Rok grupi i njohur Elita 5 është një nga grupet më të preferuara në vendet shqipfolëse, të cilët i rezistuan kohës, shkruan Kultplus
Me të dëgjuar këngët e tyre, meloditë na kthejnë prapa në kohë. Sot po ju sjellim njërën nga perlat muzikore “E urrej shiun”.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Në kitarë teli… i këputur ndali këngën më të bukur… por s’e ndali, shiun në këtë qytet.. Ku je buza e paputhur dashuria ime e humbur në mes të rrugës.. unë po lagem vetë..
I harruar si një letër e djegur… në këtë rrugë pa adresë kam mbetur E urrej… shiun kur bie… se njëherë ma fiku një zjarr.. një zjarr dashurie… I urrej.. lotët e mi… dhe pse ngjajnë me shiun që më ndau nga ti..
Dashuria ish dikur mbet kornizë pa pikturë që askund nuk e shoh në mur… I harruar.. si një leter.. e djegur… në këtë rrugë.. pa adrese kam mbetur…
E urrej shiun kur bie.. se njëherë ma fiku një zjarr një zjarr dashurie… i urrej.. lotët e mi… sepse ngjajnë me shiut.. (2x)
E urrej shiun kur bie.. se njëherë ma fiku një zjarr një zjarr dashurie… I urrej lotët e mi… dhe pse ngjajnë me shiun që më ndau nga ti..
Ti ndoshta ishe një rrufe që erdhe shpejt… dhe kur shkove, nuk e dita, as e di por këngën edhe shpresën i le të treten nëpër shi… / KultPlus.com
Kur
flitet për rok grupin “Elita 5”, vetvetiu të sillen në kokë tingujt e
bukur, tekstet kuptimplota dhe zëri unik i vokalistit Arif Ziberi.
Janë bërë 30 vjet prej se ata kanë dalë në skenë, fillimisht duke performuar nëpër kafene e mbrëmje rinore për t’u bërë më pas një grup i fuqishëm roku, një grup i konsoliduar që publikut shqiptar arriti t’i sjellë shumë albume muzikore me qindra hite që edhe sot e gjithë ditën dëgjohen, këndohen e performohen me ëndje vazhdimisht…
Këngët e tyre të para si “Mbrëmje rinore”, “Mirë e di”, “Si Merlin Monro”, e deri te hitet “Unë e di se ku të dhemb”, “Faleminderit”, “Dua të vdes”, “Al Kapone”, “Zemra e thyer”, “Dashuria është diçka tjetër”, “Ti e vrave dashurinë”, “Çmendem” e shumë të tjera kanë mbetur thesar i skenës muzikore shqiptare, duke i vënë ata në piedestal si grup.
Zakonisht,
një rok grup nuk e ka të lehtë t’i rezistojë kohës apo edhe rrethanave tjera,
shpesh grupet e famshme kanë ndryshuar formacionin apo në të shumtën e rasteve
vokalistin.
Por
te “Elita 5” kjo nuk ka ngjarë për gjithë këto vite. Ata vazhdojnë të
jenë të njëjtit që kur kanë filluar performancat në vitet ’90.
Nexhat Mujovi (sintisajzer-producent), Agron Idrizi (bas kitarë), Besim Ibraimi (daulle), Mevaip Mustafi (solo kitarë), e vokalisti Arif Ziberi janë muzicientët e njëjtë të cilët e krijuan grupin “Elita 5” dhe të cilin arritën ta mbajnë përgjatë këtyre viteve, me edhe një anëtar të shtuar, Valon Gashin (kitarë).
I formuar në Tetovë në vitin 1987, grupi preku zemrat e gjithë shqiptarëve anembanë botës me tekstet e bukura të gërshetuara në baladat aq prekëse që di t’i interpretoj Arif Ziberi. “Elita 5” dha qindra koncerte, qindra organizime të ndryshme kudo ku ka shqiptarë.
Në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus, vokalisti Arif Ziberi shpalos gjëra interesante. Ai tregon se çfarë do të thotë për të grupi “Elita 5”, cilat grupe të famshme kanë qenë inspirim për ta, e si i sheh ai artistët e rinj dhe artin e sotëm në përgjithësi…
KultPlus: Çfarë do të thotë për ju personalisht grupi “Elita 5”?
