kanë patur mundësi të shohin disa prej tyre gjatë komunizmit për ti fokusuar në aparatin fotografik.

Prej vitesh ato kanë ngjallur kureshtjen e çdo vizitori në ekspozitat e Setboun. Tashmë këto foto ku nusja është e mbytur e tëra në vaj, dhe nuk është aspak e gëzuar mund të shihen në ekspozitën “Fundi. Fillimi.”.

Shqipëria 1981-1991” që vijon të qëndrojë e hapur në COD. Në fund të viteve 80-të një prej këtyre fotove është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë. Nëse e sheh me kujdes nusja duket e tmerruar, po kështu edhe njerëzit që e shoqërojnë. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë teksa e përcjellin në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë zakonet shqiptare. Shqipëria e regjimit komunist.

Durrësi përbënte një nga destinacionet kryesore turistike të asaj kohe për shqiptarët dhe vizitorët evropiane. Amerikanëve, rusëve dhe kinezëve nuk iu lejohej të vizitonin vendin. Në një tjetër foto shihet fytyra e gëzuar e një kooperativisti pas prishjes së kooperativave shtetërore. Simbolet e fundit të komunizmit shkatërrohen një nga një. Një tjetër foto na çon më 1981 Durrës. Kampi i pionerëve në plazhin e Durrësit, për moshat 8 – 14 vjeç. Kampi është i rrethuar me bunkerë. Një tjetër foto tronditëse është ajo ku një burrë mban në duar një copë mishi.

Fotoja është realizuar në Plug një fshat të persekutuarish gjatë regjimit komunist. Ish të përndjekurit e kishin të vështirë të gjenin ushqim në Shqipëri. Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë 99 foto në dimensione të mesme e të mëdha, imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve. Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator./ KultPlus.com

Fotografja Bardha Goga vjen me ekspozitë kundër korrupsionit

Në kuadër të Ditëve të Diasporës dhe si pjesë e Mural Fest, organizohet ekspozita personale e fotografes, njëkohësisht dhe aktivistes Bardha Goga, me temën “Anti-korrupsioni”, shkruan KultPlus.com.

Ekspozita organizohet nga Mural Fest dhe përkrahet nga Ambasada e Amerikës si dhe DKRS Ferizaj.

Ekspozita do të hapet me datën 01 Gusht 2018, Ditë e Mërkure, te Nënkalimi kryesor i qytetit të Ferizajt dhe fillon në ora 18:00. / KultPlus.com

Sislej Xhafa zbulon detaje rreth ekspozitës “Të dua pa e ditur”

Sislej Xhafa është duke punuar në ekspozitën e tij “Të dua pa e ditur” e cila do të hapet të enjten duke filluar nga ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Mirëpo artisti ka gjetur kohë për të dhënë një intervistë për Ambasadën Amerikane në Kosovë ku ka zbuluar më shumë për ekspozitën dhe titullin e saj, përcjell KultPlus.

Sislej Xhafa fillimisht është shprehur shumë i lumtur që është rikthyer në Kosovë për të prezantuar punën e tij në këtë ekspozitë e cila është ekspozita e tij e parë në Prishtinë.

“Titulli është “Të dua pa e ditur” dhe për mua është shumë e rëndësishme sepse për mua në dashuri nuk ka as hapësirë e as kohë dhe është diçka që nuk mund ta definojmë. E duam nënë, vëllain , motrën, shoqen, partneri, dikë të veçantë dhe çdo kush mund të gjejë në të këdo që dëshiron. Për mua marrëdhëniet me vendin ku kam lindur dhe më atë ku tani jetoj, New York, është një dashuri në të cilën nuk ka dallime por që është një dhuratë”, është shprehur ai.

Tutje ai ka theksuar se për të, arti është një lloj sfidë dhe veçanërisht kjo ekspozitë e mënyra sesi ajo është projektuar. Ai po ashtu ka treguar se në këtë ekspozitë do të përfshihen punime të tij të mëparshme por edhe të reja.

“Kemi zgjedhur punime të cilat theksojnë kompleksitetin e botës , që nuk lidhen vetëm me ambientin në Kosovë por me pyetje universale” , ka theksuar Xhafa.

Tutje artisti Sislej Xhafa ka diskutuar edhe për artin dhe familjen e tij ku edhe babi dhe motra, merren me art.
“Tani nuk flasim shumë për artin në familje sepse e kemi një lloj autonomie dhe nuk dimë as se çfarë tjetri është duke punuar. Kjo e ka anën e bukur të saj në mënyrën sesi ne evoluojmë në punën tonë duke qenë se jemi tre anëtarë të familjes që merremi me art”, tha ai duke treguar se sigurisht që ata janë të afërt me njëri-tjetrin por nga ana profesionale mundohen që të respektojnë këtë hapësirë mes tyre.

Artisti, ka diskutuar edhe për jetën që po e bënë tani në New York dhe për zhvendosjen në Amerikë. Ai ka diskutuar edhe për ndikim që ka pasur pikërisht ky vend në punën e tij dhe në konceptin e tij për demokracin, duke mos harruar edhe artin dhe mënyrën sesi arti paraqitet atje.

Sipas tij kjo ekspozitë është një ndërlidhje në mes të eksperiencave që ai ka pasur gjatë jetës duke përfshirë këtu faktin që ka lindur në Kosovë dhe jetën e tij në Amerikë.

Duke përdorur titullin “Të dua pa e ditur” për ekspozitën, Sislej Xhafa, është shprehur se ka arritur që të theksojë këto dy eksperienca në mënyrë të shëndetshme pasi që janë përbërësit e duhur që e nxisin artistin për të pyetur vetën, një rezistencë e vazhdueshme në një term më ndryshe./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/kosovo.usembassy/videos/2564696926889780/

Adem Dermaku paraqiti punimet e tij me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner” në Cyrih

Mbrëmë në Kunst Salon Wolfensberger në Cyrih, është hapur ekspozita kolektive me titull “Lajmet nga vitet e fundit 1902-2018”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë përpos artistëve të tjetër të huaj, është paraqitur edhe artisti kosovar Adem Dermaku, me tri punime. Ai për KultPlus, shpalosi punimet e tij me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner”.

“Punimet e zgjedhura në këtë ekspozitë janë prej vitit 1902-2018, në mediume të ndryshme të grafikës. Unë jam prezantuar me tri punime me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner”, ku në një mënyrë të thjeshtë simbolike, ironike kam paraqitur emocionet të cilat na i kanë dhuruar këta futbollistë në ndeshjen Zvicër – Serbi”, ka thënë Dermaku për KultPlus.

Secili nga punimet e artistit Adem Dermaku, ka numrin e lojtarit që mbanë në fanellë ndërsa janë punime unikate.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 30 gusht në Kunst Salon Wolfensberger të Cyrih-ut./ KultPlus.com

Dy dekada pas ekspozitës “Përtej” në Beograd, sa kanë arritur ngjarjet kulturore të shkojnë përtej diskursit politik mes Kosovës e Serbisë

Gili Hoxhaj

Kanë kaluar plot dy dekada që nga koha kur artistët kosovarë, dy vite para se të shpërthente lufta në Kosovë, kishin paraqitur artin e tyre në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Ekspozita “Përtej” me kurator Shkëlzen Maliqi, në verën e vitit 1997 kishte përmbledhur vepra të artit bashkëkohor nga Kosova, ku përfshihen piktura dhe instalacione nga Sokol Beqiri, Mehmet Behluli, Masksut Vezgishi dhe një instalacion muzikor nga Ilir Bajri.

Si aspak të lehtë e përshkruan këtë vendim Shkëlzen Maliqi, në zyrën e Fondacionit Soros në Prishtinë e cila po mbështeste financiarisht atë, me dyshime disa ia kishin drejtuar pyetjen “A e keni menduar mirë se çka po bëni dhe ku po shkoni?”. Maliqi tregon se këtë problem nuk e kishin dhe artistët, ata i brengoste vetëm hapësira se si do të dukeshin veprat e tyre aty.

“Tekembramja, arti ynë dhe e shënjestron ndërgjegjen e Beogradit”, ishte përgjigja kyçe e artistëve.

Dy dekada më pas, Shkëlzen Malqin e ndajnë vetëm një javë që nga ndalimi në kufirin e Mërdares, pa arritur të jetë pjesëmarrës në një diskutim që kishte për qëllim pikërisht bashkëpunimin kulturor. Njëzetë vite pas ekspozitës “Përtej”, Eliza Hoxha kalon kufirin Kosovë-Serbi me ekspozitën e përgjysmuar, pasi që tri fotografi i ndalohen në kufirin serb. Edhe ekspozita “Përtej”, ishte pritur pozitivisht në mesin e qarqeve artistike në Beograd, ndërsa mediat e kontrolluara nga regjimi në Serbi e shihnin si provokim, e në Kosovë kjo ekspozitë sulmohej nga kritikët të cilët argumentonin se artistët kosovarë që po i ekspozojnë punimet e tyre në Beograd po i mundësojnë Serbisë të përdorë justifikime për qëndrimin e tyre se situata në Kosovë është normale.

