Hapet ekspozita “Dokumentet Osmane nga Shekulli XVIII-XX të Gjetura në Komunën e Prizrenit”

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren organizon ekspozitën me temë “Dokumentet Osmane nga Shekulli XVIII-XX të Gjetura në Komunën e Prizrenit”, nga autorja Mediha Fishekçiu, përcjell KultPlus.

Ekspozita “Dokumentet Osmane nga Shekulli XVIII-XX të Gjetura në Komunën e Prizrenit”, synon prezantimin dhe përhapjen e thesarit të pasur të dorëshkrimeve dhe aseteve të trashëgimisë së luajtshme të trashëguara nga Periudha Osmane.

Kjo ekspozitë hapet në kuadër të shënimit të Ditëve të Trashëgimisë Europiane.

Hapja bëhet më 20 Shtator 2018, duke filluar nga ora 18.00, në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës./ KultPlus.com

Saranda Xhemajli nesër sjellë ekspozitën e saj personale në Galerinë “Monet”

Saranda Xhemajli është artistja e radhës që nësër do të prezantojë punimet e saj në “Galerinë Monet”, shkruan KultPlus.

Saranda Xhemajli është një artiste e re figurative, në pikturat e saja zakonisht mbizotëron femra. Ajo tenton të paraqesë disa karakteristika te veçanta njerëzore, me të cilat synon harmoninë e personazheve të saj.

Ne ekspozitën e saj do te trajtohet portreti me trëndafila dhe kurora përmes të cilave, Xhemajli zhvillon edhe konceptet e saj.

Ekspozita do të hapet nesër në Galerinë “Monet” duke filluar nga ora 19:00 dhe do të qëndrojë e hapur për dy javë, deri më 30 shtator të këtij viti./ KultPlus.com

Artistja Dije Bllaca prezanton në Maqedoni ekspozitën “Sinqeriteti mistik”

Ajo është aq e vetëdijshme sa vetë emri i saj se çdo prezantim përpara publikut është më tepër se përgjegjësi dhe i është dashur plotë një vit intensiv punë për tu prezantuar me një ekspozitë të re.

Kur duhet se ka bërë një shkëputje me promovimin e veprave të saj, por jo me artin, Dije Bllaca, piktorja nga Kosova prezantohet fuqishëm duke sjellë një botë plotë ngjyra nëpërmjet pikturave që vijnë si një ftesë për të shijuar jetën nëpërmjet artit të ngjyrave, për të harruar realitetin ku jetojmë dhe punojmë qoftë dhe për pak çaste.

Plotë 20 vepra të krijuara gjatë këtij viti ka prezantuar piktorja Dije Bllaca, në ekspozitën e saj, titulluar “ Sinqeriteti mistik”. Ekspozita që u hap pak ditë më parë në Qendrën Informative Kulturore, në Shkup të Maqedonisë mblodhi në një mbrëmje miq të artistes, drejtues institucionesh kulturore atje dhe student të arteve.

Veprat e realizuara në akrilik dhe pëlhurë tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve për larmishmërinë e ngjyrave dhe formave, ku bie në sy shpërthimi emocional i një bote shpirtërore mjaft të pasur që Bllacën e karakterizon.

Në hapje të ekspozitës drejtoresha e qendrës, Sermine Purrini, ftoi të gjithë pjesëmarrësit që të shijonin artin e Dije Bllacës, e cila di që të surprizojë publikun me prezantimet e saj.

Ndërsa, kuratorja e ekspozitës Vlora Demiri, një emër i njohur në botën e artit dhe kulturës në Shkup, u shpreh se çdo kush do të donte ta pyeste Dijen për veprat e saj, për emocionet që ajo përcjell, ku vihet re qartë se artistja nuk ka një apo disa ngjyra të preferuara, pasi ajo përdor një larmishmëri ngjyrash për të sjellë përpara publikut vepra të mira.

“Nëpërmjet veprave të mija në këtë prezantim të radhës kam dashur ti sjell publikut qetësi, paqe, art, për të harruar sadopak të përditshmen. Kam synuar që çdo kush që shikon pikturat e mija të humbas në një botë arti, të gjejë veten në ngjyra dhe forma, për tu shkëputur qoftë dhe për disa çaste nga realiteti ku jetojmë, tha Dije Bllaca, për KultPlus.

Pjesë e shoqërisë artistja nuk e shikon veten të shkëputur nga realiteti ndaj dhe thotë se koha ku po jetojmë, patjetër që ka një lloj ndikimi dhe kjo pasqyrohet në artin e saj, ndaj dhe në disa prej veprave vihet re një lloj shpërthimi, një lloj vullkani që herë herë bën presion për të dal në sipërfaqe duke reflektuar në ngjyra dhe forma.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Shkup deri më datë 16 shtator dhe më pas do të vijoj rrugëtimin e saj artistik në Gostivar.

Dije Bllaca, është një emër tashmë i konsoliduar në artin pamor shqiptar. Sot, një profesorë arti, pikture, ajo ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Gjermani, Austri, Argjentinë. Ka hapur ekspozita personale në Kosovë e Maqedoni, ndërsa është vlerësuar në vitin 2017 me çmimin “Zef Kolombi” në Ferizaj, dhe në vitin 2013 me çmimin “ Draudakum” në Maqedoni./ Erjola Azizolli /KultPlus.com

Lui Shtini vjen me ekspozitë personale në LambdaLambdaLambda

Lui Shtini këtë të martë do të prezantojë në LambdaLambdaLambda ekspozitën e tij të titulluar “Fused”, shkruan KultPlus.

Pikturat që do të karakterizojnë ekspozitën personale të Lui Shtinit janë të përzgjedhura nga veprat e vitit 2015 që shënojnë fillimin e eksplorimit të artistit në përplasjen e dy entiteteve brenda një përbërjeje horizontale. Në kërë ekspozitë për herë të parë do të ekspozohet kjo seri e pikturave.

Bashkimi i dy formave vjen si zgjerim i veprave të mëparshme të Shtinit të cilat janë fokusuar në një karakter të vetëm, duke lejuar një marrëdhënie më komplekse midis sipërfaqes, materialit dhe mediumit.