Për mua grupi “Elita 5”, do të thotë thjesht kuptim i jetës.
KultPlus:Në vitet ’90 kur edhe është shfaqur “Elita 5” ishin vitet e arta për muzikën rok, cilët ishin këngëtarët dhe grupet që ju inspiruan?
Sigurisht në fillet tona kemi pasur inspirime nga grupet e mëdha botërore si: Bon Jovi, Deep Purple, Toto e plot të tjerë.
KultPlus:Janë bërë shumë vite për “Elitën 5” në skenë, e ndjeni veten të lodhur nga gjithë ky rrugëtim?
Mbase do të thonit se mosha e bën të veten. Edhe tek ne mosha e bëri të veten, por për të mirë. Na thonë se jemi sikur vena, sa më e vjetër, aq më e mirë.
KultPlus:A po i jep grahmat e fundit muzika rok, sipas jush?
Tek ne muzika rok ka mbetur një gjysmë hobi le të themi. Ajo që na gëzon është se në skenën botërore roku ka invazion të vërtetë, e këtë e shohim edhe si shtytje për zhvillimin e rokut në trevat tona.
KultPlus:Tekstet e “Elitës 5” përçojnë mesazhe në shoqëri, a mendoni se teksti dhe muzika janë gërshetim i një krijimi harmonjoz?
Për ne dhe grupin tonë, kënga nuk quhet e përfunduar nëse teksti dhe muzika nuk e kanë kiminë e njëjtë.
KultPlus:Kohët moderne (zhvillimi i teknologjisë) kanë krijuar kushte që skena të gëlojë nga artistët e rinj, por realisht si i shihni ju ata? Mendoni se mund të lënë pas vepra që do t’i rezistojnë kohës?
Sinqerisht më vjen keq që artistët e rinj e kanë për cak të bëjnë këngë që dëgjohen dy javë. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë kualitet dhe nuk kanë se si të lënë gjurmë.
KultPlus:A mendoni se gjithnjë e më shumë po i bie rëndësia grupit klasik muzikor si shkak i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë?
Grupi klasik muzikor po e humb vlerën vetëm tek ne. Pra, mundohen që të gjitha instrumentet të zëvendësohen me sintisajzer, në mënyrë që këngëtari të përfitojë me shumë. Por kjo nuk sjell kualitet dhe është jetëshkurtër.
KultPlus:Me çfarë preferoni të merreni jashtë muzikës?
Kohën e lirë preferoj ta shfrytëzoj me anëtarët e shtëpisë, po ashtu kam dëshirë të eci shumë…
KultPlus:A ekziston vërtet ndonjë sekret i jetëgjatësisë në skenë, apo ajo vjen si rezultat i punës së madhe kolektive?
Çelësi i jetëgjatësisë tonë është përkushtimi i madh në punë. Derisa të tjerët nxjerrin pesë këngë në vit dhe harrohen menjëherë, ne nxjerrim një këngë dhe mbetet hit për pesë vite e më shumë…
KultPlus:Filozofi gjerman Fridrih Niçe që ishte adhurues i madh i muzikës, shprehet se: “Pa muzikë, jeta do të ishte gabim!” Pajtoheni me këtë thënie të famshme?
Jo rastësisht Niçe llogaritet si filozofi më i njohur i të gjitha kohërave. Besoj se i gjithë njerëzimi pajtohet me këtë thënie të tij. /KultPlus.com
Grupi legjendar i rrokut “Elita” 5 do të ndezë mbrëmjen e sotme skenën e Amfiteatrit të Liqenit, për të festuar 30-vjetorin e krijimit të grupit, me disa prej këngëve të tyre më të mira.
Para koncertit, anëtarët e grupit u pritën në një takim të veçantë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i falënderoi për frymëzimin e shumë të rinjve shqiptarë dhe për spektaklin që do t’u ofrojnë sot qytetarëve të Tiranës.
Në shenjë mirënjohje, Veliaj i dorëzoi vokalistit Arif Ziberi “Çelësin e Qytetit”, si një shenjë se për miqtë dyert e qytetit janë gjithmonë të hapura.
Kryebashkiaku tha se “Elita 5” kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare sepse kanë hapur një dritare të re, në një kohë kur Shqipëria ende nuk e dinte se përtej kufijve të saj ekziston edhe një botë tjetër.
