Në institucionet qendrore të artit në vendin tonë gjatë vitit 2022 janë organizuar gjithsej 832 shfaqje nga 569 shfaqje që u realizuan në 2021-shin.
Shifrat u bënë publike në një postim në rrjetet sociale nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se, “krahasuar me vitet e kaluara, ky tregues ka pësuar rritje”.
Përgjatë periudhës 2019-2021 numri i shfaqjeve në institucionet e artit ra për shkak të kufizimeve nga pandemia e COVID-19.
‘Viti 2022 ishte viti i ringritjes për artin dhe kulturën. Vetëm nga institucionet qendrore të artit u realizuan 823 shfaqje, me një rritje të ndjeshme me dy vitet e mëparshme”, u shpreh Margariti.
Në institucionet qendrore të artit e të kulturës përfshihen: Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri Metropol, Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë, etj./KultPlus.com
Ministra e kulturës Elva Margariti dhe ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro Furxhi, kanë prezantuar në një konferencë prioritetet e këtij viti.
Në ‘epiqendër’ të ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit do të jetë pastrimi i lumit Vjosa.
Ndërsa ministres së Kulturës iu soll në vëmendje cirku i Tiranës, ajo u shpreh se janë duke u shqyrtuar disa mundësi për një vendndodhje të posaçme për të.
Përgjatë këtij viti do të vazhdojë projekti për javët ndërkombëtare të kulturës, projekti art në hapësira publike dhe rikonstruksioni i disa prej institucioneve të artit si Galeria Kombëtare dhe projekti I rindërtimit të Teatrit Kombëtar. Gjithashtu ndër projektet madhore të mandatit qeverisës përfshihet edhe Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë, Mozaiku i Tiranës, Piramida e Tiranës dhe Muzeu Hebraik në Vlorë. /Top Channel /KultPlus.com
Duke bërë bilancin e vitit që lamë pas, ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se në çdo nismë të marrë është vlerësuar impakti ekonomik që sjell kjo nismë.
“Ekonomia e së bukurës ka qenë kryefjala e çdo nisme dhe këtë e tregon mirë viti 2022”, tha Margariti.
Në 2022 ka pasur 689 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në institucionet e trashëgimisë kulturore. Kjo shifër i afrohet asaj të para pandemisë, ku 54 % e këtyre vizitorëve ishin të huaj. Të ardhurat nga këta vizitorë arritën e 239 milionë lekë të cilat kalojnë në pjesën e mirëmbajtjes, duke u kaluar drejtorive apo qendrave që menaxhojnë ato territore.
Në muzetë kombëtare është arritur numri më i lartë i vizitorëve, ku Muzeu Historik Kombëtar mban rekordin.
Ka pasur projekte të ndryshme për mbështetjen e skenës artistike dhe skenës së pavarur. Fondi i teatrit të të rinjve, ka bërë që vëmendja të mos jetë vetëm në Tiranë por mbështetja e buxhetit të Shtetit të jetë e shpërndarë në të gjithë territorin. Këto nisma, tha ministrja, nuk janë nisma me afat 1-vjeçar dhe do të ketë më shumë buxhet sesa 1 vit më parë, duke parë numrin e aplikuesve në projekte të ndryshme.
Ndër projektet e artit, Margariti ka veçuar një projekt dedikuar artizanëve.
Ata do të mbështeten akoma më shumë pasi në shifrat e dala nga turizmi del se ata janë një pit-stop i turistëve të huaj, prandaj do të kenë një fond të dedikuar./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se ka nisur puna për restaurimin e Kalasë së Lezhës.
Në një postim në rrjetet sociale, Maragriti shprehet se po punohet për fazën e parë të sondazheve që i paraprin zbatimit të projektit, mbi ndërhyrjen emergjente në murin verior në kalanë mesjetare, ku janë evidentuar çarje.
Sondazhet arkeologjike po kryhen në kuadër të projektit “Stabilizimi emergjent i një pjese të murit verior të Kalasë së Lezhës” me zhvillues UNOPS Shqipëri”.
