“Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, nesër shpaloset në Kongresin amerikan

Ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” e cila në muajin shkurt zuri vend në hollin e Kuvendit të Kosovës, tashmë ka udhëtuar për në Washington, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla dhe kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur. 

Ekspozita ka në fokus 1653 persona të cilët akoma figurojnë të pagjetur në Kosovë që nga lufta e fundit.

Ekspozita do të hapet nesër, më datë 30 prill, në Kongresin amerikan, si dhe më datë 1 maj në National Press Club.

Ekspozita organizohet nga Integra në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, me Kuvendin e Kosovës, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe Fondacionin “Rockefeller Brothers”./KultPlus.com

Tri gra arkitekte bashkohen për ekspozitën e fotografisë, “Poetika e hapësirës”

Tri arkitekte gra kanë bashkuar forcat për të sjellë një ekspozitë ndryshe këtë javë në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Eliza Hoxha, Zana L. Sokoli dhe Arta Bytyqi do të sjellin ekspozitën fotografike të  titulluar “Poetic of space” apo “Poetika e hapësirës”.

Çfarë përvoja na krijojnë mjediset e ndërtuara arkitektonike? Sa e ndikojnë ato perceptimin dhe formësimin tonë estetik dhe shoqëror? Cilat janë përgjigjet personale dhe emocionale të ndërtesave dhe si vijnë ato në prozë, poezi, këngë apo fotografi?, janë këto pyetjet të cilat do të shpalosin përgjigjet përmes artit të këtyre tri arkitekteve në një natë të përbashkët.

Duke e ditur se hapësirat arkitektonike nuk janë diskurse dhe ato mund të lexohen e përjetohen komplet ndryshe ngase janë shkruar apo ideuar nga 3 arkitekte gra të cilat sjellin imazhe e copëza arkitekture në fotografi nga kontekste të ndryshme të cilat ndonjëherë nuk lexohen çartë se nga vijnë dhe kujt i shërbejnë, porse mund të lexohen nga të tjerët në mënyrë individuale dhe mund të nxisin imagjinatën për mjedise të personalizuara dhe associative.

Kjo ekspozitë  e kuruar nga Eliza Hoxha, zhvillohet në kuadër të European Union Kosovo dhe do të mbahet më datë 5 prill në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, në ora 18:00. / KultPlus.com

Majlinda Kelmendi solli të shkuarën, të tashmen, ëndrrat e saj dhe vijën e kuqe në mes tyre

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës është bërë hapja e ekspozitës së artistes Majlinda Kelmendi, shkruan KultPlus.

Artistja Kelmendi në veprat e saj të fundit të cilat erdhën të ekspozuara mbrëmë tregoi lidhshmërinë që ka ajo me të kaluarën, të tashmen por edhe me procesin e të ëndërruarit.

Sipas kuratorit Edison Çeraj, artistja Majlinda Kelmendi nuk i rikthehet të shkuarës ngaqë është e magjepsur prej saj, as për t’u arratisur prej të tashmes, por mbi të gjitha, për të njohur veten dhe për të kuptuar kohën në të cilën jeton.

“Ashtu siç nuk zgjedhim se çfarë kujtojmë e çfarë harrojmë, po ashtu nuk zgjedhin se kur do mendojmë e kur do ndiejmë. E gjitha rrjedh, vetëm rrjedh. Ne dorëzohemi, pastaj ngrihemi. Më pas zgjedhim, pastaj harrohemi. Me pas kujtohemi, me shpresën që të mos jetë vonë. Edhe kur është vonë, ka gjithmonë një xhep kohë për të bërë atë që duhet. Është ai xhep kohë që të rikthen të gjithë “kohën e humbur”. Kelmendi e kërkon me ngul këtë “kohë të humbur”, atë kohë të ndaluar ku lejohej vetëm ajo që diktohet “vija e partisë”. Ajo kërkon gjurmët e asaj periudhe në të tashmen e saj, në atë çfarë ajo është sot jo vetëm si artiste por mbi të gjitha si njeri”, thekson Çeraj.

Koncepti i ekspozitës “A është e shkuar ëndërr” sipas artistes Kelmendi ka ardhur pikërisht duke kërkuar përgjigje në këtë pyetje e cila sipas saj na shoqëron të gjithëve. Mirëpo përtej kësaj pyetje ajo tregoi për KultPlus se në veprat e saj dëshiron që të vejë afër njëra-tjetrës të shkuarën dhe realitetin për një analizë pasi që sipas saj pa e njohur të shkuarën nuk mundemi të derivojmë në të tashmen.

“Ne kemi pasur tranzicion të gjatë në Shqipëri dhe në Kosovës dhe historianët e ndryshëm janë përpjekur që të manipulojnë me virtytin dhe me historinë tonë por jo me ëndrrën tonë. Me këtë kam dashur që edhe të ngacmojë publikun, në mënyrë që sa të ketë jetë të ketë edhe ëndërr. E shkuara nuk duhet që të ndikojë në të ardhmen tonë por gjithsesi ajo është aty afër nesh dhe ne duhet të përpiqemi për pak ndryshim”, u shpreh ajo duke thënë se e gjithë ekspozita e saj është lojë me simbole diçka që mund të vërehet edhe nga vizitorët të cilët do e shohin këtë ekspozitë.

E rëndësishme sipas artistes përtej historisë si e shkuar në rrafsh shoqëror është se çdo njeri ka një të shkuar në rrafsh individual në këtë rast kujtimet. Pikërisht këto kujtime sipas saj- të cilat mund të barten në forma të ndryshme si përmes shkrimeve apo në këtë rast përmes artit- krijojnë së bashku memorien kolektive.

Veprat e Kelmendit të cilat erdhën te ekspozuara sonte duke përfshirë këtu edhe video-instalacionet, shtriheshin përgjatë mureve të lyera me të bardhë apo të zezë. Ngjyra tjetër që veçohej në këtë ekspozitë ishte e kuqja, një përzgjedhje e tillë për modifikimin e hapësirës ekspozuese sipas artistes është bërë në mënyrë të qëllimshme dhe krijon lidhshmëri me veprat e video-instalacionet e ekspozuara.

