Nesër premiera e “Kepi i Shpresës së Mirë’ nga Elmaze Nura

Nesër vjen premiera e shfaqjes ‘Kepi i Shpresës së Mirë’, bazuar në “Mënyrat e znj.Margarida” të autorit R.Athayde, përcjell KultPlus.

Shfaqja vjen nën regjinë e Elmaze Nurës, nën aktrimin e Albulena Kyreziu-Bokshi.

‘Kepi i Shpresës së Mirë’ fillon nga ora 20:00 në Teatrin AAB, Faruk Begolli. / KultPlus.com

Së shpejti, premiera ‘Gratë në Parlament’ me regji të Elmaze Nurës

Deri në fund të marsit, në Teatrin e Ferizajit do të shfaqet premiera “Gratë në parlament”, me regji dhe adaptim të regjisores Elmaze Nura.

Provat e shfaqjes kanë hyrë në fazën finale, Shfaqja trajton temën aq të komentuar edhe sot-pushtetin. Me një qasje moderne, komedia e autorit klasik grek Aristofanit, e përshtatur për ditët e sotme, bëhet shumë aktuale.

Gratë, duke e parë se ku po e çon vendin keqqeverisja e burrave, vendosin ta marrin pushtetin. Ngjarjet zhvillohen vrullshëm e rrjedha e tyre nuk parashikohet lehtë.

Skenë pas skenë, situatë pas situate, “Gratë në parlament”, do të sjellë befasi dhe vlera të reja për teatrin jo vetëm në Ferizaj, është shprehur regjisorja Nura.

Mevlan Saraci, Vosa Abazi, Blin Sylejmani, Valdrin Osmani, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Valdrin Osmani dhe Doruntina Xhemajli luajnë në këtë projekt teatror, që pritet të tërheqë publikun me tematikën interesante, humorin, satiren dhe me konceptin regjisorial artistik dhe inovativ.

Kompozitor është Gëzim Hasani, tekstet e këngëve janë shkruar nga Blerim Haxhiaj, skenografia është bërë nga Bekim Korça, kostumografia nga Eleonora Gagica, ndërsa koreografia nga Kreshnik Musolli.

Projekti i realizuar është mbështetur nga Komuna e Ferizajit, Drejtoria për Kulturë si dhe Teatri “Adriana Avdullahu”.

Kjo është hera e dytë që regjisorja Elmaze Nura bën shfaqje në Teatri e Ferizajit. Me shfaqjen, ‘Kopraci”, produksion i po këtij teatri, ajo përfaqësoi Kosovën në një ndër Festivalet më të mëdha në botë në Kajro të Egjiptit –Cifcet, ndërsa u shpërblye në Festivalin e Dibrës në Maqedoni me çmimin për Regjinë më të mirë.

Në vitin 2020, Nura u shpall regjisorja më e mirë e vitit, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për regjinë në shfaqjen “Kopraci”./ KultPlus.com

Regjisorja Nura sjell premierën e radhës në Teatrin e Pejës

Në Teatrin Profesionist të Pejës “Istref Begolli”, së shpejti do të jepet premiera e shfaqjes “Mirandolina”, me regji të Elmaze Nurës.

Një nga veprat e njohura të dramaturgjisë botërore Komedia “Mirandolina” e autorit të njohur Italian Karlo Goldon, po vihet në skenë me trupën e aktorëve të këtij teatri.

Provat kanë hyrë në një fazë intesive, ndërsa premiera është planifikuar që të shfaqet në Ditën e Çlirimit të Pejës, me 16 qershor. Edhe pse vepra është shkruar që në shek.XVIII, ajo përcjell mesazhe emancipuese dhe i flet realitetit tonë.

“Mirandolina” është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në 1752. Komedia ka porosi të forta për pozitën e femrës, një debat që zhvillohet edhe sot për trajtimin që i bëhet asaj edhe në shoqërinë kosovare.

Komedia më moderne e komedianit italian Carlo Goldoni, përball femrën me mashkullin në skenën teatrore. Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.

“Përmbajtja e komedisë sjell situata të këndshme humori dhe me konceptin tim regjisorial, bashkë me trupën e Pejës, jemi duke bërë një shfaqje me vlera të larta artistike dhe të pëlqyer nga publiku”, u shpreh regjisorja Elmaze Nura, e cila vlerësoi angazhimin e ekipit të shfaqjes.

