Ramë Beqiri me ekspozitë personale në Gjenevë, dedikim për të zhdukurit në Kosovë

Ramë Beqiri është artisti i njohur, i cili jeton dhe vepron prej disa vitesh, në kantonin e Gjenevës. Ai njëkohësisht aktron në disa teatro në Zvicër dhe jashtë saj. Piktori Beqiri në muajin e ardhshëm, pritet të hap një ekspozitë personale në Gjenevë për të zhdukurit në Kosovë, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch

Artisti shqiptar Ramë Beqiri do të sjell për artdashësit zviceran historinë e dhimbshme të Kosovës dhe plagën e hapur për të zhdukurit e luftës, përmes një ekspozite në Gjenevë.

“Në kujtim të të zhdukurve të luftës së Kosovës” do të jetë motoja e ekspozitës që pritet të hapet me 12-20 qershor në shtëpinë e artit ,,Maison Grutli’’, në Gjenevë të Zvicrës në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit Fifog.

Pjesë e këtij festivali pritet të jetë edhe filmi shqiptar ,,I treturi’’, me pas do pasoj edhe debati për këtë me pjesëmarrës regjisorin Arben Thaqi dhe njëri nga aktorët e filmit, Arben Muçaj, pjesë e te cilit festival Fifog është edhe artisti ynë Ramë Beqiri.

Beqiri, lidhur me këtë ekspozitë është shprehur i lumtur që është pjesë qe disa vite me radhë e këtij eventi të rëndësishëm kulturo-artistik, në Zvicër.

“Është viti i tretë që ne përfaqësohemi në këtë festival. Këtë vit e bënë më të plotë ekspozita ime sepse është një temë të cilën me vite e kam sjell në mendjen time që të bëjë diçka për vendin tim, e posaçërisht për një temë shumë te ndjeshme që na ngulfate me vite…”, ka thënë Beqiri.

Dihet se në Gjenevë gjinden organizatat e ndryshme të të drejtave të njeriut dhe kjo ekspozitë shpresojë që do të sensibilizoj me një mesazhe tek ndërkombëtarët që të bëjnë më shumë në lidhje me këtë drejtim, me te zhdukurit kosovar. / KultPlus.com

44 fotografi nga fondi personal i aktorit Aleksandër Moisiu, ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare

Një ekspozitë e studiuesit Pjetër Logoreci me fotografi të aktorit austriak me prejardhje shqiptare, Aleksandër Moisiut, është hapur sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Studiuesi shkodran pas një hulumtimi të realizuar në arkivat e Vjenës, ka arritur të nxjerrë 44 fotografi nga çaste të ndryshme të jetës së aktorit të ndjerë, të cilat paraqesin shumë qartë nivelin e lartë artistik e elitar të tij.

Fotografi me nënën, me bashkëshorten dhe familjarë të tjerë të tij, ishin të ekspozuara të parat, duke treguar edhe kronologjikisht rrjedhën e jetës së tij prej burimit, familjes.

Fototgrafi të dokumenteve si ajo e pagëzimit, martesës, fotografi të realizura gjatë roleve të tij në teatër, fotografi me kolegët, të dekoratave të cilat i kishte marrë aktori, po ashtu qenë pjesë e ekspozitës të cilat i shpjegonin shumë qartë etapat e jetës së tij.

Ndërsa të fundit qenë një fotografi e arkivolit me trupin e pajetë të aktorit, dhe tjetra nga ceremonia e mortore e tij.

Gjatë prezantimit të fotografive, studiuesi tregoi për vizitorët e ekspozitës edhe një deklaratë të autorit Franc Kafka duke treguar për zërin e kristaltë të autorit dhe tenorit Moisiu.

“Ai fliste me sy, por ai ka poseduar edhe diçka që askush tjetër nuk e ka pasur, zëri i tij ishte kumbues, sepse ka qenë tenor. Kafka ka qenë mik i tij, ai e përshkruan zërin e tij duke thënë që zëri që del prej tij, arrin në majat më të larta të teatrit të Vjenës, bënte jehonë nëpër sallë dhe vinte përsëri në veshin e dëgjuesit, kaq kumbues ka qenë zëri i tij”, ka thënë Logoreci.

Fjalimin e tij studiuesi Logoreci e përmbylli duke e quajtur gjeni dhe Ajnshtajn shqiptar, aktorin Aleksandër Moisiu./KultPlus.com

Ekspozitë nga fondi personal i Aleksandër Moisiut, nesër në BKK

Për aktorin austriak me origjinë shqiptar, Aleksandër Moisiun nesër do të hapet një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

“Aleksandër Moisiu: Njeriu dhe Artisti” titullohet ekspozita e cila do të mbahet në hollin e ekspozitave të BKK-së, nesër, më 17 maj në ora 15:00.

Ekspozita prezanton fotografi, artefakte dhe dokumente për dhe të Aleksandër Moisiut, të mbledhura në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci. / KultPlus.com

Ekspozitë kushtuar grave të kinematografisë shqiptare

Ekspozita “GRUAJA NË IMAZHIN FOTOGRAFIK SHQIPTAR” e çelur në kuadër të ‘Idromeno Independent Film Festival’ do të qëndrojë deri në 12 maj, në sheshin para Bashkisë Shkodër.

Falë punës me projektin MEAP financuar nga ‘UCLA Library’ u bë i mundur skanimi i fotonegativëve nga Fototeka e AQSHF-së dhe aksesi në to për qëllime studimore, edukative apo artistike.

Kjo ekspozitë e veçantë’ kushtuar grave që sollën ndryshimin e mentalitetit në kinematografinë shqiptare, u arrit edhe falë bashkëpunimit me organizatën ‘Gruaja tek gruaja’.

10 fotot e përzgjedhura kanë ngjallur kureshtjen e kalimtarëve. Në ditët e para të ekspozimit, fotot kanë pasur shikueshmëri të lartë, duke sjellë në vitin 2023 shoqërinë e epokave të ndryshme në imazh.

