Rritet numri i vizitorëve në parqet arkeologjike

Mbi 86 mijë njerëz vizituan parqet arkeologjike në gjashtë muajt e parë të vitit, një rritje e konsiderueshme, shkruan KultPlus.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti dha shifra 6-mujore për numrin e vizitorëve në parqet arkeologjike, të cilat tregojnë një rritje të dukshme në vitet e mëparshme.

“Parqet arkeologjike janë jo vetëm një pikë takimi me trashëgiminë kulturore, por edhe një hapësirë për të kaluar bukur me familjen dhe miqtë. Statistikat e 6-mujorit të parë flasin qartë! Pas dy vitesh të vështirë pandemie po rikuperojmë sërish në vizitorë. Ftesa ime sot u drejtohet vizitorëve shqiptarë: Njihni vendin tuaj”, tha Margariti.

Statistikat e gjashtë muajve të fundit tregojnë se 86.371 persona kanë vizituar parqet arkeologjike të vendit këtë vit.

Në 6-mujorin e parë vitin 2021 parqet arkeologjike u vizituan nga 38 072 vizitorë, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2020 u regjistruan 15 491 vizitorë. /KultPlus.com

Fotoja e Shan Picit, dëshmi për turneun e parë çiklistik shqiptar

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përcolli sot një nga fotot e Shan Picit, pothuaj 100-vjeçare, e cila i përket vitit 1925 dhe tregon një grup çiklistësh, në turneun e parë çiklistik shqiptar.

“Kjo fotografi e Shan Picit na informon se turneu i parë çiklistik shqiptar është zhvilluar në vitin 1925”, shkruan ministrja Margariti.

Si në çdo ditë të “Muajit të Fotografisë”, edhe kjo foto e Shan Picit është marrë nga fondi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi.

Shan Pici i cili vinte nga një familje qytetare shkodrane, filloi që në moshën 9-vjeçare të mësonte sekretet e fotografisë duke punuar në studion “Marubi”. Më 1924 u shkëput nga studio “Marubi” dhe bashkë me vëllezërit hapi studion “Fotografija Pici” në Fushën e Çelës.

Ai u bë i njohur si fotografi i maleve, pasi ishte autor i shumë peizazheve dhe jetës në Alpet Shqiptare. Krijoi personalitetin e tij në fushën e portretit, peizazhit dhe në zbulimin e vlerave arkitektonike të qytetit të lindjes dhe të aktiviteteve të ndryshme sociale, politike, sportive. La një trashëgimi të pasur në fushën e artit të fotografisë, mbi 54 000 negativë në xham dhe në celuloid. Vdiq në vitin 1976. /KultPlus.com

Mbi 38 mijë vizitorë në kalanë e Rozafës që nga maji

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, publikoi sot shifrat e vizitorëve në kalanë e Rozafës, të cilat flasin për interesim në rritje të publikut për këtë sajt të trashëgimisë historike dhe kulturore.

“Kalaja Rozafa, mbetet një nga destinacionet më të preferuara të kësaj vere”, shkruan Margariti në rrjetet sociale, duke shtuar se nga muaji maj, ajo është vizituar nga 38154 vizitorë.

Me kulturën e çmuar, arkitekturën unike, tanimë po korren edhe frytet e punës për zhvillimin e saj jo vetëm në aspektin turistik, si një ndër asetet më të vyera të trashëgimisë kulturore, por edhe si një ndër destinacionet e bukura ku promovohen dhe zhvillohen ngjarje të rëndësishme artistike, mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare./atsh/KultPlus.com

“Muaji i Fotografisë” sjell në kujtesë imazhet e Lekë Vocit

Nga fototeka e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, ministrja e Kulturës, ka veçuar për sot, një foto të Lekë Vocit. Kështu “Muaji i Fotografisë” vijon me një imazh të kapur në Shkodrën e vitit 1975, ku dallohen një grup alpinistësh gjatë stërvitjes.

Fotografi Lekë Voci lindi në vitin 1938 dhe ndërroi jetë në 2010-ën.

Ishte i pari ndër shtatë fëmijët e një familjeje të varfër malësore nga fshati Shllak i Dukagjinit. Njohjen me mjeshtërinë e fotografisë e nisi me Pjetër Rraboshtën, por miqësinë më të madhe ai do ta kishte me Dedë Jakovën, i cili do t’i mësonte atij fotografinë.