Edhe në shoqërinë kosovare, ku shfaqet shpesh një kulturë tejet maskiliste kjo vepër është apel për emancipim. Vepra të tilla kanë mesazhe pa fund dhe secili spektator shikon diçka nga vetja, që është e mishëruar tek karakteret e veprës, si tradhtia, xhelozia, dashuria, etj.

Muzikën e shfaqjes po e bën Gëzim Hasani, skenografinë Dhurim Ismajli, ndërsa për kostumografinë është duke punuar Alma Krasniqi.

“Mirandolina” shfaqja më e re në teatrin “Istref Begolli”

Një nga veprat e njohura të dramaturgjisë botërore komedia “Mirandolina” e autorit të njohur Italian Karlo Goldon, do të vihet në skenë me trupën e aktorëve të këtij teatri.

Provat kanë nisur këtë të mërkurë, ndërsa premiera është planifikuar që të shfaqet në Ditën e Çlirimit të Pejës, me 16 qershor.

Edhe pse vepra është shkruar që në shek.XVIII, ajo përcjell mesazhe emancipuese dhe i flet realitetit tonë.

“Mirandolina” është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në 1752.

Komedia ka porosi të forta për pozitën e femrës, një debat që zhvillohet edhe sot për trajtimin që i bëhet asaj edhe në shoqërinë kosovare.

Komedia më moderne e komedianit italian Carlo Goldoni, përballë femrën me mashkullin në skenën teatrore.

Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.

Drejtori i Kulturës në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj pret një shfaqje të nivelit të lartë. “Duke i çmuar kapacitetet e regjisores Nura, ekipit që e ka përzgjedhur dhe trupën e aktorëve, jam optimist se do të kemi një shfaqje mjaft të sukssesshme në teatrin tonë që do të mirëpritet edhe nga publiku”, ka theksuar ai.

Kjo vepër është inskenuar në shumë skena botërore dhe kritikët e kanë krahasuar me kryeveprën e Shekspirti, “Ëndrra e një nate vere”.

“Përmbajtja e komedisë sjell situata të këndshme humori dhe me konceptin tim regjisorial, bashkë me trupën e Pejës, do të realizojmë një shfaqje me vlera të larta artistike dhe të pëlqyer nga publiku”, u shpreh regjisorja Elmaze Nura.

Edhe në shoqërinë kosovare, ku shfaqet shpesh një kulturë tejet maskiliste kjo vepër është apel për emancipim.

Vepra të tilla kanë mesazhe pa fund dhe secili spektator shikon diçka nga vetja, që është e mishëruar tek karakteret e veprës, si tradhtia, xhelozia, dashuria, etj.

Regjizorja Elmaze Nura rikthehet në Teatrin “Istref Begolli”, pas realizimit të dramës “Mendje djallëzore” të autorit Blerim Haxhiaj, një shfaqje që u vlerësua lart për nivelin artistik dhe e prezantoi Pejën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Rumani./KultPlus.com

Kryevepra botërore e Molierit me regji të Elmaze Nures, së shpejti në Teatrin “Adriana”

Teatri “Adriana” nisi punën e produksionit të kryeveprës botërore “Kopraci” nga Molieri me regjisoren Elmaze Nura. Në shfaqjen “Kopraci” krahas temës se koprracisë, regjisorja Nura, i kushton rëndësi të madhe edhe trajtimit të dashurisë dhe lakmisë, shkruan KultPlus.

Harpagoni është kryepersonazhi i shfaqjes, koprac,  një person egoist që grumbullon para sa më shumë të jetë e mundur. Asnjë shumë parash nuk do të jetë mjaft e madhe për të që të mjaftohet. Ai është gjithmonë paranojak, gjithmonë në prag të shndërrimit totalisht në një njeri të pandjeshëm nga dashuria e tij për para. Por edhe kur bëhet fjalë për dashurinë, ai prapë e vë veten në rend para djalit të tij Kleantit dhe është në gjendje që të martohet më të dashurën e djalit të tij, me të bukurën Marianë, pa i ardhur fare keq që po hyn ne mes të një dashurie të brishtë dhe të pastër të dy të rinjve. Ndërsa sa për para edhe vajzën e tij Elizën, është në gjendje ta martojë me një njeri të vjetër, vetëm për faktin se ai është i pasur. Ashtu si në shumë komedi të bukura, Kopraci fokusohet në martesë, si një simbol i konfliktit dhe zgjidhjes së lumtur. Kur njerëzit nuk mund të martohen me ata që duan, doza e konfliktit shumëfishohet. Në komedinë “Kopraci” autori i madh botëror, Molieri, na ballafaqon fytyrën e të keqes dhe të mirës. 

