Arti në shërbim të shkencës në shekullin XIX

Ekspozita “Origjina e botës” ju fton të zbuloni se si shkenca, kafshët, botanika apo biologjia frymëzuan artistët e shekullit XIX.

Në anijen e Muzeut të Orsayt, prania e elefantit Marguerite është intriguese.

Me më shumë se pesë muaj vonesë, kjo ekspozitë e jashtëzakonshme, fryt i tre viteve punë, hapet më në fund për publikun të mërkurën.

Ajo do të zgjasë deri më 18 korrik pas negociatave intensive me huadhënësit.

Ekspozita u realizua në bashkëpunim me ekipet shkencore të Muzeut të Historisë Natyrore.

Ai vijon nga ekspozitat e tjera tematike si “Modeli i Zi” vitin e kaluar, i cili hulumtoi një tjetër evolucion të madh të përfaqësimeve në art në shekullin e XIX.

Sa i përket “Modelit të Zi”, periudha e ruajtur është “shekulli i gjatë XIX”, deri në fund të luftës së 14-18.

Në mes të kësaj periudhe, u shfaq “Origjina e Specieve” (1859) nga Charles Darwin. Ky mendimtar kryesor i evolucionizmit do të dominojë në dëm të të tjerëve, të harruar padrejtësisht.

Tetëdhjetë vepra të mara hua pasuruan ekspozitën, me nëntitullin ndjellës: “shpikja e natyrës në shekullin XIX”. Kartelet e kapërcyer nga një siluetë elefanti vareshin posaçërisht në lartësinë e fëmijës.

Ekspozita rikrijon bashkëveprimet e shumëfishta midis shkencës dhe arteve në një kohë kur shkencëtarët imponojnë vizionin e tyre për botën, ndërsa rendi i vjetër i njohurive i bazuar në fe është duke u thyer./atsh / KultPlus.com

Veprat e artit të Bob Dylan këtë vit shfaqen në Amerikë

Ekspozita “Retrospectum” përfshin gjashtë dekada të artit të Bob Dylan, duke shfaqur më shumë se 120 nga pikturat, vizatimet dhe skulpturat.

Duke u bazuar në ekspozitën origjinale “Retrospectum” që u shfaq premierë në Shanghai në vitin 2019, ky version do të përfshijë pjesë të reja që nuk janë parë më herët dhe vepra arti shtesë nga një seri  krejtësisht e re e quajtur “American Pastoral”, transmeton KultPlus.

“Retrospectum” do të vazhdojë deri në 17 prill 2022 dhe deri më tani Miami është i vetmi vend që ka njoftuar ndalesën, raporton AP, transmeton tutje KultPlus.

Pjesa më e madhe e punës së Dylanit pasqyron udhëtimet e tij të vazhdueshme nëpër Shtetet e Bashkuara dhe një afinitet të thellë për skenën Amerikane. Edhe kjo seri e re nuk bën ndonjë përjashtim.

Një përmbledhje e “One Too Many” nga viti 2020 paraqet një burrë të rrëzuar mbi një banak të tymosur dhe një tjetër “Subway Cityscape”, gjithashtu nga viti 2020 ku shfaqet dashuria e Dylan për skenat industriale të qytetit.

Këngëtari veteran dhe laureati i Nobelit i cili mbush 80 vjet këtë muaj ka parë një vlerësim në rritje për artin e tij që nga ekspozita e tij debutuese “The Drawn Blank Series” e cila u hap në Gjermani në vitin 2007.

Vepra e tij ishte shikuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër , Galerinë Kombëtare të Danimarkës, Palazzo Reale në Milano dhe në ekspozitën e Shangait në Muzeun e Artit Modern, e cila ishte ekspozita më e vizituar në qytet në vitin 2019.

Krahas udhëtimit nëpër peisazhin artistik të Dylanit, ekspozita e re do të përfshijë shfaqje të kuruara gjithëpërfshirëse dhe ndërvepruese të muzikës dhe veprave të tij letrare duke shtuar kontekstin e këtij talenti dhe ndikimin e tij në kulturën popullore që zgjat mbi gjysmë shekulli. /klankosova/ KultPlus.com

Shpaloset ekspozita e Shkamb Jakës, kombinim i artit dhe shkencës në një plasaritje të ngjyrave

Era Berisha

Gjithsej gjashtë piktura të cilat shpalosin botën e fizikës kuantike, astrofizikës dhe metafizikës në një formë të vendeve utopike virtuale janë prezantuar sot në ekspozitën e titulluar ‘’Spooky Action at a Distance’’, në Paper Gallery, shkruan KultPlus.

Këto gjashtë piktura gjetën ekzistencën e tyre në formën e skicave dixhitale të frymëzuara nga idetë e Niels Bohr, Einstein, Michio Kaku, Tyson ku së bashku me eksperimente dhe teori të ndryshme si: “double slit experiment”, “casimir effect”, “theory of relativity”, “string theory”, u gjallëruan në formën e pikturave reale të cilat ishin vendosur brenda katër mureve.

Vizitorë të shumtë patën rastin të shohin këto piktura që portretizojnë punën e artistit Shkamb Jaka, për të cilin kthimi i gjeometrisë Euklidiane në piktura si pasqyrim i një bote 3D që mund të përjetohet vetëm në një mënyrë 4D është qasja kryesore e tij.

Shprehja e botëkuptimit të artistëve që shpeshherë ndoshta edhe nuk e gjejnë shpjegimin specifik të mënyrës së të shprehurit përmes artit e ku këtë herë ka ndodhur po njëlloj me Jaken, i cili ka përplasur këto piktura që ndoshta për shumë kë mund të duken të pakuptimta por për shumë të tjerë ato depërtojnë në kompleksitetin e mendimeve dhe ideve dhe kështu zhvillojnë një qasje artistike të veçantë të perceptimit.

Në mesin e gjashtë pikturave, ajo e cila dallohej nga të tjerat ishte piktura e cila sipër saj e kishte të vendosur një video-instilacion të po të njëjtit imazh por aty është shfaqur skica dixhitale e artistit që dukej se i është bashkangjitur pikturës në një ngjyrim të vetëm identik. Këtu lehtësisht dëshmohet dhe dallohet talenti dhe puna e vërtetë e një artisti.

Ndërsa për të folur më shumë rreth idesë për këtë ekspozitë, e pranishme ishte edhe koordinatorja nga Paper Gallery, Rina Statovci.

“Koncepti i Paper Gallery është dhurimi i një platforme për artistët e rinj si Shkambi dhe ne gjithmonë mundohemi që galerinë tonë ta dhurojmë si një hapësirë ku artistët e rinj shqiptarë dhe ndërkombëtarë të vinë ta shfrytëzojnë dhe realizojnë ekspozita personale ose projekte tjera si instalacione, video-instalacione, performanca dhe çka do që ka të bëjë me art”, tha ajo.

Sipas saj, bashkëpunimi me Shkambin është menduar qysh nga viti 2020 ku është vendosur që ekspozita të gjejë vend në muajin maj. Por, që në fakt ideja origjinale ka qenë ofrimi i një pjese tjetër të Paper Gallery vetëm për një punë të tij por pas disa bisedimeve dhe pas përfundimit të konceptit që Shkambi ka pasur për këtë ekspozitë është vendosur që të ofrohet e gjithë hapësira e Paper Gallery që ai të realizojë një ekspozitë personale.

“Artistët e rinj që shumë shpesh nuk zhvillohen sepse Kosova si një shtet i vogël nuk është shumë i pasur dhe nuk ka kushte të mjaftueshme që ata të kenë një hapësirë. Prandaj, ata nuk duhet të ndalen sepse ka vende ekspozuese në Kosovë ku ofrohen këto mundësi artistëve të rinj që të shfaqin punën e tyre”, përfundon ajo.