Lui Shtini është i lindur më 978 në Kavajë të Shqipërisë ndërsa ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, që nga viti 1997 deri në vitin 2000, po ashtu ka ndjekur edhe Shkollën e Pikturës dhe Skulpturës Skowhegan në vitin 2007. Ai jeton dhe punon në Brooklyn, NY.

Ekspozita hapet të martën, më 11 shtator duke filluar nga ora 19:00 në LambdaLambdaLambda./ KultPlus.com

Mina dhe Leonid, “Kurrë s’kanë me u rritë”

Galeria Kombëtare e Kosovës do të mirëpresë sot ekspozitën e artistëve Mina Krasniqi dhe Leonid Palushaj, shkruan KultPlus.

Ekspozita titullohet “Kurrë s’kanë me u rritë” dhe vjen e kuruar nga Burim Berisha.

Ceremonia e hapjes do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës më12 shtator, në orën 19:00./KultPlus.com

Flaka Halit shprehet e lumtur për hapjen e ekspozitës së parë personale në Shqipëri

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve është zhvilluar sot konferenca për shtyp mbi ekspozitën e Flaka Halitit “Këtu – apo atje, është më atje”. Kjo ekspozitë e parë personale e artistes në Shqipëri do të çelet nesër, datë 7 shtator në ora 19:00 në sallën e ekspozitave të përkohshme, dhe do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor 2018.

Folës gjatë konferencës ishin artistja Flaka Haliti, kuratorja Leonie Radine dhe Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli.

Erzen Shkololli falënderoi Leonie Radine që pranoi ftesën e tij dhe të Flakës për të kuruar këtë ekspozitë të parë të artistes në Shqipëri. Shkololli përmendi faktin që kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Më pas fjalën e mori Leonie e cila foli më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë. Kjo ekspozitë që do të prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale.

Leonie thotë: Titulli “Këtu – apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?

Më pas, artistja Flaka Haliti falënderoi përzemërsisht Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që bënë të mundur realizimin e ekspozitës së saj të parë në Tiranë. Në fund, ajo zgjodhi të bënte një tur në ekspozitë për të pranishmit për të shpjeguar më shumë mbi veprat e saj, si edhe për narrativën e gjithë prezantimit.

Jeni të ftuar nesër, datë 7 shtator, ora 19:00 për të marr pjesë në çeljen e ekspozitës së parë personale të Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare te Arteve.

Biografi e shkurtër
Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Städelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare. /KultPlus.com
Foto: Gerta Xhaferaj

Maksut Vesgizhi solli në GKK copëza të realitetit shqiptar si formë kritike dhe nostalgjike

Alberina Haxhijaj

Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur sonte ekspozitën “Pavilion K”, të artistit Maksut Vesgizhi. Ekspozitë kjo e kuruar nga Matilda Odobashi, shkruan KultPlus.

Në katin e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës sonte kanë zënë vend punimet e Maksut Vesgizhi. Ato u ekspozuan me rastin e hapjes së ekspozitës së tij “Pavilion K”, në Prishtinë. Ekspozitë kjo e cila tërhoqi mjaftë artdashës të cilët vështronin me syrin e tyre kritik këtë ekspozitë.

Të vendosura në fillim të hyrjes qëndronin dy dorashka, ndërsa në mur qëndronin të varura disa rroba, e me të kthyer kokën në anën e djathë mund të gjeni armaturë, dhe thasë të mbushura me sfungjerë, ndoshta një jastëkë ky i ideuar nga artisti.

Pikërisht këto punime vinin në pah edhe multimedialitetin e artistit, diçka që theksoi edhe Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani.

Kjo ekspozitë veçanërisht përfaqëson atë drejtim të cilin Galeria Kombëtare e ka marrë gjatë navigimit në rrjedha të artit bashkëkohor me tendencë që të ketë sa më shumë ekspozita interdisiplinare dhe multimediale, që ndërthurin fusha të ndryshme të artit në një identitet”, u shpreh ajo.

Pak më tutje në hapësirën më të madhe të këtij kati të Galerisë, vend kishin zërë edhe disa tulla të vendosura në qese të plastikës, të cilat qëndronin horizontalisht dhe në rend me njëra-tjetrën. E disa hapa larg tyre, sfungjerët me ngjyrë të verdhë, qëndronin afër mureve në dy anët e kësaj hapësirë. Materialet të cilat mund t’i hasim edhe në përditshmërinë tonë e që dëshmojnë se edhe në arkitekturë por edhe në arte vizuale interesimi i Vezgishit është eksperimenti dhe modernia, duke kthyer njëkohësisht vëmendjen kah kërkimi në artin aktual shqiptar.

Ekspozita “Pavilioni K”, mund të konsiderohet edhe një ribashkim artistik në mes të artistin Maksut Vesgizhi dhe kuratores Matilda Odobashi, pasi që ata kanë punuar edhe në të kaluarën së bashku.

“Për mua punimet që po shihni janë si copëza apo pjesëza të realitetit shqiptarë dhe shqip-folës, të cilat mendoj se paraqiten me një formë sa kritike aq edhe nostalgjike. Një kohë që ndoshta ishte por që edhe vazhdon të jetë sot e asaj ditë”, theksoi kuratorja.

Maksut Vezgishi i lindur në Prizren, në vitin 1960, kreu studimet e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Ai punoi si asistent në Fakultetin e Arkitekturës, (1993/95). Njëkohësisht punoi si redaktor artistik edhe në gazeta, në shtëpinë botuese ‘Dukagjini’ në Pejë, në Galerinë ‘Dodona’. Pastaj në Teatrin e Qytetit të Prizrenit, si projekt autorial punoi Dramën Vizuele/Skena Alternative;
‘Proporcione Hyjnore’ (1990). Po ashtu në fushën e skenografisë bashkëpunoi me teatrot në Prizren, Prishtinë, Sisak, Lubjanë, Shkup, Bruksel, Elbasan.

