Margariti: Krenare për gjithë sa bëmë e që do të vijohet

Ish-ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka reaguar pas përfundimit të misionit të saj 5-vjeçar në krye të Ministrisë së Kulturës. Ministri e cila u shkri, duke u krijuar një e re, ajo e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që do të drejtohet nga ministri Blendi Gonxhja.

Në një postim në rrjetet sociale Margariti e cilëson si një rrugëtim të jashtëzakonshëm punën e saj 5-vjeçare në Ministrinë e Kulturës. Ajo falenderoi kryeministrin Edi Rama që i besoi këtë post, por edhe kolegët dhe strafin e Ministrisë.

Ndër të tjera Margariti i uron suksese Gonxhes në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Sot përmbyll misionin tim 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës. Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që më rriti si njeri dhe si profesioniste”, tha Margariti.

“I jam falenderuese kryeministrit Rama për besimin, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, stafit të Ministrisë së Kulturës dhe kujtdo që na mbështeti në punën tonë, që e kemi bërë me shumë dashuri. Sot jam e nderuar që i kam shërbyer kulturës këto 5 vite; krenare për gjithë sa bëmë e do të vijohet nga pasardhësi; krenare për imazhin dhe jehonën e bukur që ka sot kultura shqiptare, si kurrë më parë”, u shpreh Margariti.

Ajo i uroj suksese ministrit Blendi Gonxhja në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. /ATSH /KultPlus.com

Margariti: Po punohet për plotësimin e Regjistrit të Pasurive Kulturore

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi sot se po punohet për plotësimin e Regjistrit të Pasurive Kulturore.

“Krijimi i një regjistri të plotë të pasurive kulturore që ne kemi është prioritet për Ministrinë e Kulturës. Gjatë vitit 2023 Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore ka regjistruar 15,166 objekte, ndërsa në vitin 2022 ky numër ishte 6,220”, u shpreh Margariti në rrjetet sociale, ndërsa shtoi se, ky proces do të vijojë edhe përgjatë këtij viti me ritme edhe më të shpejta.

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) është ai që ka për detyrë krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar. IKRTK-ja, në funksion të përmbushjes së misionit të vet, bashkëpunon me institucionet e shtetit shqiptar, organet e policisë, institucionet doganore si dhe institucionet ndërkombëtare në luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore./KultPlus.com

Rreth 1 milion shqiptarë e të huaj vizituan muzetë, parqet dhe monumentet në Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se “rreth 1 milion shqiptarë e të huaj kanë vizituar përgjatë këtij viti muzetë, parqet dhe monumentet tona”.

Në fjalën e saj në panelin “Prioritetet zhvillimore: Infrastruktura, Energjia, Financat, Turizmi, Bujqësia dhe Kultura” në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Margariti tha se “kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rilindja Urbante nuk do të kishte prekur qendrat historike në qytetet tona, në Korçë, Krujë, Vlorë, duke çuar te qytetari më shumë shërbime, punësim, turizëm, zhvillim ekonomik”.

“Nuk do të kishte ndodhur pa rikthimin e besimit te banorët, që bënë bashkë kursimet e tyre me bonuset e Ministrisë së Kulturës, për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”, tha Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “kushdo e kujton trishtimin gri të kalldrëmeve të Gjirokastrës. Një kontrast i thellë me Gjirokastrën e Festivalit Folklorik, kartolina më e bukur e shpirtit shqiptar. Një investim në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, që edhe UNESCO na e ka njohur, duke pranuar brenda 1 viti Xhubletën dhe transumancën në Listën e Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit”. /ATSH /KultPlus.com

Margariti: Më shumë investime dhe shpërblim për punëtorët e kulturës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaron se buxheti i vitit 2024 për kulturën, parashikon një rritje me 14% më shumë se viti që po lëmë pas.

Margariti shprehet se kjo rritje “përkthehet më shumë investime, më shumë mbështetje, më shumë shpërblim për punëtorët e kulturës”.

Gjatë prezantimit të pr.buxhetit Në komisionet parlamentare, Margariti ka bërë me dije se do vijojë puna për projekte që nga restaurimi dhe rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, te Muzeu “Besa”, gërmimi i amfiteatrit të Durrësit dhe rehabilitimi i zonës arkeologjike përreth, restaurimi i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, rehabilitimi i objekteve dhe ambienteve të Burgut të Spaçit e shumë të tjera. Pa lënë mënjanë edhe mbështetjen e skenës së pavarur përmes mbështetjes financiare.

Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale–pasuri kombëtare e popullit shqiptar në breza, mbështetja e krijimtarisë dhe aktivitetit krijues të artistëve shqiptarë përmes rritjes së aktiviteteve kulturore dhe përfshirjes së artistëve, promovimi dhe përfaqësimi i vlerave të artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, materiale dhe shpirtërore në evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare, kanë disa nga prioritetet e buxhetit 2024 për Ministrinë e Kulturës. /ATSH /KultPlus.com

Franca do të ofrojë asistencë për ligjin e kinematografisë, trajnim për kineastët, marrëveshje për bashkëprodhimin

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me presidentin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë franceze CNC – Centre national du cinéma et de l’image animée, Dominique Bouttonat. Margariti e vlerësoi këtë si një hap të ri për kinemanë shqiptare. Në këtë mënyrë do të mund të merret asistenca më e mirë në hartimin e ligjit për kinematografinë, do të ketë trajnime për kineastët e rinj si dhe do të shtrohet rruga për lidhjen e një marrëveshjeje bashkëprodhimi në vitin 2024.

Në takimin që ministrja Elva Margariti pati me ministren e Kulturës të Republikës së Francës, Rima Abul-Malak, kinematografia ishte një nga temat e diskutimit. Kjo ishte edhe objekt i marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Franceze.

E krijuar në vitin 1946, Qendra Kombëtare e Kinemasë dhe Imazhet e Animuar (CNC) është nën autoritetin e Ministrisë së Kulturës në Francë. Misionet kryesore të (CNC) janë të lidhura me rregullimin, mbështetjen e prodhimit dhe shpërndarjes së veprave audiovizuale, si dhe me ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com

Aktivitete të përbashkëta kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është takuar me homologun italian Gennaro Sangiuliano, me të cilin ka diskutuar mbi bashkëpunimin në fushën e muzeologjisë si dhe vijimin e eksperiencave në arkeologji dhe në sektorë të tjerë të trashëgimisë kulturore.

Në kuadrin e takimeve qeveritare, një vend të rëndësishëm zuri edhe kultura, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta në fushën e kinematografisë dhe arteve pamore.

Ministri Sangiuliano pranoi ftesën e ministres Margariti për të vizituar Shqipërinë dhe shprehu gatishmërinë për të çuar përpara projekte të reja, nisur edhe nga prania gjithnjë e më e shumtë e italianëve që jo thjesht si turistë, por dhe rezidentë. /Shqip.com

Parku Kombëtar i Butrintit vizitohet nga arkitekti me famë botërore, Kuma projektoi qendrën e re të vizitorëve të këtij parku

Arkitekti me famë botërore Kengo Kuma ka vizituar Parkun Kombëtar të Butrintit, shkruan KultPlus.

Arkitekti i njohur kishte projektuar qendrën e re të vizitorëve të këtij parku kombëtar, që edhe vlerësohet të jetë aset për shtetin, pasi që vula e tij arkitektonike vlerësohet të jetë e rëndësishme që është edhe brenda Shqipërisë.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministres Margariti./ KultPlus.com

Margariti: Teatri Kombëtar po sjell një vepër madhore mbi dinjitetin njerëzor

Teatri Kombëtar nis sezonin e ri artistik me “Vojcek”, një dramë nga Georg Büchner, me regji nga Kuniaki Ida. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se, bëhet fjalë për një vepër madhore që angazhon gjithë trupën e aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe përcjell mesazhe të forta mbi dinjitetin njerëzor.

Aktorët e Teatrit Kombëtar si dhe regjisori japonez Kuniaki Ida, prej kohësh përgatiten për premierën absolute të dramës “Vojcek”. Shfaqja do të jepet për 3 netë me radhë, më 8, 9 dhe 10 shtator, në sallën “Central 400” te ArTurbina dhe ndërkohë ka nisur shitja e biletave.

Regjisori japonez Kuniaki Ida ka studiuar format tradicionale japoneze të dramës, Noh dhe Kyōgen. Si regjisor i shfaqjeve teatrale dhe muzikore, por edhe instruktor aktrimi, ai ka punuar në Itali, Japoni, Korenë e Jugut, Portugali, Gjermani, Afrikën e Jugut, Hong-Kong, Indi dhe Francë.

