Elbasani mirëpret trofeun ‘Dita e Verës’, çiklistët pushtojnë rrugët e qytetit

Elbasani mirëpriti sot trofeun “Dita e Verës”, një aktivitet tashmë tradicional që mbledh çiklistë nga qytete të ndryshme të vendit, duke promovuar sportin dhe një stil të shëndetshëm jetese.

Të apasionuarit pas çiklizmit kaluan një ditë fantastike, duke përshkuar rrugët e qytetit në një atmosferë festive dhe plot energji. Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili vlerësoi angazhimin e të rinjve dhe sportdashësve në këtë event të rëndësishëm.

Falë masave të marra nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake, turi u zhvillua pa probleme, duke garantuar sigurinë e çiklistëve dhe qytetarëve që ndoqën nga afër këtë garë sportive.

Trofeu “Dita e Verës” është kthyer në një traditë që jo vetëm promovon sportin, por edhe promovon qytetin e Elbasanit si një destinacion të rëndësishëm për evente sportive dhe kulturore. /atsh/ KultPlus.com

Elbasani rikthen nostalgjinë me aktivitetin Retro në kuadër të Ditës së Verës

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka përshëndetur sot aktivitetin Retro që u zhvillua në qendër të qytetit, si pjesë e vijimit të festimeve për Ditën e Verës.

“Dita e Verës nuk ka mbaruar në Elbasan, por vijon me aktivitete dhe surpriza të shumta gjatë gjithë fundjavës. Sot Retro ka ardhur në mëngjes në Elbasan, ku shumë nga ata që i pëlqejnë makinat e vjetra të stilit retro, por edhe kureshtarët, sidomos të rinjtë që nuk kanë njohuri për makinat klasike, kanë pasur mundësinë t’i vizitojnë.

Gjithashtu, në shesh vijojnë aktivitetet për fëmijët, koncerti i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe të Rinjve. Ndërsa në orën 16:00 të ditës së sotme do të vijojmë sërish me një super aktivitet, ku vetëm një natë më parë pati një aktivitet me këngë popullore, ku grupe nga të gjitha trevat shqiptare performuan në qendrën e qytetit të Elbasanit.

Aktivitete të shumta na presin edhe të dielën,” përfundoi Llatja./atsh/ KultPlus.com

Elbasani nis festimet për Ditën e Verës, një javë e mbushur me traditë dhe muzikë

Elbasani ka nisur sot festimet për Ditën e Verës, duke e kthyer qytetin në një skenë të gjallë plot muzikë, ngjyra dhe atmosferë festive.

Si çdo vit, Elbasani mirëpret mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët bashkohen në një festë që mishëron traditën, kulturën dhe gëzimin e ardhjes së pranverës.

Festimet u hapën me aktivitetin “Trashëgimia në duart e vogla”, ku fëmijët e kopshteve të qytetit shfaqën talentin e tyre përmes lojërave tradicionale, punimeve artistike dhe këngëve festive.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se këtë vit festimet do të zgjasin një javë, me një program të pasur që kulmon më 15 Mars, kur qyteti do të kthehet në një arenë të madhe festive.

“Elbasani e jeton ndryshe Ditën e Verës dhe këtë vit kemi zgjeruar aktivitetet për ta bërë këtë festë edhe më të veçantë. Nga defiletë e kostumeve tradicionale, koncertet e mëdha, ekspozitat dhe panairet e kulinarisë, deri tek aktivitetet për fëmijë dhe të rinj, Elbasani do të jetë epiqendra e festimeve pranverore.”

Një javë festive plot surpriza

Mbrëmjen e 12 Marsit rikthehet defileja e Kostumeve Tradicionale, një paradë që do të sjellë në skenë kulturën dhe folklorin e trevave shqiptare.

13 Marsi do të sjellë atmosferën e zjarrtë të Natës së Verës, ku koncertet dhe performancat artistike do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit.

Në 14 Mars, një program i pasur me aktivitete do të kulmojë me super koncertin e mbrëmjes, ndërsa më 15 dhe 16 Mars festimet do të vijojnë me aktivitete për fëmijë, panaire tradicionale dhe evente kulturore.

“Këtë vit, Elbasani është gati të mirëpresë të gjithë ata që duan ta jetojnë këtë festë në zemër të traditës. Ju ftoj të gjithë, kudo që ndodheni, të vini në Elbasan dhe të festojmë së bashku këtë trashëgimi të bukur, duke sjellë energji, gëzim dhe dashuri për një pranverë të mbarë”, tha Llatja.