“Më 1978, para 40 viteve takova në Prishtinë ambientet e para moderne për të cilat kam nostalgji. Shtëpia e Mallrave, Mensa e Studentëve, Biblioteka. Arkitektura mi përmblodhi artet aktuale sot edhe atëherë”, ishin fjalët që artisti i thekoi në hapje të ekspozitës para se të ftonte të gjithë të pranishmit që të hynin brenda dhe ta vizitonin ekspozitën. Ekspozitë kjo e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Dita e Viktimave të Komunizmit shënohet me ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar

Përkujtohet në Tiranë Dita Europiane e Kujtesës së viktimave të komunizmit, ndërsa Muzeu Historik Kombëtar prezantoi ekspozitën e hapur “Pantallonat e Gjon Tunxhit”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.

Pantallonat e Gjon Vatnikaj (Tunxhi) janë të arnuara me fije flokësh të nënës së tij, Mrika Tunxhi, gjatë kohës së internimit.

Ky objekt ekspozohet në Pavijonin e Terrorit Komunist në Shqipëri, i cili gjendet në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar. Në pavijon paraqiten dokumente, fotografi dhe rreth 130 objekte historike të vendosura në linjën tematiko-kronologjike për periudhën 1944-1990.

Interes paraqesin fotografitë kushtuar incidentit në Ambasadën Sovjetike dhe të gjyqeve të zhvilluara ndaj deputetëve liberalë të parlamentit shqiptar. Në pavijon është paraqitur edhe përndjekja politike ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë. Në pavijon vizitorët do të gjejnë një hartë ku pasqyrohen burgjet, kampet me punë të detyruar si dhe kampet e internimit në territorin e shtetit shqiptar.

Në Shqipërinë e asaj kohe gjendeshin spitale-burgje dhe spitale psikiatrikë ku “kuroheshin” të akuzuarit politikë. Atmosfera brenda modelit të një qelie të asaj periudhe padyshim që krijon emocione tek vizitorët./ata

Tmerret e Kampit të Tepelenës në një ekspozitë

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pritet të organizojë ekspozitën me titull “Persekutimi Komunist në zonën e Tepelenës.”

Raportohet se pjesë e kësaj ekspozite do të jenë dokumente arkivore të dhjetëra dosjeve që dokumentojnë përndjekjen e ish-Sigurimit të Shtetit në zonën e Tepelenës, dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos dhe dhjetëra të tjera.

Kjo ekspozitë dokumentare kushtuar përkujtimit të viktimave dhe personave të mbijetuar nga regjimi totalitar komunist, i paraprin Ditës Muze Memorial/Tepelenë që do të zhvillohet në qytetin e Tepelenës, më 23 gusht 2018.

Të ftuar do të jenë familjarë, studiues, përfaqësues të komunitetit lokal, shoqatave të ish-të përndjekurve dhe grupeve të interesit./ KultPlus.com

Për nder të Tefta Tashko-Koços, piktura e saj do të ekspozohet në Londër

Eleganca dhe fisnikëria e këngëtares lirike, Tefta Tashko-Koço, e ka frymëzuar aq shumë piktoren Suela Pulaha-Brown sa ta sjellë figurën e saj për herë të parë të pikturuar.

Suelën e lidh shumëçka me Tefta Tashkon: vendlindja, studimet në liceun “Tefta Tashko” të Korçës në degën e pikturës, si edhe dashuria për artin.

Jetesa prej 15 vitesh në Angli nuk e ka zbehur aspak lidhjen e forte me Shqipërinë, përkundrazi, ajo dëshiron fort që arti shqiptar të promovohet në Britaninë e Madhe, e për ta bërë këtë ka zgjedhur figurën e këngëtares.

“Ndiej që në njëfarë mënyre ajo ka bërë një investim personal në jetën time. Dëshiroj që kjo figurë kaq e rëndësishme e kombit tonë të njihet edhe këtu në Angli, sepse dëshiroj që bota të fillojë të njohë edhe ato anë të bukura e pozitive të kulturës dhe të artit shqiptar”, tha Suela Brown, piktore, raporton Tch, transmeton Klan Kosova

Për pikturën e saj në përmasat 30 x 40 cm, Suela ka zgjedhur një foto të artistes, që për të e përfaqëson më së miri.

“Kjo foto është një foto shumë e veçantë, sepse mendoj që fotografi ka kapur personalitetin, botën dhe natyrën personale të kësaj artisteje dhe ka një modesti e një klasë shumë të madh brenda imazhit, kështu që kisha dëshirë ta përdorja atë foto”, tha më tej ajo.

Piktura do të ekspozohet për herë të parë për publikun londinez në një ekspozitë të rëndësishme në muajin dhjetor./KultPlus.com

Ekspozita e artistit Banksy në Moskë, nuk mirëpritet nga artisti

Në rrjetet sociale artisti është shfaqur i befasuar me ekspozitën e cila në fakt po konsiderohet një retrospektivë e punës së artistit, titulluar “Ekspozita e Banksy-it, një gjeni apo vandal?”, përcjellë KultPlus.

Artisti ka shpërndarë në Instagram një fotografi të bisedës së tij më një person tjetër ku tregon se ai nuk ka njohuri dhe lidhje për organizimin e kësaj ekspozitë.

Ai shprehet kundër saj si dhe thekson faktin se ai asnjëherë nuk do të kërkonte të holla nga njerëzit për të parë punën e tij, shkruan LeFigaro.fr

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri në shtator në Central House of Artists në Moskë. Aty do të prezantohet një numër i punimeve nga artisti i rrugëve i njohur si Banksy, identiteti i të cilit deri më tani është anonim.

Në anën tjetër organizatorët e ekspozitës e kanë marrë shumë seriozisht postimin e tij dhe kanë treguar se asnjëherë nuk e kanë paraqitur këtë ekspozitë si të organizuar nga vet artisti mirëpo sipas tyre të gjitha objektet që do të ekspozohen i takojnë një koleksioni privat dhe kështu ata kanë të drejtë që të ekspozojnë këto punime./KultPlus.com

Hapet ekspozita “Unë jam Shqiptar”

Në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Muzeu i Kosovës ka hapur sot ekspozitën fotografike “Unë jam Shqiptar” në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

Ekspozita e cila për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj. Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë. Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.

Në hapje të ekspozitës ka marrë pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili e vlerësoi ekspozitën si një sjellje para nesh të një kujtese të vuajtjes dhe historisë së dhimbshme që ka përjetuar populli shqiptar nëpër periudha të ndryshme të historisë.

