78 emra dhe mbiemra të pronarëve të shtëpive shkolla janë vendosur në satelitët e kuratores Eliza Hoxha, e cila, në mesditën e së enjtes, punën e saj artistike që ka nisë qysh nga muaji janar e shpalosi në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, të titulluar “The City is everywhere”, shkruan KultPlus.
Ardianë Pajaziti
Vizitorë të shumtë ndalonin te Pavijoni i Kosovës, i cili nga jashtë ishte me tulla të kuqe, që kosovarët dinë më së miri për shtëpitë me tulla të kuqe, për të vazhduar më pas me hyrjen brenda shtëpisë, që dallonte prej asaj nga jashtë.
78 satelitë të vendosur lartë, sikur i bënin rojë tepihut të shtruar poshtë, të cilat kishin një ndërlidhje brilante.
Satelitët në këtë Pavijon kishin emër e mbiemër, kishin emrat e pronarëve të cilët kishin rrezikuar edhe familjet e tyre për ti shndërruar shtëpitë e tyre në shkolla, vetëm që mos të linin gjenerata të pa arsimuara.
Kurse tepihu poshtë, ishte një tepih që barte hartën e Prishtinës, e cila me vijzimet e zeza tregonte rrugët, kurse pikat e kuqe tregonin shtëpitë shkolla, krejt këto përjetime të viteve të 90-ta, ku gjenerata të tëra kanë përfunduar arsimimin e tyre në këtë sistem paralel të arsimit.
Dhe pos tullave të kuqe, satelitëve dhe tepihut, ky pavijon reflektonte, reflektonte nëpërmjet pasqyrave të shumta, të cilat padyshim bënin vizitorët të mendonin më shumë për këtë ndërlidhje artistike të kuratores Eliza Hoxha, e cila për herë të parë ka zënë hapësirën si përfaqësuese e Kosovës, në edicionin e 16-të të Bienales së Venedikut.
E emocionuar deri në palcë, për këtë rrumbullakim të punës, artistja, arkitektja Eliza Hoxha, përderisa fliste për KultPlus, shpërtheu në lot.
“Ka pas momente shumë të rënda, kur e kam takuar drejtorin e shkollës së Gjimnazit të atëhershëm, ai në fillim nisi të qajë, ‘më fal tha se sa herë flas për këto vite, më vjen të qajë’. Krejt çka kanë bërë njerëzit atëherë ka qenë që ne me qenë të shkolluar, sepse ka qenë e pamundur”, ka treguar në lot Eliza Hoxha, e cila megjithatë është shprehur të jetë e lumtur që këtë rrëfim të popullit të saj po e prezanton në një hapësirë kaq të rëndësishme, sikurse është Bienalja e Venedikut.
“Pavijon i jonë nuk është dokumentues, nuk është përshkrues, është konceptual, sjellë një hapësirë të jashtme, brenda një hapësire të brendshme. Ideja jonë ka qenë me e prezantu shtëpinë, sepse shtëpia për ne ka qenë hapësirë e lirë, po flas për vitet e 90-ta, sepse nuk kemi pasë mundësi me e gëzu të drejtën e institucioneve zyrtare. Shtëpia ka qenë sinonim i qytetit, sepse në secilën shtëpi është bërë jeta brenda, kurse hapësira e jashtme është frekuentuar në të shumtën e rasteve për me protesu, demostru”, ka thënë Hoxha për KultPlus.
Ajo më pas ka shpjeguar se Pavijoni vjen si shtëpi, si shtëpi e pa kryer, me blloka, sepse, sipas saj, sinonimin e shtëpive të kuqe e dinë gjithë kosovarët.
“Ka ardhë koha me e pa historinë tonë në sy, dhe krejt akterët që kanë kontribuar në këtë periudhë, ka ardhë koha që të vlerësojmë kontributin e tyre”, ka thënë Hoxha, e cila më pas ka shpjeguar edhe punën e satelitëve. “Satelitët vijnë si strehë e jona, sepse jemi ushqyer nëpërmjet satelitit, prej tyre kemi kuptuar për botën. Jemi formësuar intelktualisht, gjuhësisht, kemi mësuar shumë gjuhë, pa dashje ndoshta. Sateliti ka pasë shumë rëndësi në jetën tonë”, ka thënë Hoxha.
Ajo me plot emocione tregon edhe për tepihun brenda shtëpisë, tepih që poashtu ndërlidhet me vitet e 90-ta, ku nxënësit kanë mësuar në shtëpitë shkolla dhe janë ulur edhe nëpër tepih.
“Tepihu është vet Prishtina, sepse secila shtëpi është përfshirë në këtë tepih. Janë tri gra në Gjonaj, ato e kanë punuar këtë tepih në vek, gëzohemi shumë që e kemi sjellë, sepse edhe ky pavijon kur të përfundojë, do të na mbetet ky tepih”, ka thënë për fund ajo.
Kurse arkitekti Përparim Rama, përfaqësuesi i parë në Bienalen e Venedikut ka treguar për KultPlus për ekspereincën e vitit 2012, dhe ka potencuar se krejt ky prezantim nuk është fare i lehtë.
“Vitet e 90-ta janë një periudhë shumë e rëndësishme, por edhe e rëndë për popullin shqiptar, por është shumë me rëndësi që po prezantohet në Bienale, sepse është shumë me rëndësi për popullin tonë. Unë vet e kam përjetuar periudhën e viteve të 90-ta dhe e mbaj në mend, që lirinë e kemi pas brenda, në hapësira publike kemi qenë të robëruar, ose nuk kemi qenë të lirë, sepse tërë kohën ka pasë mundësi me na ndodhë me keqja. Dhe mu për këto ngjarje nuk kemi kuptuar prej medieve tona, mirëpo nëpërmjet satelitëve, prej jashtë e kemi parë se çfarë po ndodhë brenda. Historia e viteve të 90-ta është shumë me rëndësi dhe po prezantohet në mënyrë të denjë në Bienalen e Venedikut”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Përparim Rama ka thënë se kjo periudhë ka potencial të mjaftueshëm edhe për artistët e tjerë, në mënyrë që të nxirren rrëfime, prezantime sa më të mira, duke përfshirë edhe tullat e kuqe, sepse njerëzit në vitet e 90-ta, sipas tij janë frikësuar të mbajnë paratë në banka dhe kanë investuar në tullat e kuqe.
Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut e ka mbështetë Qeveria e Kosovës, ku të pranishëm në hapjen zyrtare ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i Kosovës Behxhet Pacolli, ministri kulturor Kujtim Gashi, ministrja e Ministrisë së Ambientit, Albena Reshitaj, Ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, dhe shumë artistë dhe bashkëpunëtorë të Eliza Hoxhës, e cila këtë vit është prezantuar me komisioneren Jehona Shyti./KultPlus.com