Ekspozita “Udhëtimi frymëzues i Minatorëve” është një shembull i qartë i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe unike të pasurive nëntokësore të Kosovës, ku përmes një koleksioni tejet të veꞔantë të mineraleve dhe kristaleve të prezantuara sot në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, tentohet të arrihet vetëdijesimi dhe të ngritët krenaria për resurset natyrore të Trepꞔës, shkruan KultPlus.
Ajo që e bënte edhe më sublime këtë ekspozitë është pikërisht fakti që muaji shkurt njihet si muaji i minatorëve, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin politik dhe kulturor të shtetformimit të Republikës së Kosovës.
Minatorët e Trepꞔës me punën dhe sakrificën e tyre të vazhdueshme kanë kontribuar në ndërtimin e një identiteti heroik, të fort dhe të qëndrueshëm, andaj, ekspozita synon të ndihmojë publikun edhe në njohjen dhe vlerësimin e kontributit të pashoq të minatorëve.
Autori i ekspozitës Driton Avdiu – historian, në një prononcim për KultPlus tregoi se si erdhi deri te ideja dhe cili është mesazhi që dëshiron të përcjellë.
Avdiu tha se pas vizitës së bërë në Muzeun Shtetëror të Kristaleve dhe Mineraleve në Mitrovicë, u frymëzua që për hir të muajit të minatorëve, pra muajit shkurt, të bëjë hapjen e një ekspozite për të treguar rëndësinë dhe krenarinë kombëtare të këtij muzeu.
Duke qenë se Muzeu Kombëtar i Kosovës ka për detyrë të mbajë gjallë traditat dhe historinë e vendit, atëherë në bashkëpunim me Shaqip Blakqorin, konsideruan të arsyeshme që hapja e ekspozitës të bëhet pikërisht disa ditë para pesëmbëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Për mua është nder që jam autor i një ekspozite të tillë, ku përmes saj synoj që jo vetëm Kosovës, por edhe botës t’i bëhen të ditura pasuritë e veçanta nëntokësore që gjenden në Stantërg të Mitrovicës”, u shpreh Avdiu.
Në këtë ekspozitë do të keni rastin të shihni nga afër një koleksion unik të mineraleve dhe kristaleve të përzgjedhura me kujdes nga Shaip Blakqori – Kustos.
KultPlus më poshtë ju sjell edhe disa foto nga ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë që nga dita e sotme. / KultPlus.com
Në kuadër të 555-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Shqipëri, është hapur ekspozita me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”, e cila përmban faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese arbërore.
Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, ndër të tjera tha: Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte nga mbretërit dhe princat europianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria e tyre ushtarake, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i luftës me fitore legjendare dhe u bë simbol krenarie. Po ashtu, ai ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit, të cilët kanë nxjerrë mësime nga përvoja e tij luftarake, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.
Në vijim e mori fjalën Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, i cili theksoi se bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij shënuan fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shekullit XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet në këtë ekspozitë nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, si dhe fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, çka përbënte bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.
Në vijim të pranishmit vizituan ekspozitën dhe u ndalën veçanërisht te stendat që pasqyronin veprimtarinë dhe betejat e Gjergj Kastriotit./ KultPlus.com
Është hapur ekspozita “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, me punimet e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Ceremonia e hapjes u zhvillua sot në mjediset e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe pjesë e veprimtarisë kanë qenë edhe artistët e rinj, të cilët kanë prezantuar punët e tyre.
Kjo ekspozitë shënon hapin final të kurorëzimit të projektit “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, realizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Pas disa takimeve konsultative dhe leksioneve të hapura për njohjen e baladave arbëreshe, në fazën përfundimtare vjen konkretizimi me punime artistike nga ana e nxënësve.
Ky projekt ka për qëllim të përcjellë tek të rinjtë përrallat dhe baladat arbëreshe, duke e bërë më të prekshme botën arbëreshe përmes gjuhës pamore. Secili nxënës ka shpalosur fantazinë e tij në paraqitjen e baladave arbëreshe, prandaj QSPA-së ka ftuar publikun për t’i parë nga afër këto punime. /atsh / KultPlus.com
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) është çelur ekspozita e Fate Velaj, me titull “Amerikanët”. Artisti është frymëzuar nga arti i fotografisë së Robert Frank në vitet ’50.
Prof. asoc. Albes Fusha, kurator i kësaj ekspozite, e vlerëson Velajn si një artist ndërkufitar që udhëton me penën në letërsi, udhëton me penelin në pikturë, udhëton me aparatin në fotografi.
“Amerikanët” është një ndër udhëtimet i tij i cili duhet parë jo thjeshtë si një ndihmesë në artin e fotografisë, por edhe të kulturës amerikane në përgjithësi”, thotë Fusha.
Ekspozita është një përzgjedhje prej 70 imazhesh, një ekstrakt i qindra fotove të realizuara në udhëtimet e tij nëpër Amerikë.
Fate Velaj nuk ka pasur si qëllim të bëjë një reportazh, me këtë ekspozitë. Fotografi ka qenë në ndjekje të një qëllimi: të rizbulimit të ritmeve fotografike që Robert Frank përjetoi në vitet 1955-1957 dhe, të dokumentonte gjithçka që i dukej e ndryshuar në jetën e përditshme të amerikanëve.
Prof. Albes Fusha thotë se Velaj është larg metodave tradicionale të fotografimit. Ai shpesh e përdor aparatin pa e vënë në nivelin e syve, duke luajtur me rastësinë.
Ekspozita “Amerikanët” është ndërtuar që pamjet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Nuk ka asgjë të rastësishme në renditjen e tyre. Përzgjedhja është si fjalët e gjetura plot kujdes e gati e njëjtë me rrëfimet e romancierit Fate Velaj.
Ekspozita do të qëndrojë në COD deri në fund të dhjetorit./ atsh /KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, do të hapin më 15 dhjetor, ora 12:00, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ekspozitën retrospektive “Rrugëtimi i abetares shqip 1844 – 1942”, shkruan KultPlus.
Për herë të parë, kjo ekspozitë sjell në Prishtinë ekzemplarë të rrallë të teksteve të abetareve, që ruhen si një trashëgimi e vyer në fondin arkivor të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, duke shërbyer edhe si një kujtesë e kontributeve në botimin e abetareve të gjuhës shqipe të personaliteteve dhe figurave të shquara të kombit.
Ato mbajnë për autorë emra të mëdhenj të letrave shqipe, duke nisur me Veqilharxhin e vijuar me Kostandin Kristoforidhin, Anastas Kulluriotin, Sami Frashërin, Jeronim de Radën, Luigj Gurakuqin, Nikolla Lakon, Mati Logorecin, Ndre Mjedën, Jani Vreton, Pashko Vasën, Ndoc Nikajn, Parashqevi Qiriazin, Aleksandër Xhuvanin, Ndue Palucën etj., të cilët duhet t’i kujtojmë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.
