Manastirliu: Shkolla artistike “Onufri” në Elbasan, së shpejti merr statusin e veçantë

Shkolla artistike “Onufri” në Elbasan së shpejti do të mbështetet edhe me statusin e veçantë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë, e cila ka hapur dyert këtë vit të ri shkollor si një qendër e vërtetë artistike, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Shkolla “Onufri” do të mbështetet edhe me statusin e veçantë, për të siguruar edhe më shumë investime në pajisje dhe burime njerëzore, për zhvillimin e talenteve”, tha Manastirliu.

Mbi 340 nxënës zhvillojnë mësim në klasa të reja, laboratorë të rinj shkencorë, palestër të re dhe sallë koncertesh.

“Me buxhetin2025 përfundojmë investimet në 40 shkolla në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Statusi i veçantë mundëson një autonomi të menaxhimit të shkollës, por dhe një ngritje të nivelit të cilësisë së shkollës përmes përfshirjes.

Me dhënien status i veçantë shënohet një hap i rëndësishëm drejt suksesit të shkollave artistike në Shqipëri.

Më herët MAS ia ka dhënë këtë status Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe Shkollës Koreografike në Tiranë. /atsh/ KultPlus.com

Elbasani dhe Durrësi në festë: Aktivitetet e nëntorit dhe magjia e fundvitit ndezin qytetet

Elbasani ka nisur festimet që për 80-vjetorin e Çlirimit të qytetit, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja.

Gjatë këtij muaji, qyteti do të mbushet me aktivitete, koncerte dhe ngjyra festive që do të zgjasin deri në fund të vitit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Miranda Sadiku thotë për ATSH se atmosfera festive e ka përshkruar qytetin me simbolet kuqezi, duke krijuar një atmosferë ngazëlluese për të gjithë qytetarët.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, do të jetë kulmi i festimeve, ku do të zhvillohen aktivitete speciale për fëmijët e kopshteve dhe shkollave të Elbasanit. Shumë nga ta do të performojnë në koncertet që do të organizohen në teatrin “Skampa” dhe Qendrën e Artit. Qendra e Artit, me koncerte dhe aktivitete për fëmijët, do të shërbejë si një pikë e veçantë e këtyre festimeve. Fëmijët, në këto aktivitete, do të ndajnë me qytetarët emocionet e tyre, duke kontribuar në atmosferën festive që do të mbizotërojë në qytet.

Përveç aktiviteteve edukative dhe kulturore, qyteti do të shndërrohet në një oaz dritash shumëngjyrëshe, simbol i pritjes së Vitit të Ri. Dritat e pemës së madhe që simbolizon festat e fundvitit  në qytet do të ndizen më 6 dhjetor, duke i dhënë Elbasanit një pamje të mrekullueshme dhe një atmosferë magjike. Pjesë e këtyre festimeve do të jenë gjithashtu  lodrat dhe shtëpiza të improvizuara pranë portës së kalasë, ku qytetarët do të mund të shijojnë aktivitete dhe produkte festive.

Në vazhdim të festimeve, koncertet festive do të vijojnë me aktivitete të ndryshme, për të kaluar një fundvit të paharrueshëm. Mbrëmjet Gala, si një traditë e qytetit, do të përmbyllin festimet, duke sjellë një atmosferë festive për të gjithë qytetarët dhe mysafirët e Elbasanit.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se “festimet për këtë vit janë më të shumta dhe më të larmishme. Po krijojmë një atmosferë të ngrohtë, të gëzueshme dhe plot shpresë për të gjithë qytetarët, ku secili do të mund të shijojë aktivitete të veçanta dhe të kontribuojë në ruajtjen e traditave tona”.

Njëherësh, qyteti i Durrësit ka rezervuar një seri aktivitetesh në kuadrin e festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit. Zëdhënësi i kësaj bashkie, Dorian Agolli thotë për ATSH se për kalendarin e këtyre ngjarjeve artistike është punuar prej kohësh, nga ideimi te projektimi dhe materializimi i secilit syresh prej tyre, ndërkohë që qëllimi është që të aktivitetet të jenë sa më gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat. Nga mbrëmë, në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës në orën 19:00 të pasdites nis koncerti festiv në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, që quhet “Këngët e vendit tim”. Me pjesëmarrje të gjerë të këngëtarëve dhe artistëve të njohur të këtij qyteti. Në javën e parë të dhjetorit, pra në datat 6-7-8 dhjetor në po të njëjtën qendër kulturore është parashikuar të jepet për publikun shfaqja “Anonimi i Venedikut”. Vepra trajton historinë e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim  në Venecia, duke rikujtuar kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por është personazhi kryesor i veprës, burri ai që e ka kërkuar këtë takim, sepse është duke vdekur.