Sondazhet e studimit të terrenit, ku do kryhet ndërhyrja përforcuese dhe stabilizuese në mure kanë përmasa 5×2 m² dhe thellësi maksimale deri në tabanin e shtresave të mundshme kulturore, ndërkohë që sondazhi do të realizohet në formë trench-I dhe me shkallëzime në zbritje.
Margariti thekson se segmenti ku po realizohet ndërhyrja nuk mund të aksesohet me mjete mekanike dhe i gjithë procesi arkeologjik i sondazhit të propozuar po realizohet manualisht.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, po asiston procesin duke dhënë ekspertizën e saj si dhe duke punuar për pastrimin e zonës së propozuar, nga depozitimet e rrënojave.
Kalaja e Lezhës është pa dyshim një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore ku bashkohen gjurmët e arkitekturës ilire, romake, bizantine dhe osmane dhe që dëshmon lashtësinë e qytetërimit të kësaj zone.
Ky monument i rrallë që i ka mbijetuar shekujve, do të marrë një vlerë të shtuar falë projektit të ndriçimit, i cili do të nxjerrë në pah trashëgiminë kulturore, historike, arkitekturore.
Kalaja mesjetare e Lezhës është ndërtuar mbi rrënojat e Akrolisit antik në shekullin IX-të, duke marrë kështu karakterin e një qendre qytetare.
Ajo është rindërtuar disa herë duke filluar që nga Shek. III-të para Krishtit nga Mbretëria Ilire, Bizantinët pas djegies nga inkursionet sllave të vitit 592, nga Dukagjinët vendas pasi u dogj aksidentalisht në vitin 1398, Venedikasit gjatë viteve 1440-1451 duke marrë edhe formën që ka sot.
U dogj dy here në vitet 1478 dhe 1503 nga vetë qytetarët lezhjanë pasi u rrezikua nga osmanët të cilët e përdornin si bazë për të sulmuar vendasit që ishin zhvendosur në Ishullin e Lezhës. Te rrezikuar nga sulmet e mundshme Veneciane nëpërmjet lumit Drin dhe sulmet e kryengritësve Shqiptarë, sulltan Sulejman Selim Bajazit Han (Sulejmani i Madhërishëm) urdhëroi rindërtimin e kalasë në vitet 1521-1522.
Muret e kësaj periudhe janë të mbivendosura mbi ato veneciane dhe kësaj periudhe i përket edhe restaurimi i Xhamisë Sulejmanie dhe muret turke që ndajnë oborrin e brendshëm me atë të jashtëm brenda hapësirës së Kalasë.
Kjo kala dominon deri në bregun e detit dhe mbyll pothuajse gjithë rrugët për në brendësi. Ana Komnena e quajti kështjellën e Elissonit, “një kështjellë në ajër, syri i djathtë i Durrësit”.
Sot në kalanë e Lezhës mund të shihet, përveç peizazhit të bukur e relaksues, edhe teknikat dhe fazat e ndryshme të ndërtimit mijëravjeçar të vendosura sipër njëra-tjetrës, si dhe një sipërfaqe rreth 1.5 ha me ambiente çlodhëse./atsh/ KultPlus.com
Numri i vizitorëve në muzetë kombëtarë në të gjithë vendin ka shënuar një rritje domethënëse, duke arritur në mbi 260 mijë vizitorë gjatë 2022.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau statistikat e vitit të kaluar duke theksuar se, “muzetë kombëtarë gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendës e të huaj, si tregimtarë të së shkuarës”.
Sipas saj, statistikat për vitin 2022 tregojnë për një interes në rritje.
Nga janari deri në dhjetor të 2022 muzetë u vizituan nga 267 599 vizitorë. Ndërsa për të njëjtën periudhë në vitin 2021 u regjistruan 132 223 vizitorë dhe në 2020 u vizituan nga 49 288.