Kjo ekspozitë sjell rreth 100 vite rrugëtim të abetares shqip, duke nisur nga abetarja e parë e gjuhës shqipe e njohur gjer më sot, ajo e Naum Veqilharxhit më 1844-n, që mendohet të jetë botuar në Bukuresht ose Brail, Rumani dhe shkuar deri në vitin 1942 me abetaret toskërisht e gegënisht, botuar nga Ministria e Arsimit në Firence. Shumica e abetareve të ekspozuara janë shtypur jashtë vendit, çka reflekton edhe situatën e vështirë që ekzistonte në Shqipëri dhe vështirësitë në rrugëtimin e lëvrimin, njohjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare.
Këto abetare janë shtypur në Bukuresht, Konstancë, Athinë, Selanik, Bruksel, Firence, Milano, Vjenë, Paris, Stamboll, Sofje etj. Ndërkohë që abetarja e parë e shtypur në vend është ajo e Shoqërisë “Bashkimi”, shtypur në Shkodër më 1899-n. / KultPlus.com
Fjala e urtë “Të shohësh është të besosh” është themeli i fotografisë pasi shpesh shihet si mjeti i vetëm për regjistrimin e realitetit objektiv. Fotografitë janë të njohura për të treguar histori dhe për të ngjallur ndjenja. Çdo imazh ka një tregim të bashkangjitur me të. Qoftë kjo një ditë e qetë në diell apo një fushëbetejë e pasluftës e mbuluar me gjak, shkruan KultPlus.
Për të treguar fuqinë e tyre dhe për të shërbyer si thirrje në mbështetje të viktimave dhe grupeve të tjera të prekura nga lufta, në kërkimin e tyre për të vërtetën dhe drejtësinë, 4 fotografë: Atdhe Mulla, Arbnora Memeti, Nake Batev dhe Borislav Pesič, u bënë bashkë nga organizatorët e ekspozitës “Gjithë lotët tanë”, e cila i kushtohet rrëfimeve të viktimave të luftërave në rajon, pikërisht më datë 10 dhjetor, kur edhe shënohet Dita Ndëkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
34 fotografi të vendosura në katin e tretë të një prej hoteleve më të njohur në kohën e ish-Jugosllavisë, pikërisht në periudhën për të cilën këto fotografi u realizuan dhe u kthyen në jetë, ndodheshin në disa dhoma, ku mund të shihje edhe histori nga të ndryshmet. Duke filluar nga vdekja e të vetmit që i mbijetoi një masakre, e deri te gërmimet në Kizhevak.
I pari që mori fjalën ishte Bajram Qerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.
“Mas vështiri është me fol përpara juve. Këtu jemi sepse është një ditë për të drejtat e njeriut. Kuptoni si të doni, por të drejtat e njeriut te ne po shkelen për çdo ditë. Të drejtat elementare për zbardhjen e të pagjeturve po shkelen çdo ditë. Sot po thuhet se kërkojmë të zbatohen të drejtat e njeriut, ashtu siç janë të garantuara me konventa ndërkombëtare. Ne nuk e dijmë se ku i kem edhe 1600 persona tjerë qe 23 vite. Kush duhet ta shtyjë këtë proces përpara më shumë se na familjarët e të tjerët”, tha Qerkini.
Ndërkaq, ai gjithashtu u bëri thirrje vendorëve që të ushtrojnë presion më të madh te ndërkombëtarët, në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve.
“Vendorët t’i hapin pak ma shumë sytë dhe t’i çelin pak ma shumë veshtë që të bëjnë presion te ndërkombëtarët për fatin e të pagjeturve. Sot shihet edhe një ekspozitë, jo vetëm për Kosovë, por ekspozitë ndërkombëtare dhe shumë e veçantë. Ka qenë në Maqedoni, në Beograd tash edhe në Kosovë. Faleminderit të gjithëve”, tha në fund Qerkini.
Kryetar i Komisionit Qeveritar të Personave të Zhdukur të Kosovës, Andin Hoti, deklaroi se në ditën e të drejtave të njeriut, attij i bllokohet fjala kur flitet për të drejtat e njeriut.
“Sot është dita e të drejtave të njeriut, ku mua më bllokohet fjala kur flitet për të drejtat e njeriut. Edhe si familjar i personave të zhdukur edhe si pjesë e Komisionit të Personave të Zhdukur. E drejta për të ditur na është mohuar për 23 vite. 1600 tjerë vazhdojnë të presin për një të drejtë elementare, që është e drejta për të ditur”, deklaron ai.
Tutje, Hoti tregon se çdo ditë përballet me disa pyetje të njëjta, por e thotë fuqishëm se nuk do të dorëzohen asnjëherë në kërkimin e drejtësisë.
“Mua më bëhet çdo ditë pyetja, si po kalon, a ke emocione, a është e ndijshme? Kom emocione, është e ndijshme, është e lodhshme por kurrë me u ndalë jo, as unë e as ju. Kushdo që mendon që kemi me i humb shpresat, një gjë të tillë nuk do ta bëjmë asnjëherë. A po punojmë sa duhet? Jo, por po punojmë sa mundemi. Ne po punojmë, ne po bëjmë atë që mundeni, nuk po bëjmë sa duhet, sepse nëse do ta bënim do të ishin edhe 1617 persona me statut tjetër. Kjo është informata, që fatkeqësisht e marrim, kjo është e drejta për të ditë që neve na servohet”, tregon kryetari i Komisionit Qeveritar të Personave të Zhdukur të Kosovë.
Mes shumë lokacioneve të gërmuara, ata janë në pritje të ADN-së
“Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka gërmuar mbi 20 lokacione në Kosovë dhe një në Serbi. Mbi 7 lokacione të vitit 2022 janë me gjetje dhe ende jemi në pritje të ADN-së. Në vazhdimësi kemi pasur mbi 8 takime të nëngrupeve punese mes Kosovës dhe Serbisë, duke menduar gjithnjë që të marrim atë informacionin e nevojshëm për të ditur më shumë. Uroj që ata të ndryshojnë mendësinë e tyre dhe familjarët e personave të zhdukur të flejnë të qetë”, përfundon Hoti.
Në anën tjetër, njëri prej fotografëve pjesëmarrës në këte ekspozitë, Atdhe Mulla, ka thënë për KultPlus se bashkëpunimi erdhi nga puna e organizatorëve, derisa ai ka pasur detyrë që të sjellë fotografi nga lufta në Kosovë.
“Ekspozita e ka për qëllim që të mbledhë disa prej tregimeve prej familjeve që kanë pësuar gjatë luftës dhe terrorit në kohën e ish-Jugosllavisë. Më ka pëlqy shumë që t’ia japim një dokumentim gjërave që kanë ndodhur, specifikisht për Kosovën. Në fotografitë e mia ka disa prej të cilave i kam bërë në një kohë më herët, por janë të disa personave e masakrave që kanë ndodhur dhe janë të vlefshme në ekspozitë. Pak a shumë është një kollazh i disa tregimeve dhe kjo ekspozitë nuk e ka tendencën që të mbledhë të gjitha storiet, por disa prej tyre t’i paraqes se çfarë ka ndodhur. Në të njejtën kohë e keni edhe fotografinë e masakrës së Kizhovakut, hapësira e fundit ku janë gjetur mbetje të luftës. Mirëpo, ka akoma shumë storie që do të duhej të tregoheshin dhe vështirësia në këtë aspekt po vazhdon, shprehet ai.
