Nata e tretë në RLIOF shpalosi madhështinë e muzikës shqipe, dedikim ndaj ikonës Nexhmije Pagarusha

Era Berisha

Arta Jashari, Zana Abazi, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj, Granit Musliu dhe Mennan Bërveniku kanë sjell mbrëmë një natë që gjurmët e saj i ka lënë të pashkoqitura nga kujtesa e gjithsecilit. Me një repertor të mrekullueshëm dhe vepra që erdhën për herë të parë në skenën tonë, nata e tretë në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, ka krijuar një urë lidhëse mes zërave sa të ndryshëm aq edhe energjik, që me fuqinë dhe vrullin e tyre jo të zakonshëm, kanë mbështjellë këtë natë që vjen dedikim ndaj ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ajo se çka dallohej qysh në hyrje të këtij koncerti ishte numri tejet i lartë i të pranishmëve të cilët kanë mbushur sallën qosh më qosh. As karriget e shtuara në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare nuk mjaftuan për t’i ulur të gjithë të pranishmit. Ndonëse qëndrimi në këmbë është tejet i lodhshëm, ishte publiku në pjesën e fundit ai që qëndroi nga nisja e këtij koncerti e deri në fund. Ndërkohë, nata e tretë e këtij festivali ka sjellë edhe disa ndryshime të vogla por që patën efektin e tyre. Reflektori në ngjyrë rozë në prapavijë veçse i ka shtuar hijeshi skenës, ndërkohë reflektorët në ngjyrën e portokalltë dhe verdhë që ishin të vendosura anash përgjatë hapësirës, i kanë dhënë një llojllojshmëri të bukur, dukjes në sallë. Në anën tjetër, ishin dritat e ngrohta përballë skenës dhe ato anash që kanë ndriçuar akoma më shumë vendin duke bërë që edhe veshjet e secilit interpretues të duken të mahnitshme.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se kjo natë do ta ketë një repertor të mahnitshëm që publiku do ta shijojë.

“Jemi me të vërtetë të lumtur që sot e nderojmë një këngëtare e cila përfaqëson jo vetëm artin e të kënduarit por artin e magjisë së zërit të saj dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson. Jemi të kënaqur që në këtë mbrëmje përveç të gjithave, festojmë sot edhe përvjetorin e kompozitorit Çesk Zadeja. Për nder të tij, për herë të parë në skenën tonë do të kemi prezantimin e një mori veprash që interpretohen nga artistët tanë të mrekullueshëm, zëra që përfaqësojnë denjësisht vendin tonë. Do të shijoni një larmi shumë të madhe të veprave që i përkasin këtij repertori shqiptar”, thotë ajo.

Të pranishmit dukshëm ishin të entuziazmuar për programin e veçantë që kishin mundësi ta shikonin ende pa nisur koncerti. Ndërkohë, para se melodia e parë të jehonte nëpër zemrën e secilit, ishte skena ajo që mori vëmendjen e plotë. E mbushur me mikrofona të ndryshme e të nevojshme për audion perfekte dhe pianon bardh e zi të vendosur sipër, skenës tash i mungonin vetëm artistët shqiptarë dhe zërat e tyre buçues dhe diversiv.

Ishin 17 vepra që absolutisht kanë përthekuar këtë natë me magjinë që sollën nga momenti në moment. “Eja vashë”, “Romancë”, “N’mes dashurive”, “O ju male t’nalta”, “Mori e bukura e mërhitur”, “Kjo shtëpi me ballë në erë”, “Te kroni”, “Ndalu që të flasim”, “Doli dielli doli hana”, “Dy kupa”, “Aria e Kalorit”, “Oh ky tregim…”, “Zemër e dashur”, “Djaloshare”, “Mall”, “Fjalët e qiririt” “Aria e Plakut flokëbardhë”, erdhën njëra pas tjetrës dhe me to së bashku u shfaq edhe diversiteti i mahnitshëm i zërave të artistëve, intensiteti i së cilave ka dalë edhe jashtë katër mureve.

Sopranoja Arta Jashari, sopranoja Zana Abazi, sopranoja Mirlinda Koci, tenori Klodjan Kaçani, baritoni Armand Likaj, tenori Granit Musliu si dhe pianisti Mennan Bërveniku kanë ndezur flakë skenën me interpretimin e tyre të një repertori krejtësisht të mbushur me vepra shqiptare. Veprat e kompozitorëve si: Lola Gjoka, Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Zef Çoba, Avni Mula, Endri Sina, Rauf Dhomi, Tonin Harapi, Pirro Çako e Limoz Dizdari, kanë ardhur në një mënyrë që as s’do përshkrim. Mjaftonte të dëgjoje ritmin në publik që herë pas here i bashkëngjitej tekstit të secilës këngë, për të kuptuar se ky koncert ka përçuar emocione të jashtëzakonshme.

Herë në dyshe e herë në solo, mbrëmja kulmoi me kryevepra të njëpasnjëshme. Dukja mbresëlënëse e tri sopranove si dhe prezenca skenike që dy tenorët, baritoni dhe pianisti posedonin, kanë bërë që çdo tingull e çdo melodi të bëhej dyfish edhe më e bukur e të ndjehej akoma edhe më shumë. Lëvizjet e duarve të tyre, lëvizjet e kokës në kahje të ndryshme në një gërshetim të pakrahasueshëm me vijën melodike që pianisti e sillte vazhdimisht në një mënyrë të pashoq, ka dëshmuar se skena kulturore në Kosovë ka një dashuri e pasion të paepur për mbrëmje të mirëfillta klasike.