Pavarësisht kësaj, ai në mënyrë të fshehtë si shumë prej fotografëve punonte edhe privatisht. Gjatë kohës së punës në Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve ai punoi më së shumti me aparatet “Praktika” dhe “Kodak”. Fillimisht u mor me fotografimin për regjistrimin e popullsisë dhe më pas me fotografinë e natyrës, dasmave dhe aktiviteteve të ndryshme të kohës.

Ashtu si fotografë të tjerë të qytetit të tij, edhe Lekë Voci la një arkiv fotografik të pasur. Në fototekën “Marubi” ruhen mbi 800 poza të shkrepura në film. / KultPlus.com

Parku Arkeologjik i Apolonisë, mundësi për të njohur trashëgiminë kulturore

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka ftuar qytetarët dhe turistët që kanë zgjedhur vendin tonë për të pushuar në këtë sezon veror, që të vizitojnë Parkun Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.

Margariti ka theksuar në një postim në rrjetet sociale se, “gushti është muaji i familjes dhe pushimeve së bashku”.

“Parku Arkeologjik Kombëtar i Apolonisë është një mundësi për të njohur trashëgiminë kulturore si një mbivendosje qytetërimesh dhe kulturash, që i kanë mbijetuar shekujve”, shprehet Margariti.

Margariti ka deklaruar më herët se numri i vizitorëve në objektet e trashëgimisë kulturore u dyfishua në krahasim me një vit më parë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Kulturës në vitin 2020 objektet e trashëgimisë kulturore u vizituan nga 42,538 vizitorë, në vitin 2021 nga 106,534 ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 numri i vizitorëve arriti në 213,519 ose dy herë më shumë se një vit më parë në të njëjtën periudhë.

Ministria e Kulturës përveç projekteve të rijetësimit të siteve të trashëgimisë kulturore, ka ndërmarrë edhe nismën për popullarizimin e tyre duke i hapur falas për qytetarët të dielën e fundit të çdo muaji.

Parku Arkeologjik i Apolonisë është një monument i trashëgimisë kulturore, afër Pojanit, në qarkun e Fierit./atsh/ KultPlus.com

213,519 vizitorë të trashëgimive kulturore në Shqipëri përgjatë gjashtë mujorit të parë

Vendet e trashëgimisë kulturore në vendin tonë çdo vit e më shumë po tërheqin vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, pasi këto vende ngjallin interes të lartë për të mësuar më shumë rreth vlerës së tyre dhe historisë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka bërë një bilanc të gjashtëmujorit të parë të vitit, sa i përket vizitave në objektet e trashëgimisë kulturore.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, numri i vizitorëve në objekte të trashëgimisë kulturore, ka qenë dy herë më shumë se në vitin 2021.

Nga shifrat e publikuara nga Ministria e Kulturës në 6-mujorin e parë të këtij viti, numri i vizitorëve ka qenë 213,519 ndërsa në vitin 2021 ka qenë pothuaj gjysma e tyre, 106,534 vizitorë.

Monumentet tona po bëhen gjithnjë e më ftuese për vizitorët, shprehet ministrja, ndërkohë që shifrat vërtetojnë se trendi rritës, të paktën në tre vitet e fundit, ka qenë me 100 %.

Këtë vit është shënuar një fluks në rritje i vizitorëve vendas dhe të huaj në sitet e trashëgimisë kulturore shqiptare, në të cilat nuk ka munguar kujdesi përmes investimeve dhe restaurimeve.

Këto atraksione janë më të preferuarit gjatë kësaj periudhe për turistë e huaj pasi ata shfaqin interes për të parë nga afër objektet dhe për të mësuar më shumë rreth historisë dhe vlerave që kanë këto vende./ KultPlus.com

Margariti: Dy herë më shumë vizitorë në objektet e trashëgimisë kulturore se një vit më parë

Ministrja e Kulturës Elva Margariti deklaroi sot se numri i vizitorëve në objektet e trashëgimisë kulturore u dyfishua në krahasim me një vit më parë.

Ajo tha se monumentet po bëhen gjithnjë e më ftues për vizitorët.

“Në 6-mujorin e parë të këtij viti, numri i vizitorëve në objekte të trashëgimisë kulturore ka qenë dy herë më shumë se në vitin 2021”, theksoi Margariti.

