Sot hapet ekspozita “Hijet e Bardha”

“Hijet e Bardha” këtë vit sjellë vepra nga artistë ndërkombëtarë të koleksionit të Galerisë Qahili.

Artistët që do e hijeshojnë hapësirën e galerisë janë: janë Costin Brateanu, Maria Balea, Piero Conestabo, Ümit İnatçı, Senih Çavuşoğlu, Joyce M Conlon, Elizabeth Marran, Suzanne Kiraly Moss, Plamenko Cengic, Bernhard Hollemann, Liz Bayerlein dhe Sunay Senturk.

Ekspozita e cila është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, hapët sot në ora 16:30 në Galerinë Qahili. / KultPlus.com

“Kashta e Kumtrit” e Artan Hajrullahut, një ekspozitë mes tradicionales dhe erotikes shqiptare

Medina Pasoma

Përderisa arti në Kosovë shpesh bie ‘pre’ e mentalitetit dhe nuk arrin të jetë fushë tërësisht e lirë shprehëse, disa nga artistët po vazhdojnë t’i sfidojnë këto ‘stagnime’ nëpërmjet krijimtarisë së tyre. I tillë është edhe Artan Hajrullahu, i cili nëpërmjet ekspozitës së tij “Kashta e Kumtrit” në Paper Gallery shfaq dimensione të cilat mbesin nën pluhurin e mbulimeve moralistike, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet pikturave të tij në kartone të vogla, artisti Hajrullahu depërton thellë në shoqërinë shqiptare, veçse duke e sjellur atë me një pamje krejtësisht ndryshe. Përderisa vet krijimi i familjes kalon nëpër procese intime, përbrenda mentalitetit vazhdojnë të ekzistojnë gjykime se nuk duhet të flitet e paraqitet publikisht këto relacione. Mirëpo, Artan Hajrullahu e ka bërë të kundërtën, duke e përdorur artin për të sjellur natyrshmërinë e jetës njerëzore në kombinim me seksualen, të cilën ia sjelli syve të publikut që nga 4 dhjetori në Paper Gallery të Gazmend Ejupit.

Për të marrë më shumë detaje për qëllimin dhe mesazhet e kësaj ekspozite, KultPlus ka realizuar një intervistë me kordinatoren e kësaj Galerie, Rina Statovci.

Për ekspozitën, kurimin e së cilës e kryen Galeria, Rina shprehet se bashkëpunimi me artistin ka qenë tejet i lehtë.

“Gjithë procesi i kurimit të pikturave nuk ka qenë aspak i vështirë dhe me Artanin e kemi një bashkëpunim tejet të mirë. Koncepti e titulli që e kemi vendosur ka ardhur si fryt i këtij bashkëpunimi”, thekson Statovci.

Kordinatorja e Galerisë Paper ekspozitën “Kashta e Kumtrit” përtej si thirrje artistike, e sheh edhe si një ndërlidhje me aktualitetin global.

“Diçka që na ka munguar tepër shumë këtë vit ka qenë intimiteti, prekja e përqafimi me njerëz. Këto piktura shfaqin këtë ndjenjë sepse për shkak të Covidit është pak më e vështirë ti realizojmë këto ndjenja”, thotë ajo.

Në pikturat e varura në muret e Paper Gallery shohim protagonistë tërësisht të zhveshur, të cilët përveç që janë lakuriq fizikisht, kanë edhe lakuriqësi ndaj tabuve shoqërore, duke ardhur si një natyrshmëri artistike e realitetit shqiptar.

“Në disa prej pikturave e sheh një shporet, një grua dhe e ke një burrë të zhveshur. Janë dy pjesë që nuk i kanë menduar se do të lidheshin sidomos në botën e artit në Kosovë”, thotë Statovci.

Ndërlidhjen e nostalgjisë shqiptare me erotizëm ajo e vlerëson si të veçantë, e që sipas saj janë dy tema që nuk përputhen edhe aq shumë në Kosovë. Në anën tjetër, edhe titulli i ekspozitës është tërheqës dhe ka një simbolikë përbrenda saj.

“Këto piktura ta dhurojnë një ndjesi shpirtnore kur i sheh dhe lidhet me temën tradicionale shqiptare, andaj kemi vendosur ta gjejmë një fjalë të vjetër shqiptare që mundet me iu përshtat kësaj ekspozite”, sqaron Rina Statovci.

Tutje ajo thotë se emërtimi në gjuhën angleze e kësaj ekspozitë është “Millky Way” apo “Rruga e Qumështit”, mirëpo mishërimi me traditën shqiptare bëri që këto vepra të kenë vetëm titullin autentik shqip.

 “Kashtra e Kumtrit” me definicion është “Milky Way” dhe për shkak që pikturat janë të vogla dhe galeria është hapësirë pak më e madhe, atëherë këto konsiderohen si yje që i shohim nga Rruga e Qumështit. Kjo ka qenë ideja pse e kemi lënë këtë titull, për shkak se ashtu siç janë yjet të ndritura ashtu edhe i vlerësojmë pikturat e Artanit”, tha Statovci.

Rina e çmon mënyrën e shprehjes artistike të Artan Hajrullahut, për të cilin thotë se arrin të pikturoj në kartone aq të vogla, saqë nuk praktikohet i njëjti stil nga ndonjë artist tjetër në Kosovë.

Ekspozita e cila ishte 18+ pavarësisht mentalitetit të shoqërisë kosovare, u prit tejet mirë nga publiku dhe këtë Statovci e sheh si një shpresë për edukimin e mëtutjeshëm nëpërmjet artit.

“Ne duhet ta edukojmë shoqërinë më shumë përmes artit, të vijnë ta shohin ekspozitën, ta lexojnë konceptin, të dëgjojnë rrëfimin e autorit. Nëpërmjet këtyre ne arrijmë që dalëngadalë të largohet kjo tabu në Kosovë, sidomos që po përfshihen dy tema që nuk ndërlidhen shumë me njëra tjetrën dhe janë të çuditshme, tradicionalja shqiptare me seksin”, thotë kordinatorja e Galerisë Paper.

Në anën tjetër një kombinim tjetër ndërmjet ekspozitës dhe Galerisë erdhi nëpërmjet emrit që ka ky institucion kulturor, “Paper” si dhe përdorimit të letrës nga ana e Artan Hajrullahut për të shprehur pikëpamjet artistike.

“Është përshtatur Paper Gallery me mënyrën e pikturimit “laps në letër” të artistit. Kjo ka qenë diçka që e ka bërë edhe më të veçantë dhe ka sjell më shumë vlerë për neve si galeri”, theksoi Rina.

“Kashta e Kumtrit” do të jetë e hapur për syrin e publikut deri më 4 shkurt, ndërkaq

Paper Gallery do të vazhdoj të hap dyert edhe për ekspozita e instalacione tjera artistike si dhe me performancat e artistëve. / KultPlus.com

Historiku 100 vjeçar i Tiranës përmes 150 fotografive

Në kuadër të aktiviteteve “Tirana 100 vjet kryeqytet” u hapë një tjetër ekspozitë në sheshin “Skënderbej”.

Ekspozita e hapur sot pasqyron kryeqytetin në disa aspekte ku ajo që spikat më shumë në këto foto është që Tirana ka qenë një vend gjithmonë social dhe mikpritës.

Rreth 150 fotografi të ekspozuara tregojnë historikun 100-vjeçar të Tiranës sa i përket ndërtesave, zhvillimit urbanistik, veshjeve, traditave, artizanatit dhe ngjarje të rëndësishme historike.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi.

