Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku mbrëmë ka ndjekur nga afër paraqitjen e sopranos Elbenita Kajtazi dhe tenorit Saimir Pirgu, në Teatrin e Operës së Vjenës, shkruan KultPlus.
Me këtë rast, Ministri Çeku ka thënë se sopranoja Kajtazi me rolin e Mimit të “La Boheme” pati një paraqitje të shkëlqyer, përkrah një shqiptari tjetër të dëshmuar gjithashtu, tenorit Pirgu.
“Mbrëmë Elbenita Kajtazi u ngjit në njërën ndër skenat kryesore të operës në botë. Sopranoja jonë e talentuar, përveç që bëri historinë si shqiptarja e parë nga Kosova në Teatrin e Operës së Vjenës, pati paraqitje të shkëlqyer në rolin e Mimit të “La Boheme” nga Giacomo Puccini. Luajti krah tenorit të madh shqiptar, Saimir Pirgu, një emër tashmë i dëshmuar i skenës botërore operistike.
Elbenitën dhe Saimirin i ndoqëm me plot admirim bashkë me deputeten Tinka Kurti, mezo-sopranon Flaka Goranci, këngëtaren dhe kompozitoren Vjollca Robelli Mripa dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën tonë në Vjenë Albinot Bimbashi”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com