Nesër hapet ekspozita e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes 2017”

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë nesër nga ora 20:00 do të hap ekspozitën e finalistëve të çmimit Artistët e së nesërmes 2017, shkruan KultPlus.

Albert Heta, drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në një konferencë për media tregoj që përzgjedhja e finalistëve është e bazuar në punën paraprake të artisteve , vlerësimin e portfolios artistike, kriteret e inovacionit, praktikave të fuqishme dhe interdisiplinare, ekspozitat si dhe potenciali i demonstruar deri më tani. Ndërsa procesin e përzgjedhjes së finalistëve e cilëson si interesant dhe sfidues.

Juria e çmimit Artistët e së nesërmes 2017, e përbërë nga Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi-studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Nataša Petrešin-Bachelez-kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva- artist dhe edukator arti dhe Renaud Proch-Drejtor Ekzekutiv i Independent Curators International (ICI), New York.

Finalistët e këtij çmimit “Artistët e së nesërmes 2017” janë: Jetullah Sylejmani, Enesa Xheladini dhe Meriton Maloku. Ata ishin të pranishëm në konferencën e mbajtur sot për medie në Klubin e Boksi aty ku edhe hapet ekspozita. Finalistët, shpalosën fare pak nga ajo që do të prezantojnë nesër mbrëma.

Finalisti i tretë, Jetullah Zejnullah duke mos dashur të zbuloj shumë para ekspozitës, ai tregoj se përmes veprave të tij ka sjellë një trajtim historik në fushën e artit duke e lidhur ne raport me rrethanat e kohës dhe hapësirës.

Kurse finalistja e dytë, Enesa Xheladini e cila me profesion është arkitekte tregon që me artin kishte filluar të lidhej që nga viti 2004, në një mënyrë shumë spontane. Ajo po ashtu tregon se në veprat e saj ka shprehur forcën e ndërveprimit të dy të kundërtave në krijimin e diçkaje të re.

“Me art kam filluar të merrem në vitin 2004, që ka filluar krejt spontanisht. Pra, ka qenë si një thirrje dhe nevojë e brendshme, pasi që jam kthyer prej Bienales së Venecias, ku e kam prezantuar Kosovën në Bienalen e Arkitekturës. Atje jam interesuar në ekspozitat e arkitekteve të botës dhe kjo ka qenë ajo se çfarë krijohet nëse e vazhdoj vijën,e pastaj kam kaluar tek elementi i vezës si me e kthyer në imazh minimal, kurse më vonë kam vazhduar më tutje edhe me pikën. Pastaj përmes vezës e cila përbehet prej dy rrathëve, në njërën anë e kam nda femrën e tjetrën mashkullin kurse përmes saj kam krijuar edhe koncepte të tjera ku e bëra edhe ndarjen e karaktereve të mashkullit si vi, femra si pikë dhe të gjitha i shifsha në këto dimensione, tokën si vijë, qiellin si pikë”, u shpreh Enesa Xheladini.

Ndërsa finalisti i parë i kësaj ekspozite, Meriton Maloku tregoj punën e tij e zhvillon mes Kosovës dhe Belgjikës ndërsa veprat e tij që do të prezantohen nesër janë bazuar në kohë dhe hapësirë përmes të cilave ka integruara edhe çështje politike.

Çmimi Artistët e së Nesërmes është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York, mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në New York dhe sponsorët kryesor të Çmimit Artistët e e së nesërmes në Kosovë, Raiffeisen Bank në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Ekspozita do të vazhdoj të jetë e hapur deri më 4 dhjetor, atëherë edhe kur shpallet fituesi i këtij çmimi, në Klubin e Boksit në kryeqytet./ KultPlus.com

‘So Long, Bobby’: Ekspozita e re që do të kthej pamjet e funeralit të Robert Kennedy

Muzetë shpesh organizojnë ekspozita që festojnë përvjetorin e lindjes ose vdekjes së artistëve të mëdhenj. Muzeu i Artit Modern të San Franciskos po merr përsipër një organizim paksa të ndryshëm në pranverën e ardhshme.

Për të shënuar vrasjen e Robert F. Kennedy, 50 vjet më parë, muzeu ka organizuar ekspozitën “Treni: Udhëtimi i fundit i RFK-së”, duke sjellë një përzierje të pazakontë e fotografive historike dhe projekteve të fundit, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

Më 17 mars 2018, muzeu do të paraqesë portofolin që përbehet nga 26 fotografi të mëdha me ngjyra të marra nga një fotograf i Magnum, Paul Fusco, tani 87 vjeçar. Më 8 qershor 1968, duke punuar për revistën “Look”, Fusco udhëhoqi trenin që mbartte trupin e Kennedy nga qyteti i New York-ut, ku kishte qëndruar në katedralen e Shën Patrikut, në Uashington.