“Ky aktivitet është në vazhdën e të gjithë aktiviteteve që janë bërë. Do të doja të falënderoja të gjithë ata persona që ndihmuan në realizimin e kësaj ekspozite në të gjitha komponentët e saj. Ne vërtetë festojmë 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, por historia e këtij qyteti është shumë më e hershëm dhe e trashëguar brez pas brezi. Këto janë foto të mbledhura me shumë kujdes, por ajo që të bie më shumë në sy është një Tiranë sociale dhe historia ka treguar që ne jemi një qytet mikpritës”, tha Seferi.

Kjo ekspozitë u çel me ndihmën e fondacionit “ALSAR” dhe mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Ekspozita do qëndrojë e hapur nga data 11-13 dhjetor nga ora 10:00 deri në 16:00  për artdashësit kryeqytetas në sheshin “Skënderbej” dhe më pas do vendoset në të gjitha qendrat kryesore shqiptare dhe shqipfolëse. /atsh/ KultPlus.com

Nga Italia në vendlindje: Një ekspozitë për artëdashësit shqiptarë

Piktori dhe karikaturisti shqiptar Agim Sulaj jeton në Itali dhe numëron dhjetëra çmime ndërkombëtare. Në vijim të traditës së krijuar katër vitet e fundit edhe këtë vit do të realizojë një ekspozitë personale në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë.

Ekspozita do të çelet në fund të javës që vjen.

“Është një ekspozite personale në vijim të tradites qe kam krijuar këto katër vitet e fundit në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë. Një takim i përvitshëm me artëdashësit shqiptarë, miq dhe kolegë”, tregon piktori Agim Sulaj.

Ai tregon gjithashtu se situata nuk është e lehtë për shkak të pandemisë, por gjithsesi vendosi të mos e ndërpresë këtë traditë të nisur prej katër vitesh.

“Këtë vit situata është vështirësuar për shkak të pandemisë, por pasi e mendova gjatë vendosa ta bëj, pasi mendoj se jeta artistike duhet të vazhdojë. Një dhuratë për publikun e artdashësit shqiptarë. Tani ka nevojë për art i cili ju zbukuron jetën njerëzve.”

Në këtë ekspozitë do të jenë rreth 24 punime me tematika të ndryshme në pikturë. Tablo historike dhe peisazhe nga Italia dhe Shqipëria.

“Mbresa nga fëmijëria dhe bregdetin e bukur të qytetit të Vlorës ku u rrita. Gjithashtu do të kenë një tablo dedikuar COVID, një homazh mjekëve e infermierëve për ditët e vështira që po jetojmë.

“Në fakt titullin kjo ekspozitë e merr nga një tablo e një infermieri që shtrëngon në gjoks një të moshuar me COVID. Më frymëzoi një foto e publikuar këto ditë në “Washington Post” dhe e bëra tablo”, shprehet piktori Agim Sulaj. /dp/ KultPlus.com

Ekspozita e Gazmend Lekës në FAB, reflektim për jetën

Në këto ditë të vështira që po kalon bota për shkak të pandemisë, artisti Gazmend Leka ka çelur ekspozitën “NOE” e cila vjen për publikun në këto momente delikate si shkëputje ndaj realitetit drejt artit.

Në ambientet e galerisë FAB pranë Universitetit të Arteve, kjo ekspozitë vjen për publikun si pjesë e trilogjisë pasi më parë janë hapur nga artisti edhe dy ekspozita te tjera me titujt “ Lutja” dhe “ Dhoma e Hapave të Humbur”.

Kjo ishte edhe vetë ideja e artistit, që kjo ekspozitë të mbyllte ciklin e trilogjisë ku të 24 veprat e paraqitura këtë herë për publikun kishin në fokus aleancën e prishur tashmë mes njerëzve dhe krijuesit hyjnor.

Vetë artisti shprehet se kjo ekspozitë gjithashtu bërtet me zë të lartë dhe i bënë jehonë dramave të shqiptarëve dhe pse jo edhe qytetarëve të gjithë globit të cilët së fundmi kanë përjetuar shumë mallkime. Ai shprehet gjithashtu se të gjithë ne në mënyrën tonë duhet të reflektojmë dhe të veprojmë sa nuk është vonë.

Vetëm duke u kthyer tek krijuesi dhe vlerave njerëzore të cilat gjithsecili nga ne ka, atëherë do të kemi mundësinë të rifillojmë nga e para dhe të respektojmë mbi të gjitha hapësirën e çdo specie që meriton vendin e vet në këtë botë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 nëntor në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve. /atsh/ KultPlus.com

40 figurat e Pavarësisë së Shqipërisë do të shfaqen artistikisht nëpërmjet një ekspozite

Në vigjilje të Pavarësisë së Shqipërisë, Muzeu Historik Kombëtar ka vendosur t’i nderoj figurat e këtij akti nëpërmjet një ekspozite, shkruan KultPlus.

Nesër më 27 nëntor duke filluar nga ora 11:00, dyert e Muzeut Historik Kombëtar do të hapen për sytë e audiencës.

40 portrete të nënshkruesve të Pavarësisë do të shfaqen nëpërmjet artit të piktorit Arben Morina nën titullin “Etërit e Pavarësisë”.

Poashtu do të shfaqen edhe artifakte të Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo ekspozitë do të jetë një vlerësim artistik i punës së këtyre figurave të shquara shqipe. / KultPlus.com

Me rastin e 28 Nëntorit, hapet ekspozita me dokumentet e rralla

Me rastin e 28 Nëntorit, është hapur në Prishtinë ekspozita me titull “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë” nga bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Ekspozita u inagurua në lapidariumin e Muzeut të Kosovës, dhe morën pjesë drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, studentë e studiues.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido, në fjalimin e tij tha se kjo ekspozitë është dëshmi e integrimeve mes institucioneve të të dy vendeve.

“Kjo ekspozitë, por edhe bashkëpunimet e tjera janë dëshmi e funksionimit dhe frymimit të institucioneve tona në një, andaj bashkëpunimet ndër institucionale duhet të integrohen në maksimumin e mundshëm”, tha Bido.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës Bedri Zyberaj, u shpreh se muaji nëntor si asnjë muaj tjetër përmbledhë data të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

“Gjatë këtij muaji filluan epokat të rëndësishme për kombin, sikurse, triumfi i Skënderbeut, që ne e njohim si Nëntori i Parë, pastaj shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Nëntori i Dytë, mbajtja e Kongresit të Manastirit, dalja publike e UÇK-së. Prandaj e kemi parë të udhës që ekspozitën ta emërojmë, ‘Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë’, duke shënuar kështu edhe 28 Nëntorin”, u shpreh Zyberaj.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur disa dokumente që nga fillesat e kryengritjeve antiosmane para shpalljes së Pavarësisë më 1912.

Ekspozita përmban njoftime të shpalljeve të Pavarësive të disa qyteteve të Shqipërisë, një histori të shkurtër për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin po ashtu dhe imazhe të firmëtarëve të Pavarësisë.

Janë përfshirë në ekspozitë po ashtu edhe fotografi të festimeve që ndodhën pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe aktivitetet të cilat janë zhvilluar që pas vitit 1937 e më tej.