Sipas statistikave të Ministrisë së Kulturës në vitin 2020 objektet e trashëgimisë kulturore u vizituan nga 42,538 vizitorë, në vitin 2021 nga 106,534 ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, numri i vizitorëve arriti në 213,519 ose dy herë më shumë se një vit më parë në të njëjtën periudhë.

Ministria e Kulturës përveç projekteve të rijetësimit të siteve të trashëgimisë kulturore, ka ndërmarrë edhe nismën për popullarizimin e tyre duke i hapur falas për qytetarët të dielën e fundit të çdo muaji./ KultPlus.com

Marubi, mjeshtri i fotografisë artistike, historike e dokumentare

Në kuadër të “Muajit të Fotografisë”, ministrja e Kulturës Elva Margariti, publikoi sot një foto të të mirënjohurit Pjetër Marubi.

“Fotografia është nga ato mediume me vlera jo vetëm artistike, por edhe historike e dokumentare, si kjo foto e mjeshtrit Pjetër Marubi”, shkruan ministrja, në postimin e saj në rrjetet sociale.

Pietro Marubi ose Pjetër Marubi, siç njihet në mbarë Shqipërinë, ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.

Marubi u vendos në Shkodër pas shpërnguljes nga Italia, i detyruar për shkak të pjesëmarrjes së tij në Lëvizjen Garibaldine. Me vendosjen në Shkodër, ai hapi të parën studio fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856 e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.

Pjetër Marubi përveç se fotograf, ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor.

Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ashtu siç thekson edhe ministrja Margariti, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi.

Veprën e tij artistiko-dokumentare e çoi përpara Kel Kodheli, i cili trashëgoi studion dhe për nder të mjeshtrit, mbajti mbiemrin Marubi. / KultPlus.com

“Muaji i Fotografisë”, Margariti publikon foton e fiksuar nga Kolë Idromeno

Ministria e Kulturës e ka “pagëzuar” gushtin si “Muajin e fotografisë”, pasi përkon edhe me Ditën Botërore të Fotografisë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës Elva Margariti uron fillimin e muajit me një foto të një rruge në Shkodër, e fiksuar nga mjeshtri Kolë Idromeno.

I lindur në 1860, në Shkodër, Idromeno ishte nxënës i fotografit Pietro Marubi. Në moshën 16 vjeçare shkoi në Venecia, ku nisi studimet në Akademinë e Artit. Përveç se për fotografinë, Kolë Idromeno, ka hyrë në histori si piktor, arkitekt, kompozitor, skenograf e urbanist.

Në fushën e pikturës ai njihet për punë të tilla si “Motra Tone” e “Dasma shkodrane”, të vlerësuara si kryevepra të artit figurativ shqiptar. Ndërsa sa i përket arkitekturës, ndër veprat e tij përmenden banka, kinema Rozafat e “Kafja e Madhe” e Shkodrës. / KultPlus.com

“Përrallë nga e kaluara”, ndër komeditë më të bukura të ekranit

Në kuadër të muajit të kinematografisë shqiptare, ministrja e Kulturës, Margariti kujtoi një nga filmat-komedi më të bukur, “Përrallë nga e kaluara”. Filmi, prodhim i vitit 1987, është krijim i regjisorit të shquar, Dhimitër Anagnosti, i cili ka shkruar edhe skenarin. Muzika e filmit është vepër e Limos Dizdarit.

Para disa vjetësh Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit finalizoi projektin e restaurimit të dy filmave nga fondi Anagnosti, filmit artistik “Përrallë nga e kaluara” dhe dokumentarit të shkurtër “Përjetësi”.

Filmi “Përrallë nga e kaluara” nuk ka mundur të hyjë në festivale të rëndësishme, pikërisht sepse ka qenë prodhuar jashtë kushteve teknike.

“Përrallë nga e kaluara” është ekranizim i komedisë “14 vjeç dhëndër” nga Andon Zako Çajupi. Anagnosti rrëfen historinë e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Me ndihmën e të dashurit të saj, Trimit, Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe në fund “mori atë që deshi”.

Një kast i mrekullueshëm aktorësh, garantoi suksesin e filmit. Në rolet kryesore interpretojnë Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Xhevdet Feri, Admir Sorra, Hajrie Rondo e Xhemil Tagani. / KultPlus.com

Ndriçim Xhepa, aktori me kontribute në kinematografinë shqiptare

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë në kinematografinë shqiptare, për njërin prej aktorëve më të dashur, Ndriçim Xhepa. Nga moria e filmave ku interpreton Ndriçim Xhepa, ministrja Margariti ka përzgjedhur filmin e regjisorit Vladimir Prifti, “Flutura në kabinën time”, ku ai shfaqet sa rebel, po aq dhe romantik, duke e bërë një ndër rolet më të dashura për publikun.