Udhëtimi mes dy qyteteve, zakonisht katër orë, mori tetë orë pasi që mijëra burra, gra dhe fëmijë të shqetësuar dhe të mërzitur, shumë prej të cilëve mbanin flamuj dhe simbole amerikane ku shkruhej “Shumë gjatë, Bobi”. Fusco shkrepi më shumë se 1.000 fotografi të kësaj ngjarje.

Disa vjet më parë, kur Rein Jelle Terpstra, një fotograf holandez, vuri re se shumë njerëz në fotografitë e Fusco mbanin kamera dhe ai vendosi t’i gjente disa prej tyre. Pas kërkimeve në Facebook, si dhe pasi kishte kontaktuar kishat lokale dhe qendrat e komunitetit, ai gjeti dhjetëra njerëz që ende kishin album me copa fotografish të ngjitura dhe filmat amatorë gjatë parakalimit të trenit për në funeral./KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Bukuritë përmes fotografisë’, një mrekulli e artit nga të rinjtë e veçantë (FOTO)

Emocionalisht, nuk është e lehtë të parakalosh para fotografive të cilat janë realizuar nga disa duar të lumtura, ndoshta të goditura nga jeta por asnjëherë të dorëzuara para saj, të fëmijëve me Sindromën Down. Që ata janë fëmijë të mbushur dashuri, kjo nuk ka asnjë dyshim, edhe në një shoqëri e cila në formatin e saj akademik ka zgjedhur ti konsiderojë ndryshe.

Arbër Selmani

Mbrëmë në Muzeun e Kosovës, u hap një ekspozitë me fotografitë e disa fëmijëve të cilët kanë zgjedhur ti shesin ato fotografi. Pamje të qytetit, të luleve, të ndërtesave e arkitekturës, pamje të peizazhit të qytetit nga perspektiva të ndryshme, e rrumbullakuan ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë” e cila solli freski e buzëqeshje në fytyrat e këtyre fëmijëve.

Shoqëruar me fotografin Ridvan Slivova, fëmijët kanë krijuar diçka magjike me fotografitë e tyre, duke i futur ato në gurë dhe në dru, duke i kthyer në kopertina librash, duke luajtur me formë e drurit dhe përzierjes së fotografisë. Mbrëmë, ekspozita shitëse erdhi me qëllimin që paratë e mbledhura nga shitja e fotografive të futen në fondin e Down Syndrome Kosova.

Slivova tregoi sa i rëndësishëm ishte për të personalisht një mision i tillë, një bashkëpunim me këta fëmijë.

“Kemi punuar për gjashtë muaj, me këta të rinj të cilët janë të sjellshëm por edhe kanë prodhuar fotografi shumë kreative. Ju do ta shihni vetë ekspozitën, ndërsa unë jam tejet i kënaqur me veprat dhe produktin që ka dalë si përfundim. Jam i nderuar për këtë mundësi” tha Slivova në fjalën e hapjes së ekspozitës.


Ekspozita erdhi mbrëmë në kuadër të muajit tetor, muajit ndërgjegjësues për Sindromën Down.

“Për mua çdo muaj duhet të jetë një muaj ndërgjegjësues, prandaj më mirë po e konsideroj si fillimin e ndërgjegjësimit dhe jo fundin e tij, fundin e tetorit. Kjo ekspozitë le të shërbejë si nisje për ndërgjegjësim për më shumë dashuri për këta fëmijë” vazhdon Slivova.

Dorontina Luma, Eloida Alija e Donik Berisha, dhe të gjithë fëmijët e të rinjtë e tjerë të përfshirë në këtë projekt, morën edhe mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre.

Ivo Silhavy – Ambasador i Çekisë në Kosovë, foli para të pranishmëve duke çmuar guximin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve për të krijuar art dhe për ta paraqitur atë para publikut, shkruan KultPlus.

“E falënderoj secilin prej këtyre pjesëmarrësve, sepse kanë treguar guxim e po na japin dashuri me fotografitë e tyre. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar, dhe ne nuk do të lejojmë që ata të përjashtohen. Kjo ekspozitë sonte është një projekt për të ndihmuar këta fëmijë dhe për ta rritur kreativitetin e tyre” tregoi mes tjerash Silhavy.
Sebahate Hajdini-Beqiri – drejtoreshë e Down Syndrome Kosova, tregoi se është punuar me zell të madh për një ekspozitë të tillë, ndërsa ka shfrytëzuar rastin të përmend edhe njëherë skandalin e librave mësimorë të cilët përdorin edhe sot, në shekullin 21 në Kosovë, terminologji pezhorative kur flasin për këtë komunitet.