Të gjithë të interesuarit do të kenë mundësi që të vizitojnë këtë ekspozitë deri më 28 nëntor./atsh/ KultPlus.com

BKK shënon 76 vjetorin e themelimit me ceremoninë festive ‘Dita e Bibliotekës’

Me rastin e 76-vjetorit të themelimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon ceremoninë festive ‘Dita e Bibliotekës’, shkruan KultPlus.

Fjalën hapëse do ta bëjë drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ndërsa një fjalë rasti ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Ndër të tjera do të flasin edhe Naser Sahiti – Rektor i Universitetit Prishtinës “Hasan Prishtina” si edhe Osman Gashi – Kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe një fjalë online do ta mbajë Mark Dahl – Drejtor i Bibliotekës Watzek në Kolegjin Luis dhe Clark në Portland të Oregonit të ShBA-së.

Gjatë kësaj ditë do të bëhet edhe shpërndarja e mirënjohjeve me rastin e 76-të vjetorit të BKK-së.

Gjithashtu në ora 12:40 do të bëhet hapja e ekspozitës “Anton Çetta: 100 Vjetori i lindjes” si dhe ekspozita e fotografisë: “Anton Çetta: 30-Vjetori i pajtimit të gjaqeve”.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 25 nëntor 2020 në orën 12:00.​ / KultPlus.com

Daklea Boja piktorja me nevoja të veçanta sfidon me artin e saj, hap ekspozitën e parë

Këto ditë në ambientet e kalasë së Tiranës është hapur ekspozita e një vajze të re me emrin Daklea Boja. Pasioni për pikturën bën që Daklea të sfidojë mjaft probleme me të cilat e ka përballur jeta.

Pikturat e para, Daklea i nisi në moshën 10-vjeçare, kështu që tashmë 20 vjeç ajo ka një koleksion të pasur për t’i ekspozuar dhe për t’u treguar të gjithëve se çfarë fuqie ka pasioni.

Pranë vetes, piktorja e talentuar e cila vuan nga epilepsia, ka pasur gjithnjë njerëz që kanë besuar tek ajo. Punonjësja socjale Anjeza Kolami tregon se Daklea është një fëmijë me nevoja të veçanta, e diagnostikuar në moshën pesëvjecare me epilepsi dhe si rezultat i kësaj sëmundje ajo e ka të dëmtuar shikimin dhe dëgjimin në masën 50 për qind. Nuk do të mjaftonte vetëm me kaq por para 8 muajsh ajo është diagnostikuar edhe me kancerin e gjirit.

Daklea arrin të gjejë dëshirën dhe pasionin për jetën vetëm nëpërmjet pikturës, të cilën e vlerëson si një mënyrë të veçantë për të komunikuar me botën. Ajo nëpërmjet artit të saj dhe ekspozitës që ka hapur këto ditë ka për qëllim të godasë e të pastrojë pluhurin e shpirtit të trazuar.

Daklea më tepër arrin të gjejë frymëzim tek portretet, peizazhet të cilat bien edhe më tepër në sy në këtë ekspozitë.

Sociologia Anjeza Kolami shprehet gjithashtu se “ne duhet të jemi shumë mbështetës dhe inkurajues për të gjithë artistët në përgjithësi dhe specifikisht për këta fëmijë me nevoja të veçanta që kanë kaq shume nevojë për suport dhe për mbështetje”. Ajo thotë se ata kanë nevojë për një dorë që t’i tregojë atë rrugëtimin e gjatë që i pret, por duhet t’i inkurajojmë për t’i treguar asaj që ajo ka vlera dhe ajo ka vërtet vlera artistike të paçmueshme.

Si çdo artist që sapo ka nisur rrugëtimin e tij të gjatë drejt artit edhe Daklea aspiron që një ditë të ketë një ambient të përshtatshëm ku ajo të mund të realizoj pikturat të cilat janë burimi i frymëzimit të saj.

“Kam afërsisht 10 vite, që nga mosha 11 vjeë dhe deri tani. Kam talent le të themi por e kam edhe për pasion. Dua të flas për gjendjen shpirtërore nëpërmjet një peme apo luleje të cilat janë kaq të brishta dhe të bukura, të cilat kanë një gjendje kaq të butë edhe brenda në karakter dhe kjo del në pah edhe nga teknika me të cilën unë punoj. Për mua kjo është ekspozita e parë që kam hapur me punët e mia. Po ashtu kemi lule, portrete dhe unë kam shumë deshirë që të hap edhe një atelie timen dhe të mësoj edhe fëmijë të tjerë të vegjël që të vizatojnë”, shprehet vetë Daklea./atsh/ KultPlus.com

Dyer dhe dritare antike të Prizrenit u shfaqën në instalacionin artistik të Valtida Shukriut

Qytetin antik të Prizrenit së fundmi e ka zbukuruar instalacioni artistik në hapësirë publike ‘’T’pres n’derë-dritare’’ nga Valtida Shukriu, shkruan KultPlus.

Shukriu e cila vie nga një familje e Prizrenit, përtej studimeve të saj për drejtësi, merret aktivisht edhe me krijimtari. Rrugëtimi i saj me artin kishte nisur në vitin 2017, e cila nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë krijimin e profilit për dyert dhe dritaret e shtëpive të vjetra të Prizrenit.

Tanimë, kjo vlerë e trashëgimisë kulturore ka ardhur në formën e një instalacioni artistik në shëtitoren e lumit Lumbardh në Shadërvan të Prizrenit.

‘’T’Pres N’Derë-Dritare’’ përfshinë 8 dyer dhe 4 dritare që kryesisht i përkasin stilit otoman, nga shekulli XIX. Ndërsa përbrenda këtij instalacioni për të shikuar fotografitë e prezentuara të dyerve dhe dritareve ekzistuese është hyrë përmes dyerve të vjetra, që vizitorët të mësohen se si hapet dera e Prizrenit dhe të dilet nga po ajo derë.

Ky instalacion artistik vazhdon ende të jetë i ekspozuar në qytetin e bukur e antik, teksa prezantimi i 415 fotografi të dyerve, dritareve dhe aksesorëve të këtyre objekteve nga qyteti i Prizrenit është duke u bërë në profilin: https://www.facebook.com/prizrendoorsandwindows/ ./ KultPlus.com

Thesaret e Bibliotekës Kombëtare ekspozohen në COD

Biblioteka Kombëtare në kuadrin e 100-vjetorit të krijimit të saj hapi në COD pranë ambienteve të Kryeministrisë një ekspozitë shumë të rrallë të pasurisë që disponon. Këto vepra janë një pjesë e trashëgimisë Kombëtare dhe jo vetëm e bibliotekës.

Mbi 80 për qind e këtyre materialeve shfaqen për herë të parë tek publiku, sepse janë thesare që datojnë që nga periudha e antikitetit Grek, Bizanti, Orienti, Venecia etj.

Janë rreth 800 libra dhe dorëshkrime që ekspozohen. Gjithashtu shumë materiale datojnë edhe nga periudha e viteve 1400 deri 1800 dhe klasifikohen si Antikuare pasi këto libra dhe vizatimet që janë kunabula, janë rezultat i një pune të bërë me dorë.

Të ekspozuara gjithashtu janë si materiale nga Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, historia që nga periudha e Skënderbeut etj. Është e pamundur të veçosh tituj në këtë ekspozitë pasi bëhet fjalë për një pasuri të jashtëzakonshme të materialeve edhe botërore që tashmë janë pjesë e pronës jo vetëm të bibliotekës kombëtare, por e të gjithë shqiptarëve.