Ministri Gashi tha se “Si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vijimësi jam duke e ndjekur ecurinë e zbatimit të aktiviteteve që rrjedhin si obligim nga Protokolli i Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor që kemi nënshkruar në muajin qershor dhe sot dua të rikonfirmoj përsëri këtë mbështetjen time në këtë drejtim por edhe të falënderoj institucionet e të dy vendeve tona për angazhimin e treguar në këtë proces.

Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, që hapet sot në Muzeun e Kosovës trajton një përmbajtje kuptimplote dhe të njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare. Ekspozita të tilla, janë dëshmi e një hapësirë shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen“, ka thënë ministri Gashi, duke shtuar se ky aktiviteti i cili po organizohet në kuadër të Kalendarit tregon se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e kulturës është në drejtimin e duhur dhe ky bashkëpunim do të avancohet edhe më tutje./KultPlus.com

Mentor Ejupi Toro së shpejti hapë ekspozitën “25”, punimet e tij pjesë e bankës më të madhe të Hamburgut

“25” është titulluar ekspozita e radhës e artistit nga Kosova që jeton dhe vepron në Hamburgu të Gjermanisë Mentor A. Ejupi Toro, shkruan KultPlus.

Kjo paraqitje e punës së artistit erdhi si kërkesë e bankës më të madhe të Hamburgut HASPA me rastin e renovimit të bankës të tyre. Punët e Mentorit do të jenë të prezantuara për dhjetë vitet e ardhshme në hapësirat e kësaj banke prestigjioze gjermane, si shenjë dhe si njohje e punës 25 vjeçare në këtë qytet të artistit Mentor A. Ejupi Toro.

“25” ka titulluar artisti ekspozitën e tij që do të hapet me 24 shtator në qendrën e bankës HASPA Hamburg. Pikturat janë të punuara në mediumin vaj në kanavec dhe tregojnë udhëtimin e tij gjatë këtyre 25 viteve të fundit.

“Gjatë punës time të fundit unë ndjeva nevojën për të sfiduar botën e korporatave. Riprodhimi i serive të hershme të pikturave të mia është një reagim i radhës, koleksionisti është konsumatori i përditshëm, por kurrë nuk është ekskluziv. Korporata u bë forca më e fuqishme e manipulimit me vendimet tona të jetës. Andaj unë pranova të bashkëpunoj me këtë korporatë gjigande duke mos u koncentruar në jetën e përditshme porse unë jam i përqendruar që punën time ta shohin të gjithë, si dhe udhëheqësit e korporatave”, ka thënë artisti.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të shtatorit 2018, kurse në pesë hapësira të bankave do të jenë të prezantuara punimet e Mentorit për dhjetë vitet e ardhshme./ KultPlus.com

Ekspozita “Unë jam shqiptar” nesër prezantohet në Muzeun e Kosovës

Ekspozita “Unë jam shqiptar” këtë të premte do të pozicionohet në Muzeun e Kosovës ndërsa vjen në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë, ideuar dhe organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Muzeu Historik Kombëtar në muajin dhjetor 2017, do të qëndrojë e hapur në datat 10 – 31 gusht 2018 në ambientet e Muzeut të Kosovës.

Në këtë ekspozitë përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.
Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.

Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe rilindësve shqiptarë.

Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.

Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre./ KultPlus.com

‘Unë jam Shqiptar’

Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, do të sjellin ekspozitën me titull “Unë jam Shqiptar”, përcjellë KultPlus.

Në këtë ekspozitë përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.
Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.

Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.

Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.

Ekspozita do të jetë e hapur nga data 10 gusht deri më 31 gusht, duke filluar nga ora 10:00 deri 18:00 , nga dita e martë deri të dielën.
Në hapje të ekspozites do të ketë koktej rasti dhe do të performoj grupi muzikor “Don’t listen to your neighbors”./KultPlus.com

Hapet ekspozita me fotografi nga trashëgimia kulturore e trevës së Ferizajt

Në kuadër të agjendës së aktiviteteve të “Ditëve të Diasporës”, në oborrin e Bibliotekës “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj, Muzeu i Qytetit ka hapur ekspozitën me fotografi nga Trashëgimia kulturore e trevës së Ferizajt.

Kjo ekspozitë mëton të paraqes momente të ndryshme historike të qytetit të Ferizajit si dhe pamjen e qytetit ndër periudha historike. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 02 gusht 2018.

Ka filluar protesta kundër trajtimit të lopëve nga artisti Sislej Xhafa (FOTO)

Është paralajmëruar që sot në ora 16:30 të mbahet protestë para Galerisë Kombëtare të Kosovës nga aktivistët për të drejtat e kafshëve – United for Animals – UFA.

Kjo protestë po vjen pas hapjes së ekspozitës së artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht Sislej Xhafa, i cili në ekspozitën e titulluar “Të dua pa e ditur”, përveç të tjerash ka edhe veprën “Eight Kosovo Coës”, ku në oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, është ndërtuar një ahur në të cilin janë gjithsej tetë lopë që qëndrojnë dhe do të qëndrojnë aty përgjatë 1 muaji, shkruan KultPlus.

Protestuesit tashmë kanë filluar të mblidhen para Galerisë Kombëtare ku edhe po vendosin pankarta me mbishkrime të ndryshme kundër kësaj ekspozite. Ata potencojnë se nuk janë kundër artit po kundër trajtimit që po ju bëhet lopëve.

Ndërsa, sot gjatë ditës, ende pa filluar protesta, udhëheqësit e Galerisë Kombëtare të Kosovës, kanë thirrur konferencë për media ku u bë e ditur e gjithë mirëmbajtja e lopëve. Në konferencë të pranishëm ishin drejtoresha e galerisë Arta Agani, përfaqësuesi i Këshillit Drejtues të galerisë Driton Axhami dhe pronari i lopëve Arben Avdiu.

Si fillim Arta Agani, tha se është e dhembshme që detyrohet të diskutojë çështje të cilat sipas saj duhet të jenë të nënkuptuara dhe të bazuara në kredibilitetin e institucionit të cilin ajo drejton dhe MKRS.