Edicioni i dytë i këtij festivali dukshëm ka sjellë surpriza unike kësaj here, dhe mbrëmja e ditës së djeshme qe e tillë. Interaktiviteti mes artistëve, zërat gërshetues të tyre dhe shikimet e ëmbla që pasonin në skenë, ishin vetëm disa nga copëzat magjepsëse që këtë natë e bënë aq të afërt e aq të ngrohtë për audiencën. Dëshmi për këtë ishin edhe duartrokitjet e shumta e të zgjatura pas secilës këngë, e herë edhe ato që lëshoheshin pak para se kënga të gjente fundin e saj.

Krejt në fund, ishte tenori Ramë Lahaj që njëkohësisht është themeluesi i festivalit ‘RLIOF”, si dhe sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi, ata të cilët iu bashkëngjiten skenës për të lënë gjurmën e fundit për këtë natë. Vepra “Lule Borë” nga gjithsej tetë artistë ngriti publikun në këmbë për një përmbyllje sa të lezetshme aq edhe të fuqishme. Fishkëllimat e zgjatura në shoqërimin e duartrokitjeve nga ana e publikut, ishin ato që dëgjoheshin më së shumti e kjo veçse solli edhe buzëqeshjet e artistëve në skenë, si një sinjal që puna e tyre e palodhshme do të mbetet gjithmonë e vlerësuar dhe do të mbahet mend përherë.

Baritoni Armand Likaj për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Duke dashur dhe duke vlerësuar këtë festival operistik, për mua ishte një mbrëmje dhe eksperiencë shumë e bukur. Duke parë investimin që është bërë, duke parë angazhimet e një stafi fantastik, realisht më jep këtë përgjegjësi për të realizuar një koncert të tillë që besoj se treguesi më i mirë për këtë ishin duartrokitjet e publikut. Jam ndjerë gjithmonë mirë kur është përmendur emri i Nexhmije Pagarushës dhe unë kam pasur fatin dhe e them me krenari që e kam njohur edhe nga afër. E mbaj mend që diku duhet ta kem të regjistruar nga Akademia e Shkencave të një koncerti, përqafimin e saj që të ngroh”, shpalos Likaj.

Sipas tij, ai sa më shumë po rritet profesionalisht, po kupton vlerën e mirëfilltë të artit tonë dhe muzikës së artistëve shqiptarë.

“Unë mbrëmjen e hapa me një baladë të të madhit, profesorit tim Zef Çoba, pastaj kur interpretova pjesën e dytë ishte romanca aq e bukur, aria “Dasma arbëreshe” e po një emrit të madh siç është Rauf Dhomi, pastaj edhe dueti aq i dashur i Prenk Jakovës me sopranon Arta Jashari, dhe krejt në fund ishte vepra pak e dhimbshme por kështu ishte ideja e organizimit. Prania e shumë artistëve që sot përfaqësojnë Kosovën kudo në botë është e bukur dhe pa diskutim që ishim të nderuar gjithsecili nga ky publik e sidomos nga ata që qëndruan në këmbë për një kohë të gjatë dhe për këtë mendoj që duhet një vullnet i lartë e një dashuri që ky popull e ka dhe prandaj ky popull meriton shumë”, përfundon ai.

Po ashtu, tenori Granit Musliu tregoi rreth ndërveprimit me artistët e tjerë në këtë mbrëmje.

“Ka qenë një mbrëmje fantastike dhe të gjithë artistët jemi ndjerë shumë mirë. Është gjithmonë kënaqësi e madhe për të kënduar para një publiku shumë të ngrohtë kosovar dhe jemi shumë të lumtur që ky festival gjendet në Kosovë dhe fton artistë nga Kosova që të kthehen e të këndojnë për publikun e Kosovës në skenën kosovare. Me të gjithë artistët njihem personalisht dhe jam shumë i lumtur që të ndaj skenën me ta. Mbrëmja u bë edhe më e mirë sidomos kur kemi kënduar këngën e fundit por kryesisht veprat kanë qenë të kompozitorëve shqiptarë dhe natyrisht që është kënaqësi që të këndoj në gjuhën time. Zërat kosovarë dhe shqiptarë gjithmonë më kanë lënë përshtypje dhe e di që Kosova dhe Shqipëria ka zëra shumë të bukura e njëlloj vlen edhe për muzikantët. Fatkeqësisht kushtet nuk janë ideale mirëpo për mua kjo mbrëmje ishte një veçanti e madhe e sidomos duke pasur parasysh repertorin e mahnitshëm” , ka thënë ai.

Gjithashtu, sopranoja Mirlinda Koci ka thënë se është ndjerë e lumtur që ka kënduar në këtë natë dedikuar ndaj Nexhmije Pagarushës.

“Kjo mbrëmje ishte një ndjenjë shumë e veçantë. Jam shumë e lumtur që këndova sonte në natën e Nexhmije Pagarushës e sidomos edhe kur këndova vepra shqipe. U gëzova shumë për faktin që performova në mesin e artistëve shqiptarë të njohur. Pjesa ime e parë ka qenë që mua më ka fjet në zemër qysh prej kur kam filluar ta studiojë por gjithashtu edhe vepra “Fjalët e qiririt” që e këndoj kolegu Klodjan ishte shumë e veçantë. Sonte më ka lënë përshtypje publiku që ka qenë një numër i madh dhe kur dola për herë të parë në skenë, jam befasuar shumë dhe jam ndjerë shumë mirë që muzika klasike ndiqet dhe nga publiku”, thotë Koci.

Ndërsa, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka thënë për KultPlus se mbrëmje ishte një mrekulli më vete.

