Nëse ti je shiu, dua të lagem e të ndjej vërshimin tënd mbi trupin tim të squllur. Nëse ti je nata, dua të tretem e përhumbem në largësitë e yjeve plot magji. Nëse ti je dielli, dua të ngroh trupin që më dridhet saherë ti shfaqesh pranë. Nëse ti je era, dua të ndjej puhizën tënde mbi gjinjtë e mi të harlisur. Nëse ti je uji, dua t’më shuash etjen e buzëve të thara. Nëse ti je qielli, bardhësive të shtratit tënd dua të të pres. Nëse ti je deti, dua të zhytem e të prek thellësitë e botës tënde. Nëse ti je lumturia, dua të jem flaka që zjarrin tënd se shuan kurrë. Nëse ti je durimi,dua pranë teje të dorëzohem e të të them sa shumë e jotja jam. Nëse ti je ëndrra, dua nga gjumi të mos zgjohem kurrë. Nëse ti je dehja, dua të jem epshi e dashuria që shpirtërat tanë i bën të gjallë. / KultPlus.com
Të bëhesh pjesë e një ankthi global dhe një pafuqie njerëzore për
ta dominuar atë, të bën të replikosh me jetën dhe dashurinë, të bën të besosh
në fuqinë e të besuarit, pa u orvatur ta kërkosh objektin e tij,
ndërlikueshmërinë e tij. Mbyllja, izolimi e vetmia padyshim janë antitezë e
qëllimeve pozitive të jetës, por ndryshimi i kushteve të jetës për shkak të
rrethanave që mund të imponojnë krizat e ndryshme shoqërore, shpeshherë
ndërgjegjësojnë vetëdijen njerëzore, na bëjnë t’i shohim gjërat më ndryshe, na bëjnë
të mendojmë më ndryshe, madje shumë më ndryshe se që mund të kemi menduar qoftë
edhe një ditë më parë.
Pritja e heshtur përballë një tragjedie globale si kjo pandemi e
trishtë, që dita ditës po tronditë gjithë globin, nuk amnistoi as shqiptarët.
Nga çasti në çast, të njohur e të panjohur po solidarizohemi e bëhemi bashkë,
për tu përballur me pritjet e hidhura të lajmeve të rënda, duke radhitur ç’do
ditë numrat rendorë, që pamëshirë listës së viktimave i shtohen një nga një.
Të bësh pakt me frikën është pothuajse e pamundur, sepse nuk
mposhtim dot frikën me pakte. Por, frikën duhet mposhtur me përballje, e të
përballesh me të do të thotë të kesh zbuluar sekretin tënd madh, forcën e
guximin.
Në këtë periudhë rraskapitjeje morale e shpirtërore, të gjendur në
mes lajmesh të virusit famëkeq Korona, në mes tjerash, u gjendëm në rrethana të
një reflektimi të thellë social, padashje.
Më shumë se kurrë, të zbrapsur e të rënduar nga dinamika e egër
për një jetë ekzistenciale, kuptuam se me sa shpejtësi ikin çaste të bukura të
jetës. Sa egoistë ishim bërë duke harruar të mendojmë në vlerat më sublime të
jetës, në virtyte të cilat në ç’do rrethanë komode ose jo, mbajnë gjallë
shpirtin njerëzor.
Kishim harruar se e humbur quhet ç’do ditë, në të cilën nuk kemi
falur dashuri. Kishim harruar se e humbur quhet edhe një ditë e vetme që nuk
kemi njohur respektin për njëri tjetrin. Kishim harruar t’i jemi mirënjohës
secilit mëngjes të zbardhur, që nis ditën tonë të re. Kishim harruar se jemi me
fat që merremi me problemet e përditshmërisë sonë, e njësoj mendova edhe unë
sot për veten time, po thoja: “sa me fat jam që kam problemet e mia të ditës”
punën, miqtë, familjen. Thënë ndryshe, kishim harruar të jetojmë të sotmen duke
menduar se çfarë na pret të nesërmen.
Të dashurosh, do të thotë të jesh mirënjohës edhe ndaj gjërave të
vogla, të ridimensionosh qoftë edhe një mirësjellje kurtoazie, që nis nga
përshëndetja e mëngjesit me fqinjin tonë të parë, pra një “mirëmëngjes” që
ngrys ditën tonë, tek jemi nisur për në punë.
Të dashurosh do të thotë t’i falësh buzëqeshje edhe një fëmije në
rrugë, një riu a një të moshuari të panjohur, ndoshta buzëqeshja jonë i
zbukuron ditën, e lumturon atë.