Margariti: Qendra ‘Sotir Kolea’, hapësirë moderne dedikuar librit

Qendra më e re e librit “Sotir Kolea”, dikur e njohur si biblioteka e vjetër e kryeqytetit, pas dëmtimeve nga tërmeti, i është rikthyer lexuesit përmes shërbimit të librave të rrallë, shumë syresh pjesë e bibliotekave personale të konfiskuara gjatë komunizmit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përcolli sot përshtypjet e përgjegjëses së sallës franceze në qendrën “Sotir Kolea”, Teuta Çano, e cila tregon transformimin që ka pësuar kjo qendër pas investimit të kryer.

“Teuta Çano nuk e mban mend jetën e saj pa libra. Duket si një trashëgimi e përcjellë nga brezi në brez. Ajo është përgjegjëse e sallës franceze në qendrën “Sotir Kolea”, ndër të parat që u restaurua, duke i hapur udhën shndërrimit të një objekti të harruar në një hapësirë moderne, dedikuar librit. Si u shndërrua ish-aneksi i Bibliotekës Kombëtare”, u shpreh Margariti.

Nga ana e saj, Çano kujton se godina më parë ka qenë e mbushur me thasë me libra.

‘Salla ishte e ndërtuar me libra të vjetër. Gjetëm libra në thasë të mbyllur në kushte jo të përshtatshme. Këtu kemi komplet libra të përzgjedhur nga përmbajtja. Do të vijojmë me dixhitalizimin”, tha ajo.

Thesaret e Qendrës “Sotir Kolea”, pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, tani ruhen në kushte të sigurta dhe mund të lexohen nga të gjithë dashamirësit e librave.

Qendra “Sotir Kolea” mban emrin e një personaliteti të kulturës shqiptare, i cili si drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjatë periudhës 1928-1937, dha një kontribut të veçantë në hedhjen e bazave të bibliotekonomisë në Shqipëri, si dhe për pasurimin e koleksioneve bibliotekare me materiale albanologjike.

Programi EU4Culture i Bashkimit Europian, ka ofruar pajisje moderne që do të ndihmojnë ndjeshëm në ruajtjen e librave dhe leximin e tyre online.

Puna e personelit në Qendrën “Sotir Kolea” është lehtësuar dhe tashmë mund të përpunojnë më shumë libra. Kjo qendër ka përfituar pajisje me vlerë 670 000 euro përmes programit EU4Culture.

Ndihma konsiston në servera të rinj, libra, skanera barkodi, laptopë, tableta, sistem sigurie, pastrues pluhuri, heqës lagështie dhe aciditeti, pajisje për dezinfektimin e librave e pajisje të tjera, të cilat ndihmojnë bibliotekën për të ruajtur, trajtuar e pastruar fondin e saj të librave të rrallë. Një pjesë e këtyre pajisjeve janë unike në vendin tonë. Tashmë një pjesë e konsiderueshme e punës kryhet në mënyrë të automatizuar./KultPlus.com

Revista ‘Archeo’ jehonë Butrintit, pjesë e itinerarit të certifikuar nga Këshilli i Europës

Qyteti antik i Butrintit ka zënë faqet kryesore të revistës prestigjioze “Archeo”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se në numrin e muajit gusht 2023 i është kushtuar një “speciale” Butrintit, si një nga stacionet më të rëndësishme të rrugëtimit të Eneas, një itinerar i certifikuar nga Këshilli i Europës dhe që bën bashkë site të ndryshme të trashëgimisë kulturore, që lidhen me heroin mitik.

Parku Kombëtar i Butrintit, është një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në jug të vendit, që tërheq interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Parku Kombëtar i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur në dy anë nga liqeni i Butrintit dhe në një anë nga kanali i Vivarit.

Parku Kombëtar i Butrintit ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.

Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet, që nga tempujt helenikë të shek. IV para Krishtit, deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX./KultPlus.com

Margariti: Restaurohet kisha e ‘Shën Mërisë’ në Finiq, monument kulture i kategorisë I

Në kishën e “Shën Mërisë”, monument kulture i kategorisë I, në fshatin Malçan të bashkisë Finiq kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ndau në rrjetet sociale momente ngapuna për restaurimin e kishës.

“Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, ka nisur puna për pastrim dhe sistemim territori përreth monumentit; konsolidim të seksioneve murale e frakturave në muraturën e kishës, restaurim dyersh dhe dritaresh, qeramosje e çatisë etj”, theksoi Margariti.

