Në Tiranë hapet ekspozita “Krimet serbe në Kosovë”, vjen si apel për Serbinë

Ekspozita fotografike “Krimet serbe edhe gjenocidi serb” është hapur në Muzeun Historik Kombëtar. Fëmijë, gra e vajza të dhunuara, por edhe të moshuar e burra, që kanë rënë në luftë për liri gjatë viteve të luftës në Kosovë, janë imazhet e rënda që përçojnë gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Tiranë Nait Hasani rrëfen se kjo ekspozitë është hapur në kuadër të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt), në mënyrë, që të gjithë shqiptarët edhe të huajt të njihen me krimet serbe që janë bërë në Kosovë gjatë 100 vjetëve, e veçanërisht  në vitin 1999.

“Ne kemi 12-vjetorin e Pavarësisë. Qëllimi i ekspozitës është që t’i prezantojë të gjithë publikut rrugën që ka kaluar Kosova për të arritur Pavarësinë. Kjo  ekspozitë dëshmon për krimet serbe që janë bërë në Kosovë, edhe për qytetarët shqiptarë kanë të drejtë që të jetojnë të lirë. Prandaj, Pavarësia është si rezultat i luftës dhe betejave dhe bashkësisë ndërkombëtare e qytetarëve në Kosovë”, shprehet ambasadori i Kosovës Hasani në Tiranë.

Vetëm në masakrën e Reçakut kanë humbur jetën në formë barbare në qendër të Kosovës 45 të pafajshëm, por Serbia vazhdon që ta quajë këtë një inskenim.

 “Këtu kemi krimet serbe, në format më barbare. Edhe pse presidenti serb deklaron se Masakra e Reçakut nuk ka ekzistuar, por është inskenim. Kemi sjellë për t’i dëshmuar opinionit dhe qytetarëve shqiptarë dhe të botës, edhe ambasadave të tjera që janë këtu edhe do ta vizitojnë, që në Kosovë ka pas një krim dhe një gjenocid. Serbia nuk ka kërkuar falje për 20 vite për krimet që janë bërë në Kosovë. Beteja e Serbisë kundër Kosovës është një farsë, sepse ajo e ka bërë krimin edhe ne e kemi fituar lirinë bashkë me një luftë tonën të përbashkët”.

Megjithatë për këtë është krijuar një Gjykatë Speciale në Kosovë, që ka për qëllim zbardhjen e krimeve dhe njohjen e tyre në rang ndërkombëtar.

“Ne kemi krijuar një gjykatë speciale në Kosovë me inskenimet edhe dosjet e saj, Gjykatën Speciale ku shkojnë njerëzit për intervista. Ndërsa, ata që kanë bërë krimet janë serbët edhe shteti serb do t’i njoh. Megjithatë, Kosova tashmë është e lirë edhe e pavarur”, shprehet ambasadori.

Ambasadori shton se jo vetëm stabiliteti dhe paqja e Kosovës, por e të gjithë Ballkanit është i sigurt vetëm nëpërmjet njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia është një formë e stabilitetit të paqes në Ballkan. Kërkojmë që Serbia të kthjellohet edhe të kërkojë falje për krimet që ka bërë në 100 vjet edhe për krimet në vitet 1999, që  të ecin përpara drejt BE-së edhe vendeve të zhvilluara”.

Ambasadori përfundon se nëse Serbia do të njoh Pavarësinë e Kosovës, do të ketë një qasje tjetër të zhvillimit të rajonit, por edhe mundësi zhvillimi ekonomik edhe tregtar  midis Kosovës dhe Serbisë, prandaj njohja është e vetmja mënyrë për stabilitet edhe siguri për të ardhmen. Shqiptarja.com / KultPlus.com

“Bukuria e betonit” në Prishtinë, inspirim për fotografin Etienne Rémond

 

Fotografi Etienne Rémond do të sjellë fotografi të Prishtinës në ekspozitën e tij, të quajtur “Concrete Beauty”, shkruan KultPlus.

Etienne Rémond është marrë me fotografi për afër 6 vjet, por asnjëherë nuk ka qenë aq i inspiruar sa në Prishtinë ku ai tani jeton prej një viti. Edhe pse, për shumë njerëz, pamjet e errëta të luftës mund të jenë gjëja e parë që ju bie në mend kur flasim për Kosovën, ju duhen vetëm disa ditë këtu për të kuptuar që këto pamje i përkasin të kaluarës.

I befasuar nga gjallëria e Prishtinës, ai shpejt e kuptoi se ajo që e befasoi me të vërtetë ishte se sa i fortë ishte kontrasti me kornizën e saj brutale të betonit.

Kjo është ajo që ai është përpjekur ta kapë duke e lënë veten të humbiste nëpër qytet dhe ta bënte atë pjesë të vetes: jetën dhe energjinë që përmban brenda kufijve të mbyllur, një rini të gjallë që ekziston në mes të këtyre ndërtesave të tmerrshme e të shkatërruara jugosllave, hoteleve dhe ndërtesave krejt të reja dhe baletit të pandërprerë të vinçave që i shoqërojnë.

Ekspozita do të hapet më datë 13 dhjetor në ora 12:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 19 dhjetor. / KultPlus.com

Të huajt me ekspozitë për Musine Kokalarin në Bradford të Britanisë

Agata Fijalkowski nga Fakulteti Juridik i Universitetit Lancaster në Britaninë e Madhe, mike e Shoqatës anglo – shqiptare, do të hapë më datën 11 shtator një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Shkencës dhe Medias në Bradford, kushtuar shkrimtares dhe disidentes shqiptare Musine Kokalari, shkruan KultPlus.

Mal Berisha bën me dije se ekspozita shoqërohet nga një film i shkurtër artistik, në të cilën shfaqet deklarata e saj e bërë përpara trupit gjykues në vitin 1946. Filmi është realizuar nën kujdesin e Universitetit Lancaster dhe sponsorizuar nga Universiteti York si pjesë e projektit me titull: “The power of images” (“Fuqia e Imazhit”).

Fotografitë bardh e zi të gjyqeve të viteve 1946 – 1957 janë marrë prej saj nga arkivat e Shqipërisë, Gjermanisë dhe Polonisë. Muzeu Kombëtar Bedford është një muze me emër në gjithë botën.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të marrësh njoftime nga miq të huaj të cilët studiojnë dhe shkruajnë për vendin tonë. I tillë ishte edhe lajmi që mora sonte nga Dr. Agata Fijalkowski nga Fakulteti Juridik i Universitetit Lancaster në Britaninë e Madhe, mike e Shoqatës Anglo – Shqiptare, e cila do të hapë me datën 11 shtator 2017 një ekspozitë në Muzeumin Kombëtar të Shkencës dhe Medias në Bradford kushtuar shkrimtares dhe disidentes shqiptare Musne Kokalari”, ka shkruar Berisha në Facebook. / KultPlus.com