Gjatë kësaj kohe komplekse të historisë së kulturës shqiptare, shumë aktore shkëlqyen dhe arritën popullaritetin e tyre pavarësisht kontrollit të diktaturës së kohës.

Duke përdorur teknologjinë më të fundit fotografike, kjo ekspozitë i dedikohet arritjeve të interpretimit të disa aktoreve më të dashura të ekranit shqiptar si: Roza Anagnosti, Tinka Kurti, Elvira Diamanti, Anisa Markarian dhe Luiza Xhuvani./atsh/KultPlus.com

‘Vogue Italia’ vjen në Tiranë me ekspozitën “Fashion Panorama”

Si asnjëherë më parë, një emër si Vogue Italia, vjen në Tiranë. Kjo arrihet falë bashkëpunimit mes Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), Institutit Italian të Kulturës dhe Vogue Italia.

Fashion Panorama-The Italian New Wave është një projekt i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, me kurator ‘Vogue Italia’. Ekspozita bën ndalesën e saj të parë ndërkombëtare, në Tiranë.

Ekspozita u lind me synimin për t’i dhënë zë dhe shikueshmëri gjeneratave të reja të stilisteve dhe stilistëve italianë, duke përçuar gjerësisht vizionin dhe punën e tyre.

Synimi i ekspozitës është të rrëfejë modën bashkëkohore italiane përmes vizionit dhe punës së 10 stilistëve: ACT Nr 1, Gisele, Cormio, Lessico familiar, Magliano, Marco Rambaldi, Medea, Panconesi, Niccolo Pasqualetti dhe SSHENA, të cilët përkrah ripërpunimit të traditave artizanale në formë rishtare dhe me gjuhë e metoda novatore, kanë mundur të ruajnë një marrëdhënie të fortë dhe të integruar me industritë e tjera të lidhura me kulturën dhe krijimtarinë italiane, si dhe të trajtojnë në mënyrë origjinale aspirata dhe tema të dashura për shoqërinë bashkëkohore.

Gjithmonë në ndjekje të bashkëkohores dhe të interpretimit të rrymave dhe kontrasteve që përshkojnë shoqërinë, moda ofron mundësinë e ripërcaktimit të identitetit shoqëror dhe dëshirave, gjatë përditshmërisë tonë.

Ekspozita, e cila sapo ka nisur rrugëtimin e saj, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 qershor, në mjediset e COD./ atsh / KultPlus.com

Ekspozitë për gratë që ndryshuan mentalitetin e kinematografisë shqiptare

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Idromeno Independent Film Festival dhe organizatën Gruaja tek Gruaja, është duke përgatitur ekspozitën Idromeno Uncovering.

Bëhet fjalë për një ekspozitë fotografike të titulluar “Gruaja në imazhin fotografik shqiptar-Një udhëtim fotografik” e cila shpërfaq shoqërinë e epokave të ndryshme në imazh.

Ekspozita Idromeno Uncovering sjell vajzat e gratë që ndryshuan mentalitetin e kinematografisë shqiptare: të talentuara, të guximshme dhe frymëzuese.

Gjatë kësaj kohe komplekse të historisë së kulturës shqiptare, shumë aktore shkëlqyen dhe arritën popullaritetin e tyre pavarësisht kontrollit të diktaturës së kohës. Duke përdorur teknologjinë më të fundit fotografike, kjo ekspozitë i dedikohet arritjeve të interpretimit të disa aktoreve më të dashura të ekranit shqiptar si: Roza Anagnosti, Elvira Diamanti, Anisa Markarian dhe Luiza Xhuvani.

Këto fotografi të digjitalizuara nga negativët origjinalë janë vetëm një pjesë e vogël e një koleksioni të jashtëzakonshëm të Fototekës së AQSHF-së që po digjitalizohet e po ruhet për brezat e ardhshëm të regjisorëve, studiuesve të filmit, studentëve të fotografisë dhe të apasionuarve pas filmit artistik.

Kuratorë të ekspozitës janë Erjon Tusha dhe AQSHF. / atsh / KultPlus.com

Arbnor Karaliti vjen me ekspozitë, ju fton t’i bashkoheni në një udhëtim të vetë-zbulimit

Arbnor Karalitit po sjell ekspozitën “Echoes of Solitude: Between Self and Society” e cila shfaq punën thellësisht personale dhe introspektive të artistit, përcjell KultPlus.

Ekspozita do të hapet në Tillt Radio & Community Bar, një hapësirë e dashur kulturore në Prishtinë, e njohur për koleksionin e saj të gjerë të vinylave dhe dashurinë për muzikën. Kjo ekspozitë është kuruar me kujdes nga Adrian Berisha, i cili sjell një sy të mprehtë dhe kuptim të thellë të temave që kërkon të eksplorojë Karaliti.

Si artist, Karaliti përdor artin e tij për të eksploruar dhe përballur përvojat e tij të vetmisë dhe tabutë shoqërore që mund t’i shoqërojnë ato. Nëpërmjet pikturave dhe instalacioneve të tij, Karaliti fton shikuesit t’i bashkohen atij në një udhëtim të vetë-zbulimit, duke përdorur artin si një urë për t’u lidhur me të tjerët dhe botën përreth nesh. Qasja e tij e orientuar drejt procesit dhe përdorimi i mediumeve të ndryshme pasqyrojnë natyrën e vazhdueshme të të mësuarit për veten përmes artit.

Në qendër të ekspozitës qëndron ideja se arti mund të jetë një mjet i fuqishëm për lidhje dhe komunikim, duke ofruar një hapësirë për dialog dhe reflektim mbi sfidat e lundrimit të identiteteve personale dhe sociale. Me “Echoes of Solitude: Between Self and Society” në Tillt Radio & Community Bar, Karaliti ofron një eksplorim prekës dhe empatik të përvojës njerëzore, duke prekur tema që janë thellësisht të rëndësishme për të gjithë ne.