Ekspozita e hapur për publikun erdhi në një formë mjaft të bukur ku në mesin e ngjyrave, dritat po vinin në pah ende më shumë detajet e veçanta të këtyre pikturave të cilat kapnin syrin e çdo kujt që afrohej për ti parë dhe analizuar thellësisht ato.

Kurse për të folur më shumë rreth procesit të pikturimit të një pune një-vjeçare, për KultPlus foli vetë artisti Shkamb Jaka.

“Ekspozita është frymëzuar nga një thënie e Ajnshtajnit ku ai është frikësuar nga një eksperiment, një eksperiment ky që në njëfarë forme i ka thyer të gjitha ligjet e natyrës dhe atë se çfarë ai ka thënë deri atëherë. Saktësisht ka të bëjë me dritën që ekziston si valë edhe si grimcë por që Bori e ka kundërshtuar duke thënë se drita është grimcë vetëm kur observohet që do të thotë se drita ka një koishencë të veten dhe tani kur ajo observohet, kthehet në grimcë”, shprehet Jaka.

Sipas tij, kur drita ka koishencë ajo mundet të telekomunikojë që do të thotë se është më e shpejt sesa shpejtësia e dritës dhe ky konstatim i ka thyer ligjet e natyrës, me ç’rast është quajtur Spooky Action at a Distance dhe njëkohësisht erdhi si emër i kësaj ekspozite.

Për Jaken, procesi i pikturimit ka qenë pak i vështirë sepse është dashur të arrihet në një përfundim për të treguar botëkuptimin e tij dhe shpjeguar atë në mënyrën më të mirë, por që me mbështetjen e profesoreshës së tij Zake Prelvukaj, e cila ka qenë përkrahësja më e madhe, kjo ekspozitë erdhi deri në prezantimin e saj.

“Unë do e veçoja pikturën e parë sepse ka nisur një stil të ri tek unë gjatë pandemisë dhe që tani ajo mund të shihet në dy forma, në dixhitale dhe fizike. Prandaj, pavarësisht sfidave prapa skenave, kjo ekspozitë është shfaqur ashtu siç e kam imagjinuar dhe dëshiruar”, përfundon Jaka për KultPlus. / KultPlus.com

Vajzat rome me ekspozitën ‘’E ardhmja jonë’’, synojnë një të ardhme të mbushur me diversitet

Era Berisha

Pikturat shumëngjyrëshe të cilat krijuan iluzionin se po vallëzonin në një horizont ylberi e po shpalosnin ëndrrat dhe shpresat e shumta të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, janë prezantuar sot në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës përmes një ekspozite të titulluar ‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e realizuar nga vajzat rome, shkruan KultPlus.

Ky projekt për qëllim pati thyerjen e barrierave dhe luftën ndaj stereotipave të shoqërisë në përgjithësi, ku vajzat rome patën rastin të prezantojnë rreth 50 piktura, nëpërmjet së cilave shpaloset se si ato e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e shoqërisë kosovare.

Pikërisht për të arritur këtë qëllim, fuqia e artit është konsideruar pikënisja më e mirë për të drejta të barabarta pa dallim të religjionit, ngjyrës, gjinisë apo moshës dhe njëkohësisht edhe për qasjen në aktivitete dhe programe socio-kulturore e edukativo-sportive.

Kjo ekspozitë që ngërthen në vetë një mesazh shumë të fortë dhe mjaft domethënës ka pritur sot vizitorë të shumtë të cilët patën rastin që nga afër ti ndjenjë emocionet dhe ndjenjat e veçanta me të cilat vajzat rome frymojnë dhe shpresojnë çdo ditë për ekzistencën totale të diversitetit.

‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e zhvilluar nga mentorja dhe kreatorja e cila ka punuar me vajzat nga Mitrovica, duke i realizuar pikturat së bashku dhe duke dhënë kështu mesazhin se piktura më e mirë është ajo e cila ka më shumë ngjyra dhe që po e njëjta vlen për shoqërinë. Pra, shoqëria më e mirë është ajo e cila ka më së shumti diversitet.

Pas hapjes së parë të kësaj ekspozite në Parlament me 8 mars, ku i është dhuruar veçanti temës për gruan dhe fuqinë e saj, tani në hapjen e dytë është fokusuar po e njëjta temë, me ç’rast përmes pikturave të cilat burojnë ngjyrë për diversitet në mbarë botën, mendohet të arrihet një e ardhme më e mirë për këto komunitete.

Në mesin e llojllojshmërisë së ngjyrave të vendosura në muret e korridorit, të pranishëm ishin edhe organizatorët e këtij projekti si: UN Women dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar si dhe Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.

Ai që nisi këtë hapje ishte vetë Berisha, i cili ka shprehur se për të është një kënaqësi që ai ndodhet në mesin e të pranishmëve duke shpresuar kështu për më shumë bashkëpunime të tilla.

“Është kënaqësi shumë e madhe që për fatin tonë të dashur na keni mbushur muret ngjyrë. Por është ende më e veçantë që për këto punime janë përkujdesur vajzat rome. Në të ardhmen do kisha dëshirë që të ndodhin pikërisht këto bashkëpunime për realizimin e këtyre projekteve e në veçanti projektet të cilat ndërlidhen me të gjitha komunitetet në Kosovë”, thotë Berisha.

Ndërsa, Jacob Webber nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ka falënderuar Komunën e Prishtinës për këtë mundësi.

“Është një kënaqësi e madhe që sot jam këtu dhe që kemi mbështetur këtë projekt sepse është një pjesë e një projekti të madh në Kosovë, për arsye se ka qenë një vit shumë i vështirë dhe mundësitë për këtë projekt janë shumë të rëndësishme për shpresën e këtyre komuniteteve’’, tha ai.    

Po ashtu, Vlora Tushi Nuzi nga UN Women është shprehur se ky projekt për të ishte njëri ndër projektet më të bukura përmes së cilës janë bashkuar të gjitha forcat për të dhënë kontributin në mirëqenien e qytetarëve.

“Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, për mbështetjen e tyre sepse ky projekt kontribuon në mirëqenien e këtyre komuniteteve dhe në të gjitha kombinimet e kushteve me të cilat ne jemi detyruar të jetojmë në këtë izolim”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka falënderuar vajzat rome për kreativitetin dhe guximin e tyre dhe ka shpresuar që ende të ekspozohet puna e tyre edhe në ndërtesa të tjera, pasi që tashmë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka shprehur dëshirën e saj që të ketë pikturat e vajzave rome në zyrën e saj.

Gjithashtu, vetë mentorja e këtyre pikturave Mirjeta Qehaja, ka shprehur kënaqësinë e saj për një mundësi të tillë duke e pasur parasysh se këto vajza janë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian por të cilat shumë nga to nuk merren me art.

“Fatkeqësisht për momentin unë jam e para dhe e vetmja e diplomuar në këtë drejtim dhe ende nuk kemi asnjë të regjistruar në fakultet. Prandaj, për mua është një përgjegjësi e dyfishtë jo vetëm për karrierën time por edhe për të gjitha vajzat dhe të rinjtë e komuniteteve që të arrijnë sa më shumë në art dhe që arti të zhvillohet sa më shumë në Kosovë”, thotë Qehaja.

Ajo tutje ka thënë se procesi i pikturimit ka qenë tepër i mirë sepse puna me këto vajza ishte një veçanti e bukur.

“Unë shpresoj shumë që në të ardhmen do të kemi më shumë artistë që i përkasin këtyre komuniteteve. Vajzat janë gëzuar shumë që kanë pasur një mundësi të tillë sepse jo çdo herë jepet kjo mundësi duke e pasur parasysh që arti është shumë i kushtueshëm, prandaj për vajzat e reja duhet të ekzistojnë fonde të posaçme ku jepet mundësia për ti shfrytëzuar ato materiale për të paraqitur talentin e tyre”, shpreh Qehaja për KultPlus.