Së fundmi, në tekste shkollore në Kosovë, personat me këtë sindromë janë quajtur “Idiot mongoloid”, saktësisht në lëndën e biologjisë.

Në anën tjetër, nuk justifikohet një shkrim akademik katastrofal apo një ndjellje e urrejtjes nga ana e atyre që i shkruajnë këta libra.

Sindroma Down është kusht gjenetik. Trupi i njeriut është i përbërë nga qelizat. Çdo qelizë në trupin e njeriut ka 46 kromozome, 23 kromozome të trashëguar nga njëri prind dhe 23 të tjera të trashëguar nga tjetri prind. Në rastin e sindromës Down, në çiftin e 21-të bashkëngjitet një kromozom shtesë si pasojë e një ndarjeje anormale qelizore, dhe si rezultat individi ka 47 kromozome në çdo qelizë ose në një pjesë të qelizave të trupit të tij.

Sindroma Down është sindroma më e hasur në botë, 1 në 691 lindje. Në bazë të të dhënave të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Kosovë brenda vitit lindin rreth 35-40 foshnja me sindromë Down, ndërsa numri i përgjithshëm i individëve me sindromë Down në Kosovë është mbi 920. / KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita “Bukuritë përmes fotografisë” e fëmijëve me Sindromën Down

Në kuadër të muajit tetor, muaji i ndërgjegjësimit për Sindromën Down, Down Syndrome Kosova prezanton ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë”, përcjellë KultPlus.

Fotografitë janë realizuara në vende të ndryshme të Kosovës nga të rinjtë e Shoqatës Down Syndrome Kosova dhe janë vendosur në dru dhe në gurë nga fotografi Ridvan Slivova.

Kjo ekspozitë shitëse për ju do të thotë pak, mirëpo për shoqatën Down Syndrome Kosova do të thotë shumë.
Ekspozita do të hapet sonte më 30 tetor, në ora 19:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Artistët italianë dhe kosovarë bashkë në ‘Nën të njëjtin qiell’

‘Nën të njëjtin qiell’ është ekspozita ndërkombëtare e artistëve italian dhe atyre të Kosovës që organizohet nga Kosovo Art Academy me seli në Kosovë dhe Universitetit Laba me seli në Itali, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të marrin pjesë artistë ndërkombëtarë dhe vendor si: Roberto Dolzanelli, Filippo Centenari, Armida Gandini, Tommaso De Angelis, Dany Vescovi, Zeni Ballazhi, Rrezeart Galica, Dardan Luta, Afrim Spahiu, dhe Artan Balaj.

Artistët do të paraqiten me vepra të zhanreve dhe teknikave të ndryshme poashtu tema të lira gjithsecili. Me këtë rast inaugurohet edhe institucioni arsimor i artit Kosovo Art Academy.

Ekspozita hapet me 14 tetor, në orën 18:00, në Galerinë e Kosovo Art Academy, në katin e 3-të, ku me këtë rast promovohet edhe kjo hapësirë për të gjithë artistët e mirëfilltë që duan të ekspozojnë artin e tyre./ KultPlus.com

Helidon Haliti sjellë ekspozitën e hapur në Kinë edhe në Shqipëri

Artisti shqiptar Helidon Haliti, së fundmi hapi ekspozitën e tij të parë në akuarel me 40 punime gjatë viteve, në Kinë, shkruan KultPlus.

Ai këtë ekspozitë e bëri bashkë me mjeshtrin kinez, dekanin e akademinë së Chantou, Li Xiaocheng, ku edhe ai mori pjesë me 40 punime. Kjo ekspozitë që u mbajt në Kinë dhe u vlerësua shumë e suksesshme tashmë do të vjen në Shqipëri, ka njoftuar artisti Haliti, shkruan KultPlus.

“Unë do e sjellë ekspozitën që e hapa në Kinë, pranë artdashësve të mi në Muzeun Kombëtar të Tiranës, pranë sheshit të mrekullueshëm Skëndërbej, më 20 tetor”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Helidon Haliti, i cili poashtu ka njoftuar se do të nisë një maratonë ekspozitash personale me mjeshtra të mëdhenj të mediumit të akuarelit.