Në datat 17-18-19 dhjetor, bashkia Durrës organizon Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë “Tingujt e Adriatikut”, me një repertor të pasur këngësh për festat, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe personazhe të njohura të sferës publike. Këto ditë pritet të ndizen edhe dritat e pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në qendër të qytetit të Durrësit./atsh/KultPlus.com

‘Agnesa e Zotit’ shfaqet për herë të parë në Teatrin Skampa në Elbasan

Në Teatrin Skampa në Elbasan u shfaq për herë të parë vepra “Agnesa e Zotit” e dramaturgut amerikan John Pielmeier. Shfaqja, e cila u realizua nga Teatri Shëtitës “Çajupi” me regji të Kiço Londos, mori duartrokitje të shumta nga publiku i pranishëm.

Vepra, e cila trajton tema të thella si besimi dhe shkenca, u interpretua me mjeshtëri nga aktoret Laura Nezha dhe Violeta Trebicka dhe Eni Jani e cila interpretoi Martën duke mbuluar gjatë shfaqjes gjithë gamën e emocioneve nga edukatorja te antagonistja

Aktorja Violeta Trebicka e cila interpretoi në shfaqjen “Agnesa e Zotit”rolin e Nëna Eprore, shpjegon mundësitë e mrekullive duke njohur realitetet e botës së sotme.

Pas suksesit në Elbasan, “Agnesa e Zotit” do të vazhdojë rrugëtimin e saj në qytete të tjera të Shqipërisë gjatë sezonit teatror 2024-2025, duke premtuar të sjellë më shumë emocione dhe refleksione te publiku./ balkanweb/ KultPlus.com

Në Elbasan hapet edicioni i nëntë i takimit kombëtar të Orkestrave të harqeve

Mbrëmjen e së hënës në Teatrin “Skampa” të Elbasanit hapi siparin edicioni i nëntë i “Takimit Kombëtar të orkestrave të harqeve, muzika e dhomës”.

Në këtë event marrin pjesë orkestra dhe asamble nga Tirana, Fieri, Vlora, Elbasani, Fieri, Berati, Korça, Shkodra, Shkupi e Tetova e Maqedonisë së Veriut, dhe Orkestra e harqeve e qytetit Pernik e Bullgarisë.

Në natën e parë performuan Asambli “Dardanus” i Tetovës, Duo Piano me 4 duar nga dy profesoresha të Universitetit të Arteve Tiranë, Quinteti Ad Libitum, Shkodër dhe Orkestra e Harqeve Elbasan.

Përgjatë tre netëve nga kjo fillimjavë né skenën e Teatrit Skampa do të performojnë 12 trupa nga i gjithë vendi, përfshirë ato të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Nga viti në vit ky festival ka ardhur në rritje, ndaj këtij edicioni nuk mund t’i mungonin edhe risitë.

Drejtori i festivalit, Blerim Narazani, vlerëson repertorin e pasur të festivalit dhe faktin që ky event është ndër të paktët koncerte që ndan çmime me vlerë monetare.

Ndërkohë, Drejtori i Qendrës së Artit Elbasan, Klinsi Lala nga ana e tij, ndjehet i lumtur që ky festival tashmë është shndërruar në një event të përvitshëm, ndaj dhe pritshmëritë janë të larta.

“Takimi kombëtar i orkestrave të harqeve, muzika e dhomës”, në këtë edicion mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Elbasan./news24/KultPlus.com

Ditët Evropiane të Trashëgimisë, tur në monumentet kulturore të Elbasanit

Tema e këtij viti e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore është “Rrugë, Rrjete dhe Lidhje”.

Në kuadër të këtyre ditëve, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, sektori i Elbasanit, ka organizuar një tur të veçantë që synon të ofrojë një përvojë të pasur kulturore për turistët vendas dhe të huaj.

Specialistët e DRTK Korçë shoqëruan vizitorët tek të gjitha atraksionet turistike dhe Monumentet e Kulturës të qytetit të Elbasanit, duke ofruar një shpjegim të detajuar mbi rëndësinë historike dhe kulturore të këtyre monumenteve.