Sipas saj, përderisa ngjyra e lëkurës vlerësohet më shumë sesa ngjyra e syve do të thotë se gjithmonë do të ketë një luftë në botë. Ndërsa, gëzimi i saj më i madh ishte gëzimi i vajzave rome kur ato panë materialet dhe kur filluan të pikturojnë.

Krejt në fund, teksa të pranishmit po bisedonin rreth pikturave dhe domethënies unike të tyre, drejtori i Kulturës për KultPlus është shprehur se piktura që atij i ka lënë më së shumti përshtypje, ishte piktura me një prapavijë të verdhë ku shihen katër vajza duke vallëzuar me njëra-tjetrën dhe të gjitha ato kanë një ngjyrë ndryshe nga njëra-tjetra dhe në vallëzim ato janë duke e krijuar një siluetë të një vajze që po buzëqesh.

“Unë e kuptova që vajzat rome e shohin shoqërinë duke vallëzuar me njëra-tjetrën pa dallime të ngjyrës së lëkurës dhe buzëqeshja do të ishte ajo e cila do të simbolizonte atë valle të cilën po e hedhin ato”, përfundon Berisha për KultPlus.

Ky projekt është realizuar nga UN Women, IPKO Foundation dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa nikoqire e këtij projekti është Komuna e Prishtinës.

‘’E ardhmja jonë’’, ekspozita nga vajzat rome zë vend në Komunën e Prishtinës

Projekti nga UN Women, IPKO Foundation dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar synon thyerjen e barrierave dhe luftën ndaj stereotipeve të shoqërisë në përgjithësi, nëpërmjet ekspozitës së titulluar ‘’E ardhmja jonë’’, e cila do të realizohet nga vajzat rome, shkruan KultPlus.

Vajzat rome do të shpalosin pikturat e tyre të bukura përbrenda ekspozitës “E ardhmja jonë”, me ç’rast do të tregojnë se si ato e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e shoqërisë tonë. Fuqia e artit është konsideruar pikënisja më e mirë për të drejtat e barabarta dhe qasjen në programet socio-kulturore e edukativo-sportive.

“Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen tonë është që ta ndërtojmë atë”, thuhet në njoftim përderisa bëhet thirrje që të vizitohet kjo ekspozitë mjaftë domethënëse.

Ekspozita hapet më 6 maj në orën 14:00, në hollin e katit të dytë të ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës, që njëkohësisht është edhe nikoqire e kësaj ngjarje. / KultPlus.com

Ekspozita ‘Synime’ vjen në GKK, shpërfaq rrugëtimin 70 vjeçar të artisteve shqiptare

Suada Qorraj

Rrugëtimi i shfaqjes së artisteve shqiptare ndër vite, por dhe artit si njëra nga pikat ky kufijtë e dy vendeve shkrihen si një tersi e vetme, karakteri i së cilës ndërthuret me mendimin feminist, duke sjellë gruan si frymëzim artistik, por dhe një krijuese të artit, është pikërisht një nga themelet mbi të cilat ngritet ekspozita ‘Synime’, shkruan KultPlus.

Udhëtimit ndër vite të këtij arti që fillimisht u shfaq para publikut në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, sot i hapi dyert edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, duke sjellë kështu një udhëtim në kohë, të veprave që kishin mbetur në harresë, por dhe të veprave që përfaqësojnë brezin bashkëkohor të artistëve.

Iniciativa e galerive të dy vendeve Shqipëri e Kosovë, si pjesë e kalendarit të tyre të përbashkëta iu besua dy kuratoreve, Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi, të cilat deri në fillimin e këtij bashkëpunimi që zgjati më shumë se një vit, nuk e njihnin njëra tjetrën.

Teksa qëndronte përballë punës së gjatë dhe njëkohësisht po aq mahnitëse të cilën e kishte realizuar së bashku me Erëmirë Krasniqin, Adela Demetja rrëfeu për KultPlus se fillimet e gjithë këtij procesi kanë nisur nga shikimet e koleksioneve të dy galerive.

“Për këtë projekt kemi filluar punën rreth një vit më parë, sigurisht duke ditur që do të jetë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe dy galerive, kemi filluar punën me koleksionet dhe veprat që kanë qenë në koleksion. Kjo iniciativë ka ardhur sepse duket nga koleksioni që veprat e artisteve femra janë shumë më të pakta në numër sesa ato të artistëve meshkuj”, ka pohuar ajo.

Pandemia sikurse në çdo fushë tjetër të jetës, kishte ndikuar edhe në punën e dy kuratoreve Demetja e Krasniqi të cilat pjesën më të madhe të procesit dhe hulumtimeve e kishin realizuar në formën online, duke zhvilluar biseda me artistet të cilat synonin ti bënin pjesë të ekspozitës. Tutje ajo ka shtuar se pavarësisht që ekspozita titullohet ‘Synime’, në fillimet e punës nuk kishin një synim të qartë për ekspozitën me qëllim që të mos ndikojnë në diktimin e saj.

“Ka qenë koha e pandemisë dhe i gjithë procesi është bërë online, pra me zoom jemi munduar të flasim me to, ti pyesim se çfarë mendojnë për një ekspozitë të tillë dhe të shikojmë edhe krijimtarinë e tyre. Pra në fillim nuk është se kemi pasur një synim më të qartë pavarësisht se ekspozita quhet synime me idenë  që mos të jemi ne ato që e diktojmë ekspozitën por të shohim se çfarë ka, çfarë temash trajtohen dhe nga pak të ngrihet koncepti kuratorial”, ka treguar Adela Demetja.

Por, krahas takimeve të shumta në platformat online, Demetja tregon se janë takuar fizikisht edhe me artiste e familjarë të atyre që nuk jetojnë, që ju ka ndihmuar edhe më shumë në kuptimin e tematikave të krijimtarisë së artisteve dhe ndërtimin e katër koncepteve kuatoriale.

“Nga fillimet e punës tonë kuptuam edhe disa prej tematikave që vetë krijimtaritë  e artisteve lëvronin dhe ndërtuam katër koncepte kuratoriale të cilat janë ‘Arkivat e trupit’, ‘Gramatika e kujtesës’, ‘Anakronizma të vullnetshëm’ dhe ‘Përmbledhje poetike’. Me anë të këtyre katër koncepteve bëmë si përfundim përzgjedhjen për ekspozitën’, shtoi tutje kuratorja.

Demetja ka theksuar se gjatë procesit të punës për realizimin e kësaj ekspozite është marrë parasysh edhe hapësira në Galerinë e Arteve në Tiranë dhe Galerinë Kombëtare në Prishtinë, por njëkohësisht dhe rëndësinë që ka në vete ‘Synime’ ngase një ekspozitë e tillë realizohet për herë të parë, nga dy vende me pothuajse 40 artiste dhe një shtrirje kohore 70 vjeçare.

Kuartorja Adela Demetja teksa ka treguar se nuk kanë hasur në refuzime nga ana e artisteve për të marrë pjesë në një ekspozitë të tillë, kanë hasur në pyetje të atilla që të bënë të kuptosh se shumica e artisteve tashmë kanë përvetësuar narrativen patriarkale.

“Nuk ka pasur artiste që kanë refuzuar, por ka pasur artiste që sigurisht kanë ngritur pyetje përse kjo ekspozitë, përse vetëm me artiste femra dhe këtu e kemi kuptuar që sigurisht duhet bërë ende shumë në këtë drejtim, pra në përfshirjen dhe në fizibilitetin e artisteve gra sepse vetë fakti që disa prej tyre mendojnë që nuk është e nevojshme që artistet gra të mbështeten në mënyrë të veçantë tregon që ka një problematikë brenda vetë sistemit ku ato e kanë përvetësuar narrativen patriarkale”, ka përfunduar kuartorja.

