Promovohet “Në të tjera shpi”, autorja Eli Krasniqi: Letërsia është dimension që e ka lirinë e të shprehurit, pa pasur nevojën për të qenë e saktë

Era Berisha

“Në të tjera shpi” është përmbledhje me poezi e shkruar nga autorja Eli Krasniqi, që vjen nga gjithsej një dekadë pune si shkrimtare. Pas shumë dyshimeve, autorja ka vendosur që promovimi i librit ta gjejë dritën sot në Teatrin ‘Oda’, brenda një hapësire ku ofrohet ajo ngrohtësia e cila lehtazi shndërrohet në shtëpinë e dytë të artit poetik, shkruan KultPlus.

Me profesion është antropologe, por Krasniqi si një aktiviste feminsite, ka vendosur që artin e saj ta shfaq nëpërmjet degës së poezisë. Për të dëgjuar e qenë të pranishëm në rrjedhën e artit të saj, kanë qenë një numër i lartë njerëzish që mbushën hapësirën komplet me fillim nga ora 18:00. Nën një ndriçim të këndshëm për krijimin e një nate ku poezia është e vetmja mbretëreshë, nisi edhe diskutimi për librin, duke filluar qysh nga krijimi i tij.

Mirishahe Syla, magjistre e shkencave sociale, aktiviste feministe dhe poete, ka zhvilluar nisjen e këtij diskutimi në kuadër të këtij promovimi të librit, ku ndër të tjera është folur për librin pastaj janë bërë edhe lexime nga vetë ajo dhe autorja e librit.

“Libri është një përmbledhje e një dekade të punës së Elit si shkrimtare, andaj mbi të gjitha, do të diskutojmë letërsinë feministe që është e përmbledhur në libër. Për mua, kjo është një kthesë në letërsinë shqiptare. Kemi shumë poete e poetë të mirë dhe është një fatkeqësi që ka mbetur pa u zhvilluar feminizmi jonë që është brenda nesh. Unë personalisht pas leximit të këtij libri, kam gjetur diçka brenda vetes që ndoshta se kam ditur që do ta gjejë në libra. Kur lexova librin në gjuhën shqipe, i pashë poezitë dhe për një moment, kam qarë shumë dhe u ktheva në fillimet e mia të rizbulimit së vetes përmes feminizmit. Eli ka pasur shumë dyshime për këtë promovim, edhe se a do të ia vlente për t’i botuar këto, mirëpo mendoj që këto poezi nuk janë më të sajat por janë për ne, sepse kemi nevojë për to”, ka thënë Syla.

Sipas saj, pas leximit të librit, do duhej për tu bërë gati për të shkuar në një udhëtim me vetveten sepse në çdo kapitull të librit është një rrugëtim ndryshe. Pra, libri fillon me një zbulim feminist të vetes, të dërgon tek raporti me shtëpinë dhe atë se çfarë konsiderohet shtëpi, vazhdon tek dinamikat interesante ndërpersonale që zhvillohen tutje, pastaj edhe tek dashuria që perceptohet ndryshe nga çdokush.

“Eli përpos që e ka shkruar këtë libër me poezi, vepron edhe ndërvepron me botën e shoqërinë në role të ndryshme, si antropologe, studiuese, hulumtuese, aktiviste feministe dhe në secilin rol në shoqëri, ajo dallon. Si shkrimtare, shfaqet pa rregulla të caktuara, pa prapavijë se si duhet të jetë diçka. Pra, është thjesht Eli e ‘zhveshur’ para neve në këtë libër”, thotë ajo.

Eli si shkrimtare dhe letërsia e angazhuar e saj

Autorja e librit “Në të tjera shpi”, Eli Krasniqi ka shpalosur se si nisi i gjithë krijimi i poezisë së saj feministe.

“Libri është dedikim ndaj tezes sime, Shuki Gashi. Ajo është dikush që vazhdon me qenë model për mua. Do të doja të falënderoja Fitore Berishën, pasi që ka zgjedhur poezinë time që të shfaqet në muralin e saj dhe për të cilën në fakt kam pasur shumë dilema por më vjen shumë mirë që poezia ime është aty. Shumë gra kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm për një shtytje për të dalë në sipërfaqe. Ne e dimë që kur shkruajmë, shkruajmë goxha lakuriq, andaj është njëfarë frike ndonjëherë. Është e rëndësishme të ceket se ne nuk mundemi pa njëra-tjetrën dhe solidariteti vazhdon me qenë qenësore për çdo gjë që ne bëjmë, në çfarëdo profesioni”, ka thënë Krasniqi.

