Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së studiuesit dhe atdhetarit arbëresh, Vincenzo Dorsa (1823-1885), çeli ekspozitën me veprat e tij më të rëndësishme, duke sjellë në vëmendje të lexuesve veprimtarinë e tij studimore.
Pjesë e fondit të saj arkivor janë veprat “Su gli albanesi: ricerche e pensieri”(1847), “La Tradizione greco – latina negli usi e nelle credenze popolari della Calabria Citeriore” (1884), “Studi etimologici della lingua Albanese” (1862), “Il Vangelo di S. Matteo” përkthyer nga teksti grek ne dialektin kalabro-arbëresh nga Vincenzo Dorsa (1869), si dhe “Mbi shqiptarët: kërkime dhe mendime” (2021).
Veprat e tij studimore përbëjnë një vlerë unike për të dhënat historike, gjuhësore, folklorike, etnografike, letrare, si dhe për historinë e ngulimeve arbëreshe që ato përcjellin.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSh-së.
Vinçenzo Dorsa lindi në Frasnitë më 26 shkurt të vitit 1823. Ai përfundoi studimet e tij të para në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korone dhe nga viti 1848 dhe bashkëpunoi me revistën “Kalabrese” në Kozenca të Italisë. Ai u dallua për studimet e tij mbi traditat popullore të Kalabrisë dhe të kulturës shqiptare. V. Dorsa ishte studiues dhe dijetar i njohur në rrethet intelektuale kalabreze të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai ishte autor i shumë shkrimeve filologjike dhe të letërsisë popullore shqiptare.
Muzeu i Artit Modern (MoMA) në Nju Jork, në bashkëpunim me Cinecitta i kanë kushtuar një ekspozitë aktores me famë botërore, Claudia Cardinale.
Pothuaj 70 vitet karrierë janë përmbledhur në këtë event, që si rrallëherë Muzeu i Artit Modern ia kushton një artisti të vetëm, sa kohë është ende në jetë.
Në ekspozimin e 23 filmave, 17 prej të cilëve tashmë të restauruar, 84-vjeçarja Cardinale, nuk mundi të ishte e pranishme, por ekspozita u inaugurua nga vajza e saj Claudia Squitieri.
“Megjithëse e adhuruar në nivel ndërkombëtar për shkak të bukurisë së saj Claudia Cardinale ka treguar përmes roleve në filma, brishtësinë emocionale si edhe inteligjencën”, shkruan MoMA, në përshkrimin e ekspozitës, e cila do të jetë e hapur për publikun deri më 21 shkurt.
Cardinale flet rrjedhshëm italisht, anglisht, spanjisht, dialektin siçilian si edhe gjuhën tuniziane, pasi ajo ka lindur në Tunizi, nga prindër me origjinë siçiliane.
Bashkëpunimet e Cardinale-s kanë qenë me emra të shquar të kinematografisë botërore si Fellini, Visconti, Abel Gance, Alexander Mackendrick, Sergio Leone, Werner Herzog dhe Richard Brooks.
Claudia Cardinale përveç aktrimit është njohur edhe për përpjekjet e saj si aktiviste e të drejtave të grave. / atsh / KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës sot u mbajt konferencë për media për edicionin e katërmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi” 2022, ku me këtë rast GKK prezantoi njërin nga kuratorët, Raimund Stecker (Dusseldorf) , kurse Christian Mosar (Luksemburg), për shkaqe familjare nuk ishte prezent.
Kuratori Raimund Stecker shpalosi konceptin kuratorial duke premtuar prurje të autorëve eminent që do të ftohen nga arena ndërkombëtare.
Në hapje të konferencës, drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiun tregoi se ky edicion është dashtë të mbahej në vitin 2020 por për shkak të pandemisë është shtyrë deri tani.
“Ne si Galeri kemi kontaktuar kuratorë e bashkëpunëtorë të ndryshëm, njerëz profesional, njerëz që i ndihmojnë këtij çmimi, vlerat që janë trashëguar për vite me radhë të vazhdojnë tutje dhe të na sjellin prurje të reja”, u shpreh Spahiu.