Ekspozita nuk pritet që në një kohë të afërt të ketë një shfaqje të dytë, duke e kthyer në rast të rrallë për ta vizituar.

Për shkak të vëmendjes së madhe që ka marrë kjo ekspozitë, është vendosur të shtyhet edhe disa ditë më tepër, pra deri në datë 11 nëntor, që te ketë mundësi të vizitohet, përfshirë këtu edhe fundjavën.

Drejtuesit e ekspozitës shprehen se megjithëse janë marrë masat antiCovid, janë të vetëdijshëm që ekspozitën nuk do të mundet ta vizitojnë të gjithë të interesuarit. Ndaj, ekspozita do të xhirohet në formatin 3D që të mund të shihet edhe në faqen e COD.

Pirro Misha që është edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare e vlerëson shumë këtë ekspozitë. Ai shprehet se Biblioteka Kombëtare kërkon investime sepse mungojnë kushtet të cilat janë të rëndësishme për të ruajtur pasurinë që ky institucion disponon.

Ai vlerëson gjithashtu edhe punën e bërë nga ish-drejtuesit sepse falë tyre kemi një thesar të grumbulluar në 100 vite të Bibliotekës Kombëtare.  /atsh/ KultPlus.com

Realiteti i hidhur kosovar vjen nëpërmjet skulpturave të Eroll Muratit

Medina Pasoma

Tri skulpturat e mbështjella me zingjirë bardh e zi të ekspozitës “Skulptura në hapësirë” nga artisti Eroll Murati bënë që qytetarë të shumtë të ndaleshin, fotografoheshin dhe pajtoheshin me mesazhin goditës që përçonin këto vepra arti, shkruan KultPlus.

Të ekspozuara në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit, skulpturat i falnin një pamje të freskët kësaj hapësire publike, duke i bërë të pranishmit të depërtonin në thellësinë e artit. Sytë e qytetarëve kalonin sa nga njëra sa te tjera skulpturë, duke e bërë që interesimi për t’i kuptuar ato të zgjohej edhe më shumë.

Tri pozicionet e ndryshme të skulpturave bashkë me veçantitë krijuese, bënë që të përçonin dromca të realitetit. Në intervistën për KultPlus, Murati tregoj se çdo detaj është i menduar dhe i qëllimshëm, në mënyrë që sa më thjeshtë të kuptohet mesazhi i ekspozitës që do të jetë e hapur deri më 25 nëntor.

Zingjiri i përdorur tregon ashpërsi, ndërkaq e zeza dhe e bardha vjen si një kombinim mes personaliteteve të ndryshme të njerëzve, duke e bërë që veprimet individuale të përfaqësojnë shoqërinë.

“Bardh e zi ka qenë e qëllimshme për shkak që me të zezën e kam paraqitur të errëtin, të keqin e të dobëtin dhe të bardhën e kam përdorur si zemërbardhësi, diçka shumë e mirë”, u shpreh Eroll Murati.

Përderisa qëllimi kryesor mbetet sjellja e skulpturave moderne dhe kreativitetit artistik në hapësira publike, në këndvështrimin e parë ai thekson se nëpërmjet kësaj ekspozite çdo qytetari iu ekspozohet realiteti i hidhur kosovar.

Skulptura e parë e Muratit përbëhet nga një person i vetëm, i cili gjendet në këmbë, me duar të mbështjella me zingjir të zinj, e që kjo tregon një izolim, ku përherë ekziston një tentativë që i miri të mbështjellët me diçka të keqe.

Ndërkaq, krijimi i dytë artistik e kalon rrafshin individual dhe del në pah ndërveprimi social dhe ndikimi i tij. Kësisoj, dy skulptura njerëzish tërësisht të zinj, e thënë figurativisht “të pushtuar nga e keqja” mbajnë në duar të tyre zingjir të cilët dërgojnë te një karrige, e që kjo mund të përkthehet si luftë për pushtet nga çdo hallkë shoqërore.

“Për luftën e karriges mund të shtyhet apo të luftoj dhe një nxënës, student, profesor, deputet dhe gjithkush tjetër”, shprehet artisti Murati.

 Edhe skulptura e tretë është një bashkëveprim social mes dy individëve, veçse kësaj radhe nuk ka një ngjyrë të njëjtë që i mbulon të dyja. Një skulpturë që qëndron në këmbë dhe ka ngjyrë të zezë, shfaqet përballë skulpturës tjetër, e cila është e bardhë. Kjo vjen si një përpjekje e të keqit që t’ia marr edhe pak të mirë që i ka mbetur tjetrit dhe ta shndërroj sikur veten e tij.

“E treta është konsumimi i njeriut të mirë nga i keqi, duke u munduar t’ia merr edhe ata të bardhë që e ka”, shprehet Murati.

Përtej mesazhit të kësaj ekspozite, Murati mendon që shumica e krijimeve artistike të vendit shfaqen nëpër muze, hapësira të mbyllura e vende të tjera kulturore, ndërkaq nëpërmjet zgjedhjes së një hapësire publike, ai ka tentuar të sjell diçka të re edhe në këtë dimension.

Për sa i përket natyrës së ekspozitës “Skulptura në hapësirë”, ai thekson se njerëzit janë mësuar të shohin shfaqje të tilla artistike nëpër media dhe krijime të vendeve tjera, si të Evropës ashtu edhe në pjesët tjera të botës. Ndërkaq, ai ka zgjedhur vendin e tij për një sërë arsyesh.

“Unë desha ta bëj në vendin tim, si vendi i cili më ka bërë krenar dhe më ka frymëzuar. Ta dinë qytetarët se edhe ne kemi artistë shumë të mirë në Kosovë”, tha Murati.

Ndërkaq për relacionin art-hapësirë publike në vendin tonë, ai shprehet se ndjehet i kënaqur për shkak të shfrytëzimit të tyre që një kohë të gjatë.

“Kemi hapësira shumë të bukura që i përshtaten skulpturave moderne, për shembull sheshi “Skëndërbeu” është i madh dhe i mirë”, shprehet autori i ekspozitës “Skulptura në hapësirë”.

Tutje ai thekson se artistët një herë vëzhgojnë terrenin e duhur dhe pastaj vendosin se ku do t’i ekspozojnë veprat e tyre. Ekspozita “Skulptura në hapësirë” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, gjegjësisht Drejtoria e Kulturës./KultPlus.com

“Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, ekspozita që synon ndërrimin e mentalitetit

Nesër do të organizohet hapja e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” nga Rrjeti i Grave të Kosovës përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00 e deri më 16:00, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të sjell rrëfime reale të grave dhe burrave të cilët ishin viktimë të dhunës në familje, duke pasur synim vetëdijesimin e qytetarëve për ndalim të këtij fenomeni negativ të shoqërisë. Në të njëjtën kohë kjo ekspozitë do të njoftoj publikun e gjerë se në rast të përballjes me dhunë ku duhet të mbështeten dhe si të kërkojnë ndihmën institucionale.

Ekspozita vjen me një emërtim simbolik “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” me qëllim të ndërrimit të mentalitetit se ajo çfarë ndodh në një familje duhet të qëndroj përbrenda mureve të tyre. Në këtë formë synohet zëvendësimi i saj me ndihmë e mbrojtje ndaj çdo viktime, pa i lënë ato në neglizhencë.