Sipas saj, një nga sfidat më të mëdha për ata që shkruajnë në Akademi, për ata që janë aktivistë feminsitë, shpeshherë vjen nëpër ndjesinë që të bënë të ndahesh në persona të ndryshëm, por realisht nuk është kështu.

“Në letërsi, për mua është e rëndësishme liria. Në hulumtimin shkencor, ti ndjen rregulla të caktuara por shpeshherë shkrimtarët për të shkruar diçka, bëjnë hulumtim, ndërsa ne që jemi në shkenca sociale, nuk e kemi të nevojshme këtë sepse ekziston privilegji për t’u futur në jetët e njerëzve përmes hulumtimit, që njëkohësisht të bëjnë pjesë e jetës së tyre. Në shoqërinë tonë, unë kryesisht bëj studime shqiptare, dhe realitet tona janë realitete të rënda dhe pikërisht është kjo që provokon për t’i nxjerr ato në hulumtimet akademike por letërsia është dimension tjetër që e ka lirinë e të shprehurit, pa pasur nevojë që t’i referohet dikujt, pa pasur nevojën për të qenë e saktë. Ne jemi qenie subjektive. Për mua, të shkruarit është të menduarit. Procesi i shkrimit më ndihmon të mendoj dhe t’i artikuloj qartazi gjërat që kam nevojë për t’i artikuluar, ashtu qysh unë ndjehem. Është letërsi e angazhuar sepse e kam të vështirë ta nxjerr veten prej konteksteve në shumës, në të cilat jetoj”, thotë ajo.

“Gjethe lulesh jugu”

Tutje, në diskutim e sipër, vend kanë zënë edhe leximet e para të poezive të para në kapitullin e parë të librit, që vjen nën emërtimin “Gjethe lulesh jugu”.

“Kujtime të trishta në qytetin e bardhë”, “Ti je poemë”, “Gjuha amtare”, ishin poezitë që thumbuan me tematikat që u shpërfaqën si dhe me “lakuriqësinë” që autorja e ka në pykë të shkrimeve të saj. Dëshmi për këtë qenë edhe duartrokitjet e menjëhershme pas interpretimit të këtyre poezive.

Ndërkohë, poetja dhe aktivistja Syla është shprehur se në secilën poezi të Krasniqit, vërehet trajtimi i një problemi social, shoqëror, historik apo edhe gjeografik, po që gjithmonë shfaqet me një ndjesi tejet personale.

“Në secilën poezi e gjeni trajtimin e një teme, e një problemi social, shoqëror, historik e gjeografik, por që është kaq personale. Shpesh këto probleme tona shoqërore, i shohim si ideologji të filozofisë, si lëvizje kaq të ndara e të pakuptueshme por që bëhet e kuptueshme kur e ndjen në një nivel personal. Është një letërsi e angazhuar dhe kur flasim për diskutimin mbi letërsinë feministe, gjithmonë ekziston debati mes përcaktimit të letërsisë feministe si letërsi. Përderisa ka lloje të ndryshme të letërsisë dhe përderisa ka mendim feminist, e logjikshme është që të ketë një literaturë feministe”, ka thënë Syla.

Misioni i literaturës feministe

Në vazhdim ka folur poetja Krasniqi, e cila ka theksuar absurditetin se letërsia feministe nuk ekziston. Për të, patriarkati nuk është një karakteristikë e shqiptarëve ose e Ballkanit, por është e gjithë botës.

“Duke qenë se patriarkalizmi është edhe një sistem tjetër i shtypjes, natyrisht që është edhe mision. Ndoshta pika fillestare nuk është domosdo e menduar si mision por nëse e luan atë rol, është shumë mirë. Por, kjo ideja që letërsia feministe nuk ekziston, më duket komplet absurde dhe e vërej herë pas here në disa diskutime tek ne, që konsiderohet se ajo në letërsi nuk ka vend. Por kështu është thënë edhe në Akademi, që nuk ka metodologji feminsite ose perspektivë feminsite, por natyrisht që ka, dhe kjo për arsye se veprohet brenda atij konteksti. Ne jetojmë në një botë patriarkale, gjithandej, dhe nuk është karakteristikë e shqiptarëve ose e Ballkanit. Është e natyrshme që shkrimi letrar të procesojë traumat dhe kjo shfaqet edhe tek poezia e parë që ne e lexuam”, shpalos Krasniqi.