Ndërsa Raimund Stecker foli për rëndësinë e pikturës e cila sipas tij sot në një formë a tjetër, ky art ka filluar të zbehet për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe si e tillë teknologjia ka vendosur dorë mbi këtë zanat.
“Çka është pikturë sot, çka mund të jetë pikturë sot? Kjo është arsyeja pse jemi këtu, sepse ne po jetojmë në një kohë kur gjithë pikturat shihen përmes telefonave tanë, askush nuk po e sheh më pikturën origjinale”, u shpreh Stecker.
Konkursi vazhdon të jetë i hapur deri më 20 shator dhe gara do të jetë e hapur për artistë, brenda territorit të Kosovës dhe mënyra e aplikimit është fizike.
Ekspozita planifikohet të mbahet në fillim të dhjetorit mes datave 5-6 ose 7 dhjetor.
Christian Mosar dhe Raimund Stecker do të përgatitën për pranimin e aplikimeve të artisteve nga vendi dhe bashkë të bëhet përzgjedhja që në fillim të dhjetorit të jenë të gatshëm. / KultPlus.com
Veshmbathjet, lodrat e gjësende të ndryshme, janë ato që kanë mbetur pas nga 1024 fëmijë të vrarë dhe 109 të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, të cilëve iu këputën ëndrrat e shpresat.
Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”e cila u hap në muajin maj të vitit të kaluar nën organizimin e Fondit për të Drejtën Humanitare, tashmë vjen në formatin online, duke i mundësuar publikut të kenë më afër rrëfimet e ndarjes së qenieve më të pafajshme nga jeta, shkruan KultPlus.
Ekspozita e cila tanimë na shfaqet edhe virtualisht, është kuruar nga Blerta Hoçia, ndërkaq është mbështetur nga National Endoëment for Democracy, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Komuna e Prishtinës.
Në hyrjen e ekspozitës virtuale pas historikut të luftës së Kosovës dhe pasojave që la pas, shfaqen në një mur të bardhë lista të gjata emrash të fëmijëve që humbja e tyre ka bërë familjet të vuajnë dhe të ndjejnë dhimbje të pakrahasueshme, e sidomos nga drejtësia e paardhur që vazhdon.
I vetmi faj që kishin këta 1024 fëmijë të vrarë dhe 109 të zhdukur, ishte përkatësia e tyre nacionale. Për okupatorin serb nuk pati rëndësi frika në sytë e tyre, dridhjet trupore dhe shpesh edhe aktrimi i tyre kinse janë të vdekur. Vetëm pse ishin shqiptarë, atyre iu ndal loja, iu morr fëmijëria dhe u bënë engjëjt e Kosovës, të cilët pëherë do të kujtohen me mall.
Në ekspozitë shfaqen fotografi, fustane, pantallona, këpucë, mjetet e lojës dhe gjësendet e tjera të tyre. Një ndër to janë edhe këpucët e Shqipronit, i cili bashkë me familjen e tij ishte detyruar të marrë rrugën për në Shqipëri. Të ndalur në fshatin Nagavc më 2 prill 1999, kur ra terri, u strehuan në bodrumin e një shtëpie të zbrazët. Atëherë edhe do të fillonin bombardimet, ku nga shpërthimi i fuqishëm një pjesë e shtëpisë u shemb, duke rënë mbi familjen e cila mbeti e vdekur me 14 persona, 12 prej të cilëve fëmijë. Këpucët e Shqipronit ishin aty dhe kishin mbetur të palidhura në njërën këmbë, e që sot shfaqen po me të njëjtën pamje në ekspozitë.
2 prilli do të ishte edhe fatkeqësia e familjes Berisha. Adelina, Njomëza, Shkurtesa, Lezija dhe Elhamja ishin 5 motrat të cilat bashkë me prindër dhe kushërinj u nisën në Shqipëri, për t’u ndalur edhe ata në fshatin Nagavc, atëherë kur bombardimet filluan. Nga bombardimet vdiqën të pesë motrat, ndërkaq familja e ruan djepin në të cilin ishte përkundur pafajësia fëmijërore e vajzave.