Gratë artiste veprat e të cilave pas Tiranës tashmë kanë pushtuar edhe muret e hapësirën së Galerisë Kombëtare, përfshijnë artistet e para të artit figurativ e deri tek emrat e njohur te ditëve të sotme si; Silva Agostini, Brigita Antoni, Alma Bakiaj, Lumturi Blloshmi, Lirije Buliqi, Liljana Çefa, Donika Çina, Flaka Haliti, Blerta Hoçia, Majlinda Hoxha, Shpresa Faqi, Fitore Isufi – Koja, Ledia Kostandini, Edona Kryeziu, Hyrije Krypa, Iva Lulashi, Diana Miziri, Silvi Naçi, Matilda Odobashi, Greta Pllana, Edit Pula, Nurhan Qehaja, Alketa Ramaj, Miradije Ramiqi, Anila Rubiku, Merita Selimi, Marina Sula, Eli Xoxa, Alije Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Rudina Xhaferi, Violeta Xhaferi, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Zengo Antoniu dhe Valbona Zherka.

Ekspozita ‘Synime’ do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor, 2021 duke ofruar kështu mundësinë për diskutimin e veprave të prodhuara nga gratë dhe duke marrë në konsideratë trajektore të ndryshme artistike që ato kanë thurur në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot./ KultPlus.com

Banksy, me ekspozitë ilegale në Los Angeles

Los Angelesi nuk është i huaj për Banksyt. Muralet e artistit identiteti i të cilit vazhdon të mbetet mister, janë shfaqur në mure dhe billborde në Los Angeles për vite me radhë, dhe veçanërisht në një depo masive që doli në pah në vitin 2006. E tani disa grafita e punime të tjera pritet të mbërrijnë si pjesë e një ekspozite turne, “Banksy: Gjeni apo vandal?”

Ekspozita e paautorizuar do të hapet aty në gushtin e sivjetmë dhe atë me mbi 80 vepra të artistit të famshëm britanik. Bazuar në një vështrim në edicionet e mëparshme të ekspozitës, duket se do të shfaqë kryesisht punime të nënshkruara, si dhe fotografi të veprave, me disa pjesë të artit të ruajtur të rrugës të ekspozuara si një përzierje. Përshkrimi i ekspozitës premton edhe një komponent të realitetit virtual.

Megjithëse informacioni mbi lokacionin e saktë të ekspozitës ende nuk është bërë i ditur rezervimet do të nisin më 4 maj në mesditë. Biletat fillojnë nga 29,5 dollarë për të rriturit dhe 19,9 dollarë për fëmijë.

Ky çmim është në të vërtetë një lloj dhembshurie për vetë Banksyn. Në një postim në Instagram të vitit 2018 që i referohej paraqitjes së parë të ekspozitës në Moskë, artisti komentoi se ai nuk kishte të bënte me të.

“Një deklaratë më e gjatë në faqen e internetit të artistit thotë se ‘pjesëtarë të publikut duhet të jenë të vetëdijshëm se së fundmi ka pasur një vërshim ekspozitash të Banksyt, asnjëra prej të cilave nuk është konsensuale. Ato janë organizuar plotësisht pa dijeninë ose përfshirjen e artistit. Ju lutemi trajtojeni si duhet”.

Megjithëse asnjëra prej veprave në “Banksy: Gjeni apo vandalizues?” nuk vijnë direkt nga artisti, në faqen e internetit të ekspozitës thuhet se ato janë të gjitha “vepra origjinale dhe të certifikuara” që vijnë nga “koleksione private evropiane”, përkundër faktit se nuk identifikohet origjina e tyre e saktë.

“Ne jemi gjithmonë të kujdesshëm ndaj këtyre llojeve të ngjarjeve të paautorizuara: Nga kinematë lundruese me temë ‘Disney’, ne kemi parë një numër ngjarjesh turne në “vende të fshehta” në LA në vitet e fundit por asnjëherë me gjëra materiale”, thuhet aty.

Por ekspozita për Banksyn duket të jetë diçka që duhet vrojtuar me kujdes: është duke u realizuar nga “Exhibition Hub”, që ka ekspozuar deri tani “The Art of the Brick”, një version i së cilës është i hapur aktualisht në Qendrën Shkencore të Kalifornisë, si dhe një seri ekspozitash gjithëpërfshirëse për Van Goghun. /koha/ KultPlus.com

Me ekspozitë nga koleksioni i Galerisë Kombëtare, shënohet Dita Botërore e Artit

Përmes një ekspozite simbolike me 15 piktura të autorëve të shquar kosovarë në Galerinë Kombëtare të Kosovës sot është shënuar Dita Botërore e Artit, shkruan KultPlus.

Me iniciativë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Shoqatës së Artistëve Pamorë të Kosovës, për herë të parë në vitin 2021 Kosova shënon këtë ditë në shenjë solidarizimi me të gjitha strukturat e arteve pamore në botë – si pikë e parë për të zhvilluar më tej diplomacinë kulturore të këtij sektori me të gjithë aktorët ndërkombëtarë për të pasqyruar parimet dhe veprimtarinë e arteve pamore në Kosovë.

Dita botërore e arteve pamore që për herë të parë u shënua më 15 prill 2012 nga Shoqata Ndërkombëtare e Arteve Pamore si partnere e UNESCO-s ka për qëllim të krijojë lidhje, bashkëpunime dhe të katalizojë rrjetin ndërkombëtar të artit pamor në botë. Kjo datë përkon edhe me datëlindjen e artistit të shquar botëror Leonardo da Vinçit. / KultPlus.com

Spektër i gjerë motivesh

Me rastin e ekspozitës kolektive të artistëve mbarëkombëtar, përkatësisht nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, që organizohet në shenjë të 100 vjetorit të themelimit të Bashkisë së qytetit të Sarandës dhe të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Kjo ekspozitë e përbashkët e titulluar “Artistët për gratë” është organizuar nga Qendra “Tirana Art” dhe drejtuar nga autorja, piktorja Jona Dividi, me mbështetjen e “Bashkisë Sarandë”.

Nga Hivzi Muharremi

100 artistë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi më 8 Mars në “Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, si dhe në 100 vjetorin e themelimit të Bashkisë Sarandë, u bënë bashkë në aktivitetin artistik, i cili deri me sot i tejkalon të gjitha manifestimet nga fusha e arteve pamore, si për nga përfaqësimi mbarëkombëtar po ashtu edhe nga cilësia e vlerave ideo-estetike të punimeve të ekspozuara. Përkatësisht është një evenimentit shumë i rëndësishëm dhe reprezentativ me një numër të madh pjesëmarrësish nga gjitha trevat shqipfolëse. Në Galerinë e arteve të qytetit të Sarandës do të prezantohen artistë të të gjitha zhanreve me nga një krijim artistik. Përfaqësimi i autorëve të ndryshëm në bazë të moderatorit është konceptuar në formën ku dashamirësit e artit të qytetit të Sarandës si dhe nga viset e qendrat e tjera mund t’i shijojnë vlerat e njëmendta të autorëve të cilët janë emra të njohur dhe gati çdo njëri, përkatësisht shumica e tyre janë artistë të dëshmuar nga fushat e arteve pamore si në pikturë, skulpturë, grafikë, arti konceptual etj.

Organizimi dhe realizimi i aktiviteteve të tilla me koncept mbarëkombëtar, janë më se të domosdoshme, sepse artdashësit kanë mundësi në mënyrë imediate, në një ambient ekspozues, të njihen jo vetëm me aktualitetin, por edhe me vlerat e njëmendta të çdo krijuesi, i cili përmes veprës shpërfaqë stilin e tij dhe botën e brendshme shpirtërore përmes elementeve figurative. Andaj, ideja e organizatorit të ekspozitës ishte koncepti gjithëpërfshirës i spektrit të gjerë krijuesish nga viset e ndryshme shqiptare. Si motiv primar të konceptit të moderatorit për këtë ekspozitë është; Përmes kompozimeve artistike, çdo njëri në stilin e tij, të vendosë në spikamë mbështetjen kundër dhunës ndaj grave e vajzave, që fatkeqësisht akoma në shekullin e XXI, është evidente në të gjithë hapësirën e globit. Përmes veprave artistike, theksueshmëria shkon drejtë ndërgjegjësimit në ditën ndërkombëtare të gruas.