“Koncerti sonte ishte shumë i mirë. Ishte e mrekullueshme të shohësh shoqërinë tënde duke performuar në skenë e sidomos në pjesë shqiptare, kështu që jam ndjerë shumë bukur. Të gjitha veprat e interpretuara ishin shumë të mira dhe mua personalisht më pëlqeu shumë interpretimi i Zanës, i Mirlindës e natyrisht edhe i Artës. Ishte me të vërtetë një mrekulli dhe besoj që s’ka nder më të madh sesa kjo ndaj Nexhmijes. Vetë fakti që unë vij shumë rrallë në Kosovë, me i taku krejt përnjëherë është një përshtypje shumë e mirë”, ka thënë Kajtazi.

“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 2 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e katërt e këtij festivali vjen më datë 28 korrik nën emërtimin “New Generation” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Sopranoja Elbenita Kajtazi drejt realizimit të një ëndrre të madhe, do të ngjitet në skenën e Semperoper Dresden

Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi është dukë shënuar një sukses të rrufeshëm me performanca të shfaqjeve operistike në teatro prestigjioze në vende të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.

Kajtazi sonte do të ngjitet në skenën e Semperoper të Dresdenit të Gjermanisë, e cila do të shfaqet me rolin e Mimis.

Ajo ka ndarë një fotografi gjatë provave të fundit për këtë shfaqje, e cila në të njëjtën kohë ka falënderuar të gjithë ata që po e përkrahin

“Ndjehem e privilegjuar dhe me fat dhe mezi presë të ngjitem në skenë nesër dhe të realizoj edhe një ëndërr të madhe e cila do ma përmbush shpirtin me shumë lumtuni!

Ju uroj një ditë të bukur sot 🍀”, ka shkruar Kajtazi gjatë ditës së djeshme, ku edhe ka paralajmëruar këtë debutim që do të ndodhë sonte./ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi nderohet me ‘Dr. Wilhelm Oberdörffer – Preis’, çmimin për artistët që kanë treguar suksese të mëdha gjatë sezoneve të fundit

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, është nderuar me çmimin ‘Dr. Wilhelm Oberdörffer – Preis’, çmim ky i cili jepet nga Fondacioni operistik i Hamburgut për artistë të cilët kanë treguar suksese të mëdha gjatë sezoneve të fundit, përcjelll KultPlus.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të Elbenita Kajtazit:

Të dashur miq, sot jam shumë e lumtur të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm për rrugëtimin tim si këngëtare lirike.  Mbrëmë me kënaqësinë më të madhe kam pranuar cmimin

“Dr. Wilhelm Oberdörffer – Preis“ çmim ky i cili ipet nga Fondacioni operistik i Hamburgut për artistë të cilët kanë treguar suksese të mëdha gjatë sezoneve të fundit.

Në çertifikatën e çmimit thuhet:

“Elbenita Kajtazi jo vetëm që ka një talent të veçantë, ajo është edhe një muzikante shumë zgjuar. Vitet e fundit ajo hap pas hapi është rritur në rolet më kërkuese. Së fundmi, si Manon dhe Violetta, ajo ka dëshmuar se në një mbrëmje operistike mund të shkëlqej dhe të zgjoj gjthë publikun në këmbë. Arti i saj i pasionuar, i dashur dhe në të njëjtën kohë shumë natyral e bën atë një artiste që vlerësohet si nga kolegët ashtu edhe nga publiku.”

Është një privilegj dhe krenari e madhe për mua të vlerësohem kaq lart nga qyteti i Hamburgut. Për këto 8 vite që jetoj dhe punoj në Gjermani kam pranuar vetëm përkrahje dhe vetëm dashni dhe shtytje përpara për zhvillimin e një rrugtimi të mrekullueshëm operistik./ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi u përcoll me ovacione, i gjithë publiku u ngrit në këmbë për të

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, ka ndarë me publikun disa nga kritikat gjermane në lidhje me interpretimin e rolit të Violetes nga La Traviata këtu në Hamburg, transmeton KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e plotë të saj:  

Miq të dashur jam e lumtur të ndaj me ju disa nga kritikat gjermane në lidhje me interpretimin e rolit të Violetes nga La Traviata këtu në Hamburg.

Shfaqja  ishte një triumf për sopranon e re, të pëlqyeshme 30-vjeçare, Elbenita Kajtazi.

Nuk e kam përjetuar kurrë më parë që pas përfundimit të operës kur perdja hapet dhe Violetta qëndron e vetme ne skenë publiku të ngrihej si një menjëherë në këmbë dhe ta duartrokas plot ngazëllim për disa minuta.

Elbenita Kajtazi pranon ovacione të gjata nga publiku i Staatsoper Hamburg i cili u ngrit në këmbë për të.

Staatsoper Hamburg, 17 mars 2022

Giuseppe Verdi, La Traviata

nga Dr. Ralf Ëegner, klassik-begeistert.de

Elbenita Kajtazin nuk e kisha pasur në radar, siç thonë, dhe e kam dëgjuar vetëm një herë më parë, si Naiade në Ariadne auf Naxos. Disa ditë më parë ajo interpretoi këngën e hënës nga opera Rusalka e Dvořák në Koncertin e Solidaritetit për Ukrainën dhe më la një përshtypje të madhe me timbrin e saj të bukur, mjaft të errët dhe interpretimin e saj ekspresiv dhe të thellë shpirtëror. Kjo është arsyeja pse ne morëm biletat në një njoftim të shkurtër për performancën e sotme të Traviata-s.