Klasicizmi është një harmoni midis materies dhe mënyrës së shprehjes. Dhe  mënyra më e lehtë për ta shijuar, është Molieri. “Edhe pse një ndër veprat më të mira të klasicizmit, Kopraci i flet kohës dhe mentalitetit tonë në të gjitha nivelet. Lajkat dhe lajkatarët, i takojmë çdo ditë, dhe në këtë vepër ky është fenomen”, shprehet profesoresha e Regjisë Elmaze Nura, duke shtuar se siç thotë edhe vet autori “nuk është faji i atyre që bëjnë lajka, por i atyre që i pranojnë dhe ua kënda ato”. Ajo shton se thuajse kjo vepër është shkruar për kohën të cilën ne po e kalojmë dhe fenomenet që po përballemi, duke futur këtu edhe aspektin kulturor, social dhe ekonomik në të cilin jemi rritur dhe po jetojmë.

Për regjisoren Nura, kjo është një komedi e cila sa prek fenomene që aq sa na shqetësojnë, aq edhe na bëjnë të argëtohemi dhe përmes së qeshurës reflektojmë mbi modelet që duhet të ndjekim në rrugën tonë të mëtejshme.

Regjisorja e kësaj shfaqje para pak ditësh, ka përzgjedhur ekipin e shfaqjes në përbërje të aktorëve ferizajas: Mevlan Saraçi, Jajush Ramadani, Blin Sylejmani, Ali Krasniqi, Uratë Shabani Doruntina Xhemajli, Vjosa Abazi, Sherif Bega dhe Milot Salihu.

Ekipi i shfaqjes pa ndërprerë, çdo ditë me entuziazëm po realizon provat e para, duke përparuar dukshëm për vetëm pak ditë nga nisja e këtij projekti.

Teatri “Adriana” këtë vit synon që të realizojë 4 premiera, një volum i jashtëzakonshëm ky i punës vjetore, prodhime këto që financohen drejtpërdrejt nga Komuna e Ferizajt që publikut ferizajas, në mënyrë të vazhdueshme t’i sjellin vepra cilësore e shfaqje të nivelit të lartë, falë punës profesionale të menaxhmentit, trupës së aktorëve dhe mbikqyrjes nga Këshilli Drejtues i teatrit.

Në ndërkohë sa po vijon repertori i rregullt i Teatrit “Adriana” me shfaqje nga qendra të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, brenda pak javësh do të jepet edhe premiera e shfaqjes “Kopraci” nga regjisorja Elmaze Nura.

Aktorët ferizajas së shpejti do të ngjiten në skenë për t’i ofruar publikut një ndër kryeveprat botërore, “Kopracin” nga Molieri./ KultPlus.com

Fati i një gruaje në skenën e Teatrit të Gjilanit, përmes shfaqjes “Portreti i Pakryer”

Publiku i etur për shfaqje edhe mbrëmë e ka mbushur sallën e Teatrit të Qyteti të Gjilanit, ku në skenë është vënë Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhaj, me regji të regjisores Elmaze Nura, e me aktrimin e Aurita Agushit. Këtë shfaqje, në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, e solli Teatri Dodona, ndërsa në ekipin realizues ishin edhe Memli Kelmendi – muzika, Agnes Nokshiqi – koreografia, Majlinda Kelmendi skenografia e Samka Ferri – kostumet, derisa për ndriçim ishte përkujdesur Skënder Latifi.

Kjo monodramë zhvillohet në vitet 90-ta të shekullit të kaluar, ku aktorja Aurita Agushi na sjellë personazhin e një gruaje, fatin e saj, përpëlitjen me vetveten, por edhe me të tjerët, për të shpërthyer dufin e revoltës që ka përbrenda vetes. Ajo ishte viktimë e kurtheve të jetës dhe e kurtheve të familjes së saj, të babait, i cili në vitet e 90’ta ishte pjesë e sistemin politik.

Po ashtu, ajo me vite përpiqet ta ruaj dashurinë për njeriun e jetës, një i burgosur politik, por që letra e lamtumirës nga ai, e sjellë atë në një situatë kritike, në një situatë psikologjikisht të rëndë.