“Shumë gjëra të së shkuarës janë në tym në kujtesën tonë por herë pas herë ngjarje apo histori të caktuar, qofshin ato të bukura ose jo, ngelin në kujtesën tonë ashtu siç janë sot. Ndërsa e kuqja simbolizon dy gjëra, së pari kujtimet që mbeten sikurse janë sot, reale. Pastaj edhe si ngjyrë që lidhet me atë si për shembull në komunikacion e që ndalon diçka, për t’u larguar nga diçka që nuk të bënë mirë për të tashmen”, u shpreh artistja për KultPlus.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë këtij muaji për të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë që të zbërthejnë më shumë lidhshmërinë në mes të së kaluarës, të tashmes dhe ëndrrës që ka sjell artistja Majlinda Kelmendi përmes artit të saj. / KultPlus.com

Elza Zymberi prezantohet me ekspozitë personale

 Në shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër të Gjilanit, është hapur ekspozita personale e Elza Zymberit, nxënëse e klasës së nëntë të kësaj shkolle. Mbi 80 punime të ndryshme të ekspozuara në këtë ekspozitë, të bëra nga dora e kësaj filloristeje të talentuar kanë zgjuar kureshtjen e dashamirëve të artit, të cilët kanë vlerësuar, se nëse kjo nxënëse të orientohet në këtë fushë, në shkollimin e mëtutjeshëm.

I pranishëm në këtë ekspozitë, ishte edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), në Gjilan, Nazim Gagica i cila ka thënë se ndihet i kënaqur që po merr pjesë në një ekspozitë të tillë të një nxënëse e cila po e shpalosë talentin e saj dhe DKA-ja do të mbështetë përherë ngjarje të tilla.

Në shenjë mirënjohje, në emër të DKA-së, Gagica i ka dhënë një mirënjohje piktores së re, Elza Zymberit me dëshirën që ajo të bëhet një piktore me emër me të cilën do të krenohet kjo anë dhe Gjilani.

Drejtori i shkollës Rrahman Agushi, duke vlerësuar lartë praninë e artdashësve në këtë ekspozitë, ka thënë se për shkollën është shumë e rëndësishme kjo ngjarje kulturore.

Vet autorja e punimeve të ekspozuara, Elza Zymberi është shprehur e lumtur që iu është jetësuar dëshira e saj për të ekspozuar punën që ka bërë deri më tani në këtë drejtim.

Duke falënderua të gjithë të pranishmit që e nderuan me pjesëmarrje ajo ka veçuar drejtorin e DKA-së, Nazim Gagicën, arsimtarin e saj, Valdrin Bajramin, drejtues të shkollës, por edhe mysafirë nga shkolla e artit pamor e të tjerë, si: Rasim Vllasaliu, Gëzim Brestovci, Magbule Xhemaili e të tjerë,  për inkurajimin dhe përkrahjen që po ia bëjnë asaj.

Më këtë rast, ajo ka dhuruar një pikturë, me portretin e heroit Agim Ramadani, për arsimtarin Valdrin Bajramin,  në shenjë nderimi për përkrahjen e vazhdueshme profesionale.

Përndryshe,  ekspozita me punimet personale të Elza Zymberit do të qëndrojë e hapur për një javë ditë, që nxënësit dhe të interesuarit të tjerë të mund ta vizitojnë, për ta parë nga afër talentin dhe kreativitetin e kësaj nxënëse e cila synon rrugëtimin e saj në këtë fushë. /Gjilani.Info/ KultPlus.com

Artistja Arjeta Miftari shkëlqen me hyjneshat në Galerinë e Muzeut Historik në Tiranë

Nga Erjola Azizolli

Një seri veprash, në skulpturë, që emocionojnë këdo që i shikon. Një seri veprash që inspirimin artistik e kanë që nga lashtësia. Arjeta Miftari, një emër tashmë i konsoliduar i artit në Kosovë ka sjellë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ekspozitën e saj “Rrugëtim”, e cila pasi është prezantuar në Kosovë, Gjermani e Francë, vjen për publikun kryeqytetas si rrugëtim i radhës, por që padyshim nuk do të jetë i fundit.

Cikli i veprave në skulpturë vendosur në qendër të galerisë rrethuar nga drita e qirinjëve për disa momente i ktheu pas në kohë pjesëmarrësit në një ekspozitë që rrëfen për lashtësinë, hyjnoren, rrugëtimin e qenies femër dhe botën artistike të artistes

Miq të galerisë, drejtues të Muzeut Kombëtar, Zëvendës Ministria e Kulturës së Kosovës, Valbona Shujaku, artistë të ardhur nga Kosova e Shqipëria, ishin në hapje të ekspozitës “Rrugëtim”. Një rrugëtim artistik që ka nisur nga Peja e Kosovës, qyteti i lindjes së artistes, ka vijuar në Gjermani dhe Francë, nuk kishte si të mos të ndalej dhe në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, që Arjeta Miftari e cilëson si mjaft të rëndësishëm për karrierën e saj.

Të vendosura hijshëm mbi një beze të bardhë dhe ndriçuar nga drita e qirinjëve, skulpturat hyjnesha të Miftarit, u shoqëruan në këtë ekspozitë me një kolazh me foto gjatë momenteve të punës së artistes dhe me një video-material që rrëfeu pakëz nga puna e Arjetës, të cilat u ndoqën me mjaft interes nga ana e pjesëmarrësve.

Si një nisje të aktiviteteve për “Javën Kulturore të Kosovës” e cilësoi në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik, Dorian Koçi, hapjen e ekspozitës.

“Arjeta Miftari na ka surprizuar me modernitetin e saj, ndërsa sjellë nëpërmjet artit të saj simbolikën e Kosovës, lashtësinë e trojeve nëpërmjet hyjneshave”, u shpreh në fjalën e tij Koçi.

Është e rëndësishme që projektet për shkëmbimin e kulturave mos të ngelen në letër sipas drejtorit Koçi.

“Është një arritje që artistët të ndihen si në shtëpinë e tyre, pasi është kultura, arti, që kalojnë barrierat dhe ne kemi potenciale si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptarë”, u shpreh drejtori i galerisë.

Ndërsa, kuratori i kësaj ekspozite, Skënder Boshtrakaj, vlerësoi artin e Arjeta Miftarit, duke i ndarë në tre motivet që gërshetohen në një dhe sjellin ekspozitën, hyjneshat e Arjeta Miftarit.

Statuja të një figure femërore, që është bërë një figurë ikonë skulpturore e artit parahistorik në Kosovë e njohur si Hyjnesha në Fron, kjo figurë e ka inspiruar një seri të veprave të skulptores Arjeta Miftari, si analizë të vetvetes, shoqërisë dhe të njeriut në përgjithësi.

