Hapet ekspozita personale e Lirije Buliqit, kuratori Ballazhi: Është një teknikë e veçantë specifike që rrallëherë e shohim në Kosovë

Duke ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, elementet e artit qeramik të cilat vinë të shpërfaqura nëpër gjurmë të kohëve të ndryshme dhe që njëkohësisht hulumtojnë historinë e praktikave të reja mbi bazën e atyre të vjetrave, duke sjell modernen në syrin e të pranishmëve, janë pikërisht themeli kryesor mbi të cilin ngritet ekspozita personale e artistes Lirije Buliqi, shkruan KultPlus.

Qysh në fillim, dëshmia për një rrugë të gjatë të artistes shihet në qeramikat e plasaritura në muret e KultPlus Caffe Gallery, me ç‘rast krijimtaria e saj unike ka arritur të spikatë detajet e bukura nga veshjet tradicionale të cilat konsiderohet se formulojnë imazhe si kujtime të ndjera për kombin. Veçantia e kostumeve popullore, thasëve ose torbave të lidhura herë me bukë e herë me bosh, shfaqen vazhdimisht nëpër sipërfaqet e qeramikave të cilat duken se janë shndërruar në rrënjët e veprave të saj dhe kësisoj po i japin jetë atyre.

Nën mbizotërimin e ngjyrës kafe, veprat artistike të Buliqit morën vëmendjen e të pranishmëve të cilët qysh në fillim po i ngopnin sytë me magjinë e portretizuar para tyre. Disa të pozicionuar nga afër e disa nga larg, ishte publiku ai i cili po shijonte format diversive, dekorimin grafik, gdhendjen e përsosur si dhe lustrimet e paraqitura mrekullueshëm.

Ndërkaq, hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.

“Sot Lirije Buliqi ka zgjedh që të prezantohet me ekspozitën e punës në qeramikë dhe është një kënaqësi sepse përpos faktit që ekspozita është hap dhe patëm rastin të shohim veprën dhe krijimtarinë e zonjës Buliqi, kemi festë të dyfishtë për arsye se ajo ka sot datëlindjen. Ndërkohë, këtë ekspozitë e ka kuruar Zeni Ballazhi i cili tutje do të shpjegojë më shumë rreth ekspozitës”, thotë Pajaziti.

Ndërsa, kuratori i ekspozitës, Zeni Ballazhi tha se teknika e artistes Buliqi është një teknikë që rrallëherë shihet në Kosovë.

“Unë në emrin tim dhe në emër të Lirijes, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ekspozitën e saj personale. Nuk ka qenë lehtë për të bërë një përzgjedhje të tillë të qeramikave. Është një teknikë e veçantë specifike që rrallëherë e shohim në Kosovë dhe për mua ka qenë mjaft e vështirë për shkak që Lirija disponon me një numër jashtëzakonisht të madh të qeramikave dhe këtu jemi munduar të bëjmë një përmbledhje të cikleve të ndryshme që Lirija është prezantuar edhe më herët me to, mirëpo me shumicën e tyre nuk është parë. Kryesisht janë kompozime të cilat inspirimin zakonisht ajo e gjen qoftë edhe në kostume tradicionale ose përmes tradicionales duke e kthyer në kompozicione moderne bashkëkohore”, thotë Ballazhi.

E në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte bërë bashkë shumë dashamirë të artit, artistja Lirije Buliqi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për kohën e tyre të ndarë enkas për këtë ekspozitë.

Pastaj, pas hapjes zyrtare të ekspozitës, ishin pikërisht të pranishmit ata që nën meloditë shqiptare vazhduan të admironin qasjen eksperimentale të artistes Buliqi. Puna e saj në qeramikat bashkëkohore po zgjonte kureshtjen e tyre për të deshifruar nivelin e lartë të shkathtësisë të artistes e cila nëpërmjet materialeve të ndryshme copëzash, ka krijuar një thjeshtësi të objekteve etnike.

Qeramikat nga balta shpërfaqën një diversitet dhe një imazh mjaft të fuqishëm që lehtazi ka lënë gjurmë të cilat do të mbahen mend për një kohë të gjatë.

Ekspozita personale e artistes Lirije Buliqi do të qëndrojë e hapur deri në dy javë dhe atë do ta keni rastin ta shijoni në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Nesër hapet ekspozita personale e Lirije Buliqit në KultPlus Caffe Gallery

Lirije Buliqi do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery, ekspozitë që përfshinë elemente të artit qeramik.

“Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore”, ka vlerësuar Zeni Ballazhi, kuratori i kësaj ekspozite.

Elementet e artit qeramik mbi të cilat janë vendosur shkallë të ndryshme të theksimit në kohë të ndryshme, janë forma e objektit, dekorimi grafik i saj me pikturë, gdhendja dhe metodat tjera, si dhe lustrimet e gjetura në shumicën e qeramikave.

Shumica e prodhimeve tradicionale qeramike janë bërë nga argjila (ose balta e përzier me materiale të tjera), të formuara dhe të ekspozuara ndaj nxehtësisë. Përgjithësisht, qeramika dekorative. Në përdorimin modern të inxhinierisë qeramike, qeramika është arti dhe shkenca e bërjes së objekteve nga materialet inorganike, jometalike, por nga veprimi i nxehtësisë.