Muzetë kombëtarë janë ndër atraksionet më të preferuara për vizitorët e huaj, pasi shfaqin interes për të parë nga afër objektet dhe për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, promovoi sot, dy botime të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Bëhet fjalë për numrin e parë të “Revistës Arkeologjike”, një botim që hedh dritë mbi punën e një prej sektorëve më të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, që është Shërbimi Arkeologjik. Si dhe revistën “Monumentet”, në numrin e saj të 61-të, që është një dritare jo vetëm për njerëzit e fushës, që shkëmbejnë arritjet më të fundit me njëri-tjetrin, por edhe për studentët dhe një publik më të gjerë me interesa të posaçme për monumentet.
“Revista Arkeologjike” është rezultat i punës së Shërbimit Arkeologjik, falë punës së të cilit arrihet zbulimi dhe shpëtimi i shumë gjetjeve arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe është e rëndësishme që ky aktivitet, zbulimet, dokumentimet, përfundimet të shkojnë edhe te publiku, jo vetëm ai i specializuar.
“Sa i përket “Monumenteve”, kjo revistë ka qenë një guidë në fushën e vet, falë drejtimit të prof. dr. Pirro Thomo dhe bashkëpunimit me emra të nderuar të trashëgimisë kulturore”, u shpreh ministrja.
“Mirënjohja për të gjithë bashkëpunëtorët e kësaj reviste, le të jetë një ftesë për më shumë pjesëmarrje në prezantimin e një pune të përbashkët në ruajtje të pasurisë sonë”, deklaroi Margariti gjatë eventit të mbajtur në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës./atsh/ KultPlus.com
Bashkë me pianon e re “Steinway & Sons”, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit tashmë ka në përdorim edhe dy piano të vjetra, në kushte optimale pune.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi në rrjetet sociale se brenda kontratës së blerjes së pianos së re, u përfshi edhe restaurimi i Grand Piano Steinway & Sons, prodhim i 1989-ës dhe Grand Piano Yamaha, prodhim i 1988-ës në Japoni.
“Pas ndërrimit të kokave të çekiçit dhe krahëve, i fllanxhave, zëvendësimit të tasteve dhe lustrimit të tastierës, zëvendësimit të telave të dëmtuar, riparimit të sistemit të pedaleve dhe elementeve të brendshëm të pianos, pastrimit dhe akordimit, pianot duken si të reja”, informon ministrja.
Steinway është një kompani gjermano-amerikane e prodhimit të pianove, e themeluar në 1853, në Manhattan nga gjermani Heinrich Engelhard Steinweg. Pianot Steinway&Sons njihen botërisht për tingullin dhe mjeshtërinë e ndërtimit. Sipas pjesës më të madhe të muzikologëve, tingulli i prodhuar nga një Stainway s’ka të krahasuar. / KultPlus.com
E pranishme në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të teatrit te ri kombëtar, ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se Tiranës sot i shtohet një pikë referimi, i shtohet një hallkë e një zinxhiri të madh investimesh. “Teatri Kombëtar është hallka e një dinjiteti të munguar, jo vetëm të artistëve por i të gjithë komunitetit të banorëve dhe komunitetit artistik. Tirana është kryeqytet vibrant dhe s’ka gjë më të bukur se të celebronim një vit të tërë bashkë si Vitin Europian të Rinisë”, u shpreh Margariti.
Duke iu drejtuar artistëve të pranishëm në ceremoni, Margariti u shpreh se “ua kemi borxh sakrificën, duke iu kthyer dinjitetin e munguar”.
“Ju sot, jeni të parët që nderoheni, por duke parë edhe drejt fëmijëve tanë, që edhe ata të jenë krenarë që të jenë pjesë e kësaj Shqipërie”, tha ministrja e Kulturës.
Më pas, Margariti krahasoi buxhetin e qeverisë Rama për Kulturën, me qeverinë e vitit 2013, kur u investuan afro 1 milion dollarë, ndërsa këtë vit buxheti është 20 milionë dollarë. Sipas ministres, kjo qeveri nuk e shikon kulturën si një stoli, por si kryefjalë të një zhvillimi.