Dita e Verës, Elbasani qendra tradicionale e festimeve

Si çdo vit, Elbasani, qyteti i lashtë nga festimet e Ditës së Verës, është gati të mirëpresë mijëra vizitorë me një atmosferë magjike pranverore.

Rrugët e qytetit janë dekoruar me lule shumëngjyrëshe, ndërsa aktivitetet festive do të startojnë më 9 mars dhe për herë të parë, do të zgjasin deri më 16 mars.

Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe tradicionale, që do të kulmojnë më 14 mars, ditën e shënuar të kësaj feste unike shqiptare.

Agjenda e aktiviteteve festive:

9 Mars
Ora 10:00 – Trashëgimia në duart e vogla (Pjesëmarrës: fëmijët e kopshteve) – Lulishtja “A. Pasha”

10 Mars
Ora 10:00 – Koncert festiv me fëmijët – Parku Rinia

12 Mars
Ora 10:00 – Panairi i zejeve dhe kulinarisë (Nxënësit e shkollave) – Rrugicat e Kalasë
Ora 16:00 – Defile e ansambleve – Bulevardi “Q. Stafa”

13 Mars
Ora 18:00 – Sofra e Ditës së Verës – Fish City
Me pjesëmarrjen e Artan Bakias, Kastriot Tushës, Anxhela Peristerit, Ansamblit “Isuf Myzyri”, këngëtarëve të rinj elbasanas.

Ora 19:00 – Koncert Gala – Sheshi Gensher
Me artistët Alban Skënderaj, Soni Malaj, Anxhela Peristeri, Klint Collaku, Englantina Toska dhe DJ.

14 Mars – Dita e Verës
Ora 09:00 – Media Point – Përballë Sahatit
Ora 09:00 – Photo Point LED Wall – Sheshi Gensher
Ora 09:00 – Panairi i zejeve – Bulevardi
Ora 09:00 – Panairi i ballokumes – Lulishtja “Aqif Pasha”
Ora 10:00 – Karnavalet e shkollave – Bulevardi “Q. Stafa”
Ora 11:00 – Koncert në shesh me Elita 5 dhe Ardit Çuni
Ora 18:00 – Koncert elektronik – Sheshi Gensher

15 Mars
Ora 10:00 – DJ Set – Sheshi Gensher
Ora 10:00 – Retro Parade – Sheshi Gensher
Ora 20:00 – Koncert me Redon Makashin dhe Altin Gocin – Sheshi Gensher

16 Mars
Ora 10:00 – Çiklizmi
Ora 18:00 – Një lulishte me trëndafila – Teatri Skampa

Me një program kaq të pasur, Elbasani do të mirëpresë banorë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria për të festuar së bashku Ditën e Verës, festën e ngrohtësisë, traditës dhe gëzimit.

Elbasani dhe tradita shekullore e Ditës së Verës

Dita e Verës është një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi. Origjina e saj lidhet me kultin e natyrës dhe festimin e rikthimit të diellit pas dimrit të ftohtë. Kjo festë, e cila dikur kremtohej vetëm në Elbasan, sot është bërë një simbol kombëtar i pranverës dhe gëzimit.

Në Elbasan, qendra tradicionale e festimeve, Dita e Verës ruan ende zakonet e vjetra si përgatitja e ballokumes, një ëmbëlsirë tradicionale e bërë me miell misri, sheqer dhe gjalpë. Familjet mblidhen së bashku, shtëpitë hapin dyert për miqtë dhe qyteti mbushet me muzikë, vallëzime dhe panaire.

Nga një festë e vogël lokale, sot Dita e Verës është bërë një nga festat më të mëdha të vendit, ku Elbasani kthehet në kryeqendrën e gëzimit dhe mikpritjes. Ky qytet e ka bërë festën një pjesë të pandashme të identitetit të tij, duke ruajtur traditën dhe duke e përcjellë atë brez pas brezi./ KultPlus.com

Elbasani, i pari qytet që shpalli pavarësinë

Qyteti i parë që shpalli pavarësinë, ishte qyteti i Elbasanit.