Filmi është një prodhim i vitit 1988, me bashkëskenaristë Teodor Laçon dhe Vladimir Priftin dhe me muzikë të Hajg Zaharian. Ndriçim Xhepa është aktori protagonist, dhe shoqërohet nga një kast aktorësh po aq të njohur që e mbështetën në rolin e tij, si Luiza Xhuvani, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Guljelm Radoja e Shpresa Bërdëllima.

Ndriçim Xhepa, i lindur në 21 janar 1957, është i biri i aktores Margarita Xhepa. Ai mbaroi studimet për aktrim në Akademinë e Arteve dhe filloi punë në Teatrin Kombëtar, ku ka realizuar mbi 40 role. Ndërsa në kinematografi, ku dhe njohja nga publiku i thjeshtë është edhe më e madhe, Xhepa ka interpretuar në dhjetëra filma, ndër të cilët kujtojmë “Shokët”, “Kohë e largët”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Duaje emrin tënd”, “Hijet që mbetën pas”, “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, “Unë e dua Erën”, “I dashur Armik”, e shumë të tjerë. / KultPlus.com

Vdes Ali Muka, studiues i njohur i arkitekturës popullore

Vdiq në moshën 84-vjeçare prof. dr. Ali Muka, studiues i njohur i arkitekturës popullore e veçanërisht i artit fshatar të ndërtimit.

“Trashëgimia kulturore dhe kultura shqiptare në përgjithësi humbën një studiues të vyer, që ia dedikoi gjithë jetën hulumtimit dhe dokumentimit të së bukurës shqiptare”, shkruan ministrja Margariti për profesor Mukën, i cili do të lërë një vend bosh në radhët e studiuesve të palodhur.

Prof. dr. Ali Muka lindi më 10 dhjetor 1938 në Përmet. Pasi përfundoi shkollën e mesme profesionale (Teknikumin e Ndërtimit) në Tiranë me rezultate të larta, në shtator 1960 u dërgua për të studiuar në Universitetin e Bratislavës (Çekosllovaki), ku studioi vetëm një vit. Pas situatës së krijuar në vitet ’60, i vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës pranë Fakultetit të Inxhinierisë (dega e Ndërtimit) nga shtatori i vitit 1961 deri në korrik 1966 dhe diplomohet si inxhinier për ndërtime qytetare.

Në vitin 1969 emërohet punonjës shkencor për studimin e kulturës materiale e veçanërisht të banesës tradicionale fshatare, pranë Institutit të Historisë e Gjuhësisë (IGJH), pjesë e Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Që nga viti 1978 e derisa doli në pension në vitin 2008 ishte pjesë e Institutit të Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në rolin e punonjësit shkencor.

Përgjatë veprimtarisë së tij shkencore për një periudhë gati 40-vjeçare, prof. Muka u shqua veçanërisht në fushën e gjurmimit, dokumentimit e studimit të arkitekturës popullore, me theks vendbanimet, ndërtimet dhe artin fshatar të ndërtimit. Bilanc i gjurmimeve mbi 30-vjeçare është materiali grafik, fotografik e përshkrimor, i depozituar në Arkivin Etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. Falë kësaj veprimtarie të dendur në terren, duke filluar nga viti 1974 e në vazhdim, prof. Muka botoi mbi 140 artikuj në revistat periodike shkencore.

Në veprimtarinë e gjerë kërkimore shkencore dhe botuese të prof. Ali Mukës zënë vend të spikatur dy prej monografive më të rëndësishme në fushën e studimit të banesës tradicionale të zonave rurale shqiptare, siç është monografia (“Banesa fshatare dhe familja e madhe”, (2001) dhe “Ndërtimet tradicionale fshatare-monografi etnologjike” (2007).