Çdo artist i qeramikës hulumton nga historia e së kaluarës sipas përdorimit të praktikave të vjetra, në mënyrë që t’i japë një përmirësim modern teknikave të reja.

Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore.

Qeramikat duken magjike. Ato imitojnë materiale të ndryshme në copa dhe në mënyrë efektive tërheqin vëmendjen në shkaqet e rëndësishme. Qeramikat nga balta, të krijuara nga ky nivel, demonstrojnë shkathtësinë dhe diversitetin.

Buliqi kërkon ta spikatë bukurinë që shpesh rezulton nga prishja, ndërsa në të njëjtën kohë, duke e bërë shikuesin të vë në pikëpyetje perceptimin e tij mbi veten dhe botën.

Në veprat e saj, objektet etnike dhe detajet nga veshjet tradicionale janë të inkuadruara në marrëdhënie profesionale mjaft të thjeshta. Ato formulojnë imazhet si kujtime të ndjera për kombin, të cilat artistja i përket vazhdimisht me artin e saj. Detaje nga kostumet popullore, thasët apo torbat e lidhura, herë me bukë dhe herë bosh, lëvizin vazhdimisht në shumë sipërfaqe të qeramikave, sikur të vizatuara pas mureve të rrjepura nga koha.

Krijimtaria e saj është një imazh me dritë të pasur e të fuqishme, ku objektet-shenja përbejnë fillimin dhe rrugën tonë të ardhshme.

Qeramikat e Lirije Buliqit dëshmojnë një rrugë të gjatë, ku eksperimenti artistik konkurron në vazhdimësi një imazh mjaft personal, tashmë plotësisht të formuluar. / KultPlus.com

‘Në një vijë me Visar Kryeziun’, nesër hapet ekspozita në KultPlus Caffe Gallery

Visar Kryeziu i cili së fundi është bërë shumë i njohur me portretet me një vijë, do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery.

Kjo ekspozitë përfshin portretet e figurave më të rëndësishme të kulturës e historisë shqiptare, duke përfshirë: Mbretëreshën Teutë, Gjergj Kastriotin, Pjetër Bogdanin, Gjergj Fishtën, Pandeli Sotirin, Shote Galicën, Nënë Terezën, Marie Shllakun, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Anton Çettën, portrete këto që do të prezantohen me një vijë në kornizë, por edhe portrete në një vijë të realizuara në tel.

Ekspozita do të hapet nesër duke filluar nga ora 20:00.

Të gjitha punimet që do të paraqiten në këtë ekspozitë do të jenë në shitje. Ndërkaq, kjo ngjarje është organizuar nga KultPlus më mbështetje nga MKRS. / KultPlus.com

Artistja Mihrije Sadiku do të prezantojë 13 piktura në KultPlus Caffe Gallery

13 piktura të punuara me teknikën akril në pëlhurë do të ekspozohen në KultPlus Caffe Gallery më 17 dhjetor me fillim nga ora 18:00.

Artistja Mihrije Sadiku preferon që pikturat e saj të flasin për vetën pasi beson se “piktura vlen 1000 fjalë”, e pikërisht me ekspozitën personale të saj do të prezantojë 13 piktura të punuara gjatë dy viteve të fundit.

“Dëshiroj që pikturat e mia të ju dhurojnë kënaqësinë që unë ndava me to, sa herë që shiqoni, qoftë në shtëpitë apo lokalet afariste tuaja apo edhe në ekspozita si kjo”, ka thënë artistja.

Përpos 13 pikturave që i ka realizuar, Sadiku gjithashtu ka punuar edhe në disa ekspozita kolektive dhe personale të realizuara në Kosovë e Evropë që nga vitet 2000.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë. /KultPlus.com

Zdrukthëtari nga Tërrnoci që drurin e shndërron në vepër arti, vjen me ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery

15 mozaikë të realizuara nga Nagip Tashi, nga Tërrnoci i Bujanocit do të ekspozohen në KultPlus Caffe Gallery.

Zdrukthëtari Nagip Tashi, i cili artin e ka pasion tash e 20 vite, disa nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare por edhe ndërkombëtare i ka sjell nëpërmjet mozaikut, vepra të cilat do prezantohen para artdashësve, shkruan KultPlus.

Mozaikët janë të punuara në dru, kryesisht me arrë, bung, ah, frashër…

Nagip Tashi, përpos 20 mozaikëve që tashmë i ka në atelienë e tij, ka realizuar edhe dy instalacione: Neë Born dhe Shtëpinë e Pavarësisë.

Në KultPlus Caffe Gallery do të prezantohen mozaikët në kuadër të ekspozitës personale “Distanca”, ku përfshinë figura nga arti dhe politika: Bekim Fehmiu Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Adem Demaçi, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Hadi Shehu, Leze Qena, Muharrem Kadriu, Llukman Halili, Abdurrahman Shala, Ridvan Qazimi- Vaja, Ibrahim Kodra dhe Barac Obama./KultPlus.com