Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zyrtarisht konfirmon pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venedik 2018, shkruan KultPlus.
Komisioner do të jetë vet Ministria, ndërsa për kuratore, Ministri Gashi ka emëruar arkitekten Eliza Hoxha, e cila është aktive edhe në fushën e kulturës, edukimit dhe aktivizmit në Kosovë.
Tema e këtij edicioni është “Hapësirat e lira” (Free spaces) e shpalosur nga kuratoret Yvonne Farrell dhe Shelley McNamara. Ndërkohë pritet të krijohet ekipi dhe ideja tematike që do ta përfaqësoj Pavijonin e Kosovës përbrenda temës kryesore të Bienales.
Sot Ministri Gashi e priti në takim kuratoren Eliza Hoxha ku u diskutua për procesin e pjesëmarrjes dhe u zotua për përkrahjen institucionale dhe mobilizim të institucioneve relevante që përfshijnë fushën e diplomacisë kulturore.
Kuratorja Hoxha e falënderoi Ministrin Gashi për besimin e dhënë duke theksuar edhe rëndësinë dhe peshën e përfaqësimit të shtetit në këtë ngjarje me rëndësi për shkëmbimet kulturore në fushën e arkitekturës, dhe u zotua që do të punoj më përkushtim në krijimin e ekipit kompetent që mund ta adresojë temën mbi “Hapësirat e lira” nga konteksti kosovar.
Ministria e Kulturës bashkë me kuratoren do të ju mbajnë të informuar për hapat e mëtejmë të procesit të pjesëmarrjes deri në aktin final në hapjen e Bienales./KultPlus.com
Të privuar nga media dhe informimi secila familje shqiptare kishte blerë një antenë satelitore, duke e kthyer qytetin në një “kopsht të këpurdhave të bardha”. Ju mund të shënonit saktësisht në peizazhin e qytetit se cilat ishin banesat shqiptare. Satelitët “mundësuan për herë të parë të shohim një botë përtej 3 kanaleve televizive serbe”. Njëkohësisht shqiptarët kishin mundësi edhe në programin dy-orësh që Radio-televizionit Shqiptar e siguroi si hapësirë informuese vetëm për ta. “Një herë në javë, kasetat me lajme dhe incizime nga terreni në Kosovë dërgoheshin për Shqipëri për programin 2-orësh”, thekson Dragaj.
Sateliti u ofroi mundësinë shqiptarëve të Kosovës për të parë dhe për tu parë dhe përtej MTV, VIVA, Euronews BBC,e të tjera, ishte videokaseta që u bë zëvendësim për mungesën e programeve kulturore në gjuhën shqipe. Në anën tjetër përtej muzikës rock me të cilën shquhej gjenerata e kohës – rryma të tjera muzikore vinin në shprehje me shumë tema të angazhuara duke adresuar brengën për rrethanat e kohës kur rezistenca paqësore tashmë ishte zbehur dhe në sfond dëgjoheshin zëra për krijimin e UÇK-së. Kujtojmë “Don’t fuck with Albanians” të grupit Jericho Walls, duke u cilësuar si një grup “në këngët e së cilit kulmon mllefi dhe shpërthen njëfarë çlirimi. Këngët e këtij bendi përbëjnë një kronikë fantastike të kohës, një perceptim dhe konceptim të ndryshëm të kontekstit tonë jetësor në të cilin sprovohen të gjitha vlerat e proklamuara politike shqiptare” të atij dhjetëvjetëshi. Për herë të parë një gjeneratë në Kosovë heq dorë nga durimi asketik për ta shpalosur rebelimin e vet”, e rreshtuar drejt ardhmërisë.
A mund ta quajmë rebelim edhe imazhin e çliruar të Adelina Ismailit në të ’90-tat si “një demonstrim i sovranitetit të trupit të zgjuar dhe njëkohësisht një sprovë dhe një provokim shqetësues për ideologjinë dominuese të “moralitetit shqiptar”. Dua të ndalem të kënga e saj “Ushtrinë time do ta bëj – me Ibrahim Rugovën” për simbolikën e fjalëve dhe të imazhit që ajo përçoi. Kujtoj festivalin “Show Fest” në një kohë kur Rugova ndoshta për arsye politike nuk po gjente forcën të pranonte publikisht se UÇK-ja ekzistonte, del një zë gruaje që përçon një mesazh sa të lirshëm aq të koduar, sa rebel e sa të sofistikuar, fundja nëse asgjë tjetër si një nevojë dhe kërkesë e një gjenerate që tashmë durimin dhe pritjen e kishte të harxhuar.