Gjithashtu ai ka patur edhe një aktivitet pedagogjik si pedagog e lektor i jashtëm në universitetet shqiptare, duke i drejtuar studentët në ekspedita e praktika në terren apo edhe si udhëheqës i temave të tyre të diplomës. / KultPlus.com

Festivali muzikor i Porto Palermos, në një nga sitet më të bukura të trashëgimisë

“Porto Palermo Festival” është pa dyshim një vlerë e shtuar në një nga sitet më të bukura të trashëgimisë kulturore”, u shpreh ministrja e Kulturës, Margariti në rrjetet sociale, për festivalin muzikor i cili po zhvillohet në kalanë e Vasiliqisë, në Porto Palermo.

Festivali i cili ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës si dhe të Ambasadës italiane në Tiranë, shtrihet përgjatë fundjavave të 1 muaji. Ai ka nisur në mes të korrikut dhe përfundon në 15 gusht.

Në Porto Palermo do të interpretojnë artistë të mirënjohur nga Shqipëria, Kosova e vende të tjera, ndërkohë që ministrja Elva Margariti, ka veçuar performancën e këngëtares Vikena Kamenica, që “plot energji ndezi kalanë”.

Mbrëmë në festival interpretoi Enrico Giaretta, një kantautor italian, të cilin Paolo Conte e ka vlerësuar si trashëgimtarin e tij artistik. Më herët kalaja e bukur e Vasiliqisë, e vendosur në një pozicion strategjik të gadishullit, ka pritur Dren Abazin si dhe kuartetin e muzikës jazz, “Ajs Quartet”.

Ky është edicioni i dytë i Porto Palermo Festival. / KultPlus.com

“Muaji i Kinematografisë”, përkujtohet kolona zanore e mrekullueshme e ‘Dimri i fundit’

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli në vëmendjen e publikut imazhe nga filmi “Dimri i fundit” në kuadër të nderimit për kinematografinë shqiptare në 70-vjetorin e saj.

Nga filmi “Dimri i fundit”, prodhim i vitit 1976, i dy regjisorëve Kristaq Mitro e Ibrahim Muçaj, ministrja Margariti veçoi muzikën, duke e vlerësuar si një “kolonë zanore të mrekullueshme”.

Muzika e filmit u kompozua nga Aleksandër Lalo dhe është ngulitur fort në kujtesën e publikut.

Ngjarjet e filmit zhvillohen gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një fshat malor, të mbuluar nga dëbora dhe të rrethuar nga gjermanët. Aty kanë mbetur vetëm gratë, të cilat janë të vendosura të çajnë rrethimin e të ndihmojnë partizanët e strehuar lart në male. Megjithëse nën kontrollin e rreptë të gjermanëve, gratë e fshatit, dalin nga fshati me justifikimin se do të presin dru në pyll dhe arrijnë të shkojnë tek partizanët e t’u çojnë veshje dhe ushqime.

Skenat mbresëlënëse, të xhiruara në dëborë, si dhe shoqërimi që u bën atyre muzika e Aleksandër Lalos, e bëjnë këtë film të paharrueshëm.

Në rolet kryesore interpretojnë Liza Laska, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Agim Qirjaqi e Guljelm Radoja. / KultPlus.com

“Beni ecën vetë”, filmi që shënjoi fëmijërinë tonë

Një homazh për regjisoren “e fëmijëve”, Xhanfize Keko dhe skenaristin e shkrimtarin Kiço Blushi, ka bërë sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë në vëmendje filmin “Beni ecën vetë”.

Filmi, prodhim i vitit 1975, është “një nga filmat që kanë shenjuar fëmijërinë tonë”, shkruan Margariti.

Përveç emrave të Xhanfize Kekos e Kiço Blushit, një tjetër figurë e rëndësishme që ka lënë gjurmën e tij tek “Beni”, është kompozitori i filmit, Limos Dizdari, i cili shkroi një muzikë që është ngulitur në kujtesën e kujtdo që e ka parë filmin.

Në rolet kryesore interpretojnë Herion Mustafaraj (Beni), Pandi Raidhi (Xha Thomai), Dhorkë Orgocka (Teta Ollga), Yllka Mujo (nëna e Benit) etj.

Filmi rrëfen për një fëmijë qyteti, të rritur me kujdesin e tepruar të prindërve, të cilët hezitojnë ta lënë të lirë, të eksplorojë jashtë mureve të shtëpisë. Vizita në fshat, tek xhaxha Thomai, e përball me jetën në fshat, e bën të kapërcejë frikën e të jetë më i lidhur me bashkëmoshatarët./ atsh /KultPlus.com

Në kuadër të muajit të kinematografisë kujtohet filmi “Apasionata”

 Në kuadër të muajit të kinematografisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti, risjell në vëmendje filmin artistik shqiptar “Apasionata”.