Vizioni dhe ndjeshmëria e kuratorit Adrian Berisha ndaj temës sigurojnë që ekspozita të lërë një ndikim të qëndrueshëm tek të gjithë ata që e përjetojnë atë.

Ekspozita hapet më datë 30 prill, nga ora 18:0 në Tillt Radio & Community Bar dhe do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për vizita prej datës 30 Prill – 30 Maj, me orar të rregull prej orës 10:00-00:00, e hanë – e diel. / KultPlus.com

“Qyteti si pikturë-muzikë-arkitekturë”, Taso çel ekspozitë në Pogradec

“Qyteti si pikturë – muzike – arkitekturë” ishte ekspozita e piktorit të njohur pogradecar Anastas Kostandini (Taso), e cila u çel këtë fundjavë në qytetin liqenor të Pogradecit.

Ishte Kuarteti i Harqeve “ILA 74” me artistët Kostika Tanto, Vangjush Papadhimitri, Zeqir Sulkuqi dhe Ilo Kanani qe çelën ekspozitën me interpretimet e tyre, homazh për Sotiraq Kostandinin, vëllanë e piktorit të njohur.

Më pas të pranishmit soditën mbi 40 vepra të ndryshme në vizatim dhe pikturë të qytetit të Pogradecit dhe Parisit të prezantuara në ekspozitë.

Pogradeci i poetëve dhe piktorëve të shquar, është kthyer në një qytet ku ngjarjet artistike janë gjithmonë e më të shpeshta dhe uroj që kjo traditë të vazhdojë, thotë Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole i cili ndoqi eventin artistik, i cili vëren se qarku që drejton shquhet për ngjarjet artistike dhe artistët e tij.

Ekspozita “Qyteti”, e piktorit Anastas Kostandini do të qëndrojë e hapur për 10 ditë në galerinë e arteve në Pogradec./Ballkanweb/KultPlus.com

Ekspozitë në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të letrave shqipe, Jakov Xoxa, hapi sot ekspozitën “100-vjetori i lindjes i shkrimtarit Jakov Xoxa”.

Në këtë ekspozitë mori pjesë edhe mbesa e shkrimtarit, Ajola Xoxa, Ambasadori i Republikës së Kosovës, Skënder Durmishi, personalitete të kulturës, akademikë, studiues, shkrimtarë, botues, pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, si dhe të ftuar të tjerë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, duke vlerësuar kontributin e vyer të shkrimtarit në letërsinë shqipe theksoi se “kjo ekspozitë synon të ndërtojë rrugëtimin e krijimtarisë së Jakov Xoxës nga poezia e tij e parë në moshën 19-vjeçare në gazetën “Tomori”, veprat e tij të plota e deri në studimet më të fundit mbi veprën e tij”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët deri më 30 maj 2023. / KultPlus.com

“Lejo ngjyrat”, ekspozitë nga Dritan Çelaj me piktura të krijuara përgjatë viteve

Një prej personaliteteve më të njohura, Dritan Çelaj, ka ekspozuar për herë të parë në një ekspozitë, pikturat e tij të cilat janë realizuar si një pasion i jetës ku siç shprehet ai, “në hapësirën intime ku është shprehur vetja”.

Që prej vitit 2000 kur nisi të krijonte, Çelaj ka realizuar më shumë se 400 tablo kryesisht duke ushtruar ekspresionizëm me teknikën e vajit. Ajo çfarë i karakterizon pikturat e tij është energjia pozitive, freskia që vjen si rezultat i ngjyrave të ftohta që përdor, por
që shpesh i balancon me simbole të theksuara me ngjyra të ndezura. Nuk mungojnë portretet e trajtuara shpesh me një lloj brishtësie që e karakterizojnë punën e tij, përgjithësisht intuitive. Çelaj nëpërmjet pikturës së tij, ka arritur të gjejë vlera tek arti dhe prania me artin. “Gjithë filozofia që unë kam kuptuar është të shijosh gjërat e vogla. Nëse i japim vlerë gjërave të përditshme dhe gjërave të vogla që bëjmë, e gjithë jeta jonë merr vlerë dhe jeta e shoqërisë merr vlerë”.

Drejtori i Galerisë, Abaz Hado është shprehur se kjo është një nga ekspozitat më të bukura të hapura deri tani. “Unë kur kam parë këto materiale kam thënë “wow” dhe nuk është një reagim që e bëj shpesh, për mua kjo ekspozitë është një befasi “. Ai ka shtuar se natyrat e qeta janë trajtuar me një mjeshtëri e cila është për tu admiruar.

Ashtu si pjesa më e madhe e personave që krijojnë të përcjellin diçka nëpërmjet pikturës, edhe Dritan Çelaj e nisi fillimisht me peizazhin, për të provuar më tej veten në realizimin e portreteve me gjithë kompleksitetin e tyre, e për të ardhur më
pas deri në trajtimin me detaj në veprat e tij, të mjediseve, ku do të gjente veten dhe territorin e duhur për të shpalosur më së miri artin e tij.

Megjithëse çdo periudhë ka treguar se një vepër arti merr jetë kur del jashtë studios, Dritan Çelaj ka zgjedhur që për vite me radhë e ti mbajë të pa ekspozuara punimet e tij, duke mos lejuar që publiku të ndjekë ato nga afër në ekspozitën “Allow Colors” ose “Lejo ngiyrat” e cila do të jetë në dispozicion të publikut, deri në fund të muajit Mars.

Kjo ekspozitë vjen si një rrëfim i përjetimeve të tij brenda tranzicionit të shoqërisë shqiptare në vite ndërsa kërkimi artistik i autorit, kalon përmes peizazhit dhe natyrës njerëzore duke trajtuar gjithë kompleksitetin e saj. Nuk mungon fuqia e imagjinatës, përballjet mes reales dhe surreales, apo prania e brendisë shpirtërore të vetë autorit. Një udhëtim i beftë nga përvojat e përditshmërisë deri në sekuenca të rralla të ruajtura në kujtesën e tij.