Sipas Margariti, kjo kishë është një tjetër monument i shpëtuar falë ndërhyrjes që po kryhet.

Kisha e Shën Mërisë në Malçan është një tempull i periudhës pasbizantine me karakteristika të veçanta strukturale. Altari ndriçohet nga tre dritare të vogla dhe është me afreske. Kisha përbëhet nga naosi kryesor dhe narteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 6,60 x 5,90 m. Brenda ka katër kollona. Në anën lindore naosi lidhet me narteksin. Nga mënyra se si është strukturuar narteksi duket se është ndërtuar më vonë.

Kisha nuk e ruan datimin, por duke gjykuar nga karakteristikat morfologjikë, arkitektonikë, por dhe nga elementët dekorative, tregon të jetë e periudhës pasbizantine dhe mendojmë të jetë ndërtuar nga fundi i shek. XVI-të, fillimi i shek. XVII-të./atsh/KultPlus.com

Margariti: Një koleksion i pasur i regjisorit Kristaq Dhamo i shtohet Arkivit të Filmit

Një pasuri e vyer e regjisorit Kristiaq Dhamo, i cili ndërroi jetë një vit më parë, i shtohet Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se “në prag të përvjetorit të vdekjes së kineastit të madh Kristaq Dhamo, një prej pionierëve të filmit shqiptar, familja i dhuron Arkivit të Filmit një koleksion të pasur, që shërben jo vetëm për plotësimin e dosjes së kineastit, por edhe të historisë së kinematografisë shqiptare”.

Margariti tha se “bëhet fjalë për korrespondenca të kohës studentore, shënime, komente, referate të mbajtura në simpoziume etj., që do t’u shërbejnë studiuesve dhe kritikëve”.

Dhamo lindi në Libofshë të Fierit, më 20 prill 1933. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”, më 1952, dega dramaturgji. Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973¬1981 dhe 1984-1992). Ai ishte regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana”, që ishte edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958).

Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale. Në 1979 iu dha titulli “Artist merituar” dhe në vitin 1987 u nderua me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin e XI-të i filmit shqiptar 2000 u nderua me çmimin e karrierës.

Regjisori Kristaq Dhamo ndërroi jetë më 14 gusht të 2022./atsh/KultPlus.com

Margariti: Artizanët e Kavajës përcjellin traditën e poçerisë dhe endjes nga brezi në brez

Shoqata “Help in Albania” me mbështetjen e programit EU4Culture ka organizuar një seri takimesh të agjencive turistike dhe guidave lokale me artizanët e Kavajës, që përcjellin traditën e poçerisë dhe të endjes nga brezi në brez.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila theksoi se “takimi me artizanët dhe njohja me aktivitetin e tyre krijon mundësi për të ndërtuar destinacione të reja turistike dhe fuqizimin e ekonomisë lokale”.

“Përtej destinacioneve kulturore dhe turistike tradicionale, ka kaq shumë pasuri për t’u zbuluar në të gjithë Shqipërinë”, tha Margariti.

Pjesëmarrësit në këto takime patën mundësinë të vizitojnë punëtoritë e dy zejtarëve, Ismete Shaba një artizane 70-vjeçare, mjeshtëria e së cilës në tezgjah vazhdon të magjepsë të gjithë dhe Ligor Kostrista, një artizan i brezit të pestë të qeramikës, i cili po ua përcjell këtë zanat të dashur fëmijëve të tij, duke shënuar brezin e gjashtë të poçarëve në familjen e tij.

Arti i jashtëzakonshëm dhe mjeshtëria unike e shfaqur nga Ismete Shaba dhe Ligor Kostrista mund të tërheqin turistë dhe të pasionuar pas artit duke gjeneruar të ardhura për komunitetin dhe duke nxitur ekonominë lokale.

“Duke vlerësuar dhe mbështetur këta artizanë, ne jo vetëm mbrojmë traditat tona të dashura kulturore, por gjithashtu krijojmë jetesë të qëndrueshme për familjet e tyre, duke nxitur rritjen ekonomike”, thekson shoqata “Help in Albania”./KultPlus.com

Realizohen veshje moderne bazuar tek etnografia e Gjirokastrës

 Folklori dhe vetë Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës nuk mund të kuptohet pa artizanatin, pa përcjelljen e mjeshtërisë së bërjes së kostumeve.