Disa nga të pranishmit e ekspozitës “Përtej” në Beograd, kishin shpresuar se ekspozita të tilla do të shndërrohen në traditë të bashkëpunimit dhe kontakteve më të thella.

“Emri i kësaj ekspozite tregon se kjo i ka tejkaluar pritjet tona që i kemi pasur për këto punime. Kjo ekspozitë po na jep një këndvështrim të ri. Mendoj se skena jugosllave ka qenë për një kohë të gjatë e privuar nga ekspozita të tilla, shpresoj që në të ardhmen do të ketë edhe ekspozita të tjera të tilla, të cilat intonojnë një të ardhme homogjene e artistike që në skenën jugosllave dhe evropiane kanë munguar”, shprehet njëri nga pjesëmarrësit.

“Përshtypja e parë kur hyra këtu qe ajo se ekspozita ishte e mrekullueshme, përndryshe në këtë hapësirë nuk është e lehtë të bësh ekspozitë”, shprehet një tjetër i pranishëm në videoincizimin që u shfaq mbrëmë, e i parapriu diskutimit. Një bashkëpunim i tillë do të mundësonte një urë komunikimi mes dy shtetesh”, ishin përshtypjet e një pjesëmarrësi tjetër.

Me rrëfimin e Shkëlzen Maliqit e Borka Pavicevic lidhur me ekspozitën e 97-ës, nis edhe libri “Rasti i Studimit Përtej”, i cili ngërthen një kronologji të ngjarjeve kryesore politike që kanë ndikuar në të dy shtetet, një kronologji kulturore e bashkëpunimeve të ndryshme që kanë ndodhur në mes kulturës së pavarur dhe botës së artit në të dyja shoqëritë, si dhe fragmente të intervistave me disa figura kyçe, ndërsa përmes fotografive edhe i vizualizon këto ngjarje e momente. Publikimi i këtij libri është pjesë e projektit “Përtej/Beyond/Preko 20 Vite” që është një bashkëpunim në mes Kosovo 2.0 dhe Center for Cultural Decontamination (CZKD).

Mbrëmë në Qendrën “Multimedia”, Kosovo 2.0 solli diskutimin se a kanë kontribuar këto bashkëpunime në ndërrim të diskursit të përgjithshëm në të dyja shoqëritë dhe sa kanë arritur ngjarjet kulturore të shkojnë përtej diskutimeve të marrëdhënieve politike në mes të dy shteteve.

Ky diskutim u moderuar nga kryeredaktorja e Kosovo 2.0, Besa Luci dhe fotografja Majlinda Hoxha ndërsa në panel diskutuan Shkëlzen Maliqi – filozof, kritik i artit dhe kurator i Përtej ’97, Borka Pavicevic – dramaturge, aktiviste kulturor dhe drejtoreshë e CZKD-së, Aleksandar Pavlovic – studiues dhe hulumtues i marrëdhënieve serbo-shqiptare, Jeton Neziraj – dramaturg dhe drejtor i Qendrës Multimedia dhe Lura Limani – kryeredaktore e Prishtina Insight.

Filozofi dhe kuratori i ekspozitës “Përtej ‘97”, derisa foli për ekspozitën theksoi se në atë kohë kjo ekspozitë në Kosovë ishte cilësuar si një bashkëpunim me “armikun”, ndërsa shtoi se kjo ekspozitë e ka afirmuar skenën e Kosovës pasi që ajo u prezantua më vonë edhe në vende të tjera.

“Ka tri vite që me Borken kemi biseduar, kemi bashkëpunuar shumë këto 10 vitet e fundit po ky ka qenë një nga projektet më të rëndësishme për skenën bashkëkohore në Kosovë. “Përtej” është njëfarë shifre se po e bëjmë një ekspozitë në Beograd në kushtet më të vështira të mundshme. Kur kemi shkuar në Beograd, shumica e kanë pritur një ekspozitë si në kohë të Jugosllavisë, me shumë si një lloj zhurme folklorike, nuk e kanë pasur idenë që në Kosovë mund të ndodhë diçka e tillë”, u shpreh Maliqi në fjalën e tij, duke kujtuar edhe momentin kur u pengua ta kaloi kufirin serb pa asnjë arsyetim, ndërsa shtoi se qysh para dy dekadash me ekspozitën “Përtej”, e kishin krijuar një moment utopik kinse është kapërcyer ai moment historik dhe kanë kaluar në një të ardhme ku ekziston paqja, edhe pse nuk kanë mundur t’i ikin krejtësisht realitetit të vrazhdë.

Borka Pavicevic, dramaturge, aktiviste kulturore dhe drejtoreshë e CZKD-s, atmosferën e ekspozitës së artistëve kosovarë e përshkruan si një prej atyre ngjarjeve ku atmosfera është nën sipërfaqe, e padukshme në fillim, që është lloji më i tensionuar dhe emocionues i një nisme: kur jo shumë zbulohet dhe madhështia është e heshtur.

“Historianët e artit Jovan Despotiviq dhe Dejan Sretenoviq po silleshin në oborrin e CZKD-së ndërsa unë, mikpritësja, isha shumë e zemëruar sepse nuk kishim asnjë gazetar, asnjë konferencë për shtyp, gjithçka ishte e minimizuar, e qetë, një mungesë para diçka-je të madhe. Unë nuk e kuptoja në fillim dhe synimi ishte të parandalohej një reagim paraprak dhe më vonë të shkaktohej një “skandal”, që ishte përsëritur dhe do të përsëritej me vite të tëra, para dhe pas ky ishte “provokim”, ose një ngjarje kulturore dhe artistike që ishte synuar qysh në gjenezë, kur ishte quajtur “temë e ndjeshme””, shkruhet në monografinë Rasti i Studimit “Përtej”.

Pavicevic tutje shkruan se “Përtej” ishte ekspozita e parë që ishte krijuar nën “çelësat” e përfaqësimit, por nga një përzgjedhje e lirë artistike e Shkëlzen Maliqit. Ekspozita u prodhua nga Dodona, një qendër kulturore dhe teatër në Prishtinë.

“Hapja e ekspozitës ishte festive dhe e lavdishme. Kishte plot njerëz- ishte ngjarje e jashtëzakonshme artistike dhe politike”, kështu e përshkruan Pavicevic hapjen e ekspozitës.

Aleksandar Pavlovic, studiues dhe hulumtues i marrëdhënieve serbo-shqiptare, thotë se kanë kaluar 20 vite nga kjo ekspozitë bashkëkohore kurse sot pyetja kryesore që duhet të shtrohet është nëse gjërat kanë ndryshuar.

“Është diçka komorative për këtë situatë, kjo ka qenë ekspozitë e artit bashkëkohorë para 20 vitesh, ndërsa tani pyetja shtrohet nëse gjërat kanë ndryshuar. Nuk jam i sigurt se mund të matim dëmin e shkaktuar nga një politikan i caktuar, një dron, apo një shqiponjë, apo një tren. Dëmet e tilla nuk mund të zhbëhen për 10 vjet. Nuk mendoj se është detyra jonë që të ndryshojmë gjithçka. Mendoj se gjëja më e mirë është që njerëz si Jetoni apo Borka kanë krijuar hapësira të caktuara kulturore të cilat mund të zgjerojnë audiencë të caktuar dhe kjo është për t’u vlerësuar”, ka thënë Pavlovic gjatë fjalës së tij.

Dramaturgu Jeton Neziraj mbrëmë tha se pasi që ka parë videon e ekspozitës dhe pas dëgjimit të shpjegimit të Shkëlzen Maliqit, për mënyrën e perceptimit të atij bashkëpunimi, tha se i është krijuar përshtypja se mënyra e perceptimit të këtij bashkëpunimi deri më sot nuk ka edhe shumë dallime dhe akoma ekziston termi i “tradhtarit”. Ai u shpreh se kohëve të fundit po shihet një lloj përpjekje politike për ta penguar këtë lloj bashkëpunimi ndërsa Qendra për Dekontaminim Kulturor në Beograd mund të cilësohet si Ambasadë Kulturore e Republikës së Kosovës në Beograd.

“Bashkëpunimi i cili është parë me entuziazëm dhe është promovuar prej skenës kulturore të pavarur në mes dy vendeve, ka filluar të ngushtohet, këtu e marr edhe shembullin e Teatrit “Bitef”, deri në një far periudhe ka qenë një hapësirë të cilën ne edhe “Mirëdita, dobar dan” e ka cilësuar si një lloj hapësire ku i ka prezantuar shfaqjet, në 2015 këto mundësi janë limituar dhe interesi prej disa artistëve dhe institucioneve kulturore atje është reduktuar dhe Qendra për Dekontaminim Kulturor ka mbetur si një lloj oaze gati e vetme e bashkëpunimit. Ndoshta kjo lidhet me zhvillimet politike, një klimë e re e cila këtë lloj bashkëpunimi jo që nuk e favorizon se nuk e ka favorizuar kurrë por edhe e pengon, kjo bazuar edhe në faktin se këtë vit ndodhën dy incidente të orkestruara dhe të miratuara politikisht”, u shpreh Neziraj në fjalën e tij.