Të dashurosh do të thotë akoma më shumë, të ndjesh, të përjetosh,
të kuptosh se shkëlqimin e jetës duhet sublimuar tek dashuria e pakushtëzuar
ndaj atyre që nuk duan kthim për atë që falin, ndaj atyre që me dashurinë e
tyre na kujtojnë përse ndjehemi me vlerë, prindërve, fëmijëve, familjes e
miqve, ndaj atyre që pohimin për dashurinë nuk e masin me kufijtë e egos së
tyre, por me dashurinë e manifestuar që lartëson e ngroh shpirtin tonë
njerëzor.
Të dashurosh do të thotë të
pohosh këndvështrimin e drejtë që mbart fjala dashuri, të pohosh aftësinë tënde
për të bindur se ne lindim të barabartë edhe pse të ndryshëm. Të mos
turpërohemi kurrë pse qajmë, por të krenohemi kur kemi kuptuar se lotët tanë
nuk i meritojnë ata që na bënë të qajmë. Të dashurojnë ia dalin vetëm ata që
kanë mësuar kuptimin e vetëm të saj, vërtetësinë.
Të shprehësh dashurinë nuk është kurrë vonë. Nuk është vonë të
shprehësh edhe mirënjohjen. Sot, ndërkaq po reflektojmë të mbyllur në
karantinë, një armatë njerëzish humanë e guximtarë, po dëshmojnë në vepër
betimin e tyre të shenjtë kur i thanë “po” profesionit të tyre fisnik e human.
Mjekë e infermierë që prej kohësh kishim harruar t’i bëjmë vendin
meritor në shoqëri, më shumë se kurrë dëshmuan se ka diçka më të shtrenjtë se
sa injoranca shpërfillëse e cila harroi ata për dy dekada me radhë. Mësuam
leksionin më të mirë se ndërgjegjja e lartë njerëzore bashkë me dinjitetin e
dashurinë për punën, sfidojnë ç’do betejë e paaftësi njerëzore.
Me zellin e tyre par excellence, këta profesionistë humanë na
mësuan se çfarë do të thotë ta duash njeriun tënd e popullin tënd, t’i dalësh
ballë premtimit tënd dhe betimit të dhënë, siç bëjnë heronjtë e vërtetë.
Në një të nesërme të afërt, do të dalim më të fortë e të
ndërgjegjshëm për të kuptuar mesazhin më të madh që mund të na mësojë jeta, e
ajo është forca e dashurisë njerëzore, kjo forcë që shfaqet në paqe dhe në
beteja të rënda të jetës, na bën pjesë të saj dhe nuk pushon kurrë së
ekzistuari. Por, të dalësh i fortë nga betejat, do të thotë të kuptosh mesazhin
e madh për jetën atë që mund ta gjesh edhe në dromcat e dashurisë, sepse aty
nis gjithçka dhe përfundon në një të nesërme të papritur, që mund të mos e kemi
më kurrë.
Unë dua që nesër të më zgjojë dielli i mëngjesit, të takoj njerëzit e mi, e t’i përqafoj ata. Jetën time të thjeshtë, nuk dua ta këmbej me asgjë, këtë jetë që nis me ritualin modest të kafes së mëngjesit, e me problemet e mia të ditës. Dua të sodis lindjen e perëndimin e diellit dhe t’i gëzohem natës me hënë. Dua të nis e mbaroj punën time me nder, pastaj në mbrëmje të kthehem sërish në “karantinën” time, e të bëj replikë me jetën e dashurinë! / KultPlus.com
Megjithëse trashëgimia e një populli konsiderohet si tërësi unike kulturore, individi trashëgon specifika vendore regjionale të cilat në rrethana të caktuara dhe i motivuar nga stimuj të ndryshëm, shpërfaq ato si fenomene të cilat reflektojnë përkatësi kulturore gjeografike, por jo rrallëherë edhe inercion momental arkaik.
Harta dhe konteksti gjeografik duke pasur parasysh jetën sociale si faktor kulturor, janë determinantë kryesorë të përcaktimit të sjelljeve njerëzore në shoqëri, e rrjedhimisht edhe fenomeneve të ndryshme që shfaqen në një kontekst të caktuar shoqëror.