“Simboli i parë është hyjnesha në fron që fillon me antikitetin, që kur filloi fjala kulturë, ndërsa simbolika e dytë është rrugëtimi i fermës, në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në botë, ndërsa rrugëtimi i tretë është rrugëtimi i vetë artistes si skulptore, restauratore, etj”, u shpreh kuratori i kësaj ekspozite.

Pjesëmarrësit më pas ndoqën nga afër ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur disa ditë. / KultPlus.com

46 tablo të Donald Trump në Tiranë

Piktori Avni Delvina sjell për publikun 46 tablo, të cilat kanë në qendër veprimet edhe ndikimet social-politike të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që prezantohen në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar.

Delvina të vërtetën e tij e sjell nëpërmjet mjeteve të ndryshme artistike. Artisti nëpërmjet fotomontazhit, të cilin e pasuron me linja grafike i jep veprës një personalitet artistik, duke përcjellë emocionet tek artdashësit.

Avni Delvina rrjedh nga një familje me tradita historike edhe patriotike. Ndonëse i larguar para 30 vitesh në Itali lidhjet me Shqipërinë janë shumë të forta dhe këtë e tregon dhe çelja e kësaj ekspozite në Tiranë.

Ekspozita do të qëndroj hapur në Muzeun Historik Kombëtar, deri në datë 23 shkurt. /a.a/ KultPlus.com



1653 të pagjeturit e Kosovës, vijnë përmes një ekspozite në 11 vjetorin e Pavarësisë

Adresimi i çështjes së të pagjeturve në opinionin publik mbetet proces kompleks diskursiv dhe politik i cili i redukton të pagjeturit në numra dhe i tjetërson ata dhe familjarët e tyre në objekte.

Debatet e ngritura rreth kësaj çështjeje shtrihen kryesisht në rrafshin dhe nomenklaturën e mjekësisë ligjore, drejtësisë, të drejtave njerëzore, marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe aspekteve që lidhen me kompetencat, gjersa në anën tjetër kemi të bëjmë me një proces dehumanizimi të tërësishëm, ku subjektiviteti, përjetimi dhe narrativi personal zhvishet dhe reduktohet në njësi apo vlerë numerike.

Me qëllimin parësor që t’u jepet zë familjarëve të personave të pagjetur dhe ky zë të dëgjohet fuqishëm tek palët relevante, Integra dhe forumZFD, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur dhe me Kuvendin e Kosovës, do të instalojnë një ekspozitë unike të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

Hapja e kësaj ekspozite do të bëhet me datë 15 shkurt duke filluar prej ora 18.00h në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla, të kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur. Ekspozita është e vendosur në hapësirat e  Kuvendit të Republikës së Kosovës kështu duke rezonuar mesazhe thelbësore simbolike rreth asaj se në cilin drejtim graviton përgjegjësia më e madhe në raport me punën drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Çështja e 1653 të pagjeturve nga lufta në Kosovë ende nuk ka marrë përgjigje. Kjo ekspozitë është planifikuar të hapet për shënimin e përvjetorit të 11-të të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe e vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të dërgoj një mesazh nëpërmjet gërshetimit të punës hulumtuese, fotografisë dhe një koncepti kuratorial kreativ tek institucionet publike, politik-bërësit dhe tek akterët tjerë të fushës së Drejtësisë Tranzicionale drejtë zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Ekspozita gjithashtu ka për qëllim që t’i mbështesë familjarët e personave të pagjetur në një proces që iu garanton të drejtën për të ditur dhe statusin e dëshmitarëve historik, si dhe pjesëmarrjen në formësimin e kujtesës kolektive.

Në hapjen e ekspozitës do të marrin pjesë akterë të shumtë lokal dhe ndërkombëtar duke përfshirë udhëheqësit politik, përfaqësuesit e familjarëve të personazhe të pagjetur, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit artistik, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, etj.

Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri me datë 30 prill.

Kjo iniciativë fuqizohet nga Integra, forumZFD në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Swiss Cooperation Office Kosovo, Rockefeller Brothers Fund, dhe Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane. / KultPlus.com

Kryeministri Rama hap ekspozitën në Berlin

 Kryeministri Edi Rama ka hapur ekspozitën e tij të radhës në Berlin. Në hapje të ekspozitës së titulluar “Puna”,  në galerinë Carlier/ Gebauer në Berlin, Kryeministri Rama është i shoqëruar edhe nga familja e tij.

E njohur si njëra nga galeritë më bashkëkohore, ajo ka zgjedhur artistin, kryeministrin shqiptar, për të hapur siparin e aktiviteteve për këtë vit.

Për kuratorin e njohur Hans Ulrich Obrist Rama nuk e sheh artin si një luks, por si një element thelbësor të jetës. “Arti nuk është i ndarë nga politika, bashkëjeton më të”, shprehet Obrist.

Rama ka ekspozuar letra të pikturuara muri, skica, vizatime, skulptura. Ndërsa në intervistën e dhënë për prestigjiozen gjermane “Die Welt”, Rama  tha se “për herë të parë do të ekspozoj edhe shënime të një dite normale pune në zyrë. Dhe në Berlin natyrisht nuk do të mungojnë edhe punimet që kam krijuar gjatë takimeve të mia këtu në kryeqytetin gjerman”./ata

Ekspozitë në Cyrih kushtuar presidentit historik Ibrahim Rugova

Me datën 21 janar (e hënë) në ora 19:00, Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, hap ekspozitën historike me titull: “Kontributi i Presidentit Historik Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës, me bashkautor Sadik Krasniqi dhe Ma. Besnik Rreci.

Ky eveniment mbahet me rastin e 13 vjetorit të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Ekspozita hapet në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih në adresën: Eugen Huber-Strasse 19a 8048 Zürich.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 27 janar 2019. /KultPlus.com

Piktori Fehmi Hoxha “peizazhon” festat e fundvitit

Një nga emrat më të dashur të pikturës mes profesionistësh, Fehmi Hoxha – Feho, mbajti të shtunën mbrëma ekspozitën e tij personale.

Muret në hapësirat e galerisë “H&B” ishin mbushur me pikturat e Fehos, që të gjitha të punuara përgjatë vitit 2018. Në to spikatet peizazhi i punuar në një stil krejt të veçantë.

Teknika e punës që përdor piktori Hoxha, sipas profesorit të Akademisë së Arteve – Hajrush Fazliu, bën dallimin e këtij piktori nga të tjerët, përpos vlerave tjera të shpërfaqjes së ideve në pikturë.

