Emocionohet pasi sheh veten në fotografi me këmbë zbathur: E kisha kthy prapë atë kohë, e prapë kisha shku zbath në shkollë

Jeta Zymberi

Shpesh prindërit na flasin për kohën kur kanë qenë fëmijë dhe kushtet në të cilat janë rritur. Ndonëse ato fakte shpesh i marrim me skepticizëm, pasi na duket e pamundur kur pohojnë që kanë shkuar në shkollë zbathur, kanë kaluar kilometra të tërë në këmbë për të arritur te shkolla, apo që shpesh gjatë dimrit të lagur nga bora e shiu i kanë përfunduar orët e mësimit në atë gjendje, por disa fotografi të publikuara sot nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi na pasqyruan më mirë se asgjë tjetër atë periudhë, shkruan KultPlus.

“Në shkollën e fshatit në Sllovi, komuna e Lipjanit, në fund vitet 1980- ta, nxënësit ishin urdhëruar që të hynin me këpucë të veçanta në shkollë për të mos futur baltën nëpër klasa. Shumica e tyre hynin zbathur, sepse nuk kishin mundësi të blinin edhe një palë këpucë për brenda”, ky është përshkrimi i fotografive të postuar sot nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi.

Foto: Ilaz Bylykbashi

Këto fotografi nuk na emocionuan vetëm neve, por fatmirësisht edhe një nga personazhet në foto.

Elhame Avdyli Bajraktari, vajza e ulur në bankën e parë të klasës, që shikimin e ka drejtuar ngultas drejt fotografit, sot përjetoi emocione të forta kur familjarët i dërguan fotografinë në fjalë.

“Kur djali i axhës më dërgoi fotografinë, nuk mund të besoja që isha unë. Nëna dhe të gjithë më njohën. U emocionova aq shumë e nisa ta kujtoj atë kohë. Gjëja e parë që mu kujtua ishte bluza me vija. Mu kujtu edhe që nuk kemi pas këpuca e hynim zbathur në klasë sepse shkolla ishte e re dhe nuk na lejonin të hynim më këpucët që vinim nga rruga. Ishte viti 1986, ishte skamje e madhe”, tregon për KultPlus Elhamja që sot është një grua e martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo jeton në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, jo larg nga fshati ku e kishte kaluar fëmijërinë.

Foto: Ilaz Bylykbashi
Ne foto: Elhame Avdyli Bajraktari

Ajo tutje tregon që pothuajse e gjithë klasa ishte në atë gjendje, vetëm 5-6 nga fëmijët kishin kushte pak më të mira dhe kishin mundësi t’i blinin dy palë këpucë.

“Kur u ftoh moti, shkojshim me çorape. Kemi shku me çka kemi mujt”, thotë Elhamja e cila nuk e ka harruar as mësuesin e klasës së parë, Feriz Bytyqin i cilit sot nuk jeton më, por që Elhamja ruan një kujtim të mirë për të, si një mësues i sjellshëm e shumë i kujdesshëm me nxënësit.

Ndoshta dikush do të ndihej keq, apo do të turpërohej për fotografinë që sot u shpërnda edhe nëpër media, por Elhamja jo. Me zërit plot krenari e e lumtur pafund për këtë fotografi, ajo në një intervistë për KultPlus shprehet se nuk ndihet aspak keq për atë kohë, por shumë e lumtur që i ka përjetuar ato momente.

“E kisha kthy prapë atë kohë, e prapë kisha shku zbath në shkollë, veç me i përjetu ato momente se edhe pse nuk kemi pas, kemi qenë të kënaqur”, thotë ajo.

“Kemi qenë shtatë fëmijë, unë kamë qenë fëmija i tretë, nuk kanë pas me na vesh krejtve. E mbaj mend që dy motrat e mëdha të mijat kanë qenë në shkollë njëra paradite e tjetra pasdite. Me një parë këpuca kanë shku në shkollë. Pasi u kthy njona i ka mbath tjetra.”

Foto: Ilaz Bylykbashi

Për të përshkruar gjithë vështirësitë e asaj kohe, Elhamja na përshkruan edhe një tjetër moment. Në klasë të dytë ajo pohon se nuk kishte pantallona për të shkuar në shkollë dhe nënë e saj i ka marr një palë pantallona të burrave dhe i ka shkurtuar e ngushtuar për trupin e fëmijës. Madje ajo tregon edhe se si u paragjykua nga një shoqe në atë kohë.

“Asnjëherë s’kam pas komplekse. Një shoqe më pat thon që i paske pantollonat pak të shkym, unë i kam than po, veç kom kalu shembullore.”

Elhamja flet me dashuri të madhe për shkollën të cilën dikur ju desh ta ndërpriste pasi familja nuk kishte mundësi financiare.

“Shkollën e mesme e kam përfundu e pastaj e kam regjistru shkollën e lartë pedagogjike, po për shkak të kushteve e kam ndërpre”, thotë ajo.

Krejt për fund Elhamja ka një mesazh për të rinjtë sot.

“Unë çuditem çfarë kushte kanë sot fëmijët e nuk mësojnë, unë as natën nuk kisha flejt. Po e marr shembull djalin tem, krejt kushtet i ka edhe priton me msu. Gjithë i them djalit që unë me një fletore i kam shkru krejt landët e ju sot i keni krejt edhe s’po m’soni. Ju kisha lut me m’su sa më shumë”, përfundon kështu Elhamja e cila më në fund e ka në duar imazhin e vetëm nga fëmijëria falë shkrepjes së fotoreporteri Ilaz Bylykbashi. / KultPlus.com

Foto: Ilaz Bylykbashi
Elhame Avdyli Bajraktari
Elhame Avdyli Bajraktari