Fytyra e mërgimtarit shqiptar në muralin gjigand në New York City

Fytyra e një mërgimtari shqiptar të fiksuar në një nga fotografitë historike nga Ishulli “i Emigrantëve” Ellis (Ellis Island), në New York është bërë pjesë e një nga muraleve më të mëdhenj të qytetit.

Murali në fjalë paraqet pesë portrete emigrantësh dhe ka si autor artistin e famshëm të grafiteve të rrugës, brazilianin Eduardo Kobra.

Është pjesë e një serie prej 18 pikturimesh shumëngjyrëshe masive që, si raporton gazeta shqiptaro-amerikane, me qendër në New York, “Illyria”, artisti Kobra ka bërë vitin e kaluar anembanë në New York City.

Mes tyre ai që bie më shumë në sy është pikërisht projekti që përfshin edhe portretet e pesë emigrantëve dhe titullohet: “Murali Më i Madh në New York City”.

Mesazhi i tij është theksimi i natyrës së këtij vendi, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si atdhe i emigrantëve. Për kureshtarët, që duan ta vizitojnë, ai shpaloset në muret e një prej shkollave të mësme më të famshme njujorkeze, “Qyteti si Shkollë” (City-As-School), që ndodhet në West Village, në Manhattan, shkruan Illyria.

Projekti përfshin edhe punë të artistëve të tjerë si dhe të nxënësve të shkollës.

Pesë emigrantët e portretizuar janë përzgjedhur mes mijërave që kaluan 100 vjet më parë në Ishullin Ellis, që shërbente deri në fillim të shekullit XX si stacion inspektimi, për emigrantët që mbërrinin nga deti./KultPlus.com