Libri i Robert Elsie, “Bektashinjtë shqiptarë. Historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan”, i kushtohet rendit të dervishëve bektashianë në Shqipëri dhe rolit të tij në historinë shqiptare.
Seksioni i parë është përmbledhje e historisë dhe e kulturës së bektashinjve shqiptarë, që shërben si hyrje në lëndën, për të cilën shpresohet të jetë mjaftueshëm e përgjithshme për lexuesin mesatar, por që të përmbajë po ashtu detaje të mjaftueshme për të përmbushur edhe kërkesat e lexuesit jo mesatar.
Ky pasohet nga një seksion më i gjatë që paraqet një larmi shkrimesh mbi bektashinjtë shqiptarë nga udhëtarët e hershëm dhe studiuesit e shquar.
Këtu janë të përfshirë artikuj shumë të rëndësishëm që u qasen studimeve për bektashinjtë nga këndvështrime të ndryshme.
Seksioni i tretë ofron një katalog të gjerë të teqeve (manastireve) kryesore dhe tyrbeve (faltoreve) të bektashinjve shqiptarë, të dhëna në mënyrë alfabetike sipas emrit të vendit, me informacione historike për origjinën, zhvillimin dhe rëndësinë, aty ku është e mundur.
Katalogu nuk është aspak shterues, pasi ka shumë faltore të vogla dhe teqe që nuk janë përfshirë këtu për shkak të mungesës së informacionit rreth tyre.
Lexuesi do të lexojë se për disa teqe në këtë katalog, lënda është relativisht gjithëpërfshirëse, ndërsa për shumë të tjera ka boshllëqe. E tillë është gjendja e studimeve bektashiane për momentin.
Seksioni i katërt i këtij libri është një katalog i figurave më të shquara historike dhe legjendare të bektashinjve shqiptarë.
Korpusi kryesor i librit përmban edhe një fjalor të termave dhe një bibliografi, për t’i mundësuar lexuesit të interesuar që të ndjekë studime të mëtejshme në këtë fushë, nëse ai apo ajo dëshiron./ atsh/ KultPlus.com
Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Europë me një bursë studimesh.
Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.
Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur.
Qysh nga vitet ’90 deri ne fillim të shekullit XXI ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Europës, etj. Robert Elsie është anëtar i Shoqatës së Europës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime.
Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991.
Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Powder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997.
Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001; autor i shumë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.
Albanologu Robert Elsie u nda nga jeta më 2 tetor të vitit 2017 pas një sëmundje të rrallë të neuroneve motorike./ KultPlus.com
Morina ishte një fis i vogël, i vendosur në Malësinë e Gjakovës përgjatë kufirit të tanishëm Shqipëri-Kosovë. Morina kufizohet me trojet tradicionale të fisit të Gashit në perëndim, të Bytyçit në jugperëndim dhe të Hasit në jug. Vendkalimi kufitar i tanishëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, i njohur si Qafa e Morinës, gjendet në territorin e Morinës, por pjesëtarët e fisit Morina janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të Kosovës, veçanërisht në Gjakovë, në Kamenicë dhe në Gjilan. Si duket, morinasit besojnë se zanafillën e kanë nga Mirdita. Morina ishte një fis ose një bashkësi që kishte lidhje të përbashkët gjaku, histori të përbashkët dhe stërgjyshi të përbashkët.
Rajoni i fisit të Gashit ndodhet në qarkun e Tropojës, në Shqipërinë verilindore, që nga lindja e qytetit të Bajram Currit deri te komuna e Gjakovës në Kosovë. Një pjesë e madhe e Gashit banon në luginën e Llugajt dhe në atë të lumit Bushtrica. Gashi kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Krasniqes në perëndim, me Bytyçin dhe me Qafën e Luzhës (815 metra lartësi mbi nivelin e detit) në jug. Fisi i Gashit, po ashtu kishte kullosa verore në veri të malit që gjendet në lindje të Vuthajt (tani në Mal të Zi). Ngulimet dhe vendbanimet kryesore të Gashit, janë:Tropoja, Ahmataj (Shushicë-Ahmataj), Mejdani dhe Luzha.