Megjithatë ajo përpiqet t’i ngjallë vetës shpresë, duke u përpjekur që të jetë vetvetja, duke u përballë me konfliktet e brendshme e të jashtme, me vetveten e me të tjerët, duke luftuar me zërat brenda vetes që e pushtojnë…, por që në fund tretet brenda errësirës së skenës, derisa në sfond alarmi nxjerrë edhe tragjiken e kësaj shfaqje…

Si rëndom, në debatin pas shfaqjes u dëgjuan edhe përshtypjet e para të publikut dhe kritikëve, me këtë rast, kritiku nga Shqipëria, Mio Gjini, tha se po gëzohet që edhe nata e katërt e këtij Festivali dhe ne, në vazhdimësi po shohim se niveli i shfaqjeve po vije duke u rritur, e me këtë edhe emocionet për të mirë.

Ai vlerësoi dramaturgun Besim Rexhaj, duke thënë se teksti i kësaj shfaqje ishte me karakter meditative e psikologjik, që e ka favorizuar regjinë dhe aktorin.

Gjini ka vlerësuar lartë edhe lojën e aktores Aurita Agushi, për të cilën tha se është profesioniste e vërtetë, ka nur skenik dhe veçoi artikulimin e saj të bukur të fjalës shqipe.

Në lojën e saj ai tha se kishte në vazhdimësi rritje të emocioneve duke na sjell në skenë fatin e një gruaje që përpëlitej me vetveten, por edhe me të tjerët, për të shpërthyer dufin e revoltës që kishte përbrenda vetes.

E, Avni Rudaku, tha se shfaqja ishte e mundimshme dhe e tejkaluar për kohën si e shohim sot teatrin, ndërsa dramaturgu Agron Gërguri vuri theksin e kritikës së tij në tekstin që për të ishte eseistikë, duke shtuar se tekste të tilla ngulfatin aktorin në skenë.

Ai vlerësoi aktoren Aurita Agushi si një profesioniste, por se tha se kishte momente monotone përgjatë shfaqjes dhe se do të donte nga regjisura që shfaqja të kishte thellësinë e saj, me theks të veçantë dramatikën, sepse shfaqja pati vobekësi në këtë drejtim.

Edhe Naim Shaqiri, Qëndrim Kqiku e ndonjë folës tjetër, vlerësuan si tërësi shfaqjen duke i vlerësuar pozitivisht që të tria kompetentet, tekstin, regjinë dhe aktrimin, ndërsa nga paneli, kritiku Ylber Nuredini vlerësoi se teksti për këtë shfaqje ishte psikologjik, i vështirë për tu vënë në skenë, por ka përgëzuar regjisoren Elmaze Nura, për elementet skenike dhe gjetjet regjisoriale, por edhe për gjetjen e duhur të aktores për t’ia besuar këtë rol.

Kurse, ai që si gjithnjë e thotë fjalën e tij i fundit, Josif Papagjoni, kritik nga Shqipëria, i cili ndau mendimin se teksti ishte një ligjërim i bukur letrar, por se do të donte që fjala të mos ishte, siç u shpreh ai, “shumë e krehur”, por të kishte veprim, për t’i dhënë fuqi shfaqjes.

Ai, ndër tjerash, tha se do të donte të shihte në këtë monodramë dialog brenda psikikës së personazhit, të punohej më shumë në pikëpamje regjisoriale dhe aktoreske, të mos kishte një ton aktrimi nga fillimi deri në fund, por do të donte që shfaqja të kishte brenda saj disa “goditje” që do ta rrëmbenin publikun.

Papagjoni vlerësoi dramaturgun dhe regjisoren që kanë potencë për të ofruar për publikun shfaqje të mira, ndërsa tha se i pëlqeu fakti që shfaqja pati në veten e saj pastërti në tekst, regji, e që nuk pati tepri, zhurma të panevojshme e mbivendosje, dhe edhe te aktorja vlerësoi pastërtinë e shqiptimit të fjalës, nga ana e saj…