Duke e konsideruar pikturën si një mjet që shpreh kërkimin dhe takimin me botën, në punimet e Çelës shmangen tërësisht shenjat e gjykimit moral duke lënë kështu hapësirë që personazhet e pikturave të tij të jetojnë në harmoni me natyrën dhe rrjedhshmërinë e saj. Në ekspozitën e çelur në Galerinë e Artit që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit Mars, morën pjesë shumë personalitete nga fusha të ndryshme, ku vlerësimet kanë qënë mjaft pozitive./ballkanweb/KultPlus.com

“The journey continues”, ekspozita e portreteve të Flamur Miftarit, një eksplorim në botën e brendshme

Në shikim të parë të marrin vëmendjen portretet që duket sikur flasin, flasin për një botë të brendshme, ku sa duket një gjendje psikike e tyre, përnjëherë të kalon te një emocion apo eksperiencë që vjen në një formë frymëzimi shfaqur në letër.

Këto portrete të punuara nga artisti i ri por tejet i talentuar Flamur Miftari, ishin bërë bashkë për tu prezantuar mbrëmë para publikut në KultPlus Caffe Gallery ku edhe u hap ekspozita e titulluar “The journey continues…”. Ekspozita paraqiste një seri prej 15 veprash të autorit të realizuara me teknikën e vajit dhe akrilit dhe kishte mbledhur mbrëmë rreth vetës një numër të konsiderueshëm artdashës, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë dominuan portretet, që ndjekin rrugën e shfaqjes së botës së brendshme të autorit Flamur Miftari. Portretet ishin shprehur në forma të caktuara dhe mund të interpretoheshin në mënyra të ndryshme. Këto portrete nuk ishin thjesht figura, por shprehnin një lloj të ndryshëm të frymëzimit dhe emocionit.

Flamuri është një artist i ri i cili ka arritur të ndërtojë një identitet në botën e artit shqiptar. Portretet e tij janë me një qasje unike ndaj subjekteve të tyre.

Në hapje të kësaj ekspozite e para mori fjalën Ardianë Pajaziti, themeluesja e KultPlus, e cila u shpreh e lumtur që artisti Flamur Miftari po prezantonte këtë ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery.

“Kjo është ekspozita e dytë personale e artistit Flamur Miftari, por e para në KultPlus Caffe Gallery. Miftari e ka sjellë një frymë shumë të mirë në ambientin tonë dhe ne jemi të lumtur për këtë gjë. Andaj ju ftojmë edhe juve që të vizitoni këtë ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur për dy javë”, ka njoftuar Pajaziti.

Tutje, për artin e tij foli edhe vetë artisti, ku përmes veprave tregonte aftësinë për të krijuar art të shquar, dhe siç thotë vetë artisti, ai mundohet të paraqesë botën e tij të brendshme nëpërmjet pikturës. Në disa prej tyre, ai paraqet veten, ndërsa në disa të tjera, ai paraqet njerëz që e kanë ndikuar atë në mënyra të ndryshme.

“Këto janë punime ku dominojnë më shumë portretet, punime që përmbajnë më shumë prekjen e njeriut (Human Touch), dhe piktura që shprehin më shumë emocion, gjendje psikike dhe paqe mendore. Shumica e punimeve paraqesin gjendjen e njeriut në hapësirë, eksperienca e lloje të ndryshme”, ka thënë Miftari në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.

Një nga veprat më të shquara në ekspozitë ishte edhe portreti që paraqiste një njeri të moshuar që rrudhat i kishin kapluar fytyrën e njëkohësisht flisnin për jetën e vështirë që kishte kaluar. Duke ndjekur vështrimin e personit në portret, shikuesi arrinte të bënte një rrugëtim të fshehtë në botën e tij të brendshme.

Ky portret i kishte marr artistit plot 3 muaj kohë deri në finalizim.

“Ky portret tregon rrudhat dhe sa kohë ka kaluar, në çfarë pengesa jetësore ka kaluar. Çdo rrudhë paraqet një mësim për rrugëtimin jetësor. Edhe sytë që shikojmë i bijën më saktë që është duke e parë krejt jetën e vet, çka ka përjetuar”, ka thënë artisti Miftari.

Figura e Markus Aurelus, e cila e paraqet Romën Antike duke u shpërbërë, Kështjella në Gjermani apo Letra e një vajze për të dashurin e saj ushtarë, janë disa nga veprat tjera të kësaj ekspozite të cilat e dëshmojnë edhe më shumë veprën e Miftarit, si artist që premton shumë.

“Këto të tjerat janë si një lojë, por një lojë serioze. Punime me fytyra antike, kemi edhe portrete më moderne. Punimet në përgjithësi janë vetë treguese, mund t’i interpretoni si t’i shihni ju, secili mund të krijojë një mendim të vetin në bazë të eksperiencave që i ka pasur sepse veprat janë të hapura për interpretim. Qëllimi është të stimulojmë mendim, kujtime, ndjenja. Secila figurë mund të degëzohet në shumë interpretime dhe në shumë seri të vetme”, ka shtuar më tej artisti.

Pas analizës për portretin e njeriut të moshuar profesori dhe regjisori, Fadil Hysaj, potencoi se Miftari është një artist i ri i cili premton shumë pasi ka aftësinë për të paraqitur në mënyrë të jashtëzakonshme brendësinë e personazhit pa e deformuar figurën e tij.