Ky “udhëtim i shkurtër” u dha turistëve një mundësi unike për të kuptuar dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore të Elbasanit, si dhe për të eksploruar rrjetet dhe lidhjet historike që e bëjnë këtë qytet një pikë të rëndësishme në historinë dhe kulturën e rajonit./atsh/KultPlus.com

“Kongresi i arsimit mbarëkombëtar shqiptar”, ekspozitë kushtuar Normales së Elbasanit

Muzeu Historik Kombëtar dhe Bashkia Elbasan organizuan diten e djeshme një ekspozitë të veçantë fotografike dhe dokumentare me titull “Kongresi i arsimit mbarëkombëtar shqiptar”,  në nder të 115-vjetorit të Kongresit të Elbasanit dhe hapjes së Shkollës Normale.

Ekspozita paraqet rrugëtimin historik të shkrimit të gjuhës shqipe dhe momente kyçe nga Kongresi i Elbasanit, si dhe nga Shkolla Normale, e para shkollë kombëtare e hapur në këtë qytet.

Ekspozita u çel pranë godinës ku u mbajt Kongresi i Elbasanit. Të pranishmit përjetuan një udhëtim historik dhe mësuan më shumë rreth trashëgimisë sonë kulturore.

Ekspozita është përgatitur me kujdes nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Arkivin Digjital të Elbasanit.

Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja, rektorja e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elvira Fetahu, deputetë, etj. Kongresi i Elbasanit pati rëndësi historike për vendimet që mori në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe zëvendësimin e tyre me shkolla shqipe./atsh/KultPlus.com

Busheku, oazi i historisë dhe natyrës

Pranë qytetit të Elbasanit, gjendet një nga pikat turistike më të pëlqyera, Busheku. Në analet e vjetra turke, kjo zonë njihej si Buzurshek. Disa gjuhëtarë mendojnë se emri Bushek mund të ketë prejardhjen nga termi “buzë sheut” (buzë rrjedhjes), që nënkupton lumin Shkumbin.

Kjo qendër me vlera të mëdha turistike, dikur priste dhe përcillte karvane tregtarësh që përshkonin rrugën Egnatia. Arkeologët kanë zbuluar gjurmë të një kishe të lashtë, një nga më të hershmet në këtë trevë.

Rrapet shekullore që bëjnë hije për pushuesit kanë një histori interesante, thuhet se kalorësia turke, në sulmin e saj kundër Sopotit, përdori Bushekun si vendqëndrim. Hunjtë ku u lidhën kuajt e tyre zunë rrënjë dhe u shndërruan në rrapet e sotshme.

Sot, Busheku ruan rëndësinë e dikurshme si pritës i qytetarëve që nuk kanë mundësi të shkojnë më tej drejt bregdetit. Uji i kristaltë që buron në këmbët e një shkëmbi masiv grumbullohet në një rezervuar të pëlqyer për vizitorët. Me zhvillimin ekonomik dhe kulturor të qytetit, perspektivat për Bushekun janë shumë të mëdha. Vitet e fundit, në këtë pikë turistike janë realizuar një sërë investimesh në infrastrukturë dhe vepra arti, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e kësaj zone turistike.

Projekti për rehabilitimin e rrugëve ka rritur interesin tek vizitorët. Pavarësisht se janë bërë hapa të rëndësishëm, ka ende shumë potencial për t’u shfrytëzuar.

Busheku, me historinë e tij të pasur dhe natyrën mahnitëse, vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për elbasanasit dhe turistët. Me investimet e duhura dhe promovimin e duhur, kjo perlë natyrore nga viti në vit po kthehet në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri.

Shumë turistë e kanë vizituar Bushekun këtë stinë vere, Anna e cila ka ardhur nga Gjermania e ftuar nga miqtë e saj shqiptarë pohon se “është një vend fantastik! Peizazhet janë të jashtëzakonshme dhe ajri është aq i pastër, ishte një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë.”

John, nga Minesota edhe ai një vizitor në Shqipëri, e cilësoi Bushekun si një parajsë për dashamirësit e natyrës, ndërsa vlerësoi si mbrësëlënëse mikpritjen e banorëve të kësaj zone. “Definitivisht një vend për t’u vizituar, vizita këtu më ka mbushur me energji dhe paqe”.