“Jo se kohët janë më të vështira se ç’kanë qenë, por për të treguar edhe pak bujari, Çelësin e Qytetit mund ta rezervojmë vetëm për miq të veçantë, që vijnë pa trokitur, që vijnë në çdo orë të ditës dhe të natës, që janë si në shtëpinë e tyre. “Elita 5” na ka ndryshuar jo vetëm pikëpamjen për botën, por na ka hapur një dritare në botë, në një moment kur Shqipëria ende nuk e kishte njohur që përtej Adriatikut kishte një botë tjetër”, theksoi ai.
Kreu i Bashkisë u shpreh se përmes muzikës së tyre në këto 3 dekada, grupi legjendar i rokut na ka kujtuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se sa ato që na ndajnë.
Në emër të grupit “Elita 5”, vokalisti Arif Zyberi falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen e organizimit të këtij koncerti në këtë vit jubilar për ta. Ai tha se marrja e “Çelësit të Qytetit’ është çmimi më i lartë që grupi “Elita 5” ka marrë deri më sot, që i bën të ndjehen qytetarë të Tiranës.
“Ju jam shumë mirënjohës, në emër të të gjithë grupit, dhe mezi pres për një koncert fantastik. Shumë faleminderit kryetar dhe stafit tuaj për gjithë këto punë që keni bërë për grupin “Elita 5”. Ky është një çmim shumë i madh, me të vërtetë çmimi më i lartë që grupi “Elita 5”, ka marrë deri më sot dhe prej sot do të ndihemi si qytetarë të Tiranës, pasi kemi çelësin. Shumë faleminderit që na keni kujtuar, që na keni përkrahur dhe që na prisni çdo herë me pozitivitet e optimizëm kur vijmë në Tiranë”, tha vokalisti i grupit, Arif Zyberi./m.m/KultPlus.com
Nga Tetova vjen një grup muzikor që nuk e humb shkëlqimin prej 30 vitesh. Ata janë Elita 5, pionerët e rokut shqiptar, këngët e të cilëve i njohin të gjithë. Djemtë e Elita 5 po përgatisin një koncert që do të mbahet në Amfiteatrin e Tiranës për të festuar 30-vjetorin e bashkimit të tyre si dhe të prezantojnë albumin e ri “Tornado”. Me solistin e grupit, Arif Zyberi, Besim Ibrahimin dhe Nexhat Mujovin bisedoi Jetona Koçibelli.
Askush nuk mund të mos ketë ngelur i prekur nga emocioni që shkakton Elita 5. Me muzikën e tyre të ndierë, me stilin “rock” dhe me magjinë e sharmin e tyre, kur vjen puna tek legjendarët ne i përulemi suksesit të tyre. Elitarët janë pesë, ashtu siç e filluan para 30 vitesh. Me Al Capone, Sajzezën, E urrej shiun, Udhëtari i natës, e deri tek më të fundit, Nuk jam unë diktator, Çmendem e së fundmi Tornado.
Koncerti vjen me 7 shtator në Amfiteatrin e Tiranës.
Artifi, Mevaipi, Besimi, Agroni, Valoni e Nexhati si producent erdhën në Tiranë për të filluar përgatitjen për koncertin e madh të 30-vjetorit të tyre, në Amfiteatrin e Liqenit, organizuar nga Bashkia Tiranë.
Pse në Shqipëri?
“Duhet ta pranojmë për gjithë shqiptarët që jemi jashtë kufijve të Shqipërisë, kryeqendra e shqiptarisë ka qenë Shqipëria dhe Tirana. Dhe jo rastësisht ky koncert do të zhvillohet në Tiranë”, thotë vokalisti.
Grupi është krijuar në 1988. Si ishit atëherë? Të njëjtë apo me ëndrra më të mëdha?
Ëndrrat e atëhershme janë bërë realitet. Vetëm mosha na ka ndryshuar.
Kush ju ka bërë që t’i shkruani kaq bukur baladat? Stili apo dashuria?
Muzikën e bën Virusi, tekstet i bën ekipi ynë. Kjo nuk do të thotë se nuk bëjmë tekste, pasi të gjitha baladat kanë qenë me sugjerimin tonë. Janë historitë tona.