“Duke respektuar shumë elemente të artit pamor, si edhe parimet e saj, në pikturën e Fehmi Hoxhës e kemi edhe përmbajtjen dhe mesazhin e tij, që e paraqet çdo mendim të tij. E veçanta e tij është teknika, dhe ajo e bën që ngjyra ta ndjen, e të na jep një vepër të sigurt figurative”, ka thënë Fazliu.

Kurator i ekspozitës ishte profesori Refki Gollopeni, që tha se të qenit kurator i ekspozitës së Fehmi Hoxhës nuk është e vështirë.

“Nuk është fare vështirë të jesh kurator tek ekspozita e Fehmi Hoxhës, pasi çdo pikturë që merr ka vlerat e veçanta. Është e vështirë të gjesh dikë që Feho pikturon si ai, por si Feho po”, ka thënë Gollopeni.

Ndërsa vet autori e la vetën të fundit që të flas, e potencoi se ai gjithmonë synon fuqizimin e institucioneve artistike, sikur edhe galeritë private, sikur tek ajo që organizonte këtë të fundit.

“Unë dua që secila galeri të fuqizohet sepse kështu është e tërë bota. Kjo ka qenë shtysa që të organizoj këtu ekspozitën dhe është ekspozitë që u kushtohet festive të fundvitit”, foli shkurt Hoxha.

Ekspozita do të jetë e hapur gjerë më 22 janar, teksa aty pikturat e ekspozuara do të mund edhe të blihen, me një çmim më të ulët. /KultPlus.com

Nesër festohet 74-vjetori i themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Me rastin e 74-vjetorit të themelimit, biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, organizon ceremoni festive “Dita e Bibliotekës”, shkruan KultPlus.

Kjo ceremoni vjen më 23 nëntor me fillim nga ora 11:00, ndërsa në po te njëjtën ditë në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me rastin e 50-vjetorit të Demonstratave të Vitit 1968, BKK me Shoqatën e të Burgosurve Politik të Kosovës organizojnë ekspozitë.

Ekspozita me fotografi me titull “Kujtesa e Kosovës: Demonstratat shqiptare ‘68”, hapet me 23 nëntor në orën 11:00./ KultPlus.com

“Nën Presion” sonte në GKK

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sot më 21 nëntor me fillim nga ora 20:00, hapet ekspozita “Nën Presion – Fakte nga arkitektura socialiste në Shqipëri”, shkruan KultPlus.

Ekspozita vjen nga Gjergj Islami, Denada Veizaj, Gjergj Thomai dhe Enrico Fontanari të kuruar nga Eliza Hoxha dhe Ilir Gjinolli.

Ceremonia e hapjes do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës sonte në orën 20:00./ KultPlus.com

Momente nga jeta dhe betejat e Skënderbeut u shpalosën sonte përmes ekspozitës “Moti i Madh”

Jeta Zymberi

Muzeu i Kosovës mirëpriti sot “Skënderbeun” me gjithë forcën e tij prej një njeriu i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Sonte, madhështia e tij depërton tek secili njeri përmes simboleve të tij, statute, replika, e gravura të autorëve të ndryshëm. Të gjitha këto u shpalosën për publikun në Prishtinë përmes ekspozitës “Moti i Madh” e cila erdhi në kuadër të 550 – vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Vizitorët të cilit nuk ishin në numër të madh sonte, patën rastin të njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar.

Objekti qendror i ekspozitës ishte përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman, e cila pasqyrohej nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me `emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Në ekspozitë ndër të tjera u ekspozuan për publikun edhe dy letra të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat tregonin bashkëpunimin e Skënderbeut me mbretëritë europiane të kohës.

Në hapje të ekspozitës fjalën fillimisht e mori Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vjollca Aliu e cila tha që kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Ajo gjithashtu tregoi që e njëjta ekspozitë është hapur edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Shqipëri.

Për të folur për përmbajtjen e ekspozitës, fjalën e mori drejtori i Muzeut Historik kombëtar, Dorian Koçi. Ai fillimisht tha që është një kënaqësi e veçantë që po hapin në Prishtinë këtë aktivitet të përbashkët.

“Në këtë vit jubile për Heroin tonë Kombëtarë, ne po shpalosim në këtë ekspozitë statute, faksimile, gravula të autorëve të ndryshëm dhe portrete. Skënderbeu përveç që ishte një ushtarak e strateg i zoti, ai ishte edhe një politikan e diplomat i shquar. Ekspozita “Moti i Madh” është një kujtim dhe shenjë e bashkësisë arbëreshe që nëpërmjet letërsisë së shkruar mbajnë të pashuar zjarrin e ditëve të Skënderbeut për të ringjallur ashtu si feniksi në memorien dhe kujtesën kolektive të mbarë shqiptarëve”, tha në hapje të ekspozitës Dorian Koçi.

Pas fjalës hapëse, të gjithë të pranishmit u drejtuan rreth pjesës ekspozuese ku me vëmendje po lexonin e shikonin çdo gjë të shpalosur aty e ku drejtori Dorian Koci po ju përshkruante për secilën pjesët të ekspozuara me radhë.

Ndërsa ish-drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, u shpreh i kënaqur që me këtë ekspozitë po përmbyllet fundi i aktiviteteve të Vitit të Skënderbeut.

“Është kënaqësi për ne që ta përmbyllim këtë fund të aktiviteteve të Vitit të Skënderbeut me këtë ekspozitë në Muzeun Historik të Kosovës e cila do të qëndrojë e hapur për një kohë të gjatë dhe qytetarët do të kenë mundësi ta vizitojnë. Kjo ekspozitë e prezanton në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë figurën e Skënderbeut. Figura e Skënderbeut është shëndrru në një temë dhe motin trajtimi te qindra artistëve të vendeve të ndryshme evropiane, në mediume të ndryshme të artit dhe kjo pjesë e perceptimit të evropianëve për Skënderbeun dhe shqiptarët është me një mënyrë e përfaqësuar në këtë ekspozitë”, u shpreh Boshtrakaj për KultPlus. Ai tutje tha që po shpreson që një pjesë e mirë e shkollave do ta shfrytëzojnë rastin ta shohin këtë ekspozitë dhe të shënohet bashkërisht fundi i vitit të madh të Skënderbeut.

E pranishme në ekspozitë ishte edhe skulptorja Arjeta Miftari të cilën tashmë jemi mësuar ta hasim në secilin aktivitet kulturorë. Ajo foli për KultPlus duke e mirëpritur këtë lloj bashkëpunimi shumë të rëndësishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, por duke shprehur dëshirën që këtë bashkëpunim ta bëjnë edhe me trevat tjera të Kosovës.