Gjatë ditëve të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2023, Trashëgimia Kulturore pa Kufij (chwbalbania) organizoi aktivitetin “Puntoria – Rikrijim i Traditës 2”, mbi realizimin e veshjeve moderne, bazuar në etnografinë dhe monumentet e qarkut të Gjirokastrës.

Nën drejtimin e artizanes së ateliesë, Elida Zhulati dhe kuratores Esmeralda Marku, me asistencën e 3 rrobaqepëseve të qytetit, 20 të reja nga Kosova dhe Shqipëria realizuan 20 veshje, të cilat u prezantuan në një sfilatë, mes mijëra vizitorësh të Gjirokastrës.

Punëtoria u realizua me mbështetjen financiare të Ambasadës suedeze në Tiranë. Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka qenë e pranishme në ambientet e puntorisë, ku pa nga afër krijimet artizanale të vajzave./atsh/ KultPlus.com

Margariti kujton interpretuesit brilantë të folklorit nga të katër anët e Shqipërisë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka nderuar kujtimin e artistëve të mirënjohur popullorë, interpretues brilantë, që me talentin e tyre i dhanë zë, ngjyra dhe jetë, ndër vite, performancave folkorike nga të katër anët e Shqipërisë, të cilët sot kujtohen si krenaria e Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Margariti ka kujtuar këngëtarë, rapsodë, valltarë, instrumentistë dhe formacione muzikore, te cilet ishin trashëgimtarët pasionantë të këngëve, valleve tradicionale, që i bartën dhe përcollën me mjeshtëri si vlera të jashtëzakonshme dhe unikale të trashëgimisë sonë folklorike, pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Teksa Festivali Kombëtar i Gjirokastrës 2023 është në prag, kujtojmë me mirënjohje:

Xhevat Avdallin, “Artist i merituar”, bilbili i këngës gjirokastrite, korifeu i “Grupit të Pleqve”, që lanë të përjetësuar në art gjithë ceremonialin e jetës shpirtërore të qytetit të gurtë.

Laver Bariun, klarinetistin virtuoz, që interpretoi së bashku brengën dhe gëzimin e shpirtit njerëzor. Kabatë e tij të famshme, vijnë herë si gurgullima e Vjosës e herë si fëshfërima e pyjeve të Dangëllisë dhe pa dyshim ishin një copëz e shpirtit naimjan.

Ndue Shytin, “Artist i Popullit”, që me dy tela çiftelie dinte të prekte dhe të gëzonte shpirtrat e mijëra njerëzve. Me talentin e tij e gdhendi melodinë, që tingujt e saj të mos i marrë era, që tingujt të kenë peshën e gurit të maleve pukjane e të krejt Shqipërisë.

Demir Zykon, i cili kishte zërin e një tenori lirik, të bukur e jashtëzakonisht të ëmbël. Kënga e tij kullonte nga shpirti, me nuancat më të bukura vokale, duke e ngritur interpretimin virtuoz të polifonisë toske deri në kulminacionet më mahnitëse e duke e shndërruar këtë figure në një legjendë.

Fatime Sokoli, “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh,” e cila ia kushtoi jetën e saj artit dhe traditës folklorike të krijuar ndër breza. Rrugëtimi i saj artistik i ngjan fluturimit të një shpendi, që nuk mund të jetojë pa hapësirën dhe shpirtin e një populli të lidhur fort pas Alpeve, truallit që e lindi këngën epike e që Fatime Sokoli e interpretoi mrekullisht.

Dervish Shaqja, “Artist i merituar”, Orfe i folklorit burimor shqiptar, i cili me këngën, stilin dhe melodinë e tij la gjurmë të pashlyera tek të gjithë pasardhësit e tij, mori përmasat e një simboli të gjallë, të një “ambasadori” flakërues për situatat e asaj kohe në Kosovë. Ai me mjeshtëri të paarritshme ka krijuar dhe interpretuar këngët më të bukura të kohës së tij.

Ali Kondi. “Artist i merituar”, i cili lumturonte me “devolliçen” jo vetëm ne, por edhe çdo shqiptar tjetër, kudo që ndodhet, duke na ruajtur mallin dhe dashurinë për atë vend të shenjtë, që e duam dhe s’e këmbejmë me asnjë tjetër.