Një rrëfim të prekshëm ka edhe Redoni, i cili ende pa i mbushur dy vite u dëbua nga shtëpia e tyre në Suharekë më 26 mars të vitit 1999, për t’u strehuar në picerinë Kalabria. Redoni ishte aty bashkë me motrat e tij, Herolindën, Majlindën, vëllain Altinin dhe familjarë të tjerë. Nga sulmi i forcave serbe mbetën të vrarë 45 persona, në mesin e tyre edhe Redoni me motra e vëlla. Ajo çka mbetet pas nga Redoni janë këpucët e tij, të cilat i kishte pasur dhuratë.
Në të njëjtin vend ishte strehuar edhe vëllai i Redonit, Altini i cili ishte nxënës i klasës së katërt. Gjatë sulmit, ai mbeti i plagosur teksa nëna e tij e porositi të bënte kinse është i vdekur në mënyrë që të shpëtonte. Pavarësisht pse ishte shumë i vogël, ai kishte kuptuar rrethanat dhe nuk kishte lëvizur fare. Ndërkaq teksa policia po barte trupat, ata e dalluan që Altini ishte gjallë, me këtë rast nuk kursyen ta vrajnë një fëmijë të pafajshëm. Edhe 20 vite pas luftës, trupi i tij mbetet i pagjetur. Ajo që ka mbetur pas nga nxënësi i cili nuk kishte mundur të dal as në klasë të pestë është çanta e tij, në të cilën kishte vendosur librat e fletoret e tij.
Kjo ekspozitë në njërën anë shpreh dhimbjen dhe mallin që ndjejmë për këta engjëj të lirisë së Kosovës por, në anën tjetër është një përkujtim ndaj shtetit tonë dhe arenës ndërkombëtare për drejtësinë e pa ardhur./KultPlus.com
Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT organizon ekspozitën ndërkombëtare të Arkitekturës, sjkruan KultPlus.
Kjo është hera e parë që organizohet një ekspozitë e këtij formati në Kosovë dhe rajon nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ekspozitë ndërkombëtare me punime të studentëve të arkitekturës me disa shkolla partnere.
Ekspozita ka për qëllim që t’i pasqyroj qasjet që kanë shkollat e ndryshme në fushën e Arkitekturës dhe që t’i ofroj studentit, stafit akademik dhe komunitetit të arkitektëve një ekspozitë mjaft atraktive dhe krahasuese.
Ekspozita ka edhe karakter të promovimit të shkollave të ndryshme të Arkitekturës jashtë Kosovës dhe gjithashtu një njohje të vlerave që gjeneron Kosova dhe sistemi i saj i edukimit.
UBT përmes kësaj ekspozite synon ta pozicionoj Fakultetin e Arkitekturës, programin studimor dhe vet shtetin e Kosovës në një fazë të njohjes së vlerave dhe integrimit në shoqëritë e zhvilluara dhe me përvojë akademike.
Ekspozita do të mbahet më datë 13 korrik në Muzeun e Kosovës duke filluar në ora 19:00. / KultPlus.com
Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës shpallë jurinë për zgjedhjen e fituesit të edicionit të 15-të të Çmimit Gjon Mili ‘18 në kuadër të Bienales Ndërkombëtare të fotografisë që hapet nesër më 13 tetor në GKK, shkruan KultPlus.
Juria përbëhet nga: Eleni Laperi, nga Shqipëria, kuratore, artiste dhe autore e shumë publikimeve për artin; Vahida Nimanbegu, artiste nga Mali i Zi; Afrim Spahiu, fotograf i mirënjohur Kosovar, themelues i shkollës “Gjon Mili” për fotografi.
Edicioni i pesëmbëdhjetë i ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Çmimi ‘Gjon Mili’ vjen i kuruar nga Alfredo Cramerotti dhe asistent kuratori Atdhe Mulla me konceptin kuratorial “HIPERIMAZHI! Imazhet Brenda dhe jashtë ekraneve tona” .
Për këtë ekspozitë kuratori përzgjodhi 18 artist vendore dhe ndërkombëtare që do të jenë pjesë e Gjon Milit 2017.
Hapja e ekspozitës do të bëhet nesër në ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com