Ndërsa duke iu referuar arkitektit të teatrit të ri, ministrja Margariti tha se në të gjithë botën bëhet garë për të pasur firmën e këtyre arkitektëve në qytetet e tyre, për t’u kthyer në simbole të zhvillimit./atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë sot në takimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, që zhvilloi punimet në Tiranë.
Duke e vlerësuar këtë takim si të një rëndësie të veçantë, Margariti tha se, “në Këshillin Koordinues të Diasporës, ndarë në një tryezë diskutimi çdo hap të hedhur nga Qeveria Shqiptare për të mbajtur fort lidhjet mes shqiptarëve, kudo që janë shpërndarë nëpër botë dhe Shqipërisë”, teksa shtoi se, “një nga këto fije lidhëse është padyshim kultura”.
“Nuk mjafton të shkojmë ku ndodhen shqiptarët, por t’i ftojmë ata këtu”, tha ministrja.
Margariti vuri në dukje se, nisma të tilla ftuese kemi ndërmarrë përgjatë gjithë vitit 2022.
“Mjaft të përmendim Bonusin e Rijetësimit që inkurajon shqiptarët të investojnë në shtëpitë e tyre në qendra historike e arkeologjisë apo Javët Kulturore Ndërkombëtare, gjatë të cilave erdhën artistë të shkëlqyer, që rivendosën lidhjet me vendin e origjinës”, tha Margariti. /atsh /KultPlus.com
Universiteti i Arteve është një tjetër institucion i arsimit të lartë ku ndërhyrjet për rijetëzimin e ambienteve vijojnë.
Aktualisht në këtë godinë po kryhet rikonstruksioni i plotë i sallës së koncerteve, për t’i kthyer gjithë shkëlqimin e humbur ndër vite.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ishin në këtë kantier të hapur, ku prej disa kohësh punohet për ta kthyer sallën e koncerteve në dispozicion të studentëve, pedagogëve si dhe komuniteteve të tjera.
“Këtu në fakt është gjithë godina që është monument kulture i kategorisë së dytë, që do të thotë se ka vlerë për fasadën, por ne e kemi trajtuar të gjithën si monument i kategorisë së parë që do të thotë kemi ruajtur pjesën më të madhe, rreth 90% të elementëve të dekorit. Gjithashtu në holl do të rikuperojmë dhe hapësira që nuk kanë ekzistuar. Do të kemi 455 spektatorë në sallën e re, që do të jetë një nga sallat që më në fund i kthehet komunitetit”, u shpreh ministrja e Kulturës.
Salla e koncerteve është pajisur me teknologji të fjalës së fundit ku një nga risitë është gropa skenike e lëvizshme.
Gjithashtu salla është plotësuar me çdo element të munguar më parë dhe në përfundim të projektit, do të ofrojë kushte e standarde shumë të larta si për artistët, ashtu dhe për spektatorët./atsh/ KultPlus.com
Pas konkurrimit të hapur dhe me Vendim të Këshillit të Ministrave, regjisori Altin Basha është drejtori i ri i Teatrit Kombëtar.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, postoi sot, në rrjetet sociale një foto ku shfaqet ajo me drejtorin e ri të TK, Altin Basha. Ministrja ka falenderuar paraardhësin e Bashës, Hervin Çulin, i cili drejtoi Teatrin Kombëtar për dy mandate dhe më pas uroi drejtorin e ri.
“I uroj suksese Bashës në këtë mision, që do ta udhëheqë Teatrin Kombëtar drejt hapësirave të reja, të denja për artistët dhe spektatorin”, shkruan ministrja e Kulturës, Margariti.
Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e djeshme për emërimin në detyrë të drejtorit të Teatrit Kombëtar.
Basha mbante deri para pak ditësh postin e drejtorit të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Këtë detyrë e mori vetëm një vit më parë./ KultPlus.com
Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Ministria e Kulturës shpalli thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun nga 22 maj – 26 nëntor 2023.