Ka patur shumë momente të rëndësishme historike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni përgjatë këtyre dekadave, si kanë ndikuar ato në artin tuaj?
Po normale që ka ndikuar, sipas situatës që ka qenë, ashtu edhe kemi krijuar. Jeta e përditshme është ajo që të motivon të krijosh diçka, qoftë mllefi, qoftë dashuria…
E kujtoni besoj koncertin e madh kur erdhi grupi “Scorpions” në Tiranë?
Ka qenë një moment shumë i vështirë për ne, pasi ndërkohë që shfaqej koncerti, ne në Maqedoni kishim luftën dhe më kujtohet një rast që kur filloi koncerti, pjesa e Scorpions, u ula në publik dhe thirra shoqen time dhe i thashë dëgjojë Scorpions. Dhe ajo tha shumë bukur, por dëgjo ti çfarë po ndodh këtu, në Tetovë. Kishte krisma të mëdha. Ishte një eksperiencë shumë e madhe për ne, që do ta kujtoj gjatë gjithë jetës sime.
Përveç të tjerash keni krijuar edhe një imazh tepër të qëndrueshëm si një grup stoik që i ka rezistuar kohës. Çfarë ju ka mbajtur gjatë për kaq shumë kohësh?
Na ka mbajtur shoqëria, sepse jemi të një qyteti. ka qenë ajo në fillimet që kemi qenë edhe jemi njohur fqamiljarisht. Ndërsa në punë na ka mbajtur korrektësia ndaj punës dhe publikut.
Çfarë do të na këndoni?
Do të këndojmë këngë nga repertori i Elita 5, kemi bërë një përzgjedhje shumë reale duke u bazuar në Youtube, se cilat këngë janë më të kërkuara.
Shpresojmë që edhe publiku t’i këndojë këngët, për mua do ishte dështim koncerti nëse nuk këndojmë bashkë atë natë.
Uroj që atë natë mos e urrej shiun, të kemi një kohë të bukur. por besoj se nuk do të kemi shi. / Gazeta Shqip / KultPlus.com
Një “Tornado” e ka quajtur kryebashkiaku i Tiranës, ardhjen e tyre në Tiranë mbrëmjen e 7 shtatorit. Por nuk bëhet fjalë për një tornado të vërtetë.
Ata janë 5 pjesëtarët e grupit aq të famshëm nga Tetova “Elita 5”, krijuar në vitin 1978 e që këtë vit mbushin plot 30 vite karrierë.
Tre dekada krijimtari, banda e rokerëve ka vendosur t’i festojë në Tiranë përmes një koncerti madhështor në Amfitetarin e Liqenit, një ngjarje e rëndësishme, të cilën kanë vendosur ta kremtojnë pikërisht në Tiranë, ku do të këndojnë për publikun shqiptar këngët e tyre më të mira ndër vite.
“Elita 5” në 30 vite karrierë numëron më shumë se 120 kënge, ku “Al Capone”, “Nuk jam unë diktator” “Fol vetëm fol”, janë vetëm disa nga hitet më të njohura të cilat do të këndohen në Amfitatrin e Tiranës për gati 2 orë.
Krahas 30 vjetorit të krijimit ‘Elita 5” ka edhe arsye tjetër për festuar: lancimin e albumit te ri, duke e çuar në 8 totalin e albumeve të këtij grupi. Këto dy ngjarje të rëndësishme do të sjellin në Tiranë bandën shqiptare nga Maqedonia, në datën 7 shtator në ora 20.00, në një koncert live në Amfitetarin e Liqenit./ KultPlus.com
Rok grupi i njohur Elita 5, të cilët erdhën në tregun shqiptar në fillim të viteve të ’90 e që ende mbesin ndër grupet më të preferuara në vendet shqipfolëse, sapo kanë publikuar këngën e re të titulluar “Tornado”, shkruan KultPlus.
Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip të veçantë i cili është realizuar nga Max Production.
Teksti i këngës është shkruar nga Avni Qahili.
Ndryshe, grupi Elita 5 ndër vite kanë sjellë hitet si “Al Kapone”, “Çmendem”, “Çka më ka syri”, “E urrej shiun” e shumë të tjera./KultPlus.com