Përgjatë kohës së pandemisë rastet e dhunës në familje janë rritur, ku në periudhën kohore mars-qershor në Kosovë janë raportuar rreth 40% më shumë raste në Policinë e Kosovës, ndërkaq ky numër mund të jetë më i madh edhe nga ata të cilët nuk e raportuan dhunuesin.

Kjo ekspozitë që është hapur edhe në vitin 2019 në Sheshin “Skënderbe”, përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (Women#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA). / KultPlus.com

Publikut prizrenas iu ekspozua krijimtaria e dy artistëve nga Dibra

Krijimtaria artistike e dy piktorëve nga Dibra, Dritan Bocku dhe Adem Sulejmanoski janë prezantuar para publikut në ekspozitën e organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, shkruan KultPlus.

Artistët Bocku dhe Sulejmanoski nëpërmjet ekspozitës sollën botën e tyre artistike, të shprehur nëpërmjet pikturave të tyre, të cilat tanimë janë vlerësuar nga qarqet artistike vendore dhe ndërkombëtare. Në ekspozitë përveç simpatizantëve të veprës së artistëve, të pranishëm ishin edhe drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha.

“Autorët e këtyre veprave janë dëshmuar me artin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare, duke hapur ekspozita në shumë qytete të mëdha të Evropës, ku arti i tyre ka prezantuar kulturën, trashëgimin dhe vlerat kombit tonë”, u shpreh Hoxha.

Tutje Samir Hoxha vazhdoj duke potencuar se ekspozita të tilla në kohë pandemie i ofrojnë publikut një oazë arti i cili ushqen shpirtin në një situatë të vështirë siç është kjo e tanishmja.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Kulturë në Dibër, Zinqe Mimidinoski ka shprehur mirënjohjet e tij për mikpritjen që iu është bërë krijimtarisë së artistëve në Prizren.

I emocionuar nga publiku kosovar, Dritan Bocku me një gëzim prezantoj veprat e tij për artdashësit prizrenas, ku ai nëpërmjet artit tregoj bukuritë natyrore dhe të kaluarën e trevave të Dibrës në Maqedoninë e Veriut.

Kjo ekspozitë përveç që ka shpalosur botën artistike të dy piktorëve, ka hedhur edhe një hap tutje drejt krijimit të urave të bashkëpunimit në sferën kulturore mes dy vendeve./KultPlus.com

“Dritë në rilindjen e Venecias”, skulptori Helidon Xhixha hap ekspozitën në Itali

Quhet “Dritë ne rilindjen e Venecias”, ekspozita personale me 7 vepra e Helidon Xhixhës, skulptor, i lindur në Durrës në një familje artistësh, me një karrierë ndërkombëtare. Skulptura në çelik, metal industrial me sipërfaqe si pasqyrë që reflekton qytetin e Venecias. Televizioni Italian i ka kushtuar një kronike të posacme ekspozitës së skulptorit shqiptar, I cili me veprat e tij I ka dhënë një ndriçim më shumë venecias.

“Gjithmonë jam përpjekur të përjetësoj veprat e mia nëpërmjet dritës. Në kohët e errëta, ne kemi nevojë për dritë. Kjo ndodh si në Venecia ashtu dhe gjithë Botën, kur ne lundrojmë në pasiguri, arti që ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm duke treguar gjithmonë të vërtetën. Dhe ajo që dua të tregoj unë nëpërmjet dritës të artit tim, është rilindja e Venecias.”

Është një lidhje e fortë ajo mes Xhixhos dhe Venecias. Në bienalen e 2015, ka sjellë “Ajsbergun” një skulpturë të vendosur në kanalin e Madh, një vepër që denoncon me forcë ndryshimet klimatike, nëpërmjet një arti që pasqyron realitetin.

“Arti ia del mbanë gjithmonë. Edhe pse është një periudhë izolimi, kur të gjithë janë kaq të frikësuar për të ardhmen, për të nesërmen, artisti është ai që bën gjithmonë një hap përpara”. Ekspozita “dritë në rilindjen e Venecias” është e hapur deri më 20 dhjetor./ ballkanweb/ KultPlus.com

Historitë e të dënuarve me vdekje shndërrohen në ekspozitë

Ekspozita e re e Martin Schoeller e quajtur “Death Row Exonerees” shfaq fytyrat dhe historitë e amerikanëve të akuzuar për krime që nuk i kanë kryer, të cilët janë dënuar edhe me vdekje, por i kanë mbijetuar asaj, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.

Martin Schoeller është një fotograf i njohur për portretet e tij të emrave më të mëdhenj të botës, nga Barack Obama tek Taylor Swift dhe Brad Pitt, të gjithë të fotografuar me një dritë të veçantë, që reflektonte edhe personalitetin e tyre.

Fotografi gjerman tani ka vendosur të drejtojë aparatin e tij drejt viktimave të sistemit të burgjeve në ekspozitën e tij aktuale “Death Row Exonerees”, e cila do të jetë e hapur në “Fotografiska” të Nju Jorkut deri më 10 janar. Schoeller punoj me një organizatë të quajtur “Witness to Innocence”, ku nëpërmjet këtij seti të fotografive dhe videove nxorën në pah historitë e të mbijetuarve të cilët edhe pse ishin të pafajshëm, iu dha dënimi me vdekje.

Në total, ai filmoi, fotografoi dhe intervistoi 15 persona në një dhomë hoteli në “Porto Riko”, e cila u zgjodh si një vend për të hequr dënimin me vdekje në 1929. Dhjetë prej tyre janë paraqitur me Pamje në “Fotografiska”, teksa kjo do të jetë hera e parë që kjo seri fotografike shfaqet në SHBA.

“Këto gra dhe burra dëshmojnë për kostot e papranueshme të një sistemi të gabuar ligjesh, të cilat kanë nevojë të jashtëzakonshme për rishikim, dhe një sistemi burgu që përqendrohet më shumë në dënime, sesa në rehabilitim.”

Gjithçka filloi në vitin 2018, kur Schoeller filloi të hulumtojë në internet dënimin me vdekje. Ai gjeti organizatën në fjalë dhe filloj bashkëpunimin. Ndërkaq si banor i Amerikës për Schoeller mbetet e vështirë të kuptohet që ende ekziston dënimi me vdekje.

Ai ka realizuar intervista me të mbijetuarit, të cilat nuk ishin tipike gazetareske dhe më shumë iu afroheshin bisedave informale, të realizuara pa kamera në mënyrë që ata të flasin më shumë. Ai kishte kaluar një kohë të gjatë me ta, kjo i kishte ndihmuar edhe që t’i njihte këta persona më për së afërmi.

Në mesin e të mbijetuarve që u shfaq në ekspozitë është edhe Derrick Jamison, i burgosuri 20 vjet për një vrasje dhe grabitje që nuk e bëri.

“Ekziston një standard i dyfishtë kur bëhet fjalë për drejtësinë në sistemin tonë gjyqësor, veçanërisht me bindje të gabuar”, thotë Jamison. “Nëse jeni pjesë e ndonjë komuniteti ose një qytetar me të ardhura të ulëta, arritja e drejtësisë mund të jetë e pakapshme. Por nëse je i pasur, kjo ndodh brenda natës ”

Ai gjithashtu punoi me Kwame Ajamu, i cili u dënua me vdekje në 1975 për vrasjen dhe grabitjen e një shitësi, për shkak të një dëshmie të rreme të dëshmitarit okular dhe sjelljes së keqe të policisë. Ai u la i lirë nga burgu në 2003, pasi kishte kryer 28 vjet.