Busheku nuk është thjesht një destinacion turistik, por një oaz i gjallë i historisë dhe natyrës. Me rrapet e tij shekullore, ujërat e kristalta dhe gjurmët e lashta historike, ky vend ofron një eksperiencë unike për çdo vizitor. Me zhvillimin e vazhdueshëm dhe investimet në infrastrukturë, Busheku ka të gjitha mundësitë për të shndërruar në një nga perlat më të vlefshme të turizmit shqiptar./atsh/ KultPlus.com

Makinat historike ekspozohen në Elbasan, për Ditën e Verës

Festimeve të Ditës së Verës në Elbasan iu shtohet edhe koleksioni i makinave historike.

Dhjetëra mjete historike kanë zbritur në sheshin kryesor të qytetit, duke krijuar një atmosferë magjike dhe duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të shumtë.
Në këtë ambient të veçantë, nuk kishte si të mungonte punishtja e targave suvenir, ku qytetarët do të kenë mundësinë të personalizojnë targën e tyre.

“Elbasan i bukur, Elbasan… plot ngjyra dhe emocion, falë Retro n’Mimoza. Ju mirëpresim për të përjetuar një fundjavë ndryshe, plot surpriza dhe kujtime të paharrueshme në Sheshin “Gensher”, Elbasan”, bën të ditur DPSHTRR/atsh/KultPlus.com

Simpozium për Ditën e Verës në Elbasan, festa pagane që kremtohej si mirënjohje ndaj natyrës

Në kuadër të aktiviteteve me rastin e Ditës së Verës në Elbasan është zhvilluar një simpozium mbi historikun e kësaj feste pagane e cila në lashtësi, nuk u kremtua vetëm nga Elbasani, por kjo zonë e ruajti atë më me fanatizëm ndër shekuj.

Dita e Verës kremtohej si mirënjohje ndaj natyrës teksa çdo gjë niste të lulëzonte, atëherë kur ende njerëzimi nuk besonte në Zota.

Studiuesi tashmë 82 vjeçar Sytki Çerekja kujton edhe kohën kur ishte fëmijë dhe rëndësinë që kjo festë kishte për Elbasanin.

Simpoziumi mbi historikun e Ditës së Verës synon përçimin e kësaj feste në të gjitha detajet e saj, pa e deformuar, ndaj dhe pjesëmarrës ishin kryesisht të rinj e nxënës shkollash./topchanel/KultPlus.com

Rinisin gërmimet arkeologjike në Bazilikën e Elbasanit

Gërmimet arkeologjike kanë nisur sërish në bazilikën paleokristiane Extra Muros në qendër të qytetit të Elbasanit, duke nxjerrë në dritë jo vetëm objekte, por edhe fakte të reja.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky proces, që po kryhet nga Instituti i Arkeologjisë, nën drejtimin e arkeologut Elio Hobdari dhe ku janë përfshirë edhe studentë nga dega e Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës.

Margariti bëri të ditur se gërmimet do të zhvillohen në dy faza, ku e para do të vijojë deri në mesin e muajit korrik dhe më pas faza e dytë do të rifillojë në fillim të shtatorit.

“Faza e parë është fokusuar në disa vendvarrime në ambientet e bazilikës, të cilat po gërmohen dhe dokumentohen, ndërsa janë zbuluar elemente të reja arkitektonike si kapitele, pjesë kolonash etj.”, shtoi ajo./atsh/KultPlus.com

Fundi i dhimbshëm i 50 grave të pasura të Elbasanit në diktaturë

Jo vetëm burrat, por edhe gratë e pasura u shpërfytyruan nga komunizmi. Ato u detyruan që të braktisnin sjelljen e fisme, normat, virtytet dhe të transformoheshin sipas moralit revolucionar me kazma e lopata në duar, shpesh duke i detyruar të punonin në sektorët më të vështirë.

Kjo është një panoramë e viteve ’50 kur gratë dhe vajzat e familjeve më të pasura të qytetit të Elbasanit, pasi u përballën me sekuestrimin e pasurisë dhe pronave, u dërguan të hapnin kanale në bujqësi.

Këto bashkëshorte dhe bija qysh nga 1945 e deri më 1956, shtërnguan fort zemrën kur u burgosën, u pushkatuan, u internuan burrat dhe baballarët e tyre me vulën “armiq të popullit”, “kriminelë lufte” dhe “sabotatorë të Pushtetit Popullor”.