Rrethanat historike si dhe në dakordësi me Ismail Qemalin, Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani) do të shpallte pavarësinë më 25 nëntor të 1912-ës, duke e bërë Elbasanin të parin qytet të Shqipërisë që shpalli mëvetësinë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë sjell Deklaratën e Pavarësisë të Elbasanit, në të cilën shkruhej: “Shpallje për vetëqeverimin e Shqipnisë. Ne, populli i Elbasanit, pa ndonjë detyrim nga jashtë apo nga brenda, por nga dëshira jonë e lirë bashkë me të gjithë qytetet e Shqipërisë po ia bëjmë të ditur gjithë botës së qytetëruar, se sot e shpallim veten tonë plotësisht të shkëputur nga Mbretëria turke, duke u rreshtuar si një komb i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve dhe me mbrojtjen e qeverive të Europës shpall se do të qeverisë me nder, drejtësi dhe paanësi të plotë, pa bërë asnjë dallim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huaj në këtë qeveri shqiptare, do të mundë të rrojë lirisht duke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe ne kemi ndërmend të rrojmë vëllezërisht edhe me shtetet fqinj, pa dashur t’u bëjmë as më të voglin dëm, por duke iu lutur të na ndihmojnë në qeverisjen tonë, sikurse na ndihmuan edhe në rrëzimin e qeverisë turke.
Rroftë Shqipëria e lirë! Kështu e bëftë Zoti!”./atsh/KultPlus.com

100 qytetet e gjelbra/ Elbasani pjesë e projektit të BE për ndryshimet klimatike

Është mbajtur në Elbasan workshop-i mbi transformimin e ndryshimeve klimatike, i cili vjen si pjesë e misionit për 100 qytetet e gjelbra të Bashkimit Europian.

Me synimin e madh për të ndryshuar të kaluarën historike të ndotjes së mjedisit, Bashkia e Elbasanit është bërë pjesë e këtij projekti duke synuar nxitjen e një klime miqësore me mjedisin.

Kontrata jonë klimatike qaset në 5 pika kyçe, ku e para është transporti, e dyta është mënyra e të menduarit green, e treta është urban plan, projektimi i godinave të reja dhe menaxhimi i mbetjeve. Një nga projektet tona më ambicioze është të arrijmë të prodhojmë energjinë që harxhojmë në qytet nëpërmjet mënyrave efikase të prodhimit të energjisë pa impakt në mjedis”, u shpreh kryetari i Bashkisë Elbasan.

Të flasësh për neutralitet klimatik në një qytet të vështirë si Elbasani, është për t’u vlerësuar dhe përgëzuar tha ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila shtoi se Shqipëria nuk ndryshon dot klimën e botës, por është viktimë e saj.

Unë mendoj, që jo vetëm në Shqipëri, ka ende një hendek shumë të madh mes strategjive dhe realitetit. Dhe prandaj e vlerësoj shumë iniciativën e bashkisë së Elbasanit që e merr këtë angazhim në një bashki shumë të vështirë, që nga fakti historik që e ngarkoi me një industri të rëndë që sot ja ka lënë mbi shpinë. Sot falë rivlerësimit të pasurive natyrore kjo bashki po merr një vëmendje turistike e natyrore”, u shpreh Kumbaro.

Ndryshimet klimatike kërkojnë kosto të mëdha dhe mbështetje të madhe theksoi Drejtori i Projekteve të 100 qyteteve të gjelbra Patrick Child i cili vuri në dukje rolin thelbësor që ka qeveria qendrore.

Përgëzoj Shqipërinë, përgëzoj Elbasanin që kanë bërë bashkë kaq shumë njerëz të cilët punojnë së bashku për sfidat e misionit të qyteteve të gjelbra. Mendoj që gjëja më e rëndësishme është se misioni i qyteteve është një shprehje praktike e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane në planin lokal”, u shpreh drejtori i projektit Patric Child.

Në takimin i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, morën pjesë dhe ndanë eksperiencat dhe projektet e tyre dhjetëra bashki të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa edhe një herë u theksua rëndësia e përfshirjes së sa më shumë qyteteve në misionin e madh të neutralitetit zero në mjedis./topchanel/KultPlus.com

Elbasani zgjedh përfaqësuesit në festivalin folklorik

Edhe Elbasani ka zgjedhur përfaqësuesit për festivalin folklorik të Gjirokastrës. Aktiviteti u zhvillua në teatrin Skampa të qytetit. Morën pjesë grupe nga të shtata bashkitë e qarkut, ndërsa u zgjodhën më të mirët për të marrë pjesë në festivalin e 11.