“Kosovës ju ka dashtë një ekspozitë e tillë, unë pash shumë gjëra interesantë që më herët nuk kam pasur rast t’i shohë. Kjo ekspozitë sjellë një pjesë të historisë së popullit tonë, dhe nga gjithë këto ekspozime ishin disa monedha që mua më lidhen më shumë personalisht se gjërat e tjera, por në përgjithësi është një ekspozitë që prezanton historinë tonë dhe është mirë ta dijë secili vizitorë që vije këtu”, u shpreh Miftari për KultPlus.

Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor./KultPlus.com

Artistët shqiptarë me ekspozitë të përbashkët në Vjenë të Austrisë

Vjena si një qendër me histori dhe traditë të pasur sa i përket artit, kulturës dhe mundësive të shumta për shpalosjen dhe prezantimin e vlerave të llojllojshme artistike, gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e njerëzve të artit dhe ka sjellë para artdashësve dhe adhuruesve e pasionantëve vepra të mëdha nga emra të njohur vendas e botërorë. Edhe artistët shqiptarë gjithmonë kanë gjetur një derë hapur në këtë qytet dhe me punimet dhe vlerat e tyre artistike kanë dalë faqebardhë dhe të dinjitetshëm para publikut, duke përçuar kështu mesazhe të forta për kulturën, dhuntinë dhe begatshmërinë e tyre si individuale, por edhe kombëtare.

Artistët shqiptarë dhe profesorët universitarë Saranda Kika-Bahtiri (Prishtinë, Kosovë) dhe Melik Arsllani (Gostivar, Maqedoni), të martën, më 7 nëntor 2018, hapën në Vjenë ekspozitën e tyre të përbashkët, ku të dy kishin sjellur disa piktura nga krijimtaria e tyre e pasur dhe e dëshmuar në sferën e arteve pamore. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 14 nëntor 2018 dhe mund të vizitohet në një lagje qendrore të Vjenës, në Galerinë Contemplor.

Pas tetë ekspozitave personale dhe mbi 50 ekspozitave grupore brenda dhe jashtë Kosovës, Saranda prezantohet me pikturat e saj në ekspozitën e përbashkët të radhës në qendër të Vjenës, ku në praninë e një numri të madh të dashamirëve të artit, ajo shpalosi përmes pikturave të saj talentin e madh dhe vlerën e një krijuesi të mirëfilltë dhe me plot dhunti e pasion. Ajo tha se ndjehet shumë e pritur ngrohtë këtu në Vjenë dhe njëkohësisht është e privilegjuar të hap ekspozitën e saj këtu në Vjenë, ku me shekuj krijohen e ruhen vepra të mëdha e të rralla. Asaj i pëlqen qyteti, ndërtesat pastërtia dhe qetësia që mbizotëron në rrugët e tij, u shpreh ajo në fjalën e saj. Pikturat e saj shprehin një abstraksion të fuqishëm, të përthyer nga një kontrast i fortë ngjyrash, si një shpërthim shqetësimi apo harmonizimi të brendshëm, duke paraqitur një derdhje të mrekullueshme të imagjinatës së autores mbi to.

Saranda diplomoi në Bachelor të Arteve në vitin 2004, kurse Studimet Master i përfundoi në vitin 2007 në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2006 ligjëron si profesoreshë e artit në Universitetin „Isa Boletini“ në Mitrovicë. “Duke i kundruar kompozicionet e piktores Sarandës, del në shesh harmonizimi i ngjyrave me nuanca të forta intensive si në plan të parë poashtu edhe në prapavijë. E kuqja është dominante, shpërndahet në tërë kompozicionin dhe ka pamjen e një magme dhe krijon ekspresivitet dhe subtilitet të llojllojshëm të motiveve, sidomos e shtrirë në peizazhe imagjinative”, thotë për artin e Sarandës kuratori Ilir Muharremi.

Piktori Melik Arsllani diplomoi në Fakultetin e Arteve në vitin 1994 në Prishtinë, kurse Studimet Master i përmbylli në vitin 1998 gjithashtu në Prishtinë. Ai deri më tash është prezantuar në disa ekspozita kolektive, ndërsa numëron dhjetëra ekspozita personale. Që nga viti 1996 ligjëron në Universitetin e Tetovës, në degën e Arteve. Pikturat e tij janë të pasura me një emocion të begatshëm, peizazhe që kapërcejnë në një gjallëri e dramaticitet, shkëlqime e shplodhje ngjyrash, forma pa përkufizime ideore, dhimbje apo lumturi e vendosur me finesë në formë dhe koncept dhe përshkohen nga një paravijë apo prapavijë shumë domethënëse. Dukshëm në krijimet e tij janë shpirtërorja, dritat dhe hijet, por dhe dritëhijet njëkohësisht, duke portretizuar një dozë të theksuar të gjenialitetit, kompozicionit, hapësirës dhe kohës.

“Arsllani frymëzohet nga vendi i tij, shumë i bukur si natyrë, por shpesh i trazuar. Nëpërmjet ngjyrës, si material i përjetshëm i pikturës, bën një zbulim lirik të botës së brendshme. Ai ka krijuar piktura që shikohet nga afër dhe nga larg. Teksa i shikon nga afër sheh mjeshtërinë e piktorit. Me penelata tejet të sakta ka krijuar një tërësi kompozicionale, një botë të sajuar artistike shumë tërheqëse. Kur i sheh nga një distancë, pikturat e tij jo vetëm përjetohen, por edhe të nxitin meditimin”, shprehet profesori dhe shkrimtari Salajdin Salihu.

“Duke u nisur nga mënyra e realizimeve kompozicionale të autorit në fjalë, mund të themi se në to janë të gërshetuara përvoja dhe instinkti artistik, liria e të shprehurit pamor, ngrohtësia dhe përkujdesja ndaj mjedisit dhe traditës. Plotnia figurative estetike e gërshetuar me nuanca ekspresive koloritesh dhe tonesh përjetohet si katarzë ndiesore dhe përbën pjesën fundamentale të botëkuptimit krijues të Melikut”, thotë Jëlldëz Asani, historiane e artit.

Përndryshe në hapjen e kësaj ekspozite të pranishëm ishin një numër i madh bashkatdhetarësh që jetojnë në Austri, ndër ta dhe shkrimtari nga Tetova Besim Xhelili, kurse për ndërlidhjen e dy artistëve me Galerinë u përkujdes Keti Berisha, stiliste dhe fotografe që jeton e vepron në Vjenë. / KultPlus.com

Shkruan: Besim Xhelili

Koleksionistja britanike hapë ekspozitën e saj për Skënderbeun në Prishtinë

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të hënën, do të hapet ekspozita “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar”, e koleksionit të Librave Antikuar të koleksionistes së njohur britanike, Patricia Nugee.