Tema e kësaj bienaleje do të jetë “Laboratori i së ardhmes”. Ajo është përzgjedhur nga kuratorja e edicionit të 18-të, Lesley Lokko.
“Në Evropë flitet për pakicat dhe diversitetin, por e vërteta është se pakicat perëndimore janë shumica globale, diversiteti është norma jonë. Ka një vend në këtë planet ku të gjitha këto çështje të drejtësisë, racës, shpresës dhe frikës bashkohen dhe ndërthuren. Afrika. Antropologjikisht ne jemi të gjithë afrikanë. Dhe ajo që ndodh në Afrikë, na ndodh të gjithëve”, është shprehur kuratorja e Bienales.
Ministria e Kulturës hapi thirrjen për projektide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.
Ministria e Kulturës inkurajoi të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas dhe/ose të huaj që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme.
Përzgjedhja e kandidatëve do të kalojë në dy faza: faza e parë është ajo e përzgjedhjes së projektideve më të mira dhe faza e dytë është ajo e paraqitjes së projekteve të plota të pavijonit shqiptar. Projekti dhe ekipi fitues do të shpallet brenda datës 16 janar 2023. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja mori pjesë sot në një takim me punonjës të bibliotekës së Elbasanit dhe të rinj, në kuadër të Tetorit të Librit.
Në takimin e zhvilluar në një nga bibliotekat më të pasura, sidomos me fonde albanologjike e balkanologjike, “Qemal Baholli”, u diskutua për librin si dhe problematikat e të rinjve dhe qytetit të Elbasanit, në përgjithësi.
Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare dhuroi 133 tituj librash për Bibliotekën Publike duke e pasuruar me vepra të autorëve tanë klasikë, nobelistë e klasikë të huaj, si dhe botime origjinale të para Luftës II Botërore.
Tetori është një muaj, i cili e lidh lexuesin më shumë me librin dhe nevojën që ata kanë për t’u mbështetur te leximi. / KultPlus.com
Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit është dhënë për herë të parë ‘Messa Da Requiem’ e kompozitorit Giuseppe Veri e që erdhni nën dirigjimin e dirigjentit Jacopo Sipari, shkruan KultPlus.
Minstrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, tha se kjo ishte një mbrëmje emocionuese shpirtërore që bëri bashkë artistë të Shqipërisë, Kosovës e ndërkombëtarë.
Në vijim gjeni postimin e saj:
Një mbrëmje emocionuese, shpirtërore, që bëri bashkë artistë të Shqipërisë, Kosovës e ndërkombëtarë!
“MESSA DA REQUIEM” nga Giuseppe Verdi, dirigjuar nga Jacopo Sipari di Pescasseroli, në krye të Orkestrës Simfonike të TKOB dhe Orkestrës Simfonike të RTSH-së, me solistë: Eva Golemi, Ivana Hoxha, Raffael Abete, Vittorio de Campo.
Një punë e mrekullueshme nga dirigjentët e korit Dritan Lumshie e Baki Jashari, që udhëhoqën korin eTKOB dhe korin e Filarmonisë së Kosovës./ KultPlus.com
Në Durrës u zhvillua ceremonia me rastin e fillimit të punimeve për restaurimin e Muzeut Arkeologjik.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Kulturës Elva Margariti, shefi i bashkëpunimit të delegacionit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, drejtuesja vendore e UNOPS-it, Pamela Lama, këshilltarja për trashëgiminë kulturore e UNOPS Shqipëri, Lejla Hadzic, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, specialistë të monumenteve, etj.
Kryebashkiakja Sako falënderoi BE për ndihmën e madhe që ka dhënë për Durrësin nëpërmjet programeve të veta EU4Schools dhe EU4Culture Albania.
“Programi EU4culture është një program mjaft i rëndësishëm për qytetin tonë që do të sjellë rivitalizimin dhe futjen në guida ndërkombëtare të disa objekteve të trashëgimisë sonë kulturore”, tha Sako.