Këto nëna mbajtën mbi shpatulla për vite me radhë dhe provuan shumë nga mëria komuniste, që sa vinte bëhej me vrastare dhe pashpirt. Këto nëna provuan flakjen jashtë shtëpie, daljen në rrugë në mëshirë të të tjerëve, zhveshjen ekonomike dhe financiare, sepse parat ia morën deri në monedhën e fundit; mbetën pa orenditë e nevojshme për gatim, pa ushqime, pa shtroje e mbuloje.

Shkurt pushteti komunist shpejt, shumë shpejt i çoi në atë derexhe, sa po vihej në rrezik edhe jeta. Përveç rekuizimit dhe sekuestrimit, reforma të tjera ekonomike shtërnguese si ajo e triskimit, i detyronte të drejtoheshin për të punuar dhe mbajtur frymën. Por, për to puna ishte e caktuar qëllimisht dhe e vetmja punë për to ishte puna e krahut, sepse vetëm kështu arrihej varfërimi i tyre dhe për më tepër diskreditimi para opinionit shoqëror. Duhej të krijohej koncepti i ri, duhej përmbysur patjetër dinjiteti qytetar i këtyre familjeve, duhej të realizohej falsiteti i barazisë shoqërore të popullit në varfëri.

Kështu shumë gra elbasanase iu drejtuan punës së krahut, si e vetmja mundësi për të mbijetuar dhe siguruar bukën e gojës. Historikisht dihet që femra elbasanase dhe sistemet shoqërore të tjera kishte punuar por kurrë në punë fizike krahu. Edhe para e gjatë luftës gratë e shtresave të varfra punonin si shërbyese, si mbledhëse ullinjsh, në zhveshje e shkoqje misri, por kurrë në punë të rëndë krahu apo ndërtim. (Nga editori, infoelbasani.al)./ KultPlus.com

Funari, një prej mrekullive natyrore të Elbasanit

Funari, një prej mrekullive natyrore të Elbasanit, është pjesë e programit “Elbasani 2030” për ta kthyer në një prej destinacioneve turistike më të vizituara.

Funari është një prej perlave natyrore të Elbasanit, që vit pas viti po vizitohet nga turistë të shumtë.

Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, Funari është fshati që ndrin buzë liqenesh i rrethuar me pyje dhe gjelbërim. Ajo që e bën akoma më tërheqës është ngjyra e gjelbër e ujit të liqeneve, e cila krijon një vezullim prej smeraldi.

Është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, apo rezervuarë të ndarë në dy, brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.

Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit./ atsh / KultPlus.com

1-5 maj, Festivali Ndërkombëtar i Kukullave në Elbasan

Ka nisur në Elbasan Festivali Ndërkombëtar i Kukullave. Ky është edicioni i tij i parë që u hap dje, në teatrin Skampa dhe do të vazhdojë deri në datën 5 maj.

Në programin e këtij festivali janë parashikuar shfaqje nga trupa teatrale që vijnë nga vende të ndryshme të Europës e Mesdheut si: Belgjika, Italia, Mali i Zi, Tunizia, Turqia, Çekia, Franca dhe Irlanda.

Në ditën e parë të festivalit u prezantua Teatri i Kukullave të Elbasanit me pjesën “Në botën e çokollatave” si dhe përfaqësuesit nga Tunizia me pjesën “Takimi”.

Shqipëria në këtë takim të rëndësishëm të teatrove të kukullave përfaqësohet me Teatrin e Elbasanit, të Korçës dhe të Tiranës. / atsh / KultPlus.com

Funari, një prej perlave natyrore të Elbasanit

Funari, një prej perlave natyrore të Elbasanit, vit pas viti po vizitohet nga turistë të shumtë.

Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, Funari është fshati që ndrin buzë liqenesh i rrethuar me pyje dhe gjelbërim. Ajo që e bën akoma më tërheqës është ngjyra e gjelbër e ujit të liqeneve, e cila krijon një vezullim prej smeraldi.

Është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, apo rezervuarë të ndarë në dy, brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.

Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit./atsh / KultPlus.com

Rama: Pista e parashutizmit në Funar, kompleton guidën turistike të Elbasanit

Funari, rreth 20 km larg Elbasanit do të ketë së shpejti një pistë parashutizmi, 75 km shtigje malore dhe një pikë informimi të vizitorëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e pistës së parashutizmit, një nga projektet më të mira për zhvillimin e turizmit në Elbasan.