Gruaja e vetme që shfaqet në ekspozitë është Sabrina Butler-Smith. Ajo u dënua në vitin 1990 për vdekjen e djalit të saj foshnje Walter, për shkak të provave të rreme mjeko-ligjore nga një ekzaminues mjekësor. Ajo kaloi pesë vjet në burg. Ajo është vetëm një nga dy gratë e shfajësuara nga dënimi me vdekje në SHBA.

Për Martin Schoeller dëgjimi i këtyre rrëfimeve ishte shumë i vështirë, qanin të mbijetuarit dhe ai në të njëjtin kohë. Ndërkaq për këta persona ai mendon se kanë një vullnet të fuqishëm për të jetuar, me përplotë pozitivitet anipse kanë kaluar gjëra të rënda. Ajo që mëson nga ta, për Schoeller, mbetet të falësh dhe të kesh mëshirë./KultPlus.com

“Më njih përtej fjalëve” vjen si thirrje artistike për të pasur empati për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Medina Pasoma

Punimet artistike të tyre janë shumëngjyrëshe, për të dëshmuar që nuk meritojnë një qasje “bardh e zi” nga shoqëria. Të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe azilkërkuesit e Kosovës janë bashkuar në ekspozitën virtuale “Më njih përtej fjalëve” të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në 21 vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.

Të ekspozuara në dy hapësira të ndryshme, punimet artistike përçojnë dhimbjen e historisë jetësore të dy kategorive, mirëpo, në të njëjtën kohë janë edhe shenja shprese për ta. “Më njih përtej fjalëve” vjen si një thirrje artistike për të pasur empati me të kaluarën e palëve, dhunimin e trishtë që të mbijetuarit e kanë kaluar dhe vështirësitë e dhimbjen nga ndarja e atdheut me të cilat janë përballur azilkërkuesit.

Përderisa ekspozita virtuale është kuruar nga psikologia e QKRMT, Malisa Zymberi, realizimin e kanë mundësuar “trembelat” dhe “Lapsi360”.

Hapësira në të cilën ekspozohen punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale është e mbushur me punime të qeramikës, piktura, tentene, çanta, byzylykë e varëse, vazo dhe llogo të organizatës të punuara në madhësi të ndryshme.

Njëra ndër punimet është edhe ajo e qeramikës, në të cilën shkruhet “cilët?”, e cila nëpërmjet artit përfaqëson një përpjekje për identifikim dhe drejtësi edhe sot e kësaj dite.

Të mbijetuarit e dhunës seksuale nëpërmjet artit kujtojnë edhe të kaluarën e bukur. Kështu, malli për kohën sa kishte qenë nuse e kishte shtyrë njërën nga to të qëndiste çorape të leshta, të cilat zakonisht e kishin traditë t’i dërgonin te shtëpia e burrit kur martoheshin.

Në anën tjetër, nuk kishte si të mungonte në ekspozitë anemona, lulja e cila simbolizon mbështetjen, ndjeshmërinë dhe brishtësinë. Ajo është e njohur si llogo e QKRMT-së dhe simbol i fushatës “Bëhu zëri im”, ndërkaq konceptimin e saj e patën realizuar organizatat e ndryshme për të mbijetuarit e dhunës seksuale, bashkë me ndihmën e artistes së ndjerë Arzana Kraja.

Një tjetër dhimbje e shndërruar në frymëzim arti janë edhe historitë e azilkërkuesve në Kosovë, të cilët në tentativë për një jetë më të mirë, kishin lënë vendin e tyre të dashur, duke u përballur me plotë vështirësi, sfida e probleme të cilat vazhdojnë t’i përcjellin gjatë jetës së tyre. Në këtë kategori janë përfshirë gratë dhe fëmijët, si dy grupe të ndjeshme të shoqërisë mirëpo, edhe që kanë një lidhshmëri të madhe mes vete.

Punimet artistike të tyre janë një përpjekje e përshtatjes në një vend të ri, duke mbajtur shpresë në vend të dhimbjes dhe humbjeve nga vendet e tyre si pasojë e luftërave të ndryshme. Hapësira në të cilën ekspozohen punimet artistike të këtij grupi kanë një gjallëri dhe pafajësi përbrenda vetes. Ngjyra të shumta, lodra dhe arusha të madhësive të ndryshme, libra të ngjyrosjes, piktura të varura në mur, maska të bukura, qafore të cilat kanë një domethënie dhe kujtim përbrenda tyre janë disa prej punimeve që ekspozohen nga ta.

Fëmijët e ardhur në Kosovë në një pëlhurë të bardhë kishin vendosur dikur duart e tyre të lyera me ngjyra të ndryshme, si një shpresë për të ardhmen mbi një faqe të re të historisë jetësore. Ata bartin pas vetes kujtime nga vendet e tyre si Siria, Iraku, Irani, Afganistani, Maroko dhe Algjeria.

Seancat psikologjike të QKRMT-së kanë edhe procesin e të shkruarit në një tabel, në të cilin çdo fëmijë do të mund të shkruante dëshirën e tij dhe ta vendoste aty. Njëri nga fëmijët kishte shkruar në gjuhën arabe një fjalë, e cila në shqip përkthehet si “Nuk po du me ec ma gjatë”. Kjo është një dëshirë e ardhur nga lodhjet e shumta që shkakton migrimi në këmbë nga një vend në një vend tjetër, gjatë së cilës nuk diskutohet pushimi dhe ushqimi i mirë.

Ikja nga vendet e tyre i ka bërë këta individ që pas tyre të lënë edhe gjërat e çmuara. Uma nga Siria ka lënë atje edhe qaforen e martesës, të cilën e improvizoj me materiale tjera në Kosovë pranë QKRMT-së.

Një tjetër vajzë, historia e së cilës është e prekshme është edhe Ajda, e cila gjatë shërbimeve psikologjike përdor vizatimin si mjet për t’u çliruar shpirtërisht. Ajo ende ka të pranishme frikën e Sirisë, në të cilën është traumatizuar nga lufta dhe frika e marrjes së babait të saj.

“Më njih përtej fjalëve” vet nga emri që ka është një përpjekje pranimi dhe empatie të këtyre grupeve të cilat kanë kaluar kohëra të vështira. Linkun për qasje te punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe të azilkërkuesve gra e fëmijë mund ta gjeni KËTU. /KultPlus.com

Ekspozita në Romë nxjerr në dritë statujat e lashta

Pas dekadash të mbyllura në bodrum, disa prej skulpturave më të bukura të lashtësisë janë nxjerrë nga terrnaja dhe i janë rikthyer publikut në Romë.

Buste perandorësh romakë, sarkofagë të ndërliqshëm dhe një relief i vjetër grek i bërë para 2500 vjetësh janë vetëm disa nga 92 artefaktet e shfaqura në Palazzo Caffarelli të kryeqytetit italian.

Mermerët i takojnë familjes së fisme Torlonia dhe përfaqësojnë një fraksion prej 620 skulpturave të saj, që besohet të jetë më i madhi koleksion privat në botë.

“Ne mund të bëjmë shtatë, tetë apo pesëmbëdhjetë ekspozita”, ka thënë historiani i artit Salvatore Settis, që është përzgjedhur nga familja për t’i ndihmuar si kurator për ekspozitën. Kështu, ai pati detyrën e zorshme për të vendosur se cilat artefakte do të nxirreshin në dritë.