Mbrëmja e shfaqjes La Traviata ishte triumfi i Elbenita Kajtazit, e cila interpretoi rolin e Violetës me një entuziazëm të madh. Këngëtarja ka një timbër magjepsës, jo aq të errët tek Violetta si në arien Rusalka, por ka një zë të fortë dhe gjithmonë ka një tingull të bukur mbi të gjitha uljet dhe ngritjet e rolit me një vibrato shumë të lehtë që shërben për të shprehur  ndjeshmërin e shpirtit të saj.

Rrallë herë më ka rastisur të dëgjoj një kombinim kaq të mrekullueshëm të koloraturës në Sempre libera në aktin e parë, me rrjedhën e zërit bashkë me Giorgio Germont në aktin e dytë, shpërthimin liriko-dramatik në aktin e tretë si dhe interpretimin e Aries Addio del passato në aktin e katërt.

Koloraturat e Kajtazit kanë qenë delikate, të pastërta, të këndshme si perla që rrotullohen duke shprehur ndjenjën e lumturisë ende të pasigurt në dashuri. Pjesën lirike në imazhin e parë të aktit të dytë e krijojë me një të butësi pa vërejtur ndonjë gjurmë të hidhërimit dhe trishtimit, por ajo nuk iu shmang përdorimit dramatik në imazhin e tretë të aktit të dytë dhe ishte plotësisht bindëse në skenën e vdekjës në aktin e tretë. 

Gjithsesi, ishte një triumf për sopranon e re 30-vjeçare, Elbenita Kajtazi. Nuk e kam përjetuar kurrë më parë që publiku të ngrihej menjëherë si një, pas përfundimit të operës në perden e parë, kur Violetta hyri e vetme në skenë dhe u duartrokit plot ngazëllim për disa minuta. Shihej gëzimi i Elbenita Kajtazit për këtë sukses të bukur të këngëtares që i përket ansamblit të Hamburgut. Ky formacion do të dëgjohet sërish të dielën e ardhshme, më 20 mars 2022. Kushdo që mund ta bëjë të mundur të jet i pranishëm nuk duhet ta humbasë këtë rast muzikor./ KultPlus.com

Para 10 viteve u takuan për herë të parë në Kosovë, Ermonela Jaho dhe Elbenita Kajtazi ndajnë skenën e Operës në Hamburg

Sopranoja e suksesshme Elbenita Kajtazi të enjten do të performojë “Violetta” në Operën Shtetërore të Hamburgut, përcjell KultPlus.

Po ashtu, në skenën e Operës në Hamburg sonte do të këndoj edhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, e cila vjen nën rolin e “Madama Butterfly”.

Me këtë rast, sopranoja Kajtazi është shprehur tejet e lumtur që po ndan skenën e njëjtë me të.

“Nuk i përshkruaj dot emocionet dhe krenarin që ndjej në këto momente! @ermonelajaho sonte këndon Madama Butterfly në @staatsoperhamburg dhe unë do kem knaqësinë të shijoj çdo sekond! Kurse ditën e enjte unë do këndoj Violetten dhe Ermonela do e dëgjoj për herën e parë. Se si do i mbaj emocionet dhe koncentrimin mos më pyesni sepse nuk e di 😂”, shkruan Kajtazi në rrjetet sociale.

Ajo tutje bëri të ditur se takimi i tyre i parë ishte para 10 viteve në Kosovë, teksa ajo tregon se fjalët e sopranos Jaho, do ti mbajë mend përgjithmonë.

“Para 10 viteve takova Ermonelen për herë të parë në Kosovë, dhe nuk do i harroj kurrë fjalët e saj dhe kujdesin që pati për mua, kurse këto dy javë të dyja do performojm në javët e operës italiane këtu në Hamburg! Krahët nuk më duken por më besoni ndjej sikur do fluturoj!”, thotë Kajtazi. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi merr pjesë në koncert humanitar për Ukrainën: Të gjithë së bashku kundër luftës

Opera Shtetërore e Hamburgut i ka kushtuar tre koncerte Ukrainës dhe civilëve ukrainas, me ç’rast paratë e mbledhura nga këto koncerte do t’i kontribuojnë pikërisht këtij shteti që po kalon kohëra të vështira, KultPlus.

Pjesëmarrësit kanë qenë artistët ukrainas Natalia Klitschko, Andrei Bondarenko dhe artistë të tjerë siç janë Klaus Florian Vogt, Gregory Kunde, Guanqun Yu, Franco Vasallo dhe artistja shqiptare Elbenita Kajtazi.

Kajtazi përmes një postimi në “Facebook”, është shprehur shumë e lumtur që po dhurohen para për këtë kauzë të madhe.

“Një mbrëmje për t’u mbajtur mend, të gjithë së bashku kundër luftës në Ukrainë. Jam shumë e lumtur që deri më tani janë dhuruar shumë para për këtë kauzë të madhe. Po lutem dhe shpresoj që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt”. /KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Elbenita Kajtazi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus ua sjell sopranon shqiptare, Elbenita Kajtazi e cila ka shkëlqyer me performancën e saj në skenën botërore të konkursit të këngës në BBC Cardiff Singer of the World, ku ajo për herë të parë në histori ka prezantuar Kosovën me një repertor të larmishëm të veprave botërore dhe shqiptare.

Sopranoja nga Kosova, po ashtu ka debutuar me shumë sukses në rolin e saj “Manon Lescaut” në mbrëmjen e 30 janarit duke realizuar një ëndërr të cilën Elbenita e ka pasur që kur kishte filluar studimet, dhe më në fund edhe e realizoi atë.