Përcjellja e gjithë emocioneve, vetëm përmes fotografisë
“Është shumë e ndishme por me një moment e kom gjet si shumica e këtyre njerëzve e gjojnë një fuqi t’u mos pasë përgjigjje prej komunitetit ndërkombëtar e lokal. Shumë e ndishme është që t’i ktheshë njerëzit në kohë, por prej tyre e kom gjetë një energji e fuqi të madhe që dëshirojnë të tregojnë storien e tyre dhe që më kanë jep mundësinë e tyre me i fotografu. Ata e shohin këtë si një moment të plasimit të informatës, është e vështirë kur dëshiron t’i kthesh njerëzit në momentin kur ka ndodhur ngjarja, por kam gjetë forcë të madhe prej tyre për të realizuar fotografi. Ekspozita ka qenë e hapur edhe në Beograd, në Maqedoni dhe tani stacioni i fundit është Kosova, mendoj dhe besoj që është pritur shumë mirë”, thotë kuratori i ekspozitës.
Në anën tjetër, Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra” dha edhe disa të tjera të ndryshme për KultPlus rreth ekspozitës.
“Kjo ekspozitë është rajonale dhe ekspozita e parë është mbajtur në Beograd dhe para një muaj ose dy është mbajtur në Maqedoni, e ne kemi dashtë që për shkak të 10 dhjetorit, ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ta shfaqim edhe në Kosovë. Ekspozitën e kemi vendosur me qëllim në Grand, edhe të hapësirës edhe pse është në qendër edhe që ishte Manifesta. Jemi duke e diskutuar që ta bëjmë një ekspozitë virtuale që më pas ta publikojmë. Planet kanë qenë që fillimisht të përfundojë rrugëtimi i saj e më pas edhe të bëhet diçka tjetër”, deklaron Koliqi.
Lufta e papërfunduar, e shfaqur përmes fotografive për emocione të mëdha
“Puna e jashtëzakonshme, e fuqishme emocionalisht edhe estetikisht kreative, prandaj jemi krenarë me këta fotografë që kemi bashkëpunuar. Ekspozita tregon rrëfime prej këndvështrimeve të ndryshme, i prek masakrat masive, gërmimet, familjarët e pagjetur, viktimat civile, gratë e dhunuara etj, me këtë rast jemi munduar që fokusinë ta ketë viktimat civile të luftës prej momentin kur i kanë humbur më të dashurit e tyre deri në momentin e ditës se qysh i thojnë ata sot. Siç e dijmë disa prej kategorive të viktimave civile të luftës si gratë e dhunuara dhe familjarët e personave të pagjetur akoma janë në luftë, për ata lufta ende nuk ka përfundu”, shprehet ai.
Në fund, por jo nga rëndësia, Koliqi thekson gjithashtu se janë të lumtur që kanë përfshirë histori nga Maqedonia e Veriut në ekspozitat e tyre, pasi ato shpesh nuk përmenden.
“Jemi gjithashtu të lumtur dhe krenar që e kemi përfshirë edhe Maqedoninë Veriore në këtë ekspozitë, pasi kur e përmendim masakrat e ish-Jugosllavisë, e shohim që edhe aty ka viktima, jo me numër të njejtë po megjithatë ka”, thotë ai.
Organizuar nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, Integra, Iniciativa e Re Sociale, Aksioni Paqësor dhe Iniciativat Qytetare, me përkrahje nga PAX dhe ICTJ, kjo ekspozitë rajonale pari hapjen e saj të tretë në Prishtinë, pas hapjes së saj në Beograd dhe Shkup. Atë mund ta vizitoni çdo ditë nga ora 10:00 – 17:00, deri më 18 dhjetor 2022. /KultPlus.com
Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të bëhet hapja e ekspozitës “Dhomë për Kujtime të Pabëra” të artistit Luan Bajraktari, kururar nga Hana Halilaj të enjten me 8 dhjetor 2022 në orën 19:00.
“Dhomë për Kujtime të Pabëra” prezanton një vepër të komisionuara me autor Luan Bajraktarin, i cili e tjetërson galerinë në një dhomë dite ndërtuar me orendi dhe pajisje shtëpiake të vjetra. Duke u bazuar kryesisht në shëmbëlltyrën e shtëpisë së fëmijërisë së vet, autori krijon një mjedis tipik shtëpiak përmes ndërhyrjeve arkitekturale dhe të dizajnit të brendshëm. Ekspozita synon të vërë në pikëpyetje strukturat institucionale e, përmes kësaj, të krijojë një hapësirë që fton për reflektim dhe dialog.
Duke eksploruar idenë e shtëpisë nga pikëvështrimi i diasporës, Bajraktari në këtë ekspozitë shfrytëzon mobilje të gatshme dhe orendi shtëpiake për të krijuar brendinë tipike të një dhomë ndenjje kosovare apo dhe të vendeve të rajonit. Anipse rregullimi bazë i dhomës së ditës priret të jetë i ngjashëm anembanë globit, në morinë e objekteve të paraqitura, modelet dhe estetika e tepihut, divanit, perdeve dhe ngrohëses, tejçon heshtazi një afeksion të mishëruar në to.
Ekspozita tërheq vëmendjen te kujtimet e sendërtuara në objekte e hapësira dhe shqyrton eksperiencat hapësinore si shenjuese të klasave shoqërore dhe ekonomike. / KultPlus.com
Qendra Burimore për Persona të Zhdukur dhe Integra po sjellin ekspozitën “Gjithë lotët tanë” për të shënuar 10 dhjetorin, Ditën e të Drejtave të Njeriut, nga ora 10:00, në “Hotel Grand”, në Prishtinë.
Kjo ekspozitë unike u dedikohet rrëfimeve të viktimave të luftërave në rajon dhe ka për qëllim të njoftojë publikun e gjërë me rrëfimet e tyre duke shërbyer kështu edhe si thirrje për përkrahje për viktimat dhe grupet e tjera të prekura, në kërkimin e tyre për të vërtetën dhe drejtësinë.
Ekspozita përbëhet prej 34 fotografive origjinale, të bëra nga fotografët Atdhe Mulla, Arbnora Memeti, Nake Batev dhe Borislav Pesiç. Këto fotografi paraqesin aspekte të luftërave në ish-Jugosllavi – fotografi familjare të të pagjeturve, vende të krimeve, varreza masive, persona të zhvendosur brenda vendit dhe memoriale, por gjithashtu edhe pasojat e stërzgjatura të konflikteve që ndjehen edhe sot, duke treguar tërë tragjedinë dhe kompleksitetin e luftës.
Kjo ekspozitë është pjesë e aksionit “Fuqizimi i zërave gjithëpërfshirës të viktimave, transformimi i narrativave” zbatuar nga Integra, Lëvizja për Paqe PAX, Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale (ICTJ), Iniciativa e Re Sociale (NSI), Iniciativat Qytetare (CI), dhe Aksioni Paqësor (PA), mbështetur nga Bashkimi Evropian. / KultPlus.com
Në Bibliotekën “Ernest Kolliqi” brenda Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, Nagip Tashi do të prezantojë sot ekspozitën e tij të radhës “Rrënjë”, që këtë herë do të prezantohet në nderë të Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.