“Lëkura jeme” dhe “Heshtja e himnit”, qenë dy poezitë e radhës që goditën me fuqinë që posedonin. Të pranishmit me librin “Në të tjera shpi” në dorë, përcjellën çdo varg që përshkonte poezinë e Krasniqit, dhe këtë e bënin me një përkushtim të lartë.

Letërsia – pikënisja në shoqërinë patriarkale (2012-2022)

“Ideja për këtë libër ka qenë për ta parë këtë zhvillim përgjatë viteve por unë nuk mund ta vërej këtë sepse thjesht nuk mundem. Ka material aty që më përkujton periudha të caktuara dhe e ndjej njëfarë triumfi në kuptimin që ia kam arritur. Në disa periudha ka qenë një rrugëtim i vështirë dhe ndoshta edhe titulli e tregon pak a shumë sepse viteve të fundit kam lëvizur shumë dhe edhe pse është privilegj, nuk është e lehtë me qenë me një valixhe në dorë. Ndonjëherë, qoftë edhe vetëm fizikisht, është e lodhshme”, ka thënë Krasniqi, e cila tutje shprehet se këtë nuk e ka arritur ende ta mposht, sepse ajo vazhdon të jetë me një valixhe në dorë.

Një element tjetër në poezinë e saj që vlen të ceket, konsiderohet të jetë shikimi i letërsisë në arkiva, asisoj që të shihet edhe dimensioni gjuhësor se si ka lëvizur.

Emërtimi i kapitujve

“Kjo ka qenë shumë problem për mua. Për të vendos tituj nëpër poezi për mua është një tmerr më vete sepse asnjëherë nuk ia qëlloj me tituj, të paktën, mua më duket kështu. Ka qenë shumë e vështirë me e gjet një titull por titulli i këtij libri është titulli i një poezie. Për mua, më vjen si proces shumë i vështirë dhe i zorshëm, dhe ndonëse që njoh shkrimtarë që e nisin poezinë me titull, për mua është një proces reflektimi”, shpalos Krasniqi krejt në fund.

Ndërsa, për të përmbyllur këtë mbrëmje që jehoi nëpër vargje dhe luhati nëpër mendime e sqarime, u interpretuan edhe pesë poezi të tjera, me ç’rast nga kapitulli i dytë u lexua poezia “Sa herë kthehem”, teksa nga i treti u lexuan poezitë si: “Snooze”,“Dashnisë teme si dihet”,  “Më presin” dhe “Në të tjera shpi”.

Krejt në fund, pas këtij diskutimi për ngjarje e kujtime nga më të ndryshmet, me një larmi mendimesh dhe zërash që portretizuan fuqinë kolektive të gruas, ngjarja gjeti fundin me nënshkrimin e librave nga autorja Eli Krasniqi. / KultPlus.com

Nën temën “Djersë”, së shpejti nis edicioni i tretë i Karnavalit

“Kosovo 2.0” ka paralajmëruar se më 9 qershor, nga ora 18:00 në Kino ARMATA do të hapet edicioni i tretë i karnavalit me temën “Djersë”.

Hapja do të bëhet përmes bisedës pse djersë, me të ftuarit : Visar Ymeri – drejtor ekzekutiv i Institutit për politika sociale “Musine Kokalari”; Krunoslav Stojakovic – historian dhe drejtues i zyrave të Rosa-Luxemburg-Stiftung në Beograd, Serbi dhe Tuzla, Bosnje dhe Hercegovinë; Ardiana Gashi – profesore në Universitetin e Prishtinës; Borche Manov Bozhinov – mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe president i STAR; Besa Luci – kryeredaktore e Kosovo 2.0.

Veç diskutimeve të ftuar për të lexuar poezi janë edhe: Eli Krasniqi & Agnes Nokshiqi; Arbër Selmani; Jonida Beqo; Nora Prekazi dhe Elona Beqiraj.

Në mbrëmje do të performojnë: Don’t Listen to Your Neighbors. / KultPlus.com

Po t’ishte zoti feminist, kisha me besu

Poezi nga Eli Krasniqi

zotin e paç me veti më thotë nana
po unë hyjnitë moti i kam lanë
e pashë që nuk asht zoti
asht burri në tokë
që e krijoi zotin për me më shtypë mue

ku me gjetë një zot që nuk ka gjini
që nuk e shtron pushtetin mbi mue
si një burrë seksist
si një burrë me ego
që kërkon veç atë me adhuru

ose, si një grue burrneshë, që patriarkun e ka përbrendësu
më thotë ‘imani i grues asht shtaga’
më thotë ‘mos e qit kambën mbi kambë se sundon te baba’
më thotë ki frikë zotin e burrin

a ka zot që nuk më vjen si burrë patriark

po t’ishte zoti feminist
kisha me besu.