Ekspozita hapet më 20 tetor në Muzeun Kombëtar të Tiranës, me fillim nga ora 10:00./ KultPlus.com

Xhevdet Xhafa: Veprat e mia në GKA, biografi e Kosovës

Piktori Xhevdet Xhafa vjen për herë të parë në Galerinë Kombëtare në Tiranë me një koleksion veprash të cilat flasin mbi vetë artistin, njeriun dhe kombin.

Ekspozita është kuruar nga James Walmsley dhe është organizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë.

Veprat në teknikën mikse janë një pasqyrim i jetës së piktorit, dhe përfaqësojnë ndjenjat dhe qëndrimet e tij veçanërisht mbi çështje sociale dhe politike të kombit shqiptar.

Në konferencën për shtyp drejtori GKA, Artan Shabani, shprehu mirënjohjen për realizimin e kësaj ekspozite e cila u bë e mundur nga bashkëpunimi midis dy galerive kombëtare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë:

“Eshtë hera e parë që artisti dhe profesori vjen me një ekspozitë në Galerinë e Arteve dhe për këtë ndihem shumë i nderuar. Është një ekspozitë me vepra të një cikli që nuk mund të konsiderohet i mbyllur. Xhevdet Xhafa është një artist që ka qënë në avangardë që përpara viteve 90’. Ai është një artist ndërkombëtar. Në veprën e Xhevdet Xhafës shoh një forcë të jashtëzakonshme, një fuqi njerëzore të cilën publiku e ndjen në mënyrë të menjëhershme. Gjatë periudhës së luftës, profesor Xhafa nuk ka qënë një spektator, por ka qënë i armatosur me denoncimin e një intelektuali, me denoncimin e një artisti nëpërmjet gjuhës se vet, nëpërmejt zhanrit të vet artistik”, tha Shabani.

Drejtuesja e GKK, Arta Agani u shpreh se kjo ekspozitë është jeta dhe e vërteta e artistit:

“Jemi shumë të kënaqur me këtë bashkëpunim. I falënderojmë të dy ministritë e kulturës pasi këto aktivitete janë shumë të rëndesishme jo vetëm për artistët, por edhe për stafet e të dy galerive. Ka një kohë të gjatë që nuk është parë një ekspozitë personale e profesorit të nderuar Xhevdet Xhafa. E kam pasur të pamundur të shkruaj diçka që nuk është personale, pasi vetë qasja e tij është shumë personale. Elementi kryesor i këtyre veprave, është një e vërtetë supreme, të cilën profesori nuk është duke e kërkuar, por e ka gjetur dhe varet nga ne nëse e shohim apo jo atë të vërtetë. Përveç moshës, profesori ka një ernergji të pashtershme. Ai ende punon dhe thotë se ka filluar të pikturoj që kur ka filluar të ecë. Kështu që jeta e tij është pikturë dhe jetën e tij e shihni këtu sot”, u shpreh Agani.

Kuratori i ekspozitës James Walmsley, e cilësoi kurimin e ekspozitës së Xhevdet Xhafës si kulmin e karierës së tij si kurator dhe u shpreh se pikturat e Xhafës meritojnë të prezantohen në çdo muze në botë:

“Ka qënë një nder i madh të punoja me professor Xhafën. Mendoj se puna e tij ka një fuqi të madhe dhe një intensitet të fortë. Gjuha e tij është gjithashtu shumë e fuqishme. Kjo është autobiografia e tij. Për mua këto vepra janë kaq të forta, kanë kaq shumë intensitet. Integriteti i tij si artist lartësohet nga këto piktura. Vepra e tij duhet të shihet në çdo muzeum në botë. Mendoj se kariera ime si kurator ka arritur kulmin me këtë ekspozitë”, tha Walmsley.

Vëtë artisti 83-vjeçar shpjegoi disa nga tablotë e tij për mediat e pranishme dhe theksoi se në pikturën e tij është vetë qënia e tij:

“Unë jam në këto vepra, autobiografia ime, autobiografia kombëtare. Këto vepra janë të hapura të kuptueshme, për të gjithë ata që e duan artin. Jam shprehur për gjithëçka që kam pasur afër, rreth e përqark, për luftën për padrejtësinë ndaj popullit. E kam njohur mirë fizionominë e tyre, të çdo sendi. Kam jetuar me to dhe i kam shprehur drejtpërdrejt emocionet e mia, i kam hedhur shpejt në pikturë”, tha Xhafa.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 tetor.(Shkruan Shqiptarja.com)/ KultPlus.com