Krejt në fund të këtij diskutimi, Lura Limani, kryeredaktore në Prishtina Insight u shpreh se arti dhe diskursi politik nuk duhet të shfaqet si i reduktuar përkundër rezistencë pasi që vet arti është konflikt dhe ajo çfarë ndodhë në skenën politike veç shtrihet në një sferë tjetër./ KultPlus.com

Ekspozita Arttenn Club solli një pasqyrë të jetës së adoleshentëve

Alberina Haxhijaj

Gerta Sahiti, Diona Krasniqi, Erza Qorroli, Odise Lokaj, Anton Junçaj, Nita Shala, Erika Arllati, Bora Shala, Eurta Salihu, Ideal Ndrecaj, Lum Gashi, Hana Puka, Blega Halimi dhe Zana Begolli për tre muaj kanë punuar së bashku në projektin Artteen Club. E pas kësaj kohë mundi i tyre është kurorëzuar me hapjen e ekspozitës së tyre të përbashkët në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Të 14-të pjesëmarrësit në ekspozitën Artteen Club-Laboratori i kreativitetit që nga muaji mars kanë punuar së bashku në projektin i cili u implementua në kuadër të programit të edukimit i cili vazhdon ende të zhvillohet në GKK. Punën e bërë gjatë këtyre muajve, nxënësit, të cilët vinin nga shkolla dhe qytet të ndryshme të Kosovës, e prezantuan para të pranishmëve mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Nxënësit pjesëmarrës në ekspozitë përmes punimeve shpalosnin dëshirat e tyre, shfaqnin detaje nga ambienti në të cilin janë rritur, ëndrrat, preokupimet, por edhe dashurinë dhe anën fëmijërore të tyre. Pikërisht këto elemente e bënin më të veçantë këtë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani, u shpreh e lumtur që ky institucion po mirëpret punën e këtyre artistëve të ri përmes të cilëve ajo uroi që edhe bota të dëgjojë në të ardhmen për artin në Kosovë.

“Programi i edukimit për ne është program shumë i rëndësishëm pasi që ne dëshirojmë që të promovojmë rritjen e publikut, duke pasur si vizitorë pikërisht fëmijët nga shkolla të ndryshme dhe sigurisht stimulimin e artistëve të ri”, tha ajo.

Koordinatorja e programit të edukimit, Vlora Hajdini-Hajrullahu, ka treguar se gjatë periudhës sa nxënësit ishin pjesë e këtij programi ata kanë marrë pjesë në kurse inovative përmes të cilave kanë zbuluar forma të ndryshme të shprehjes përmes artit.

“Gjatë këtyre muajve kemi kaluar një kohë mjaftë produktive së bashku dhe fëmijët të cilët kanë qenë mjaft aktiv dhe të interesuar për të njohur më shumë boten e artit dhe për të punuar në atë drejtim”, tha ajo.

E udhëtimi nga Ferizaj për të qenë pjesë e këtij programi nuk ka qenë një pengesë për Gerta Sahiti e cila ishte pjesëmarrëse.

“Kemi pasur ligjërata dhe punëtori. Në kuadër të punëtorive kemi pasur instalacione, zinë art dhe fotografi. E mirë e projektit është që kemi pasur punë individuale si pjesa zinë art dhe fotografitë por kemi punuar edhe së bashku si instalacionet të cilat janë më shumë punë kolektive”, tregoi ajo për KultPlus.

Krejt në fund, Gerta Sahiti e cila ka dy vite që ndjek kurse për pikturë dhe vizatim theksoi se më e rëndësishmja e këtij programi ka qenë të mësuarit se arti nuk është vetëm pikturë dhe vizatim por ka edhe forma dhe mundësi të tjera shprehëse. /KultPlus.com

Në GKK hapet ekspozita “Artteen Club-Laboratorit të kreativitetit”

Më 20 qershor me fillim nga ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, hapet ekspozita “Artteen Club-Laboratorit të kreativitetit”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë përmbyllëse e projektit me titull Artteen Club – Laboratori i kreativitetit, promovon punën e nxënësve, punë kjo që u realizua gjatë periudhës Mars – Qershor 2018 .

Ky projekt u implementua në kuadër të programit të edukimit i cili vazhdon ende të zhvillohet në GKK.

“Krijimet e këtyre të rinjve të cilat do të keni rastin t’i shihni në këtë ekspozitë do të ju lidhin direkt me sinqeritetin tyre e mbi të gjitha dëshirën e tyre për t’u shprehur përmes artit”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Rrugëtimi e kontributi historik i Ibrahim Rugovës erdhi i përmbledhur në ekspozitën e hapur në Muzeun e Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Ibrahim Rugova, Presidenti Historik i Kosovës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e identitetin e këtij shtetit. Të gjitha këto gjurmë erdhën të përmbledhura në një ekspozitë të vetme e tejet të pasur që është titulluar “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, shkruan KultPlus.

Bashkautorët e kësaj ekspozite Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, përmes saj sollën para publikut rreth 500 fotografi, të cilat paraqitnin imazhin e Rugovës mes buzëqeshjes e situatave serioze e poashtu edhe mes takimeve me përfaqësuesit më të njohur ndërkombëtar. Një pjesë e fotografive e tregonin Presidentin pranë njerëzve të tij të afërt, mes fushatave, pranë popullit e në përqafim të fëmijëve.

Kjo ekspozitë numëronte mbi 70 eksponate të ndryshme të Presidentit Rugova, të cilat përmbanin motive nga familja, krijimtaria letrare, politika, diplomacia dhe shtetësia. Mes dokumentesh, kishte dhe gazeta të cilat pasqyronin kontributin historik të Rugovës.

Dinamika e jetës e kontributi i pazëvendësueshëm i Rugovës, erdhi sot në Muzeun e Kosovës, i cili hapi dyert për një numër të madh vizitorësh, një pjesë e madhe e të cilëve i takonin Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çmimet e ndryshme, mirënjohjet e Presidentit Historik, busti i tij, plisi që e kishte vënë në kokë e deri tek kostumi personal me të cilin Rugova prezantohej gjatë vizitave me personalitete vendore e të huaj.


Në njërën dhomë të ekspozitës ishte vendosur zyra e Presidentit Historik, e krejt në fund të ekspozites qëndronin pamjet e ceremonisë mortore, aty ishte i palosur edhe flamuri dardan me të cilin edhe iu dha lamtumira e fundit Rugovës. Në gjithë këto gjëra binte fort në sy Vula e Presidentit Historik, që aq sa është e gdhendur në memorien e të gjithëve e vendosur në çdo hapësirë dukej sikur e bënte më të dukshme frymën Rugoviane.


Pas hapjes së ekspozitës, Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, ishin udhërrëfyesit e Presidentit Thaçi, e familjes Rugova. Fana Rugova mes emocionesh shprehte falënderimin ndaj Krasniqit e Rracit për këtë përmbledhje të ekspozitës.

Para se të hapej ekspozita, Presidenti Thaçi kishte pritur Familjen Rugova, të cilëve u kishte dhuruan medaljen presidenciale të 10 vjetorit të Pavarësisë për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova. Thaçi tha se ndihet i nderuar që sot erdhi në hapjen e kësaj ekspozite, në shënimin e kësaj dite simbolike që njihet si Dita e Presidentit.

“Jam i nderuar që sot jam në mesin tuaj me hapjen e kësaj ekspozite me rastin e shënimit të kësaj dite simbolike, dita e Presidentit. Para se të vij këtu kisha nderin dhe kënaqësinë të ndaj çmimin për Presidentin Historik, Çmimin për Liri dhe Pavarësi, që ndahet për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pra çmimin e meritave”, u shpreh fillimisht Thaçi.

Ai tutje u shpreh se kushdo që e viziton këtë ekspozitë do të ketë mundësi të bëj një kthim në kohë në vitet e rënda e tragjike të këtij vendi, e të cilat pashmangshëm lidhen me emrin e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova.

“Lëvizja për Pavarësi e Kosovë si në dimension politik edhe në atë ushtarak i bënin bashkë politikanët, intelektualët, ushtarakët, gra dhe burra, pleq dhe të rinj me një qëllim të vetëm. Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm gjeneratë pas gjenerate se kjo u fituar me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe, ku rol të pazëvendësueshëm ka Presidenti Ibrahim Rugova”, u shpreh tutje Thaçi, duke shtuar se UÇK ishte lëvizja më e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore, e që kombinimi i këtyre dy komponentëve rezultoi me unitetin qytetar e përkrahje masive të ndërkombëtarëve për Pavarësinë e Kosovës.

Njeri komunikativ, të dialogut, të negociatave, njeri të durimit e pajtimit, si njeri të vizionit, e cilësoi sot Thaçi, Ibrahim Rugovën.

Pas tij fjalën e mori ish- Kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi i cili tha se këto fotografi flasin më shumë se çdo fjalë që mund ta thotë ai. Më pas ai theksoi kombinimin e tre faktove meritor për shtetin e Kosovës.