Disa procese që lidhen me historinë e një populli apo edhe me vetë jetën e individit si qenie, ashtu sikur kanë kohën kanë edhe momentin e tyre. E tillë ishte edhe shtënia me armë, e cila në të kaluarën tonë kishte qëllim dhe funksion konkret, pra kushtrimin përkatësisht lajmërimin e krushqve kur “merrnin nusen“ apo manifestimin e ceremonialeve e gëzimeve të ndryshme familjare. Por, bartja e këtyre fenomeneve nga një hapësirë autentike burimore para një populli nga përmbajta heterogjen, në rrethanat e sotme ka një transpozicion të madh si emocional ashtu edhe psikologjik dhe si e tillë shkakton gjendje objektivisht të papranueshme.
Një popull i qytetëruar ruan dhe çmon kulturën e tij autentike, por keqinterpretimi dhe keqpërdorimi i karakteristikave apo ritualeve të caktuara në emër të “tradicionales” qoftë me apo pa vetëdije, cenon vlerat e secilit popull, komb apo edhe vetë individit. Në qoftëse problemit i qasemi nga pikëpamja socio – kulturore, bartja e “ritualit” të shtënies me armë nga origjina e tij autientike paraqet një problem tejet kompleks për shoqërinë tonë, e mbi të gjitha shpërfaq një mentalitet të ashtuquajtur ”folklorizëm” i cili qoftë edhe nga ky këndvështrim i trajtuar, dëmton sërish trashëgiminë shpirtërore të popullit.
Tipar kundërthënës neve shqiptarëve na kanë karakterizuar historikisht, si psh. temperamenti në njërën anë dhe durimi në anën tjetër, por jo rrallëherë këto karakteristika janë përcjellur edhe me nevojën e pamposhtur për tu identifikuar me “tiparë burrërorë”. Deliri i manifestimit të gëzimit bashkë me dramën e rrezikut për jetën brenda një uniteti binar, sintetizon egon njerëzore dhe logjikën e stoicizmit, e këto bashkë shpeshherë për bilans kanë sjellë fatalitetin njerëzor, fenomen ky që na ndjek edhe sot, e fatkeqësisht, akoma nuk po ia dalim të mohojmë akte të tilla.
Duhet të kuptojmë se me ndryshimin e kushteve dhe rrethanave të jetës, natyrshëm ndodhin edhe transformimet në shoqëri. Si pranimin, ashtu edhe refuzimin e fenomeneve të caktuara në shoqëri, duhet trajtuar si probleme socio-kulturore, që lëndojnë integritetin njerëzor por dhe të pengojnë emancipimin e tyre. Duke qenë shoqëri në zhvillim, duhet të kuptojmë se krahas saj evoluojnë edhe proceset shoqërore në përgjithësi, pra evoluimi ecë paralelisht me të gjitha transformimet që ndodhin brenda saj në të gjitha sferat e jetës, e këto etapa duhet akceptuar si normale.
Përveç tjerash, evoluimi nënkupton edhe trasnformimin e nivelit të traditës nga një periudhë kohore në një tjetër. Duke e ndjekur këtë trasnformim në shoqëri, njeriu modern i nënshtrohet një dinamike të caktuar shoqërore, duke respektuar një rend sistematik, i cili apriori nënkupton respektim të normave të asaj shoqërie. Pra, ç’do tendencë për të justifikuar apo relativizuar aktin e fenomeneve të tilla qoftë edhe aktin e shtënies me armë gjithnjë në emër të ”tradicionales”, paraqet elementë të theksuar të problematikave etnopsikologjike.
Në anën tjetër, paraqitet fenomeni homo duplex dhe individi i ndrydhur në mes veprimeve e dëshirave të nxitura nga instikti, si dhe kufizimeve shoqërore si ndërgjegje kolektive, e cila në njëfarë mënyre disiplinon dëshirat e vullnetit individual. Në këtë antagonizëm, gjejmë rivalitet midis integrimit apo jo të individit brenda normave shoqërore. Në shoqëritë e bazuara në lidhje farefisnore ndërgjegjia kolektive është më e ulët, që do të të thotë se sa më i pa integruar të jetë komuniteti, aq më “normal” cilësohet fenomeni. Duke qenë homogjene për nga struktura, në këto rrethana është mjaft i theksuar solidariteti, i cili poashtu është nxitës i madh i këtyre dukurive. Në të kundërtën, një shoqëri e integruar dhe me ndërgjegje të lartë, marrëdhëniet shoqërore i vendos në funksion të artit dhe shkencës ndërkaq perspektivën e saj e ndërton drejt normave universale, si parime të vetme të një një mjedisi modern./KultPlus.com