“Konsideroj që është një autor i brezit të ri i cili mundohet që ta shoh njeriun në atë përmasën e brendshme pa pretenduar që ta deformojë figurën e tij. Zakonisht pretendimet për ta parë brendësinë kur e humbasim atë të jashtmen mendoj që arrijmë efektin e njëjtë sikurse mos ta shohim brenda fare. Por duke e ruajtur jashtësinë e figurës, duke u munduar që përmes detajeve të mbulojë atë që ka brenda, ky piktor mendoj që premton një autorësi të veçantë, pra mendon që nuk ka nevojë për të deformuar një figurë për të nxjerrë ekspresionin e brendshëm, për ta bërë të dukshëm, sepse ne nga natyra kursehemi, e kursejmë mbrendësinë  edhe mundohemi të krijojmë një imazh shpesh të rrejshëm jashtë, por një detaj shpesh na nxjerr, na dekonspiron”, ka thënë profesori Hysaj i cili tutje ka falënderuar edhe KultPlus Caffe Gallery për hapësirën që u ofron artistëve të rinjë, që të paraqesin punën e tyre dhe të fillojnë karrierën.

Ekspozita “The journey continues…”, do të qëndroj e hapur dy javë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. / Vjollca Duraku / KultPlus.com

Ekspozitë në gjurmimin e rrënjëve të Prishtinës, qytetarët japin kontributin e tyre në memorizimin e pjesëve të vjetra të qytetit

Një Prishtinë me shumë gjelbërim, më pak ndërtesa e njerëz që tregojnë jetën në një kohë ndryshe, u shfaq sot në ekspozitën “Gjurmimi i rrënjëve të Prishtinës” e cila u hap në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky qytet me një histori  e kulturë të vjetër, u prezantua përmes disa fotografive bardh e zi që kishin zënë vend në një hapësirë poashtu të vjetër të kryeqytetit.

Fotografitë tregonin për kohë të ndryshme të këtij qyteti, rrugë që sot as nuk mund të gjinden, ndërtesa të cilat nuk ekzistojnë dhe kanë mbetur vetëm në kujtesën kolektive të banorëve të vjetër të këtij vendi, për të vazhduar me jetën e njerëzve të këtij qyteti në kohën e Jugosllavisë, me banorët që shkojnë në treg, në shkollë, në punë, dhe në aktivitete të tjera sociale.

Kjo ekspozitë zbërthyese erdhi në kuadër të hartimit të projektit për Menaxhimin e Qendrës Historike të Prishtinës, por gjithashtu ishte edhe një gjetje e duhur për takim me qytetarët me synim identifikimin e shënjuesve të rëndësishëm në qytet.

Për këtë ekspozitë e cila erdhi si bashkëpunim në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UN-Habitatit, për KultPlus foli edhe menaxherja e projektit të UN-Habitat, Zana Sokoli e cila u shpreh se kjo ekspozitë në mënyrë kronologjike e shpjegon zhvillimin e qytetit, mënyrën se si njerëzit kanë jetuar dhe ndërvepruar si dhe shpërndarjen hapësinore të lagjeve, fotografi të një Prishtine shumë ndryshe nga kjo ekzistuese.

“Ne si UN-Habitat që prej vitit të kaluar kemi filluar me një program bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe që është një program për integrimin e trashëgimisë kulturore në procese të planifikimit. Njëri ndër projektet kryesore të këtij bashkëpunimi është edhe studimi i fizibilitetit dhe plani i menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës. Kjo ekspozitë dhe ky takim me qytetarë është në kuadër, dhe do t’i shërbejë këtij hulumtimi që ne po bëjmë drejt rrugës për të përcaktuar mekanizma mjete për të mbrojtur, por më e rëndësishmja për të zhvilluar atë që do të përcaktohet si Qendra Historike dhe qendra e saj mbrojtëse e Prishtinës”, ka thënë Zana Sokoli.

Menaxherja e këtij projekti tutje ka thënë se sot gjatë gjithë ditës do të presin qytetarë të cilët me bisedat dhe diskutimet e tyre për këto fotografi do të kontribuojnë për të hartëzuar memorien e tyre dhe aspekte të rëndësishme, si shënjues që ka qyteti i Prishtinës e për të cilat nuk ka shumë informacion. Këto të dhëna do të jenë pjesë e hulumtimit dhe do të ndikojnë për të qenë sa më real kur të përcaktohet se cila është pjesa e vjetër e qytetit, si ka qenë, si është dhe si do të zhvillohet edhe më tej.

Ndërsa Merita Augustini-Nrecaj, zëvendësdrejtoreshë e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka thënë se ekspozita e sotme është bërë më së shumti për qytetarët e kësaj zone në mënyrë që të vijnë, të shoqërohen, të diskutojnë, si dhe të japin komente të cilat pastaj grupi i UN-Habitatit, Ministrisë së Kulturës dhe Komunës do t’i përfshijnë gjatë procesit të planit të fizibilitetit për Qendrën Historike të Prishtinës.

“Ekspozita është përgatitur prej UN-Habitatit, por procesi i hartimit të planit të fizibilitetit ka filluar në vitin e kaluar me mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës edhe është në proces e sipër. Pas planit të fizibilitetit do të punohet për planin e menaxhimit dhe të konservimit të Qendrës Historike edhe përcaktimit të kufijve definitiv të perimetrit dhe zonës së saj mbrojtëse”, ka thënë Augustini-Nrecaj.

Augustini-Nrecaj tutje i fton qytetarët që të shkojnë në ekspozitë dhe të japin kontributin e tyre në memorizimin e pjesëve të vjetra të qytetit.

“Janë disa foto të cilat ne nuk i kemi parë më herët dhe po na bëjnë përshtypje se ku mund t’i gjejmë në hartë sepse pamja e Prishtinës edhe ka ndryshuar me vite. I ftoj qytetarët që të vijnë ta vizitojnë sa më shumë dhe të japin kontributin e tyre edhe memorien e tyre ta ndajnë bashkë me ne për Prishtinën e vjetër”, ka përfunduar Ndrecaj.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri në ora 17:00, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, në Prishtinë. / Vjollca Duraku / KultPlus.com

“The journey continues…”, ekspozita personale e Flamur Miftarit hapet sonte në KultPlus Caffe Gallery

Flamur Miftari do të prezantohet sonte me ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery.