Tablotë e ekspozuara në aspektin e tematikës, ngërthejnë kompozime koloristike e kompozicionale, me dominim të shprehjes ekspresive, surreale, abstrakte e deri diku me primesa të artit modern.

Karakteristikë e tërë ekspozitës është bota shpirtërore, poetike dhe ekspresive, që thekson botën artistike të secilit artist, duke filluar nga qasja reale e deri tek ajo abstrakte, e cila arrihet jo vetëm me elementin e ngjyrës, por edhe me atë të formës, të përmbajtjes dhe të raporteve koloristike dritë-hije. Prania e krijuesëve mundëson të kuptohet se gjithnjë punohet e krijohet në bazë të arritjeve, që fillet e kuptimit të punimeve dalin si lajtmotiv i frymëzimit shpirtëror e emocional të artistit.

Një karakteristikë tjetër, që mund të veçohet në ekspozitë, është dominimi i elementit hapësinor dhe figuracioni në trajtën e elementeve koloristikë.

Në këtë dihitonomi ravijëzohen reflekset e elementit të dritës, roli i së cilës është tepër i theksuar në tërësi. / KultPlus.com

Shtëpia e vendosur në mes të lumit në Francë, po krijon kuriozitet (FOTO)

Objekti trekatësh i njohur si La maison dans la Loire (Shtëpia në Loire), po krijon kuriozitet përsëri në rrjetet sociale, ku prezente është habia e madhe që shfaqet duke parë fotografitë e një veçantie si kjo, përcjell KultPlus.

Shtëpia është vendosur në lum qëllimisht nga artisti francez Jean-Luc Courcoult, i cili e porositi atë si pjesë të Ekspozitës së Artit Estuaire 2007, me  ç ’rast frymëzoi artistë të shumtë ndërkombëtarë për të krijuar vepra të tilla të frymëzuara nga lumi.

Megjithëse për shumëkënd duket si rezultat i një përmbytjeje, për dikë që ecë përgjatë saj, mund të jetë objekt frymëzimi. / KultPlus.com

“364 ditë t’vyshkuna” përmes 8 karaktere që shpërfaqin kulturën patriarkale në shoqërinë tonë

Është  hapur ekspozita me 8 fotografi, 8 karaktere që shpërfaqin kulturën patriarkale në shoqërinë tonë, përcjellë KultPlus.

Kjo ekspozitë e titulluar “364 ditë t’vyshkuna”, u hap më 8 mars në sheshin e Ferizajt, si simbolikë e Ditës Ndërkombëtare të luftës së grave për të drejtat e tyre.

Kjo ekspozitë është realizuar nga shoqëria civile, e cila do të qëndrojë për tri ditë me radhë në sheshin e Ferizajt.

Fotografitë janë realizuar nga artistja Bardha Goga. / KultPlus.com

Dita e dytë e Epopesë së UÇK-së

Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që njihet si Dita e Dëshmorëve, sot bëhen homazhe dhe mbahet akademi në shënimin e Epopesë së UÇK-së.

Në të gjithë Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare do të bëhen homazhe pranë varreve të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut.

Ceremonia e homazheve fillon në orët e mëngjesit me nderime te varri i komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz dhe te Memoriali i dëshmorëve në Marinë.

Një ekspozitë me fotografi të fotografit Sefer Aliqkaj do të hapet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa një turnir në volejboll do të mbahet në Skenderaj.

Ekspozita me 59 fotografi do të hapet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në Pallatin e Rinisë do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në ditën e fundit të Epopesë së UÇK-së, mbahet Nata e zjarreve në Prekaz./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e skulpturave monumentale në Gjilan

Në Gjilan është hapur të premten ekspozita e skulpturave monumentale, të propozuara nga artistët nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, përcjellë KultPlus.

“Gjilani i kthehet monumenteve artistike sipas karakteristikave që i ka. Duke qenë qytet i paqes i dekoruar nga Parlamenti Europian me diplomën e paqes dhe tolerancës, ne do ta vendosim simbolin e paqes, jemi qytet i bashkatdhetarëve dhe nuk mund të mos e kemi monumentin e tyre, pastaj simoboli i Heroinës së Qytetit etj”, tha në hapje të ekspozitës kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Me këtë rast, Haziri tha se do të vazhdojmë të punojnë e ndërtojnë veprat monumentale në kujtim të heronjve dhe dëshmorëve sepse ata na mësuan se si fitohet liria.

“Me rastin e shënimit të 23-vjetorit tri ditëve të bardha të kryengritjes së familjes Jashari, ne në Gjilan tradicionalisht organizojmë aktivitete kulturore e përkujtimore. Qytetarët e Gjilanit e Anamoravës historikisht ishin në rreshtin e madh të kryengritësve për lirinë e shqiptarëve. Këtë vit do ta kthejmë Kadri Zekën në bronz, do të vazhdojmë me Ramiz Cërnicën, sikur që do të vendosen bustet e nacionalçlirimtarëve dhe nacionaldemokratëve. Ne në Gjilan do të vazhdojmë të punojmë e ndërtojmë veprat tona në kujtim të heronjve dhe dëshmorëve sepse ata na mësuan se si fitohet liria”, shtoi Haziri.

Më pas, Haziri ka pritur në takim artistët e trevave shqiptare, duke i vlerësuar si të jashtëzakonshme vepra e tyre artistike.

Ndërkohë, Drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, tha se është shumë e kënaqur me propozimet e artistëve, të cilat do t’i vlerësojë komisioni profesional.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 mars dhe artdashësit do të kenë mundësinë t’i paraqesin impresionet në librin e mendimeve, në galerinë e qytetit. / KultPlus.com

Ekspozitë e veçantë kushtuar arbëreshëve

Çdo muaj të ri Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ofron për gjithë qytetarët ekspozita të ndryshme, një mënyrë kjo për t’u njohur më tepër me historinë tonë.

Këtë muaj vëmendja shkon për një ekspozitë të veçantë kushtuar arbëreshëve. Këtu janë pasqyruar një sërë dokumentesh dhe fotografish, mes të cilave; letra Francesko Mauro, mbi themelimin e Komitetit Qendror Italo-Shqiptar, Napoli 1911; apeli i Komitetit Shqiptar në Milano, drejtuar presidentit të ShBA-ve lidhur me të drejtat e Shqipërisë e të shqiptarëve, maj 1920; Fragmente historike nga veprimtaria e Komitetit Qendror Politik shqiptar të Napolit, për pavarësinë e Shqipërisë, 1921; skica të grave arbëreshe me kostume kombëtare,1826-1829, e të tjera.

Dokumentet e vendosura në këtë ekspozitë janë një pjesë mjaft e rëndësishme e historisë sonë ndaj Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ju fton t’i shihni nga afër. / KultPlus.com

Piktori Edi Hila ekspozon ‘Princin e liqenit’ në galerinë ‘Mitterrand’ në Francë

Ekspozita personale “Princi i liqenit” i piktorit shqiptar Edi Hila është hapur në galerinë “Mitterrand” në Francë. Në këtë ekspozitë prezantohen vepra nga tre seritë e fundit me piktura që artisti i ka realizuar gjatë viteve 2018-2020.