“Kjo rezistencë paqësore që është bërë për dhjetë vite e që e ka udhëhequr Ibrahim Rugova e ne kemi qenë vetëm “hyzmeqarë”, nuk po e them me një modesti të rrejshme por ashtu qëndron puna. Kjo rezistencë e ka përgatit “shtratin” për Pavarësinë e Kosovës, po ashtu patëm edhe komponente e rezistencë të shqiptarëve dhe e treta është se duke e pasur sponsorin e fortë, SHBA-në arritëm që shteti i Serbisë të largohet nga këtu”, u shpreh Bukoshi.

Në mesin e shumë politikanëve, e vizitorëve që po e ndiqnin nga afër ekspozitën ishte dhe historiani Gani Mehemetaj, i cili tha se kjo ekspozitë paraqet një organizim shumë të mirë dhe mënyra e organizimit të fotografive është mjaft reprezentative.

“Kjo është një biografi jo vetëm e Presidentit Rugova por e ngjarjeve dhe viteve të 90’ta që prezanton zhvillimet politike të asaj kohe. Unë i pash me shumë interesim dhe pjesa e dyzetë viteve është prezantuar këtu. Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh që e kemi pasur ndonjëherë dhe mënyra se si është prezantuar është reprezentative dhe e paraqitur mirë”, u shpreh Mehmetaj për KultPlus.

Kjo ekspozitë do të qëndroi e hapur deri në muajin shtator, duke i dhënë mundësinë edhe qytetarëve të diasporës që të vijnë dhe ta shohin atë nga afër në Muzeun e Kosovës./ KultPlus.com

“Edi Hila–Piktori i Transformimit”, me piktura të jashtëzakonshme në GKA

“Edi Hila–Piktori i Transformimit”, kështu titullohet ekspozita që do të çel sezonin e ri artistik në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita e parë retrospektive e piktorit Edi Hila do të çelet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve . Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi ndjekësit në facebok me ftesën për të ndjekur pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës.

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë ftesë për të kaluar një moment magjie artistike në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ekspozohen nga sot pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ai jeton dhe punon në Tiranë.

Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim i rëndësishëm në punën e Hilës.

Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri filloi ndëshkimi i shfaqjeve me influenca të huaja në art dhe kulturë. Si pasojë u kritikua Mbjellja e Pemëve si dhe dekori i Festivalit të 11-të. Mbjellja e Pemëve u cilësua si një pikturë me një ekspresivitet të theksuar që devijonte nga doktrina e realizmit socialist e të cilës i mungonte e ashtuquajtura “frymë revolucionare”. Për këto arsye, kjo pikturë së bashku me dekorin e Festivalit të 11-të, shërbyen si bazë për dënimin e Hilës, duke e dërguar për riedukim në fabrikën e rritjes së shpendëve në vitin 1974. Largimi nga realizmi socialist, i kushtoi Hilës tre vite në fabrikë, ku detyra e tij kryesore ishte transporti i thasëve. Gjatë viteve 1975-1978, ai krijoi fshehurazi një seri vizatimesh e grafikash në akuarel, motivet e së cilës frymëzoheshin nga puna dhe jeta e punëtorëve të fabrikës së pulave.

Në vitet 90-të, Hila vazhdoi të pikturojë duke kërkuar rafinimin e qëndrimit të tij estetik, duke e vëzhguar me kujdes jetën teksa ndryshonte thelbësisht pas rënies së regjimit komunist dhe duke u përpjekur të paraqesë realitetet e transformimit shqiptar. Hila krijoi serinë novatore Komfort (1997) gjatë krizës së thellë që pasoi rënien e skemave piramidale, e cila çoi vendin në një kaos të gjithanshëm. Seria paraqet utopinë e konsumit të pashtershëm që i ishte premtuar shoqërisë së re.

Hila kryesisht krijon seri mbi një temë të caktuar përgjatë disa pikturash. Seritë më të rëndësishme të Hilës përfshijnë Paradoks (2000–2005), Marrëdhëniet (2002–2014), Kërcënimi (2003–2009), Objekte anash rrugës (2007–2010), Penthouses (2013), Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit (2015) dhe Tenda mbi Çatinë e Makinës (2017). Të punuarit në mënyrë tematike i zhvesh transformimet e Evropës lindore nga rastësia apo aventura, të cilat gjënden rëndom në shumë interpretime të tjera të këtij fenomeni në rajon. Duke i dhënë këtyre transformimeve peshën e të vërtetave thelbësore, duket sikur është ai, pra artisti, kronisti i fundit i tyre.

Realizmi i pikturës së Hilës është i veçantë, i bazuar në vrojtimin e vëmendshëm të detajeve, të cilin ai e shfrytëzon për të përçuar të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar. Ky reduktim thelbësor vjen nga prirja e Hilës ndaj klasicizmit si dhe magjepsja me burimet e pikturës rilindase. Duket sikur modernizmi ka avulluar nga fusha e interesave të tij. Ndaj transformimi i paraqitur në punën e Hilës përcjell një përçarje e sulm ndaj rregullit dhe harmonisë. Ndërkohë, rrënjët e punës së tij ndodhen në dilemat njerëzore, e këto vështirë se mund të fshihen pas shëmbëlltyrës së modernizimit.

Edi Hila: Piktori i Transformimit është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë./a.g/

Në Muzeun e Kosovës hapet ekspozita për Presidentin Historik Ibrahim Rugova

Sot më 24 maj në Muzeun e Kosovës-Sektori i Historisë, hapet ekspozita me titull “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen me bashkautor Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci.

Ekspozita hapet sot me fillim nga ora 13:00 ndërsa ky eveniment bëhet me rastin e ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Një angleze e mahnitur nga Skënderbeu

Muzeu Historik Kombëtar çel ditën e martë, datë 08 maj ora 11:30, ekspozitën “Jehona përmes shekujve-Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me koleksionin e Patricia Nugee, i cili përbëhet nga 37 libra unikë.

Kjo ekspozitë, mbi figurën e Heroit Kombëtar, i cili ka tërhequr vëmendjen e historianëve, por edhe të shkrimtarëve evropianë përgjatë shekujve, çelet në kuadër të “Javës së Europës” dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave të ndryshme historike dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë përqasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.

Disa vite më parë anglezja Patricia Nugee ka prezantuar në Qendrën Kulturore të ushtrisë këtë koleksion të rrallë me vepra mbi Skënderbeun. Në koleksion janë botime të rralla nga autorë si Lavardin,Jean de Bussieres, Plutarku, Frank Bardhi e Marin Barleti. Nisur nga pasioni I saj mbi historinë Patricia prej vitesh nisi një hulumtim mbi jetën e Skënderbeut, për të blerë më pas çdo libër që fliste mbi jetën e tij. Sot ky koleksion I cili vlen shumë, është një pasuri që e sjell jetën e heroit tonë përmes rrëfimeve tepër interesante. Nugee njihet botërisht dhe është vlerësuar edhe me mirënjohje nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për pasionin e rrallë dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar heroit tonë kombëtar të shkruar në rrjedhën e shekujve, shkruan GSH.

Sot keni një koleksion të madh librash mbi Skënderbeun. Si u njohët fillimisht me të?

Ka ndodhur shumë vite më parë. Unë punoja në një librari të madhe në Londër, ku kishte libra antikuarë nga e gjithë bota. Një ditë erdhi një klient dhe më pyeti nëse kishim libra mbi Skënderbeun. Unë i thashë që nuk kishim. U bëra kurioze të dija kush është Skënderbeu dhe fillova kërkimet mbi të. Kur mësova se cila ishte figura e Skënderbeut, m’u duk mjaft interesante dhe s’u ndava kurrë më prej tij. Përveçse interesant, ai më shfaqej gjithnjë dhe më i rëndësishëm. Kështu unë bleva librin e parë për të. Libri i takonte vitit 1595. E më pas dalëngadalë, unë bleva libra të tjerë sa herë gjeja botime për të.

Kushtonin shumë librat?

Jo. Kur unë fillova të blija, ishin çmime të përballueshme. Më saktë deri në vitet 1980-1990 ata kushtonin pak, ndërsa pas këtyre viteve kushtojnë një ‘djall e gjysmë’. Edhe me çmime të larta kam blerë dy syresh. Përpiqem të mos humbas ankandet ku di që mund të ketë libra për të, por njëherë edhe e kam humbur.

Prej sa vitesh i koleksiononi këta libra?

Ka më shumë se 30 vite, më shumë se kaq. Janë libra që nuk gjenden shumë lehtë. Kur kam blerë librin e parë ka qenë shumë emocionuese. Kur merresh me koleksionim, duhet të kesh kujdes sepse ndonjëherë nuk janë vërtet libra të vjetër.

Sa libra keni ju për heroin shqiptar?