Kënga u përcoll fillimisht me imazh – veshje ushtrie duke simbolizuar rreshtimin dhe përbashkimin drejt lirisë, por përfundoj me zhveshjen e saj nga ato rroba në një imazh çlirimtar e fitimtar të vetës, trupit të saj dhe lirisë individuale e kolektive, jo vetëm si refleks I mesazhit të këngës por edhe më shumë si shpërfaqje e një çlirimi ndërshqiptar që tashmë pavetëdijshëm kishte ndodhur në raporte gjinore, moshore dhe shoqërore në përgjithësi në procesin e lëvizjeve socio-kulturore për pavarësi. Në këto rrethana të ndrydhjeve dhe përplasjeve të mëdha lindi hip-hopi në Kosovë, një skenë që edhe sot e asaj dite është dominante. “Një ditë do të jetë më mirë” kënga e grupit “Ritmi i Rrugës” ishte për shumëkë një këngë optimizmi në ditët gri. Sidoqoftë “për dikë që në atë kohë ishte tinejxher në Prishtinë, kujtimet e viteve të ’90-ta zgjojnë ndjenja të përziera. Dëshpërimi I jetës nën sistemin e aparteidit kundërpeshohet me nostalgjinë për ekspanzimin në kulturën urbane, e cila mbolli farën për atë që sot njihet si skena alternative mjaftë e gjallë dhe produktive e Prishtinës” thotë Maliqi.
Në anën tjetër paralelisht me këto aktivitete shumë djem të rinj ndërprenë studimet e tyre dhe shkuan jashtë Kosovës duke qenë të përndjekur nga Ushtria Jugosllave me idenë se duhet të përfundonin shërbimin ushtarak… sa ironike!!! Disa, filluan ti bashkohen UCK-së nëpër male. Dukej qartë se rezistencës paqësore po I vinte fundi dhe kjo do të shënjohej me demonstratat e studentëve me 1 Tetor ’97. “ Sot për sot” ishte slogani I jetës për shqiptarët, pasi e nesërmja ishte e pasigurt për të gjithë dhe lufta tashmë ishte në derë. “ Në ditët e numëruara dhe me pak domethënie të mesit të Marsit ’99 një kampanjë e një grupi të të rinjve përqafoj qytetin. Slogani i njohur i këpucëve sportive “NIKE” që promovonte shpejtësinë, u mishërua me trupat e NATO-s si thirrje për intervenim më të shpejt. “JUST DO IT” për të mbyllur këtë kapitull të errët të historisë së shqiptarëve të Kosovës përgjatë të ’90-tave.
Eliza HOXHA
Copëz nga punimi “Qyteti Satelit” – mbijetesa shoqërore dhe kulturore e shqiptarëve të Kosovës përgjatë viteve të ’90-ta, prezantuar në kuadër të konferencës “ Lëvizjet shoqerore gjatë socializmit dhe të ’90-tave në Kosovë”, organizuar nga Alter Habitus në Prishtinë . / KultPlus.com
Sot është shpallur edhe juria e ekspozitës ‘Gjon Mili 2017’.
Ekspozita e cila do të hapet nesër, të premten, në ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, do të nisë me një çmim për triumfin e këtij viti, artistin apo artisten më të mirë.
Në mesin e artistëve që nesër mbrëma presin të fitojnë çmimin “Gjon Mili” në këtë ekspozitë dhe çmim të fotografisë, janë edhe artistë të ndryshëm shqiptarë.
HAVEIT
Kolektivi artistik HAVEIT ka në bagazhin artistik performancën “Shaving Patriarchy” – një largim i patriarkalitetit me anë të mjekrës në fytyrë, puthjen para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të cilën vajzat morën kërcënim me vdekje, pjesëmarrjet në Suedi, Tiranë, Slloveni e Kroaci, dhe nesër mbrëma janë në mesin e konkurrentëve për këtë çmim.
ELIZA HOXHA
Eliza Hoxha, një këngëtare, një fotografe dhe një ligjëruese, ka zgjedhur kësaj radhe ti futet kësaj ekspozite dhe këtij angazhimi artistik. Eliza realizonte dikur një emision televiziv mbi arkitekturën ndërsa ka botuar një libër mbi Prishtinën, dhe lidhjen mes qytetit e arkitekturës. Eliza është aktive në disa ngjarje kulturore gjatë vitit në Kosovë.