Ekspozita “Rrënjë”, përfshinë 11 portrete të figurave të rëndësishme shqiptare, sikurse: Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Abdurrahman Shala, Ibrahim Kodra e Fahrije Hoti.
Ekspozita e Nagip Tashit do të hapet sot, më 28 Nëntor në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë, në ora 17:00 dhe kjo ekspozitë që do të prezantohet, veprat e saj janë të punuara dru, stil tashmë i njohur i Nagip Tashit i cili nxjerr portretet nga copëza të drurit.
Kjo ekspozitë organizohet nga “Drita” dhe “KultPlus”. Ekspozita do të rri e hapur deri më 2 dhjetor./ KultPlus.com
Shkrimtari Ben Blushi sot në Prishtinë do të hap ekspozitën e tij me fotografitë nga lufta në Ukrainë, përcjellë KultPlus.
“Kjo ekspozitë që qëndroi e hapur në Tiranë gjatë gjithë shtatorit, shkon në Kosovë me mbështetjen e mikut tim Qemal Minxhozi ambasador i Shqipërisë dhe natyrisht me përgatitjen dhe organizimin special të vajzave të COD, Eridanës dhe Enës, pa dyshim”, shkruan Blushi.
Ekspozita hapet sonte në ora 19.00 në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe do rrijë e hapur gjatë gjithë javës.
“Në këtë ekspozitë janë fotografitë që munda të realizoj gjatë 10 orëve qëndrimi në Ukrainë, ku fotografova zonat e bombarduara të Irpinit dhe Borodyankës si dhe Kievin, qytetin që jeton në paqe dhe njëkohësisht në panik.
Fotot e Zelensky-t dhe poetit të pushkatuar Shevcenko janë pjesë e kësaj ekspozite”, thotë Blushi. / KultPlus.com
Në përkujtesë të 50-vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit (1972-2022), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka rishfaqur ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim”.
Materialet dokumentare që rrëfejnë rrugëtimin dhe orvatjet për unifikimin e alfabetit (14-22 nëntor 1908) drejt miratimit të rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe (20-25 nëntor 1972), u paraqitën sot në kuadrin e zhvillimit të një konference jubilare, në sajë të bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Ky përvjetor me rëndësi të përveçme në kalendarin e ndodhive historike për kombin, mblodhi në sallën “Balsha” të “Tirana International Hotel”, akademikë të institucioneve bashkëpunuese, si edhe personalitete politike të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Në këtë aktivitet, të zhvilluar në orën 10:00, fjala përshëndetëse u mbajt nga kryetari i ASHSH-së, Skënder Gjinushi dhe homologu i tij nga Kosova, akademiku Mehmet Kraja. Në konferencë qenë të pranishëm funksionarët më të lartë të kombit: kryeministri i vendit, Edi Rama, kreu i shtetit, Bajram Begaj, kreu i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Kryeqeveritari Rama e konsideroi unifikimin e gjuhës së shkruar shqipe si arritjen më të madhe të një grupi mendjesh të ndritura shqiptarësh. “Na duket sikur drejtshkrimi ka qenë gjithmonë aty. Sikur e kemi një mundësi që ta shpërdorojmë, ta vëmë në pikëpyetje, ndërkohë që unë dua ta falënderoj Akademinë për këtë konferencë që vlen për të kuptuar të kundërtën. Për të kuptuar se konsensusi gati unanim 50 vjet më parë është mahnitës, po të kesh parasysh se në çfarë konfliktesh të përgjakshme dhe procesesh rraskapitëse gjuha të tjera kanë kaluar për t’u bërë palca e kombit.”- tha Rama.
Në punimet e konferencës morën pjesë edhe akademikët Rexhep Qosja (Kosovë), Valbona Toska (Maqedoni e Veriut), Emil Lafe (Shqipëri); Matteo Mandalà (Itali), Jani Thomai (Shqipëri) etj. Ekspozita e përgatitur me dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), ndërton një narrativë binare të bazuar në dokumente historike të vendimeve të kongreseve përkatëse dhe në foto të figurave me rol të spikatur në punimet e kryehershme për çështjen e “ABC”-së. Mes dokumenteve të përzgjedhura bëjnë pjesë të poshtëpërmendurat:
• Vendim i Komisionit të Alfabetit për çështjen e “ABC”-së, përfshirë foto me anëtarët e këtij organi;
• Lista emërore e delegatëve që kanë marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, të ardhur prej qyteteve të vendit, si edhe prej kolonive të mërgimit;
• Korrespondencë mes Arqipeshkvisë së Shkodrës dhe Arqipeshkvisë së Durrësit mbi shtypjen e librave sipas udhëzimeve të Kongresit të Manastirit, krahas fotos së pjesëmarrësve në punimet e këtij organi;
• Procesverbale të mbledhjes së V-të dhe të VI-të të Komisionit për Çështjen e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit;
• Rregullat mbi ortografinë e gjuhës shqipe të shkruar, miratuar nga Komisia Letrare, bashkëlidhur fotos së anëtarëve të kësaj shoqërie;
• Informacion i Ministrisë së Arsimit mbi Kongresin e Drejtshkrimit;
• Rezoluta dhe lista e firmëtarëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe;
• Urdhër i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit. / KultPlus.com
Vizita në Klubin e Boksit, në një vend ku ka ndodhur shumë histori, është gjithnjë e veçantë për njerëzit. Por sigurisht, më e veçantë është për ata persona të cilët ekspozojnë punën e tyre përpara publikut dhe kanë mundësi të fitojnë një çmim prestigjioz, që do t’u ndihmonte shumë në karrierë, shkruan KultPlus.
“Stacion” – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, ka hapur ekspozitën e finalistëve të artistët e së nesërmes, mbrëmë në ora 19:00 në Klubin e Boksit në Prishtinë, ku janë ekspozuar edhe veprat e këtyre artistëve.
Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi dhe Agrina Vllasaliu, janë finalistët e këtij edicioni dhe mbeten në garë për të fituar një rezidencë për 2 muaj në Nju Jork të Amerikës, si dhe përfitime të tjera që sjell kjo qendër.
Valdrin Thaqi thotë për KultPlus se e vlerëson shumë këtë qendër dhe këtë çmim, duke qenë si njëra prej mundësive të pakta për artistët e rinj.
“Ky konkurs është njëri prej mundësive të pakta që artistët e rinj të tregojnë punën e tyre dhe të fitojnë një çmim prestigjioz. Ky projekt që e kam shfaqur sonte është një projekt që e kam filluar në Berlin më 2020, por atëherë nuk kam mundur që ta shfaq punën time shkaku pandemisë dhe tani po më vjen mirë që puna ime po shfaqet te publiku”.
Thaqi paraqitet përpara publikut me dy vepra dhe shpjegon se është i fokusuar kryesish në abstrakten.