Rama  shprehet se në kuadër të projektit më të ri turistik në Elbasan, “Funari Adventure Park”, ka nisur puna për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km të shtigjeve malore dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve, investim që do ta kompletojë edhe më shumë guidën turistike në këtë qytet.

Kjo pistë po ndërtohet në bashkëpunim me Bashkimin Europian me fondet IPA Crosporter dhe me të Maqedonisë së Veriut.

Pista është më e madhja që po bëhet në Shqipëri, ku janë 3000 m2 të rehabilituara totalisht të shtruara me tapetin sipas standardit më të mirë ndërkombëtar, për të pasur një turizëm të qëndrueshëm në Elbasan.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë. / atsh / KultPlus.com

133 tituj librash i shtohen Bibliotekës Publike në Elbasan

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja mori pjesë sot në një takim me punonjës të bibliotekës së Elbasanit dhe të rinj, në kuadër të Tetorit të Librit.

Në takimin e zhvilluar në një nga bibliotekat më të pasura, sidomos me fonde albanologjike e balkanologjike, “Qemal Baholli”, u diskutua për librin si dhe problematikat e të rinjve dhe qytetit të Elbasanit, në përgjithësi.

Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare dhuroi 133 tituj librash për Bibliotekën Publike duke e pasuruar me vepra të autorëve tanë klasikë, nobelistë e klasikë të huaj, si dhe botime origjinale të para Luftës II Botërore.

Tetori është një muaj, i cili e lidh lexuesin më shumë me librin dhe nevojën që ata kanë për t’u mbështetur te leximi. / KultPlus.com

li

Teatri Skampa feston 60-vjetorin

Trupa e Teatrit Skampa festoi mbrëmë dy ngjarje; 60-vjetorin e institucionit dhe nisjen e festivalit ndërkombëtar të teatrove në vitin e 24-t.

Në Elbasan do të ngjiten në skenë 9 shfaqje teksa këtë vit artistët tanë mikpresin edhe trupa teatrore nga Kosova, Italia, Spanja dhe Polonia.

Nata e kaluar, mblodhi të gjithë aktorët dhe regjisorët që krijuan historinë e Teatrit “ Skampa” dhe të tjerë nga kinematografia shqiptare.

“Jashtë bie borë” është shfaqja që çeli festivalin traditë, ku për 6 netë qytetraët kanë mundësi të shikojnë shfaqje të ndryshme. Në këtë jubile u nderuan edhe figura të njohura të skenës teatrore të qytetit./Tv Klan/ KultPlus.com


Bena, fshati malor i Elbasanit i mbushur me parqe bletësh

Fshati Benë, i Njësisë Administrative Labinoit Mal, zonë e thellë malore e pyllëzuar me gështenjat, të cilat njihen si më të mirat në vend, ka nisur edhe prodhimin e mjaltit të gështenjës.

Kjo zonë, njihet për mbarështimin e bletarisë, si edhe prodhimin e mjaltit të gështenjës, i cili është më speciali në vend.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka parë nga afër parkun e bletëve, si edhe prodhimin e mjaltit, duke bashkëbiseduar me fermerët, të cilët mbarështojnë bletë dhe prodhojnë mjaltin e gështenjës në këtë zonë të pyllëzuar.

Një nga fermerët, Qemali, i cili njihet si një ndër mbarështuesit e bletarisë si edhe prodhimin e mjaltit, ka folur edhe për vlerat e rralla kurative që ka mjalti i gështenjës, si edhe kërkesat të cilat sa vijnë dhe rriten për tregtimin e tij, në mbarë vendin, por jo vetëm.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Llatja premtoi se “do të bëjë të mundur që nëpërmjet subvencioneve që shteti ofron, të mundësojë edhe për këta fermerë fonde, me qëllim që të rrisë kushtet e tregtimit të mjaltit, si edhe vlerat kurative që ai ka në mbarë vendin”.

Madje kryebashkiaku ka deklaruar se bashkia e Elbasanit, vazhdon të mbështesë fermerët jo vetëm për të lehtësuar transportin e tyre në tregje por edhe duke ofruar mbështetje financiare nëpërmjet subvencioneve.