Popullata
Termi Gashi është regjistruar si Gaasi, më 1634, në raportin kishtar të priftit françeskan Bonaventura di Palakolo (v.1657), pastaj si Gassi, më 1650, në raportin e Fra Gjaqintos dhe si Fassi dhe Gasi, më 1671, në raportin e Pjetro Stefano Gasparit. Gashi ishte një fis mysliman, armiku tradicional i Shalës katolike. Pjesëtarët e këtij fisi përbëjnë një komunitet që është i vetëdijshëm për lidhjet e përbashkëta të gjakut, të historisë dhe të një stërgjyshi nga ana mashkullore. Ai përbëhet nga dy bajraqe: Gashi i qendërzuar në Koçanaj dhe Shipshani i qendërzuar në Kasaj. Gashianët e konsideronin veten kushërinj të Krasniqes, meqë të dy palët e kishin prejardhjen nga perëndimi.
Sa i përket statistikave të popullatës, Princi Nikolla i Vasojeviqëve, në “Një raport i shkurtër mbi fiset e Shqipërsië së veriut, veçanërisht të Malësisë së Pavarur“, më 1841, për popullatën e Gashit, jep këto shënime: 4000 banorë, prej të cilëve 1000 ishin burra të armatosur.37
Joahn Georg von Hani, i cili udhëtoi nëpër këtë rajon, në verën e vitit 1863, konstatoi se Gashi përbëhej prej 500 shtëpive, të cilat ishin të ndara në bajraqe: në Shipshaj dhe në Bardhaj.38 Më 1858, ai kishte vënë re edhe praninë e Gashianëve në rajonin e Leskovcit në jug të Serbisë:
“Te përzier me fisin e Krasniqes në rajonin e Leskocit janë edhe degët e fiseve të Sopit, Berishës dhe Gashit. Gash ka edhe në rajonin e Masuricës, shumica prej të cilëve i takojnë fisit të Krasniqes. Në qarkun e Leskocit, gashianët banojnë në gjashtë fshatra, por nuk kanë marrëdhënie me fiset e tyre në Prishtinë dhe në Vranje. Kryetari i fisit të tyre, dikur, ka qenë Latif Aga, i njohur në tërë vendin për trimërinë e tij. Tani atë e ka zëvendësuar i biri i tij më i madh, Reshit Aga, vëllai i të cilit, Emini, është komandant i një garnizoni me pesë ushtarë, në burgun e garnizonit në Lebanë“.
Në vitin 1908, besohej se Gashi kishte një popullatë rreth 4000 banorë, prej të cileve 800 burra të armatosur dhe 800 shtëpi.40 Në regjistrimin e parë dhe të besueshëm të popullatës në Shqipëri, më 1918, nën administratën Austro-Hungareze, statistika për popullatën e fisit të Gashit, është si vijon: 591 shtëpi me gjithsej 3628 banorë. Ky fis përfshin vendbanimet dhe rrethinat e Babinës, Begajt, Berbatit (Shkëlzen), Buçinit, Gegajt, Kernajës, Kovaçit, Mejhanës, Papajt dhe Tropojës.41 Gashi është një mbiemër shumë i përhapur, veçanërisht në Kosovë, ku ka vendbanime të gashëve në Prishtinë dhe rreth e rrotuU Prishtinës (veçanërisht në Mramor), rreth Gjilanit, Klinës dhe Ferizajt.
Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia
Baron Nopça, i cili bëri gjurmime mbi prejardhjen e fisit Gashi, më 1907, erdhi në përfundimin se gashianët në fillim kishin qenë kushëri me Toplanën:
“Stërgjyshi i fisit të Toplanës, emrin e të cilit nuk e di, ishte vëllai më i vogël i Can Gabetit, stërgjyshit të parë të fisit Shllaku. Can Gabeti kishte jetuar para 14 ose 15 brezash. Ai kishte dhe një vëlla tjetër të quajtur Gjergj Gabeti, i cili ishte stërgjyshi i fisit të Mëgullës. Vëllai i katërt, emrin e të cilit nuk e di, ishte stërgjyshi i parë i fisit të Gashit. Të katër vëllezërit dikur kishin jetuar në rajonin e Shllakut, ku i kishin ndarë pronat. Pas ndarjes së pronave,stërgjyshërit e Gashit dhe të Toplanës shkuan në drejtim të lindjes. Gashi u vendos në rajonin e Sermës, midis lumenjve Nikaj dhe Leshnica. (…) Vendosja e Gashit në Sermë kishte qenë e shkurtër, sepse, rreth vitit 1660, Gashi u shpërngul prej atij rajoni në territorin e sotshëm. Imzot Mjeda më tha se ekzistonte një dorëshkrim i vjetër, por që kishte humbur. Në të bëhej fjalë për disa ngjarje të harruara. Në atë dorëshkrim përshkruhej se si katolikët e Gashit i kishin vrarë dy hoxhallarë.
Me atë rast fisi u rrethua nga trupat e Begolli Beut të Pejës, i cili i kishte detyruar malësorët që të hiqnin dorë nga feja e tyre dhe të vendoseshin në një rajon të ri ku jetonte një popullatë e quajtur “Anas”. Sipas një legjende tjetër, Gashi është shpërngulur nga rajoni i Toplanës aty kah viti 1600. Gjenealogjia e Toplanës përfshin 13 breza. Mërgimi i hershëm i Gashit dhe Toplanës nga Shllaku duhet të ketë ndodhur aty nga viti 1524 apo edhe më herët, si pasojë e luftës së parë turke në Shqipëri“.
Sido që të jetë, mendohet se Gashi ka qenë fisi i parë në rajonin e Tropojës, para ardhjes së fisit Krasniqi. Referencat historike tregojnë se Gashi ka pasur edhe një stërgjysh tjetër i cili quhej Leka, i biri Petër Spanit, i cili jetonte në ngulimin e Selimajt në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë.43 Frang Bardhi, peshkopi i Sapës dhe i Sardës, në raportin e vitit 1636, vuri re praninë e tyre:
“Me të kaluar lumin e Dritit, ne e vizituam fshatin e quajtur Krastenigje (Krasniqja). Nga ky fshat ne e kaluam lumin Valbona dhe e vizituam një fshat tjetër të quajtur Gash, ku na pritën shumë mirë. Ky fshat është goxha i madh, ka 97 shtëpi me 866 frymë të krishterësh. Qendra e këtij fshati ishte Selimaj. Bajraktari i fisit të Gashit quhej Pjetër Spani, i cili dikur kishte qenë sundimtari i Pulatit.
Një pjesë tjetër e fisit të Gashit ishte fshati Bardhë, i cili në shekullin e shtatëmbëdhjetë u nda nga fisi i Kuçit në Mal të Zi, i cili atëherë kishte qenë shqipfolës, kurse tani është sllavishtfolës. Pasardhësit e tyre janë myslimanë dhe mund ta identifikojnë zanafillën e tyre duke u kthyer në të 13 ose të 14 breza. Ata u vendosën në fshatin Gosturan, në brigjet më të larta të lumit Tropoja, diku ndërmjet viteve 1600 dhe 1650.45
Bajraku Shipshan i fisit të Gashit, sipas legjendës, thuhet se është themeluar në shekullin e shtatëmbëdhjetë nga një jevg, i cili ishte martuar me të bijën e kreut të fisit të Gashit dhe ishte vendosur së bashku me të në Shipshan. Ky toponim së pari është regjistruar në regjistrin osman të vitit 1485 si fshat i 42 shtëpive.
Pazari kryesor për fisin e Gashit ishte Gjakova në të cilin arrinin duke kaluar nëpër Qafën e Morinës, e cila gjendet në territorin e tyre. Ata tradicionalisht takohen me fqinjët e tyre, Krasniqen, te Vorret e Shalës, që ndodhen në një kreshtë në mes të lumenjve Valbona dhe Tropoja.
Fisi Gashi, në hierarkinë e fiseve, konsiderohet si një fis i mençur apo i urtë, ashtu si thotë edhe ijala popullore: Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit./ KultPlus.com