Taip Madani, “Artist i merituar”, Mjeshtër i valleve elegante e plot kolorit të Çamërisë. Veçanërisht i ngriti një monument artistik valles së Osman Takes. Kishte një kërcim mahnitës, befasues, plot gjallëri dhe jetë.

Golik Jaupi, “Artist i merituar”, i cili e përcolli këngën e popullit si era kur përplasej maleve, pyjeve dhe lëndinave plot lule të Labërisë. Herë epik, si një bubullimë, kur u këndonte “gjithë burrave me palcë guri”, herë i butë, flladitës e përkëdhelës si një fëshfërimë bari, kur i këndonte vendlindjes së tij dhe idileve baritore. Ai është bashkudhëtar me këngën labe, sikundër është blerimi me pranverën.

Fitnete Rexha, “Artiste e merituar”, një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, e cila me zërin e saj brilant këndoi këngën tashme himn “Gjirokastra ne shpat’ mali”.

Margariti ka kujtuar gjithashtu grupin kosovar të Rrashbullit, grupin çam të Rrogozhinës, orkestrinën e Zef Grudës, Kukës, orkestrinën simfonike të çiftelive dhe sharkive të Ndue Shytit, Pukë, orkestrinën e Matit, ritualin e “ditës së verës”, të Elbasanit, kabatë e famshme të Çobanit, Lulushit të Korçës dhe shumë e shumë të tjerë, këngëtarë, rapsodë, instrumentistë, valltarë, interpretues etj./ atsh / KultPlus.com

41 457 vizitorë në kalatë historike të Shqipëri

Gjashtëmujori i parë i këtij viti, ka shënuar rritje të fluksit të vizitorëve në kalatë historike të Shqipërisë, që falë restaurimeve të kryera viteve të fundit janë kthyer në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila informoi se për këtë periudhë janë regjistruar 41 457 vizitorë.

Margariti ndau po ashtu në rrjetet sociale shifrat e rritjes së ndjeshme të vizitorëve në kalatë historike gjatë viteve të fundit.

Shifrat e 6-mujorit të parë të këtij viti paraqesin një rritje të ndjeshme të fluksit të vizitorëve krahasuar me vitin 2020 kur kishte vetëm 12 183 vizitorë, ndërkohë që në vitin 2021 kishte 20 756 vizitorë.

Në vitin 2022 kalatë dhe monumentet e tjera të vendit u vizituan nga 24 832 vizitorë./atsh/KultPlus.com

Margariti: E diela e fundit e muajit, hyrje falas në muzetë dhe parqet arkeologjike

Muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjitha qytetet e vendit po tërheqin gjithnjë e më shumë një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.

Vitet e fundit Ministria e Kulturës ka ndërmarrë nismën që turistët dhe vizitorët të dielave të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ftoi sërish sot vizitorët të vizitojnë muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.

“Sot është dita perfekte për t’u kaluar me familjen në mes të natyrës. Është e diela e fundit e muajit dhe hyrja në parqe arkeologjike dhe muze është e lirë”, u shpreh Margariti.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë janë kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.

Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj./atsh/KultPlus.com

Margariti: Shqipëria në edicionin e 18-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia

 Shqipëria po prezantohet në një tjetër arenë ndërkombëtare, në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, e cila zhvillohet nga 20 maj deri në 26 nëntor.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes së bienales, ndërsa theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “me përsiatjen e pakohë mbi të ardhmen e arkitekturës dhe arkitektëve si faktor ndryshimi të hapësirës publike dhe ambientit, Era dhe Martini na futën në “Laboratorin e ideve” të bienales”.

“Një ndërthurje mes virtuales dhe të prekshmes, ku ndëraktiviteti i propozuar përmes gjuhës digjitale shoqërohet nga zhurma e hapave mbi zhavorr, si lënda bazë e ndërtimit”, theksoi Margariti.

Projekti që përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 18-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias është “Përsiatje të pakohë ose: Si mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara.

Ky projekt është paraqitur nga një grup artistësh të rinj: Era Merkuri (arkitekte dhe drejtuese e ekipit), nga Martin Gjoleka (arkitekt), Ani Marku (arkitekt) dhe Geraldo Prendushi (artist digjital).