BRILANT PIREVA
Artist i cili ka nisur të aktivizohet me punët e ndryshme artistike, Pireva ka jetuar disa vite jashtë Kosovës. Në këtë listë ai është një emër më pak i njohur por që premton dhe ka zënë vendin e tij fuqishëm në këtë ekspozitë. Mbetet të dëshmohet në hapjen e ekspozitës se me çka vjen Pireva në këtë çmim e ekspozitë prestigjioze. Ai ka fituar para disa vitesh një çmim në Festivalin e Filmit – DOKUFEST në Prizren, shkruan KultPlus.
KUSHTRIM ASLLANI
Kushtrimi është një regjisor, që kësaj radhe ka zgjedhur fotografinë për “Gjon Mili”. Ka fituar çmime në Youth Film Fest, në Boston të Amerikës dhe në FerFilmFestival. Për tu përmirësuar më shumë në pjesën estetike dhe vizuale, ai së fundmi ka nisur ta zbulojë pasionin për fotografi. Asllani ka punuar me emrat si Fatos Berisha e Fatlum Haziri.
DARDAN ZHEGROVA
Dardan Zhegrova – një prej fituesve të çmimit “Artistët e së nesërmes”, së bashku me një prej anëtareve të Kolektivit HAVEIT, mbetet konkurrencë e fortë në këtë garë. Dardani së fundmi ka marrë pjesë në panaire të rëndësishme të artit në Evropë, ndërsa e pret një rezidencë e rëndësishme në një kontinent tjetër. Zhegrova para pak ditësh hapi ekspozitën “Rosehip” bashkë me Lola Sylaj, në Prishtinë.
SADI SUDOHOLLI – TADI
Tadi njihet si vajzë kreative dhe një shpirt artistik i dëshmuar me vizatimet dhe skicat e saj. Së fundmi, ajo është një prej dy personazheve kryesore në videoklipin e ri nga Shpat Deda, krahas aktorit Dukagjin Podrimaj. / KultPlus.com
Një fjalë që tingëllon keq kur thuhet në jetën e përditshme, e shumë më keq nëse thuhet në dashuri, fjala “Shko” si e tillë nuk duhet e keqe për tekstshkruesit shqiptarë.
Madje, tri këngëtare shqiptare kanë këngë që mbajnë të njëjtin titull. Të tria këngët i takojnë një pop-kulture më të vjetër, secila e realizuar gati dhjetë vite më përpara.
Adelina Thaqi – SHKO
Një prej këngëve më të mira të Adelinës ndër vite është kënga “Shko”. E vjetër më shumë se një dekadë, refreni i saj nuk është aspak i ri për gjeneratën që është rritur me këtë këngë dhe këtë këngëtare. Adelina në këtë kohë do të ishte në kulmin e karrierës së saj ndërsa kënga “Shko” është padyshim një melodi e veçantë e Adelinës.
Eliza Hoxha – SHKO
Eliza Hoxha i tha fjalët “Shko” kur e solli këtë këngë në Festivalin Kënga Magjike para disa vitesh. Kënga ka marrë pëlqimin e shqiptarëve asokohe kur edhe e pozicionoi mirë Elizën brenda këtij festivali. Kënga është realizuar në vitin 2008.
Adelina Ismaili – SHKO
Tjetra Adelinë që nuk e thotë me shumë gëzim fjalën “Shko” është edhe Adelina Ismaili. Kënga “Shko” e Adelinës është ndoshta himni i saj, balada më e mirë e realizuar nga ajo dhe madje së cilës i është bashkangjitur një videoklip ku Adelina e vajton shqiptimin e kësaj fraze ndaj dashurisë së saj.
Këngëtarja shqiptare Eliza Hoxha një kohë të gjatë ia ka dedikuar edhe fotografisë,duke punuar në vitet e 90-ta, për mediume të ndryshme në Kosovë, shkruan KultPlus.
Përpos portreteve që i ka realizuar artistëve të ndryshëm, ajo ka realizuar edhe fotografi në vitin 1999, pikërisht në kohën kur edhe kanë përfunduar bombardimet në Kosovë.
Eliza Hoxha kishte shpërndarë një fotografi të realizuar në vitin 1999, ku tregon detajet se objekti i bombarduar është objekti i ish bankës ekonomike, sot objekti i kryeministrisë. Në foto poashtu shihet edhe këngëtari Naser Gjinovci./KultPlus.com