Së fundmi, në kuadër të manifestimeve të organizuara nga Komuna e Mitrovicës për nder të Pavarësisë së Kosovës kujtojmë edhe koncertin e sopranos kosovare që vazhdimisht po prek majat e suksesit nëpër botë. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi me koncert në Mitrovicë në 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në kuadër të manifestimeve të organizuara nga Komuna e Mitrovicës për nder të Pavarësisë së Kosovës është edhe koncerti i sopranos kosovare që po prek majat e suksesit nëpër botë, Elbenita Kajtazi, përcjell KultPlus.

Koncerti do të mbahet sot, më 16 shkurt nga ora 18:00.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Ejani të festojmë bashkë 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

 Mysafire speciale Elbenita Kajtazi, sopranoja kosovare me suksese ndërkombëtare do ti sjell publikut të Kosovës magjinë e skenave botërore.

Anisa Suhodolli Mujka – Piano

Erhan Mujka – Kitare./ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi: Rrugës për Kosovë, rruga ma e mirë e ma e dashtun që unë marrë ndonjëherë

Sopranoja shqiptare, Elbenita Kajtazi së fundmi ka bërë të ditur se po rikthehet në Kosovë, me ç’rast ajo ka falënderuar miqtë e saj të dashur që e kanë mbështetur atë me rastin e debutimit të saj të fundit, përcjell KultPlus.

“Rrugës për Kosovë, rruga ma e mirë e ma e dashtun që unë marrë ndonjëherë, me e ndje përqafimin e nënës e me ec bregut të Ibrit”, ka shkruar ajo.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Rrugës për Kosovë, rruga ma e mirë e ma e dashtun që unë marrë ndonjëherë, me e ndje përqafimin e nënës, me ec bregut të Ibrit, me pi atë kafen e mëngjesit me babën , me u përla me @bardh_kajtazi po edhe me e puth fort, me i bo presion @kajtazi_laura me i jep provimet me 10 , me e përqafu @mirjetakajtazi fort!

Kosova më mungon gjithmonë shumë, por fatmirësisht ja dal të vi shpesh.

Nga zemra i falemnderoj të gjithë miqt e mi të dashtun që më kanë mbështetur shumë me rastin e debutimit tim të fundit! / KultPlus.com

‘Sukses i jashtëzakonshëm, paraqitje për t’u duartrokitur’, kështu vlerësohet debutimi i Elbenita Kajtazit

Sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi, ka debutuar me shumë sukses në rolin e saj “Manon Lescaut” në mbrëmjen e 30 janarit, shkruan KultPlus.

Kajtazi u shpreh shumë e lumtur për këtë debutim, derisa njëri prej kritkëve nga Hamburgu, e ka vlerësuar paraqitjen e saj sikurse shumë të suksesshme.

Në mes tjerash, Birgit Kleinfeld, e cilësoi Kajtazin sikurse një diell, rreth të cilit sillen të gjithë.

“Si manon, Elbenita Kajtazi, është dielli, rreth të cilit sillen të gjithë, edhe kur ajo është e veshur thjesht me stil country dhe jo vetëm kur ka veshur gëzof dhe veshje të bukura. Vërtet, çfarë debutimi i suksesshëm! Në aktin e parë, me djallëzi naive, ajo hyn në skenë me një shportë mace dhe një çantë shpine, kurioze për botën dhe nuk heziton të provojë gjëra të ndaluara, si alkooli dhe cigaret. Që nga fillimi ajo të bënë për vete me zërin e saj të pastër kristal, tonet e larta të vendosura pa mundim, tranzicionet e pastra dhe lehtësinë me të cilën ajo kombinon lojën dhe këndimin në një njësi magjepsëse. Ajo bind si një dashnore e freskët e shkujdesur si dhe një ashnore që nuk i reziston dot tundimit të parave dhe famës. Me delikatesë dhe bukuri ajo intonon “Adieu, notre petite table”. Në aktin e dytë, Kajtazi gjithashtu frymon nga gëzimi i jetës duke përdorur, zërin dhe gjestet me mjeshtëri, për të nxjerrë nga konti Des Grieux vendndodhjen e djalit të tij. Në skenën e përmedur tashmë në manastir, Kajtazi në fakt arrin të shprehë dëshpërimin e Manon për të kërkuar kthimin e Des Grieux me lakmi. Së fundi, ajo është e mahnitur sepse gruaja që mund të shijojë vetëm ekstremet, si shumë alkool dhe rrezikun e ruletës ruse, bëhet ajo që e kupton se ajo ka mbaruar. Pranë vdekjes, ajo i njeh gabimet dhe dashurinë e saj. Përgjatë aktit të pestë, Kajtazi dhe Scala të rrënqethin sërish një moment pas tjetrit Nuk mund të thuhet ndryshe, këto dy role gjetën dy aktorë të përshtatshëm që u duartrokitën me meritë”.

Kjo ishte një ëndërr të cilën Elbenita e ka pasur që kur kishte filluar studimet, dhe më në fund edhe e realizoi atë. /KultPlus.com

Elbenita Kajtazi realizon ëndrrën e saj të studimeve: Përmbushje shpirtërore

Sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi, ka debutuar me shumë sukses në rolin e saj “Manon Lescaut” në mbrëmjen e 30 janarit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kajtazi është shprehur se ky debutim ishte një “përmbushje shpirtërore”.

“Debutimi im në rolin e Manon Lescaut mbaroi me shumë sukses mbremë, ende ndjehem sikur në ëndërr dhe nuk e besoj dot që realizova një nga rolet më sfiduese të muzikës operistike françeze”, shkroi ajo mes tjerash.