Libra që janë shkruar përpara vitit 1800, kam rreth 36. Këtu kam sjellë një pjesë të koleksionit tim. Janë libra të shkruar në gjuhë të ndryshme për Skënderbeun dhe nga autorë të ndryshëm. Secili prej autorëve jep dimensionet e tij të mëdha dhe përcjell historinë e luftës së tij. Emrat e autorëve që unë sjell janë Marin Barleti, që ka edhe veprën më të vjetër, 1510; Frang Bardhin origjinal me “Fjalorin” e vitit 1635; Jean Nicolas Duponcet “Historia e Skënderbeut, mbret i Shqipërisë” 1709; Giovanni Maria Biemi me “Historia e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe” 1742; “Ritrati et logi di capitani illustri”, Giulio Rosio 1646; “Scanderbeg: or love and liberty” i Thomas Ëhincap 1747; Jean de Bussieres me “Scanderbeg, poem” 1656-1658; një vepër nga Andrea Gambini 1652; por kam edhe një libër të Plutarkut, ku mes 20 personalitetesh të grekëve e romakëve ndër të tjera vë edhe jetëshkrimin e Skënderbeut. Ky i takon vitit 1657.

Cilët janë më të vjetrit?

Libri më i vjetër është ai i Marin Barletit, “Scanderbeg. Historia de vita et gestis”, i vitit 1510.

Keni lexuar ndonjë prej tyre?

Jo, janë latinisht dhe unë nuk di latinisht. Unë mundem të lexoj frëngjisht, italisht, spanjisht, por vetëm kaq.

Çfarë dini për Skënderbeun?

Jo edhe aq shumë. Unë nuk jam historiane apo studiuese, jam thjesht koleksioniste. Di që ka qenë një prijës mjaft i rëndësishëm dhe i vetmi që ka mundur të sprapsë turqit. Ai vdiq shumë i ri. Mbase ai do të kishte ndryshuar të gjithë Europën dhe pse jo, do t’i kishte mundur turqit sërish. Ata ishin në Shqipëri për 500 vite dhe nuk e lejuan vendin të zhvillohej. Jo vetëm që ju vranë, por dhe nuk u kujdesën për vendin, ndërtuan vetëm disa ura apo disa xhami. Kaq! Nuk lejuan shkollat, nuk lejuan as gjuhën.

Ju keni ardhur disa herë në Shqipëri…

Po kam ardhur disa herë. Kur vij, qëndroj në shtëpinë e Ilir Kadisë, të cilin e njoh prej kohësh dhe kam një raport të mirë me të gjithë familjen e tij.

E njihni historinë e Shqipërisë ndopak?

Di disa gjëra, por edhe po mësoj çdo ditë ndonjë gjë të re.

A ka ardhur ndokush t’ju kërkojë ta blejë koleksionin tuaj?

Po, kanë ardhur. Por unë nuk i shes. Ato janë koleksioni im dhe nuk ia jap asnjërit. Një ditë ai do të kthehet në Tiranë, kur unë të mos jem më.

Ju kanë ofruar para?

Po, shumë para, por unë ndërroj mendje.

Ju njihni shumë shqiptarë, studiues e shkrimtarë. Kanë ndikuar ata në marrëdhëniet tuaja me vendin tonë?

Mbase po. Kam takuar njëherë Moikom Zeqon dhe i ka pëlqyer shumë koleksioni im. Këtë koleksion e kam dërguar në shumë ekspozita, si në Universitetin e Kembrixhit, në BBC Londër, në Shkup, Prishtinë, Ulqin, Kalabri etj.

Keni menduar të shkruani kujtimet tuaja, mbase edhe të flisni për këtë pasion tuajin?

Jo, nuk dua t’i shkruaj kujtimet. Shumë vetë e bëjnë këtë, por mua nuk më pëlqen. Ka qenë një ndër gjërat më të bukura që kam bërë në jetë, koleksionimi i këtyre librave. E them këtë sepse kam takuar njerëz të mrekullueshëm dhe kam mësuar gjëra shumë interesante. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Unë vij edhe për pushime këtu, e jo vetëm kur kam aktivitete. Kam takuar edhe kryeministrin Berisha dhe i kam folur si burri-burrit (qesh). Ai kishte një sens të madh humori. Mua më pëlqejnë shumë ushqimet shqiptare.

E keni vizituar Kalanë e Krujës?

Po, kam qenë atje dhe më ka pëlqyer shumë, ashtu si edhe Pazari i Krujës. Kishte objekte tradicionale shumë të bukura dhe kam blerë disa gjëra.

Si koleksioniste që interesoheni për Skënderbeun, si i shihni studimet e viteve të fundit, që në një farë mënyre hedhin baltë mbi të?

Ju e keni fjalën për librin e Oliver Shmit. Epo, kam marrë vesh se ka qenë hapur një debat i madh për librin e tij. Mendoj se s’ka thënë asgjë me mend. Jam e lumtur që jam këtu dhe falënderoj Arben Imamin që e bëri të mundur çeljen e kësaj ekspozite me rastin përvjetorit të Kuvendit të Lezhës./ KultPlus.com

Lyra Zajmi, shpalosi punimet e gjashtë cikleve të punës së saj në Monet (FOTO)

Gili Hoxhaj

Galeria “Monet” mbrëmë ishte mbushur nga veprat e autores Lyra Zajmi, e përballë këtyre veprave vinin jo dhe pak vizitorë. Gjashtë cikle të punës së saj ndër vite erdhën të përmbledhur në këtë ekspozitë. Ajo kishte zgjedhur një numër të caktuar të punimeve për secilin cikël të saj.

Punimet e saj janë përmbledhje e punës së artit aplikativ, ndërsa në mesin e punimeve janë të vendosura disa postere, fotografi digjitale, grafikë digjitale. Figura e Nënës Terezës qëndron në hyrje, para të gjitha punimeve të tjera, më pas publiku ndeshej me një “Memorybox”, dhe me një sy që të tërheq për shkak të figuracionit e ngjyrës së tij, e poshtë mban mbishkrimin “Therra në sy”.

Në fotografinë e saj nuk mungonin as krijimet tipografike, nënjërën nga punimet, disa herë njëtrajtshëm përsëritet “There’snothing permanent exceptchange”, thënia e njohur e filozofit të lashtë Heraklitit që në shqip nënkupton “Asgjë nuk është e përhershme përveç ndryshimit”. Po ashtu aty nuk mungonin as homazhet që autorja u ka bërë disa nga autorëve më të njohur, pikërisht aty del më shprehës kreativiteti i saj krijues. Punimet e saj vijnë të punuara me një precizitet e teknikë të përvetësuar, veçmas sa i përket aspektit digjital të saj.

Autorja Lyra Zajmi tregoi se është befasuar me pjesëmarrjen e njerëzve që kishin ardhë ta shohin ekspozitën e saj ndërsa tregoi për KultPlus se punimet e saj përfshijnë kryesisht dhjetë vitet e fundit të punës së saj.

“Siç duket kjo ekspozitë ju pëlqen shumë njerëzve sepse nuk është vetëm një cikël dhe ka teknika të ndryshme. Jam e habitur me pjesëmarrjen e njerëzve sonte dhe pjesëmarrja e grup moshave e bën edhe më të veçantë pasi që këtu po shoh studentë të mi dhe njerëz më të moshuar, njerëz që nuk i kam parë një kohë të gjatë”, u shpreh Lyra Zajmi.

Me një stil modern, përmes abstraktes e reales, ajo tha se dizajni është vet mesazhi andaj edhe ajo përpiqet që me punimet e saj të komunikoj vet mesazhin.

“Gjithmonë një gjë ua them edhe studentëve të mi, të jeni të qartë në punimet e juaja, të komunikoni se çfarë doni të thoni me atë që e keni punuar”, tregoi Lyra Zajmi për KultPlus.

Kuratori i ekspozitës, Astrit Salihu tregoi se me kënaqësi e përcjellë punën e Lyres dhe arsyeja përse me kënaqësi mundohet të reflektoi mbi punimet e Lyra Zajmit është fakti që Lyra sjellë provokime vizuele në eksplorimin e artit optik.

“Sado që duket në shikim të parë e formalizuar, megjithatë brenda punimeve kemi eksplorime të sferave të reja në art, sidomos në tendencat e reja të artit digjital, artit fraptal të gjenerimit kompjuterik. Natyrisht këto kërkime janë vetëm në nismë sepse po shohim zhvillimet e teknologjive të reja por kjo nuk flet aspak për atë se këto teknologji të reja po absorbojnë artin përkundrazi kreativiteti i artistit mundet t’i instrumentalizoi këto teknologji”, tha kuratori Salihu ndërsa shtoi se punimet e saj nuk janë vetëm repiticione por edhe ironizomë që flasin për utopinë liberale të një shoqërie sa më ironike dhe këto reputicione mbajnë vulën e origjinalitetit sidomos dhe në referencat e veprave të kaluara.

