Thesaret e AQSH-së në Muzeun Historik Kombëtar

Arkivi Qendror Shtetëror dhe Muzeu Historik Kombëtar po e intensifikojnë bashkëpunimin. Një marrëveshje e nënshkruar së fundi parashikon që në muze të ekspozohen dokumente origjinale, apo objekteve muzeale, pjesë e pasurisë së Arkivit Qendror Shtetëror.

Ekspozimi do të bëhet bazuar në një kalendar të mirëpërcaktuar për vitin 2018-të në Muzeun Historik Kombëtar. Drejtori i tij Dorian Koçi e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vijimin e bashkëpunimit.

“E kemi filluar këtë bashkëpunim edhe më herët siç ishte ekspozita e vulave të shtetit shqiptar dhe shpresojmë të ketë edhe ekspozita të tjera për të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë tonë kulturore, historike, muzeale që ndajnë dy institucionet”, tha ndër të tjera Dorian Koci.

Ardit Bido, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, specifikon cilat nga pasuritë do të jenë objekt ekspozimi, një pjesë e të cilave për herë të parë.

“Të gjitha objektet muzeale janë përqendruar, janë bërë pjesë e sektorit të promovimit. Jemi duke zhvilluar kalendarin e ekspozimit të të gjitha pasurive” tha Bido, shkruan rtsh. Ai njoftoi se ekspozita e radhës do të jetë një koleksion i çmuar gramafonash.

“Ka pasuri që janë ekspozuar shumë rrallë, por shumica asnjëherë” u shpreh Bido.

Pak kohë pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit, vjen marrëveshja e detajuar mes institucioneve për zbatimin e projekteve të përbashkëta e firmosur të mërkurën, duke përcaktuar e lehtësuar procedurat e bashkëpunimit ndërinstitucional./KultPlus.com