Ekspozita e 18-të Ndërkombëtare e Arkitekturës, e cila do të zhvillohet nga 20 maji deri më 26 nëntor 2023 në Giardini, në Arsenale dhe në vende të ndryshme përreth Venecias, titullohet: Laboratori i së Ardhmes./atsh/ KultPlus.com

Shqipëri-Gjermani, bashkëpunim në fushën e kulturës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti priti në një takim ministren për Çështjet Federale dhe Europiane e Landit Hessen, Lucia Putrich.

Gjatë takimit Margariti dhe Putrich diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve tona në fushën e kulturës.

“Ligji për Kinematografinë, mobiliteti i artistëve, organizimi i ekspozitave të lëvizshme, rezidencave të artistëve, ngritja e Parkut të Artit dhe nisma të tjera të Ministrisë së Kulturës ishin disa nga temat mbi të cilat folëm, duke parë mundësitë e shkëmbimeve në të ardhmen”, tha Margariti në një postim në rrjetet sociale./atsh/ KultPlus.com

Margariti: Rikonceptimi nën një dritë të re për Muzeun Etnografik të Beratit

Në Berat vijon me ritme të shpejta puna për rikonstruksionin e Muzeut Etnografik, një nga më të vizituarit në qytetin e “një mbi një dritareve”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kryetarin e Bashkisë së Beratit Ervin Demo dhe kryetari i qarkut Donald Molishti inspektuam punimet në këtë muze.

“I ngritur në një ndërtesë monument kulture e kategorisë I, muzeu, ku ruhet një koleksion prej 1300 objektesh, po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit, si dhe rikonceptimit muzeor nën një dritë të re”, tha Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Ky projekt është një investim që po merr jetë falë financimit të Këshillit të Qarkut, Berat në kuadër të projektit “Turizmi Taktik”, Interreg IPA II, Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Greqi – Shqipëri 2014 – 2020, që do të nxjerrë edhe më në dritë pasurinë etnografike beratase.

Në Muzeun Etnografik në Berat janë ekspozuar objekte të ndryshme si kostumet popullore, im­provizimi i një pazari të vjetër, ndërsa në katin e sipërm ndodhen disa shembuj të dhomave me funksionet përkatëse dhe mënyra e jetesës familjare të zonës së Beratit./KultPlus.com

Ura e Kurçajt, atraksion turistik kulturor, në simbiozë me natyrën e mrekullueshme

Punimet për restaurimin e urës së Kurçajt në Krujë, e cila ishte dëmtuar nga tërmeti, kanë përfunduar.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të punimeve, u shpreh se, “e ndërtuar në shek. XVIII si pjesë e rrugës së karvanëve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë Ura e Kurçajt është një pikë lidhjeje me historinë”.

“E dëmtuar nga tëmeti i vitit 2019, falë programit EU4CULTURE dhe UNOPS, kjo urë-monument kulture u restaurua dhe është tashmë një atraksion turistik kulturor, në simbiozë me natyrën e mrekullueshme”, theksoi Margariti.

“Bashkë me përfaqësuesin e BE, Alexis Hupin, UNOPS dhe banorëve të zonës përuruam në mënyrë simbolike përfundimin e punimeve”, u shpreh ajo.

Margariti nënvizoi se, “ura u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe u restaurua në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës”.

Në mungesë të burimeve të sigurta historike, historianët besojnë se Ura e Kurçajt është ndërtuar në shekullin XVIII, kohë kur u ndërtuan shumë ura të reja në të gjithë Shqipërinë për të lidhur qendrat kryesore tregtare.

Ura e Kurçaj ndodhet në lumin Zezë në fshatin Kurçaj dhe ishte pjesë e një rruge të hershme karvanësh midis Krujës dhe Tiranës. Në vitin 1984 ura u shpall monument kulture kombëtar i kategorisë së parë dhe mbahet si dëshmi historike e arritjeve inxhinierike të kohës. Sot, ura është një vend i trashëgimisë historike dhe kulturore që lidh rrugët vendase. Aktualisht, ura nuk është e përshtatshme për asnjë lloj transporti dhe mund të vizitohet vetëm në këmbë. /atsh/ KultPlus.com

Bonusi i Rijetësimit në Lagjen Kala të Elbasanit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, zhvilloi një takim në qytetin e Elbasanit, ku është diskutuar rreth “Bonusit të Rijetësimit”.

Në takim ishte i pranishëm Damian Gjiknuri, drejtues politik i PS në qark, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, deputetë të zonës, por edhe dashamirës të kulturës e trashëgimisë.