Lyra Zajmi ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve, drejtimi i Disenjit Grafik. Studimet pasdiplomike – master i vijoi në Universitetin e Beogradit, Fakulteti i Arteve Aplikative, në lëmin e Komunikimeve Grafike si dhe në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve, në lëmin e Komunikimeve Vizuale. Është anëtare e shoqatave profesionale në Kosovë dhe Kroaci. Nga ekspozitat individuale dhe kolektive veçohen ato në Kroaci (Zagreb), Kosovë (Prishtinë, Prizren, Pejë) dhe në Shqipëri (Tiranë, Berat, Shkodër, Fier). Është fituese e çmimit “Marketing DistinctionAward” të ColumbusPress-it për Komunikim promotiv. Ligjëron në Fakultetin e Arteve të Bukura në Prishtinë.

Ata që duan t’i shohin punimet e artistes dhe profesoreshës, Lyra Zajmi, kjo ekspozitë do të qëndroi e hapur deri më 2 maj në Galerinë “Monet”./ KultPlus.com

Visar Mulliqi sjellë ekspozitën ‘100% Original’

Artisti Visar Mulliqi do të hapë ekspozitën e tij të radhës në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Ekspozita e titulluar “100% Original” është kuruar nga Zeni Ballazhi, shkruan KultPlus.

Në krijimtarinë e piktorit Visar Mulliqi paraqitet një pikturë ekspresioniste figurative e dimensioneve të ndryshme me një fuqi emocionale të figurës dhe formave të pastra estetike.

“Pikturat e Visar Mulliqit plotësojnë lidhshmërinë tek njëra-tjetra, sigurojnë një dimension ekspresionist, e që ngrit shikueshmërinë dhe kënaqësinë tek publiku. Këto piktura për nga vlerat e tyre, justifikojnë plotësisht interesimin dhe vlerësimin e lartë të profesionistëve dhe artdashësve të shumtë, si dhe nga vetë piktori i cili i koncepton si “100% Origjinale”, thuhet në njoftim.

Ekspozita e artistit Visar Mulliqi do të hapet më 26 prill në ora 19:00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë./ KultPlus.com

Lorik Sylejmani, solli një kombinim të pazakontë të elementeve përmes “Eja të shohësh vetminë” (FOTO)

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës është bërë hapja e ekspozitës “Eja të shohësh vetminë”. Të pranishmit patën mundësinë të shohin një përzgjedhje të punës së artistit Lorik Sylejmani e cila erdhi përmes 24 punimeve. Punime këto të cilat ishin edhe një ftesë për të hyrë në botën e artistit duke reflektuar njëkohësisht edhe mbi vetminë.

Artdashësit të cilët ishin të pranishëm arritën të kuptojnë se vetmia sipas Sylejmanit është një ndër vetit kryesore të njerëzimit. Mirëpo pikërisht vetminë artisti e sheh si gjendje dhe nuk e konsideron një emocion. Këtë ai e zbuloi në intervistën që dha për KultPlus.

“S’jam bazuar në emocion por vetminë e kam marrë si gjendje. Është një gjendje të cilën nuk mund ta paracaktojmë por mund të ndodh vetvetiu. Në këto njëzet vite punë është vështirë të bëhet një përzgjedhje, por kur e vendos temën e ekspozitës është akoma më e vështirë të përshtatësh punët dhe të bësh një përzgjedhje në katër hapësira”, tha ai duke shtjelluar tutje disa konceptet që fshiheshin brenda këtyre hapësirave.

Ekspozita e ndarë në dhoma fillonte me “Dhomën pa pamje”, totalisht të vetmuar. Pikërisht në hyrje të kësaj hapësirë artisti ka përdorur tingullin si element për të bërë një vepër artistike. Artisti i cili ka një lidhje të përjetshëm më muzikën ka zgjedhur këngën “God Save the Queen” nga Sex Pistols, duke marrë kështu gjurmët e zërit të këngës dhe duke i shtrirë në flamurin anglez. Po ashtu në këtë cikël të punëve me tingull ai shfaq edhe punën ‘Marcele Duchamp zbret shkallëve’.

Ndërsa “Dhoma e Lou Reed dhe Laurie Anderson”, e që ai i kishte idhuj kohë më parë, paraqet punime të magjistraturës së viteve 1996-1997. Punime të cilat artisti më nuk i posedon pasi që janë shitur por që ai i riciklon, ripunon ndonjë herë edhe duke i ndryshuar ato.

Në dhomën e tretë “Arti imiton jetën”, paraqiten punime me panterna të ndryshme, të cilat artisti i ka imituar nga copat e shtofit të cilat i ka blerë, duke ricikluar kështu materialin dhe duke ridizajnuar atë.

Ndërsa në dhomën e katërt “Videoplex”, paraqiten dy video. Aty këngës “Rabini” nga grupi Bankrot e cila nuk ka videoklip, i është realizuar një i tillë përmes montazhesh së artistit. Kështu në videoklip shihet artisti në ditën e tij të parë në shkollë, lindja e vëllai të tij dhe dasma e dajës së artistit. Filmi i fundit është “Won’t you come and see loneliness”, Një film eksperimental 5 minuetesh prej të cilit edhe ka marrë emrin ekspozita.

Enë hyrje të galerisë qëndronte i vendosur mbishkrimi “Video sex” të cilën artisti e konsideron edhe si deklaratë e tij të fundit.

“Nëse e merr vetminë, njerëzit në dashuri e kërkojnë shpëtimin, e ajo është ideja kryesore. Mirëpo sot mund ta konvertosh edhe në këto proceset, ngacmimet seksuale që po ndodhin. Pas dy a tri vitesh mund të dëgjojmë një burrështetas i huaj që ka pasur një skandal seksual dhe ta lidhës me atë pra është një temë që riciklohet çdo herë”, tha ai duke shtuar se elementi që i bashkon të gjitha këto punime të prezantuar është vetmia.

Kjo është ekspozita e parë e artistit që nga pas lufta, në qytetin e tij të lindjes. Mungesë mund të arsyetohet pasi që ai më shumë ka marrë pjesë nëpër ekspozita ndërkombëtare. Pikërisht për këtë rikthim të tij në Prishtinë artisti e falënderon drejtoreshën e Galerisë Arta Aganin dhe gjithë stafin për punën që kanë bërë, duke e quajtur këtë ekspozitë, një kurorëzim të punës së tij 20 vjeçare.

E në anën tjetër ky kombinim i elementeve të ndryshme në këtë ekspozitë sipas drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës mund të kuptohet duke kujtuar se cilës gjeneratë i takon artisti, e të cilën ajo e quan ‘Change-gen’.

“Në ekspozitën “Eja të shohësh vetminë” artisti përfundon duke tërhequr vëmendjen kah vetja si vëzhgues i pazëshëm i çmendurisë konsumatore dhe integritetit të kompromentuar njerëzor, duke u distancuar nga to me një barrierë vetmie si faktor i refleksionit të thellë” është shprehu Arta Bunjaku.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 11 maj 2018./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e pullave postare të Kosovës

Sot Posta e Kosovës prezantoi ekspozitën e pullave postare në kuadër të ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës për nder të vitit jubilar të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Eksponatet e pullave postare, paraqesin një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e Kosovës që nga viti 2000, si dhe afirmimin dhjetëvjeçar të Kosovës, që nga shpallja e Pavarësisë e deri më tani.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për qytetarët ku mund të njihen nga afër me pullat postare të Kosovës.

“Përgjatë periudhës 18-vjeçare, kemi emetuar pulla postare me pamje të trashëgimisë kulturore, me imazhe të heronjve, dëshmorëve, të personaliteteve me famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Kemi promovuar florën vaskulare të Kosovës, pastaj të arriturat në kulturë, në art dhe në sport”, thuhet në një komunikatë nga Posta e Kosovës.

Filatelia e Postës së Kosovës gjatë vitit të kaluar është shpërblyer me dy çmime prestigjioze ndërkombëtare. Për pullën postare më të bukur në Botë “Shenjtërimi i Nënës Terezë” nga organizata International Philatelic Prize “Saint Gabriel”, në Verona të Italisë, si dhe çmimin tjetër për vendin e 5-të me pullën më të bukur postare “Evropa 2016 – Mendo gjelbër”, në ekspozitën ndërkombëtare “Grand Prix De L’Exposition Ëipa” të mbajtur në Austri./ KultPlus.com

Ekspozita “Vizatimi sot”, një pasqyrë 40 vjeçare e vizatimit në Kosovë

Alberina Haxhijaj

Adem Rusinovci, Agim Salihu, Alije Vokshi, Artan Balaj, Artan Hajrullahu, Burim Canolli, Esat Valla, Fjoruntina Sylejmani, Hysni Krasniqi, Jeton Muja, Leunora Salihu, Mehmet Behluli, Musa Prelvukaj, Nebih Muriqi, Orhan Kurtolli, Rexhep Ferri, Shpend Qeriqi, Shyqri Gjurkaj, Veli Blakçori dhe Vlora Hajrullahu janë bashkuar mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës përmes punimeve të tyre duke sjellë kështu një pasqyrë 40 vjeçare të vizatimit në Kosovë.