Ekspozita organizohet nën patronatin e Zyrës së Sekretariatit të Qeverisë për Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Patricia Nugee, në vitin 2004, ia dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Kosovës librin e Marin Barletit “Jeta dhe Vepra e Skënderbeut” të vitit 1533, i cili njëherësh është edhe libri më i vjetër në bibliotekë.

Patricia Nugee ka filluar koleksionimin e librave për Skënderbeun 30 vjet më parë. Sot, në koleksionin e saj i ka rreth 500 ekzemplarë, të cilët i ka prezantuar në disa kryeqytete të Evropës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet në hollin e ekspozitës së bibliotekës më 15 tetor, në orën 10:00. / KultPlus.com

Gratë nga Krusha e Madhe sollën vjeshtën në “Monet” përmes punimeve të qeramikës

Alberina Haxhijaj

Sonte në galerinë Monet Art & Books është hapur ekspozita me punime të qeramikës të cilat i kanë realizuar gratë nga Krusha e Madhe, shkruan KultPlus.

Në fillim të këtij muaji Blerta Surroi dhe Veli Blakçori për një javë kanë punuar së bashku me gratë nga Krusha e Madhe në punëtorin e qeramikës të realizuar nga koordinatorja Vala Blakçori. Pjesëmarrëset e kësaj punëtori janë prezantuar për herë të parë me këtë formë arti dhe kanë punuar punime të ndryshme nga qeramika. Këto punime sonte erdhën të ekspozuara pikërisht në Monet për të gjithë të interesuarit që dëshironin t’i blinin ato.

Punimet veçoheshin për ngjyrat të cilat ishin përdorur, ato të vjeshtës me të cilat ishin ngjyrosur pasi që ishin pjekur. Në këto punime mund të gjeni edhe elemente të tjera të kësaj stine që ishte edhe tema e kësaj punëtorie duke përfshirë këtu edhe gjethin, gjurmët e të cilit mund ti gjeni të printuar në anën e jashtme të punimeve.

Zahrije Hoti, arsimtare e gjuhës shqipe e cila ishte pjesë e kësaj punëtori dhe kishte të ekspozuar dy prej punimeve të saj tregoi se më parë nuk kishte punuar asnjëherë me qeramikë. Ajo rastësisht e kishte parë lajmin për të marrë pjesë në këtë punëtori dhe pastaj i kishte pëlqyer shumë kjo punë. Sipas saj përveç që kishte mësuar diçka të re ajo edhe është relaksuar gjatë kohës që ka kaluar në punëtori.

“Jemi ndarë shumë të kënaqur me këtë punëtori. Aty na kanë tregu sesi të punojmë dhe sonte këtu kam dy punime. Gratë që kanë marrë pjesë ishin të moshave të ndryshme duke filluar prej nxënësve në shkollë fillore e deri të ato me të moshuara. Si ide kjo ka qenë shumë e mirë pasi që siç e dini fshati jonë ka nevojë për aktivitete të tilla për fuqizimin e grave. Më ka pëlqyer shume sepse jam fokusuar në punë dhe nuk kam menduar për diçka tjetër, ka qenë shumë relaksuese”, u shpreh ajo për KultPlus.

Blerta Surroi e cila ka punuar së bashku me gratë të cilat ishin pjesëmarrëse në këtë punëtori u shpreh se arti është formë e komunikimit që i lidhë njerëzit, kështu ata si artistë kanë menduar që atë që e bëjnë më së miri vet ta ndajmë edhe me të tjerët.

“Ideja ka qenë që ta bëjmë një punëtori të qeramikës me idenë dhe qëllimin që të krijomë ura komunikimi që përmes artit të bëhemi së bashku dhe të ju mësojmë punën e qeramikës. Ideja ka qenë që kjo ekspozitë me punime nga kjo punëtori të jetë edhe shitëse në mënyrë që fondet që mblidhen të ju shkojnë pikërisht autoreve si një shpërblim për to dhe për punën që kanë bërë”, u shpreh Surroi.

Tutje ajo ka treguar se kanë qenë shumë të gëzuar si organizatorë që pjesëmarrësit kanë qenë të moshave të ndryshme dhe që kanë shprehur
interesim për këtë artizanat. Sipas saj kjo është shumë e rëndësishme pasi që puna me qeramikë është në zhdukje në ditët e sotme dhe hapja e punëtorive të reja është e mirëseardhur, veçanërisht nëse ndodh nga gratë që ishin pjesëmarrëse në punëtori.

Kjo punëtori është financuar nga Culture for Change dhe pjesë e kësaj punëtori kanë qenë: Donjeta Duraku, Zahrije Hoti, Tringa Duraku, Fjolla Zenuni, Malvesa Malsori, Qamile Dellova, Hana Hoti, Zana Hoti, Siena Ramdani, Egzona Krasniqi, Drenusha Dellova dhe Iliriana Ramadani./ KultPlus.com

Ekspozita “Ruth Wolf-Rehfeldt: Kolazhe dhe Edicione”, mbështetet nga ambasada gjermane në Shqipëri

Galeria Kombëtare e Arteve shumë shpejt do të bëjë hapjen e ekspozitës “Ruth Wolf-Rehfeldt: Kolazhe dhe Edicione”, kuruar nga Sven Spieker.
Këtë ekspozitë tashmë e ka mbështetur edhe ambasada gjermane në Shqipëri.

Më poshtë, deklarata për shtyp e ambasadores gjermane Susanne Schütz:

“Tek Ruth Wolf-Rehfeldt germat e printuara shndërrohen në grafikë. Për ne është kënaqësi të mbështesim ekspozitën me punë të Ruth Wolf-Rehfeldt, e cila është krijuar edhe nën mbresat e ndarjes së Gjermanisë. Falënderimi ynë shkon për Galerinë Kombëtare, kuratorin gjerman Sven Spieker dhe arkitekten gjermane të ekspozitës Johanna Meyer-Grohbrugge për punën dhe angazhimin e tyre. Ata së bashku do t’i prezantojnë publikut shqiptar punime, të cilat mund të shiheshin në documenta 14 që para një viti dhe që për herë të parë janë pjesë e një ekspozite në Evropën Juglindore. Ekspozita është pjesë e programit të larmishëm të Tetorit Gjerman – javëve të kulturës gjermane në Shqipëri”.