Ndërsa, sa i përket krejt kësaj ‘zhurme’ që është krijuar rreth kësaj ekspozite, vetë artisti Sislej Xhafa është deklaruar vetëm me një fjalë të cilën ia kishte dërguar drejtoreshës së GKK-së, për ta lexuar.
“Unë jam vegjetarian, ju dua pa e ditur”, ka thënë Xhafa./KultPlus.com

“Shkrepëtima” nga Petrit Halilaj vazhdon rrugëtimin në Zvicër

Të enjten në Bernë të Zvicrës në Zentrum Paul Klee, artisti Petrit Halilaj do të hap ekspozitë e tij “Shkrepëtima”.

Gjithashtu para hapjes së ekspozitës artisti së bashku me kuratorin Leonardo Bigazzi do të flasin për ekspozitën por edhe për projektin me të njëjtin emër i cili u shfaq në Runik, shkruan KultPlus.

Ekspozita e Petrit Halilajt në Zentrum Paul Klee është pjesë e një serie projektesh në Nju Jork, Runik (Kosovë), Bernë dhe Turin, në të cilat artisti eksploron historinë, identitetin dhe mjedisin e vendlindjes së tij. Halilaj është laureat i Çmimit Mario Merz 2018.

Ekspozita sillet rreth fshatit Runik, vendlindjes së artistit.

Petrit Halilaj në këtë projekt shfaqë faktin se fshati Runik, i rindërtuar pas luftës, është vendosur në qendër të një prej vendbanimeve më të mëdha neolitike në Evropën Juglindore, ku edhe sot, fshatarët gjejnë artefakte neolitike.
Puna aktuale e artistit sillet rreth pyetjes se çfarë roli kulturor dhe social kanë këto artefakte në komunitetin e Runikit, ose çfarë roli mund të luajnë ato në të ardhmen.

Në mungesë të infrastrukturës kulturore, njohuria për të kaluarën e largët mbetet e zbehtë. Kështu artefaktet e gjetura nga e kaluara stimulojnë imagjinatën popullore dhe spekulimet rreth origjinës janë të shumta.

Me anë të tregimit të historisë së këtyre objekteve, video instalacioni i artistit, “Çatitë ishin aq afër sa edhe një mac e përgjumur mund të kalonte Runikun pa prekur në tokë (2017)”, ofron një portret të Runikut bashkëkohorë dhe të Kosovës si një komb i ri ende i pasigurt për historinë dhe identitetin e saj.

Paralelisht me ekspozitën Halilaj prezantoi edhe ngjarjen e madhe kulturore “Shkreptima” në ish-shtëpinë e kulturës në Runik duke shpresuar që ajo do të nxisë zhvillimin kulturorë në komunitet.

Në anën tjetër si pjesë e ekspozitës në Zentrum Paul Klee, Halilaj do të paraqesë vizatime, studime konceptuale dhe skulptura që ai ka prodhuar në kuadër të përgatitjeve për këtë ngjarje.

Këtu, objektet nga e kaluara neolitike janë rikthyer në mënyrë poetike duke u transferuar në zogj migrues dhe specie të tjera që udhëtojnë, eksplorojnë dhe vendosen përkohësisht në vende të ndryshme – qoftë në Runik, Neë York, Bernë ose Turin.

Si pjesë e hapjes së ekspozitës, artisti dhe kuratori Leonardo Bigazzi do të japin një prezantim mbi hulumtimet dhe aktivitetet që kanë bërë në Runik./KultPlus.com

UBT solli ekspozitën e parë ndërkombëtare të Arkitekturës në Muzeun e Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Muzeu i Kosovës mbrëmë mirëpriti ekspozitën e parë ndërkombëtare të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e veçantë, shpalosi punime të studentëve të arkitekturës në UBT, në bashkëpunim me disa shkolla me të cilat zhvillojnë partneritet. Ekspozita si e tillë erdhi me qëllim që t’i pasqyroj qasjet që kanë shkollat e ndryshme në fushën e Arkitekturës dhe që të ofroj studentëve, stafit akademik dhe komuniteti të arkitektëve një ekspozitë atraktive dhe krahasuese.

Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Lulzim Beqiri ishte ai që i uroj mirëseardhje mysafirëve të ekspozitës ndërsa theksoi se UBT përmes kësaj ekspozite synon ta pozicionoj Fakultetin e Arkitekturës, programin studimor dhe vet shtetin e Kosovës në një fazë të njohjes së vlerave dhe integrimit në shoqëritë e zhvilluara dhe me përvojë akademike.

“UBT tradicionalisht organizon ekspozitën e arkitekturës që nga themelimi i saj por që kjo është hera e parë që organizohet një ekspozitë ndërkombëtare e këtij formati në Kosovë , apo edhe më gjerë, që organizohet nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ekspozitë ndërkombëtare me punime të studentëve të arkitekturës me disa shkolla partnere”, u shpreh profesori dhe dekani Lulzim Beqiri, ndërsa shtoi se kjo ekspozitë synon promovimin e shkollave të ndryshme të Arkitekturës jashtë Kosovës dhe gjithashtu të jetë si një njohje e vlerave që gjeneron Kosova dhe sistemi i saj i edukimit.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj në fjalimin e tij iu drejtua të rinjve që ky vend u ofron shumë mundësi për të ushtruar profesionin e tyre dhe ka nevojë për mendje që shkojnë përtej shtëpisë, oborrit dhe lagjes, për mendje që edhe qytetin e sheh në një kontekst më të gjerë.

“Një vend që është i strukturuar, që ka histori qindra vjeçare, shumica prej jush do të ishit restauratorë të veprueshëm. Ky vend juve ju ofron shumë mundësi për ta ushtruar zanatin e juaj, ka nevojë për një mendje që shkon përtej shtëpisë, përtej oborrit, që shkon përtej një lagjeje që edhe qytetin e sheh në një kontekst më të gjerë dhe unë shpresoj fort që UBT është një çerdhe e dijes, e kompetencës, që juve ju ngrit që ky vend të ketë të mira dhe kompetenca nga zanati i juaj. Sa i përket ngjarjes ndërkombëtare, sot jetohet në rrjet, është fjalë kyçe, fjalë që duhet ta na përcjellë 24 orëshin, shpresoj fort që në një rrjet të fakultetit, të katedrave të juaja edhe ta shijoni këtë ekspozitë dhe të vazhdoni të funksioni në rrjet”, u shpreh në fjalën e tij Boshtrakaj.