Kajtazi ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar aftër gjatë kësaj periudhe.

“Në rolin e Manon kam punuar me katër gra të fuqishme pianisten Camille Lemonnier për tri javë pa asnjë ditë pushim në mënyrë që frengjishtja ime të tingëlloj sa ma origjinale , Caroline Isabel Merz profesoresha ime pa kujdesin e kontrollen e së cilës nuk debutoj asnjë rol, me Ermonela Jaho edhe pse nga distanca Mona është gjithmonë aty për të më mësuar gjërat më të rëndësishme që më duhen për një debutim të tillë dhe Elda Laro e cila më jep energjin më të mrekullueshme që një pianist mund të të jap , edhe pse unë gjithmonë them që pianoja e Eldës tingëllon sikur orkestër”, shpjegon tutje sopranoja.

Kjo ishte një ëndërr të cilën Elbenita e ka pasur që kur kishte filluar studimet, dhe më në fund edhe e realizoi atë. /KultPlus.com

May be an image of 1 person and indoor

Kajtazi: Do të luaj një rol që kam pasur ëndërr që kur kam filluar studimet

Artistja nga Kosova, Elbenita Kajtazi, është duke realizuar një ëndërr e cila ka filluar qysh nga fillet e saja të studimeve, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kajtazi tregon se ka zhvilluar provën e parë me Orkestër.

“Sot kisha provën e parë me Orkestër dhe jam shumë e lumtur që procesit të provave ngadal po i vjen fundi, dhe me 30 janar do kem mundësinë ta debutoj një rol të cilin e kam pasur ëndërr që kur kam filluar studimet”, shkruan ajo.

Kajtazi gjithashtu njofton se ky produksion është modern dhe me shumë domethënie, derisa artistja pritet të debutojë në Hamburg më 30 janar. /KultPlus.com

May be an image of 1 person and indoor

Kajtazi: Mos u dorëzoni asnjëherë, ëndrrat bëhen realitet

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, ka arritur që të realizojë një ëndërr të saj, duke debutuar në bulevardin historik të Berlinik “Staatsoper Unter den Linden”, shkruan KultPlus.

Gëzimin e saj dhe emocionet e paraqitura pas debutimit në këtë teatër, Kajtazi i ndau me të gjithë ndjekësit e saj në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Ajo u shpreh shumë e lumtur për këtë debutim dhe po pret me padurim që të këndojë edhe nesër e pasnesër.

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Me të vërtet ka qenë një ëndërr e imja që të debutojë këtu dhe u bë realitet”, thotë ajo me shumë emocione.

Për fund, Kajtazi thotë se nuk duhet të dorëzoheni asnjëherë, sepse ëndrrat një ditë realizohen. /KultPlus.com

May be an image of indoor

Sopranoja Kajtazi bën një hap të rëndësishëm në karrierën e saj

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e saj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kajtazi, ka njoftuar se do të debutojë në bulevadrin historik të Berlinit “Staatsoper Unter den Linden”.

Postimi i plotë:

“Rrugës për në Berlin për debutimin tim në Staatsoper Unter den Linden! Një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për karrieren time. Shfaqjet e Hänsel und Gretel ku unë do këndoj Gretel do të mbahën me 12, 13 dhe 14 Janar 2022! Faleminderit shumë për përkrahjen tuaj!”, shkroi ajo.

Së fundmi, ajo ka performuar në teatrin “Erfurt” të Gjermanisë. /KultPlus.com

Kajtazi kujton Kosovën nga Gjermania: Shpresoj që fëmijët të performojnë në Operën e Kosovës së shpejti

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajatazi ka performuar me sukses shfaqjen e saj “Hansel und Gretel”, pas aventurës së saj në teatrin ‘Erfurt’, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kajtazi është shprehur shumë e lumtur për përfundimin e kësaj shfaqje.

Postimi i saj i plotë:

“Shfaqja e parë e Hänsel und Gretel përfundoi me shumë sukses! Kënaqësi e jashtëzakonshme të këndosh për një sallë të mbushur plotë prindër e fëmijë, publikë shumë entuziast që shijon çdo gjë që ndodhë në skenë , fëmijë që reagojn pas çdo gjëje që shtriga bënë në skenë, me të vërtetë emocionuese. Sahere këndoj Gretel mendoj me vetën time se sa shumë dëshirë do kisha ta këndoj këtë rol edhe për fëmijët në Kosovë, do të ishte me të vërtetë diq e bukur dhe emocionuese për mua. Po tani meqenëse është formuar Opera e Kosovës ka shpresë besoj që ndoshta do të ndodhë kjo gjë ndonjeherë”, shkroi Kajtazi.

Elbenita ka treguar rezultate shumë të mira në performancat e saj të fundit që ka zhvilluar këtë vit. /KultPlus.com

Elbenita Kajtazi do të performojë përsëri në teatrin ‘Erfurt’ të Gjermanisë

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajatazi sot do të performoj edhe një herë tjetër rolin e Konteshës nga ‘Dasma e Figaros’ në teatrin ‘Erfurt’, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kajtazi ka njoftuar se do të luajë rolin e Konteshës për herë të dytë në Teatrin “Erfurt”, derisa do të vazhdojë edhe të dielën në rolin “Gretël” në Hamburg.

“Sonte do kem kënaqësin të këndoj rolin e Konteshës për të dytën herë në Theater Erfurt, dhe të dielen nga petku i Konteshës do kaloj në petkun e Gretël nga opera Hänsel und Gretel në Staatsoper Hamburg rol të cilin kam pasur rastin ta debutoj në vitin 2017 në Aalto-Musiktheater Essen”, shkroi ajo.