Në këtë prezantim, Miftari do të sjell para publikut 15 vepra të punuara me vaj dhe akril.

Kjo është ekspozita e dytë personale e artistit, kurse në ekspozita kolektive ka marr pjesë në disa prej tyre në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Flamur Miftari është diplomuar në Fakultetin e Arteve të Bukura në Maqedoni dhe aktualisht është duke vazhduar studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, në klasën e Zake Prelvukajt.

Ekspozita do të hapet sonte, më 20 mars në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery dhe do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com

“Gjama e burrave”, në qendër të ekspozitës së Anjesa Dellovës, në Bazel

Anjesa Dellova është emër i njohur në fushën e arteve pamore në Zvicër. Ajo, vitin e kaluar ka qenë njëra ndër fitueset e çmimit për arte,  “Swiss Art Awards 2022″ që ndan Zyra Federale për Kulturë, e Zvicrës, praktikisht çmimi më i lartë zviceran në këtë fushë.

E lindur në vitin 1994 në Kosovë, Anjesa jeton prej vitesh në Zvicër, gjegjësisht në Lozanë, ku ushtron profesionin e piktores dhe profesoreshës së artit.

Të shtunën, më 18 mars ajo hap ekspozitën e saj personale, shumë të rëndësishme në galerinë elitare “mayday” në Bazel. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.

Në vazhdim, njoftimi të cilin galeria e “Mayday” e ka publikuar në lidhje me ekspozitën. “Pikturat monokromatike  të Anjesa Dellova janë frymëzuar nga fotografitë e fëmijëve dhe familjeve, traditat e njohura ekzotike apo ritualet si “Gjama” (e burrave), zija e praktikuar në veri të Shqipërisë. Për ekspozitën personale në Mayday, Anjesa Dellova është duke zhvilluar një seri të re pikturash në të cilat ajo i përkushtohet një sekuence të këtij rituali. Artistja fokusohet në emocionet dhe vulnerabilitetin e figurave mashkullore dhe reflekton mbi imazhet tradicionale të roleve dhe gjinive”.

E veçanta tjetër e kësaj ekspozite është se, në mbyllje të saj,  të shtunën, më 29 prill 2023 në orën 17:00 mbahet një ligjëratë mbi “Gjamën e burrave” në malet veriore shqiptare, shkruan albinfo.ch. Ligjërata do të mbahet nga Dr. Bledar Kondi, Universiteti Martin Luther, Halle-Wittenberg (në anglisht)

Mayday është një hapësirë prestigjioze ​​ekspozimi për artin bashkëkohor, e vendosur në një ndërtesë të ish-kompanisë së transportit në distriktin e portit industrial  të Bazelit, shrkuan albinfo.ch. Mayday u ofron artistëve mundësinë për prodhime specifike të vendit dhe do të shfaqë pesë ekspozita personale ose dyshe gjatë vitit  2023.

Mayday mbështetet bujarisht nga: Projektet e John Schmid; Pro Helvetia; Fondacioni Christoph Merian; Fondacioni Ernst dhe Olga Gubler-Hablützel.

Fotografia e pikturës: Bundesamt für Kultur, Schweiz (Zyra Federale për Kulturë, Zvicër)

Hapja e ekspozitës bëhet të shtunën, 18 mars, ora 17:00. / albinfo.ch / KultPlus.com

“Gjurmimi i rrënjëve të Prishtinës”, takim me qytetarët dhe ekspozitë që shpërfaqë zhvillimin e qytetit ndër vite

Në kuadër të projektit për hartimin e Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës, do të mbahet takim me qytetarët dhe njëherit do të hapet një ekspozitë, ka njoftuar MKRS, përcjell KultPlus.

Takimi me qytetarët ka për synim identifikimin e shënjuesve të rëndësishëm në qytet, në lagjen tuaj dhe në komunitetin tuaj.

Ekspozita e fotografive do të shpërfaqë zhvillimin e qytetit ndër vite, shpërndarjen hapësinore në bazë të funksioneve të rëndësishme për kohën dhe marrëdhënien e njerëzve me mjedisin fizik.

Takimi dhe ekspozita do të jenë të hapura për të gjithë, të hënën me 20 mars 2023, nga ora 10:00 deri në orën 17:00, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, në Prishtinë.

Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës. / KultPlus.com

Ekspozita “Femizmi në Art”  hapet sonte në KultPlus Caffe Gallery

Nëntë artistë do të prezantohen me ekspozitë të përbashkët sonte, më 8 mars, ekspozitë që për kuratore ka artisten Diella Valla, shkruan KultPlus.

Ajo ka njoftuar se në këtë ekspozitë që edhe titullohet “Femizmi në art”, janë përfshirë punime që kanë për bazë gruan, me qëllim që të adresohet edhe me rastin e 8 marsit, ditë kjo që edhe shënon ditën e gruas.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Drilon Shoshi, Tinka Kelmendi, Eris Havolli, Nderim Bytyci, Debora Hetemi, Albiona Berisha, Dijeta Smajlaj, Gerta Hameli dhe Diella Valla.

Ekspozita hapet sonte në ora 19:00 dhe rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

Hapet ekspozita “Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri”

Është hapur ekspozita “Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri” në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në të cilën për një javë do të qëndrojnë 200 fotografi që flasin për qëndresën heroike të familjes Jashari dhe sakrificën më sublime të saj.

Pasardhësi i familjes Jashari, Bekimi, tha se populli shqiptar ka vuajtur shumë për liri, derisa shtoi se shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq dhe ta përjetësojë historinë me fakte për brezat e tjerë.