Fakultetet pjesëmarrëse në këtë ekspozitë të organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor-UBT në Kosovë, ishin: Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin e Podgoricës-Mali i Zi, Fakulteti i Arkitekturës nga Universiteti Politeknik i Tiranës, Shqipëri, Universiteti Niğde Ömer Halisdemir – Turqi, Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin e Pecs- Hungari, Shkencat e Aplikuara Bern – Zvicër, Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin Teknologjik ne Wrocllav- Poloni, Fakulteti i Arkitekturës ne Universitetin Shtetëror te Tetovës- Maqedoni, Universiteti Teknik i Vjenës – Austri, Fakulteti i Arkitekturës dhe Mjedisit ndërtimor TU Delft – Holandë, Fakulteti i Arkitekturës at University of Zagreb – Zagreb -Kroaci dhe Anhalt University of Applied Science- BAUHAUS; Dessau- Gjermani./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare në prestigjiozen “The Guardian” (FOTO)

Photography by Valentin Jeck

Ekspozita “Toward a Concrete Utopia: Yugoslavian architecture 1948-1980” (Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi 1948-1980) në Muzeun e Artit Modern në New York (MoMA) është bërë “sebep” që Biblioteka Kombëtare e Kosovës të ketë prezantim të gjerë në botë.

Kështu që vend kësaj biblioteke dhe shumë objekteve e memorialeve në gjithë ish-Jugosllavinë, i rezervoi një vend edhe prestigjiozja angleze “The Guardian”. Kjo gazetë në versionin online ka publikuar këtë ekspozitë nëpërmes fotografive.

Fotografia e cila ka zënë vend në këtë lajm, por edhe në gazetën angleze, është e bërë nga Valentin Jeck. E pjesë e kësaj ekspozite është edhe udhëheqësi i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës Bekim Ramku dhe arkitekt të tjera nga ish-Jugosllavia, derisa shkrimi i përfaqësuesve të Kosovës është bërë nga arkitekti Arbër Sadiku.

Të kujtojmë se arkitekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është kroati Andrija Mutjakoviq. /KultPlus.com

Artisti Agim Salihu ekspozon në ‘Tokyo International Graphic Triennial 2018’ në Japoni

Tokyo Tama Art Museum, organizon për të gjashtën herë “Trienalen Ndërkombëtare të Grafikes Bashkëkohore”.

Ekspozita mbahet çdo tri vite duke synuar prezantimin e artit të grafikes kontemporane në trendet më bashkëkohore që ndodhin në botë si dhe përmbledhjen e të dhënave artistike, teknologjike për materialet dhe teknikat e grafikes artistike, përcjellë KultPlus.

Në edicionin e gjashtë kanë konkurruar rreth 2000 artistë nga 92 shtete. Juria e përbërë nga tri juri profesionale, ka punuar në tri faza të veçanta, nga muaji shkurt deri në fund të muajit qershor. Për të ekspozuar në këtë Trienale janë përzgjedhur 347 artist, në mesin e të cilëve është edhe artisti nga Kosova, Agim Salihu.

Kryetar i jurisë për 3 fazat e përzgjedhjes së artistëve ishte kritiku i artit, Tatehata Akira – Tama Art University President (i njohur për disa libra të cilat i ka shkruar për artisten me famë Botërore, Yayoi Kusama).

Vepra e Salihut pas ekspozitës do të mbetet në koleksion si thesar i vlerave kulminante në, ”Tokyo Tama Art Museum ”.
Kjo është vepra e dytë e Salihut në këtë Muze, pas koleksionit të vitit 2015.

Agim Salihu, gjithashtu ka hapë ekspozitë të pavarur në Galerinë, Enter Into Art, në Kelln – Gjermani në periudhën mars – maj 2018. Në vitin 2017, artisti Agim Salihu fitoi çmimin e jurisë në ekspozitën, “International Enter Into Art” në Kelln – Gjermani. /KultPlus.com

Artisti Agim Salihu

Dastid Miluka së shpejti me ekspozitë në Tiranë

Dastid Miluka është piktori i njohur shqiptar, që jeton dhe krijon në Bruksel, ndërsa së shpejti do të kthehet me një ekspozitë në Tiranë, shkruan KultPlus.

Miluka përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se do të prezantoi rreth 21 punime në Tiranë.

Dastid Miluka po kthehet në vendlindje me këtë ekspozitë, derisa punimet e tij plot kolorit e herë bardhë dhe zi, kanë shëtitur galeritë e ndryshme të botës. / KultPlus.com

Çfarë thonë artistikisht lopët e Xhafës!

Nga Naser Shatrolli

Stalla e Lopëve, ekspozitë e artistit kosovar Sislej Xhafa, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, përkatësisht, në truallin e Kampusit Universitar – Intelektual «Hasan Prishtina», aty ku u sendërtuan themelet e dijes në vitin 1974.

U quajt ngjarje kulturore ekspozita e Sislej Xhafës (artist kosovar me nam konceptual ndërkombëtar) e cila po qëndron e hapur në truallin e Kampusit Universitar, pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, njëherësh pranë Akademisë së Arteve të Bukura – aty ku kanë ligjëruar emra të shquar me peshë brushe në histori si; Xhevdet Xhafa (babai i Sislej Xhafës) dhe të tjerë.

Mos të më keqkuptoj dikush meqë do parashtroj disa pyetje, ku jo domosdoshmërish, duhet përgjigjur dikush pyetjeve të mia, meqë është vullnet i lirë qytetar parasegjithash!!

Pjesa e ngjarjes konceptuale artistike në Parlamentin e Kosovës, apo ajo brenda Galerisë Kombëtare, kishte një suzhe, një ide dhe një koncepcion global gjersa ashpër dhe mirë, krijojnë përfytyrime provokative karshi vokacionit ideoestetik dhe mesazhit që përcjellin ato (meqë ky lloj tretmani ideoestetik bazën e ka në koncept) – thënë troç, ato pamje flisnin mjaftueshëm.