Artdashësit të cilët e vizituan ekspozitën “Vizatimi sot”, e realizuar me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, arritën që të marrin një përshkrim të tranzicionit që ka pësuar vizatimi ndër vite në Kosovë. Madje përmes vizatimeve arritën që të kuptojnë se cilat kanë qenë ngjarjet apo proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova e që kanë lënë gjurmë në veprimtaritë e artistëve. Gjithë kjo pasi që vizatimi paraqet shumëllojshmërinë përmes mediumeve që artistët kanë zgjedhur si dhe motiveve të shumëllojshme me të cilat ata konfrontohen si krijues.

“Portret”, “Muret”, “Vetmi e madhe”, “Nostalgjia”, “Vizatim në autobus”, Mëngjesi i Orfeut”, “Kthimi në shtëpinë e djegur”, “Furtuna”, “Larg dhe afër”, “Torzo në mal”, “Qele zemrën”, “Çelësi i jetës”, “Qyteti im”, “Jeta është e bukur”, “Gurët në hapësirë”, “Shikimi brenda humnerës”, “Kolltuku”, “Retro copë”, ishin disa nga punime e sjella në këtë ekspozitë, të cilën drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani e konsideroi të rëndësishme për faktin se në qendër ka vizatimin.

“Për këtë ekspozitë kemi vendosur që t’i qasemi një disipline, një formë të artit e cila nuk trajtohet shpesh nëpër ekspozita. Vizatimi është zgjedhur pasi që është forma e parë e komunikimit ndër njerëzor dhe atij mes gjeneratave. Po ashtu vizatimi është forma më e sinqertë në të cilën nuk ka hile, dhe vizatimi mund të jetë ose i mirë ose i keq por nuk ka mes”, u shpreh ajo duke sqaruar se ky vit ka filluar mbarë për galerinë edhe për faktin se artisti Rexhep Ferri, ia ka dhuruar galerisë vizatimin ‘Portreti i dyfishtë”.

Kjo është e rëndësishme pasi që koleksioni të cilin e posedon galeria nuk është përtërirë me vite.

Në mesin e artistëve pati edhe tre artistë kosovarë nga diaspora të cilët në mënyrë të suksesshëm janë duke e përfaqësuar vendin e tyre si artisti Shyqri Gjurkaj që jeton në Suedi. Pastaj Leunora Salihu e cila tashmë po njihet në Evropë e veçanërisht në Gjermani, dhe Artan Balaj i cili jeton dhe vepron në Belgjikë.

Kuratori i ekspozitës, Ismet Jonuzi tha se realizmi i një ekspozite e cila përmban punime të 20-të artistëve ishte një procedurë e vështirë dhe e këndshme njëkohësisht.

“Artistët janë kryesisht ata që e përfaqësojnë të sotmen dhe janë të moshave të ndryshme, që nga ata që kanë formuar Fakultetin e Arteve në Prishtinë e deri të gjenerata më e re që sapo ka përfunduar Fakultetin e Arteve. Vet titulli dhe koncepti i ekspozitës “Vizatimi sot” ka të bëjë me të sotmen, dhe më atë se çfarë po ndodh me vizatimin sot në skenën e artit pamor dhe një pasqyrë e saj. Natyrisht që në këtë hapësirë nuk mund të përfshihen të gjithë dhe kjo është vetëm këndvështrimi im si autor për të përfaqësuar këta artistë në mesin tuaj”, u shpreh ai.

Një ekspozitë e tillë mirëpo me artistë nga Shqipëria ishte menduar që të shfaqej edhe në Tiranë në të njëjtën kohë mirëpo që për shkaqe të caktuar një gjë e tillë nuk ka arritur që të realizohet. Për piktorin Agim Salihu realizmi i një ekspozite të tillë do të ishte i mirë për faktin se vizatimi trajtohet ndryshe në Shqipëri dhe në Kosovë. Sipas tij në Shqipëri i bëhet një trajtim shumë i mirë vizatimit klasik kurse në Kosovë atij bashkëkohorë.

“Që një kohë të gjatë nuk janë bërë ekspozita të vizatimit dhe kjo tregon një pasqyrë të mirë se çfarë po ndodh me vizatim në Kosovë. Vizatimi ka një traditë të gjatë mirëpo për një kohë ka qenë i lënë anash edhe përkundër faktit se vizatimi ka një rëndësi të madhe pasi që gjithçka realizohet prej një fryme dhe nuk mundet shumë me improvizu, pra është një materie ku tregohet një profesionalizëm shumë i madh”, u shpreh Salihu për KultPlus, duke theksuar se Kosova duhet të prezantojë vetën në botë pikërisht përmes artit.

Ekspozita synon të paraqesë realitetin krijues të skenës së artit pamor aktual por edhe tendencat e reja nga artistët e rinj, e që i bashkon të gjithë në një koncept të vetëm. Por disa prej tyre në mesin e të cilëve është edhe Jeton Muja paraqesin edhe realitetin në Kosovë, përmes video instilacionit, dhe vizatimeve të tij.

“Në vitin 2015 kur kosovarët filluan që të emigrojnë, emigracioni u bë një preokupim i imi si qytetar por edhe si artist. Kjo temë më ka ngacmuar dhe kam filluar ta zhvilloj dhe gjithë puna që kam bërë është në autobus. Koncepti është i tillë që autobusi vizatonte me dorën time”, pohoi ai për KultPlus, duke shtuar se vizatimet janë bërë gjatë udhëtimit në autobus edhe jashtë Kosovës si në Holandë, Romë, Zvicër, Belgjikë, Gjermani e vende të tjera.

Artistët e përzgjedhur tregojnë ecurinë e piktorëve, skulptorëve, grafistëve dhe artistëve medial, që aktualisht janë aktiv në skenën e artit bashkëkohor kosovarë. Kjo i ka lënë përshtypje edhe artistes Vlora Hajrullahu.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesëmarrëse me punimet e mia në këtë ekspozitë pasi që jam bashkëpjesëmarrëse me disa nga profesorët e mi të cilët tani i kam edhe kolegë. Vizatimi akoma vazhdon të përdoret në punime e mia edhe pse kam bërë ndryshime shumë. Pra vizatimi mbetet por i përshtatur më ngjyrën dhe i harmonizuar me pjesën tjetër”, tregoi ajo për KultPlus, duke theksuar se është pikërisht teksti i cili e shtynë që të hyjë në koncept të vizatimit.

Ekspozita e hapur më 15 shkurt do të qëndrojë përgjatë këtij muaji në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Hapet ekspozita shitëse me punime në qeramikë, kushtuar Shën Valentinit (FOTO)

Këtë të mërkurë do të hapet ekspozita e parë shitëse me punime në qeramikë, në galerinë Monet Art & Books, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë i kushtohet festes se Shën Valentinit. Në këtë ekspozitë do të marrin pjesë autorët nga Shqipëria, Sadik Spahija dhe Merita Selimi, si dhe artistë vendorë Laura Sllamniku Kryeziu dhe Veli Blakcori. / KultPlus.com

Nesër vijnë “Nuset” e Mina Krasniqit (FOTO)

Mina Krasniqi nesër do të prezantoi ekspozitën e saj personale, në Hanin te Fakulteti i Arteve, e cila do të hapët në ora 17:00, shkruan KultPlus.

Ekspozita titullohet “Nuset” ndërsa ajo sjellë portrete të nuseve “unë pikturoj veten si mjet i një mitologjie të improvizuar, pasqyroj veten, bukurin e femrës, butësinë dhe ëndrrën qe ato pretendojnë ti kenë realitet”, kështu është shprehur artistja Mina Krasniqi lidhur me punën që do të ekspozohet nesër në kryeqytet./ KultPlus.com

Qyteti dhe fshati, në fondet e rralla etnografike në ekspozitën “Lindja”

Ekspozita etnografike “Lindja” u çel pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, duke prezantuar fondet e rralla. Me kuratore Ermela Broci ekspozita vjen në kuadrin e ditëve të albanologjisë, dhe me rastin e 70-vjetorit të themelimit të sektorit të etnografisë. Ekspozita me fondet etnografike ndahet në dy pjesë, fshati dhe qyteti.

“Lindja” sipas kuratores Ermela Broci është e para që nis për ciklet e jetës, për të vijuar më pas dhe me martesën e vdekjen. “Ciklet e jetës që nisin me lindjen, do të vijojnë më pas me ekspozita të tjera të jetës së njeriut. Një cikël ekspozitash që ka filluar këtë vit me lindjen dhe do të vijojë në vitet në vijim me martesën dhe me vdekjen, ndoshta do të kemi dhe ekspozita të tjera që lidhen me ciklet e jetës, siç mund të jenë ritet, por do të jemi në varësi të fondeve”, pohon kuratorja Brocaj.

Një ekspozitë me fondet e rralla etnografike që prezanton për publikun djepe, mbulesa, të punuara në materiale të ndryshme, por dhe të qëndisura me fije ari. Gjithçka që tregohet është e ndarë për pjesën e qytetit dhe fshatit dhe sipas kuratores janë objekte që datojnë nga fundi i shekullit të 19 dhe fillimi i shekullit 20.

