Nga Elena Ferrante
Përktheu: Loreta Bërhami
Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh: letërsia është plot me to e kështu është edhe jeta e përditshme. E megjithatë, unë mbetem me to.
E kam parim të mos përgojoj asnjë grua tjetër, edhe sikur të më ketë fyer në mënyrën më të padurueshme.
Ndihem e detyruar të mbaj këtë qëndrim pikërisht sepse e njoh mirë gjendjen e grave: është gjendja ime, të cilën e gjej te të tjerat; e di që sot çdo grua përballet përditë me një stërmundim të jashtëzakonshëm e të dëshpëruar.
E varfër apo e pasur, e paditur apo e arsimuar, e bukur apo e shëmtuar, e famshme apo e panjohur, e martuar apo beqare, e punësuar apo e papunë, me fëmijë apo pa fëmijë, rebele apo e bindur, jemi të gjitha thellësisht të shënjuara nga qenësia në një botë e cila, ndonëse na duket sikur na përket, është helmuar qysh në rrënjë nga mijëvjeçarë sundimi mashkullor.
Gratë jetojnë mes kontradiktave të përhershme dhe stërmundimeve të papërballueshme. Çdo gjë, vërtet çdo gjë, është formësuar në bazë të nevojave të burrave, madje edhe të brendshmet tona, zakonet seksuale, mëmësia.
Jemi të detyruara të jemi gra sipas roleve dhe modeleve që u pëlqejnë burrave, e njëkohësisht duhet edhe të përballemi me ta, të konkurojmë me ta publikisht, duke i bërë më të mirë seç janë dhe gjithnjë duke u kujdesur që të mos i ofendojmë.
Një grua e re që e dua fort, më tha një ditë: “E kam pasur gjithmonë këtë problem me burrat, kam mësuar të mos e teproj”. Me këtë donte të thoshte se ishte ushtruar që të mos ishte tepër e bukur, tepër e zgjuar, tepër e sjellshme, tepër e pavarur, tepër bujare, tepër e vrullshme, tepër e mirë.
E tepërta te një grua shkakton reagime të dhunshme te burrat dhe, sikur të mos mjaftonte, nxit mbi vete armiqësinë e grave të tjera, të cilat luftojnë ditë për ditë me njëra-tjetrën për thërrimet që u lënë burrat. Kurse te burrat, e tepërta shoqërohet me admirim dhe pushtet.
Për pasojë, jo vetëm që pushteti i grave mbytet, por, për hatër të paqes dhe qetësisë, ne mbytim vetveten. Edhe sot, pas një shekulli feminizëm, ende nuk mund të jemi plotësisht vetvetja, nuk i përkasim vetes sonë.
Cenet, mizoritë, krimet, virtytet, kënaqësia, vetë gjuha jonë skaliten përulësisht në hierarkitë e mashkullores, dënohen ose lëvdohen sipas kodesh që realisht nuk na përkasin e që na rraskapitin. E kështu bëhemi lehtësisht pre e urrejtjes së të tjerëve dhe të vetvetes.
Duhet një vigjilencë e pamëshirshme që të arrijmë të tregojmë se çfarë jemi, duke ruajtur njëkohësisht autonominë.
Prandaj ndihem pranë të gjitha grave dhe, shpesh, për një arsye a një tjetër, gjej veten time si te më e mira, ashtu edhe te më e liga ndër to. Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh: letërsia është plot me to e kështu është edhe jeta e përditshme. E megjithatë, unë mbetem me to. / KultPlus.com