Filmi, një prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, mban firmat e 2 regjisorëve, Kristaq Mitro e Ibrahim Mucaj. U shfaq për herë të parë për publikun, në vitin 1983, me skenar të Peçi Dados e Nexhati Tafës, me një kohëzgjatje prej 1 ore e 26 minutash.

Filmi ka në qendër historinë e dy të rinjve të dashuruar, Mirës dhe Arturit, të interpretuar nga Matilda Makoçi dhe Kastriot Çaushi. Dashuria e tyre do të hasë në kundërshtimin e babai të Arturit, Demostenit, i interpretuar mjeshtërisht nga Kadri Roshi.

Motivi kryesor i sonatës së famshme “Apasionata” të Ludvig Van Bethovenit, kthehet në lajtmotiv të dashurisë së Mirës, studente e pianos, dhe Arturit, student i pikturës, i cili nuk është vërtet i dhënë pas pikturës, por studion aty, i diktuar nga i ati. Filmi u pëlqye, pasi trajtonte një temë sociale e problematika të të rinjve. Skenari i tij ishte shkruar sipas tregimit me të njëjtin titull të Dritëro Agollit. / KultPlus.com

Gjirokastra 17 vite në UNESCO, Margariti: Jo vetëm thesar yni, por i gjithë botës

Qyteti i Gjirokastrës, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj, sot feston 17-vjetorin e hyrjes në UNESCO.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga qyteti i gurtë si ishte dhe si është transformuar pas ndërhyrjeve restauruese në banesat karakteristike dhe rrugët turistike të tij.

“U mbushën 17 vjet qëkurse Gjirokastra, ky muze i gjallë nën qiell të hapur nuk është më vetëm thesar yni, por i gjithë botës. Në vitin 2005 u bë pjesë e listës së trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe dita-ditës, falë vëmendjes së qeverisë, investimeve nga buxheti i shtetit dhe me donatorë, në rrugë, në muze, pazar, objekte kulti, po del në dritë si një zonjë e madhe”, thekson Margariti.

Gjirokastra u pranua në UNESCO në korrik të 2005-ës përmes një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate.

Çdo fundjavë Gjirokastra mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt 14-19.

Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Ajo ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj./ atsh / KultPlus.com

Margariti: Asnjë shkelje ligji në marrëveshjen për Butrintin, po hidhet baltë për të bërë politikë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot në Kuvend se në rastin e Butrintit nuk po japim asnjë gjë me koncesion, nuk po shesim dhe nuk po dhurojmë asnjë gjë, por po ftojmë palë të tjera që të menaxhojmë së bashku një të mirë në emër të shtetit.

Gjatë diskutimit në Kuvend të dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, lidhur ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, Margariti tha se “është e turpshme ajo që dëgjojmë nga opozita vetëm për të bërë politikë”.

Sipas saj, “çështja e Butrintit është kthyer në çështje të një politike shterpë, ndërsa opozita dhe mazhoranca duhej të kishin qenë bashkë kur flitet për kulturën dhe trashëgiminë kulturore”.

Margariti tha se po hidhet baltë për të bërë opozitë.

“Kishim sigurinë se Presidenti në ikje do të këndonte edhe këngën e fundit të mjellmës.
Hamendësojnë jo vetëm ngritje të kullave, por filluam të dëgjojmë për kazino dhe diskoteka”, tha ajo.

Margariti shtoi se “ne kemi një pasuri kombëtare që duhet ta mbrojmë, rigjallërojmë dhe rivitalizojmë dhe t’i kthejmë dinjitetin”.

“Ne propozojmë mënyrën më të mirë të administrimit për të rimëkëmbur Butrintin. Ne ftojmë sektorin privat që të jetë pjesë e kësaj sfide. Nuk kemi shpikur ndonjë gjë që nuk e kemi dëgjuar më parë. Këto bota i ka krijuar vite më parë”, tha ajo.

Margariti shtoi se “nëse nuk funksionon ne kemi ngritur çdo mekanizëm për të ekuilibruar çdo ndërhyrje në çdo moment nëse pikat e kësaj marrëveshje shkelen”.