“Empatik, sintetik është emri i projektit. Unë mundohem që gjithnjë të kem një interaktivitet me publikun, prandaj i kam vendosur shkallët. Kjo krijesa është një lloj krijese mitologjike, në atë gjermanen e që nuk ekziston. Ky është një parafytyrim i imi, pasi kafshën se ka parë askush më parë. Pastaj kalon te light-boxi me pikturat. Aty është një material latex dhe shihen sikurse disa pjesë laboratorike. Pra, unë e shoh artistikisht që krijesa është një lepur me brina, dhe sipas meje është një nëndije kolektive që me dashtë me ndrru një formë natyrale tani është e mundur përmes modifikimit gjenetik”, thotë ai mes tjerash.
Ndërkaq, artistja Mimoza Sahiti, e cila kishte jetuar jashtë në të kaluarën, për t’u rikthyer në Kosovë që ta shijonte edhe më tepër jetën adoleshente këtu, është njëra prej të përzgjedhurave si finaliste në këtë edicion.
Ajo thotë për KultPlus se ka ardhur nga Austria në Kosovë, në Komogllavë të Vitisë dhe nga aty është frymëzuar për shumë gjëra të reja në veprat e saja.
“Unë inspirona prej vetvetes, prej rasteve që më ndodhin mu dhe krijoi vepra të ndryshme. Mund të them që mllefin e agresivitetin që e kom brenda vetes, mundohem me shpreh më së miri përmes artit dhe veprave artistike”.
Sahiti është e paraqitur në këtë ekspozitë më 18 vepra, kryesisht me vepra të cilat janë të punuara me ngjyra të vajit.
“Secila vepër e ka veçantinë e saj, e unë mundohem me shpreh veten time, pra, krejt vizatimet janë gati se vajza dhe unë shoh histori të mia këtu, që i kam krijuar si vepra artistike”.
“Give me 5 minutes”, siç e shpjegon Sahiti, është vepra e saj e preferuar, kjo për faktin se ia kujton një moment shumë të veçantë, derisa ishte pjesë e një shkolle në Gjermani.
“Unë kisha një dhomë private timen në të cilën punoja dhe papritur një ditë kur shkova aty, perdja e cila ishte vënë, e gjitha ishte në tokë. Jam nervozuar shumë dhe për 15 minuta krejt mllefin që e kom pas, e kam kthyer në art. M’jepni 5 minuta për me punu”, thotë Sahiti.
Edhe artistja Agrina Vllasaliu tregon se është marrë prej fëmijërisë me art dhe ka dashur gjithnjë që të studioi këtë lëmi.
“E kam familjen artistike, këngëtarë, muzicientë dhe sigurisht këtu më ka ardhur edhe motivi që të studioj artin. “Rozafa nuk ka qenë këtu”, është vepra ime më e re që e kam krijuar para dy viteve. Aty shihet një kombinim mes mitologjisë shqiptare dhe moderne, që vjen në formën e betonit, pra aty shihen edhe veshjet tradicionale të shqiptarëve, gjithashtu aty janë të paraqitura edhe tjegullat dhe poshtë është një motorr. Motorri është aty për të treguar se Rozafati është dashur të flijohet. Për mu kjo është një histori shumë emocionale që na ka tregu nana dhe kjo më ka motivuar që ta bëj këtë skulpturë”.
Vllasaliu paraqitet në këtë ekspozitë edhe me dy vepra të tjera, të cilat sipas saj, shprehin një lidhje emocionale nga familja.
Një divan në tokë si pjesë e ekspozitës, i quajtur pallati i ftohtë, sipas Vllasaliut, paraqet një pjesë të shtëpisë së tyre në Kosovë kur ata nuk janë në vendlindje.
“Në shtëpinë tonë në Kosovë, gjatë kohës kur ne jemi jashtë, aty nuk qëndron askush. Pra, është si një pallat i akullt dhe nuk rrinë askush. Edhe në veprën e tretë, e quajtur Thaumatrope, paraqitet një errësirë, e lidhur pikërisht me shtëpinë”, thotë artistja.
Ndërkaq, Albert Heta, i cili punoi në pjesën kuratoriale në këtë ekspozitë, njofton se për herë të parë në historinë e kësaj qendre, kanë aplikuar edhe pjesëtarë të komunitetit jo-shumicë serbë dhe këtë gjë e shohin shumë pozitive. Puna kuratoriale e kësaj ekspozite i takoi edhe Vala Osmanit përderisa arkitektura e ekspozitës është organizuar vetëm nga kjo e fundit.
“Ambienti i Klubit të Boksit shfrytëzohet nga “Stacioni” që një kohë. Këtu është një hapësirë historike dhe kanë ndodhur shumë gjëra prej që ne kemi ardhur këtu, rreth 2015-tës. Ndërtesa i ka sfidat e veta, por edhe përparësitë, ku mund të vërehet gjithçka. Ekipi është i mirë që punon në këtë ekspozitë dhe e njeh hapësirën, gjithçka është zhvilluar sipas një hapi të caktuar. Kemi sfidë kryesor ngrohjen dhe probleme të tjera teknike, por duhet të përshtatemi çdo herë”.
Heta flet edhe për veprat e tre finalistëve, ku thotë se secila ekspozitë është realizuar që të gjithë të jemi të kënaqur, ekipi, artistët e institucioni që kemi punuar.
“Nuk ka diçka që nuk kemi arritur ta bëjmë. Secili artistë i ka hapësirat e duhura që i përshtaten. Ky është edicioni i 6-të i çmimit që ne e organizojmë dhe secili është specifik e ndryshe prej njëri tjetrit. Besoj që publiku e sheh lëvizjen prej njërës e tjetrës”.
Kuratori shpjegon se kjo është hera e parë që ata punojnë së bashku me artistët, prandaj, i ka pasur edhe ky aspekt vështirësitë e veta, por gjithçka në fund ka shkuar mirë.
“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që të gjithë mund ta shfrytëzojnë e ta marrin një çmim prestigjioz. Në këtë edicion kemi pasur rreth 20 aplikime, e diku rreth 5 prej tyre nuk e kanë kaluar kriterin. Befasia në këtë edicion ka qenë aplikimi i komunitetit jo-shumicë. Ne vazhdimisht tentojmë që të krijojmë këtë mundësi për të gjithë artistët që punojnë në Kosovë. Gjithashtu, për herë të parë ne realizojmë një edicion që është krejtësisht i pa-mbështetur nga MKRS. Kur po rritet buxheti për festivale, po ulet ose po zhduket ai për art pamor e bashkëkohor”, thotë Heta.
Juria e çmimit Artistët e së nesërmes 2021, e përbërë nga Anne Barlow, drejtoresha e TATE St Ives, Miljana Dunderin, artiste, drejtore e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Laura Raicovich, shkrimtare, kuratore, Bernhard Rudiger, artist dhe profesor në Ecole Nationale des Beaux Arts në Lyon, Driton Selmani, artist, ka përzgjedhur tre finalistët e çmimit Artist of Tomorrow, derisa përzgjedhja e fituesit do të bëhet më 3 dhjetor me fillim nga ora 19:00. /KultPlus.com
Arbër Selmani po sjell ekspozitën ‘Më lër brenda, më lër jashtë’, një bërtimë e fuqishme, shpesh e ngjyrosur me një pëlhurë të empatisë, e personave me aftësi të kufizuara të cilët i mungojnë diskursit publik në Kosovë, përcjellë KultPlus.