Edi Hila është cilësuar si një nga figurat kryesore në skenën ballkanike, duke qenë dëshmitar në fillim të viteve ’90 për ndryshimet e thella që ka përjetuar një nga shoqëritë evropiane post-komuniste. Artisti ka refuzuar emigrimin në vendet e stabilizuara ekonomikisht, duke zgjedhur që të jetojë në Tiranë, për të zhvilluar një punë reflektimi mbi natyrën tranzitore të historisë së vendit të tij (kufiri natyror midis Perëndimit dhe Lindjes) dhe mbi pozicionin e pikturës shqiptare në historinë e artit mesdhetar. Në pak më shumë se njëzet vjet, piktura e Edi Hilës ka qenë si një pikë referimi në Evropë. Përdorimi i fotografisë si bazë për punën e tij, subjektet e tij historike të ngjyrosura nga ironia dhe melankolia, piktura e tij e një kursimi të dukshëm, duke përdorur një gamë gjithmonë të kufizuar dhe shpesh monokromatike, e çuan atë në rrethin e mbyllur të piktorëve më të mëdhenj bashkëkohorë. Historiani francez Eric de Chassey nuk heziton të evokojë krahasimin me mjeshtrin belg të pikturës Luc Tuymans. Kjo njohje e fundit për rëndësinë e veprës së Edi Hilës në historinë e pikturës bashkëkohore ka rezultuar në pjesëmarrjen e tij të fundit në “Documenta 14”, pastaj në retrospektivat e tij të njëpasnjëshme në Muzeun e Artit Modern në Varshavë (2018), në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë (2019) dhe në Sesionin e Vjenës (2020).

Titulli i ekspozitës “Princi i Liqenit” është gjithashtu titulli i pikturës së parë të një serie të re të iniciuar në vitin 2020. Motivi i preferuar i artistit, arkitektura është një vektor kuptimi gjatë gjithë veprës së tij. Në të vërtetë, për Edi Hilën, arkitektura është një burim i pashtershëm i njohurive të një shoqërie, vëzhgimi i saj na zbulon historinë e saj politike, kulturën e saj estetike, situatën e saj ekonomike dhe madje një dimension psikologjik. Duke provuar zhgënjimin e një vendi që po kalon rindërtimin, Edi Hila me ironi thekson megalomaninë dhe anakronizmat e arritjeve të fundit arkitektonike të sjella nga kultura e re liberale e vendit të tij.

“Shtëpia në Korçë”, 1945 është një tjetër seri e prodhuar në vitin 2020 në të cilin Edi Hila kujton dhunën e dëbimeve të ushtruar mbi popullsinë e qytetit të Korçës në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto shtëpi të zbrazëta, të braktisura me nxitim, janë dëshmitare të një jete të shkuar. Pikturat në këtë seri i ofrojnë vizitorit një vizion të shkretëtirës dhe fantazmës së këtyre shtëpive. Me trajtimin e tij simbolik dhe abstrakt, Edi Hila shndërron skena të zakonshme të brendshme në një sukses të peizazheve mendore, melankolike dhe medituese.

“Muzeu i Hapur” është një seri pikturash të filluara në vitin 2018 në reagim ndaj valës së sulmeve që Evropa përjetoi midis 2015-ës dhe 2017-ës. Këto vizione shqetësuese rimarrin historinë e civilizimit tonë përmes prizmit të dhunës: Forca të blinduara mesjetare, një dollap plot me armë ose Metroja e Tiranës në flakë. Ndërsa, tema e këtyre punimeve është figurative dhe alegorike, ndërtimi i tyre vizual është shumë i strukturuar, rigoroz dhe pa kompromis, në limit të abstraksionit.

Piktori Edi Hila u lind në vitin 1944 në Shkodër. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare, si Bienalja e Venecias (1999), Muzeu i Artit Modern “Moderna Museet” në Stokolm (1999) dhe Muzeu Ludëig në Budapest (2000), Gjak & Mjaltë, E Ardhmja në Ballkan e kuruar nga Harald Szeeman në Muzeun Essl në Vjenë (2003), Bienalen e Liverpool (2010) apo edhe në Documenta 14 në Athinë (2017). Punimet e tij janë të pranishme në koleksionet e Musée Kombëtar të Artit Modern – Centre Pompidou, në Museun e Artit në Varshavë etj./shqiptarja/ KultPlus.com

Ekspozohen dokumentet origjinale të Musine Kokalarit

Dokumente origjinale që ruhen në Fondin Personal të Musine Kokalarit në Arkivin Qendror Shtetëror, u ekspozuan sot për herë të parë në një hapësirë publike.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zgjedh shënoi kështu Muajin e Kujtesës, duke kujtuar një ndër figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar, gruan e parë shkrimtare të vendit, të burgosur dhe të internuar si rrallë kush nga regjimi komunist.

E pranishme në aktivitet, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “m vjen mirë që muaji i kujtesës i shpallur nga Ministria e Kulturës po krijon rrathë të tillë kaq të rëndësishëm dhe që institucionet e tjera po nxjerrin prej fondeve të tyre gjëra me kaq rëndësi”.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Drejtor i Arkivave theksoi se “Musineja frymëzon shumë, një atdhetare intelektuale qe nuk e ulte kokën përballë asgjëje. Dhe detyra jonë është që figura të tilla t’i sjellim tek qytetarët në këtë formë, sidomos tek të rinjtë në hapësira të tilla. Uroj që kjo ekspozitë me dorëshkrime të vjetra të kthehet në frymëzim”.

Studiuesja Persida Asllani është ndër ato studiuese që ke hedhur shumë dritë mbi jetën dhe veprën e Kokalarit.

“Ajo bëri bashkë shumë studiues dhe institucione disa vite më parë në Bibliotekën Kombëtare. Kënaqësi dhe surprizë që këtë shkurt kur mendonim se nuk do të mund të kishte më asgjë të re për Musinenë, erdhën këto akte të konferencës që u mbajt në Tiranë. Një libër me shumë vlerë…dhe për mua më shumë rëndësi sepse ka qenë një nga projektet që kam pasur më shumë për zemër”, tha Asllani.

E pranishme në këtë event publik në hapësirën e ekspozitave në Kalanë e Tiranës, stërmbesa e Kolarit, Linda Kokalari theksoi se “unë flas përherë me shumë emocion për me të veçantën e familjes sonë dhe është më e spikatura ndaj qëndresës së diktaturës. Por mënyra më e mirë për ta bërë të njohur është futja e figurës së saj në kurrikulat shkollore sepse duhet ta njohin që fëmijë”.

Krahas ekspozimit të dokumenteve origjinale, në Kalanë e Tiranës cilido qytetar do të mund të shohë edhe disa fotografi dhe dokumente të tjera të persekutimi të Kokalarit, ekspozitë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se “Kokalari është një nga figurat emblematike të vendit dhe me vjen mirë që jemi bashkë disa institucione për ta kujtuar përmes kësaj ekspozite në një hapësirë publike”.

Dokumentet origjinale të ekspozuara nga AQSH në Kalanë e Tiranës janë prej atyre shumë personale, pasaporta dhe dëftesa e nxënësit, në dorëshkrime të librit të saj “Jeta ime universitare”, temën e diplomës në La Sapienza mbi Naim Frashërin, dorëshkrim i një studimi për Ali Pashë Tepelenën dhe disa dhjetra këngë, legjenda të mbledhura ndër vite; përralla të shkruara prej vetë Kokalarit e deri në letërkëmbime e shënime të përditshmërisë. / atsh / KultPlus.com

Kaligrafia në gjuhën japoneze, ekspozita e veçantë e Fatbardh Krajës në Shkodër

Pasionin e tij për gjuhen japoneze, pas shumë vitesh studime e përshtati në një sistem të ri shkrimi të cilin e quajti “Manjikana”, duke e bërë më të thjeshtë për në shqiptaret të shkruarin e kësaj gjuhe.

Me shkrimet e tij, Autori Fatbardh Kraja, ka çelur në galerinë e arteve në Shkodër, një ekspozitë të veçantë kaligrafike, me proverbat më të njohura japoneze.