Përndryshe, në natën e fundit të Festivalit “Talia e Flakës’, do të jepet shfaqja “Në dorë të fatit…”, nga Teatri “Petro Marko” – Vlorë, me autor Ledian Gjeçi e regji të Arben Kumbaro, ndërsa pas shfaqjes, juria do t’i bëjë publike edhe fituesit e çmimeve dhe do të bëhet mbyllja e Festivalit “Talia e Flakës”, për t’i lënë vend aktiviteteve tjera të parapara në kuadër të Manifestimit Kulturor “Flaka e Janarit 2018” që do të vazhdojnë deri më 31 janar./KultPlus.com

Monodrama “Portreti i Pakryer”, javën tjetër premierë në Teatrin “Dodona”

Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhaj, me regji të regjisores Elmaze Nura, javën tjetër vjen premierë në Teatrin “Dodona”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo shfaqje vjen nën interpretimin e aktores Aurita Agushi, ndërsa është kooproduksion me Teatrin “Dodona”. Kjo monodramë zhvillohet në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, ndërsa paraqet një personazh me emrin Nora, e cila duke u përpjekur që të jetë vetvetja përballet me konfliktet e brendshme e të jashtme, me vetveten e me të tjerët. Ajo për dhjetë vite përpiqet ta ruaj dashurinë për njeriun e jetës së saj i cili kishte qenë një disident dhe i burgosur politik. Është letra e lamtumirës ajo që e sjellë Norën në situata kritike, të skajshme psikologjike e jetësore.

Sot gjatë një konferencë për media, autori i kësaj shfaqje Besim Rexhaj theksoi se kjo monodramë është pjesë e një trilogjie me titullin e përbashkët “Vorbulla”, të botuar në vitin 2011 ndërsa tregoi ideja e këtij projekti ka qenë shumë e mëhershme.

Kurse regjisorja Elmaze Nura tregoi se ideja e këtij projekti daton që në kohën kur ajo ka qenë studente në Fakultetin e Arteve, ndërsa theksoi se kjo monodramë prek thelbin e qenies njerëzore.
“Në ditët e sotme rrallë shohim një triologji në mënyrën se si e ka filluar profesori Besim, qysh atëherë kam qenë e njoftuar me stadet e punës, me inspirimin e tij dhe me mënyrën e punës së tij. Jam shumë e lumtur që kam hyrë në këtë projekt i cili jo vetëm që prek thelbin e qenies njerëzore por edhe thelbin e relacioneve ekonomike-sociale, familjare dhe emocionale, dhe kjo si dramë, mua më ka dhënë shumë material që unë ta trajtoj se si unë e kam parë këtë dramë dhe e kam trajtuar në një formë pak më ndryshe se realizimet e tjera, mirëpo unë kam insistuar deri në fund që kjo dramë të jetë në versionin tim”, tha regjisorja Nura.

Regjisorja Nura po ashtu tha se një zhanër të vështirë siç është monodrama ka përzgjedhur aktoren Agushi, për shkak se këtij roli i duhet kapacitetit i saj aktoresk dhe intelektual, të dëshmuar edhe në bashkëpunimet e më hershme. Vetë aktorja Aurita Agushi tregoi sot se kjo është monodrama e saj e parë, dhe e cilëson si një nga “fushëbetejat” e saj më të vështira.

“Nuk është se nuk kam dashur të bëj më herët një monodramë, por kur e vendos t’i nënshtrohesh monodramës, gjithmonë kam menduar se kush do të jetë ai ose ajo regjisore që do të më udhëheq në këtë fushëbetejë. Mendoj që erdhi koha e duhur, me njerëzit e duhur që ta provoj vetën edhe në monodramë. Bazuar në bashkëpunimet e tjera me regjisoren, unë mund t’i dorëzohem asaj me sy mbyllur, sepse ajo gjithmonë ma garanton rezultatin dhe suksesin tim si aktore”, tha aktorja Agushi.

Kurse në emër të Teatrit “Dodona”, Valdet Rama tha se ndihet i lumtur që kjo shfaqje do të punohet për publikun e këtij teatri, duke vazhduar kështu t’u ofrojnë atyre kënaqësinë e veprave të mëdha nga profesionistë të mëdhenj. Muzika e kësaj shfaqje është e realizuar nga Memli Kelmendi, ndërsa koreografia nga Agnes Nokshiqi, me skenografi të Majlinda Kelmendit e kostume të Samka Ferrit, kurse ndriçimi nga Skënder Latifi. Premiera e kësaj shfaqje vjen më 20 Dhjetor, duke filluar nga ora 19:30/KultPlus.com