Ekspozita sjellë në vëmendje njerëz që guxojnë dhe tejkalojnë sfidat dhe pengesat që vijnë në rrugën e jetës. Imazhe të forta që tregojnë për një realitet goditës: dikush që noton, një tjetër punon në radio, pak më larg edhe dokumente që konfirmojnë një sëmundje, një gjendje.
“‘Më lër brenda, më lër jashtë’ është një ekspozitë e atyre që po ndajnë me neve mishërimet e tyre jetësore. Le t`i mbajmë afër nesh, le t`i nxjerrim në botë…”, thotë Selmani.
Pjesëmarrës në këtë ekspozitë do të jenë: Shoqata ‘Autizmi’, Eloida Alija, Elvana Shala, Fjolla Muhaxhiri Agusholli, Arbenita Selmani, Genc Beqiri, Mentor Mripa, Medina Surdulli.
Selmani ka falënderuar edhe bashkëpunëtorët për realizimin e kësaj ekspozite e që janë: Arlinda Hajrullahut (bashkë-kuratore), Skender Xhukollit (instalues i ekspozitës), Nok Selmanit (fotograf) dhe gjithë të tjerët që ndihmuan në çfarëdo forme që kjo ekspozitë të marrë këtë formë.
Hapja e ekspozitës do të bëhet më datë 17 Nëntor, ora 19:00, në Grand Hotel në Prishtinë.
Ekspozitën e ka ndihmuar Byroja e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Departamentit Amerikan të Shtetit, në bashkëpunim me Meridian International Center si partner zbatues. / KultPlus.com
Me rastin e 50-vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Universitetin “Fan Noli” në Korçë (UNIKO), paraqiti sot ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim”.
Në këtë aktivitet, të zhvilluar në orën 10:30 në sallën e Bibliotekës së Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë, qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, rektori i UNIKO-s, Dhimitër Bello, akademikë të universiteteve nga mbarë vendi dhe përfaqësues të institucioneve bashkëpunuese.
Fjala përshëndetëse u mbajt nga rektori Bello, i cili vlerësoi kontributin e DPA-së në përkujtimin e trajektores së përpjekjeve për standardizimin e shqipes, që zunë fill me Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe u ndoqën me ngjarjen kulmore të përcaktimit të parimeve drejtshkrimore prej Kongresit të vitit 1972.
“Të gjithë e dini rëndësinë e Kongresit të Drejtshkrimit, për unifikimin e gjuhës shqipe në një të vetme. Falënderoj, Bido që zgjodhi për të shfaqur këtë ekspozitë në Korçë. Sapo biseduam për nënshkrimin e një marrëveshjeje për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve. Do të shkëmbejmë ide me drejtuesit e fakulteteve edhe për hapjen e një dege studimi për arkivistikë”, përfundoi Bello.
Në daljen e tij për mediat, Bido u shpreh falënderues për bashkëpunimin me institucionet lokale dhe nënvizoi se ky ndërveprim është i nevojshëm për shpalosjen e identitetit kombëtar. Kreu i DPA-së kumtoi se kjo ekspozitë, e prezantuar fillimisht në Korçë, do të rishfaqet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, së bashku me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si edhe prej Kryeministrisë.
“Është kënaqësi që ne e nisim nga Korça rrugëtimin e një prej 6 ekspozitave të përgatitura për muajin nëntor. Kjo është një ekspozitë për një datë shumë të rëndësishme dhe nuk besoj se nuk ka më mirë sesa Korça për të rrëfyer identitetin kulturor dhe kombëtar tonin. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me universitetin, me Prof. Bellon, me Bibliotekën e Korçës dhe me shumë institucione lokale, me qëllim që të mund të përçojmë identitetin tonë kombëtar siç duhet. Është një ekspozitë kulmore e aktiviteteve qendrore për përvjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit. Do të jetë ekspozita kryesore që do të mbajë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, së bashku me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më datë 10 nëntor. Po ashtu, ekspozita dhe do të qëndrojë më pas për një javë në COD, në Kryeministri”, shpjegoi Bido.
Ekspozita e përgatitur me dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), përvijon rrugëtimin dhe orvatjet për unifikimin e alfabetit (14-22 nëntor 1908) drejt miratimit të rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe (20-25 nëntor 1972). Materialet e ekspozuara ndërtojnë një narrativë binare, bazuar në dokumente historike të vendimeve të kongreseve përkatëse dhe në foto të figurave me rol të spikatur në punimet e kryehershme për çështjen e “ABC”-së. Mes dokumenteve të përzgjedhura bëjnë pjesë të poshtëpërmendurat:
Vendim i Komisionit të Alfabetit për çështjen e “ABC”-së, përfshirë foto me anëtarët e këtij organi;
Lista emërore e delegatëve që kanë marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, të ardhur prej qyteteve të vendit, si edhe prej kolonive të mërgimit;
Korrespondencë mes Arqipeshkvisë së Shkodrës dhe Arqipeshkvisë së Durrësit mbi shtypjen e librave sipas udhëzimeve të Kongresit të Manastirit, krahas fotos së pjesëmarrësve në punimet e këtij organi;
Procesverbale të mbledhjes së V-të dhe të VI-të të Komisionit për Çështjen e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit;
Rregullat mbi ortografinë e gjuhës shqipe të shkruar, miratuar nga Komisia Letrare, bashkëlidhur fotos së anëtarëve të kësaj shoqërie;
Informacion i Ministrisë së Arsimit mbi Kongresin e Drejtshkrimit;
Rezoluta dhe lista e firmëtarëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe;
Urdhër i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit.
Aktiviteti vijoi me mbajtjen e një tryezë të rrumbullakët rreth tematikës “Prirje të standardit nën optikën e zhvillimeve të sotme të gjuhës”. Çështjet e parashtruara për shtjellim dhe për diskutim ishin: “50 vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit”; “Gjuha standarde dhe shkolla”; “A ka nevojë për ndryshime të rregullave të drejtshkrimit?”; “Trysnia e gjuhëve të huaja në përdorimin e gjuhës standarde”; “Trysnia e përdorimeve të varianteve dialektore përmes formave të artit (teksteve letrare të mirëfillta, teksteve të këngëve)”; “Problematika të dygjuhësisë në drejtpërdorimin e gjuhës standarde”.
Në këtë hapësirë shkëmbimi pikëpamjesh morën pjesë përfaqësues të Akademisë së Studimeve Albanologjike, të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë, të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të Universitetit “Ismail Qemali”, të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, të Universitetit “Eqrem Çabej” dhe të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
Organizimi i kësaj veprimtarie mori shtysë nga “Java e Drejtshkrimit” (1-4 nëntor 2022), që mblodhi në bashkëveprim institucionet universitare dhe DPA-në, si organin përgjegjës për administrimin, ruajtjen dhe promovimin e historisë kombëtare. / KultPlus.com
Me pamjen e piramidave të Gizës së Egjiptit në sfond, 12 artistë bashkëkohorë ndërkombëtarë shfaqën veprat e tyre të artit. Ekspozita “Forever is Now”, u hap më 27 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit të ardhshëm. Ekspozita e artit organizohet nga Art D’Égypte, një platformë kulturore egjiptiane që promovon artin bashkëkohor në vendet e trashëgimisë.