Varka si subjekt, e thurur me këpucë, do të ishte roman më vete, gjersa flet për njerëzimin këtu e në botë, të cilët, i ka përbi fati i keq – lufta, balta, uji për një jetë më të mirë, ndërsa, si dëshmi do të ngeleshin këpucët e tyre – Oqeania e pamëshirës globale sot karshi varfërisë globale është bërë pikëpyetje universi më vete!!

Kolltuku në formë prapanice që determinon «secili sot po mendon për “bythën” e vet – luftë për të rehatuar bythën» ishte gjetje e qëndrueshme!
Por çka mund të thuhet konkretisht për lopët e gjalla në një Galeri Arti – A ka të bëjë me efekte mediale gjetja e artistit – për të thënë se qytetarët nuk e kanë vendin këtu, ose, qyteti është shndërruar në stallë plehurinash – nisur me artin, kulturën, shkencën, politikën dhe se a duhet bërë diçka apo duhet ngelur kështu..!!!

Pse lopët në Galeri?!
Vizitorët mezi po prisnin për të parë nga brenda lopët e Xhafës.
A fshihet sherri i konceptit të Xhafës këtu – për të futë me vetëdije ajkën kulturore dhe politike e qytetare në stallë? për të shijuar aromën e bajgave të lopës? a do të ishte e mjaftueshme kjo si ide..!!!

Çka i ofron një fëmiu modern nga Prishtina kjo stallë? çka do të mësonte ai nga kjo – a do ti mjaftonte vetëm me pa në televizor Lopën..!!!???
A do të ishte kurdisje e qëndrueshme sikur lopët do të liheshin të lira të lëviznin brenda galerisë, që të byryteshin me brirë nëpër muret e saj për të dhënë një mesazh të fort!!!

A do të ishte intriguese nëse një vizitor do të futej me këpuca të reja në bajga për të shijuar ekspozitën? a do të përcillte mesazhe konkrete në aspektin intutiv – vetëdijesues!!!!

Çfarë thonë lopët e Xhafës artistikisht!?
A do të marr status të veçantë Lopa në momentin që hynë në stallën e Xhafës!?
Pse në Kosovë Lopa krahasohet me vetëdijen qytetare!
P.sh. «Oj lopë», «spakse dy «koçe» mend, «oj lopë e shehrit», madje Lopa është përdorur si sharje ndaj femrës në Parlament!!!

Çfarë fshihej pas dërrasave të Xhafës!?
Përse kishte futur 8 lopë në stallë dhe nuk ishte vetëm një!?
A është plehurinë artistike arti kosovar? a është në nivel të lopës arsimi në Prishtinë? a është në shkallë të stallës vetëdija e përgjithshme në një qytet ku frekuentojnë gjithë bota studentore? A është aromë plehurine qyteti ku ne jetojmë sot!?

Kush i solli lopët në Prishtinë, ishte lopar ai? fukara që ka nevojë për para? A ua ka lëshuar me qira lopët për dy muaj, që të mbahen të mbyllura për përfitime materiale!!!

A është mesazh i qartë për Artistët e sodit që derdhin ngjyrat e shpirtit brenda pëlhurës së kësaj kulture dhe kësaj shtëpie arti, se, ata nuk e kanë vendin brenda kësaj oaze!!!!

Çka fshihet pas stallës së Xhafës!!
A i ka shkuar nëpër mend Xhafës se poshtë galerisë është Biblioteka Kombëtare, në raftet e së cilës qëndron universi i vlerave njerëzore, duke nisur me njeriun e parë prej nga vjen dhe ai. Mjafton me kthy kokën kah kupola e saj. Është pyetje!!??
«Fëmijët nëse e shikojnë lopën në galeri përmes televizorit, a do të mjaftonte kjo sipas idesë autoriale të artistit»!!!

A do të ishte më e qëndrueshme vepra nëse Autori do të kursehej që të shpjegoj suzheun konceptual – në principin e domenit profesional!?
A është analizuar mirë stalla në oborrin e Galerisë – Si do të reagonin kalimtarët?
A do të ishte qëllim era e bajgave që të depërtoj në hapësirën e përgjithshme të Kampusit Universitar!?

Çfarë fshihet pas stallës së Xhafës!?
Nëse do të fuste Lopët në Kishën Ortodokse, gjersa ajo qëndron në truallin e Shkencës, Dijes dhe Artit, a do të merrte kuptim bazik Lopa!?

Cili është statusi i Lopës!?
Lopa ka një status – Është LOPË në fshat – a do të ndryshonte statusi i saj me ardhjen e saj në qytet!!!!
A do të ndryshojnë qytetarët e Kosovës në aspektin e zhvillimit, emancipimit apo do të ngelen brenda logjikës së kësaj stalle – pyetje është?!
Lopa vlerësohet si strehë e mizave gjersa ato jetojnë nën bishtin e saj!! A është mision e vizion i shoqërisë kosovare për të ngelur të përbuzur brenda kësaj logjike karshi manifestit kulturor global..!!!

Po të kishin gojë Lopët, çfarë do të thonin ato..!!!! / KultPlus.com

Skender Boshnjaku befason me një ekspozitë të kolazheve autoriale

Shkëlzen Maliqi

Skender Boshnjaku, neuropsikiatër i njohur, profesor në UP, themelues i Klinikës së neuropsikiatrisë, gjithnjë ka qenë i apasionuar me artin dhe këtë nuk e ka fshehur, përkundrazi gjatë katër dekadave të kaluara ka botuar rregullisht kritika dhe vështrime mbi artin, ku një pjesë e madhe e tyre është përmbledhur në tre libra autorial. Po kështu, prej kohësh Boshnjaku është edhe koleksionues dhe interpretues i grafitëve muralë nga Kosova, përcjellë KultPlus.

Boshnjaku tani befason me një ekspozitë të kolazheve autoriale që pasionit të tij për artin ia shton edhe një dimension përforcues, duke dëshmuar se lidhjet me artin i ka më substanciale. Ekspozita në fjalë është një përzgjedhje e pjesës së vogël të një opusi me rreth tre mijë kolazhe që Boshnjaku i ka bërë nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e deri më sot. Kolazhet janë kryesisht të formatit 40:60, kurse vëllimi i tyre, koha dhe puna që ua ka kushtuar të lë thjesht pa fjalë, sidomos kur të kihen parasysh angazhimet tjera të mëdha që ai i ka pasur në profesionin e tij primar të neuropsikiatrit.