Sipas saj, në sajë të këtij programi ka përfunduar restaurimi i kishës së Shën Ndout drejt përfundimit është Torra Veneciane dhe tashmë fillon puna në Muzeun Kombëtar Arkeologjik.
Sako u shpreh se “do të vijojë puna edhe me asete të tjera të qytetit si Muzeu Etnografik ose shtëpia e Aleksandër Moisiut, Hamami dhe kalaja e Ishmit. Ndërhyrjet që do të bëhen në këto site së bashku me ndërhyrjen unike që do të bëhet edhe në Amfiteatrin e Durrësit ku përveç zbulimit të arenës, do të rikonstruktohen dhe të fitojnë funksione të reja rreth 200 objekte përreth, do të sjellë impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor”.
Këshilltarja për trashëgiminë kulturore e UNOPS Shqipëri, Lejla Hadzic prezantoi për të pranishmit projektin e restaurimit të muzeut.
Muzeu Arkeologjik në Durrës, gjatë muajve janar-gusht të këtij viti është vizituar nga një numër i lartë turistësh vendas e të huaj.
Muzeu Arkeologjik u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi, i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake./atsh/ KultPlus.com
Kulla veneciane, në zemër të Durrësit shumë shpejt do të hapet për vizitorët.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila pa sot nga afër ecurinë e punimeve në këtë monument simbolik të qytetit të Durrësit.
“Restaurimi i objektit është në fazat përfundimtare dhe do të nisë procesi i plotësimi i tij me pajisjet që do t’i shtojnë kësaj qendre edhe aspektin multimedial, që do të shërbejnë për informimin dhe orientimin e vizitorëve në gjithë qytetin e Durrësit”, shprehet ministrja.
Kulla Veneciane me përfundimin e restaurimit do të shndërrohet në një qendër informacioni dhe interpretimi të historisë së qytetit.
Falë programit EU4Culture, kulla do të “flasë” përmes programeve teknologjike multimediale.
Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. Përveç restaurimit, do të investohet në rijetëzimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si edhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat, sollën në vëmendje në rrjetet sociale foto të kishave të qytetit të Beratit, të frekuentuara nga një numër i madh vizitorësh vendas e të huaj.
“Portat e kishave monument kulture, të pasura me afreske dhe arkitekturë mbresëlënëse janë hapur për vizitorët e shumtë në kalanë e Beratit duke u falur një eksperiencë të paharrueshme”, shkroi ministrja Margariti.
Sezoni i fundit veror ishte nga më të suksesshmit për Qendrën Muzeore Berat, e sidomos për Muzeun Etnografik dhe Muzeun e Ikonografisë Onufri, të cilët patën një numër të lartë vizitorësh.
Shifrat e publikuara herë pas here nga këto muzeume, treguan një numër disa herë më të lartë të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./atsh/ KultPlus.com
Muzeu Arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, do të restaurohet.
“Me mbylljen e sezonit turistik, gjatë të cilit Muzeu arkeologjik i Durrësit ishte një nga qendrat më të vizituara dhe aktive, falë programit “EU4Culture” ky muze do t’i nënshtrohet restaurimit dhe muzealizimit, për t’u shndërruar në qendrën model që dëshmon historinë, pasurinë tonë arkeologjike me gjuhën e kohës”, bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.
Margariti u shpreh se muzeu do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit që vjen.
Muzeu Arkeologjik në Durrës, gjatë muajve janar-gusht të këtij viti është vizituar nga një numër i lartë turistësh vendas e të huaj.
Muzeu Arkeologjik u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi, i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake. Objektet e para u vendosën në një vilë dykatëshe, duke ekspozuar ato artefakte që ishin zbuluar deri në atë kohë nga nëntoka e zonës së Durrësit.
Por gjatë viteve, godina e Muzeut Arkeologjik ka ndryshuar disa herë vendndodhjen e saj. Sot muzeu ndodhet tek Rruga Taulantia, afër Vollgës. Ka mbi 2 mijë objekte që nga Prehistoria e deri në shek. IV pas Krishtit.
Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë e historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer ndër muzetë më të vizituar në vend. / KultPlus.com
U nënshkrua sot memorandumi i bashkëpunimit mes Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Qendrës Kombëtare Kulturore “Shtëpia e Operës së Kajros”, të Republikës Arabe të Egjiptit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se, “hodhëm sot një hap të rëndësishëm në ngritjen e urave të komunikimit mes artistëve tanë e atyre ndërkombëtarë. Nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit mes Teatrit tonë të Operës dhe Baletit dhe Qendrës Kombëtare Kulturore “Shtëpia e Operës së Kajros”, të Republikës Arabe të Egjiptit.
“Ky memorandum ka si qëllim njohjen e ndërsjellë të kulturave të dyja vendeve tona dhe inkurajimin e nismave të përbashkëta; krijimin e kushteve për realizimin e shfaqjeve të përbashkëta; shkëmbimin e artistëve; pjesëmarrjen në festivale dhe aktivitete që zhvillohen në dy vendet tona; promovimin e veprave origjinale; projekte të përbashkëta që do të përmirësojnë menaxhimin e teatrove, ekspertizën kuratoriale, strategjitë e marketingut, komunikimin, marrëdhëniet me medien, arsimin dhe audiencën”, tha Margariti në një postim në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës dhe bashkia e Gjirokastrës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për lehtësimin e procedurave për fituesit e Bonusit të Rijetësimit.
Marrëveshja u nënshkrua në Gjirokastër nga ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.
Margariti tha se “Gjirokastra është shembulli i ringritjes dhe me Bonusin e Rijetësimit ofrohet edhe një mundësi zhvillimi më shumë. Bashkë me Përmetin, Gjirokastra numëron 10 fitues dhe duhet të jetë modeli i funksionimit të kësaj skeme”.
“Ky është rasti që shteti i jep një dorë privatit që jo vetëm të shpëtojë pronën e vet, por edhe ta zhvillojë, ta rijetësojë dhe të përmirësojë ekonominë vetjake. Interesi i vetëm i shtetit është që këto objekte të ruhen, që të ruhen ansamblet historike e arkitektonike (edhe kur objektet nuk janë monument kulture, po brendashkruhen këtyre zonave), që qytetet të zhvillohen dhe qytetarët të krijojnë ekonomi më të qëndrueshme për veten dhe të tjerë që mund të punësojnë”, nënvizoi Margariti.
Bonusi i Rijetësimit u shërben të gjithë qytetarëve që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve. Bonusi përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje, dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë./atsh/ KultPlus.com
Fotografi kroat, me origjinë shqiptare Luka Mjeda, do të sjellë në shqip veprën e arkitektit Andrija Alesi.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi sot një takim me fotografin Mjeda.
Margariti u shpreh se Andrija Alesi tashmë do të njihet edhe në vendin e origjinës, falë veprës së akademikut kroat Andrija Mutnjakovic dhe fotografive të Luka Mjedës.
“Me fotografin kroat, me origjinë shqiptare Luka Mjeda, që do të na sjellë në shqip veprën e një arkitekti nga Durrësi, që vulosi Rilindjen në arkitekturën kroate të shek. XV”, shkroi Margariti në një postim në rrjetet sociale.
“Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Andrija Alesi tashmë do të njihet edhe në vendin e origjinës, falë veprës së akademikut kroat Andrija Mutnjakovic dhe fotografive të Luka Mjedës, që ka ruajtur shqipen e të parëve”, theksoi Margariti. / KultPlus.com
Javët Kulturore Ndërkombëtare 2022, një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës, do të rifillojnë në muajin shtator.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi sot se “gjatë muajve prill-korrik u zhvilluan 171 aktivitete, që sollën ngjyra e shije nga vende të ndryshme të botës”.