(botuar fillimisht në ‘Shota.al’) / KultPlus.com

PO T’ISHTE ZOTI FEMINIST

Përfaqësuesja e popullit

Nga Eli Krasniqi. Eli është socio-antropologe, shkrimtare dhe aktiviste.

Një kostum rozë veshë ajo, majat e flokëve të kthyeme prapa
si gratë pas shpinës së saj, ato që do të duhej me i përfaqësu,
e brishtë, me take ecë, lehtë,
mos me i gërvishë vendimet e shefit
‘kam frikë se me aprovimin e ligjit, numri i tyre shtohet’ – tha.
***
Në 2013, gra deputete votuan kundër përfshirjes së grave të mbijetuara të dhunës seksuale në ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve…sot disa nga te njëjtat, flasin për gratë e përdhunuara gjate luftës, madje edhe pozojnë para kamerave me to./ KultPlus.com

A hahet Atdheu?

Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi.

Asht qetësi, ora e kuzhinës numron
Sonte sa autobusë ikin?
Sonte sa kufij kalohen?
Asnjiherë ata të mendjes,
Pos ata të maleve, kaçubave
Njerzit kushtojnë lirë sot
Sonte a ka fëmijë që kalojnë mbi koka të njerzve?
Për me u ngulfatë në autobusët që dikund çojnë
40 deri në 60 euro nji njeri.
Sot asht mot me shi e borë
Muret e lagshta nuk thahen në mushknite e njoma të fëmijve
A ka nxemje sot në spitalet me njolla gjaku
Po shtretër? 4 fryma në 1 shtrat
2 gra, e 2 fryma brenda trupave të tyne
Po glukozë, penicillin, anti-shok?
Oh vdiq edhe nji
edhe 1
edhe 1
‘Kaq e ka pasë të shkrume’
Sa gra në strehimore?
6 muj ikin nga dhuna e pastaj ku shkojne?
Sa landë në gjykata?
Sa kushton 1 rast?
Sa kushton 1 landë?
A ka nji qenie pas ‘landës’?
Radiatorët a përçojnë vërshimën e kilovatëve
Sa kilovat? Sa euro?
Po dru? A ta djegim vetën ma mirë.
Bombola gazi shperthyn
1 fëmijë i lëndum rand në rrezik jete, nanës ju dogj
shpirti
mendja
krahët
gjinjtë
duert
barku
Shkrumi ra mbi kokat tona.
Borë e shi bashkë bijnë sot
Nxitimthi paketohen valixhet, pak pak gjësende
Si në kohën e luftës
Maro gurabia, ato qëndrojne gjatë, mos harro ujë.
1 litër
5 anëtarë
40 gurabia.
“Oh pa shihe, paska oferta të lira për Dubai”
“Po ikim pak, ta harrojmë për pak llumin e këtij vendi”
“Ah pa shihe 399 euro në Paris për shën Valentin”
Nji njeri kushton ma pak.
Po dalim edhe ne, po dalim, po ikim
Jo, thojnë hallku e la atdheun
Cilin atdhe? A hahet atdheu?
Edhe po deshëm me e hangër, e kanë ba para nesh
Ja kanë grry malet e bjeshkët
Na rrijmë këtu, po e hajmë dheun
2 metra nën tokë.
A ka sot protesta në Prishtinë?
A janë shkurtu ditët a janë zgjatë?
Orët nuk numrojnë njësoj
Matet koha me vaktin e ushqimeve
‘Mos ikni, mos e lini atdheun’
Cilin atdhe bre? Cilin?
A hahet atdheu?
3 vakte në ditë.
2015, Graz – Eli Krasniqi

Me dashtë nuk asht me pasë

Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi. Eli është socio-antropologe, shkrimtare dhe aktiviste.

Me dashtë nuk asht me pasë
Mjafton me e ditë që dy copa qielli
Shohin, vështrojnë dhimbën njerzore,
Durojnë, falen, privohen, falin
As nuk flasin për netët e (sh)qetësisë
Veç zemrën jashtë e gdhendin e gurin brenda
e mekojnë.
Me dashtë asht mos me u shfaqë, veç me heshtë
Zvarrë zvarrë netve si bubrreci në tokën e zezë,
pa hetueshem lindjen e diellit me ndjekë,
për me i pa dy copa kaltrie që vështrojnë,
që reshin, qeshin, vransohen.
Me dashtë asht veç me ndje, nji prani n’ajr
Kur gjithçka përreth n’kristale drite e shndërron.