Pjesëmarrës ishin grupmosha të ndryshme ndërsa në skenë u sollën vlerat e folklorit të Shqipërisë së Mesme me këngë e valle. Përfaqësuesit zgjidhen edhe nga qarqet e tjera të vendit. Me herët, më të mirët u zgjodhën edhe në Gjirokastër, vendi pritës i festivalit në kalanë e Argjirosë.

Festivali folklorik kombëtar do të zhvillohet në fund të muajit Qershor. Aktiviteti rikthehet pas 8 viteve mungesë, për shkak edhe të pandemisë së Covid-19.

Ky organizim konsiderohet si më i rëndësishmi kulturor që ka edhe vlera turistike pasi Gjirokastra frekuentohet nga vizitorë të shumtë, jo vetëm vendas por edhe të huaj./KlanNews/ KultPlus.com

Sot në Shqipëri shënohet ‘Dita e Verës’

Sot festohet ‘Dita e Verës’, edhe pse nën kushtet e pandemisë. Kur përmendin ‘Dita e verës’ mendja direkt na shkon në Elbasan. Sigurisht që kjo festë është një traditë mbarëkombëtare e cila festohet nga jugu në veri, por “shtëpinë” e saj e ka në qytetin e Elbasanit.

Shqiptarët mbahen si popull që jetojnë e gëzojnë në harmoni me njëri – tjetrin. Kjo gjë dëshmohet që në lashtësi, në kohët kur shqipëtarët ishin paganë. Një nga traditat pagane është edhe “Dita e Verës”, e cila kremtohet më 14 mars. Kjo datë simbolizon për rigjenerimin e natyrës, ardhjen e pranveres, ardhjen e kësaj stine e cila sjell përtëritjen e natyrës, por jo vetëm, sjell edhe përtëritjen shpirtërore.

Në rrethinat e Elbasanit, konkretisht në Çermenikë sipas gojëdhënave u ndërtua një faltore me emrin “Zana e Çermenikës” ose e njohur ndryshe në mitologjinë greke Diana, perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Ishte koha kur nuk ishin krijuar ndasitë fetare dhe shqiptarë, grekë e romakë kremtonin së bashku duke iu falur perendive, luleve, natyrës.

Zanafilla ishte në qytetin e Elbasanit dhe ky qytet e ka ruajtur traditën dhe e feston bindshëm këtë festë, ndryshe nga krahinat e tjera. Por cilat janë ato detaje që simbolizojnë këtë festë?

1. Ballokumet, simboli i embëlsisë, sinonimi i Ditës së verës, një nga gatimet tipike të krahinës së Elbasanit. Bëhet vetëm me 14 mars dhe përbëhet nga katër elementë: miell(misri dhe gruri), gjalpë, vezë(mundësisht fshati) dhe sheqer. Aq e thjeshtë në dukje por me një mund të madh për amvisat pasi procedura e gatimit do kohë që të realizohen ballokumet e duhura.

2. Njerëzit në natën e 13 marsit vendosin në duar verore. Verorja përbëhet nga fije të bardha e fije të kuqe. Ngjyra e bardhë simbolizon dritën, paqen, pastërtinë, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon gjakun, ngrohtësinë, dashurinë. Sipas traditës veroret hiqen dhe vendosen në degën e një peme me ardhjen e dallëndyshes së parë, duke shprehur një dëshirë.

3. Thuhet se në datën 14 mars, pa lindur akoma dielli, duhet të hapim dyert e shtëpisë, në mënyrë që të deportojnë rrezet e para të diellit pranveror që largojnë të keqen dhe mirëpresin të mirën, begatinë. Të moshuarit, sidomos në qytetin e Elbasanit, ende i aplikojnë këto zakone.

4. Ndezja e zjarrit që simbolizon largimin e së keqes dhe pjellorinë e tokës.

Në dy vitet e fundit, ndryshe nga çdo vit tjetër, kjo festë është festuar në kushte pandemie. /KultPlus.com

Elbasani, qyteti model në respektimin total të rregullave si pasojë e COVID – 19


Jo më kot një ditë më parë vetë Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, vlerësoi Elbasanin si qytetin model në respektimin total të rregullave si pasojë e COVID – 19.

Elbasani ishte qyteti i parë që vendosi rrathët e verdhë në supermarkete dhe në bankat e nivelit të dytë ku kohët e fundit ka pasur radhë të gjata, pasi njerëzit kryejnë shërbimet bankare si edhe bëjnë pazaret e ditës.