Momente nga firmosja e marrëveshjes mes të dyja institucioneve nga ambasadorja gjermane Susanne Schütz dhe drejtori i GKA-së, Erzen Shkololli.

Ekspozita hapet ditën e premte, datë 12 tetor, ora 19:00.

Ruth Wolf-Rehfeldt është një artiste gjermane që njihet kryesisht për artin e saj me poezi pamore dhe art postar. Në fillim të viteve 70-të, pas punës së saj si piktore, ajo zgjedh makinën e shkrimit si mjetin kryesor për të prodhuar art. Përdor dy modele të ndryshme të makinave të shkrimit të tipit Erika të RDGJ-së (më vonë model stilolapsi) duke kthyer germat e tyre standarde në valë dinamike, rrjedha simbolesh dhe struktura poezish të ndërtuara me presje, pikëçuditëse e shkronja. Në mesin e imazheve të saj arkitekturale, shpesh herë dallojmë kulla dhe kafazë: Wolf-Rehfeldt nuk e fsheh faktin se ndjehej e kufizuar nga mbikqyrja e rreptë e regjimit nën të cilin jetonte. Megjithatë, duke zgjedhur punën e daktilografistes – profesion ky stereotipikisht femëror – ajo jo vetëm që arriti të përcaktoj përmbajtjen e asaj çfarë shkruante në letrat e saj, por edhe të zbuloj poezi aty ku të tjerët nuk e shihnin. Në vitin 1981, pas një aksidenti të rëndë trafiku, ajo filloi të prodhonte kolazhet e para, duke bashkuar typewritings/makinëshkrimet e saj me copëza gazetash apo me riprodhime të pikturave të hershme të saj në bardh e zi.

Wolf-Rehfeldt përdorte letër karboni për të bërë kopje të punëve të saj me makinë shkrimi, ndërkohë që shfrytëzonte edhe mjetet e Shoqatës së Artistëve për të printuar deri në pesëdhjetë kopje të tjera – që ishte maksimumi i kopjeve që lejoheshin në ish-RDGJ. Shumë nga këto fletë qarkulluan në rrjetin ndërkombëtar postar, pjesë e të cilit, me plot energji dhe entuziazëm, ishin edhe Ruth me bashkëshortin e saj Robert. Studio e tyre në Mendelstrasse, në lagjen Pankow të Berlinit Lindor, mbeti një nyje e veprimtarisë së artit postar ndërkombëtar – deri në vitin 1989: pas rënies së Murit të Berlinit, Wolf-Rehfeldt vendosi t’i jepte fund prodhimit të typewritings/makinëshkrimeve. Sipas saj, nuk ekzistonte më nevoja për to. /KultPlus.com

Artisja e re Dafina Gërguri sjellë ekspozitën e parë personale

Artistja e re Dafina Gërguri do të sjellë ekspozitën e saj të parë personale për të cilën ka punuar një kohë të gjatë.
Ekspozita titullohet “The world i live in” dhe do të hapet në HB- Atelier – Galeri, shkruan KultPlus.

Kjo është një Atelie-Galeri e re e cila po i shtohet qytetit të Prishtinës nga Hyrie Shaqiri dhe pikërisht ekspozita e Doruntinës do të bëjë edhe hapjen e saj.

Ekspozita hapet më datë 27 shtator në ora 19:00. /KultPlus.com

Piktorja angleze sjell artin modern në Fier

Ngjyrat dhe veprat më të fundit të artit kontemporan vijnë tek artdashësit fierakë përmes ekspozitës së piktores angleze, Lina Ogaily.

Piktorja nga Anglia, por me origjinë irakiane, hapi për herë të parë në Fier ekspozitën e saj personale. Ajo zgjodhi Galerinë e re të Arteve në Fier, e cila u transferua në godinën që ndodhet në Parkun Qendror të qytetit.

Lina Ogaily është piktore angleze me origjinë irakiane. Ekspozitat e saj të mëparshme janë zhvilluar në Londër dhe Dubai, por dhe në vende të tjera, ku ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët për stilin e saj të veçantë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur përgjatë një jave, (22-29 shtator), për të gjithë artdashësit fierakë në Galerinë e Artit “Vilson Kilica”./ ata

Hapet në Hamburg ekspozita “25“ e artistit shqiptar Mentor Ejupi

Në lokacionet e Bankës së njohur të Hamburgut është hapur ekspozita „HASPA“ e artistit shqiptar Mentor Ejupit, i lindur në Prishtinë por që jeton dhe vepron nga dhjetori i vitit 1993 në metropolen europiane të Hamburgut.

Në bashkëpunim me bankën e njohur të qytetit – Port të Hamburgut, ku ne mesin e qindra artistëve u përzgjodh pikërisht artisti nga Prishtina e si arsye është merita e punës 25 vjeçare në këtë qytet. Puna e cila u paraqit sonte para artdashësve në korporatën e njohur është e gjitha e koncipuar nga Ejup – Toro në jetën e tij gjatë këtyre 25 viteve në Hamburg. Dashuria – Vuajtjet dhe shqetësimet tjera – janë motoja e kësaj ekspozite e cila përmbledhë gjithsej 25- së piktura të punuara në teknikën e vajit në kanavec.

25 është numri i pikturave të ekspozuara nga Ejupi si dhe janë 25 vite pune dhe aktivitete artistike të autorit në këtë qytet. Ekspozita ka të ndara dy cikle nga jeta e artistit, njëra është e bazuar në tingujt e albumit „Sarabande“ të gjenisë së pianos të muzikës Rok – Jon Lord ( Deep Purpel ) e komponuar dhe realizuar në vitin 1974 më orkestrën simfonike të Budapestit. E bazuar në muzikën e barokut ( Vallëzimi Sarabande i ndaluar nga Mbreti Philipp II në Spanjë në vitin 1583, ngase vallëzimi përmbante elemente të epshit dhe eksercizmit ). Suita e barokut ishte motivimi i Jon Lord si dhe kompozicionet e Bach, porse në rastin e Mentor Ejupi-Toro albumi „Sarabande“ luan një rolë krejt tjetër, atë të vetmin rol që ka është kujtimet dhe momentet nga më të ndryshmet nga adoleshenca dhe nga mosha rinore e tij që kishte kaluar në Prishtinë. Nga liqeni i Batllavës e deri tek demonstratat e studentëve.