Teksa shpjegon veprën e tij artistike, artisti italian, Emilio Ferro shprehet: “Ju mund të ecni gjatë ditës ose gjatë natës me një vijë vërtetë të fortë drite që shkon në piramida dhe shkon pas saj, ju mund të ecni poshtë dhe të ndiqni dritën. Ky është një vend i mrekullueshëm.”
Këtë vit zhvillohet edicioni i dytë i ekspozitës. / Klan News / KultPlus.com
2022 është shpallur Viti i Pablo Pikasos për të përkujtuar mjeshtrin e madh në 50-vjetorin e vdekjes. Bota e artit është mobilizuar për të organizuar 42 ekspozita me vepra të artistit modern më të famshëm dhe emblematik. Një prej tyre është zbuluar në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork.
Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork zbulon një ekspozitë për të përkujtuar mjeshtrin e madh, Pablo Pikaso, në 50-vjetorin e vdekjes.
Veprat e tij kubiste, që prezantohen në muze, janë krijuar me traditën e vjetër “trompe l’oeil” ose “iluzioni optik”, teknikën e pikturimit të objekteve në një sipërfaqe dydimensionale, të duken tredimensionale.
Ekspozita titullohet “Kubizmi dhe Tradita e ‘Trompe l’Oeil’” dhe bashkëkuratorja Emily Braun rrëfen: “Ne kurrë nuk e kemi parë punën e Pablo Picasso-s në këtë mënyrë. Ne asnjëherë nuk e kemi kuptuar dialogun e tij. Shpesh kemi parë ekspozita si: Picasso dhe tradita spanjolle, madje edhe Picasso dhe jeta e qetë, por jo Picasso dhe ‘Trompe l’Oeil’, dhe se si shumë nga mjetet e tij vijnë në mënyrë groteske dhe inteligjente, nëpërmjet kësaj tradite të gjatë shekullore.”
Bota e artit është mobilizuar për të organizuar 42 ekspozita që shënojnë këtë 50-vjetor të ndarjes nga jeta të artistit modern më të famshëm dhe emblematik.
Përgjatë 18 muajve të fundit nga Franca dhe Spanja, nisma e Vitit të Pikasos do të përfshijë 38 institucione shumë të rëndësishme të artit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Pablo Picasso lindi në qytetin spanjoll të Malaga në 1881 dhe vdiq në Mougins në rivierën franceze në 1973. Një seri bisedash për të dhe punën e tij do të mbahen gjithashtu krahas ekspozitës. / Oranews / KultPlus.com
Ekspozita “Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)” do të hapet në Muzeun Kombëtar të Kosovës në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë.
Kjo ekspozitë, e ideuar nga Muzeu Historik Kombëtar, përmban foto dhe skica të realizuara nga vetë Edith Durham-i gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare. Po ashtu, duhet theksuar se Mbretëresha e Maleve shqiptare njohu nga afër dhe ka pasur letërkëmbime me shumë prej personaliteteve të shquara të vendit tonë, si me Ismail Qemalin, Kristo Dakon, Dervish Himën, Mit’hat Frashërin, Pandeli Evangjelin, Faik Konicën, Lef Nosin, Mehmet Konicën, motrat Qiriazi, Aqif Pashë Elbasanin, Hil Mosin, Hoxhë Kadrinë, Bajram Curin etj.
Ekspozita hapet ditën e premte, datë 21 Tetor 2022, ora 18:00, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com
Në kuadër të “Tetorit të Librit”, të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, si dhe të “Vitit Ali Podrimja”, shpallur këtë fillimviti, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, çeli sot një ekspozitë në nderim të poetit kosovar Ali Podrimja.
Ekspozita, e kuruar me shumë kujdes nga dr. Etleva Domi, zv./drejtore e Bibliotekës Kombëtare, sjell kontributin shumëdimensional të Ali Podrimjes, si poet, përkthyes, redaktor, etj.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Domi u shpreh se “në vitin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, nëpërmjet një ekspozite modeste, sjell sot, në vëmendje të publikut, për herë të parë, të gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme të Podrimjes, prej botimeve të para e deri në botimet më të fundit të veprave të tij”.
Ekspozita paraqet rrugëtimin e krijimtarisë letrare të tij, që nis në vitin 1961 me botimin “Thirrje”, për të vijuar më pas me botime të shumta, ku Podrimja paraqitet në role të ndryshme, herë si autor poezish, esesh, prozash, herë si përgatitës veprash të ndryshme, si edhe jo pak herë edhe si redaktor.
Një vend të veçantë në të zënë edhe vepra e tij, përkthyer në disa gjuhë të huaja, si: frëngjisht, anglisht, gjermanisht etj.”, duke theksuar më tej se “libri, edhe në epokën digjitale, vijon të mbetet për të gjithë mjeti më i fuqishëm i dijes”.
Çeljen e kësaj ekspozite e përshëndetën edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, si dhe studiuesi Behar Gjoka, të cilët vlerësuan një nga poetët më të dashur dhe më të veçantë të letërsisë shqipe.
Kjo ekspozitë vjen jo vetëm për të nderuar e kujtuar veprimtarinë letrare të poetit Ali Podrimja, por edhe për të sjellë në qendër të vëmendjes poezinë, botën magjike të fjalës. / atsh / KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në bashkëpunim me Ambasadën Bullgare në Shqipëri hapën ekspozitën “Ikona mrekullibërëse dhe relike të shenjta nga Ballkani”.
Në çeljen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momtchil Raytchevski, i cili ka shprehur kënaqësinë dhe admirimin e tij mbi muzeun tonë, që herën e parë kur e vizitoi dhe me dëshirë dhe premtimin se do të vijonte në bashkëpunime të mëtejshme artistike dhe kulturore, bëri të mundur sjelljen e kësaj ekspozite kaq të veçantë dhe një studim tepër i vlefshëm nga Instituti Sllavo-Bizanitin, në Sofje, Bullgarisë, për të gjithë gadishullin tonë, Ballkanik.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti tha se “ikonat nuk mund të rrinin më mirë se sa në një muze të mbushur me ikona dhe objekte religjioze, mrekullisht të shpëtuara. Ajo, njëkohësisht njoftoi se ky ishte vetëm fillimi i bashkëpunimeve kulturore, të mëtejshme me një vend mik, me kultura dhe tradita të përbashkëta si Bullgaria”.
Ekspozita do të jetë pjesë e ekspozitës muzeale të përhershme për dy javët në vazhdim dhe prezanton ikona mrekullibërëse dhe objekte liturgjike, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike dhe rajoneve të periudhës Post-Bizantine, Bullgarisë mesjetare, Malit Athos, manastireve Bullgarë dhe Shqipërisë, relike të shenjta nga Ballkani. /atsh/ /KultPlus.com
”Description de I’Egypte”, një nga koleksionet e rralla në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u ekspozua sot në hapësirat e Teatrit të Operas dhe Baletit, në kuadër të Javës së Kulturës së Egjiptit, në prani në ministres së Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe homologes së saj egjiptiane, Nevin El Kilany.