Si shumë familje romake, edhe Torloniat fillimisht e vunë koleksionin e tyre të madh për paraqitje në muze. Por pas 101 vjetësh, ata mbyllen dyert e tij më 1976, duke synuar të kthenin ndërtesën në apartamente private.

“Rishfaqja e një koleksioni të tillë legjendar është një ngjarje fort e rëndësishme”, ka thënë Settis. “Kur e pashë për të parën herë ishte shumë emocionuese për shkak se shumicën e këtyre i njihja vetëm prej librave, por kurrë nuk i kisha parë”.

Toroloniat, që bën pasurinë e tyre me anë të kontratave papale, nisën të bënin koleksione, disa prej të cilave ishin nga shekulli XV, si dhe ndërtuan një koleksion të koleksioneve.

Mes tyre është edhe një basen fontane që është bërë në Greqi e që besohet se ka qëndruar në kopshtin e Jul Çezarit.

Shumë prej artefakteve kanë përjetuar restaurime të ndjeshme ndër vite, përfshirë statuja e një dhie, trupi i së cilës daton nga shekulli i parë i erës sonë, kurse koka e saj besohet të jetë krijuar nga skulptori italian i shekullit XVII, Bernini.

Anna Maria Carruba ka ndihmuar që të përgatiteshin statujat për ekspozitë.

“Shumë prej këtyre veprave janë restauruar nga vitet 1600 e tutje. Ne nuk patëm nevojë të punonim në strukturat e statujave, por vetëm në sipërfaqe duke e pastruar dhe hequr pluhurin që ishte mbledhur ndër vite, si dhe materialet e përdorura nga restaurimet e mëparshme”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Mermerët e Torlonias” ishte paraparë të hapej në prill, por qe shtyrë për shkak të koronavirusit. Ai do të jetë i hapur gjer në qershor të vitit të ardhshëm në Romë, e më pas pritet të jetë në njërin nga shtetet evropiane dhe në ShBA para se të rikthehet në Itali, ku do të ketë një shtëpi të përhershme. / KultPlus.com

Statujat nga “Mermerët e Torlonias” janë shfaqur në një ekspozitë, e cila bën bashkë 96 skulptura të moçme që përfshijnë statuja bronzi, mermeri e alabasteri në Romë

Piktori me prejardhje shqiptare, hap ekspozitë në Paris

Piktori shqiptar, Zabedin Memishi-Baci, nga Tetova ka hapur ekspozitën e tij  personale në Paris, ku është paraqitur me 27 punime.

Pikturat e ekspozuara në atelien e Cite International des Arts në Paris pasqyrojnë qiellin mistik, qiellin e errët, qiellin e “tmerrshëm”, e të gjitha këto i ka përmbledhur në një term të vetëm të titulluar “Kaosi në qiell”.

Vizitorë të shumtë iu afruan pikturave për të ndjekur krijimtarinë artistike të piktorit shqiptar. Ndryshe, Zabedin Memishi, i njohur ndryshe me nofkën Baci, shkruan zhurnal. Po ashtu, ai ka marrë pjesë në shumë evenimete të tjera artistike, megjithatë ai për herë të parë ekspozon veprat e tij në një ekspozitë ndërkombëtare, siç është Cite International des Arts në Paris. /Albinfo.ch / KultPlus.com

“Ne luftojmë për të ndërtuar një botë të lirë”, ekspozita që lufton pabarazitë në botë

“Ne luftojmë për të ndërtuar një botë të lirë” është ekspozita gjithëpërfshirëse dhe e fuqishme e kuruar nga artisti Jonathan Horowitz në Muzeun Hebre të Nju Jorkut, shkruan ‘The Guardian’, përcjell KultPlus.

Ekspozita vjen si një shfaqje e pabarazive në botë, duke filluar nga rasti i George Floyd e duke kaluar nëpër shtypjet, racizmin, kolonializmin dhe ksenofobinë nëpër botë.

“Ekspozita erdhi përmes një ftese nga Muzeu Hebre për të bërë një projekt që adreson ringjalljen e antisemitizmit në vend”, thotë Horowitz, duke iu referuar paragjykimit, urrejtjes ose diskriminimit ndaj hebrenjve.

Ekspozita nuk është vetëm një përgjigje ndaj rritjes së etno-nacionalizmit dhe autoritarizmit, por një mundësi për përfshirjen e vërtetë të botës së artit, duke nxjerrë në pah disa artistë me ngjyrë si Chicano, Latino dhe Indigjen, të cilët kanë punuar prej kohësh në udhëkryqet e artit.

“Ne luftojmë për të ndërtuar një botë të lirë” e ka marrë emrin nga një pikturë e vitit 1942 nga Ben Shahn, pjesë e një serie posterash të krijuar nga katër artistë, të cilat i takojnë propagandës së Luftës së Dytë Botërore që Shahn krijoi për Zyrën Amerikane të Informacionit të Luftës.

Frymëzuar nga përpjekja e Shahn për të përfshirë zëra të shumtë ndër vite dhe identitete kulturore në një vepër të vetme, Horowitz ka krijuar një instalacion-homazh të mrekullueshëm të quajtur “mur me tulla”, në të cilën nga dyshemeja deri në tavan shfaqen “risjellje” të veprave të zërave bashkëkohor, duke i përshtatur me qëllimin e kuratorit.

“Kur lexoj lajmet për gjendjen e botës, duhet të shpreh diçka dhe ta nxjerr atë në mënyrë që të jem në gjendje të fle natën”, tha artisti MarcelDzama, i cili ishte njëri nga të cilët vepra e tij u shfaq në këtë ekspozitë.

Për pjesën e saj, artistja Christine Sun Kim e cila ka dëgjim të dobët, kontribuoi me një poster të shkruar me dorë duke thënë “Përdorimi i gjuhës së shenjave do t’ju bëjë një person më të mirë”, duke rivendosur kopertinën e broshurës së provimit të fëmijës së saj si sfond, i cili ka problemet e njëjta.

“Sa më shumë punë të bëj, aq më shumë e detyroj vendin tonë në histori. Është mënyra ime për të protestuar dhe dokumentuar”, është shprehur artistja Kim.

Për artisten dhe aktivisten Marilyn Minter, arti është një gjuhë, një interpretim i realitetit tonë.

“Unë kurrë nuk kam parë demokraci kaq të brishtë. Është sikur çdo brez duket se nuk ka mësuar asgjë nga historia”, ankohet ajo. Në një mënyrë apo në një tjetër, ai shqetësim i thellë është ajo që e animon shfaqjen e Horowitz – a mund të mësojmë? A mund të rritemi? Dhe, më e rëndësishmja, çfarë do të na fuqizojë të ndërtojmë një botë më të mirë?/KultPlus.com

“Më njih përtej fjalëve”, ekspozita me punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale

Si përpjekje për të luftuar me të kaluarën, të mbijetuarat e dhunës seksuale do të shfaqen para audiencës me një ekspozitë virtuale ku do të shpalosin punimet e tyre artistike, shkruan KultPlus.

“Më njih përtej fjalëve!” titullohet ekspozita e cila vjen me rastin e shënimit të 21 vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Kjo ekspozitë virtuale do të shfaqë punime/produkte që këto kategori të ndjeshme shoqërore i kanë punuar gjatë aktiviteteve psiko-terapeutike. Shumë nga këto punime janë gërshetim i artit me ngjarje e histori traumatike të ndrydhura thellë në nën-vetëdijen e autorëve.