E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, kushtuar bashkëpunimit kulturor, ky program dinamik e gjithëpërfshirës, do të krijojë një atmosferë të jashtëzakonshme e do të shpërndajë mesazhe paqeje dhe pranimi.
Katër shtetet e para që do të rihapin sezonin e Javëve Kulturore do të jenë: Britania e Madhe (1 deri në 11 shtator), Suedia (12-18 shtator), Egjipti (19-25 shtator) dhe Kina (26 shtator – 2 tetor).
Gjatë muajit shtator e në vijim do të spikasin ndër të tjera, koncerte me muzikë klasike dhe moderne egjiptiane, performanca folklorike egjiptiane, festivali i kulturës kineze, performanca Taiji, ceremonia e çajit dhe ushqimit kinez, loja tradicionale cricket, koncerti i ABBA Tribute, si dhe koncerti i shumëpritur i këngëtares shqiptare të njohur ndërkombëtarisht, Rita Ora.
Muajt e verës, projekti pati një ndërprerje. Java e fundit e organizuar ishte ajo e kulturës turke, në përfundim të së cilës pati një koncert nga violinisti virtuoz me origjinë shqiptare Elvin Hoxha Ganiyev./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me yllin e operistikës botërore, tenorin Ramë Lahaj.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja shprehet se gjatë takimit të ngrohtë, u ndanë ide bashkëpunimi, të cilat do të kenë në fokus talentet e reja.
“Shpresojmë që shumë shpejt ta shohim Ramën, në skenën tonë”, u shpreh Margariti.
Ramë Lahaj ka lindur në Istog të Kosovës, më 1983, në një familje me 8 fëmijë dhe që s’kishte asnjë lidhje me muzikën. U diplomua fillimisht për IT duke e nisur karrierën muzikore në moshë madhore. Është diplomuar në 2008 në Akademinë e Arteve në Tiranë, për t’u bërë më pas pjesë e skenave të ndryshme europiane. Në 2015-ën karriera e Ramë Lamaj pati sukses të jashtëzakonshëm me rolet kryesore në Operën e Sidnejt, Australi.
Tenori Lahaj ka ngritur një fondacion me qëllim promovimin dhe kultivimin e muzikës së mirëfilltë në vend, gjetjen e talenteve të reja, zhvillimin e tyre dhe po ashtu hulumtimin dhe perfeksionimin mbi muzikën në përgjithësi dhe këndimin operistik në veçanti.
Ramë Lahaj ka shfrytëzuar njohjen e tij në arenën ndërkombëtare, për të çuar në Prishtinë, mjeshtra të muzikës nga e mbarë bota, në masterclasset, duke krijuar ura lidhëse mes artistëve të rinj dhe atyre në karrierë. / atsh / KultPlus.com
Rrok Academy zhvillon këtë vit një kurs dyjavor për multimedian.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se ky kurs vjen në ditët e Shkodra Jazz Festival.
Festivali vjetor i xhazit në Shkodër është një përpjekje për të shtuar një kolonë zanore të re në jetën kulturore të këtij qyteti në veri të Shqipërisë.
Margariti theksoi se, në këtë kurs dyjavor studentëve i jepet mundësia të studiojnë teorikisht dhe praktikisht imazhin në të gjitha dimensionet e tij.
“Këtë vit, në ditët e Shkodra Jazz Festival, Rrok Academy vjen me një masterclass që i përket një prej degëve më kontemporane të së bukurës: multimedias. Në këtë kurs dyjavor studentëve po i jepet mundësia të studiojnë teorikisht dhe praktikisht imazhin në të gjitha dimensionet e tij: duke nisur nga piktura dhe duke ardhur në ditët e sotme me fotografinë e video artin”, u shpreh Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Rrok Academy lindi në vitin 2017 në një projekt të Optional Music International dhe Shoqatës Kulturore Rrok Jakaj me synimin për të krijuar një ofertë të nivelit të lartë trajnimi instrumental dhe për të shoqëruar profesionet artistiko-muzikore në botën e punës. / KultPlus.com