“Për këtë qëllim, do të ftoja edhe fermerët e zonës së Benës, në Labinotin Mal, që të aplikojnë me anë të Skenës Kombëtare, me qëllim që të vazhdojnë të prodhojnë këtë produkt shumë kurativ, pasi edhe me investimet e fundit që janë bërë në infrastrukturë, ata kanë mundësi që të tregtojnë mjaltin kudo”, tha Llatja.

Fshati Benë i Labinotit Mal, njihet për zonën e pyllëzuar dhe mbarështimin e bletës, vetë fermerët kanë krijuar parqe me koshere, ku janë më shumë se 1200 të tilla që ndodhen në këtë zonë të thellë malore të Elbasanit.

Vetëm për një vit, këta fermerë i japin Shqipërisë rreth 15.600 kg mjaltë gështenje që shquhet për vlerat e tij kurative./atsh/ KultPlus.com

IKTK përfundon planin për ruajtjen dhe mbrojtjen e qendrës historike të Elbasanit

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, me iniciativën e Ministrisë së Kulturës, ka përfunduar procesin e hartimit të “Planit për Ruajtjen, Mbrojtjen dhe Administrimin e qendrës historike të Elbasanit dhe zonës mbrojtëse të saj”.

Pas miratimit në Këshilli Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), procesi do të vijojë me fazën e miratimit me vendim të Këshillit të Ministrave.

Qyteti i Elbasanit, me fillesa të tij që në shek. II pas Kr., por edhe më herët si itinerar kalimi, njihej me emrin Candavia. Më pas, është bërë i njohur si qendër antike kur ka nisur jetën si një pikë e itinerarit të “Via Egnatias”. Duke pasur një pozitë të favorshme gjeografike, shpejt u kthye në stacion kryesor të rrugës Egnatia.

Qendra historike e Elbasanit përfshin të gjithë lagjen brenda mureve rrethuese të kalasë si edhe sipërfaqen që kufizohet nga 3 rrugë. Kalaja e Elbasanit, së bashku me muret rrethuese dhe banesat me arkitekturë vernakulare, përfshihen në grupin e ansambleve urbane tradicionale.

Urbanistika e ansamblit të banuar brenda kalasë, ruan trajtat organike, origjinale në shtrirje, tipike e vendbanimeve të traditës.

Ndër vite, struktura urbane, duke ruajtur identitetin e saj, pranoi ndryshimin, përshtatjen dhe transformimin si elemente konceptualë të domosdoshëm të formës urbane, në përpjekje për t’iu përgjigjur ndryshimeve të jetës shoqërore dhe urbane të qytetit. /KultPlus.com

19 vjet pa përkthyesin e njohur, Robert Shvarci

Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./ KultPlus.com

The Chicago Tribune në vitin 1921: Pas tërmetit shkatërrues në Elbasan, dy amerikanë të ndihmës sociale organizuan një shkollë për 300 fëmijë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Mars 2022

“The Chicago Tribune” ka botuar, të premten e 11 shkurtit 1921 dhe të mërkurën e 8 shkurtit 1922, dy shkrime në lidhje me ndihmën e dy grave amerikane ndaj fëmijëve shqiptarë pas një tërmeti shkatërrues asokohe në Elbasan, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Gratë amerikane organizojnë shkollë për shqiptarët

Se si dy punonjëse amerikane të ndihmës sociale organizuan një shkollë për 300 fëmijë shqiptarë pasi një tërmet shkatërroi shtëpitë e tyre, tregohet nga Majori E. J. Swift i Kryqit të Kuq Amerikan, i cili është personi i parë që ka arritur nga Parisi në Elbasan, Shqipëri, ku 3.000 shtëpi u shkatërruan në tërmetin e fundit që shkaktoi humbjen e katërmbëdhjetë jetëve.

Zonjusha Winifred Warren, Nju Jork dhe zonjusha Norah (Hazel) Ruddy, Çikago, ishin vendosur në Shqipëri në lidhje me punën e Kryqit të Kuq të Rinjve”, tha Major Swift. “Sapo ndodhi tërmeti, ato organizuan ndihmë për të vuajturit dhe ngritën tenda për ata që kishin mbetur të pastrehë.

Kur të plagosurit dhe të pastrehët u mjekuan”, vazhdoi Maj. Swift, dy gratë e Kryqit të Kuq, të cilat ishin vetëm punonjëse të ndihmës së shpejtë në vend, menjëherë ndërmorën hapa për të vazhduar mësimet e fëmijëve dhe, meqë moti ishte i favorshëm, i mbajtën ata nën portokallitë. U vendosën stola dhe tavolina me portokallitë sipër, sikur situata të ishte normale.