E konsideruar si një prej arritjeve të mëdha jo vetëm shkencore por edhe artistike të kohës, kjo vepër që përmban 844 gravura, vepër e disa prej artistëve më të njohur të kohës, ushtroi ndikim të madh në mbarë Europën.
Në fakt, ajo shënon jo vetëm fillimin e egjiptologjisë si disiplinë shkencore, por njëkohësisht edhe lindjen e pasionit për artin e Egjiptit të lashtë, në mbarë botën perëndimore.
Për vetë cilësinë e jashtëzakonshme tipografike, bukurinë dhe përmbajtjen e saj, kjo vepër e famshme përbën një nga perlat e koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Me të 11 vëllimet e saj, që sillen në këtë ekspozitë mbulohen aspekte nga më të ndryshmet të Egjiptit të lashtë e të Egjiptit modern. Kjo është hera e parë që ky koleksion i prezantohet publikut shqiptar. /atsh / KultPlus.com
Ekspozita e parë e Istanbul Photo Awards 2022, konkursit ndërkombëtar të fotografisë të organizuar nga Anadolu Agency (AA) për të mbështetur fotogazetarinë, do të hapet sot për vizitorët në metropolin turk të Istanbul-it.
Fotot e konkursit të vlerësuara me çmime do të ekspozohen në Universitetin e Arteve të Bukura Mimar Sinan deri më 30 shtator.
Në ekspozitë pritet të marrin pjesë shumë emra nga bota e fotografisë dhe artit, përfshirë fotoreporterin grek Konstantinos Tsakalidis, fituesi i këtij viti i çmimit “Fotografia e Vitit”.
Ceremonia e hapjes do të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz.
Ekspozita, e cila përbëhet nga punimet e 19 fotografëve, organizohet me kontributin e Universitetit të Arteve të Bukura Mimar Sinan.
Këtë vit, konkursi u mbështet nga Canon, Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) dhe Turkish Airlines (THY), aviotransportuesi i vendit.
Fotoreporterët profesionistë hynë në konkurs me foto që demonstrojnë ngjarjet globale të vitit të kaluar, nga ngjarjet sociale në Mianmar deri te kriza e refugjatëve në SHBA, nga Rally Dakar dhe Lojërat Olimpike të Tokios e deri te rrëfimet njerëzore në mbarë botën.
Fotografia e fotografit të Bloomberg, Tsakalidis, me titull “Gruaja nga Evia”, fitoi çmimin “Fotografia e Vitit” në Istanbul Photo Awards 2022, edicioni i tetë i konkursit vjetor ndërkombëtar të fotografisë të mbajtur nga AA për të mbështetur fotoreporterët.
Një juri prestigjioze përzgjodhi fotografitë fituese të çmimeve për Istanbul Photo Awards 2022.
Fotografia e Tsakalidis-it u përzgjodh mes më shumë se 16.000 fotografive të paraqitura nga pjesë të ndryshme të botës. /atsh / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me bashkinë e Pogradecit, kanë përgatitur një ekspozitë mbi figurën e Dhimitër Paskos, të njohur gjerësisht me emrin e artit si Mitrush Kuteli.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të përvjetorit të lindjes së themeluesit të prozës moderne shqipe.
Publiku do të ketë mundësinë të marrë pjesë në prezantimin e dokumenteve arkivore që hedhin dritë mbi veprimtarinë letrare të Paskos, si edhe mbi profilin e tij në rolin e ekonomistit dhe të bankierit.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, të cilat janë pjesë e pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjenden: krijimet “Balta Shqipëtare”, “Natë vjeshte” (dhjetor 1944), “Kënga e biçikletës” (shkurt 1944), “Do desha të vdes” (mars 1946) etj.
Gjithashtu publiku do të mund të shohë publikimet në faqet e Revistës Letrare, siç janë: “I vdekuri dhe i gjalli” (shkurt 1944), “Poemi i Shëndaumit” (maj 1944), “I pasuri që ish i varfër fort” (korrik 1944).
Ekspozita përmban edhe kartolina që Mitrush Kuteli i dërgonte Lasgush Poradecit, analiza të veprës së poetit “Ylli i zemrës”, botuar në kujdesin e Kutelit si dhe dokumente me anë të të cilave Kuteli kërkonte rehabilitimin e figurës së tij: kërkesë e Kutelit drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu për leje krijimtarie dhe letra e Shehut drejtuar ministrit të Arsimit dhe të Kulturës, Manush Myftiu, për akordimin e lejes së kërkuar.
Një tjetër material i AQSH është emërimi i Paskos si konsulent teknik prej Komitetit Ekzekutiv të Bankës Kombëtare; analiza ekonomike e Paskos mbi çmimet në Shqipëri dhe pasuritë natyrore të Kosovës të shfrytëzuara nga italianët. / atsh / KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko (1958-2002) hapi sot një ekspozitë në përkujtim të kontributit të tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës.
Kjo ekspozitë sjell për publikun krijimtarinë e tij duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) dhe vëllimin e parë me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, për të vijuar më tej me veprat: “Fjala fishkëllen” (1987); romani “Loja” (1990); “Zemra nuk është këmishë” (1990); “Lajmëtarja e vdekjeve” (1991); “Pretenca” (1994); “Made in Albania” (1998); “Keko: poezi” (2005); përmbledhje me tregime “Amaneti: tregimet e fundit” (2008); “Curriculum vitae: tregime të zgjedhura” (2008); “Kryqëzim: poezi të zgjedhura” (2008); “Si breshka në shpinë mbaj një varr: tregime, poezi, roman, dramë, shënime, vëzhgime, opinione, intervista…” (2012); “Shënimet e një gruaje” (2014).
Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe veprimtaria e tij si redaktor, por edhe si publicist, që vjen përmes artikujve në shtypin periodik të kohës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore. / KultPlus.com
“Kilometri i fundit, 777 portrete” është ekspozita më e re në COD, e hapur ditën e djeshme nga fotografi i ri David Cuka.
Të ftuar në çeljen e kësaj ekspozite ishin të miq të COD-it e të fotografit, dashamirës të artit, fotografë, media dhe gazetarë.
Davidi është një fotograf i ri shqiptar, i cili ka zgjedhur mediumin e fotografisë për të dokumentuar aspekte që lidhen me të drejtat e njeriut. Në këtë rast ai e ka përqendruar objektivin e aparatit para personazheve duke i ftuar të jenë vetvetja, pa bërë kurrfarë diferencimi artistik apo profesional.
Kjo ekspozitë është pjesë e projektit #999 Portretizime Shqiptare dhe do të qëndrojë e hapur në COD në datat 19-25 gusht 2022.
Me anë të fotografisë, artisti rrit promovon dhe ndërgjegjësimin mbi barazinë sociale, të drejtat e grave, avokon kundër diskriminismit të komunitetit LGBTI+, në vend e rajon, komunitet të cilit ai vetë i përket, si person transgjinor. /atsh / KultPlus.com