“Në ciklet e jetës ne kemi ekspozuar djepin, që është karakteristikë e lindjes, por djepe të qytetit dhe të fshatit. Por të objektet e tjera te pjesa e qytetit janë punime me ar dhe argjend dhe e kemi përfaqësuar me Prizrenin, Shkodrën dhe Korçën. Gjithashtu kemi dyshekë fëmije, ndërsa për Tiranën këllëfë jastëku, por dhe materiale të tjera nga fondet etnografike. Në objektet e pjesës së fshatit është përfaqësuar Hasi, Korça, Zadrima, dhe Kosova. Kemi lidhëse djepash, kokore, mbulojë djepi etj. Fshati nga qyteti ndryshon nga përdorimi i motiveve, që ka karakteristikë”, shprehet kuratorja e ekspozitës “Lindje”.

Kuratoja tregon më tej se këto objekte përdoren për arsye të studimit. “Janë objekte të fondeve etnografike më shumë për arsye studimi dhe janë pjesë e institutit dhe nuk ekspozohen shumë. Etnografia ka fonde të pasura. Ne kemi dy pjesë, që është i ndarë fondi dru- metal dhe ai tekstil- lesh. Fondet datojnë nga fundi i shekullit të 19 dhe fillimi i shekullit të 20. Një problem është që të kemi më shumë mundësi për të pasuruar fondin me objekte, sepse u bënë vite që nuk po blihen”, shton më tej kuratorja Ermela Broci. Ekspozita është në kujdesen shkencore të Afërdita Onuzi dhe me ndihmën e arkivisteve Vilma Nallbani dhe Migena Dukagjini.

Fondet në materialet etnografike

Ky arkiv ka dy pjesë, fondin e përzier dhe fondin tekstil-lesh. Në fondin e përzier ka 8.785 objekte dhe në fondin tekstil-lesh 12.597 objekte. Disa prej objekteve të këtyre dy fondeve janë mjaft të hershme. Pjesa më e madhe janë kryesisht objekte të periudhës 1850-1980. Shumica e objekteve janë të ekspozueshme.
Ka një koleksion të pasur të veshjeve popullore të krahinave të ndryshme të vendit, të tekstileve të leshta, të pambukta e të mëndafshta, koleksione të pasura të punimeve artizanale, të argjendit, të instrumenteve muzikore, objekte druri, metali, balte, të cilat dëshmojnë tradita të kulturës materiale ndër shekuj, shkruan Sot News. Ka përfunduar në vitin 2017 digjitalizimi i të dy pjesëve të fondeve etnografike. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit është institucion shkencor i Akademisë së Studimeve Albanologjike. Fillimet e punës shkencore institucionale në fushën e etnologjisë dhe folklorit i takojnë fundit të viteve ’40.

Në vitin 1947 krijohet Instituti i Shkencave në Tiranë. Që me krijimin e tij kishte një grup punonjësish, të cilët merreshin me studimin e trashëgimisë kulturore në fushën e etnologjisë dhe të folklorit, fusha për studimin e të cilave më vonë krijohen sektorët përkatës. Meritë e veçantë në studimet etnologjike dhe folklorike të fillimit u takon etnologëve të vjetër Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji dhe folkloristit Qemal Haxhihasani./ KultPlus.com

“Arti në Proces – Procesi në Art”, ekspozitë sinestezike me artistë dhe kompozitorë shqiptarë e ndërkombëtar në Vjenë

Në galerinë “Ausstellungsraum” në Vjenë më 21 dhjetor hapet ekspozita me artisë dhe kompozitorë, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Arti në Proces – Procesi në Art” është pjesa e dytë e ekspozitës “Arti si Hulumtim” që u zhvillua me artist internacional nga USA, Austria, Sllovenia, Franca dhe Italia në Vjenë në maj të vitit 2017. Kjo ekspozitë paraqet veprat e artistëve dhe kompozitorëve kosovar dhe ndërkombëtarë (Spanjë, Rumani, Austri) në Vjenë. Ekspozita është kuruar nga Penesta Dika ndërsa hapet më 21 dhjetor, me fillim nga ora 19.

Sivjet në këtë ekspozitë paraqiten artistët dhe kompozitorët si: Artistet pjesëmarrës: Cesar Escudero Andaluz (ES), Aura Balanescu (RO), Katja Berger (AT), Albana Ejupi (KS), Gaz Ejupi (UK), Shqipe Kamberi (KS), Ardiana Shasivari-Kika (KS) and Valerie Tiefenbacher (AT). Ndërsa kompozitorët pjesëmarrës janë: Sonique Perception, Anyla Berisha (KS) and Stefanie Fridrik (AT)): Rrita Bejtullahu (KS), Erëmira Ҫitaku (KS), Visar Kasa (KS), Anna-Sophie Kern (AT) and Visar Kuci (KS).

Veprat e ekspozuara të artit janë të shoqëruara me kompozime që u krijuan në mënyrë të përshtatshme për secilën prej këtyre veprave vizuale të artit. Vizitorët mund të përjetojnë individualisht këtë përshtypje audiovizive. Me idenë e ekspozitës synaestezike, sidomos njerëzit e verbër ose njerëzit me vështirësi në të pamurit mund t’i përjetojnë veprat vizuale përmes dëgjimit.

Një tjetër qëllim i ekspozitës është të qartësojë pyetjen se si artistët mendojnë dhe bëjnë hulumtime gjatë procesit krijues derisa të bëjnë një përzgjedhje. Përveç veprave aktuale të artit, audienca duhet të jetë në gjendje të ndjekë disa hapa në procesin krijues.

Karakteristikë tjetër është përdorimi i mediumeve te ndryshme: skulptura interaktive digjitale, të cilat ndërveprojnë direkt me audiencën, por edhe piktura, kolazhe (analoge dhe digjitale), film, instalime dhe teknikave të përziera. Këto vepra shoqërohen me skica, foto, tabletë me informacione shtesë, pëlhura dhe materiale të tjera që dokumentojnë procesin e krijimit.

Ekspozita “Arti në proces – Procesi në Art” është e mbështetur nga Ministria e Kulturës në Kosovë./ KultPlus.com

Sonte në Monet, vjen ekspozita e 22 autorëve shqiptarë

Sonte më 7 dhjetor në Monet Art & Books, vjen ekspozita shitëse me 22 autor, shkruan KultPlus.

Kjo është ekspozita e parë shitëse kushtuar festave të fundvitit ku do të mund të blini punime origjinale vetëm deri në 99 euro.

22 autorë do te ekspozojnë punimet e tyre ndërsa ekspozita hapet më fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

“Një ditë për ju”, ekspozita që befasoi publikun në Pejë

Në Kolegjin Heimerer sot u hap ekspozita “Një ditë për ju”, kushtuar Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, në të cilën u paraqiten punimet nga nxënësit e verbër dhe me dëmtime në të parë të shkollës në Pejë.

Në këtë ekspozitë u ekspozuan rreth 30 punime të ndryshme të punuara nga nxënësit. Të pranishmit shprehën respektin ndaj angazhimit të këtyre fëmijëve të verbër, kurse duke blerë punimet e tyre, të gjithë dëshmuan se puna e tyre vlen, ashtu sikurse që edhe ata vlejnë. Po ashtu, sot gjatë gjithë ditës, të gjitha shitjet që bëhen nga kafiteria e Kolegjit Heimerer, 10 cent shkojnë si donacion për Qendrën burimore për mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” nga Peja.

Organizatorët e kësaj ekspozite ishin Peja Lions Club në bashkëpunim me Qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” nga Peja dhe Prishtina-Kosova LionsClub, ndërkaq projekti është financuar nga D4D/Ambasada britanike në Kosovë që ka për qëllim nxitjen e vullnetarizmit në Kosovë. Kolegji Heimerer ishte nikoqir i ngjarjes.

Po ashtu në kuadër të shënimit të kësaj dite, gjatë muajit dhjetor studentët dhe stafi i Kolegjit Heimerer janë duke organizuar një sërë aktivitetesh në ndihmë personave më nevoja të veçanta dhe kategorive të tjera në nevojë në shoqërinë tonë.

Iniciativa humanitare “Të shtojmë buzëqeshje” ka për qëllim që të grumbullojë para, veshmbathje, lodra, libra apo ushqime për disa familje në nevojë në komunën e Prishtinës, të cilët kanë fëmijë apo anëtarë të familjes me nevoja të veçanta, dhe t’iu shtojmë buzëqeshjen këtyre familjeve në nevojë për festat e fundvitit.

Po ashtu, aktivitet i radhës do të jetë me Shtëpinë e të Moshuarve, ku qëllimi është ofrimi i disa shërbimeve dhe këshillave të përshtatshme për këta banorë, në mënyrë që në një formë ose tjetrën t’iu ndihmojnë këtyre të moshuarve në proceset ditore dhe të kalojmë një kohë së bashku duke konsideruar si një grup i njerëzve që kanë nevojë për shoqëri dhe po ashtu këshilla profesionale./ KultPlus.com