Në ciklin e dytë është paraqitur një seri me një abstraksion konkret ( siç e quan autori i tekstit të katalogut Albert Böhl ) , vlerësim ky nga autori i kritikës i bazuar në përcjelljen e procesit të realizimit të pikturave , më tutje Böhl: „ Mund të shihet qartë se forma përfundimtare nuk është projektuar paraprakisht. Piktura u zhvillua në mënyrë të suksesshme, në mënyrë aktive të shoqëruar nga artisti. Sapo zbatohet ngjyra ajo provokon piktorin në lëvizjet ardhshëm të brushës. Formati i vendosur i ngjyrave, dinamika e brendshme e tij, veprimet e tij ishin analoge me proceset natyrore. Zonat e lyera me ngjyrë u kaluan, përsëri të kufizohen, për t’u pikturuar përsëri mbi kufijtë. Rastësia e punës dhe konceptit e ngiste atë.”

Ekspozita është hapur sonte në HASPA, Hamburg dhe do të jetë e hapur deri më 28.09.2018, kurse pesë punime do të jenë pjesë e korporatës të ekspozuara deri ne vitin 2028./KultPlus.com

Hapet ekspozita me dokumente osmane nga shekulli XVIII-XX të gjetura në Prizren

Në Hamamin e Gazi Mehemed Pashës në Prizren është hapur ekspozita “Dokumentet Osmane Nga Shekulli XVIII-XX të gjetura në Komunën e Prizrenit” të autores Mediha Fishekçi, bashkëpunëtore për orientalistikë në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, përcjellë KultPlus.

Ekspozita në fjalë është konceptuar në atë mënyrë duke paraqitur vlerat dhe rëndësinë e dorëshkrimeve të ndryshme të periudhës osmane të cilat gjetur dhe dokumentuara nga ana e bashkëpunëtoreve profesional të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren gjatë punës hulumtuese të bërë në terren. Dokumente të shumta si diploma, vendime, vula, monedha, si dhe Kur’ani dyqind e pesëdhjetë vjeçare janë dokumente të cilat përmes fotografive janë prezantuara në këtë ekspozitë.

Në emër të Ministrisë së Kulturës foli Samir Hoxha këshilltar i lartë politik dhe shef kabineti i ministrit të Kulturës, meqë rast e përgëzoj autoren për ekspozitën ku ndër të tjera përgëzoi edhe punonjësit e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit për punën e madhe që dita ditës po bëjnë në këtë institucion në mbledhjen dhe promovimin e këtyre dokumenteve të rëndësisë së veçantë.

Ai ndër të tjera theksoj se përveç monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore që ka qytetit i Prizrenit, veçanërisht të periudhës osmane si Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi Mehmet Pashës, Ura e Gurit e Sahat Kulla, sot përmes kësaj ekspozite po i shpalosim edhe dokumentet e asaj periudhe, të panjohura deri më sot për publikun, të cilat dëshmojnë rëndësinë e qytetit të Prizrenit gjatë Periudhës Osmane.

Pas ekspozitës “Unë jam Shqiptar” që u hap të hënën në Muzeun Arkeologjik, ekspozita e sotme “Dokumente Osmane nga shekulli XVIII-XX” është ekspozita e dytë që me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizohen në qytetin e Prizrenit dhe kjo dëshmon më së miri përkrahjen që po e japim në promovimin e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit theksoj Hoxha.

Për më tepër Hoxha e ritheksoj edhe një herë përkushtimin e Ministrisë së Kulturës për të ruajtur dhe për të promovuar trashëgiminë në komunën e Prizrenit. Bartja e një pjesë të Ministrisë së kulturës tregon më së miri për rëndësinë që kjo Ministri i jep qytetit të Prizrenit./KultPlus.com

“Unë dhe Saranda”, hapet ekspozita e piktores kosovare në Sarandë

Rreth 28 punime të piktores kosovare Saranda Kika-Bahtiri u prezantuan në qytetin bregdetar të Sarandës.
Piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri është një prej 40 vajzave kosovare me emrin Saranda, që vizituan shkurtin e këtij viti qytetin, që u ka dhënë emrin.

Në ekspozitën e çelur ditët e fundit në galerinë “Art Saranda” ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, drejtues të pushtetit vendor, artdashës etj.

Në një prononcim për ATSH-në, piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri u shpreh se “e frymëzuar nga bukuritë e Sarandës, pas vizitës në qytetin bregdetar, krijova punime enkas për artdashësit, kryesisht peizazhe”.

“Në ekspozitë prezantova 28 punime të formateve të ndryshme, ku del në pah harmonizimi i ngjyrave me nuanca të forta e intensive si në plan të parë po ashtu edhe në prapavijë”, u shpreh Saranda Kika- Bahtiri.

Si në peizazhe, edhe në portrete, ngjyrat vendosen me gjeste të sigurta, me koncepte të mirë menduara dhe gjithmonë na çojnë drejt hulumtimit si të ngjyrës dhe formës .

Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe femra. E konsideruar si e brishtë në shoqëri, në punimet e piktores Saranda Kika-Bahtiri del e fortë, e qëndrueshme.

Ngjyrat në sfond janë më të lehta, më të çelta, më të pastra. Femra në brendësi ka shumë klithje, vuajtje, shqetësime, hutime dhe paramendime, e krejt kjo vjen nga gjuha e brendshme e piktores.

Në punimet e ekspozuara gjithnjë respektohet elementi i ngjyrës, linjës, formës dhe kompozicioni.

Piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri ka lindur në Prishtinë. Në vitin 2004 u diplomua në Degën e Artit Figurativ, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Në 2007 u diplomua në studimet pas universitare në Degën e Artit Figurativ. Aktualisht po ndjek studimet e doktoratës në Universitetin Internacional të Novi Pazarit.

Ajo ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive, ndërsa ka hapur disa ekspozita personale si në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë, në Podujevë, Pallati i Rinisë në Prishtinë, në Gostivar , në Galerinë e Arteve pamore në Tetovë, etj.

Piktorja Saranda Kika-Bahtiri është nderuar me çmimin e parë “Kadri Kadriu”, në Podujevë ka marrë diplomën “Studente e dalluar” nga Universiteti i Prishtinës, çmimi i parë “Salloni vjeshtor” Galeria e arteve Gjilan, fituese e shpërblimit në ekspozitën ”Arti Islam IV”(specializim i artit Ebru në Konya të Turqisë).

Ekspozita “Unë dhe Saranda do të qëndrojë e hapur në qytetin bregdetar deri në 7 tetor. /KultPlus.com