Në kuadër të promovimit të romanit “Elefantët në kopsht” të Meral Kureyshi në gjuhën shqipe do të mbahet edhe një diskutim publik letrar me autoren zvicerane Meral Kureyshi e gazetarin kosovar Enver Robelli, përcjellë KultPlus.
Përveç diskutimit e leximit të fragmenteve të këtij romani, publiku do të ketë mundësi bashkëbisedimi me autoren mbi krijimtarinë e saj letrare, Prizrenin si inspirim si dhe trendet bashkëkohore të letërsisë.
“Që nga debutimi i saj me këtë roman, ajo është një zë prijës i letërsisë së re zvicerane”, ka shkruar gazeta prestigjioze zvicerane Suddeutsche Zeitung mbi Kureyshin.
Meral Kureyshi (1983) ka lindur në Prizren. Më 1992 ajo mërgoi në Zvicër. Ka studiuar në Institutin Zviceran të Letërsisë në Bernë. Romani “Elefantët në kopsht” ka qenë i nominuar për çmimin letrar të Zvicrës, ka marrë disa çmime letrare ndërsa është i përkthyer edhe në disa gjuhë botërore.
Promovimi dhe diskutimi do të mbahet të mërkurën më 16 tetor në Qendra Multimedia në Prishtinë. Kjo ngjarje fillon në ora 19:00. / KultPlus.com