Pa pik’

Nga: Eljan Tanini

Pjesë nga poema “Pa pik'”

vodka
e tani ca rum
qaj
që të mos nis harresën nëpër gjumë
një portokall e kam çarë
për mua dhe dhomën time
xhamat me avull
jashtë puthen me akull
hunda e ftohtë
do rrisë fluturat e engjëjve
natën do ulen aty
në cilën nga ato netëditë pa zotër
diskutimet
u bënë me ëndrra të ngjyrosura
fjalë nëpër tokë
po kërcej me lisharëse
te mustaqet e bubut
shiu rritet vetëm
bie në strehën e dritës reflektor
dje është njësoj me sot
sepse
është e paknjohura
rrjedh nga brenda
mësoja
në kishë
bëja detyrat e shtëpisë
kur e ndjen se sa të shohin nga sipër
dërgon sytë në vendin tënd
nuk e besoj
më detyrojnë të shoh atë që vëzhgoj
atë që më japin
aureolën e dritës me diell
duhet të jetë ora rreth dymbëdhjetë
sipër për mua diçka lëviz
drita vjen ujëvarë
me një katror dritareje të çarë
hhahahaaa
shenjtorët paskan hipur në biçikleta
nuk janë më ikonat
që i kisha frikë nga kujtimet e fëmijërisë
janë fytyrat me majë
të zotët e shtëpisë
lule vogëlushësh që luajnë me aeroplan prej letre
veshët lëvizin
me libra statistikorë
macet në të poshtmen e pallatit
janë qeshje-qarje me bebet nëpër mjaullima
çiftime stinësh
mos më pyet çfarë mendimi kam për formën
për një datë fillimi
po vishem me faljen nga sytë e gjyshes sime
kjo më fal është njësoj me fëmjët
që nuk luajnë më në park
për të shkuar në një katror ose muze besimi
i dalë prej dhomës
bëj veprimet e mia në shtatë të mëngjesit
i dehur se edhe asgjëja mezi mjafton për sot
mbiemri më kërkon të festojmë pashkët
dy qirinj
mbjellë
shtrënguar
në një dorë të rastësishme
thonë pa zhurma delirante
se dashuria
është ngjarja më e madhe shtetërore
botërore
ujore
dua ta shkruaj në fasada pallatesh
dua ta ngjis në reklamat e qytetit pa dritare
pas së sotmes
u bë kohë pa u hapur në një dashuri
të kam
të shumtat mbaj në sy
jam me njërën
nga dy kokat e mia
nga nesër dhe sot
njerëzit vdesin
ikin
pse nuk thonë ca sekrete
pse i lënë të thahen të lagura
jashtë po bën pis
kambanat këndojnë të eksituara
hoxha jehon me një këndez lufte
bektashiu rrit mjekrën dhe ha lule mishi me raki
unë po u flas
që prej mëngjesit
për në rrugët e lodhura
jam fëmijët që përshëndesin të parët
fjala nga ata është vetëm në sy
edhe rruga në përsëri
nuk do të flasë
jo prej njerëzve
por nga rutina
ato janë të lumtura vetëm nga dritat dhe hijet
ecje nga shtëpia në punë
shkel
pa i bërë pis
anash
kërcime kërcash në katrorët e pllakave trotuare
për t’u shkelur në rregull
pa prekur vijat anës anëve
ditë e lagësht
dua të bëj dashuri poshtë tulipanëve
me pak joshje në tavolina
në aspak tek ecejaket
e hapave me jaka
qivaçi mbeti vetëm
nejse bëhet që tani përpjekje për nesër
nejse është edhe pasnesër
njollat e urta të figurave në vizën e murit
shuhen natën e dalin pasditeve
jam vetëm pa gënjeshtra
ato m’i morën shokët me pushime vere
nisa të kujtoj lëkurën e këmbëve të tua
nuk ka meteorolog që t’i njohë ato më mirë se unë
lakuriq me atin tim
i ardhur në adriatik
m’ka marrë malli të lahem
etjes së detit
ikje për në verën 1994
sepse edhe babain
e ka lindur mamaja ime
jemi dy çunat e saj
kur baba me të birin lahen në det lëkurëjashtë
venitet bota mbi rrota e veshur me rroba
që prej fundit të kësaj dite
prej motoçikletës
era më qëndisi faqet
edhe buzëqeshjet me quka bufalaqe
kur nuk shkruaj
thërrmoj ditët
thaj netët
ende vizatoj fjalët
kur ikën ti nga mendimet
vjen dhe paguan vetmia në cepin e kepit tim
se edhe zoti këtu paguan gjithmonë
fshij pluhurin ku njerëzit vdesin
më thonë ca sekrete pa imitim
erdhi dita
dashuritë më kanë lënë një çmim
çka
pllaq-plluq në dhomë mbahet qetësia
unë nuk mendoj asgjë
moj e përditshme thatoshe
gjyshërit ikin kur nuk takohen shpesh

“Detyrë klase”, ekspozita me gjëegjëza nga Eljan Tanini

Kujtime fëmijërie, letra të grisura me gjurmët e vizatuara në mur, vese, vëzhgime, shikime fshehtësie, portrete të rriturish, habi lumturie, dashuri, gogola me gjëegjëza, janë pjesë e këtij cikli me titullin “Detyrë Klase” nga Eljan Tanini.

Kjo ekspozitë po vizitohet nga shumë fëmijë dhe të rritur.

Autori përmes kësaj ekspozite ka si qëllim të kthehet në fëmijëri, duke provokuar me pastërtinë e dëshirave njerëzore. Teknika e përdorur për këto punime është akrilik mbi kanavacë.

Ekspozita është hapur më 25 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 5 Tetor tek Vila Irobrush, Rruga Qemal Stafa, Tiranë. / KultPlus.com