“Modaliteti virtual i kësaj ekspozite, na ka mundësuar që këto punime të ekspozohen nga vendi ku janë punuar, në të cilin njëherësh mbahen edhe aktivitete të ndryshme psiko-sociale, duke e bërë këtë ekspozitë unike dhe origjinale”, thuhet në njoftim.

Kështu, publiku do të ketë rastin që virtualisht ta sheh bukurinë e artit dhe dhimbjen e historisë së tyre.

Ekspozita hapet më datë 13 dhjetor në ora 12:00. /KultPlus.com

Ekspozitë protestuese në Gjakovë, shpalosen fotografitë e 112 fëmijëve të vrarë në luftë

“112 Dhimbje dhe Krenari” është ekspozita përmes secilës do të protestohet për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë është e organizuar nga Shoqata ‘Krimet e Luftës Gjakova 98-99’, derisa aty do shfaqen 112 foto të fëmijëve të vrarë në Komunën e Gjakovës, gjatë luftës së fundin në Kosovë 98-99.

“Janë momente qoftë dhe të fundit, për të gjithë ata të cilët votuan dhe gabuan, për të ndërtuar një Gjykatë Speciale mbi gjakun e Dëshmorëve dhe Martirëve, mbi gjymtyrët dhe bekimin e luftës së Invalidëve e Veteranëve, mbi mundin dhe sakrificën e çdo qytetari që humbën më të dashurit e tyre, ku ky gabim i nënshkrimit dhe vulosjes së realizimit të punës së njëanshme të Gjykatës Speciale, po sjellë dëshmi të rrejshme, e themeluar dhe iniciuar për të mohuar luftën e lavdishme të popullit shqiptar në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ekspozita do të hapet të mërkurën më datë 07 tetor dhe do të qëndroj e hapur deri më 10 tetor, në Pallatin e Kulturës ‘Asim Vokshi’ në Gjakovë. / KultPlus.com

Çfarë është një ‘jetë luksoze’ tani, Olivier Gabet e shpalos përmes ekspozitës “Luxes”

Luksozja si koncept gjithnjë është dukur i rrënjosur në materializëm. Përgjatë shekujve ajo ka qenë e rrallë, e çmuar, inovative, jashtëzakonisht ekstravagante apo edhe minimaliste, por gjithnjë ka përfshirë gjërat e bukura, shpesh të tepërta, shkruan BBC Culture, përcjell KultPlus.

Ekspozita “Luxes” e cila hapet në “Musée des Arts Décoratifs” në Paris në tetor, do të vë në pikëpyetje se a është e mundur të shkojmë drejt një përkufizimi më kuptimplotë të luksit në një botë ku burimet natyrore janë në rënie dhe konsumi i tepërt po ka një efekt katastrofik në mjedisin tonë.

“Është e qartë se luksi i sotëm përballet me sfida të reja”, thotë Olivier Gabet, drejtori i muzeut dhe kurator i ekspozitës, për BBC Culture.

“Padyshim, materialiteti dhe materializmi vihen në pikëpyetje të fortë; luksi po rizbulon një dimension jo material – kohën, hapësirën dhe gjithashtu përvojat – një moment mund të jetë luksoz si një objekt, të udhëtosh në këto kohë të izolimit është një luks suprem, mund të vazhdojë të jetë i tillë për një kohë”.

Koha dhe udhëtimi, dy gjëra që në vetvete duken pafundësisht të çmuara sot, ishin thelbësore në evolucionin e luksit, pasi kontakti me kombet e tjera nxiti dëshirën për sende të rralla dhe ekzotike.

“Tregtia në një shkallë globale është e lidhur natyrshëm me idenë e luksit. Që nga Antikiteti, materialet e çmuara kanë qenë temë e çështjeve ekonomike, madje edhe gjeopolitike”, thotë Gabet.

“Ideja e kohës, ajo që ne shpenzojmë duke transportuar ar, mëndafsh ose erëza, distancat e kaluara dhe ideja e hapësirës së pushtuar janë po aq thelbësore”, shton ai.

“Gradualisht, luksi bëhet një shenjë e dallimit individual më shumë sesa një dallim shoqëror; është kjo që ne e quajmë shije”, thotë Gabet.

Udhëtimi është në krye të listës së dëshirave të të gjithëve për momentin, por nuk është thjesht arratisje.

 “Njerëzit duan përvoja që i ndihmojnë ata të mësojnë dhe të njohin gjëra për vendin dhe veten e tyre, për t’i ndihmuar në mënyrë thelbësore që të lidhen përsëri me ata që janë dhe me shpirtëroren e tyre, ose me natyrën dhe botën përreth tyre”, thotë Olbertova.

Duke pasur parasysh rrethanat aktuale, nuk është për t’u habitur që udhëtimet luksoze përqendrohen në privatësi, izolim, mirëqenie dhe vendpushime ku njerëzit mund të distancohen në mënyrë të sigurt, por ekziston shqetësimi i vërtetë që kjo duhet të balancohet me një shqetësim për mjedisin.

“Ne nuk kemi nevojë për gjithçka që të jemi luksozë – kjo thjesht bie shumë në sy dhe është pa kuptim”, thotë Olbertova.

“Njerëzit do të zgjedhin fusha të caktuara të jetës së tyre, dhe më pas përdorin marka për t’i ngritur ato dhe ky është luksi thelbësor”.

Sipas Olbertovës ne do të mësojmë se si të kujdesemi për gjëra siç duhet, kështu që ato do të zgjasin me vite. Qëndrueshmëria do të bëhet jetike.

“Duhet të jetë thjesht gjëja që është logjike – këto gjëra që ne i shohim si trende duhet të bëhen normalja e re”. Ajo e pranon që ne nuk jemi akoma në atë gjendje.

“Kjo është një pauzë – është si një gjendje ndryshimi, ribalancimi dhe rikalibrimi”, thotë ajo. Le të shpresojmë që kjo pauzë të çojë në një ‘art të të jetuarit’ të ri. Një që e konsideron vetë jetën mallin më të dëshirueshëm dhe më të rëndësishëm nga të gjithë./KultPlus.com

Gjirokastra ndër vite vjen përmes ekspozitës në kalanë e Argjirosë

“Gjirokastra si ishte, si është, si po zbukurohet dhe sa punë do të na duhet t’ia kushtojmë asaj” titullohej ekspozita e çelur sot në qytetin e gurtë në kuadër të “Ditët Europiane të Trashëgimisë”.

Specialistja e Trashëgimisë Jo Materiale në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Eni Çuçi, tha sot për ATSH-në se “ekspozita kishte rreth 60 fotografi të ndara në 3 periudha, në atë para viteve ’44, në vitet ‘44-’90 dhe periudhën pas viteve ‘90 deri në ditët e sotme”.

“Gjithashtu ekspozita përmbante edhe foto të kostumeve popullore të hershme të zonave të ndryshme të Gjirokastrës, Lunxhit, Dropullit, Përmetit e Libohovës”, – tha Çuçi.

Sipas saj, ekspozita u çel në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, ku nëpërmjet zhvillimit të ngjarjeve kulturore synohet nxjerrja në pah e vlerave të trashëgimisë kulturore.

“Një tjetër veçanti e kësaj ekspozite ishte çelja e saj në një nga pjesët më të bukura të kalasë e restauruar së fundmi, pjesa e kupolës poshtë sahatit aty prej ku qyteti gjarpëron e shihet të flejë i qetë”, – u shpreh Çuçi.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/ KultPlus.com