Para pak javëve, Kajtazi debutoi në teatrin “Erfurt”. /KultPlus.com

Elbenita Kajtazi sot debuton në rolin e Konteshës nga ‘Dasma e Figaros’

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajatazi sot do të debutojë në rolin e Konteshës nga ‘Dasma e Figaros’ në teatrin ‘Erfurt’, shkruan KultPlus.

“Debutimit tim në rolin e Konteshës nga opera Dasma e Figaros i erdhi koha, sot nga ora 19:00 në Theater Erfurt.

Ju Faleminderit nga zemra të gjithëve për përkrahjen e vazhdueshme që marr nga ju! Ky muaj në Erfurt ka qenë një përvojë të cilën nuk do e harroj kurrë dhe debutimin e këtij roli do e mbaj në zemrën time përgjithmonë. Uroj që Konteshën time ta dërgoj edhe në shumë teatro tjera. “- ka shkruar ajo në Facebook./KultPlus.com

Sonte fillon edicioni i 20-të i festivalit ‘ReMusica’, hapet me performancën e Elbenita Kajtazit

Sonte, duke filluar nga ora 19:00, fillon edicioni i 20-të i festivalit Remusica.

Festivali do të hapet me performancë nga sopranoja Elbenita Kajtazi dhe Camille Lemonnier në piano, të cilën mund ta ndiqni në formë dixhitale në Remusica TV http://www.remusicafestival/live/ në orën 20:00.

Festivali i cili ndërvite solli muzicientë të shquar, sivjet shënon ediconin jubilar të 20 vjetorit, duke rishkuar të gjitha arritjet dhe historinë e festivalit gjatë viteve. Në këtë kontekst edicioni i këtij viti titullohet Rikthimi Para.

20 vitet e festivalit po ashtu do të përmblidhen në filmin e shkurtër ‘’Remusica 20 years’’ nga Hana Agani, i cili do të shfaqet në ora 19:00 në kanalin e Youtube të festivalit.

Festivali u krijua me qëllim të prezantojë publikun shqipëtar me muzikën bashkëkohore, dhe gjatë viteve solli shumë programe te pasura, asamble dhe artistë të mirënjohur si: Petrit Ҫeku, Aki Takahasi, Marc Bouchkov, Andreas Richter, Annete Vande Gorne e shumë emra tjerë të mirënjohur të botës së muzikës. Festivali po ashtu ka pasuruar literaturën muzikore gjatë viteve me publikime nga artistët vendor për instrumente të ndryshme (kitarë, piano, instrumente të tunxhit etj) .

Sivjet, disa nga aktivitetet e festivalit do të mbahen në formë fizike, siꞔ janë puntoritë dhe ligjeratat, ndërsa koncertet nga artistë të mirënjohur do të mbahen në formë dixhitale. Disa nga artistët më të shquar vendor dhe ndërkombëtar do të performojnë në saje të edicionit të 20-të si : Elbenita Kajtazi si soprano, Asasello String Quartet nga Gjermania, Pierre dhe Theo Fouchenneret nga Franca, ndërsa Merita Rexha Tërshana është në piano si dhe soprano Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë. / KultPlus.com

Festivali ReMusica rikthehet me ndryshime, prezantohet përmes një Edicioni Hibrid

Me ndryshimin e masave AntiCovid, Festivali ReMusica ka bërë disa ndryshime, duke ri-adaptuar kështu programin në moment të fundit dhe t’i përshtatet masave të reja, duke realizuar Festivalin në formë hibride, përcjell KultPlus.

Për dallim nga viti i kaluar, sivjet Festivali do të vijë në një Edicion Hibrid (të kombinuar) të programit festivalesk.

Një mori aktivitetesh do të mbahen me prezencë fizike siç janë punëtoritë, ligjëratat, kurse pjesa tjetër e koncerteve, në të cilin prezentohen emra të shquar si Elbenita Kajtazi, soprano; Asasello String Quartet nga Gjermania, artistët e shquar nga Franca violinisti Pierre Fouchenneret dhe pianisti Théo Fouchenneret; Merita Rexha Tershana, piano; artistet tona kosovare Kaltrina Miftari, soprano dhe Tringa Sadiku, kitarë , artisti Holger Maik Mertin, Ilir Bajri do të vijnë në skenën e ReMusicas në formë dixhitale.

”Të themi në fund se edicioni jubilar i Festivalit ReMusica shënon 20 vjetorin e tij, duke hedhur një vështrim në arritjet e deritanishme, si themel i vlefshëm i asaj që do të pason. Siç thotë Kierkegaard: Jeta mund të kuptohet vetëm duke vështruar të kaluarën; por duhet jetuar përpara. Bashkohuni me ne në këtë edicion të 20-të të ReMusica-s për të RIKTHYER PARA”, thuhet tutje në komunikatën për media. / KultPlus.com

‘Opera Wire’, cilëson sopranon Kajtazi si artisten e javës

Sopranoja Elbenita Kajtazi, është një nga artistet më aktive në skenat evropiane. Ajo do të debutojë këtë javë në sallën e koncerteve “Konzerthaus” të qytetit të Berlinit, me operën “Rita” të kompozitorit italian Gaetano Doniceti, transmeton KultPlus.

