“Heshtja”, “Gjurmë”, “Mbështetja”, “Karroca”, “Labirinthi”, ishin emrat e disa prej punimeve grafike të ekspozitës që u hap mbrëmë në hapësirat e KultPlus Cafe Gallery. Kjo ekspozitë shënon edicionin e dytë, me kurator Basri Mekolli.
Ekspozita “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinjë kosovar” u hap nga drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, bashkë me kuratorin Mekolli. Ajo u shpreh se kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për dy javë, për të gjithë ata që duan ta shijojnë.
Rezultatet e praktikave të këtij hulumtimi ishin të shumëfishta duke i përfshirë, por jo i ku- fizuar vetëm me vështrimet “brenda” proceseve artistike, por edhe duke hulumtuar dimensionet socio-kulturore, produktet e reja artistike, identitetet, narrativat, transformimet, hapësirat, kohët dhe relacionet ndërmjet tyre.
Kuratori Mekolli u shpreh se në këtë edicion të ekspozitës janë përfshirë 24 grafist me punime të ndryshme, të cilat janë të punuara me mjeshtëri dhe me përkushtim. Ai tha se ky projekt i ka marrë rreth 3 muaj kohë.
“Me këtë projekt jam marrë që nga shtatori, me hulumtimin e grafistëve, përzgjedhjen e punimeve dhe prezantimin e tyre. I kam përzgjedh dhe seleksionu grafikat më të suksesshme”, tha ai për KultPlus.
Tutje, Mekolli shtoi se ka pasur artistë që është dashur me qenë të pranishëm me punimet e tyre në këtë ekspozitë, por që për arsye të caktuara kanë ndërruar mendje dhe i kanë tërhequr punimet që t’i prezantojnë në ekspozitat personale jashtë shtetit.
Sa i përket vazhdimësisë së edicioneve edhe më tutje, ai u shpreh se është shumë e vështirë sepse është zvogëluar numri i artistëve dhe se ka edhe vështirësi financiare.
“Është vështirë me zgjat edicione sepse duhet gjithmonë të ketë artistë të rinjë, tani është zvogëluar numri i artistëve grafist dhe ata që studiojnë në Fakultetin e Arteve po i lënë studimet dhe po ikin jashtë shtetit. Sfidë në vete është edhe aspekti ekonomik, sepse është profesion shumë i shtrenjtë dhe materialet janë që gjenden vetëm jashtë shtetit. Kjo po ndikon në punën e grafistëve”, shtoi Makolli.
“Botën jo lëndore të këtij abstraksioni më së miri e paraqesin grafikat “Në Mes” të autorit Adhurim Maliqi; Ardiana Vishi me grafikën “Dëshprimi”, dhe autorja e grafikës “Kompozicion”, Miradije Morina. Besime Haxha me grafikën “Figurat në Hapësirë”, Berat Bajrami me grafikën “Malet e Kujtesës” dhe shumë grafistë tjerë gjithashtu prezantohen me mënyrën abstraksioniste të të shprehurit, por që në vete bartin pamjet me primesa asociative. Në mesin e grafistëve të rinjë, gjithashtu dallohet autorja e grafikave, Arbenita Kuliqi me fletëgrafikat “Labirinthi” dhe “Rilindje e Egër” e cila shpërfaq botën psikologjike të mveshur me petkun e revoltës personale ndaj dukurive të rrethit shoqëror, brenda së cilës ndodhet edhe vet ajo”, është shprehur Mekolli në hyrje të katalogut që është realizuar për këtë ekspozitë.
Teknikat e përdorura në këtë edicion janë kryesisht teknikat e shtypit të thellë: xhilpërës së thatë, monoshtypit, bakërshkrimit, akuatintës dhe shtypit të depërtueshëm.
Ndërsa, njëri nga 24 pjesëmarrësit e ekspozitës, Festim Matoshi, tregoi se ka marrë pjesë me dy punime të tij, të cilat janë punuar gjatë vitit 2016. Ai tha se punimet e tij quhen “Heshtja” dhe “Gjurmë”, për të cilat është frymëzuar nga dashuria e tij për natyrën.
“Jam pjesëmarrës në edicionin e dytë, marr pjesë me dy punime të ndryshme të teknikave të ndryshme. Unë kam përzgjedh formën e shtypit të depërtueshëm që është formë e grafikës dhe është vështirë e realizueshme dhe në pubil quhet seriografi. Njëra quhet “Heshtja” dhe tjetra “Gjurmë”, janë punuar në vitin 2016 me ngjyra të ndryshme. Punimet paraqesin kompozicion të veçantë, zakonisht natyren e kam për qejfi por brenda asaj e zhvilloj edhe një temë tjetër të heshtur, të fshehtë”, u shpreh Matoshi për KultPlus.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë./KultPlus.com