Bashkia e Elbasanit e ka kthyer në rutinë çdo ditë edhe dezinfektimin e qytetit, ku mjetet e Bashkisë qarkullojnë në të gjithë rrugët kryesore dhe dytësore duke pastruar dhe dezinfektuar rrugët.

Gjithashtu vetë kreu i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka angazhuar të gjithë stafin e bashkisë që të shkojnë tek të gjithë pensionistët e vetmuar që t’i vijnë në ndihmë këtyre të fundit për t’i bërë pazaret e ditës, me qëllim që këta të fundit të mos dalin vetë në rrugë.

Sakaq një fushatë e cila ka nisur që në fillimet e shfaqjes së COVID– 19 është edhe shpërndarja e ndihmave humanitare.

Çdo ditë ekipi i bashkisë i mbështetur nga shoqata të ndryshme bamirësie vijojnë shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe medikamenteve tek të moshuarit e vetmuar si edhe tek familjet më në nevojë.

Vetëm në njësinë administrative Bradashesh, operacioni humanitar i kryesuar nga vetë kreu i bashkisë Gledian Llatja u ndal tek të moshuarit që jetojnë vetëm, familjet më në nevojë si edhe tek personat me aftësi ndryshe ku janë shpërndarë 150 pako me ndihma ushqimore, barna mjekësore si edhe bërjen e pazareve.

Edhe një herë Llatja ka bërë thirrjen publike për të gjithë qytetarët Elbasanit më së shumti ata nën 45 vjeç që të ndihmojnë të moshuarit në lagjet e tyre në këto ditë të vështira./atsh / KultPlus.com

106 vjet më parë Elbasani ngriti flamurin e Pavarësisë

106 vjet më parë ishin patriotët e Elbasanit ata që shpallën Pavarësinë e qytetit të tyre për t’i hapur rrugë më pas Pavarësisë së Shqipërisë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë, Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, deputetë, pushtetarë të tjerë vendorë, veteranë dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ngriti simbolikisht Flamurin e Pavarësisë, pranë memorialit të Partiotit Aqif Pasha, ndërsa mbajti fjalën e rastit duke nderuar kontributin e atyre që dhanë jetën për Pavarësinë e vendit.

“Po me të njëjtat sakrifica dhe përkushtim duhet të punojmë fort për ta zhvilluar edhe më tej qytetin tonë, vendin tonë”, theksoi Sejdini.

Vlerat e këtij organizimi i shtoi ekspozita me fotografi të Elbasanit të 100 viteve më parë, marrë nga arkivat e Vjenës, një kontribut ky i qytetarëve të Elbasanit që edhe një herë tregojnë vlerat e tyre të jashtëzakonshme në kulturë dhe qytetari, shkruan ata.

62 fotografi që sjellin Elbasanin e viteve 1916-1918 ku shohim një zhvillim dhe qytetërim të hershëm të një qyteti që ndoshta ka ende për t’u zbuluar./ KultPlus.com

Ansambli nga Elbasani merr çmimin e parë në Prizren

Ansambli i këngëve dhe i valleve “Isuf Myzyri” nga Elbasani ka marrë çmimin e parë në festivalin dyditor “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”.

Ndërsa ansambli “Marinarët nga Ulqini” është renditur i dyti dhe pas tij ansambli “Xheladin Zeqiri” nga Tetova. Ky festival, që është mbajtur për herë të parë në qytetin e vjetër, sipas organizatorëve, ka bashkuar tetë ansamble këngësh nga viset shqiptare. Pas paraqitjes së të gjitha ansambleve, festivali është mbyllur të enjten mbrëma.

informatorin e festivalit shkruan se ky festival është ideuar nga shoqëria kulturo-artistike “Agimi” dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Komunës së Prizrenit dhe donatorë të tjerë.

“Interesimi për këtë festival ishte i jashtëzakonshëm, për çka një numër i madh i dashamirëve të këngës dhe vlerave të mirëfillta muzikore mbetën jashtë salle”, thuhet në informatorin e festivalit, në saje të së cilit është bërë thirrje për investime në objekte reprezentative kulturore në Prizren.

Aty theksohet se në natën e parë të festivalit në skenë janë paraqitur SHKA “Agimi”, “Marinarët” nga Ulqini, “Dogru Yol” nga Prizreni dhe “Tirana Folk” nga kryeqyteti i Shqipërisë, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com