Heroina e tërmetit arrin në Paris

Burimi : The Chicago Tribune, e mërkurë, 8 shkurt 1922, f.2
Burimi : The Chicago Tribune, e mërkurë, 8 shkurt 1922, f.2

Zonja Winifred K. Warren, e dekoruar tri herë nga qeveria shqiptare për veprën e saj heroike gjatë tërmetit të vitit të kaluar, mbërriti dje në Paris dhe ndodhet në hotel Sylvia për disa ditë para lundrimit për në Amerikë.

Zonja Warren dhe Zonja Hazel Ruddy, një tjetër vajzë amerikane, ishin në Elbasan kur ndodhi tërmeti, 30 kilometra me kalë nga vendbanimi më i afërt. Ato ishin ndër të paktët të mbijetuar të fatkeqësisë dhe punuan për shumë orë pa pushim për të shpëtuar të plagosurit dhe për t’u dhënë shërbim mjekësor. Të dyja vajzave iu dha mirënjohja më e lartë e qeverisë shqiptare si shpërblim për shërbimet e tyre. /KultPlus.com

Së shpejti promovohet “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” nga autori Fatmir Toçi

Së shpejti në Elbasan do të promovohet libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” nga autori Fatmir Toci, përcjell KultPlus.

Libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” është botim i shtëpisë botuese ‘Toena’ dhe do të promovohet pikërisht të enjten, më 20 janar 2022 duke filluar nga ora 11:00.

Eventi mbahet në mjediset e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në sallën 107 në Teatrin e Universitetit (korpusi qendror).

Organizatorët e këtij eventi janë: Universiteti “Aleksandër Xhuvani” (Elbasan), Klubi i Krijuesve (Elbasan) dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit (Tiranë).

Për librin do të diskutojnë: Prof. as. dr. Teuta Toska, drejtuese e Departamentit të Gjuhësisë (moderatore), Prof. as. dr. Peçi Naqellari, zv. rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. as. dr. Rudina Mita, drejtuese e Departamentit të Historisë dhe Gjeografisë, Dr. Dorian Koçi, historian, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Fatmir Musai shkrimtar, Klubi i Krijuesve Elbasan, Prof. as. dr. Elvira Lumi, studiuese e letërsisë arbëreshe dhe Fatmir Toçi, autori i librit. / KultPlus.com

Kryeministri Rama: S’kam për të marrë kurrë patentë, nuk e ngas dot makinën sepse kam këmbët e gjata

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Elbasan platformën e Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, duke nisur kështu fushatën sensibilizuese.

Në një takim publik me qytetarë, ndër të tjera Rama nuk hezitoi të shkëmbente edhe batuta. Teksa argumentonte se si do të hiqen sportelet nga viti 2022 për të shmangur korrupsionin në administratë, Rama përmendi sërish faktin se nuk ka patentë.

“Nuk kam për të marrë patentën se nuk jam i zoti që të ngasë makinë, plus kam dhe këmbët shumë të gjata”, tha Rama. / KultPlus.com

Tre motrat sjellin ekspozitën “Qielli në ToKë”, do të prezantohet të shtunën në Galerinë ODA

Galeria ODA do ta mirëpres ekspozitën “Qielli në ToKë” të shtunën, kur edhe do të bëhet prezantimin i saj nga tre motra të lindura dhe rritura në Belsh të Elbasanit, shkruan KultPlus.

Puna e tyre i drejtohet disa mediumeve të artit pamor si pikturë, fotografi dhe dizajn.

Duke mos e toleruar realitetin e padrejtë, shpeshherë janë bërë pjesë e kauzave politike dhe sociale në vend. Ato kanë marrë pjesë në disa ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

Kjo ekspozitë vjen si një përmbledhje nga disa punime në pikturë dhe skica të realizuara përgjatë udhëtimeve.

Piktura e tyre fakton si një ditar autobiografik të imazhit gjatë udhës, brenda tokës së tyre të brendshme, apo pranë intimitetit familjar, i cili qartëson nevojën humane të njeriut.

Ekspozita e pikturës do të jetë e hapur nga ora 17:00, më 20 nëntor në Galerinë Oda. /KultPlus.com