Kjo ekspozitë kaligrafike ka për qëllim t’i ofrojë publikut një dimension kulturor dhe artistik te veçantë dhe t’i përçojë mesazhe nga mençuria mijëra vjeçare e një populli përmes shprehjeve të urta, tingujve dhe performancës kaligrafike./tch/ KultPlus.com

“Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar”, ekspozita e rrallë dokumentare dhe fotografike në Tiranë

Përmes një ekspozite të rrallë dokumentare dhe fotografike, është shënuar në Tiranë 13- vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Një ngjarje me rëndësi për Kosovën si shtet i pavarur e që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, zgjodhën ta kujtojë në Kalanë e Tiranës, këtë ditë historike për shtetin e dytë shqiptar në Europë.

Bedri Zyberaj, kryeshef i Arkivave të Kosovës theksoi rëndësinë e një tubimi të tillë, i cili një vit më parë u mbajt në Prishtinë.

“Kjo është data më e rëndësishme e historisë së re të shqiptarëve. Arkivat janë institucionet që kujdesen dhe ruajnë kujtesën dhe trashëgiminë e çdo kombi. Dhe për fat të mirë edhe arkivat tona janë kujdesur dhe ruajnë përmes instrumenteve bashkëkohore. E përpiqen që përmes këtyre ekspozitave, t’i sjellin ato tek shqiptarët”.

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani tha se “dokumentet e kësaj ekspozite tregojnë rëndësinë dhe pranië e Kosovës prej vitit 1912 e më pas në Shqipëri dhe ndjehem mirë që ato ekspozohen në këtë 13 – vjetor të pavarësisë”.

Elsa Saka, Drejtore e Komunikimit në DPA, tha se “ne synojmë që kjo ekspozitë të jetë shëtitëse dhe çdo 17 shkurt të çelet në një qytet tjetër të Shqipërisë pas Prishtinës dhe Tiranës”.

Klodiana Toptani, administratore e Kalasë tha se “për ne, Dita e Pavarësisë së Kosovës ka rëndësi të madhe ndaj edhe e festojmë sot në Kala, ku valvitet edhe flamuri i shtetit të Kosovës”.

Materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912, në të janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komunitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që ruhen në dy arkivat shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë. /atsh/ KultPlus.com

Dita e minierës së Bulqizës, ekspozitë me punimet e nxënësve

 Në bashkinë e Bulqizës është hapur një ekspozitë pikture nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare me rastin e 18 Shkurtit, ditës së minierës së Bulqizës.

Punimet në pikturë, vizatimet me laps, akuarel, pastel dhe kompozimet shpalosin punë e minatorëve në minierës, ku bie në sy gjinia e portretit, kompozimit, apo minierës dhe vagonëve të kromit.

Bashkia e Bulqizës falënderon nxënësve të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kësaj bashkie që morën pjesë në ekspozitën e pikturës “Miniera në penelin e një nxënësi“.

Talente të mrekullueshme u përfaqësuan në ekspozitë nga shkollat pjesëmarrëse, konkretisht shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Doda” Bulqizë, shkolla 9-vjeçare “Shefqet Tançi”  Bulqizë, Gjimnazi “Arbëria” Bulqizë, shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Daçi” Shupenzë dhe shkolla e Mesme e Bashkuar “Asllan Keta” Fushë-Bulqizë.

Kjo ekspozitë u organizua nga bashkia Bulqizë me rastin e 18 Shkurtit, ditës së minierës së Bulqizës. Tre punimet më të mira të kësaj ekspozite do të vlerësohen me çmime simbolike të cilat do të ndahen nesër./atsh/ KultPlus.com

Hapet ekspozita e fotografisë “Kujtesa e Kosovës rambouillet” e reporterit Asllan Krasniqi

Në kuadër të 13-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të martën është hapur ekspozita e fotografisë “Kujtesa e Kosovës rambouillet” e reporterit Asllan Krasniqi, fotografi të cilat rrëfejnë momente nga konferenca e Rambujesë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, tha se fotografitë e Asllan Krasniqit paraqesin ngjarjet më të dhimbshme të historisë së Kosovës. Teksa shtoi se është nder që fotografitë e sotme po ekspozohen për të parën herë në Bibliotekën Kombëtare.

“Këto janë fotografi që nuk janë parë asnjëherë, dhe janë fotografi që sjellin ngjarjen e Rambujesë, një dokumentim i historisë së Kosovës. Të gjitha ngjarjet e gëzueshme dhe të dhimbshme të Kosovës, autori Asllan Krasniqi i ka dokumentuar përmes fotografisë. Jemi të nderuar që kjo ekspozitë është hapur në bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, tha ai.

Zëvendësministri në detyrë i MKRS-së, Engelbert Zefaj, tha se kjo ekspozitë rrëfen rrugën në të cilën u desh të kalojë Kosova deri në shpalljen e pavarësisë

“Kur i shohim këto fotografi, kthehemi prapa dhe shohim rrugën përmes së cilës erdhëm deri në pavarësinë e Kosovës. Kjo ekspozitë tregon momente tepër të rëndësishme dhe tregon se çfarë ka ndodhur në Konferencën e Ramubjesë”, u shpreh ai, raporton KP, transmeton Klan Kosova.

Me këtë rast, autori i fotografive Asllan Krasniqi tha se ndjehet krenar që ka pasur rastin të bëjë këto fotografi, të cilat i ekspozoi me rastin e 13-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

“Ndihem krenar që jam në mesin tuaj. Ndihem krenar që kam pasur fatin të takoj këto personalitete. Falënderoj Bibliotekën Kombëtare për ftesën dhe për

I pranishëm në këtë event ishte edhe regjisori Dibran Fylli, i cili në një fjalë rasti tha se autori Asllan Krasniqi ka mbi 1 milion fotografi, përmes së cilës rrëfen gëzim e dhimbje. / KultPlus.com

“Synime”, ekspozita që shpalos kontributin e grave në fushën e artit pamor

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të arteve është hapur ekspozita më e re e titulluar “Synime”.

Kjo ekspozitë që vjen pas një kohe të gjatë shkëputje, ka për qëllim që të nxjerri në pah kontributin e grave shqiptare që kanë dhënë pikërisht në artin figurativ.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë një numër i konsiderueshëm i artisteve që vijnë nga të gjitha trevat shqiptare të cilat gjithashtu përfaqësojnë breza të ndryshëm të artisteve gra. Përveç veprave bashkëkohore në këtë ekspozitë vijnë edhe vepra të cilat kanë qenë të mbuluara nga pluhuri i harresës.

Adela Demetja e cila është edhe kuratore e kësaj ekspozite shprehet se “në këtë ekspozitë për herë të parë vijnë rreth 40 vepra të artisteve gra në fushën e artit, në Shqipëri, Kosovë por edhe diasporë dhe një mbledhje e tillë e materialeve nuk është bërë kurrë deri më sot. Në këtë ekspozitë janë vepra nga të gjitha gjeneratat e artisteve gra, duke nisur që nga artistet e para të njohura në artin figurativ si Androniqi dhe Sofia Zenko në Shqipëri dhe Alie Vokshi në Kosovë dhe deri tek artiste të ditëve të sotme”.

Tematikat e sjella në këtë ekspozitë janë të ndryshme duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore dhe deri më sot, por ajo çka të bie në sy së tepërmi është faktori dominues në mentalitetin shqiptar, patriarkalizmi.

Vepra të tjera në këtë ekspozitë janë të emrave të njohur si Lumturie Blloshmi, Violeta Xhaferri, Lirie Buliqi, Merita Selimi, Diana Miziri, por kemi edhe artiste të reja të cilat përfaqësohen me krijimet e tyre si Bora Baboci, Flaka Haliti etj. Që në ditët e para të hapjes, kjo ekspozitë ka pasur mjaftë interes nga publiku dhe menjëherë sapo të përfundojë edhe koha e ekspozimit në Tiranë ajo do të shkoj për tu ekspozuar në Kosovë. / atsh / KultPlus.com

Yllka Leti në hapjen e ekspozitës së saj: Tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj

Jeta Zymberi
Fotografitë: Nok Selmani

Është e jashtëzakonshme kur zemrat humane bëhen bashkë për një kauzë të veçantë. I jashtëzakonshëm është edhe arti i Yllka Letit, vajzës 14 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike e që përmes artit të saj ajo siguron terapinë mujore që i kushton hiq më pas se deri në 1700 euro në muaj, shkruan KultPlus.