“Kjo ekspozitë sot është ngjarje e veçantë, është një histori që gjeneratat, përveç gjeneratës tonë, në veçanti kanë nevojë gjeneratat e reja për të parë dhe për t’u njoftuar dhe të mësohen me se atë çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Populli ynë ka vuajtur shumë në veçanti populli shqiptar tashmë në shtetin e Kosovës, të ndarë padrejtësisht ashtu siç e tregon historia. Shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të kontraktuar e të ndihmuar, dhe t’i mbështetë njerëzit e vullnetit të mirë apo organizatat e ndryshme që të mbledhin sa më shumë fakte dhe dëshmi, më së pari për fëmijët tanë që t’i shohin dhe ta mësojnë se çfarë ka ndodhur me shekuj rresht në Kosovën tonë… Në të gjitha trevat tona, në të gjithë fshatrat ka pasur përjetime të ndryshme, por që deshi fati që me kurorëzimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi të çlirohet… Ne që kemi mbetur gjallë e kemi për obligim dhe detyrim të punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën ashtu siç e deshën dëshmorët tanë, ashtu siç e deshën ata që një jetë të tërë ia kushtuan këtij vendi, lirisë tonë”, u shpreh Jashari.

E autori i ekspozitës së sotme, Sadik Krasniqi tha se kjo ekspozitë përmban mbi 200 fotografi, dhe përmes tyre arrihet tu sjellë historinë prej së afërmi vizitorëve, shkruan rtv21.

“Ekspozitë e cila e kujton dhe i sjellë nga afër vizitorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë që të njihen së afërmi me atë se çfarë ka ndodhur para 25 vitesh. Rënia e Jasharajve, është një akt jashtëzakonisht sublim, i rrallë edhe i veçantë, unë e quaj dhe rast unik në historinë botërore. Në rastin e familjes Jashari, në të gjitha organizatat dhe skemat politike ushtarake populli u mobilizua, pra ndikoi pozitivisht, u forcua dhe u konsolidua Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar e ktheu mendjen nga Kosova dhe si rezultat i kësaj ngjarje u fokusuan dhe mediat ndërkombëtare, u fokusua dhe diplomacia, dhe si rezultat i mëpasshëm i gjakut të derdhur ishte edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë. Ekspozita përmban mbi 200 fotografi që flasin për dimensione të ndryshme të familjes”, tha Krasniqi.

Për të parë nga afër ekspozitën në Muzeun e Kombëtar të Kosovës kishin ardhur edhe qytetarë.

Një ekspozitë të tillë e kishte mirëpritur edhe Adem Nika.

Besoj që kjo është një ditë e madhe, një ditë që prezanton të gjithë luftën, sakrificën, organizimit të komandantit Adem Jashari, dhe familjes së tij. Ky është një sinonim i të gjithë brezave qe vijnë sepse kështu duhet të punohet, veprohet, kështu duhet të luftohet për lirinë e atdheut. I kam të freskëta kujtimet sidomos të sulmit të dytë që ishte në janar…Ky organizim është shumë i rëndësishëm është obligim dhe detyrim i të gjithë institucioneve posaçërisht i muzeut të Kosovës, këtu mundet njeriu të shoh shumë fotografi, shumë mjete të cilat i kanë përdorur në luftë gjatë veprimit të tij”, tha ai.

“Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri”, e cila është hapur për nder të Epopesë së lavdishme të UÇK-së do të qëndrojë e hapur për shtatë ditë, ku qytetarët do të mund të shohin përmes fotografive qëndresën heroike të familjes Jashari. / KultPlus.com

Ekspozitë për Mësonjëtoren e Parë Shqipe

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale, për çeljen e një ekspozite që i bën homazh institucionit të parë të gjuhës shqipe, Mësonjëtores së Korçës.

“Kuptimin e vërtetë 7 marsi e ka në Korçë, në Mësonjëtoren e Parë Shqipe, që shpërndau dritën në të gjithë Shqipërinë”, shkruan ministrja Margariti, duke ftuar në këtë mënyrë, pranë Muzeut të Arsimit në Korçë, ku nesër me rastin e Festës së Mësuesit, do të hapet ekspozita “Mësonjëtoret e para përmes dëshmive të kohës”, ekspozitë e cila sjell objekte, fotografi, zëra.

7 marsi i këtij viti përkon me 136-vjetorin e Mësonjëtores. Me këtë rast Muzeu i Arsimit ka përgatitur një ekspozitë me sende personale, fotografi dhe materiale që do të shfaqen në video, si homazh i përpjekjes për dije.

Mësonjëtorja u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të Perandorise Osmane. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si muze. / atsh / KultPlus.com

“Kosova – më shumë se një rrëfim”, ekspozita që do të shpërfaqë sfidat e sakrificat për shtetësinë e Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të mirëpres ekspozitën “Kosova – më shumë se një rrëfim”, me rastin e përvjetorit të 15-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë ekspozitë do të ekspozohen libra, artikuj e fotografi nga koleksionet e BKK-së për të shpërfaqë përpjekjen dhe luftën e shqiptarëve për Liri dhe Pavarësi si dhe sfidat e sakrificat për shtetësinë e Kosovës.

Ekspozita hapet në Hollin e Ekspozitave, më 8 mars 2023, në orën 11:00. / KultPlus.com

“Mirë se vini në tavolinë” sjell ekspozitën dhe premierën e filmit dedikuar pritjes së Ferdonije Qerkezit

Filmi i metrazhit të shkurtër “Pritje” që trajton jetën dhe pritjen e Ferdonije Qerkezit, i realizuar nën regjinë e Artan Korenicës, më në fund po vjen me premierë për publikun, shkruan KultPlus.

Regjisori Artan Korenica ka njoftuar për KultPlus se pjesë e kësaj ngjarje do të jetë edhe vetë Ferdonije Qerkezi e cila do të qëndrojë e ulur në tavolinën e saj të pritjes e ku ju fton t’i bashkoheni për të parë nga afër ekspozitën dhe filmin e për të qëndruar afër saj në këtë ngjarje që do të mundohet të përthekojë sadopak dhimbjen e saj të përhershme.