“Privati është një fondacion i nderuar që kishte krijuar shumë projekte të mira si me ne dhe me opozitën dhe e ka bërë këtë sepse ka parë përtej politikës. Ne nuk kemi frikë nga bashkëpunimi me privatin, ndërsa pretendimet e presidentin për shkelje të ligjeve janë akoma më absurde. Nuk ka asnjë shkelje dhe asnjë kundërshti në ligjin e 2018-ës për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, tha ajo. / atsh / KultPlus.com

Muaji i Kinematografisë, Margariti sjell në vëmendje “Gjurmë në kaltërsi”

“Gjurmë në kaltërsi” është filmi që ministrja Margariti ka përzgjedhur, në këtë fillimjave, si homazh për kinematografinë shqiptare.

Filmi, me regji të Saimir Kumbaros, skenar të Llazar Çulit dhe muzikë të Limos Dizdarit, është një prodhim i vitit 1981.

Në rolet kryesore interpretojnë Xhevdet Ferri, Reshat Arbana, Stavri Shkurti e Fitim Makashi.

Në qendër të skenarit është drama e një piloti të ri, Astritit, i interpretuar nga Xhevdet Ferri. Astriti është pilot i zoti, por me karakter emotiv, gjë që e pengon të kryejë si duhet detyrat që i caktohen nga komandant Marko (Reshat Arbana). Me ndihmën e komandant Markos dhe të shokëve, Astriti arrin suksesin.

Si çdo prodhim tjetër i asaj periudhe, edhe ky film i “Kinostudio Shqipëria e Re”, përshkohet nga propaganda e kohës, por gjithsesi mbetet një film i realizuar bukur dhe që pati sukses. /atsh / KultPlus.com

Gaqo Çako, tenori i niveleve botërore

“I paharruar tenori i niveleve botërore, një nga zërat më të bukur operistikë e të muzikës së lehtë, Gaqo Çako!” Me këto fjalë vlerësimi për Artistin e Popullit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka zgjedhur ta nisë edhe këtë ditë të muajit dedikuar muzikës.

Tenori Gaqo Çako, Artist i Popullit, radhitet ndër emrat e mëdhenj të panteonit të muzikës shqiptare. Studimet i kreu në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, dhe qëndroi tenori kryesor për tri dekada me radhë.

Përvoja dhe karriera e tij ka qenë shumë e pasur. Mjafton të kujtojmë se ka qenë tenor në opera me peshë si “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe ne operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit.

Gaqo Çako u vlerësua edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij i fuqishëm jepte kënaqësi edhe për publikun e thjeshtë, kudo dëgjohej, pasi Çako u përfshi në të gjithë zhanret e muzikës vokale edhe pse vlerën më të madhe e pati në interpretimet e roleve operistike.

Në kujtesën e publikut të gjerë, Gaqo Çako do të kujtohet me këngët “Udhët e atdheut më thërrasin”, “Këputa një gjethe dafinë”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, e sidomos interpretimi aq mbresëlënës i “Fjalëve të qiririt”, në filmin “Mësonjëtorja”. / KultPlus.com

Ministrja Margariti: Gërmimet arkeologjike në Durrës nxjerrin në dritë figurën e një perëndeshe

Ministrja e Kulturës Elva Margariti njoftoi mbrëmë se në nëntokën e Durrësit është zbuluar një perëndeshë.

“Nëntoka e Durrësit vazhdon të nxjerrë në dritë historinë e saj. Mes të tjerash zbulime doli në dritë edhe një perëndeshë”, theksoi Margariti në një postim në rrjetet sociale.

“Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi nga Instituti i Arkeologjisë dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal nga Universiteti Lyon 2 janë drejt përfundit të gërmimeve arkeologjike në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçisë”, u shpreh Margariti.

“Nga gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake, ku u gërmua një banesë e shek. II e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Sipas arkeologëve shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Mes objekteve të ndryshme, zbuluar këtë vit, bie në sy një figurinë bronzi e një personazhi femëror në lëvizje. Teksa pritet të pastrohet e konservohet, arkeogu Shehi thotë se mund të kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (ndoshta Artemis ose Lar/Lares), pjesë e faltores së banesës”, nënvizoi Margariti./ KultPlus.com

Përkujtohet Anita Bitri, një nga këngëtaret më të dashura

Në kuadër të “Muajit të Muzikës”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kujtoi sot këngëtaren Anita Bitri.