“Kjo ekspozitë nuk është e zakonshme, kjo ekspozitë është e jashtëzakonshme”, shpalosi mbi 10 punime të Yllka Letit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery duke bërë bashkë kështu shumë artdashës, politikanë e artistë.

Që situata e 215 fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje të përmirësohet, që zëri i tyre të dëgjohet e kërkesat të ju plotësohen, Yllka sonte u bë zëri i shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë nga e njëjta sëmundje.

Në hapje të ekspozitës, moderatori Arbër Selmani u shpreh se ekspozita vjen si një nismë për të ju dal në ndihmë të gjithë fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje.

Tutje fjalën e mori nikoqirja e kësaj mbrëmje, Ardianë Pajaziti e cila tha se kjo ekspozitë duhet të shërbejë si nismë drejt një kauze më të madhe.

“Yllka Leti është një vajzë e re e cila detyrohet që përmes artit të saj të sigurojë barnat të cilat janë shumë të kushtueshme. Urojmë që institucionet e vendit t’i dalin në ndihmë Yllkës dhe gjithë fëmijëve të tjerë dhe Yllka pikturën ta ketë pasion e jo detyrë sepse kjo njëherit është edhe shkelje e të drejtave të fëmijëve”, theksoi Pajaziti.

Prezenca e Yllka Letit po i jepte kësaj mbrëmje hijeshi të shtuar. Por kur ajo mori fjalën, emocionoj të gjithë.

“I vetmi moment kur unë Yllka Leti ndjehem gjallë është kur unë jam duke pikturuar. Pra, tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj”, ishin fjalët hyrëse të Yllkës për të vazhduar tutje të na njoftoj me atë që ajo ballafaqohet çdo ditë.

“Që kur kemi lindur vuajmë nga kjo sëmundje e rëndë, e ngarkuar me barna, trajtim të shtrenjtë, terapi të përditshme. Prindërit tanë vërtetë po luftojnë duke kërkuar barna në çdo vend të botës e nga njerëz të panjohur. Njerëzit tanë mbetën duke na premtuar. Vendi jonë nuk po përmirësohet, zëri jonë nuk po dëgjohet, kërkesat tona nuk po plotësohen”, u shpreh Yllka.

Yllka Leti

Krejt për fund ajo kishte një lutje për të gjithë e në veçanti për institucionet e vendit: “Ju lutem që të na ndihmoni, dua të ndjehem e gjallë edhe kur nuk pikturoj, Dua të pikturoj me dëshirë , me dashuri, e jo që të mbijetoj. Zgjedhje shumë e zgjidhje hiq!”, theksoi artistja e re.

Për të futë barnat e saj në listën e barnave esenciale ka pas disa herë negociata dhe premtime nga politikanët dhe udhëheqësit nëpër vite, por një gjë e tillë nuk është realizuar deri tani.

Në këtë ngjarje ishin ftuar edhe krerët e partive të Kosovës, që të jenë të pranishëm dhe të shohin për së afërmi ballafaqimin e kësaj vajze, e cila në vend se të krijonte për pasion, ajo detyrohet të krijojë e të shes pikturat për sigurimin e terapisë së saj.

Por të pranishëm ishin vetëm dy prej tyre. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili ishte i shoqëruar edhe nga ish ministri i Ministrisë së Shëndetësisë Arben Vitija, dhe ish ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili e që me prezencën e tyre sikur i dhanë një siguri më tepër Yllkës që dora e shtetit do të shtrihej mbi këta fëmijë.

Në një fjalë rasti, Albin Kurti u shpreh se ndihet me përgjegjësi të dyfishtë, që jo vetëm të nxjerr vendin nga pandemia, por njëkohësisht edhet këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti.

“Jam shumë i nderuar dhe i gëzuar që po marr pjesë në këtë ekspozitë në Galerinë Kult Plus ku po ekspozohen punimet e një artisteje të re, shumë produktive e cila këto punime i ka realizuar gjatë kohës së pandemisë Covid-19, që na ka pllakosur të gjithë neve, ndërkohë që kjo ka edhe një sëmundje shumë më të rëndë se kjo tjetra që e ndan me neve, ajo e Fibrozës Cistike. Ne jemi edhe të privilegjuar që e kemi Yllkën dhe po i shohim punimet e saj, por njëkohësisht edhe me përgjithësi të dyfishtë që jo vetëm ta nxjerrim vendin tonë nga kjo pandemi, por njëkohësisht edhe këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti”, ka thënë Kurti duke u zotuar që do të bëjnë një rikthim që barnat e nevojshme për Fibrozën Cistike të jenë në listën e barnave esenciale.

Ndërsa ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i cili pati punuar që këto barna të hyjnë në listë, u shpreh se do të vazhdojë të punojë që të ketë një reagim sa më të shpejt nga institucionet përkatëse.

“Kjo ekspozitë është një ide e jashtëzakonshme sepse është një platformë që e rritë edhe nevojën te të gjithë fëmijët që janë me sëmundje të rralla. Nëpërmjet Yllkës ne e kuptojmë një realitet që gjendet në shumë familje dhe në këtë rast një gjë e tillë është mëse e mirëseardhur, por në anën tjetër nuk duhet të harrojmë edhe obligimin që shteti  ka ndaj tyre”, u shpreh Ismaili duke uruar që të ketë një reagim më të shpejtë nga gjithë institucionet përkatëse në këtë rast.

“Shpresoj që do të gjejmë një vullnet pak më të madh politik dhe të realizojmë, ne kemi bërë një punë dy vjeçare deri në përpilimin e asaj liste.”

Krejt për fund, të pranishmit përveç që i shijuan pikturat, shumica nga ta vendosën të marrin një copë “Yllkë” me vete. Një ndihmë e vogël ndoshta për Yllkën por një zemër e madhe që do të thotë shumë.

Kujtojmë që ekspozita shitëse e Yllka Letit do të qëndrojë e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery dhe të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur çdo ditë nga ora 8:00 – 21:00.
Kjo mbrëmje u organizuar edhe me mbështetjen e “Stone Castle” dhe “Fluidi”. / KultPlus.com

Ekspozitë për Gjergj Fishtën nesër në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës do t’i hapë dyert nesër për një ekspozitë krejtësisht të veçantë, shkruan KultPlus.

“Për Atmé e fé Gjergj Fishta” quhet ekspozita e cila do të shpalos libra e artikuj që gjenden në koleksionet e BKK-së dhe dorëshkrime të papublikuara deri më tani për Gjergj Fishtën.

Ekspozita hapet më datë 30 dhjetor, në ora 11:00 dhe do të mbyllet më 11 janar 2021.

Veprimtaria do të mbahet duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19. / KultPlus.com

AAVK do të hap ekspozitën vjetore në Muzeun Kombëtar

Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës do të hap ekspozitën vjetore këtë të enjte të Muzeun Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila do të hapet me fillim nga ora 12:00 shpërfaq vepra nga fusha e pikturës, skulpturës, grafikës, dizajnit grafik, fotografisë artistike dhe vizatimit  duke filluar nga fryma e introduktit real, ekspresiv, surreal, abstrakt, e deri te trendët më aktuale të artit konceptual. 

Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës është organizatë joqeveritare, joprofitabile dhe profesionale, në të cilën në bazë vullnetare, janë bashkuar shoqatat regjionale të artit vizual të Republikës së Kosovës./ KutPlus.com