“Mirë se vini në tavolinë” është shprehja që e shoqëron këtë ngjarje e ju bën ftesë të bashkoheni në këtë premierë të rëndësishme e cila do të mbahet më datë 8 mars, nga ora 18:00 në Muzeun Etnologjik të Kosovës.

Sipas njoftimit, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 Mars 2023. / KultPlus.com

Amire Demolli hapë sonte ekspozitën “Gjurmë” në KultPlus Caffe Gallery


Artistja Amire Demolli do të prezantohet për herë të dytë me ekspozitë personale, kësaj radhe me ekspozitën “Gjurmë” që do të hapet sonte, më 1 mars, në KultPlus Caffe Gallery prej orës 19:00.

Amire Demolli do të prezantohet me 12 punime artistike e që për kurator ka Refki Gollopeni.

Vetë kuratori për punën artistike të Amire Demollit ka thënë se me konceptin artistik “Gjurmë”, në pikturat e saj shpalos emocionet dhe temperamentin krijues përmes laramanisë në stile, në shprehje artistike, në qasjet e saj, si realiste, ashtu dhe abstrakte. “Ajo është në mes të një rrugëtimi eksperimental, drejt krijimit te identitetit te saj artistik”, ka vlerësuar mes të tjerash Gollopeni.

“Bota e re universale në qasjen abstrakte është përherë në lëvizje, në kërkim të lindjes së re në univers, duke e pasuruar kështu pikturën imagjinative, që deri tani ishte e pa njohur për ne, por Amire Demolli e konkretizoi imagjinatën dhe ndjesinë e saj në krijimtari duke lënë kështu gjurmë në art e që do të vazhdojnë të jetojnë”, ka shtuar tutje Gollopeni për ekspozitën e radhës së Demollit, e cila përpos që po shënon ekspozitën e saj të dytë personale, ajo deri tash ka marr pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

Ekspozita “Gjurmë” do të qëndrojë e hapur deri më 7 mars.

Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, e cila në të njëjtën kohë në po këtë universitet ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Në periudhën prej 5-12 mars do të jetë pjesëmarrëse në World Women’s Arts Forum në Egjipt, ku do ta përfaqësojë Kosovën në mesin e 17 shteteve të ndryshme të botës./ KultPlus.com

“Eminencë Gri”, ekspozita e parë personale nga Zgjim Zyba hapet në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës këtë javë do të mirëpres ekspozitën “Eminencë Gri” të artistit Zgjim Zyba.

Ndikimi i thellë i teknologjisë në evolucionin e njerëzimit është i lidhur ngushtë me rolin e tij në përcaktimin dhe ndryshimin e pikëpamjeve individuale dhe kolektive rreth së tashmes, së ardhmes dhe imagjinares. Për ekspozitën e tij të parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Zyba prezanton dy instalacione që eksplorojnë nocionin e të pamurit dhe lëvizjes në raport me perceptimet tona të cilat shndërrohen dhe ndërmjetësohen nga imazhet vizuale të cilat shpërndahen përmes mjeteve teknologjike.

Eminenca gri e teknologjisë influencon thellësisht vlerat shoqërore të krijuara në hegjemoninë aktuale kapitaliste globale, duke shërbyer si mjet për emancipim, e në të njëjtën kohë, edhe si mjet kufizimi dhe kontrolli. Duke plotësuar njëri-tjetrin, evolucioni teknologjik dhe ai njerëzor i cili shkon prapa në shekullin e 20, krijojnë mundësi për shpalosje të vazhdueshme të perspektivave të reja mbi botën.

Ekspozita e cila është kuruar nga Hana Hallaj, do të hapet më datë 3 mars, prej orës 17:00. / KultPlus.com

Ekspozitë pikturash e ndërthurur mes dy shteteve tona për nderë të pavarësisë së Kosovës

Për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është hapur sot ekspozita me temën e Pavarësisë, me punimet e nxënësve të talentuar të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo ekspozitë pikturash e ndërthurur mes dy shteteve tona, është shembulli më i mirë që ndjekin shkollat në zhvillimin artistik vendor dhe jo vetëm.

Ministrja e Arsimit, Arbëria Ngavci e cila ishte prezente në këtë ekspozitë, është shprehur se nxënësit tanë të talentuar kanë përkthyer me ngjyra dhe pëlhurë ngjarjen e madhe të Pavarësisë sepse ata sot gëzojnë Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Me dëshirë vëllazërore dhe vullnet të hekurt, falë një bashkëpunimi shumë të ngushtë me homologen time Evis Kushi, kemi hedhur themelet për një intensitet edhe më të madh të aktiviteteve të përbashkëta.

Përveç disa marrëveshjeve të bashkëpunimit, për herë të parë vogëlushët tanë mësojnë me Abetaren e përbashkët unike, po ashtu kemi realizuar aktivitete të përbashkëta muzikore, si dhe marrëveshje që krijojnë lehtësira për studentët dhe profesionistët tanë.

Do të vazhdojmë të mbështesim të rinjtë e talentuar e që janë të zellshëm për të ofruar frymë të re bashkëpunimi ndërmjet gjeneratave të të dy vendeve”, shprehet Nagavci. / KultPlus.com

Rrugëtimi drejt pavarësisë përmes një ekspozite që shpalosi 15 dokumente

Rrugëtimi drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës sot u shpalos në tjetër format. Atë po e tregojnë 15 panot me dokumente, fotografi, ngjarje dhe shkrime të ndryshme të gazetave të asaj periudhe, të ekspozuara në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Ekspozita “Kosova pas Luftës së Dytë Botërore në dokumente arkivore” e Agjencisë Shtetërore të Arkivave dhe e mbështetur nga MKRS, është hapur në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Të gjitha këto dokumentime tejet të rëndësishme që janë dëshmi e aktivizmit, veprimtarisë politike, e sakrificës drejt shtetndërtimit do të mund ti shihni deri me datën 17 shkurt. / KultPlus.com