Margariti shprehet në një postim në rrjetet sociale se Bitri ishte një nga këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar.

Anita Bitri lindi në Sarandë më 8 janar 1968 në një familje intelektuale. Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionierëve të rrethit të Vlorës. Talenti i saj tërhoqi vëmendjen e profesor Robert Papavrami. Do të duhej vetëm një vit pune që Robert Papavrami dhe Bitri të dilnin para spektatorit vlonjat në një duet me violinë, duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz.

Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”.

Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtare u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zëvendësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme artistike.

Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito”, në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në dashuri”, “Abrakadabra” etj.

Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”, ne SHBA. Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë në rritje. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e saj në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë.

Në 2004, pati një vdekje aksidentale, në moshën 38 vjeçare, për shkak të një bllokimi të ventilimit të kaldajës, në shtëpinë ku banonte./atsh/ KultPlus.com

Ministrja Margariti: EU4Culture, rijetësim i monumenteve të kulturës të prekura nga tërmeti

Komiteti Drejtues për programin EU4Culture ka zhvilluar mbledhjen e 4-të ku u morëm vendime të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore.

Në këtë mbledhje me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS u diskutua për një sërë çështjesh, për të përcaktuar prioritetet e nevojshme në zbatimin e projektit.

Në fjalën e tyre, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Drejtuesi i Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së, Hubert Perr, Drejtuesja e Zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote dhe Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri, Pamela Lama, vlerësuan bashkëpunimin e frytshëm të të gjitha palëve të interesuara në kuadër të programit EU4Culture.

Ministrja Margariti shprehet në një postim në rrjete sociale se një ndër projektet e diskutuara gjatë kësaj mbledhje ishte edhe ai për restaurimin dhe rikonceptualizimin e Muzeut Historik Kombëtar apo financimin në pajisje për digjitalizimin e arkivës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

“Bashkë me drejtuesin e Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së, Hubert Perr, drejtuesen e zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote dhe drejtuesen e UNOPS në Shqipëri, Pamela Lama analizuam punën e deritanishme dhe shprehëm angazhimin për të ecur më shpejt me kantieret e ringritjes dhe rijetësimit të monumenteve të kulturës, të prekura nga tërmeti i vitit 2019”, thekson Margariti.

Komiteti renditi sukseset e projektit duke përfshirë progresin e restaurimit të një sërë sitesh,  krijimin e eksperiencave dixhitale si dhe hapat përmbyllës të vlerësimit propozimeve të thirrjes së parë të skemës së granteve.

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. Përveç restaurimit, do të investohet në rijetëzimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes.

Në kuadër të programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS, punimet rehabilituese kanë përfunduar në Kishën e Shën Ndout në Kepin e Rodonit dhe në Kishën e Rubikut, ndërsa po vijon puna në shtatë objekte të trashëgimisë kulturore si Torra Veneciane në Durrës, Teatri Kombëtar i Kukullave në Tiranë, Muzeu Etnografik i Krujës, etj./atsh/ KultPlus.com

Margariti: Ekspozita e Brickman hapet bash në vendin e duhur, në Tiranë

“Ekspozita e artistit Dmitry Brickman , “Jeruzalemi nuk është vetëm një qytet”, hapur në Galerinë e Artit, Tiranë është pika kulmore e Javës Kulturore Izraelite, që na zbulon përmes fotografish shpirtin e një qyteti lutjesh”, ka shkruar Elva Margariri, ministre e Ministrisë së Kulturës në Shqipëri, shkruan KultPlus.

“Ashtu si edhe kjo ekspozitë, Javët Kulturore Ndërkombëtare ofrojnë një mesazh paqeje dhe bashkëjetese. Përgjatë gjithë vitit kultura nga 18 vende të botës sjellin në Shqipëri më të mirën e tyre në art, kulturë, kulinari.. Një mundësi për të njohur njëri-tjetrin, për të vendosur ura komunikimi mes brezit të ri dhe për të promovuar vendin tonë. Me siguri, çdo artist i huaj merr me vete dhe një copëz Shqipërie”, ka vazhduar tutje Margariti, e cila ka shtuar se ekspozita e Brickman hapet bash në vendin e duhur, në Tiranë, vendin ku bashkëjetesa fetare dhe mikpritja janë elementë identitarë. Në këto 100 foto të ekspozitës ka pak edhe nga Shqipëria./ KultPlus.com