Elona Agolli
Asnjë çast nuk e pranova që babai im nuk ishte më. E mendoja që do ta takoja pasditeve.
Do ja dëgjoja zërin e puthja duart. E megjithatë vinte dita e fundit e javës e unë shkrehesha në vaj, shkoja ta takoja aty, nën qetësinë e qiparisëve , aty ku duket që nuk ka fjalosje, por nuk është e vërtetë.
Unë llafosja e kuvendoja me atin tim.
Tani shfletoj ditarin tim , ato çka unë i kam quajtur Fletët e dhimbjes, thuajse nje vit më parë:
Shkurt 2017, Ditar
Një brengë e madhe më mbërthen shpirtin. Brenga e të moskuptuarit. Nuk arrija të zbërtheja fjalë e gjeste, lëvizje duarsh të babit 4 ditë para se ai të mbyllte sytë.
Kishte katër ditë me intubim për frymëmarrje të drejtuar, e thuajse tërë kohën ishte i përgjumur.
– Pse kështu?- pyesja doktoreshën.
-Po kështu na udhëzojnë protokollet mjekësore e gjithçka ndiqet sipas atyre protokolleve ndërkombëtare të rastit në fjalë. Dmth, duhet mbajtur në gjendje gjumi e qetësie derisa të normalizohen parametrat e të nisë të aktivizohet frymëmarrja.
Kështu që babi përgjatë 6 ditëve pas shtrimit nē reanimacion , thuajse nuk reagonte dhe ishte tërë kohën në gjumë. Unë erdha nga Italia të enjten pasdite, pas një përmirësimi të mërkurën pasdite të babit.
Tani , mē mori në telefon i entuziazmuar , duke më rrëfyer për organizmin e fortë të babit , që kapërcen çdo situatë të vështirë”. Këta mjekët nuk njohin fuqinë e babit . Ata thonë fjalën e keqe pa u menduar .”- vijonte vëllai im më tepër se optimist.
Tani më qetësoi disi, por një si tymnajë gri gjithsesi më pushtonte mendimet dhe gjendjen shpirtërore . Mezor prisja të kthehesha e të shkoja drejt e te babi .
Tani më tregonte sesi kur ishte përmendur pak babi, një ditë pas shtrimit, i kishin shkarë në faqe dy pika lot.
Kishte dëgjuar zërin e mamit dhe Tanit e ishte ndjerë i përmalluar.
Të enjten, nga ora 7 shkova në spital; babi flinte me atë tubin e tmerrshëm në gojë, të lidhur me ca fasho, me garza të vendosura në anën e djathtë të qafës, mesa duket tubat e frymëmarrjes. Sytë i kishte të mbyllur e sado unë e puthja duart e i fërkoja ballin , nuk reagonte . Infermieret këshillonin të mos i shkaktonim emocion e për këtë arsye duhej shumë kujdes. Pas 6 ditësh intubacion dhe pasi mesa duket nuk i kishin dhënë morfinë e ilaç gjumi, babi hapi sytë.
Bënte lëvizje me duar sikur kërkonte të shkruante. I dhamë një dosje e një fletë të bardhë së bashku me stilolapsin. Dora i dridhej e nuk shkruante dot . Hodhi në letër ca si firma , pa mundur të deshifroheshin dot. Gjithsesi dukej që reagonte mirë. Po atë ditë ja hoqën tubat dhe babi dukej më i qetë. Buzëqeshi kur i shkova te krevati e më tha që ” nuk flisja dot , më kishin vënë në gojë diçka .” Ndjehej si i lehtësuar.
Në hundë kishte tubat e hollë të oksigjenit, njëlloj si ato që mbante në shtëpi. Gjatë dy ditëve ishte pak i acaruar , kërkonte të çohej e të ikte. Mesa duket kërkonte shtëpinë. Infermieret i bërtisjin dhe ai paçka se burrë autoritar dhe i fortë, bindej e nuk bëzante , porsi një fëmijë i urtë.
Por herë pas here , e sidomos kur shkonim ne , reagonte duke kërkuar të çohej . Mami përpiqej ta qetësonte , duke i krehur flokët e bukura ,duke e përkëdhelur e i folur në vesh. I thoshte: – Rri edhe pak Dritëro , se do ikim në shtëpi , sa të bëhesh më mirë. Ja qetësohu, fli pak.
E babi ngrinte sytë lart , sikur fliste me zogjtë e me perëndinë . Herë – herë i dridhej mjekra ,lëvizte duart sikur trembte djajtë, mblidhte buzët e merrte një pamje sikur vajtonte . E kam në sy pamjen e Atit tim autoritar , e tashmë i mpakur e i pamundur nga afrimi i zuzkës , shtrigës Meremje.
Oh babushi im, sa mall kam tani që shkruaj. Pse të lashë aty , në atë krevat hekuri , i rrethuar nga tubat , në atë pavion vdekje. Ti kërkoje ndihmë , doje t’i shpëtoje atij burgu të zi e prandaj më thoje shpesh: “çfarë është ai hu atje , ajo copë hekuri “; kur ula kokën një ditë për të puthur , më kape flokët e m’i tërhiqje. Nuk e kuptova çfarë doje babushi im. Kur të shërbenin infermieret, inatoseshe e madje njërën e quaje police, kurse ato që donin të ndërronin u thoje : Kokëmisër, hiq duart nga aty ku më prek vetëm Sadija ime.
Si namuzqar, nuk mund të pranoje nënshtrimin e kujdesin e të tjerëve për ty , varësinë nga të tjerë njerëz e jo nga Sadija.
Mesa duket, kur e pe që duhej të nështroheshe , kur e pe që përpjekja për të ikur nga sytë këmbët nga ai pavion i vdekjes , ishte e kotë , vendose të mos frymëmarrësh .
Sapo pive pak lëng kivi , të përgatitur nga unë , na hidhje sytë herë mua herë mamit , i largoje më pas , e i ngrije sipër . Flisje me shpirtra e zot , i bukuri im . Pas dy orësh na u dha lajmi i kobshëm : Arrest kardiak . Ora 4 pasdite dt 3 shkurt , dite e premte . Fytyra të ngrira , pa shprehje , të ftohta . Dritëroi, zemra e tij ndaloi.
– Mos , mos më thuaj . Babi , nuk do të shoh më. Ati im , duart e mia , flokët e bukura , nuk jetoj dot pa ty. O zot pse nuk më more mua. Tmerr , babi i ftohtë , me bluzën e leshtë të veshur, me buzëqeshje , i bukur .
Babushi im, po shkruaj tani me stilolapsin tënd . Aq për zemër i kishe sa përherë doje të vetmen dhuratë: parker , stilolaps , apo stilograf . Sot mbushen plot dyjavë babush që po fle vetëm , në tokën e ftohtë ; të lamë vetëm babush e vetmia është vrastare. E ndjeje babushi im që edhe pak kohë të kishte mbetur për të qëndruar bashkë e prandaj atë pasdite kur të telefonova zëri yt buçiste , kishte ankth , alarm , dashuri , përgjërim : Lona, kur do vish ?
E unë mjeranja që nuk e kuptoja thirrjen tënde . Ti i jepje fuqi vetes për të artikuluar fjalët e fjalitë e unë dëgjoja zërin buçitës e kurrë nuk ma merrte mendja që do të gjeja në spital , në atë gjendje të tmerrshme , me tuba e të përgjumur siç të gjeta .
Babushi im , nuk më njohe tërësisht kur të qëndroja afër krevatit , pasi nuk më komunikonin sytë e tu . Ishe lodhur duke mē pritur , e kur unë erdha ishte tepër vonë./ KultPlus.com