Një gjë tjetër që zgjon kureshtjen është fakti se gjatë gjithë asaj kohe që është krijuar ky numër i madh i kolazheve, për ato nuk ka ditur askush. Autori i mbante në fshehtësi edhe pse kishte kontakte të vazhdueshme me qarqet artistike.

Po kështu, informatë e dorës së parë është se këto kolazhe janë krijuar me një procedim specifik të riciklimit. Boshnjaku i ka bërë ato nga pjesët e materialeve të hedhura, si ambalazhe mallrash: kuti të ndryshme duhani, mbështjellëse çokollatash dhe produktesh tjera për konsum të përditshëm… Ai zgjedhte pjesët e dizajnuara të këtyre paketimeve, ndonjë detal interesant, ornament, shenja karakteristike, ngjyra të veçanta etj., i printe ato dhe i vendoste në kompozicionet abstrakte gjeometrike duke shfrytëzuar, gjatë kombinimit të tyre, sa atraktivitetin e vetë motiveve grafike të gjetura si “lëndë e pare”, por edhe imagjinatën dhe shijen mjaftë të hollë të tij prej krijuesi. Duke i bërë fillimisht nga hedhurinat që i gjente në shtëpi, më vonë ai gati çdo ditë shkonte në “gjah” jashtë shtëpisë, te dyqanet që hudhin ambalazhe, rreth kazanëve me plehra etj. Kjo për faktin se për përfundimin e shumë kolazheve nuk siguronte lehtë “lëndën e parë”. Disa ambalazhe produktesh vendore i kishte me bollëk në tregun kosovar (kuti cigaresh, mbështjellëse llokumash etj.), por shpesh “vuante” për t’i gjetur në sasi të mjaftueshme të atyre mallrave që tregu kosovar i sillte në seri të vogla. Këto “mungesa” specifike kushtëzonin që një pjesë e kolazheve mbetej e papërfunduar deri sa nuk sigurohej motivi i munguar. Dhe Boshnjaku nuk dorëzohej, me ngulmë i kërkonte ato, gjë që e detyronte të luante rolin e tuafit. Njerëzit çuditeshin me kërkesat e tija ngase nuk e kuptonin fare se përse ai kërkon, p.sh. kuti hurmash ose të rrushit të thatë të importuara nga Irani apo Turqia!

Janë këto disa kuriozitete që kolazhet e Boshnjakut i bëjnë me histori nga më të ndryshmet. Por, në esencë, Boshnjakut asnjë here nuk i mungonin përkushtimi dhe përpikëria rigoroze për “pastërtinë” dhe cilësinë e imazheve abstrakte, zakonisht me elemente të gjeometrisë lineare dhe ornamentikë të ritmizuar, që i ngjason qëndisjeve dhe tapiserive folklorike, por nuk e kanë aq të theksuar si element kryesor konstruktiv përsëritjen, që e karakterizon folklorin, sa kërkimin e varieteteve të ndryshme inventive dhe origjinale të imazheve me rend, harmoni dhe hijeshi abstrakte.

Një interpretim i parë tentativë i “tuafërisë” së kësaj vepre të Boshnjakut prej të cilës, në të vërtetë, nuk kam parë shumë (vetëm rreth tridhjetë e ca që ekspozohen), është se bërja e këtyre kolazheve nuk ka qenë e motivuar me ambicien e autorit që të afirmohet si artist. Po të ishte kështu Boshnjaku do të sfidohej shumë më herët që kolazhet t’i prezantojë opinionit artdashës. Ai është marrë me kritikë artistike, dhe nuk ka mundur ta ketë problem bërjen publike të një ambicie dhe karriere të dytë, pos asaj të neuropsikiatrit. Përndryshe, nuk është fenomen i pazakontë që njerëzit të merren me veprimtari të ndryshme, që në shikim të parë
duken inkompatibile.

Mirëpo, nga ana tjetër, sidomos për faktin se krijimin e kolazheve e ka mbajtur në fshehtësi të plotë, kam bindjen se kjo është drejtpërsëdrejti e lidhur me profesionin e parë të Boshnjakut, neuropsikiatrinë.

Mendoj se krijimi i kolazheve ka qenë një mjet për autoterapi, qëllimi i së cilës ka qenë mbajtja e baraspeshës ekzistenciale personale në një kornizë të konsoliduar kundrejt ballafaqimit të pandërprerë profesionale me çrregullimet dhe sëmundjet psikike, ku psikiatri, që përpiqet ta mbaj distancën, nuk mund të mos preket emocionalisht. Duke mjekuar ditën sëmundjet e ndryshme psikike: depresionet, neurozat, komplekset, fobitë etj. deri te format e ndryshme të çmendisë dhe skizofrenisë, Boshnjaku është dashur që netëve të zhytej në krijimin e kolazheve me çka e mbante atë drejtpeshimin mental prej psikiatri, sepse nuk është fjalë gojë (para)gjykimi i përhapur, ndonëse shpesh keqpërdoret, se psikiatrit, duke punuar me të krisurit, edhe vetë mund ta humbin fiqirin, arsyen.

Kolazhet e Boshnjakut, mënyra se si i ka punuar, mendoj se është një metaforë komplekse e kërkimit të arsyes dhe racionalitetit, e jo më pak edhe të harmonisë dhe të të bukures në raportet ekzistuese sociale ku disa kategori të individëve më sensitive, ose atyre të pafat dhe të damkosur nga vrazhdësia e kushteve të jetës, ndihen të përjashtuar nga shoqëria ose edhe çmenden.

Të kërkosh harmoni, racionalitet, bukuri abstrakte e ritmike etj. në hedhurina, “plehra”, por edhe ndër shpirtra të humbur të njerëzve të pafat, për Boshnjakun nuk është punë e pashpresë.

Sa i përket vlerësimit estetik të kolazheve të Boshnjakut, ato gjithsesi janë edhe art dhe kanë vlera të padyshimta, por për këtë rezervohem që t’i analizoj një herë tjetër, pasi që ti shoh më shumë punë nga ky thesar i çmuar i sapo zbuluar.

Ekspozita hapet më datë 4 korrik, ora 19:00 në MIQT PUB. / KultPlus.com