Ministrja u takua me banorët e Lagjes Kala për të prezantuar nismën e qeverisë dhe u shpreh se, Elbasani të pret ngrohtë edhe në ditë të ftohta dimri.

“Përmes shqetësimeve të ngritura dhe pyetjeve të banorëve u kuptuan më mirë problematikat, çka na ndihmon të përmirësohemi në punën tone”, tha ministrja Margariti.

Ajo u shprehu e sigurt se, pas përvojës së një viti më parë, në këtë edicion do të ketë edhe më shumë aplikime, por edhe më shumë mbështetje.

Bashkia Elbasan bashkë me Ministrinë e Kulturës do t’i vijë në ndihmë banorëve të Kalasë që të aplikojnë dhe përfitojnë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja tha se, qëllimi është që në kala të ngrihen ambiente shërbimi, me financim të përbashkët. Qeveria shqiptare do të bashkëfinancojë projektet e qytetarëve të Elbasanit, jo nëpërmjet kredive, por drejtpërdrejt përmes granteve.

Ndërsa Damian Gjiknuri tha në takim se, ruajtja e shtëpive në Lagjen Kala, sjell ruajtjen e identitetit të Elbasanit.

Thirrja e dytë për ata që duan të restaurojnë dhe rijetësojnë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike dhe lagje brenda kalave, mbyll aplikimet në 10 mars.

Buxheti për Bonusin e Rijetësimit është 50% më i madh se një vit më parë. Për mirëmbajtje dhe rijetësim mbështetja do të jetë deri në 1 milion lekë, ndërsa për rijetësim deri në 6 milionë lekë./ KultPlus.com

Tryezë për zgjidhjen e problematikës së Urës së Matit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka organizuar një takim ku është diskutuar problematika e Urës së Matit dhe mënyrat për zgjidhjen e saj.

Në tryezë kanë qenë edhe përfaqësues të shoqatës “Europa Nostra”: Peter Bond, Pedro Ponce de Leon dhe Lida Miraj.

Ministrja Margariti pasi dëgjoi shqetësimet e tyre, së bashku me drejtorin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Eugen Kallfani dhe dekanin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Armand Vokshi, bëri me dije të gjitha nismat e ndërmarra deri më tani, që nga ngritja e grupit ndërinstitucional të punës, nën drejtimin e zv.kryeministres Balluku, hartimin e projektit në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe institucionet e linjës, me financimin e Ministrisë së Kulturës, si dhe planin e masave në vijim.

“I bëmë ftesën “Europa Nostra”-s të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve, përmes pjesëmarrjes konkrete, me ekspertë e mundësi financimi dhe jo vetëm me evidentim të tyre pasi përballemi me to”, shkruan ministrja Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Ura e Matit gjendet pranë qytetit të Milotit, në veriperëndim të vendit. Ajo është vepër e inxhinierit projektues Erwin Schnitter dhe e inxhinierit zbatues Gjovalin Gjadri.

Është e gjatë 480 metra, me pesë harqe celiku. U emërtua si Ura e Zogut në nder të mbretit Zog dhe për 50 vjet mbeti e vetmja urë mbi lumin Mat./atsh/ KultPlus.com

Mërgimtari kthehet në vendin e lindjes dhe shpëton një monument kulture

“Bonusi i Rijetësimit” është një nga projektet madhore të qeverisë, prej të cilit deri më tani kanë përfituar 40 aplikantë, pronat e të cilëve po u nënshtrohen restaurimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale historinë e një emigranti nga Gjirokastra, i cili është përfitues i këtij bonusi, falë të cilit ka shndërruar në bujtinë një godinë tejet të amortizuar.

“Pas vitesh në emigracion, Mariglen Ligu u kthye në vendin e lindjes dhe investoi në sektorin e turizmit. Me mbështetjen e Bonusi i Rijetësimit, ia arriti të shpëtojë një ndërtesë, monument kulture, kategoria II, në Gjirokastër, duke e shndërruar në një bujtinë”, shkruan Margariti.

Bonusi i Rijetësimit nuk mbron vetëm trashëgiminë tonë kulturore e historike, por mbështet mbi të gjitha familjet dhe u vjen në ndihmë qytetarëve duke u ofruar përmes restaurimit të banesave kushte më të mira jetese në shtëpitë e tyre.

Ky projekt do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023, me një fond shtesë prej 50% të atij aktual.