Portali i njohur “Opera Wire“, e ka cilësuar Kajtazin si artisten e javës.
“Në opera do të luajë një kast këngëtarësh të rinj, duke përfshirë yllin në rritje Elbenita Kajtazi, e cila do të këndojë rolin e titullit”, thuhet në ”Opera Wire”

Donizetti shkroi gati 70 opera, shumë prej të cilave janë harruar. Gjatë viteve të fundit shumë nga veprat e tij janë rizbuluar falë shfaqjeve të koncerteve, festivaleve ose regjistrimeve. Këtë javë audienca gjermane do të zbulojë operën “Rita” në Konzerthaus Berlin. Opera do të luahet nga një kast këngëtarësh të rinj duke përfshirë yllin në rritje Elbenita Kajtazi, e cila do të këndojë rolin kryesor.

Sopranoja, e cila vjen nga Kosova, kthehet në Berlin, ku auditorët e kanë njohur atë ndër vite. Kajtazi ishte një artiste e re në Deutsche Oper Berlin nga viti 2014 në 2016 dhe interpretoi role të shumta duke filluar nga Verdi, Mozart tek Puccini, Janacek dhe Humperdinck.

“Rita” do të jetë opera e dytë Donizetti e sopranos pas “L’Elisir d’Amore” të cilën ajo e interpretoi shumë herë në Essen, Padova dhe Berlin. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi me koncert në Hamburg

Sopranoja e suksesshme Elbenita Kajtazi, do të performojë më datë 15 gusht 2021 në një koncert.

Eventi muzikor titullohet “Rathausmarkt Open-Air 2” dhe mbahet në sheshin kryesor të qytetit të Hamburg-ut në Gjermani.

Kajtazi interpreton së bashku me artistë të mirënjohur të operës, si Narea Son, Kristina Stanek, Aleksei Palçukov etj. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi nisi provat për shfaqjen e saj “Salzburger Festspiele dhe Salzburg Festival”

Mësohet se sopranoja e talentuar Elbenita Kajtazi, ka nisur provat për shfaqjen e saj të radhës.

Artistja shqiptare do të marrë pjesë në dy koncerte “Salzburger Festspiele | Salzburg Festival”, të cilat mbahen më 24 dhe 25 korrik 2021 në Austri.

“Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që jam pjesë e këtij festivali, në mesin e emrave botërorë që do këndojnë këtë edicion. Ju faleminderit shumë për përkrahjen!”, – shkruan Kajtazi në rrjete sociale. /Albinfo.ch/ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi prezanton Kosovën në BBC Cardiff Singer of the World, mahnitë me performancën (VIDEO)

Sopranoja shqiptare, Elbenita Kajtazi ka shkëlqyer me performancën e saj në skenën botërore të konkursit të këngës në BBC Cardiff Singer of the World, ku ajo për herë të parë në histori ka prezantuar Kosovën me një repertor të larmishëm të veprave botërore dhe shqiptare, shkruan KultPlus.

Me një qëndrim stabil në skenë dhe e veshur me një fustan tejet elegant, sopranoja kosovare ka shpalosur talentin e saj në performimin e muzikës klasike. Ajo përfaqësoi denjësisht shtetin tonë me interpretimin e veprave më të famshme ku në mesin e tyre ishte edhe kënga shqipe “Agimet Shqiptare” e kompozuar nga Avni Mula, e përmes së cilës duket se ajo ka shprehur mallin për atdheun.

Paraqitja e saj në një skenë të tillë ku ajo u shoqërua me një orkestër të tërë prapa saj, dëshmoi edhe një herë se sukseset e saj nuk kanë mbarim. Zëri i saj buçonte përgjatë çdo sekonde, e njëlloj si varësja e saj që po shkëlqente, Kajtazi me një hijeshi të pakrahasueshme ka vezulluar mbrëmë skenën dhe ka pushtuar atmosferën me veçantinë e saj.

Kujtojmë se Elbenita ka vendosur që të merr pjesë në dy kategori, në atë të këngës dhe operës pasi që konkursi BBC Cardiff Singers of the World është garë e dyfishtë.

Kajtazi e ka shpërndarë edhe videon ku na sjell më afër këtij interpretimi duke shpresuar që të gjithë ta shijojnë sa edhe ajo.

Tutje ajo është shprehur shumë krenare që ka arritur të reprezantojë Kosovën për herë të parë në Cardiff-Wales.

“Të dashur miq, uroj ta shijoni paraqitjen time në Cardiff Singers Of the World, është ëndërr e imja të këndoj rolin e Juliette, uroj që së shpejti ta kem në kalendarin tim! Nga zemra ju uroj gjitha të mirat dhe faleminderit shumë për përkrahjen. Ishte kënaqësi e papërshkrueshme ta reprezentoja Kosovën për herë të parë në Cardiff-Wales”, ka shkruar Kajtazi.

Pas këtij lajmi të mrekullueshëm nuk kanë munguar edhe urimet e shumta drejtuar Elbenitës, e ndër to nuk mungoi as urimi i sopranos Ermonela Jaho e cila është shprehur krenare me suksesin e Elbenites. / KultPlus.com

Ermonela Jaho vlerëson performancën e Elbenita Kajtazit në BBC


Të shumta janë sopranot shqiptare që na përfaqësojnë denjësisht në skenat botërore. Së fundmi Elbenita Kajtazi ka mbajtur recitalin e saj në konkursin e këngës në BBC Cardiff Singer of the World.

Në një postim të bërë në Facebook lidhur me recitalin e mbajtur nuk ka munguar përkrahja dhe vlerësimi i sorpranos së njohur Ermonela Jaho.

“Krenare për ty. Bravo”, shkruan në komentin e saj një ndër ambasadoret e muzikës klasike shqiptare në botë. / KultPlus.com